Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 15
  1. #1
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016

    Çerçiz Loloçi

    Krijimet e postuara tek kjo temë janë dërguar në kutinë elektronike të Forumit Shqiptar nga Bejdo Malo



    Pak nga jeta

    Çerçiz Loloçi ka lindur në Gjirokastër më 18.05.1961 dhe tani është banues në Tiranë.

    • 1982-1986: Studimet e larta ne Universitetin e Tiranes, Fakulteti Histori-Filologji, dega Gjuhe-Letersi Shqipe.

    • 1985-1987, sekretar i rinise se Universitetit te Tiranes.

    • 1987-1990, sekretar i rinise se kryeqytetit per kulturen dhe shkollat e te gjitha cikleve.

    • Prej 15 vjetesh gazetar dhe publicist ne disa nga mediat e perditshme (Albania, Koha Jone, Shekulli, TemA, Albania, Telegraf. Shqip)

    • Punon aktualisht ne gazeten ALBANIA.

    • Ai është gjithashtu redaktor përgjegjës i revistës dygjuhëshe (shqip-frëngjisht), MONUMENTET, botim i Akademise se Shkencave

    • Çerçizi është autor i dhjetra skicave, tregimeve, novelave, monografi, dosje letrare, nje skenar filmi dhe nje roman. Ai është autor i komedisë MIKOMANIA, vene ne skene me trupen amatore te Universitetit Bujqesor, Kamez.




    Krijime:

    • TREGIME, permbledhje me tregime, shtepia botuese N. Frasheri.

    • ADOLESHENTET, permbledhje me tregime, shtepia botuese N. Frasheri.

    • PLANET VIRGJERIE, roman me subjekt nga lufta italo-greke, 1940, shtepia botuese M. Barleti, baze e nje filmi te njohur amerikan, te shfaqur edhe ne Shqiperi.

    • HOLOKAUST, Dosje pa koment per krimet e Miloshevicit, shtepia botuese L. Skendo, bashkeautor.

    • ZALLDARDHA, monografi, shtepia botuese LUMO SKENDO.

    • HIRET E PROSTITUTAVE, tregime dhe nje novele, shtepia botuese ENTER.

    • Redaktor i librit "Nje dosje per Kadarene" dhe i librit “Albanistan”.

    • Shkrime publicistike, esse, veshtrime kritike, recensione, tregime, novela...botuar edhe jashte shtetit.

    • Tregimi i pare “Nje tufez me lule”, 1981, botuar ne te vetmen gazeten letrare te perjavshme DRITA ka qene njeheri edhe fitues i cmimit te pare te Republikes.

  2. #2
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Romancë studentore


    Letra e parë

    Shumë njerëz e kanë të lehtë të flasin pa letër dhe ata përherë respektohen. Sigurisht kur flasin me mend. Unë e kam të vështirë, një përrua mendimesh vorbullane më vijnë aty për aty dhe nuk di nga t’ia nis. Madje edhe kur mendoj fjalë të bukura, ato çuditërisht asnjëherë nuk dalin të tilla, po në të shumtën e herëve mezi shqiptohen e pa asnjë lëndim. Herën e parë të pashë kalimthi mes studentëve të Inxhinierisë Elektrike, tek ngjisje me ngut shkallët e mermerta të Korpusit Qendror. Ecje qetësisht, pa i detyruar të tjerët të të kqyrnin. Po edhe qetësia e prajshme ka ngacmimet e veta te brendshme, shumë herë më torturuese.
    Unë rrotullova prapa pedalinat e biçikletës dhe ndjeva një fërfëllimë mornicash. Isha fatlum që të pashë: tash e këtej do të të kërkoja të të shihja për një gjë fare të thjeshtë, njohjen. Isha edhe fatkeq se vajzat si ty i gjëmojnë plot të rinj dhe, siç themi ne, nuk i lënë të bien kollaj në shesh. Thonë se maji është muaji që bashkon njerëz. Mundet. Ku ka zë, s’është pa gjë. Po eja e dëgjo një shokun tim meteorolog: asnjë përpjekje mashkullore në dy stinët e ngrohta ku femrat bëhen të hijshme edhe me do veshje krejt të thjeshta, të holla filigram dhe... janë mospranuese. Andaj po pres vjeshtën që është e rrallë në Tiranë; ajo lëshon butë-butë gjethet e verdha, heq pak nga pak fustanet cipëholla e qibarsinë e vajzave.
    Unë gati fluturoj me biçikletë dhe mendimet e mia përndahen të hallakatura sa andej-këtej. Kam në xhep një bllokth të vogël ku kam shënuar citate nga më të larmishmet prej dituranëve më të shquar e deri te çapkënllënqet e djemve të pashpenguar të rrugës. Gocë, të lutem një minutë! Më fal pak sa të të them diçka. A jeni e zënë dhe a dëshironi të ziheni nga dikush? Vështroj si i çmendur një shall pis të zi!
    Kalojnë ditë-netë duke u sjellë dhe u risjellë në kujtesën time, me dialogë të kryer dhe të imagjinuar ku në të shumtën e herëve fiton vetëm ty, ndërsa unë përpëlitem në gjetje të tjera sa më ndikuese.



    Letra e dytë

    Kaloi vjeshta, ranë gjethet e verdha e të kuqërreme, ranë shirat e mjafta te paradimrit. Erdhi zoti dimër me tekat e zakonshme: shi e suferinë, diell i vakët e furtunë ne qytet, disa pleq të groposur e ndonjë fëmijë i mbytur, borë e sërish borë në malin e Dajtit. Brenda fijeqerpikëve të mi rri fytyra e çelur si çokollatë, me reflekse vibruese. Lëvizjet dhe gjestet femërore më rishfaqen papritur nëpër faqet e librave dhe në fletoret e leksioneve. Ndjehem i vetmuar para bukurisë sate, raskapitës, më mpihen gjunjët, më priten fuqitë.
    Jam në orën e fundit të kimisë. Këtu qëndroj sa për formë e mezi ç’pres të dal jashtë. U mëshoj fort pedaleve si të jem në garë finalistësh olimpikë. Pedagogu natyrisht shqetësohet për ikjet e mia të befta, po unë ia di të fshehtën e tij, statujat e vogla të vajzave të gdhendura në dru. Sikur të përballej me ty, me siguri, do të mungonte shpesh në leksion dhe tërë statujat e përfytyruara në mijëra silueta (ai trembet për shumë arsye të vërejë femra nga afër), do i hidhte në Lanë! Ai bëhet gati të më qortojë dhe unë i mërmërit skena femrash, projekte statujash dhe ai përlotet zëheshtur.
    Vij përsëri për të të parë. Veç më i informuar; kam disa të dhëna: je vajza e një funksionari të rëndësishëm të nomenklaturës së lartë, nuk fle në konvikt po diku në periferi të qytetit “Studenti”, te shtëpia e dajës, një vilë dykatshe me oborr, rrethuar me gardh hekuri ku shpërvishen një mori ligustrash e bimësh dekorative si në Senatorium. Përpara vilës janë tri kolltukë me hasra dhe një tavolinëz e vogël ku, në ditë me mot të ngrohtë, përgatit mësimet.



    Letra e tretë

    Tri ditë me radhë të shoqërova pas e larg me biçikletë nga vila dykatshe e deri në fakultet; të vija nga prapa dhe të kqyrja me kujdes. Ti më vure re, po sërish ecje prajësisht si një re puplore që shfaqet e zhduket sakaq. Ditën e katërt të erdha te shtëpia e dajës. Atë shtëpi e kam parë me vëmendje disa herë dhe nuk kam dëgjuar kurrfarë truzme. Të them të drejtën, nuk e përfytyroj dot një banesë pa tinguj e zhurmë.
    U bëra i guximshëm për ta ndarë këtë punë: ose të të bëja mikeshë dhe të ecja me një farë veneracioni udhëve të kryeqytetit, ose të të lëja të qetë në punën tënde.
    Trokita te porta e hekurt e oborrit dhe ti u ngrite si me përtesë nga kolltuku me hasra.
    - Çfarë kërkon, më the.
    - Kam diçka.
    - Hë, fol!
    - Prit të marr frymë, vij nga larg.
    Ti sikur fërfëllove pak, t’u shpërvesh disi buza e poshtme si rigë e kuqe dhe më ftove të ulesha pranë teje.
    - Sa e qetë kjo shtëpi,- thashë jo pa drojë.
    - Ashtu është, familjet me pak fëmijë i pahitin zhurmat.
    - Edhe tash shtëpia e qetë është, e vetmuar?
    - Daja ka vetëm një vajzë 17-vjeçare.
    - Ndoshta e ka simpatike; bukuria është një farë ngushëllimi.
    - E bukur, po ama fle shumë gjumë, the me mërzi.
    - Dhe nuk sheh asnjë ëndërr?
    - Kushedi...
    - Edhe në Akademinë tonë të Shkencave nuk shohin ëndrra, ose ata që shohin janë të rrallë.
    - Ju, me siguri, shikoni mjaft?
    - Unë ndihem keq, kur nuk shoh të tilla.
    - Po mua, pse më ndjek?
    - Eshtë vazhdim i një ëndrre; më dukesh si diç e bardhë, e bardhë, pafundësisht..., nuk e përfundova fjalën.
    Prapa meje erdhi një fëshfërimë ajri. Ishte vajza e vetme e vilës, me sy të mbufatur prej gjumit të pasdrekes dhe me një fustan të tejdukshëm si lëkurë e tharë gjarpri, nderur në barinat e sapokorrura, ku gjithçka e trupit dukej si nënliqen.
    - Bon jour monsieurs, përshëndeti ajo dhe mua m’u trembën qepallat. Një femër pa trazim ëndrre është pothuaj e vdekur, aq më tepër kur s’ka asnjë mister për t’i zbuluar. Këtë ndjesi provoi edhe e njohura ime që shikoi veten e përskuqur dhe u drodh siç bëjnë vajzat kur rrëzohen papritur ose kur u zbulohen gjunjët nga një vrushkull i fortë ere. Vajza e dajës u ul mes nesh, tepër e shkujdesur e këmbë mbi këmbë.
    M’u drodhën muskujt. Ndërkohë më vërtitej rrëmujshëm se ajo belbëzonte vetëm ato dy fjalë frëngjisht, për të cilat ka vënë në siklet mbikqyrësen apo ndonjë mësues privat. Qëndrimi im në këto çaste të vuri në pozitë të vështirë dhe unë dola.



