"Lufta me tutorët shqiptarë në Londër"

Ekskluzive / Flet David Eyles, kryepolici i antiprostitucionit në kryeqytetin britanik: Si ka evoluar "biznesi i seksit"

Nga Londra
Muhamed Veliu
Gazeta Shqip


David Eyles është emri i njeriut të cilit disa kohë më parë i është besuar lufta ndaj prostitucionit në Londër. Fillimet e tij në policinë londineze i ka 31 vite më parë, si një polic i thjesht, pikërisht në skuadrën e antiprostitucionit, që njihet si "Vice Squad".Duket se eprorët e tij që i besuan këtë detyrë kanë gjetur njeriun e duhur për një mision të vështirë, ku prostitucioni me vajzat e trafikuara e ka futur Britaninë e Madhe në hartën e vendeve, ku po zhvillohet "skllavëria" moderne. Nën komandën e tij janë më shumë se 100 oficerë të fokusuar në shkatërrimin e organizatave kriminale përfshirë trafikun e prostitucionit. Megjithëse është njeriu që drejton një mori njerëzish, që në momentin e parë kur e takojmë, ai përcjell thjeshtësi. Nuk nis sekretaren e tij të na presë në hyrje të stacionit të policisë në Charing Cross, ku janë zyrat e kësaj skuadre, por zbret vetë.

Biseda

Në një zyrë të ngushtë, ku në tavolinë janë disa gazeta në gjuhën kineze, Eyles na fton të ulemi përballë tij. Gjithçka është e sistemuar në dosje, ndërsa në mur varet një tabelë plastike, ku planifikohen strategjia e operacioneve. "Është një punë që e kam bërë për 31 vite me radhë. E kam filluar si polic i thjeshtë, më pas inspektor dhe ja tani në krye të kësaj skuadre. E bëj më gjithë zemër këtë punë", tregon ai, kur i themi të na tregojë diçka për karrierën nën uniformën e policisë metropolitane. Biseda më tej përqendrohet te çështjet e prostitucionit në Londër, ku shpeshherë në mediat britanike, shqiptarët janë cilësuar si kontrollues me dorë të fortë të zanatit më të vjetër në botë. Sipas Eyles, prostitucioni në Londër është shumë kompleks, në rritje veçanërisht me zhvillimet e fundit në Komunitetin Evropian, pas zgjerimit të tij. Anglia konsiderohet nga grupet kriminale si një territor ku ata mund të ndërtojnë biznese të bazuara në trafikimin dhe shfrytëzimin e vajzave për prostitucion". Sikurse të dy paraardhësit e tij, Simon Hamphery dhe Cris Bradford, shqetësimi kryesor për David Eyles, janë vajzat e trafikuara. Mendohet se çdo vit në Angli trafikohen 3 mijë vajza si skllave seksi. "Vajzat e trafikuara janë sfida jonë më e madhe që ne kemi përpara", thotë ai. E pyesim: Kush e kontrollon sot prostitucionin në Londër? Eyles nuk mund ta thotë këtë, sepse "ka njerëz të nacionaliteteve të veçanta dhe një larmi njerëzish të përfshirë në këtë biznes". "Ajo që na shqetëson është se vajzat lindore sillen nga bashkëkombësit e tyre në Angli, ku u shiten personave brenda këtyre komuniteteve, dhe kjo është ajo e cila në jemi të përqendruar", shton kreu i skuadrës të luftës kundër prostitucionit. Eyles është i kujdesshëm në informacionin që tregon, pa u vendosur në sinkron me median britanike, që shqiptarët i ka cilësuar si "bosët e kontrollit të prostitucionit". Sipas Eyles, grupet më me peshë në shfrytëzimin e prostitucionit në Londër janë ato tajlandeze, braziliane. Por shton se "grupet nga ish-vendet e Bllokut janë më kryesorët". Për të, ky është një problem i madh, pasi ka nacionalitete të ndryshme të përfshira në krime të tilla". Kjo e shpjegon më së miri pse mbi tavolinën e tij ishin disa gazeta në gjuhën kineze. Numri një i antiprostitucionit londinez pranon se kemi të bëjmë me një krim që gjeneron jo mijëra, por miliona paund në vit. "Një vajzë mund të arrijë të fitojë në natë deri në njëmijë sterlina", sqaron ai.