    Letra e katërt

    Një autobus me tridhjetë studentë të inxhinierisë nisën rrugëtimin për në Razëm të Shkodrës; do shikonin fillimisht një zonë industriale e mandej do të qëndronin dy ditë në shtëpinë e pushimit, e rrallë dhe e pashoqe në krejt vendin. E gjeta edhe unë një shkak për t’ju shoqëruar, reporter i gazetës “Studenti”. Si ata kronikanët e qëmotshëm, unë qëndrova nga fundi i autobusit për t’i vëzhguar ngjarjet gjakftohtësisht. Ti ktheheshe pas si rastësisht ose rregulloje ndonjë krelë floku për të me parë disa sekonda. Pastaj drejtoheshe para e merrje qëndrimin e zakonshëm.
    Larg qëndruam edhe natën e parë në Razëm; atje ish një mrekulli më vete: anash kordoni me ahishte si tempuj të pafjetur, brenda shkallare të blerta me vila të hijshme për pushuesit, me pisha majuce aty-këtu, tërë pamja e Razmës si një amfiteatër i blertë e modern.
    Unë bëra një zjarr të madh me shkarpa pishe e dru të thata ahu. Ti nuk dole fare, po unë seç kisha një ndjesi se rrije e përgjoje tundueshëm nga grilat e dhomës së hotelit.
    Të nesërmen puna ndryshoi. Qysh herët në mëngjes, erdhe e më trokite lehtë te dhoma. Ishe veshur me tuta sporti ngjyrë shegë, me atlete të bardha e me një bluzë të hollë.
    Dolëm të dy përjashta pa folur.
    - Ku do shkojmë? të thashë jo pa ngazëllim.
    - Te shpella e Erës.
    - E dini ju ku është?
    - Diç dëgjova mbrëmë, po do ta gjejmë me të pyetur.
    U futëm të dy në pyllin me ahishte. Çfarë qetësie! Edhe kundërmim. Askund nuk dukej këmbë njeriu. Poshtë hapave tona kërcisnin lehtë gjethe të thata, aty-këtu fërfërinin zogj të trembur nga fjollat e bardha të agut.
    - A ke frikë? të pyeta.
    - Nga kush?!
    - Malësorët që s’kanë hyrë në kooperativë, rrinë të fshehur me armë këtyre pyjeve.
    - Ata s’kanë gjë me ne, e kanë me pushtetin, vrasin kryetarë, brigadierë, sekretarë partie... Zbresim diku këtej, kam qejf të eci në rrugë të pahapura.
    Pastaj qeshe me hov.
    Dreqi vetë je, thashë me vete dhe u ulëm poshtë duke i dhënë dorën njeri-tjetrit. Ti e mbështete parakrahun tënd mbi dorën time, edhe gishtrinjtë i shalove një më një mbi gishtat e mi.
    Më kapluan ndjenja të shumta dhe trupi më fërgëllonte. Tashmë më dukej se të kisha në dorë, isha sundimtari yt i vetëm, ti barisje përkrah meje, puthitur me supin tim duke bërë oh-ih, prit se rashë; mund të të përfshija për beli dhe te shkoja nga të më hanin këmbët.
    Si për t’u vëne fre mendimeve, të shtrëngova fort dorën dhe nisëm të vraponim. Ishte një vrapim i ngadaltë për të mos rrëshqitur në tokën e pjerrtë të ahishtes dhe për të parë hijeshinë e drurëve kryelartë. Isha i lumtur e po aq i papërmbajtur për të rendur kështu deri në fund të botës, pa ditur ku dhe pa u bërë merak se ç’fshihej përpara. Diku në jetë ndodhin episode të veçanta që nuk i sheh as në ëndrrat më të guximshme. Edhe ti ishe e shpupluar. Dukej silur kishe fituar diçka të munguar, një farë lirie, një ikje kontrolli nga përkujdesjet që s’të mungonin nga mëngjesi në mbrëmje.
    Ne vraponim duke thithur aromën e luleve dhe pylli hapaj para nesh i mugët e i freskët, i paanë dhe me gjithfarë zhurmësh, tingujsh e lëvizjesh- mbretëria e pyllit ngriti në çast orkestrinat e ditës. Kush tha se i këndoi pyllit, të gjerë si deti (këqyreni po deshët nga lart dhe do të shihni ngjasimin me valët e detit) dhe qëndroi indiferent, nuk u mahnit? Kush tha se natyra nuk fisnikëroka njerëz të çdo moshe, nuk i rrëmbeka në çdo pjesë të saj? Përherë e kam parë jo si trill endjen e përjetshme te ciganëve drejt natyres! Ehehee!
    Ti dihasje furishëm: ai trup fosforeshent gufonte e ulej në krahun tim, me qindra sytha të bukur kishin buisur gjithandej në shtat. Pranë meje ish një pasuri që s’ndërrohej me asgjë, me askënd, as me pasurinë e sheik-sulltanëve të kohëve tona!
    Unë ndalova e të hodha duart në qafën e hollë. Ti përsëri dihasje me një erë të pjalmuar lulesh. Pakuptuar, dikush të kish hedhur në krye një skufje të vesuar. Ti u mrekullove për këtë dhe më pyete e habitur. Unë të spjegova pastaj misterin e drurëve të pyllit që çdo kalimtari, në shenjë mirësjelljeje, i japin pak nga pak fije pezhishkash duke e mbuluar me një tis të bardhë. Ky është spjegimi më i saktë shkencor, më the dhe nise të më hiqje edhe mua fijet e holla.
    Më pas më përfshive rreth shtatit si të shpëtoje nga një tronditje e fortë, pastaj erdhe në vete e më lëshove duke më vërejtur me sy përpirës. Kaq duhej që unë të të ngrija lart e të të vërtisja rretherreth, i paduruar nga kënaqësia; më dukej se mbaja në krahët e mi një peshë të rëndë, të madhe, por më bëhej se edhe mund të të humbisja si një re pulore që shkon kudo dhe asgjëkundi.
    Të ula në tokë si të zbrisja një pupël zogu dhe ti u mbështete në brinjë. Eh, të mjerët njerëz, pas një vit makthi sulen nga të gjitha anët me mizëri mjetesh astronomike, mikroskopë, teleskopë, dylbi për të parë sadopak një kometë bishtverdhë që shfaqet një herë në 76 vjet, sa për siklet të gjithmbarshëm. Unë e kam kometën këtu, me të kuq e me të verdhë, një hap larg meje, e kqyr nga të gjitha anët, krejt nudo e me një bukuri kozmike.
    - Ç’do bëjmë? më the.
    - Një proces-verbal të vogël.
    Ti brofullite së qeshuri, u shkunde me krejt kurmin duke lëshuar tinguj të ngrohtë femërorë.
    -Po, po. Një proces-verbal me disa firma. Këtu në një rruginë të fshehtë dhe të pazhurmshme u përqafuan dy shtegtarë ardhur nga vise të largët. Kaq se pylli është fjalëpak dhe nuk i duron tepricat e fjalëve. Nga vërshimet e shumta, është bërë më i matur, fikson shkurtas kronikat e të dashuruarve të çdo dite... Në fund do të firmojmë ne të dy, do ngjyejmë gishtin me këtë tis verdhosh dhe do i vendosim në trung. Pylli ka kodet e veta, këdo shtegtar e pret me të gjitha nderet, ndërsa kundërshtarëve u mbyll shtigjet: ul degët e gjera, nxjerr nje mori ferrash e gjembash dhe dërgon lajm për t’i kapur...
    Këtë radhë më fute fytyrën mes shuplakave të lëmuara dhe më vështrove si prej një gjendjeje ekstazi. Befas rrobat e mia ishin diku tutje e po aq befas edhe ti ishe krejt lakuriq. Më kap po deshe, the dhe u lëshove poshtë. Natyrisht, erdha pas teje dhe sa për të të kapur e kisha më se të lehtë po kurrsesi nuk doja të binte perdja. Shtatë apo shtatëmbëdhjetë mrekullitë e botës, ishin një hiç para këtij trupi femëror, një bukuri marramendëse që zor se e gjeje kund! Këtu është vendi më i bukur, the dhe u hodhe sipër meje; dy trupat tanë të zhveshur u rrokullisën një monopati derisa morën çka mund të merret në një dashuri të parë. Ehehee! Mbaj mend se të kam puthur nga majat e gishtrinjve të këmbës e deri te fije e flokut; ne diç kërkonim te sho-shokut për më tepër se një orë. Kishim flakur më në fund turpin në një shurdhëri pemësh dhe dukej se asgjë s’na besohej nga ato çka po bënim. Nuk kishim parasysh asnjë stacion të ndaluar me “elektrik blu”, asnjë shfaqje ki!
    nemaje me skena eksituese, por dru të virgjër që shkonin të vetmuar lart.
    Papritmas, u tërhoqe prapa e thirre pa zë: dy njerëz!
    Ktheva kryet andej dhe shqova një njeri të shkurtër, ulur mbi një sukë që shihte nga ne. Pastaj edhe nje femër.
    Për pak minuta, të turbulluar, ne gjetëm rrobat dhe u sajdisëm si mundëm. Ti u ngjeshe te unë dhe pate frikë. Doja të të thoja disa fjalë qetësuese, po ndihesha i tunduar. Mendoja se kishim shkuar shpejt aty ku nuk shkohet, sakaq dashuria jonë nuk ish më e fshehtë. Në socializëm familja ka rregullat e veta: fejohesh e qëndron dy-tri vjet deri sa të të njoh çereku i shqiptarëve, pastaj do martohesh pa një pa dy në një të dielë e të nesërmen do provosh virgjërinë, në fund do jesh të paktën gjysmë shekulli vetëm me gruan tënde.
    - Burri atje, është Riku D., -më çuçurite te veshi. -Sa qejf kam të rri me të!
    - Ai është ndër miqtë e mi, të thashë me mburrje.
    Nxituam hapat.
    - Oh, kush na qenka! na uroi mireseardhjen Riku D.
    - Të ishe mjekërparruar, do të të merrnim për eremit, -thirra unë dhe desha ta përqafoja.
    - Tako njëherë Dylqinjën time dhe unë mikeshën tënde, -tha Riku D. dhe u ngrit me mundim në këmbë. - Si quhesh moj burrneshë?
    - Matilda, the ti e skuqur.
    - Nusja ime quhet Ana, jo Ana Karenina, të kuptohemi.
    Qeshëm.
    Bashkëshortët na qerasën me fiq të tharë.
    - Si të shkon këmba? thashë unë.
    - Ja, në prehrin e nuses, -Riku D. qeshi. -Të gjithë më ngushëllojnë, më qajnë hallin, më japin ilaçe. Unë dal rrallë e më rrallë në skenë dhe këmba ime si e lejlekut, dikur ulet e dikur ngrihet. Dashamirësit e mi më duket se më duartrokasin vetëm për këtë të mallkuar këmbë. Pra, po vdes... Riku D. i tha me keqardhje fjalët e fundit, megjithse në to kish diç të vërtetë. Ai vuante prej kohësh nga një paralizë e pjesshme.
    - Ke bërë shumë ilaçe? i the ti.
    - Aq sa s’mbahen mend. Kam ndërprerë nja dy herë furnizimin e Shkodrës.
    Ti nuk qeshe po shikove nga e shoqja sikur edhe ajo të ish fajtore.
    - Ndoshta, duhet të shkosh jashtë shtetit?
    - Ku di unë se çfarë të bëj. Më vjen keq për njerëzit; në çdo shfaqje më presin ngrohtësisht. Tash duartokasin ende pa filluar rolin, nga mëshira, nga një lloj keqardhje që s’dihet prej kah u buron. U ndamë miqësisht prej tyre. Unë të fola për talentin e vërtetë, për dobësite e tyre njerëzore, të fola për shtetin e kujdesin e tij të përhershëm ndaj këtyre krijesave që mjerisht lindin rrallë, të përmenda edhe thënien e Bonapartit: të ish gjallë Kornej do e bëja princ!



    Letra e fundit

    Pas eskursionit magjepsës të kërkova vazhdimisht në fakultet dhe u bëra tepër merak; s’mund të rrija gjatë pa të të parë. Kujtova dhe rikujtova të gjithë skenën e pyllit të vetmuar që ishte i bukur ngaqë nuk kishte vënë dorë kush. Një ditë erdha te shtëpia e dajës.
    Ishte pasdite kur prita pas gardhit të hekurt derisa të ngrihej zonjusha “ bon jour monsieurs”. Ajo u çua si përherë vonë, me sy të plogët dhe u ul në kolltukun e mesit. Ish përsëri me atë fustanin e tejdukshëm, si lëkurë e tharë gjarpri. Fola që andej:
    - Ku është Matilda?
    - Oh, mami sa më trembe! Hyr brenda.
    - Nxitoj, po ku ka shkuar ajo?
    - Në Paris, në Francë.
    - Pse iku aq larg?
    - E zuri një dhimbje veshi e padurueshme. Mjekët ishin të mendimit të shkonte për kurim atje. U bë një konsultë e gjerë.
    Qëndrova pa folur. Më erdhi keq për mikeshën time që vuante. Në Razëm ajo nuk më tha asgjë. Atje takuam vërtet një të sëmurë, Rikun që në spitalet e vendit nuk mund t’i bëhej asgjë përveç torturimit pa fund. Matilda paskish dhimbje veshi?! Edhe unë kam vuajtur nga kjo shqisë, po shumë-shumë dy ditë. Gjithë fëmijët e botës, ankohen për veshin, po i pastrojnë, u venë pambuk me ilaç ose alkol e pastaj janë të qetë.
    - Çfarë do t’i bëjë veshit në Paris? i thashë vajzës me inat.
    - Do ta kurojë për disa ditë.
    - Ashtu?!-isha bërë me miza në trup. -Ajo ka pasur shtrembër edhe gishtin e madh të dorës?
    - Mbase kuron edhe atë, tha ajo me debillëk.
    - Gishti i madh shërohet kollaj, mjafton ta tundësh nga mëngjezi në darkë! përplasa derën e llamarintë dhe ika.
    Brodha tërë pasditen, deri në orët e vona të natës dhe kujtova sëmundjen tënde. Janë ca mjekë filistinë që kanë përgatitur për ty një diagnozë të pakurueshme dhe të nisën fill jashtë shtetit. (Dhe udhët për ti janë përherë të hapura; ti nuk shkon në Degën e Brendshme, në Ministrinë e Jashtme, në Komitetin Qëndror, në zyrën konsullore). Janë po këta mjekë që lenë të vuaj një artist të madh. Uf, sa inat i kam; mërzi të kam edhe ty që shkon befas deri në Paris për një shuk pambuku në vesh. Një fjala jote, jo sakrifica jote, mund ta shpinte Rikun edhe jashtë shtetit; kushdo me mend dhe me pak influencë mund ta bënte këtë. Oh, sa gjëra të këndshme na u zgjuan në Razëm e në takimet tona të fshehta që unë dua t’i fashit. Po s’qenka e lehtë, s’mund të fshihet përdhunshëm ato çka hynë mes nesh, e në këto ka edhe diç të mugët që më bëjnë të dridhem e të nxjerr shkumë nga goja. Edhe tash që eci i vetmuar ndanë rrugës me rrepe të televizionit, më rishfaqen mbresat tona !
    që rihumbin nga zulmi im. Riku D. është i destinuar të vuaj, kështu vijnë fatet. Pylli është miku im dhe i Rikut, për mohuesit ai mbyll shtigjet, fshin inicialet, ul degët e gjera, nxjerr një mori ferrash e gjembash dhe dërgon lajm për t’i kapur.

  3. #3
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Fat përmbys

    Plakushi mbi gjashtëdhjetë vjeçar kur fliste me tinguj të rrokjezuar, përpëlitej e jargavoste: një masë e squllët, disi e tejdukshme, i rrëshqiste në mjekrën e mprehtë dhe unë mendoja thjesht për një dobësi ardhur nga fëmijnia apo e krijuar nga një jetë munduese dhe ndjeja një farë pezmatimi deri në mëshirim. Plak- njeri, dhëmbërënë, i zhgënjyer nga shumë gjëra pikëlluese, mbase edhe i nëpërkëmbur! Jargavitja ish vërtet e neveritshme, në gropën e mjekrës mbeteshin vazhdimisht grimca gëlbaze, megjithatë ti mund të vëreje edhe diç tjetër në siluetën e tij dhe bëje ta harroje.
    Prapa derës, ai priste që kryetari i një partie të re të kryeqytetit ta ftonta brenda e ta pyeste për ndonjë mendim. Plakaruqi, i mbajtur jokeq, futej rrëmbimthi duke jargëzuar së brendshmi e së jashtmi, kërrusej edhe më, (mjaftonte ajo përthyerje shpinore për të të imponuar dhimbje) dhe priste marrjen e detyrës. Më bëj një formular për seksionet! Në rregull, ja tash. Më thuaj dy parrulla luftarake për të shtuar anëtarët e simpatizantët! Si urdhëron, i kam gati.
    Dy muaj rresht ky zakon. Njeëzit u mësuan ta shihnin prapa derës, disa e përshëndesnin, disa ngrinin supet duke kujtuar një portret agresiv të hershëm, dikush mërmëriste: çdo ky matuf këtu, që nuk bënte kurrfarë pështypje po ama linte pezull një fill dyshimi.
    Muaji i tretë e gjeti burrin e moshuar në tavolinën kryesore, në krahun e djathtë të kryetarit të partisë, çuditërisht më pak i kërrusur, tepër i kujdesshëm, i vrullshëm që priste e përcillte njerëz, jepte porosi, mbante shënim, merrte përsipër probleme, lëvizte në zyrat e tri kateve, kapte çdo lëvizje e bisedë e nuk përtonte të ndërhynte hovaz. Ndoshta nga ky moment, ai dukej i rehatuar se merrte edhe një shtesë mbipension, filloi te unë një irritim i brendshëm.
    “Diktatura na përlau njerëzit më të mirë”, klithte plakaruqi dhe kryetari i partisë përlotej sinqerisht duke kujtuar një pjesë të familjes së vet të burgosur e të internuar dhe kalvarin e gjatë të së quajturës luftë të klasave. Kjo thënie e vazhdueshme, si e lyer me copra jargësh, nisi të më sjell krupë dhe mbase, shpëtimi i vetëm për mostorturim, ishte harresa, anashkalimi, lënia në punën e tij. Bëja një llogari të thjeshtë: drejtuesit kryesorë të partisë, ishin të inkriminuar me njëmijë fije me të shkuarën, sozitë e tyre i gjeje të shumuar në rrethe, në qarqe intelektualësh flitej për një shtab të gatshëm të ardhur nga qendra e Komitetit Qëndror dhe në fund të fundit plaku nuk zinte kushedi çfarë peshe.
    Ajo zhaurimë pëshpërimndjellëse për njeriun misterioz po davaritej hap-hapi, ai kryesonte tash partinë në kryeqytet, merrej me sindikatat, drejtonte shtypin e propagandën, delte më tubime, kreshpërohej me qënie naive për punë dietash, zotëronte mbi dhjetë dëshmi.
    “Diktatura na shkatërroi fisnikërinë”, dëgjohej korridoreve e në mjedise kafenesh dhe atëhere, kush e njihte sadopak, belbëzonte: çdo ky bajgë këtu, nga hyri?!
    Këto pyetje mëse të thjeshta, në orë vetmie e gjendje kaosi, bëhen jashtëzakonisht të papërballueshme për siluetën time; ato godasin parreshtur për ta marrë më shtruar me plakushin gjatovinë, me disa stilolapsa, me diktofon, me dy palë syze e me atë jargavitjen e përçastme që del jo nga mungesa e dy dhëmbëve ballorë po ngaqë sikur mbllaçitet ndër gjendrra e nuk i rrihet pa folur.
    Në një cipë të kores së trurit ku gërvëlisnin parandjenja keqardhjeje, fillojnë e renditen shkaravina fjalësh: ai është i vuar, ka qenë komunist tërë jetën, partia e ka mësuar të bëhet spiun i gjithçkaje, ka punuar ku i kanë thënë, ka marrë një apartament në zemër të qytetit, ka marrë edhe një dhuratë simbolike prej diktatorit, i ka ikur pak fiqiri nga shfletimi e stërshfletimi i klasikëve, tani pluralizmi, tridhjetë e ca parti me seli e pa seli, të vjetra e të reja, me kryetarë pa anëtarë a me drejtues pa vula - për t’i vënë kapak ai mund të thotë diçka, mund të jap diku, i hanë duart për punë, grindet me gruan e fëmijët po ndihet habitërisht i qetë në planetin e partive.
    Nëncipa tjetër e kores së trurit, ajo e pacipa, e pamoralshmja dhe e pamëshirshmja, lëshohet tërë histeri: ai ka vuar nga ideologjia, partia i mësonte të gjithë të bëheshin spiunë po jo kushdo e pranoi këtë mision hardhucash, mirë pluralizmi po ç’duhen tri duzina partish ku vula e tyre është biznesi në shkallën e epërme, një ligj i vetëm i përjashton përfundimisht orakujt e kënetave, ikën bashkë me ta edhe plakaruqi jargavitës.
    Ky duel vazhdon përditë me të thëna e të stërthëna, ndërsa plaku me jargë çurgëzuese më ftonte te zyra e vet; ai dëshiron të flas me mua, megjithëse e di përbuzjen time të afishuar publikisht. Herë më duket se unë ia kam shprazur të gjitha, kam folur pak a shumë i kllapuar duke mos pranuar kurrsesi përgjigje prej tij:
    “Ke ardhur në 1943 dhe ke spiunuar tre shokët e tu”?
    “Ke qenë aktiv në gjyqet e pasdyzetekatrës”?
    “Ke dënuar njerëz për kurrgjë”?
    “Ke lyer duart me gjak”?
    Unë vazhdoj ta përflas me mori pyetjesh dhe ai lëshon pikëla jarge, heq syzet e shikimit e vë ato të leximit, rrotullohet, përdridhet e më fton sërish në zyrën e vet. S’jam shumë i sigurt nëse këto dialogë bëhen në praninë apo në mungesën e tij; më duket se dikur ia kam përplasur me gjithsej si për të shpëtuar nga një shkulm që vetevjen brenda meje.
    - Unë e prishkam Shqipërinë? këmbëngul ai për të më tërhequr në bisedë.
    - Ke edhe ti pjesën tënde, dhe i lë të kuptoj se biseda ka marrë fund.
    Ai sërish këmbëngul për një takim intim me mua, paçka se unë nxjerr të tjera xhevahire pështirosëse nga jeta e tij.
    - Do të të sqaroj gjithçka, më tha ai ngultas.
    - E meriton të dënohesh, i them prerë.
    - Unë jam i dënuar.
    - Ti je person politik?
    - Unë jam kufomë... Prej tridhjetë vjetësh, jetoj në një dhomë të braktisur. Hetuesit që unë u raportoja ditmërisht, u bëra peshqesh edhe gruan time. Jo se e përdhunoi ata, po hakmorr gruaja ndaj meje: fjeti në shtart me njërin prej tyre, më thoshte se sot do të shkoj te ai dhe ashtu bënte. Pastaj, një vajzë e imja është çmendur për shkakun tim, ajo thërret mëngjes-mbrëmje: ti je hafije, dykëmbësh, insekt dhe humbet në zullumet e saj. Unë i kam lutur, grua e bijë, që të paktën të më lenë në një dhomë e ato nuk më kanë zbuar përjashta; të paktën të ndjej erën e tyre...
    - Ndoshta të kam rënduar, të kam falur...
    Plakaruqi dridhet, një fytyrë i vjen e një fytyrë i ikën, grimca pështyme vazhdojnë t’i shkëputen pavullnetshëm nga dhëmbët ballorë-dobësi kjo e krijuar jo nga fëmijënia po nga diç tjetër mjegullore.
    Nënpunësi i partisë opozitare vijon ritualin e përditshëm me të gjitha gjestet krupsjellëse, paradite-pasdite vijon të ndjekë të gjithë përditshmërinë e punëve organizative për të shkuar në mbrëmje në kolibe-shtëpinë e tij të vetmuar i shoqëruar nga thirrjet e gjithhershme: spiun, hafije, dykëmbësh.

  4. #4
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Rrëfim për Sonjën


    Nga rruga “Oktjabërskaja” deri te apartamenti ku ne banonim, ishte jo shumë afër: katër stacione metroje, katër stacione trolejbusi dhe njëqind e dyzet hapa me këmbë.
    Dy netët e para ne shkonim herët në mbrëmje dhe gjatë kësaj kohe bisedonim me plakushen e shtëpisë, një grua tipike ruse, e mbajtur hijshëm por që nuk dëgjonte nga veshët, si dhe me mbesën e saj shtatëmbëdhjetë-tetëmbëdhjetë vjeçare që nuk bashkëjetonte me prindërit për shkak të një zënke banale.
    Nina plakë ishte ndarë nga burri, një ish gjeneral armate në pension, por çdo fundjavë shkonte te banesa e tij thjesht për ta parë a për të ndërruar erën e njeri-tjetrit; pikërisht kjo kohë vetmie për Sonjushën e hirshme kthehej në dy net të këndshme me të dashurin apo të fejuarin e saj. Pasditen e së shtunës, Sonja bënte pazarin e përgatiste darkën; ajo diku punonte në një fabrikë tezgjahu me njëqind dollarë në muaj.
    Sa vinte mbrëmja, ia behte miku i saj, një djalë i hajthëm, me buzë të kuqta e vithe të kërcyera. Të dy bashkë darkonin deri vonë dhe flinin në një krevat të gjerë e të rehatshëm. Ndoshta kishin kohë që vazhdonin këtë argëtim dashuror pak të veçantë dhe ne nuk shfaqnim kurrfarë interesi kur dinim fare mirë se atë që mund të fitoje në Moskë pa kurrfarë vështirësie, ishte femra. Një radhë e gjatë Tiranë-Durrës me vajza të të gjitha formateve, çuditërisht të bardha, kalonin tetëorarshin për të shitur një send të zakonshëm dhe shumëkush prej tyre do të preferonte të mos bënte ritualin e përditshëm në këmbim të një flirti sidomos me një të huaj.
    Të shtunën e 10 tetorit 1994, djali erdhi si zakonisht te Sonja ndërsa ne dolëm për një takim në sheshin e Kremlinit. Ca nga kishat e mrekullueshme me kupolat e praruara, ca nga shoqëria e shpengimi me kolegët tanë, orët e pasdites i kaluam pa i ndjerë. Një johanesburgas i pasur dhe që e përjetonte rikthimin në pushtet të Mandelës si një njollë kozmike, na krijoi shumë lehtësi me makinën e tij tip xhip nëpër rrugët e një metropoli që dilte nga komunizmi dhe shfrente për t’u bërë sa më parë një kryeqendër e sipërmarrësve të lirë.
    Në orën një pasmesnate, ne çelëm derën e apartamentit dhe hymë në korridorin e ndriçuar.
    - Shiko andej, pëshpëriti shoku im.
    Nga dera e hapur e dhomës dukej qartë djaloshi i hajthëm, me të mbathura të bardha dhe sipër tij, Sonja pothuaj lakuriq e me një pozicion tepër turbullues: gjinjtë me thithka përpjetë dhe shalët me një epsh gjithpërpirës.
    Ne u futëm në heshtje në dhomën tonë dhe e mbyllëm derën me grep.
    - Ajo po na provokon, tha shoku im.
    - Sonja po flinte, thashë unë.
    - Ajo është një femër që vuan.
    - Më duket se të ka dehur era e Moskës, thashë për ta mbyllur këtë bisedë.
    - Asaj i ka vajtur ku s’mban më...
    - Po sikur ajo ta ketë kërkuar vetë këtë lloj dashurie? Ka femra që mjaftohen vetëm me të fërkuar qoftë me një çun, apo qoftë me një gocë.
    - Në qafën time, po nuk erdhi vetë në dhomën tonë. Shëët...,-shoku im çeli derën.
    Përpara nesh qëndronte vërtet Sonja me një shkundje të tërshme që vinte poshtë robdëshambrit; ajo na këqyri gati përbindshëm si të ishim dy shtazë, ndërsa përvete dridhej nga dhjetëra gulshe të fshehta.
    - Vij pas pak, tha Sonja dhe bariti drejt banjës duke hedhur përtokë indiferente robdëshambrin.
    - Na doli shansi për t’i këputur ndonjë teke, gati sa nuk klithi nën zë shoku im, na erdhi zogu në dorë. Kaluan disa minuta, aq sa i duheshin vajzës për t’u shplarë në dush. Pastaj ajo hyri në dhomë, vetëm me të mbathura si të na jepte të kuptonim se deshte vetëm aktin e mbramë të dashurisë.
    - Me mua apo me këtë? -nxitoi të fliste shoku im.
    - Kush të dojë prej jush, mjafton që të mos jetë dikush si ai i dhomës matanë -Sonja dukej tepër e sigurt në ato çka fliste.
    - Nuk shqetësohet ai për çfarë po bën? pyeta instiktivisht.
    - Do ishte mirë të shihte, po ai fle si i vdekur.
    Unë dola përjashta dhe u enda një copë herë në merkatot afër apartamentit. Pas kthimit shoku im më tregoi se ajo nuk e kish lënë të bënte qoftë edhe një puthje, kurrsesi prekje e fërkime siç ndodh rëndom në ndodhi të njëjta, duke shpresuar se i fejuari apo dashnori i saj një ditë do ta fitonte edhe cilësinë e të bërit seks, veti kjo e humbur përjetësisht te shumë meshkuj.

  5. #5
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Shiu i pasmenatës


    Ajo ndodh vetëm një here dhe nuk përsëritet më. Gjithçka ish krejt e rastësishme dhe njëherësh e beftë. Përfytyroni një mbrëmje feste (nuk di çfarë batalioni apo brigate kish përvjetorin se ato ishin të shpeshta e të ngatërrueshme), një mjedis të rinjsh e të rejash, me ndriçim llambushkash të varura në një kornizë teli të harkuar po edhe me flakadanë zjarri ku secili mund të pijë raki ose birrë, mund të dansojë a mund të shkojë me shoqen e vet pak më tej, në errësirën e heshtur të pyllit lisgjatë, dhe mund të bëjë dashuri deri në agim.
    Një udhëtim i gjatë nga Frashëri i Përmetit deri në Lirëz të Skraparit, me rrugë gjarpëruese të veshura me dushqe a me bimësi tjetër- pra ky rrugëtim krijon shanse për ndonjë aventurëz te vockël, për një puthje të marrë rrëmbimthi apo për të guxuar për më tepër nëse të qëllonte ndonjë femër që nuk merrte leje në këshillin e lagjes apo në mbedhjen e frontit dhe të jepej në lutjen më të parë.
    Të lodhur siç ishim, u turrëm në kioskat e ngritura rishtaz dhe blemë çfarë mundëm. Pa shumë temena, se ishim edhe të uritur disi, filluam të hanim në hesapin tonë. Gjithsej tri çuna e tri goca; unë një muaj student dhe pesë të tjerët punëtorë në ndërmarrje të ndryshme. Dy shokët e mi, Nandi me Rudin, qenë edhe alpinistë; ata kishin një çadër krahëverdhë dyvendshe po me pak shtrëngesë rrinin edhe më tepër.
    Mbrëmja rrodhi e zakonshme, ne pinim raki si pleqtë e zbërdhylët, shoqet tona rrëkëllenin birrë e hahuriseshin në biseda të kota, zallamahia e mjedisit festiv shkëpuste kohë pas kohe zëra të çartur, aq sa mund të lejoheshin në një ceremonial të kontrolluar feste.
    Vazhduam kështu derisa errësira e pyllit të frikshëm fokusoi një qark të mbyllur dritësor. I ngrohur nga pija e nga rruga e gjatë, pothuaj nuk ndjeja asgjë. Madje kisha harruar edhe planin e përbashkët me dy shokët e mi për të shtënë në dorë ndonjë mendjelehtë, një nga ato vajza që ishte afishuar për mospasje turpi dhe që mund të tërhiqej pak mënjanë aty nga mesnata kur sekretarët e rinisë humbnin vigjilencën proletare të kapitur nga gjumi.
    Një nga shoqet, që s’i rrihej pa gërricur, po më shponte me bërryl për ta shoqëruar po unë taramam, në lodhjen time. Një gjendje deliri kish kaplluar tërë qënien time që tjetërsohej edhe me gaztimin më të vogël.
    Ngjarja e papritur zuri fill në mesnatën e vonë kur një shi i rrëmbyeshëm, erdhi befas e shkatërroi shumë plane. Dhe ndërsa të gjithë të tmerruar vraponin të hynin në çadra ose në rrëzpemë, unë prisja pikat e mëdha pa kurrfarë qederi. Atëhere, dy shokët e mi më kishin kapur këmbë e duar e më kishin rrasur në një çadër, në atë më të afërtën, pa mundur të më përmendnin nga dremitja. Pastaj ata nuk dinin gjë tjetër. Diç di unë, ashtu mjegulluar, pasi jam përmendur. Ndoshta në atë çadër ka pasur edhe pesë apo gjashtë femra, ndoshta ato janë larguar sapo ka mbaruar rrebeshi i shiut dhe unë kam mbetur vetëm me vajzën e panjohur. Të dy nën çadrën alpine, pothuaj të shtrënguar ngjitas. Në një moment, kur jam përmendur, kam ndjerë edhe një gjoks të gafrruar, të kolmë, (tejdukshmerisht i hirtë) që prehej mbi fytyrën time.
    Ndoshta instiktivisht, ndoshta me gjysmëvetëdije, kam shkopsitur dy kopsa të bluzës dhe kam ndjerë erën e trupit femëror gjithaq dehëse e marramendëse.
    Diç pas kësaj isha zgjuar, domethënë isha në vete. Kisha kuptuar se isha në errësirën e plotë dhe që ndodhesha në një çadër alpine që mbyllej nga brenda me zinxhir. Porta e çadrës ishte e puthitur dhe unë u sigurova për këtë duke përshkuar me gishtrinj hermetizmin e saj. Përsëdyta sërish prekjen e portës së mbyllur dhe preka trupin e hajthëm, kofshët e nderura të vajzës që dukej se dremiste.
    Përbri njeri-tjetrit qëndruam disa minuta në heshtje e pa kryer ndonjë veprim. Gjithsesi prania dhe dëshira ime ngjante me një përdhunim të pështirë që vidhej në një çast ëndrre. Mbase është i vetmi moment, në çast gjumi e mes ëndrrash, që s’mund të gërgaset askush paçka se zjarrmia sa vinte dhe po më përfshinte krejt trupin.
    Më duket se nuk kam faj, arsyetova unë. Perëndia më tha të pija dhe duhet të jem dehur për herë të parë, perëndia hodhi shiun, rastësia me çoi në çadër e po ajo më la vetëm me një femër. Më bukur nuk bëhej, më ideale kurrsesi!
    Pa menduar gjatë se edhe tundimi ish i jashtëzakonshëm e i paparashikueshëm, hoqa si me faj fundin e saj; në mendje përfytyrova të linjtat dhe trupin lakuriq.
    Kuptohet, ish një veprim vetëtime që nuk të lë kohë të mejtohesh tepër; gjithçka nga ajo siluete tronditëse ishte sipër e poshtë meje, e sulmuar nga të gjitha anët. Pothuaj nuk kisha kurrfarë rezistence, përveç një ngutje për të disponuar gjithçka nga ai trup i mrekullueshëm. Të puthurat fillonin nga thonjtë e këmbëve, te pjesët e brendshme ku pikëzohet misteri i madh e deri te fijet e flokëve, te qerpikët, kudo. Kisha një ngutje për të rinisur nga e para: herë e lëmoja në pjesët eksituese të trupit, herë i thithja thithkat që më dukej se bymeheshin brenda buzëve të mia dhe herë zhytesha në qënien e saj me një babëzi lodhëse.
    Një trokitje në portën e lëkurtë të çadrës alpine, më përmendi nga dalldia e shfrenuar dhe unë i vesha rrëmbimthi çmund të gjeja përpara.
    - Unë jam prapë zbuluar, qeshi vajza.
    - Paske qenë zgjuar? më kapi një farë inati.
    - Sigurisht, qysh kur të sollën në çadër dy shokët e tu.
    E përfshiva sërish vajzën e panjohur dhe bekova njëmijë herë
    batalionin partizan, shiun, dehjen e vogël, perëndinë dhe çadrën alpine.
    Qysh nga ajo natë, unë nuk e kam parë vajzën e flirtimit të papritur dhe as që jam munduar për ta njohur me arsyen e thjeshtë: një kënaqësi e jashtëzakonshme është e veshur ne një vel misteri që s’mund t’i jepet gjithkujt; ajo mund të kishte qenë vajza më e shëmtuar e botës, mund të kishte qenë një katundare që ka mundur të lahej për ditë festash, siç mund të ishte një prostitutë e sprovuar që di se si mund të përfitoj nga një virgjëran i shëtitur por që nuk e ka kryer ende kapërcimin e madh.