Shqiptarët

Disa nga operacionet e fundit, ku janë arrestuar një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, mbajnë firmën e David Eyles. Ai tashmë i njeh mirë metodat e përfshirjes së tyre në këtë krim. Duke qenë për 31 vjet si polic në këtë sektor, ai i trembet një përplasjeje me armë mes grupeve lindore dhe atyre shqiptare. Po pse? Eyles përgjigjet: "Gjithnjë e më shumë, tregu i prostitucionit po mbushet. Nuk ka më vende apo zona influence ku këto grupe mund t‘i kontrollojnë. Mendoj se shqiptarët do kenë përballje të dhunshme me lindorët e tjerë në këtë biznes". Por njeriu me flokë të thinjura, që kurrsesi në këto duele të mundshme nuk do të bëjë rolin e arbitrit, lëshon paralajmërimin: "Nga eksperienca ime mund të them se shqiptarët janë më të dhunshmit, krahasuar me grupet e tjera kriminale, por ata mund të munden. Dhe për këtë, kemi ndërtuar strategji të reja operacionale, që kanë dhënë rezultat". Me ketë deklaratë, ai lë të kuptojë shkatërrimin me sukses të familjes së tutorëve Demarku, mbyllur pas hekurave me 63 vjet burg në total. Për të gjithë ata oficerë që investiguan klanin e vëllezërve Demarku dhe vetë Eyles, kjo është vetëm maja e ajsbergut. Sipas tij, është e vështirë të japësh një përgjigje të prerë se sa kontroll kanë shqiptarët mbi prostitucionin në Londër. "Një gjë është e sigurt. Numri i shqiptarëve të përfshirë në trafikimin dhe shfrytëzimin e prostitucionit është në rritje", thekson Eyles. Nuk mund të konfirmojë raportimet në media, ku thuhet se 75 për qind e prostitucionit në Londër është në duart e shqiptarëve, por pranon se ata janë "lojtarë" kryesorë, njëkohësisht një shqetësim madhor për oficerët e tij. Me një të folur të ngadaltë, si një xhentëllmen i vërtetë, David pranon se ka individë shqiptarë që kontrollojnë një numër të madh vajzash. Tani shqiptarët, sipas tij, kanë mësuar sekretet e këtij zanati. Nëse në vitin 1998 ata përdornin shtëpitë publike që kontrolloheshin nga anglezët, tani ata kanë të tyret në çdo cep të Londrës. "Mund t‘ju them se kemi në ‘radarin‘ tonë shqiptarë, të cilët kontrollojnë edhe 10 vajza. Kjo kërkon aftësi dhe një menaxhim perfekt, gjë e cila atyre nuk u mungon". Meqenëse shqiptarët janë lojtarë aktivë në prostitucionin londinez, një bashkëpunim me policinë shqiptare padyshim që është i nevojshëm. Eyles pranon se ekziston një bashkëpunim i shëndoshë me autoritetet shqiptare, duke hedhur dritë mbi ambiciet e tij në këtë betejë që kërkon ta fitojnë me tutorët shqiptarë. "Do t‘i përdorim marrëdhëniet e mira me kolegët shqiptarë, për të sekuestruar pronat e tutorëve shqiptarë të Londrës. Ata kanë transferuar miliona paund në Shqipëri. Ne po punojmë që ato para të sekuestrohen. Është pjesa finale e luftës tonë me ata, kjo gjë do t‘i djegë shumë atyre", tregon Eyles.