  6. #6
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Rrëmbimi i puthjes


    Diti ish një vajzë truphollë që flokët e gjatë, derdhur si tyl, i theksonin hollimin. Sapo kish përfunduar gjimnazin dhe priste të fillonte punë. Përherë rrinte e vetmuar dhe shoqëria e zhurmshme e trembte. Shëtitjet në kodrat e liqenit artificial apo festimet rrokopujse të ditëlindjeve që kalonin zakonisht mesnatën, i jepnin trazime dridhëse përzier me frikë. Rrallë shkonte në teatër a kinema, lexonte vazhdimisht dhe çdo darkë shikonte familjarisht emisionet televizive qysh nga ora shtatëmbëdhjetë.
    Një mbrëmje, pas ngrënies, babai i tha të shkonte në institucionin N. të punonte fillimisht si praktikante dhe më pas ndoshta rregullohej përgjithmonë atje ose diku gjetkë.
    Shkoi të nesërmen në institucion, takoi përgjegjësen e llogarisë dhe filloi të hedh gërmat e para në një makinë shkrimi.
    Tak-tak-tak, këtu është vend pune i mirë, tha vajza e gëzuar në shpirt. Tak-tak-tërrr, ki kujdes se këtu vijnë lloj-lloj, vajza e të rinj, bëhen spektakle, vijnë personalitete që mbajnë ligjërata, iu kujtuan fjalët e përgjegjëses së llogarisë.
    Po unë s’ndihem fare, iu përgjigj vetes ajo, ç’më duhet mua me të tjerët. Mësoj avash-avash të shtyp që të shkathtësohem. Rastis që drejtori ka një material urgjent dhe hop-dal përpara unë dhe ia bëj fëtefët gati, gjej shkas edhe të njihem.
    Punoi kështu deri në orën dhjetë paradite në paradhomën e gardërobës pa gjetur qetësi. Para saj kalonin valltarë, drejtues, koreografë, disa hiqnin rrobat e zakonshme e vishnin kostume popullore, balerinat bëheshin me krem e pudër- brenda dhomës së zhveshjes ndihej kohë pas kohe një lëvizje fërfëritëse.
    Ajo zbriti në bar me një farë hovtimi dhe mori një pastë. Edhe këtu do të jem si zonjë shtëpije, tha ajo. Kush nuk vjen në këtë lokal komod; për pak minuta fiksova tërë ato fytyra artistësh.
    Në drekë Diti doli nga institucioni, hipi në autobusin e Porcelanit dhe u nis për shtëpi.
    Te pasqyra e portmandosë qëndroi gjatë duke shikuar veten. Herë afrohej në ekranin e pasqyrës sa i dukej imtësisht fytyra ezmere, sytë e shkruar e qerpikëgjatë dhe hunda e vogël- dhe herë largohej duke vërejtur konstruktin e rregullt të trupit, këmbët e gjata e të drejta, pak bel ku përthyhej bluza vishnjë dhe lart gjoksi i zhvilluar më tepër se mosha.
    Hoqi pantallonat terital dhe provoi një palë kadife që i rrinin puthitur. Edhe bluzën e ndryshoi, veshi një tjetër më të tejdukshme dhe sipër saj hodhi xhupin blu. Kjo veshje e tregonte tamam sa e gjatë ish dhe ia nxirrte më në pah tiparet trupore.
    Nisi të fëshkëllejë një motiv kënge duke vallëzuar në dhomë me duar të hapura. Si në revistë i kaluan një varg daktilografistesh që punonin ministrive e drejtorive qëndrore; ato i dukeshin të bukura e më tepër se kaq, çapkëne e të shkathta. Në të vërtetë Diti ëndërronte të ishte si ato me një vend pune të sigurt, me ngacmime miqësore e pse joedhe me ndonjë lidhje më të qendrueshme.
    Ditën e dytë të punës, shkoi më herët se zakonisht për të parë nga afër mjediset e pallatit të Kulturës. Pastrueset kishin hapur të gjitha dyert e po pastronin me një farë mërzitie.
    Shkoi te makina e shkrimit dhe në një cep të tavolinës la bukën e mëngjesit. Ashtu e ulur shtyu derën e garderobës dhe u mahnit, dhoma ish shtruar me parket, dollapë e sirtarë mbushur me veshje dhe një mori pasqyrash të mëdha që përqeshnin njera-tjetrën.
    Hyri brenda dhe ndezi dritën; u turbullua nga vetja, portreti i saj u shfaq në pozicione të ndryshme, ishte më e bukur nga çfarë e mendonte veten.
    U ul sërish në karrike. Tak-tak-tak, nisi të çukiste në makinë shkrimi. Tak-tak-tak, ja në këtë dhomë afër meje zhvishen e vishen artistët, bëjnë grimin, mgacmojnë njeri-tjetrin, ndërrojnë miqësitë, puthen e përqafohen sipas rastit, bërtasin deri në kupë të qiellit. Tak-tak-tak, shkronjat që hidhte me vështirësi në letër i ngjanin si vemje. Tërë kohën do të hedh në letër këtë mizëri vemjesh!
    Erdhi kompozitori, një natyrëftohtë që fliste tepër rrallë dhe i dha një fletë programi.
    - Ma bëj tri kopje, tha ai.
    Diti tundi kryet.
    - Vjen të lëvizim pak pianon, kompozitori ngutej.
    Ajo e ndoqi pas.
    Hynë në një dhomë në kat të tretë. E kapën pianon lëvizëse dhe e zhvendosën më majtas; në pjesët e ndritshme të saj u dukën fytyrat e tyre.
    Vështrimi i vajzës ishin gllabërues dhe sytë e kompozitorit u shtangën dhe u ulën poshtë. Tundues ish edhe gjoksi i saj ku i dalloheshin qartë dy thithkat e zinj e kryeneçë.
    Kompozitori shkërmoqi dhëmbët, ndërsa Diti tha “më falni” dhe shkoi kryeulur te vendi i vet. Tak-tak-tak, te ajo karrige ulet kompozitori, shfleton partet dhe lëviz gishtat mbi tast. Dhoma mbushet me tinguj të ëmbël, melankolikë dhe këngëtarja bën naze. Thonë se kompozitorët mbajnë shumë dashnore, po ky s’duket aq agresiv. Një kompozitor i shquar ishte martuar me ish nxënësen e tij, njëzet e kusur vjeç më të vogël, dhe kishte pranuar në këmbim internimin në një qytet periferik ku të përzhit vapa dhe ku intelektualë quhen dizenjatorët e shtëpive të kulturës.
    Dhjetra mendime i fugonin në mendje, ndërsa në institucion ishte shtuar lëvizja; artistët-amatorë hynin rrufeshëm dhe e përshëndesnin:
    - Mirëmëngjes!
    - Si ke fjetur mbrëmë?
    - Paske ardhur herët sot, kjo ish vajza më simpatike e asamblit të valleve, ajo dilte shpesh në TV dhe nëna e saj mërmëriste: është aq e bukur sa t’i presësh kryet!
    Diti tundi kryet.
    - Qenke bërë e mirë, vijoi valltarja.
    - Falemnderit, Diti u skuq dhe nisi të radhiste programin e kompozitorit më një farë drithërimi në trup. Me mendje kqyri siluetën e vet dhe u lumturua. Nga gardëroba u ndje një zhurmë fërfëritëse, dikush ndoshta puthej dhe Diti pati sërish drithërim të hontë.
    Drithërima u shua. Valltarët po delnin njeri pas tjetrit; ajo e ndjente se disa syresh po e vërenin me admirim, një valltar tundi kryet me nënkuptim.
    Diti doli çaplehtë dhe trokiti në studion e kompozitorit me fletën e programit në dorë.
    - Hajdeni, tha ai butësisht dhe i zgjati një stol vezak.
    - Kam punë, Diti u purpurua.
    - Të gjithë jemi me punë.
    Vajza u ul me një ndjenjë turpi.
    - Keni vendosur të punoni këtu?
    - Të shohim.
    - Të pëlqen muzika?
    - Sigurisht.
    - Ju jeni shumë e mirë... a dini këtë gjë?! -djaloshi filloi t’u bjerë tastave. Tingujt fërgërinë dridhtas, më pas brafulluan, më pas u luhatën.
    Diti u mundua të përqëndrohej duke iu dhënë tingujve një farë domethënieje, por duart e kompozitorit e tërhoqën rreth vetes. Tri-katër sekonda, një puthje e beftë, e ripërsëritur.
    - Kështu bëni me të gjithë ju, mezi shqiptoi ajo.
    - Jo me të gjithë, të jesh e sigurt. Ju jeni femra më e mrekullueshme,-ai desh ta përqafonte përsëri po ajo kundërshtoi dhe doli me hapa të matura.
    Do të më marrë lumi po të më puthin çdo ditë, arsyetoi ajo.
    Në orën katërmbëdhjetë vajza doli nga pallati i Kulturës dhe në shtëpi hëngri drekë me qejf. Rikujtoi skenën e sotme dhe iu duk diçka e këndshme, në fund të fundit e kish puthur një kompozitor i madh, ndoshta edhe një këngë mund t’i kushtohej asaj, artistët janë të krisur.
    Pasdite Diti bëri një shëtitje te rruga ndanë parkut “Rinia”, kaloi kot nga pallati i Kulturës dhe hodhi një vështrim lart në studion e kompozitorit.

  7. #7
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Prag përdhunie


    Në fillim Keti e kish quajtur fatbardhësi, emërimin në këtë fshat të humbur me tirdhjetë e ca shtëpi, të shpërndara sa andej-këtej, me pyje të dendura e të frikshme që e shndërronin qiellin në një çip mjeran, me pak diell dhe me muzg të gjithhershëm. Tri shokët e kursit, pikërisht në provimet e fundit, ishin arrestuar e qenë dënuar me 35 vite burgimi së toku. Dy djem dhe një vajzë (ne mund të ishim edhe katër, do thosh më vonë Keti), një me “cen në biografi”(miku i saj) e dy nga familje komunistësh, u thirrën si zakonisht brenda një nate nga organet e punëve të Brendshme dhe fill pas tri javësh, dolën në gjyq. Ankthi i mosarrestit të saj, e kish vënë pothuaj përfund dhe ato ditë vere, e strukur në vetminë dhe heshtimin e vetvetshëm, i ngjanin tmerrësisht të gjata e pambarim.
    E hënë, 8 korrik: jeni e arrestuar në emër të popullit...
    E martë, 9 korrik: do të shkoni deri në hetuesi për një formalitet të vogël.
    E mërkurë,10 korrik: përse kërkoni të merrni arratinë në një botë të qelbur (nga goja, nga xhepat, nga kindskutat e hetuesit del një duhmë e kutërbishme), kush ju financon, me kë mbani lidhje të fshehta...?
    E enjte,11 korrik: keni qënë me dy të huaj nga Kosova që ju kanë pyetur e kanë vënë në dyshim egzistencën e bulevardit “Dëshmorët e kombit” që simbolizohet nga dy dëshmorë joshqiptarë, po nga klasikë të mëdhenj, Lenini e Stalini.
    Më mirë më arrestoni e më dënoni me njëqindenjë, klithte ajo pa zhurmë në orët e vona të mosgjumit.
    Më 15 gusht mbërriti në fshat, pasi kish përshkruar kilometra të tëra, ish takuar me kryetarin e këshillit, me kapon e Frontit e sekretarin e partisë (i pari- me një sy të vëngër, i dyti- me një këmbë zvarrë dhe i treti-krejt pa dhëmbë); ish rregulluar disi në një dhomë përkrah depos së armatimit që ruhej nga tri burra me rrob-zhgune të pista.
    Filluan ditët monotone të mësimit, u bë plot një vit dhe ajo më në fund e kuptoi se ish një e burgosur që nuk komunikonte me askënd, qe duhej të endej mes disa qënieve mjerane që thirreshin edhe katundarë. E vetmja lidhje me botën ish një tranzistor xhepi që kapte vështirësisht valët sllave apo italiane.
    Rinisi viti i dytë i punës me ngjyrat e mëparshme: reshje të pafundme shiu, dëborë për disa muaj, kryetar-sekretarët e fshatit që do gazmonin jetën e njerëzve, tri rojet e depos së armatimit që lanin shkel e shko vetëm pjesët e zbuluara të trupit e që flenin gjithë natën me gërhima llokoçitëse dhe me ca armë të gjata mes këmbëve.
    Këto rojet kurrsesi nuk mund të flejnë, i vetëtiu djallëzisht në mendje një rrengë e mbrapshtë Ketit, mbrojtja e atdheut është detyrë e shenjtë, e lartë. Tridhjetë parulla, janë vetëm për ruajtjen e vatanit. Jeto si në rrethim. Puno edhe ti për mbrojtjen. Mos ia kthe shpinën armikun. Vra njëqind e pastaj mund të plagosesh. Sulmo si era, zhduku si rrufeja...
    Atë pasdite ajo filloi të konkretizonte idenë e saj: doli pakëz e shkujdesur në dritare me sisë gjysmëzbuluar dhe me do veprime që mund të vinin në lëvizje edhe meshkuj më seriozë. Pak krahë të zbuluar, ngitje e njërës këmbë në parvazin e dritares si për t’u shkrythur...
    Rojet e depos së armatimit e pikasën pak me vonesë, po reaguan menjëhere: në tëmthat eshtrore apo në atë grumbuj kockash u sekretuan lëngjet e para epshndjellëse.
    Keti u fut në dhomën e saj për të nisur sfidën e dytë. Prapa katramave të rrasur në xhamin e dritares, ajo vëreu habi-alarmin e tri rojeve me moshë në prag pensioni.
    Ajo doli sërish në dritare, këtë herë duke deklamuar shpinën e bardhë e të bukur. Diç si mornica apo diç tjetër mjegullore iu përsoll rreth vetes.
    Rojet e depos së armatimit u gjallëruan dhe u fshehën brenda në kolibe për ta këqyrur paqësisht.
    Keti u kthye gjokszbuluar dhe ata u zhytën edhe më në kashtën e ndyrë të kolibes duke cakërritur sytë nga birat e sapoçelura.
    Loja vazhdoi për tri javë (në fshat ishte e pamundur të dalloje lëkure femre; megjithëse zakonet prapanike dënoheshin me ligj, gratë dilnin pothuaj të mbuluar) dhe ata të tre, të jargosur nga epshi, vëzhgonin barkas tërë kënaqësi.
    Më në fund vajza u lodh nga këto skena komike. Tani mund të jem e qetë, tha ajo, pasi i vura në shërbim të vatanit. Mjafton të dal zhveshur një herë në javë dhe ata gjenden syzgjuar e të mbufatur prej tymit për të gjitha ditët.
    Në kohën e përfundimit të lojës së parë, ajo piu konjak dhe bëri një gjumë të rehatshem.
    Hakmarrja tjetër, erdhi më pas. Ajo do thërriste Markun, një djalë gjashtëmbëdhjetë-shtatëmbëdhjetë vjeçar që vijonte klasën e shtatë për tri vjet resht, do e ftonte të flinte ne banesën e saj me preteksin se ndjente frikë e pastaj gjithçka do shkonte sipas parashikimit.
    ...Marku hyri i drojtur në dhomën e Ketit.
    - A bën dashuri, ti Mark?pyeti Keti paturpësisht.
    - Jo, zonjush mësuese, është marre.
    - A ke këtu, Mark?-Keti shkoi më tej duke e provokuar në organin seksual.-Ehe, paske, po zakonisht përdorni ...dorën. Tërë meshkujt e fshatit sajdisen me dorë, dorëpërdorues të begatë. Çfarë lumturie, çfarë qejfi pa mundim!
    Djaloshi nuk foli, i shtangur nga fjalët po edhe nga gjestet e mësueses.
    - E di ti Mark se në fshat bëhet një farë orgjije,-Keti e shkopsiti djalin dhe i shtyu rrobat me këmbë drejt pragut të derës. - Këtu bën dashuri brigadieri, normisti, kryetari i kooperativës dhe po të ankohet kush për ta, gjendet në burg...Nejse, shko lahu dhe ec shpejt.
    Ndërsa djaloshi u çapit për në banjë, Keti hoqi robdëshambrin dhe u shtri në krevatin portativ. Ajo kujtoi diçka nga lidhjet e hershme me mikun e saj tashmë të burgosur, kujtoi trillet e tij të pafundme: një natë vere krejt lakuriq, një vrap pylli gjithashtu lakuriq, përkujdesjet e tij, mërmëritjet e deri te dridhjet..Mos po bëj një mëkat kundër tij, tha ajo. Po a mund të dal ndonjëherë prej burgu?! E pamundur, në këto burgje dihet vetëm hyrja.
    Marku qëndroi te dera duke mbuluar me duar diçka të zezë, aty ku puqen të dyja këmbët.
    - Aty rri, - foli Keti. - Ne do të bënim dashuri për shumë gjëra të lumtura, për kooperativën, për drithrat e bukës, për pleniumin e katërt të KQ të Partisë, por një herë tjetër...
    Marku s’bëzani.
    Vetë Keti ish përfshirë nga një valë inati dhe, kurvërimi me këtë malësor të pagdhendur, i dukej si pak poshtërues; tek e fundit veprimi i saj nuk kish asgjë të njëjtë me aktet makabre at-bijë apo nënë-bir. Kohë më vonë ajo kujtohej se nuk kish shkuar deri te përdhunimi me nxënësin Mark, por kish arritur në diçka të ngjashme, në një farë lakuriqsie të të dy trupave, në një farë kundrimi të dyanshëm dhe në një kuje të lemerisshme të saj në shtratin portativ.

  8. #8
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Hiret e prostitutave
    Novelë


    Kryekrejë

    Gojëdhanat e moçme rrëfejnë se në Gardhiqin e lashtë e të ndritshëm, fshati ka qenë një fis i madh, ndoshta më i herti, me pari e zotërimet e veta që tashmë kishte ruajtur shumëpak nga moçmësia pagane; sikundër shumë katunde të tjerë dikur merrte trajtën e një qytetthi me krejt infrastrukturën e tij, me pajimet dhe objektet që përmbante ky emërtim dhe pas një farë kohe kthehej në formën e një garumbulli gërmadhash duke u rikonturuar si qytezë e stërmadhe. Shumë-shumë kohë më vonë, për një fjalë goje që fyhen shpesh krenarët, fisi u hapërda nga i hanin këmbët e nga u puqej terezia, kryesisht afër përrenjve apo buronjave me të fshehtat livadhe e lëndina tokëkafenjta që kthehen pa shumë mundim në kopshte pjellshmore.
    Një degëz e vogël e fisit ngriti shtëpi joaq larg prej trungut mëmë, përbri lumit Belicë, me shpresë se mëria e kotë e madhështisë paskaj do të fikej ditëpasdite, si fitil i lagur, dhe ai do të bashkohej sërish me shtëpi një e dykatëshe, me popullatë të shumtë dhe me begati që e ngrinte aty për aty.
    Megjithatë këtu qëndroi gjatë, deri në dekadat e mbrame të shekullit të nëntëmbëdhjetë, vuri gjendje e prokopi, shtoi parcelat e punueshme, rriti krerët e bagëtive të imta dhe u nder në gjysmëkodrinë me ujë dhe pa ujë.
    Fshati njohu shkatërrimin e parë në përpjekje me fillimsundimin e Ali Tepelenës dhe e mori veten ngadalë; nga strehë e sigurt e vezirit të dy shteteve (nëna e pashait vinte shpesh në kalanë e verimit të freskët), ai u kthye në një terren armiqësor për shkak të fjalëve që ngarkonin me turp e marri familjen pashallore.
    Thuhej se nëna e pashait kishte vënë në ngasje dy nga burrat më të pashëm gardhiqotë që ishin tunduar për disa stinë të rreshtrreshtme dhe më në fund e kishin përdhunuar një të premte të mirë. Kishte qenë një ditë e paformë kur nuk ndihej prania fizike e pashait, por as edhe hija e tij që ishte po aq e frikshme së bashku me një shpurë besnike që mund të të hiqte qafe edhe për dyshimnajën më të vogël.
    Kështjella e ndërtuar prej vetë Aliut të Janinës, në një pikë dominuese siç bëheshin rëndom karabina të tilla, teksa nuk kishte njohur asnjë humbje nga përtej kufirit ishte përdhosur nga zemërimi i pashait që në pamje të jashtme nuk falte për tradhti. Një variant tjetër pranonte se Aliu ishte hakmarrë për mosrrebelim të mëvonshëm të banorëve kështjellarë që mbaheshin si kryeshkretë dhe të patutur për t’u matur me këdo.
    Një cmirë fshatrash përreth për banorët e gjatë e me fortesë, dukej se ishte një hipotezë tjetër në mërinë e pashait të Janinë -Tepelenës; tre kryevendas kishin mundur të takoheshin me vetë Zotin e madh duke e vënë në dijeni për tradhtinë e gardhiqotëve ndaj nënës së tij; ajo është e pafajshme, ata përfituan nga rojet e kështjellës dhe e përdhunuan tek ishte në fundperiodash, mund t’u kenë dhënë bashkish rojeve dhe kanë kryer turpin e madh, dukej se i kishin kumtuar zëulët duke i paraqitur edhe disa dëshmi të tjera që s’kërkonin kundërshahitë.
    Pashai i ka dëgjuar me vëmendje por, ndryshe ngasi vepronte për raste të tilla, urdhëroi t’i vritnin pas një ore dhe shkoi vetë të shihte trupat e pajetë. Përtej thashethemeve që vejevinin në zakonshmërinë e vet, pashai kishte dyshuar nga kërkesa e papritur e nënës për t’i pasur dy kryeshkretët e përdhunimit në stafin e saj të sigurisë, çka kishte ndikuar edhe në vendimin e madh: vrasjen enigmatike të dy gardhiqotëve dhe zhdukjen e vrasësve të tyre.
    Në agimrendjen e këtij shekulli, erdhi shkatërrimi i dytë nga korofillakët grekë që u ndje joaq në rrënimin e shtëpive e shkretëtimin e tokave, sesa në prerjen masive të banorëve dhe në vdekjen e muhaxhirëve brigjeve erëftohta e ullishtore të Vlorës.
    Pastaj ia behu lufta tjetër që pati sërish të vrarët e vet, djegje e përzhitje të përmasave të mëdha, masakra dhe gjithfarë ndodhish tragjike që dukej se edhe fshati ishte i përgatitur për hata të tilla por edhe agresorët nuk përtonin për ta sendërtuar përgjatë çdo lufte.
    Në luftën e fundit fshati degë-fis u dogj dy herë nga okupatorët nazi-fashistë për mosnënshtrim dhe sidomos nga pamundësia për të tërhequr rreth vetes qoftë edhe një njeri të lëkundur. U sheshuan shtëpi, kasolle e hajate; u vranë dhe u sakatuan njerëz e bagëti dhe fshati u ngjit më lart sikur të mos kish ndodhur gjëkafshë; u shkrumbua sërish nga gjermanët dhe hodhi rrënjë aty ku është sot: në gjunjët kodrore të një mali gursertë, me ujë të ftohtë nga të katër anët, kryesisht për vaditjen e fushëzave, dhe me blerim të pafund.
    Këto mote të pazakonta, si pas çdo fundlufte, u bënë martesa të mjafta në moshë tepër të njomë (brendapërbrenda fshatit, në fshat - mademe po edhe përreth zonës) duke ndjekur parimin e rreptë të kryepleqësisë ku çdo familje lypsej të kishte mëse gjashtë fëmijë dhe që ky limit mund të shtyhej nëse vajzat pasonin njera tjetrën.
    Dielli i fshatit lindte mes dy malesh dhe perëndonte qetësisht në një horizont të paanë duke u shoqëruar me dhjetra punë të përditshme, një mori lajmesh turbullane, një varg grindjesh të lehta e të rënda (në kësi rastesh, katundarët ndaheshin në dy kampe jo të barabartë) që rrallherë përfundonin me gjak e humbje jete.
    Fshati u bë i pjerrët sa s’thuhet ku fare kollaj mund të rrëzoheshe duke baritur mbi zallin e bardhë, mund të shkiste rrufeshëm dëbora, (përjashtuar vendet e futura e sqetullat e kodrave), shiu, era ftohtane e Jugut dhe ai, tërëdjallëzor e i vetëkënaqur, ngrinte krifën e kaftë tjegullore e tymoste pa merak me një sërë oxhakësh bolldungë e kryeneçë.
    Ky ishte një fshat i zhurmshëm, poterexhi që rrallë e gjeje në vend tjetër, nuk ka të dytë në botë, thoshnin të gjejdisurit-mërgimtarë në Amerikë, Argjentinë e Australi kur bujtinin herëpashere në vjeshtë të ndryshme me dhurata dhe pako të llojllojshme. Një vizitori do t’i dukej jo e natyrshme paepja e tij si një rit pagan që mbijeton nga një luzmë instiktesh marramendëse ku e shumta - e shumta mund të rrije si shetitës vetëm një javë, (asnjë minutë më tepër!); ai të krijonte pështypjen e rreme se për pak çaste mund ta njihje me gjithsej deri në skutat më të fshehta, me të pesëdhjetedy banesat e poaq oborre të madhësive të ndryshme, me një seri pemësh frutore përqark, me një varg rruginash të pocaqisura midis, tepër të lexueshme, si damarë mavi në qafën e një njeriu të mjerueshëm të brezit të mbramë.
    Ja, përpak kohë përqëndroheshe në numërimin e familjeve: Hakanajt me kopshtin qersë e dy-tri pemë - vidhe mbushur me rrush e lerushqe, Ruskajt poshtë tyre, tri familjet Mersini, Mahmutajt me pesë shtëpi, Bellajt me shtatë banesa e tre vejusha të kaluara nga mosha Brenda katër mureve, Islamajt me dy shtëpi, Mufitajt, Hysajt, mëhalla e Dines me gjashtëmbëdhjetë konakë rrasur nguc e nguc, Muhametajt me gjashtë shtëpi, tre karakatinat e Makashajve, dy familjet Nora, tjetra Birbili e në fund Hilajt.
    Mjafton të picërroje sytë dhe do të shikoje mëngjezin e hirtë, do të vëreje si hapeshin lesat, portinat e kasolleve dhe hajateve nga ku dilnin duke blegëritur bagëtitë për kullotje, (bëëërrrr - firoma e tyre nderej pezull mbi mjegull); nga oxhakët blanja-blanja të zeza ngriheshin lart vorbuj tymi si të shtynin diku pas malit tisin e ftohtë mëngjezor.
    Në mbrëmje do të këqyrje gjithashtu se si kjo masë e madhe kafshësh, qingjash, kecrash, dhensh e dhish ndahej vetvetiu për në shtrojet e veta - tërë ajo vrazhdësi e njerëzve dorëzohej pikërisht në marrëdhëniet me gjënë e gjallë që i mbante po ashtu me frymë.
    Në këtë fshat me shumë ndodhi u linda unë, pa qenë aq i lidhur me të kaluarën e tij trimërore e të frikshme. (Babai kish lindur në qytet dhe ish larguar në një moshë të pjekur për të administruar sinoret e tokave e të pyjeve të shumta të të atit e xhaxhallarëve, vdekur gjatë luftës me grekun e Parë). Natyrisht në përfytyrimin tim, përmasat e vendlindjes së prindërve sfumonin pa mëshirë jo më një fshat, po disa të tillë të marrë së toku. Para meje qyteti i prindërve ngrihej si një aureolë e zdritshme ku nuk i fironin njerëzit e shquar, megjithëse në fshatin përandej lumit kish lindur një kapedan i dëgjuar e i paepur ndaj turqve, pak më tutje e kish bërë me famë truallin e vet arkitekt Sinani me minaretë e hijshme e të Bukurën kishë Sulejmanie dhe vetë fshati kish tërbuar e hazdisur për disa vjet me radhë deri më 1812-ën një Ali krenar Tepelenë.
    Ky fshat me vend tërësisht sertan, me një simbiozë të hatashme vrazhdësie e butësie, s’mund të krahasohej me askënd e ndërkohë mund të matej me të gjithë pa iu tutur syri.

  9. #9
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Fillimi i muranës


    Kompania partizane e një zone të Jugut ndodhej ende e rreshtuar, ndërsa përpara qëndronin trembëdhjetë luftëtarë të Ballit Kombëtar, të kapur robër pas një spiunimi nga vetë radhët e tyre.
    - Merrini e pushkatojini! - urdhëroi komandanti i kompanisë, një burrë i gjatë e fytyrëbardhë. – Toga e parë do të bëjë ndëshkimin, do t’i nxjerri pak matanë dhe do t’u japë dërmën, t’u fusë nga një **** plumbi dhe t’i mbulojë në një rrëpirë përroi.
    - Po ata u dorëzuan që me thirrjen e parë, - ndërhyri zëvendëskomandanti i kompanisë, Kismet Hakani.
    - Pushkatojini të gjithë; ata janë armiqtë tanë, janë më të rrezikshëm se italianët.
    - Ne jemi në aleancë, kemi bërë edhe një konferencë, kemi një pakt...
    - Eshtë urdhër nga lart, ca i dini e ca nuk i dini ju.
    - Të falurit nuk vriten. Ne e njohim dhëmbë e dhëmballë sho - shokun; ata janë burra si ne e nuk mund të poshtërohen pabesisht, janë nga fshatrat tona dhe nga zona përreth krahinës.
    - Të pushkatohen dhe pikë! - u hakërrye komandanti i kompanisë. - Nëse vazhdon të kundërshtosh, ti do të jesh i katërmbëdhjeti.
    - Provoje po ta mbajti zava e rrypit, - Kismet Hakani hoqi siguresën e automatikut. - Më këtë karikator, do të t’i hedh trutë në erë!
    - Do ta shohim këtë provokacion, - komandanti i kompanisë qe tërhequr përpara vendosmërisë së tjetrit. Ballistët shpëtuan në këtë rast, por u ndodh një kompani tjetër që, me një grup pushkatarësh, realizoi ekzekutimin e tyre dhe që familjet nuk u lejuan për t’i përcjellë mortisht për në banesën e fundit.
    Ngjarja nuk mbaroi me kaq. Kismeti u thirr dhe u këshillua për të qenë më i bindur. Ata do të silleshin më ashpër me mua, po nuk kanë se çfarë t’i bëjnë babës, baba është kryeplak, po është edhe komit. Në fshat erdhën në shpejt ata të Partisë dhe gjithë banorët u kthyen me ta; po të kishin ardhur krerët e Ballit do të ndodhte e njëjta gjë, mendoi Kismeti.
    Edhe herë të tjera, nga disa komanda partizane kish patur një si një etje për terror. Në fshatin Arianitas robërit italianë të kapur, ishin hedhur të gjallë në një gropë të madhe dhe ishin mbuluar me dhe; për ditë me radhë fshati kish dëgjuar ulërimat lebetitëse të tyre po askujt nuk ia mbante t’u shkonte për ndihmë. Të gjallë e të vdekur kapërtheheshin e ndaheshin, ia nisnin për të disatën herë përpjekjes për të shpëtuar nga masivi i dheut por çdo stërmundim nuk mundi t’i nxirrte përsipër. Urdhri i mbulimit të gjallë të robërve italianë u mbajt për një kohë i fshehtë, por një prej partizanëve të plagosur, në kllapi e sipër, kishte përmendur dy emra që shkonin në kupolën e Shtabit të Përgjithshëm të LNÇ-së; një gjeneral i burgosur dinte më shumë detaje rreth kësaj masakre ku emri i urdhëruesit rrinte në tri palë dosje dhe në tri emra të besuar, si një kumt kërcënues, që mund të rrezikonte në karrierën e mëtutjeshme. Pa kryer një vrasje, pa dhënë prova, vështirë se mund të ng!
    jitje hierarkinë e drejtimit, kujtonte gjenerali i burgosur që kishte fituar lirinë pas viteve nëntëdhjetë të shekullit të shkuar.
    Të kryeje një masakër, akoma më mirë, mund të ngjiteshe shumë lart, në krye të brigatës, të divizionit, të korparmatës; kjo dihej nga numri Një i shtetit dhe ishte njëheri fat dhe kob. Dosja përkatëse ruhej në një nga tunelet sovjetike, në një zgafellë mali që vëzhgohej periodikisht, bash te rrënjët e atij krimi e kishte të siguruar nje aureolë drejtimi në nivele mjaft të larta siç edhe mund të të kthehej në një pistë mortore ku mund të largoheshe me gjithsej.
    Pak kundërshtim nga vija e partisë, pak respekt për botën tjetër që skllavëronte klasën punëtore, pak popullaritet dhe befas gjendeshe i përjashtuar nga gjithkrejt; përjashtim nga partia, pra pushkatim politik, shkarkim nga posti i ministrit apo i kryeministrit, shpallje armik në kulm të një grupi armiqësor, ekzekutim fizik, burgim i bashkëshortes dhe i familjes, transferim kockash nga një skutë në një periferi tjetër dhe pushkatim i njerëzve që dinin pikëvendosjen e fundit…

  10. #10
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Të vetmuarit vdesin


    Nëna më shkundi për supesh për të disatën herë dhe përmendi një emër që ende gjysmëpërgjumësh nuk po e fiksoja dot. Më bëhej se koka më vërriste nga lajmet e shumta prej morti që lindnin qysh në pikun e zbardhjes së ditës (disa i kishin fillesat andej nga mesnata kur qelizat e trurit rrijnë syçelët e përpunonin krahëpërthyer materialin e bollshëm) dhe vërshonin gojëve të plakave, belbëzoheshin te fëmijët (ha të keqen se ka ndodhur aksh hata!), merrnin trajtë të plotë në bisedat e burrave, peripatonin plot lëng fshatrave të tjera të zonës dhe ktheheshin prapë si më të besueshme e për t’u fiksuar përjetësisht. Pastaj koha bënte seleksionin e vet, nguliste në kryet e njerëzve lajmet më tronditëse, më të bukura, më ankthpëshpëritëse duke u plotësuar në ditë gëzimi a zymtie, po edhe në çaste zënkash. Nuk mund të rrohej pa lajme, një ditë pa to ishte qëndrim në vend, trullosje masive, vuvitje vdekëse!
    - Ngrihu, - më tha nëna, - në kësoll duhesh edhe ti.
    Fërkova sytë dhe shikova përhumbshëm.
    - Të ikim shpejt se ra dita. Ta krehim e ta lajmë. Iku në çika të kordhëve, e shkreta, - nëna sikur bisedonte me veten.
    - Pse ma prishe gjumin? - e pyeta.
    - Ka ikur Sajmeja në të dalë të sabahut. Tërë natën ka rënë shi me gjyma, ka vetëtirë e bubullirë, ka fryrë erë e marrë që të pastronte zullumet e asaj të mjerës. Sajmeja dha e mori me shpirtin dhe vdiq. Njeri pa njeri, fukaresha. Pa përkrahje, je një hiç, një xero me xhufkë. Ka një motër në Tiranë që vajti ta lajmërojë babai. Ai do të bjerë edhe tabutin nga kasabaja, nga qyteti.
    Ka ikur Sajmeja, domethënë ka vdekur, ka bashkuar kapakët e syve (po t’i mbeten çelur ia ulin me dorë ata që i ndodhen pranë, ndryshe të frikëson, të bëhet në gjumë), ia ka bërë këmbës - vrëng, i ka shkarë fytyra, i janë shtrembëruar nofullat, i janë mpirë muskuj e damarë - u formuluan në trurin tim disa pjesë të lajmit që do të qarkullonte i freskët këtë paramëngjes të sotëm.
    Qenka e çuditshme kjo vdekja e njeriut kur fare mirë mund të rrojë sa t’i teket e si të dojë! Perëndia shpesh linte pavarrosur ca pleq mbinjëqindvjeçarë që mbanin përsipër disa breza, të harruar nga vdekja ata monopateshin duke belbëzuar mote të çartura; në kthetrat e holluar të dhëmbëve të tyre mund të rrëmoje për të gjetur afërsisht periudha epokash: një kolerë e gjatë dukej se u kishte holluar mishrat e nofullave, një sëmundje tjetër kishte grirë përbrenda pjesë dhëmballe; dikur mishngrënës që gëlltisnin pas therjes blanja kafshësh, tashmë i qenë përulur masave prej pelte, gjërave të buta dhe përsheshëve prej bulmeti.
    U vesha dhe dolëm të dy me nënën. Kisha kureshtje të shikoja nga afër një të vdekur. Kësoll i thoshnin një vendi ku mblidheshin burrat veç e gratë në një anë tjetër dhe ku do të përcillej i vdekuri. Fëmijë si unë nuk lejoheshin të shihnin ngjarje të tilla mortore se u bëheshin natën në gjumë, ndërsa pas çdo procesion varrimi ne kënaqeshim si të harbuar sepse merrnim feta buke gruri me mjaltë, me gliko ose me sheqer.
    Nëna e theu këtë zakon dhe më mori me vete.
    - Të deshte shumë, të kërkoi të të shihte para se të mbyllte sytë, - më tha ajo. - I vdekuri është si një shenjt që fle. Kështu është dhe mos ki frikë. Edhe surrati më i shëmtuar, bëhet i bukur kur shkon në botën tjetër. Sajmeja të ka dhënë gjithato herë uratën e mirë. Mjafton që i mbylllje një shteg, që i jepje nganjëherë ujë, që e mbuloje kur flinte dhe ajo falej për ti…
    Nëna vazhdonte të fliste zëulët, ndërsa mua më dukej ndryshe: njeriu mbyllte sytë, gratë e qanin me ligje (zgjidheshin vajtueset që i lidhnin bukur fjalët dhe bënin efekt te gjindja), kortezhi përsëriste: ka qenë e mirë ose i ndershëm (për të gjithë thuhej kështu paçka se ndonjë mund të qe shpirtkatran e poshtëran), hoxha bënte lutjen, e fusnin kufomën në një gropë të thellë dhe atje qëndronte i paprekur derisa, në net të errta, nxirrte kopsa e xhingla-mingla të tjera dhe bënte dritë fosforeshente.
    Sa herë na porosisin prindërit të mos shkonim natën në varre, por tundimi për ne ishte i madh. Kur varri ishte i freskët, me dheun e njomë përsipër, me lule e dy gurë nga koka në këmbë, frika ishte edhe më e madhe. Kishte ndodhur që ishte varrosur një grua pa i pushuar zemra, ajo kishte pasur një ndjenjë kllapie, një lloj vdekjeje klinike, pas tri ditësh ishte përmendur dhe kishte shkalafitur tabutin e rëndë dhe kishte jetuar sërish; nga kjo paravdekje i kishte mbetur një tog nishanësh në fytyrë si gjurmë të brejtësve që kishin dashur ta gërryenin për hesap të vet.
    Edhe Sajmeja më përhihej si një copë ëndërr që e vëren vazhdimisht në trajta nga më të habitshmet. Shtëpia e së ndjerës ishte poshtë nesh, në fund të kopshtit me duhan, rrethuar nga gardhishtja me kumbulla të verdha. Para ca ditësh një degë e madhe dardhe ishte shqyer nga era e tërbuar e Skërficës dhe kish rënë mbi shtëpinë e saj me qeramidhe të ndryshkura e të thyera vende - vende. Ajo qe ngritur e llahtarisur se kish parandjerë tërmet dhe erdhi te ne e lebetitur me ca brashnja të ndotura në këmbë. I foli babait:
    “Allahu ka dërguar haber që të vdes”.
    “Nuk është tamam ashtu”.
    “Ohu, e di unë, s’më do njeri, s’më do as Allahu atje lart që i shikon të gjitha ç’bëhen këtu poshtë”.
    Babai e qetësoi dhe e ndihi për ta hequr dardhën e shqyer nga çatia e banesës - karakatinë.
    Qysh nga ajo ditë, Sajmeja nuk vuri bukë në gojë (nëna më tregoi se edhe ujin mezi e kapërdinte në fyt), në cepat e buzëve iu krijuan ca fshikje lëtyre, harroi të dilte në fshat e u tkurr rreth vetes, u rrudh e u mpak si shtog i prerë.
    Nëna çeli derën, brenda ishin katër plaka të moshuara.
    - Do e teleqisësh djalin moj korbë! - tha Xhexheja, një grua tetëdhjet e kusur vjeç me dy dhëmbë anës buzëve.
    - Nuk e gjen gjë, - nëna shtiu urët e zjarrit.
    Dhoma ku rrinin plakat, ishte përdhese. Deri në mes të saj ishte qylimi ynë, kishte edhe dy minderë të gjatë kashtëshkoqur në të dy anët e oxhakut. Nga njëri kënd rrinin katër gratë e moshuara, ndërsa në qoshin tjetër ishte shtrirë Sajmeja, mbuluar kokë e këmbë me batanije gri.
    Nëna vuri pirustinë dhe, sipër saj, një enë uji të sterrosur po shumë të bardhë nga brenda. Asaj i takonte të bënte shërbesat e fundit si fqinja më e afërt, megjithëse për raste kësollesh nuk kurseheshin edhe gratë e tjera.
    - Eh, ç’hoqëm kur e lamë, ishte bërë kutërbi! - plaka Tike rrudhi buzët e pështyu te urët e zjarrit. - Na nxorri zorrët e barkut.
    - Të kish vdekur një orë e më parë. Qofsh ti që e lave dhe e nasqirise, - foli Xhexheja duke u krujatur nënsqetull. - S’polli që s’polli një fëmijë, do pastronte edhe trupin nga murdallëqet, fëlliqsirat. Ju kujtohet para njëzet vjetësh kur i thanë merhumit Filat, burrit të kësaj shkabonje këtu, se nuk kish vegël nga poshtë prandaj nuk bënte fëmijë?
    Plakat qeshën.
    - Edhe, që të ngas llafin, - vijoi Xhexheja, - na nxehet Filati si demi i Zylos e na del te Bregu i Sipërm. Sheshi i Bregut qe mbushur me kallaballëk. “Kush ka hapur fjalë se nuk paskam ashtu dhe qenkam derrodash, gjysmë grua e gjysmë burrë”? - u qe hakërryer ai. Qenami është t’i kërresh sytë, i afrohet Filatit e i thotë: “More, mirë është hapur fjala, po nuk e dimë tamam se ke nga ajo plaçkë e ligë që bën hatanë apo je dërrasë fare; po të kishe do ta kishe shprthyer edhe ty një herë pastaj kiameti le të behëj”? Aq donte burrëziu Filat, tundi kryet tërë qortim, hoqi rrypin si palldëm kali, shkopsiti ngadalë pullat dhe i uli pantallonat deri në fund të këmbëve; uli edhe benevrekët e lerosur. “Merreni, shikojeni e peshojeni këtë në mes të shalëve, fërkojeni nga mëngjezi në darkë, gjithmonë dru do ta keni, pa një krisje e t’u mbushet koqja e mëndes!” u tha dhe u tundi llavrakun e zi. Ha – ha - ha!
    Plakat qeshën sërish. Kështu si sot, ndodhte edhe herë të tjera, kujtoheshin ngjarje e bëma e shpërthente haharitja jo sikur të ish ditë e përzishme, po ditë dasme. Nga gratë e nga burrat. Madje meshkujt harroheshin në muhabete, kthenin si pakuptuar gota rakije dhe ia merrnin edhe këngës; ngjarje të tilla ndodhnin më rrallë dhe nuk harroheshin lehtë.
    - Turpi është për të gjallët. Kjo e shkreta, ç’kish në gjallje e mori në gropë, - foli Laloja, një grua e dobët e me qafë të gjatë.
    - Ktheju andej ti, - më tha nëna.
    - Ç’do të bësh? - e pyeti Serieja.
    - Ta shpëlaj me ujë të ngrohtë, t’i kreh flokët e t’i hedh ca erzina, të vejë e bukur në atë dynja, - ajo i zbuloi kryet dhe po e rregullonte.
    Në dhomën përdhese hynë gra të tjera dhe në çast nisi vajtimi. Unë shikoja atë masë të vogël, mbuluar me batanije gri të zbardhur dhe më dukej se Sajmeja rrinte e përgjonte çfarë do të thuheshin për të, kush do t’ia zinte shtëpinë e kush do ia vidhte zahirenë e dimrit, kush do t’ia merrte kopshtin, a do t’i bënin nderimet e fundit dhe a do ta vajtonin me ligje si për një vajzë të re.
    E kisha këqyrur disa herë kur ulej në bisht prapa gardhit me thanë e kumbulla të egra dhe dëgjonte e shkrirë nga kënaqësia zënkat e grave, si jehonë e kacafytjeve të burrave, ma mallkime nga më të thekshmet e me ngatërrime duarsh në flokët e shpleksur a në pjesët më delikate të trupit. Atëhere mblidhte buzët si ullukë dhe i jepte ngushëllim vetes se kjo botë firare dhe e halldanosur nuk është gjë si fillikat, tek - pullë, pa mbështetje e në hesapin tend - si me shumë shpirtra në një konak që veç andrallave të pasosura asgjë të mbarë nuk të sillte.
    Gratë vazhdonin të qanin duke zëvëndësuar njera-tjetrën me një stil monoton e të ngacmueshëm. Nëna më kapi për dore e më nxorri përjashta.

  11. #11
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Shtëpia-shkollë


    Kryetari i Këshillit Kismet Hakani, erdhi në shtëpinë tonë qysh pa aguar dita. Nëna i bëri një çaj mali që e rrufiti ashtu të nxehtë duke përplasur buzët e trasha. Gëzonte nam të mirë në fshat, i ngjiste fjala aty për aty, si dhe babai i vet ish kryeplak. Doli ndër të parët partizan, kur më parë bëri edhe gjashtë muaj burg si gjimnazist turbullues dhe u kthye nga lufta pasi u end edhe një vit me forcat e ndjekjes. Çdo libër e lexonte rrjedhshëm e me zë bubullitës, veçse për të shkruar përdorte gërma kapitale dhe fletoret i mbaroheshin shpejt. Aty nga viti 1947 e kërkuan me ngulm të punonte me detyra të rëndësishme, deri nënkryetar prefekture në Durrës (kur e kujtonte më vonë pëshpëriste se mund të qe bërë si i ndërkryer, sos të tjerat e pushtetit, pritje – përcjelljet, varvingot nëpër zyra, hajde moj zonjë, dil more zotëri, po na edhe arap nga plazhi), megjithatë ai nuk pranoi dhe u kthye në vendlindje duke menduar vetëm për të.
    Ne fëmijët nxorëm kryet nga jorgani dhe shikuam nga ai që po dridhte një purro të trashë si shtupellë, të cilën e ndezi me urë zjarri.
    - Kam mejtuar të bie nja dy arsimtarë, - i tha babait. - Vrava mendjen tërë natën dhe m’u bë lëmsh, m’u kokoleps. Ja i prura mësuesit, po ku t’i shtroj për të fjetur?
    - I mbajmë me sira në shtëpitë tona. Bulmet kemi se bagëtia po mëkëmbet, fruta sa të duash, - tha babai.
    - Nuk është fjala për një vit, ata do të rrinë gjatë. Tërë fshati bëhet nja treqind e ca shpirt. I shënova një ditë në katërshor, - Kismeti nxorri nga xhepi i prapmë i pantallonave të shajakta, ku dy pulla rrinin të zbërthyera, një fletore të palosur më katërsh.
    - Le të futen dora - dorës te çatorja e Filatit, ndjestë pastë. Si karabina është e mbajtur, meremetohet një çikë dhe vjen në torua, - babai ndezi cigare.
    - Mos thonë gjë Bellajt? E kanë të tyre.
    - Sa ishte gjallë, nuk e donin. Për të qenë brenda bisedo njëherë me Arifin; po ta dha ai fjalën asnjë nga vëllezërit nuk të hedh vickla.
    - Mirë më flet. Do vete të piqem me Arifin. Shtëpia e Filatit na zgjidh punë, në një dhomë flejnë e gatuajnë e në të dytën japin mësim, tha Kismeti dhe doli nga shtëpia jonë.


    * *
    *

    Në mbrëmje fshatarët u mblodhën te rrepet e fshatit dhe Kismeti nisi t’u fliste:
    - Kemi vendosur si pushtet të sjellim dy arsimtarë. Ata janë nga qyteti dhe jo shumë të sajdisur me kushtet tona. Do i kemi si djemtë tanë. Për fjetje do të rrinë te shtëpia e Filatit. Asnjë shaka me ta!
    - Si do të bëjmë për lapsa e fletore? - pyeti një fshatar.
    - Do t’i përdorim me kursim. Nga një laps e nga një fletore do t’jua jap unë, po ato të përdoren për fëmijët. Të mëdhenjtë ta kuptojnë mësimin që në klasë.
    - Në ç’klasë?
    - Në dreq, në hauret e Filatit. Hapni veshët kur të spjegojnë arsimtarët.
    - Po ku na nxë të gjithëve shtëpia e Filatit, - tha Qenami.
    - Ca brenda e ca jashtë. Të fillojmë njëherë pa shohim e bëjmë më tutje. E bëjmë edhe me radhë, - Kismeti dukej i emocionuar e i sigurt.
    Pas ca ditësh, të dy dhomat e banesës së vjetër të Filatit, u rregulluan disi, u pastruan, u lyen me gërqere të bardhë e u gatitën deridiku. Nuk vonuan dhe ia behën mësuesit së bashku me Kismetin që i priti deri poshtë në Qendër me dy mushkat e tij.
    Lajmi u hap sa të hapësh e mbyllësh sytë dhe një pjesë e mirë e katundarëve doli te Lëmi i Hajdutit për t’i pritur me një farë kërshërie. Kur panë atë mori njerëzish, dy mësuesit u bënë me turp, zbritën nga mushkat dhe u përshëndetën me ata më të vjetërit.
    Në shtëpinë e Kismetit u bë një vakt darke, u therën dy - tri mishra dhe si padashje u dehën nja pesë burra. Kur darka ish në të shuar dhe nëpër shkallët e drunjta përcillej i dehuri i fundit, Kaloja me shumë fëmijë, dy mësuesit duke shëtitur në kopshtin e gjethuar bisedonin me sho - shoqin se këtë mesnatë askush nuk do të flinte. Edhe ata që do dremisnin sapak në ëndrra të trazuara, do mërmërisnin në gjumë fjalë të gjata e të mistershme (gjërat e reja ngrejnë shkulme të forta në botën e fukarait), do shfletonin me kapakët e syve libra të verdhuara e të zgjyrosura, copëza reklamash, gazetash e revistash të ruajtur me fanatizëm në sepete e vrima të padrita. Për vite me radhë, në shumë fshatra e qytete shqiptare, ishte grumbulluar ajo ndjenjë e vlimtë e paduruese që priste çastin për të shpërthyer duke çelur fletët e Zotit, botës dhe vetvetes.
    Të nesërmen thuajse tërë njerëzia ishte mbledhur te shtëpia e Filatit dhe prisnin me padurim të vinin dy mësuesit. Bagëtitë ishin shpërndarë sa andej-këtej në gjunjët e malit, pa i shoqëruar kush si çdo radhë tjetër. Ishte maj e megjithatë mëngjesi bënte i freskët dhe dielli shfaqej aty nga ora dhjetë.
    Në krye të udhës u duk Kismeti e pas tij dy mësuesit. Burra, gra e fëmijë përplasën duart e lëshuan britma të zhurmta hareje. Dikush shtiu me armë në drejtim të një dardhe gushtare.
    - T’u flasim dy llafe, - u tha të sapoardhurve Kismeti.
    - Fillojmë drejt e në mësim, - ia ktheu një nga mësuesit.
    - E pamundur! I kanë qejf fjalimet, këta. Ja i them vetë dy fjalë, - këmbënguli Kismeti dhe hipi mbi një sop. - Dy arsimtarët t’i kemi si drita e syrit. Këta janë të parët. Sot që hapim shkollën, na shket dheu nëpër këmbë; e hapim dhe nuk do ta mbyllim më. Të mësojmë shokë, të vimë me radhë te shtëpia e Filatit dhe të hapim sytë.
    - Rroftë pushteti! Na ktheje një herë paguren e rakisë, më qafsh! - tha Kaloja me shumë fëmijë.
    Kismeti e shikoi vëngër e vazhdoi:
    - Të mësojmë e të mos bëjmë llazurë. Filatin, ndjestë pastë, nuk e kish njeri në hesap po tani do të hyjë në historinë e fshatit.
    Sërish u shkrehën disa armë dhe u përplasën shuplakat me forcë.

  12. #12
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Requiem


    Profesori frëng i gjimnazit më këshillonte shpesh se duhet të ruhesha mjaft nga shpirti rebel i malësorit të pabind; në ndonjë rast mund të të krijohen edhe situata të vështira, të pakëndshme që do t’i vuash gjatë. Unë po Kismet që Kismet, mbeta. Shokët më donin dhe çdo moment gëzoja autoritet të plotë. Çuditërisht, në kohën më të madhe të ditës e zotëroja veten, po diku më shpëtonte një triminutsh që e lëshoja gojën e sytë më flakëronin me inat të papërmbajtshëm; një lloj tërbimi i beftë më kapëlonte krejt trupin çka më detyronte të vuuaja së brendshmi. Vuajtja e parë niste pikërisht atë çast; një zjarrmi e brendshme dukej se vinte nga të gjitha poret e trupit, mobilizonte një minimum fjalësh nga ato më ciniket e deri te fyerjet që s’përtonin askënd.
    Me shokët e mi të gjimnazit, ata të trupës amatore të teatrit, po vinim në skenë një pjesë të huaj. Ishin ndarë rolet, qenë sajuar disa mizaskena dhe po bëheshim gati të jepnim provat. Ish marrë leje në shkollë po edhe në parinë e qytetit që nuk i shpëtonte as miza. Një pasdite vjen në prova një xhandar prefekture ku na urdhëron prerë se pjesa teatrale nuk do të shfaqej. Ne e rrethuam të shqetësuar dhe iu lutëm me njëqind rixha, po pa dobi. Më sa merr vesh muri, aq kuptonte burri. Atëhere unë u nxeha dhe thashë vendosmërisht se urdhrin e donim me shkrim, jo nga kushdo po nga dora e prefektit. Më përjashtuan nga shkolla. Pastaj më kapën në demostratë e më rrasën gjashtë muaj në burgun e Kalasë.
    Në atë kohë, për habinë e të gjithëve e për kundërshtimin e pjesës më të madhe të qytetit sedërqar, u çel shtëpia publike, një shtëpi dykatshe e me oborr të gjerë përpara. Hapja e të parës shtëpi qejfi pikërisht në qytetin tonë dhe askund tjetër që mund të kapërdihej edhe më lehtë, pa u konsideruar aspak si një privilegj, u quajt edhe një shëmtim që po bëhej sërish kryeqendrës jugore pas gati një mijëvjeçari. Në stërmoçminë e qytetit, si edhe Durrësi apo ndonjë qytet tjetër, prostiutimi publik në shtëpi të apostafatshme, ishte mjaft konkurues përkundër shumë shteteve të tjera, pasi kalimi i disa çasteve eksitimi mund të gërshetohej edhe me shëtitje në zona tepër të qeta dhe të hijshme. Kuptohet se marrja me qera e femrës në një skutë të humbur dhe të pazëshme kushtonte më shtrenjt, por mes kavalierëve dhe pronarëve bëheshin të tilla ujdi ku asnjë palë nuk mbetej e pakënaqur.
    Pra me riçeljen e shtëpisë publike u ngul një çiban që do trazonte shumë mendje njerëzish, do shtonte mërinë e fanatikëve e sidomos të plakave, ndërsa për ne do të ish një ngazëllim turfullues.
    Qysh pa zbardhur mirë, kur prostitutat flokëverdha dremisnin të kapitura nga ditët e netët e mundimshme (ato kishin një normë të caktuar ushtarakësh që duhet t’i kalonin çdo ditë), ne fëmijët mblidheshim rreth banesës e vështronim të nemitur. Ushtarët palë - palë ktheheshin nga fronti i luftës të lodhur e të raskapitur dhe prisnin epshndezur radhën para portës së drunjtë.
    Shtëpia publike, për inatin e të gjithëve, vazhdonte të sfidonte vetë luftën apo krijonte pështypjen e gënjeshtërt për diç të normalshme, por edhe më tepër acarohej mbarë qyteti. (Ajo shtëpizë e frikshme dhe enigmatike ndoshta zbuloi edhe një pjesë të pandertë të qytetit që deri atëhere mbahej si mëse i kulluar, i moralshëm, serioz, gati gati i virgjër; bashkëshortë të lumtur, bashkëshorte besnike, vejusha që qanin ende burrat e vdekur- në të vërtetë burra që mezi ç’prisnin të kalonin një natë me vajzat e pudruara, gra që shkuan të regjistrohen vullnetarisht por s’i pranuan për shkak sëmundjesh, vejusha që nxirrnin sisët e shalët qysh në oborr, vajza që u ngjiteshin italianëve si rrodhe qoftë edhe për ta provuar me një të huaj e që i hidhnin kopilët, kur kish mbaruar lufta, nga teqeja e Zallit).
    Ne gjimnazistët i njihnim për fytyrë të gjitha të huajat, i përshëndesnim kohë pas kohe, ndryshonim me mendje dashnoret e mundshme e megjithatë mikesha s’i bëmë që s’i bëmë dot. Shtëpia publike kishte ditë e orë të veçanta për ushtarakët e kohë të caktuar për civilët.
    ....Një ditë që zbardhte tabela prej peçikllazi “Vetëm për civilat”, i mbushëm mendjen Lubo evgjitit për të provuar shansin me kusht që paratë t’ia paguanim ne, ndërsa ai të flirtonte në dhomën e anës nga ku mund të vërehej disi; ne ishim shumë të sigurt se ai do të qejflisej nga cepi ku mund të vërehej lehtësisht paçka se këtë dëshirë ia kishim përsëritur deri në çastin kur do të hynte brenda.
    Para hyrjes në shtëpinë publike Luboja u betua e stërbetua se do të bënte namin, do i merrte vajzat me radhë, do u griste të linjtat pasi edhe kish ngrënë mish të pjekur prej Lazarati. Mua më ngrefet me dhallë e jo me mish në hell që më rri dru gjithë ditën, tha ai. Po gjeta rast, njërën prej tyre do e nxjerr në dritare lakuriq, më këmbë përpjetë, do t’ia bëj këmbët bigë dhe do ia shtrëngoj sa të mos ketë kohë të lëvizë as qafën, na siguroi ai.
    Ne përplasëm duart dhe ai hyri brenda duke turfulluar si dash ndërzimi. Të kacavjerur në mur, pritëm tërë ankth për britmat a fëshfërimat që do të vinin andej, nga shtëpia e qejfit të papaguar. Natyrisht nuk dukej asgjë, nuk kish klithma femre, as ih, as oh, as lermë se më shqeve, po vetëm ngashërimet jargashe të Lubo evgjitit: oh i ziu unë, ç’m’u desh që erdha, m’u prish vendi i fëmijëve, kot që të rroj!
    Pas disa minutash ai doli nga banesa i shfryrë dhe si i këputur; me dorën e majtë mbante oshkurin e pantallonave, kurse poshtë tyre kopsat ishin shkalafitur; tërë ajo ngehosje dhe vetëdukje e disa çasteve më parë ishte platitur dhe kapedani ynë dukej si i ardhur nga humbëtira.
    Më duket se linda edhe një herë, na tregoi ai. Do vete të shkarkoj ndonjë makinë me çimento e me lekët e fituara do vete t’i prish atje. Vajza ishte lakuriq, siç e kish bërë nëna dhe unë nuk kisha çfarë t’i grisja. Hera e parë më shkoi dëm. Kurva më dha një mushama të hollë e të tejdukshme në formë kaçupi, pa këllëf - mushamaje s’të linte për kiamet. Eh, jam bërë tërë gjak nga poshtë, Luboja desh të ulte pantallonat për të qenë sa më i vërtetë, po ne na u pështiros; në shpinë e në gjoks ndjenim mornica e dridhje të lehta.
    Por ngjarja më e pazakontë ishe parada e prostitutave një të shtunë mbrëma; tri prej tyre zbritën në sheshin e Çerçizit nga një makinë ushtarake; pothuaj hapën tri dyer si me komandë dhe dolën serbes – serbes, krejt lakuriq dhe pa grimë drojtjeje morën përgjatë rrugës që të shpinte te Qafa e Pazarit. Të dalë enkas pikërisht në orën më të populluara me njerëz, ato baritën mespërmes rrugës duke krijuar rreth tyre një kordon kalimtarësh që gati sa s’ngrinë nga pamja e pazakontë; askush nuk u besonte syve që para tyre të kalonin tre vajza të hajthme me gjoksin zbuluar, me shalët gjithashtu, me organin femëror pa mbulesë ku dritat e neonit herë zbulonin një pjesë pushi të vesuar dhe herë fokusoheshin në siluetat e tyre si për t’u ndriçuar edhe poret më të padujkshme të lëkurës tejet të lëmuar.
    Qyteti më i zhurmshëm ku të gjithë donin të dukeshin ngapak protagonistë, ku shtëpitë e mëdha dhe të vogla nuk luanin ndonjë peshë të përfillshme në spikamën e personalitetit, kishte rënë befas në një heshtje të thellë, një lloj nemitjeje sikur kuvendon me xhindët apo me shpurën e djallit, dhe nuk mund të belbëzonin asgjë. Një mot eklipsi që rrallë mund të shihej nga gjithë qytetarët, ishte shumë pak përpara kësaj ngjarjeje: nuk ishte as plotësisht dritë sepse fenerët patën një veshje mizash dhe dritonin mugët, por edhe terr s’mund të quhej kur tri ëngjëj kishin fanepsur papritur, kishin bërë me këmbë rreth njëqind hapa dhe ishin zhdukur po befas në makinën ushtarake duke lënë pas një vezullim hënor që do të shihej netnetëve.

  13. #13
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Dialogë aritmetikë


    - Sa bëjnë dy edhe dy?
    - Katër.
    - Kemi dhjetë heqim pesë, sa mbeten?
    Fëmija numëronte me gisht dhe përgjigjej me një farë hutese.
    - Gjashtë heqim tre, sa bëjnë të keqen mami?
    Djali e vërente të ëmën në sy.
    - Ke gjashtë kopsa në pantallona, shkopsit tre dhe numëro sa ngelen?
    - Tre.
    - E gjete, të lumtë! Eja të të përqafoj mami!
    Në rrugët e fshatit, në shtëpi duke punuar kopshtin, në kullotje me bagëtitë - dëgjoheshin tashmë dialogë aritmetikë: dikush numëronte me fiq të tharë, me stafidhe qershish, me qepujka ose thelpinj hudhre, me patate të vogla të farës dhe çdo përgjigje e saktë përbënte për secilin një zbulim të mahnitshëm.
    Megjithëse në shkollë venin rregullisht nga shtatë deri në dyzet vjeç, gjithë banorët e fshatit ishin përfshirë në vorbullën maramendëse të saj. Dy mësuesit përgatitën numëratorët e parë me gogla lisi, po shpirti praktik i fshatarit shkoi më tej: ato mjete aq të dëshiruara i sajoi me gjithfarë sendesh, me guaska kërmilli e me lënde dushku që i quanin buçko, me manaferra e kumbulla të pabëra, me fiq të egër, me çfarëdolloj kokrre që bënin pemët sipas stinëve. Kaloja me shumë fëmijë përgjigjej në klasë me goglat duke i lëvizur dalë-ngadalë me ato gishtat e trashë e të përzhitur vende-vende, ndërsa në shtëpi vazhdonte përgatitjen me gotat e rakisë derisa gjithçka i bëhej lëmsh e rrokopujë në numrat me dy shifra. Qenami, me rroba të leshta e çizme të përgjysmuara në dimër e behar, kish mbushur një trastë me mbeturina dhish, të cilat i hidhte dhe i priste sa në një dorë në tjetrën duke mos shkuar më shumë se trembëdhjetë, çka e irritonte dhe i zbraste mbetjet ne tokë. Arifi i më!
    hallës së Dinajve kish përparuar në të shkruar e në mbledhje e zbritje; ai hipte majë lisit ndanë shtëpisë, pyeste e gjegjej vetë me zë bubullitës sa e dëgjonte tërë fshati. Mësuesi Themo e nxirrte Arifin pak mënjanë duke i vënë në patronazh jo pak po shtatë burra. Këtë detyrë e bënte me shumë qejf, madje po ta pyesje në rrugë thoshte me vetësakrifikim: po merrem me ata të shtatët, nuk hanë pyka fare! Edhe nëna ime përgjigjej pa gabime, saqë mësues Sotiri i shënonte notën “5” me zbukurime. Babai, nja pesëmbëdhjet e kusur më i madh, i shfletonte në vetmi fletoret e saj dhe bëhej më i heshtur. Kur e gjente nëna ashtu, të përkulur e meditues, i thoshte me humor se martesat nuk duhen bërë me mosha të paafrueshme, të paktën jo më shumë se shtatë -tetë mote.
    Por më i lumtur e i shpenguar ndër fshatarët, ishte Kismet Hakani. Ai vërente tërë atë lëvizje te shtëpia e merhumit Filat dhe kalamendej nga kënaqësia, bëhej si me thënë me fletë e me flatra. Dinte fare mirë të lexonte e të shkruante, veç puna e dy mësuesve i dukej si s’ka më mirë, një punë e paqme që s’pranonte as floririn. Fillonte ora e mësimit dhe ai thithte gjithë ëndje purron e trashë dhe shikonte si flisnin bashkëfshatarët e tij; herë-herë kur ata ziheshin ngushtë, ndërhynte vetë dhe qeshte si fëmijë. “Eshtë e lehtë more, e lehtë”, thoshte. Nga dhoma matanë , dy shtretërit i punoi me merak po askush nga fshatarët nuk i linte mësuesit atje, i merrnin me radhë për darkë dhe të nesërmen ngrinin dorën të parët për t’u përgjigjur në mësim.
    Si padashje lajmi u hap në fshatrat fqinjë, kureshtarët erdhën për ta parë me sytë e tyre dhe Kismeti hyri në biseda nga mëngjesi deri në mbrëmje. Qoftë edhe për këtë ai ndihej i lumtur dhe vriste mendjen se çfarë mund të bëhej tjetër për fshatin e tij.

  14. #14
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Rruga dhe ngjarje të tjera


    Kushedi se çfarë i ka pjell mendja, ajo kokë sa një grusht e Kismet Hakanit? Mos rrëmbejnë ndonjë nuse? Janë ngritur që me natë sikur do grabisin një fshat me nuse?! Janë maskuar si lugetër me pëlhura mjegulle dhe duken me keq se fantazmat! E hapën shkollën sa për xanxë, për të inatosur fshatrat përreth duke nisur një zinxhir letrash, telegramesh e peticionesh në Komitetin Egzekutiv e më lart...
    Një mori pyetjesh silleshin e përsilleshin rrotull-rreth, teksa ai vargan me kuaj, pela e mushka zbriste për në Qendër. Kafshët ndaluan dhe të pesë burrat, në krye të vargut, zbritën prej tyre si me komandë e mospërfillje sikur tej e tutje të mos pipëtinte asgjë. Në të vërtetë murmuritjet vazhdonin, hamendjet e pandehmat vejevinin me ritëm të lartë. Bënte ftohtë, në tokë zbardhëllonte një ciknirë e thëllimtë dhe nga gojët e kafshëve dilnin pareshtur duhme ajri valëngrohta duke lënë në qimet e gjata të nofullave eshtake pikëza vesore.
    Kismeti, me duart që i dridheshin, lidhi kapistrën e pelës larashe pas një cung shelgu dhe u zgjati kutinë e duhanit shoqëruesve të vet. Ajo pelë kish sjell në fshat mbarësi dhe kish shpërndarë po ashtu në vise të tjera; gjithato nuse tylbardha, në muajt e vjeshtës, lotët e parë i derdhnin mbi jelet e saj të feksitura dhe ajo hijerëndë e fisnike, perëndeshë e krejt kafshëve, printe çaplehtë shtegun e dasmorëve të pafund. Kismeti, hem besonte e hem nuk besonte, po kjo kafshë shtatdrejtë e lidhte me gjëra tepër të shtrenjta e ngazëlluese, me ca fijekapje të paspjegueshme dhe, si çdo pjesë e zemrës, do të shënonte përherë fillimin e diçkaje tepër-tepër të bukur apo të hidhur. Sot, nga orët e para të ditës, ata do të prisnin ardhjen e disa vullnetarëve, një kamion me tridhjetë - dyzet të rinj nga qyteti.
    Dy sahat e më ku do vemi, pyeti Kismeti më shumë veten se të tjerët.
    E kishim bërë me fjalë të rrugtonim kur të binte dita tamam, po askush nuk e mbajti premtimin (teksa po zbrisnin nga fshati, të pesë burrat treguan radhazi se qenë përpëlitur në shtrat për orë të tëra, kishin dëgjuar edhe piskamën e këndezave të parë, kishin parë allosoj ëndrrash apo fillimet tronditëse të tyre), thuajse kishin mbetur syzgjuar dhe shpëtimi i vetëm nga stërmundimi natësor ishte ngritja, hedhja tej e mbulesave të dragura dhe lajmërimi i tjetrit që nga gardhi: o filan, zgjuar je more, eja të nisemi se nuk qenka e thënë të flemë sot!
    Eja e jepu xhevap këtyre sojllive të Qendrës, mllefoi Kismeti. Të pyet samarxhiu, kovaçi, marangozi, të gjithë duan të dinë për të mësuar një sekret. Pale, edhe berberja kërkon hesap ku sipas mendimit tim, njëmijë herë që joejo s’duhej hapur berberhana; ajo mblidhte përtacukë e dembelë; nuk shkonte që në duart e një femre të koloviteshin mjekrat e nxira e të palara të soj-soj burrave, por edhe se gomngjitësi të plaste buzën për të mos i hedhur shpejt ato të shkreta arna në gjyma e potisirë duke nxjerr si preteks vonesën në të rruar.
    Sikur ta bënin me fjalë e për të mbushur atë boshësi të pritjes -katundarët merren vesh qoftë edhe me sy apo me shenja - të pesë burrat u futën në klub dhe porositën kafe.
    - Asnjë llaf të këtushmëve, - foli nën zë Qenami me një gëzim dinakëror që më kot mundohej ta fshihte.
    - Merret vesh, - sqaroi Kismeti - kemi ardhur për të sjell bereqet. Jemi karvani i Paqes.
    - Po ne i kemi shlyer të gjitha huatë shtetërore, njerëzit e dinë këtë, janë lajmëruar fshatçe dhe do të dyshojnë, - tha Kaloja me shumë fëmijë.
    - Do bëjmë sikur s’e kemi mendjen, - ndërhyri Arifi i Bellajve, - megjithëse e kemi bërë një gabim: nuk morëm me vete ca flamurë e parrulla e t’i qepnim në ballë të kafshëve.
    - Mos duhet ndonjë vendim? - u kujtua më dobti i burrave, Çorrushi.
    - Vulën me vete e kam, kam edhe letër. Ja e shkruaj fët e fët e pastaj të na marrin pleshtat, - tha Kismeti. Ai nxorri fletoren dhe shënoi: “Për të mëkëmbur fshatin kemi rënë në ujdi me shokët e Qarkut që të na vinë nja 30-40 shpirt nga qyteti. Harxhet e fjetjes e të ushqimit do t’i heqim vetë. Të mos na kërrehet asnjë pengesë. Kryetari i Këshillit, Kismet Hakani. d. v.” I vuri edhe vulën pasi e lagu me pështymë dhe ia zgjati Arifit. - Mbaje shkresën se do të na duhet!
    Pesë burrat surbën kafe dhe dolën nga klubi sikur t’i ndiqte kush. Sakaq mbërriti kamioni me vullnetarë dhe ata nxituan hapat me një ndjenjë trembjeje se mos ua rrembente njeri. Në makinë duhet të ishin edhe një fisarmonikë e klarinetë që dëgjoheshin aty-këtu mes zërave rinorë.
    - Ejani, të takohemi me komandantin e tyre, Adifin, - tha Kismeti.
    U çel dera e kabinës dhe andej doli një djalë i gjatë si nja njëze e tetë vjeç, me fytyrë e flokë të kuq.
    - Shoku Kismet, erdhëm ne, tridhjetë e dy veta, - ai e përqafoi kryetarin e këshillit.
    - Të pushojnë zurnatë e të ikim sa më parë! - u hodh Qenami. - Më rrofshi! Po të rrimë edhe ca, do pataksen keta këtu; na zë edhe vapa.
    - Në rregull, nga do mbajmë? - komandant Adifi bëri me shenjë që vullnetarët të afroheshin.
    - T’u qepemi kafshëve, - tha Kismeti - rruga deri në fshat mban rreth një sahat.
    - Në asnjë mënyrë, - komandanti qeshi, - këta të marrin gjak në vetull.
    Aksionistët morën udhën lart, ndërsa pas tyre vinte karvani i kafshëve si zinxhir i gjatë.



    l.

    Në fshat ishte gatitur dreka, qenë therur pesëdhjetë bagëti, pothuaj nga një për çdo shtëpi, ishin hedhur nëpër furra petanikët erëmirë, byrekët e lakrorët, qenë hapur vozat e djathit e turshisë; bukët e misrit avullonin nën saçat e mëdhenj, ishin hequr mënjanë kaçupët me shëllirë e gjizë të trashë, gjithçka ishte menduar përpikmërisht për t’i gostitur sa më kënaqshëm miqtë e rinj.
    Pleq, të rritur e fëmijë shikonin me një ndjenjë padurimi aksionistët që po ngrenin çadrat fushore të fjetjes mes zallamahisë dhe poteres. U sistemuan gjashtë të tilla: tre për djemtë, dy për vajzat dhe një e vogël për shtabin. Dy mësuesit hynin e dilnin gjithherë duke ndihmuar ose duke dhënë ndonjë këshillë; më tepër se fshatarët ata i gëzoheshin ardhjes së mysafirëve.
    Dreka, duke qenë njëheri edhe darkë, filloi vonë e mbaroi aty nga mesnata. Si përherë kjo gosti pati një tog të dehurish, pati kurekur shamati e bisedë të tjerrur për mosrespektim dollish, megjithëse fundi ish prapë i këndshëm. Midis vullnetarëve ishin dhjetë vajza që deshën të flinin në çadra, po gratë e fshatit i kundërshtuan dhe i morën në banesat e tyre.



    2.

    - Ju nuk jeni bërë koperativë? - pyeti komandant Adifi.
    - Jo, jo. Asnjë fshat në krahinë dhe në rreth nuk është bërë.
    - Pse e vononi këtë punë. Të ishit të bashkuar në koperativë, do ta ndërtonit udhën më shpejt.
    - S’është aq kollaj, fshatarët sapo janë bërë me një çikë plaçkë e katandi dhe u vjen ligsht ta bëjnë kokrra-kokrra. Nga lufta ne dolëm si askush tjetër, si rruar-qethur, u bënë shtëpitë fërtele, u shkretuan ato pak ara dhe bagëtia u firua si mosmëkeq. Jo se kanë bërë ndonjë luftë të madhe, por ama fshati është djegur si mis më keq. Njëherë është djegur vetëm se një fshatar provonte të qëllonte mbi jë autokollonë gjermane dhe ata, ia filluan mbarë me bombardim. Qeveria ndërtoi falas tetëmbëdhjetë banesa për ata më të këputurit.
    - Koperativa krijon lehtësira. Andej nga Myzeqeja, janë ngritur me radhë e njerëzit rrojnë mirë.
    - Lalët janë të butë, një xhandar ruan gjithë Myzeqenë.
    - Nëse jeni fshat me traditë, duhet të shpejtoni.
    - Ke merak ti? Fshatin unë e kam në pëllëmbë të dorës,-Kismeti hapi gishtrinjtë e bymyer. - I mbledh këtë kohë, po të duhet. Plaku im ka qenë kryeplak dhe ai e ngriti në luftë me një fjalë.
    - Po gratë a të dëgjojnë?
    - E çdo bëjnë ato të shuarat, edhe ju keni bërë gabim që keni marrë vajza me vete.
    - Vajza kish edhe në luftë.
    - Kish gra e vajza, po ato lëviznin vetëm gishtin. Lëviznin edhe ndonjë gjë tjetër po do kemi kohë e do flasim. Ç’ta bësh gishtin këtu: ta tundësh apo ta fusësh nga prapa!
    Komandanti i aksionistëve qeshi. Ashtu bëri edhe Kismeti dhe dolën së bashku nga shtëpia.
    Në sheshin para çadrave, ish ndezur një zjarr i madh me degë rrapi dhe përreth tij vullnetarët ngacmonin njeri -tjetrin miqësisht.
    - Hë djema, si fjetët? - pyeti Kismeti dhe ata u ngritën në këmbë.
    - Si jo më mirë, - tha një aksionist.
    - Dihej që rehat do flinit, këtu vendi është i futur dhe nuk e kap era, - tha Adifi.
    Kismeti pohoi me krye. Më pas u ul në një gur të ngritur shtufi dhe nisi t’u tregojë disa hollësi për fshatin.



    3.

    Për dy ditë me radhë u bë piketimi i udhës deri në Qendër, rreth gjashtë kilometra e pak e gjatë. Pak a shumë u ruajt rrugina e vjetër e kafshëve me ndonjë kthim të vogël në disa pika shkëmbore që u planifikuan për t’u shembur.
    Fillimi i punimeve u krye me një ceremoni të thjeshtë. Më këmbënguljen e Kismetit, të pranishmëve u foli komandant Adifi.
    - Shokë, - filloi ai i emocionuar, - po nisin hapjen e rrugës së re që do t’ju lidhi me Qendrën, me qytetin e me tërë vendin. Në këtë aksion ka punë për të gjithë, edhe për fëmijët. Ju, shokë fshatarë keni vuajtur shumë, por edhe keni energji shumë. Prandaj të jemi të bashkuar. Me çangën e parë do të bëjmë zgjimin, me çangën e dytë do të kemi mbaruar mëngjesin dhe me çangën e tretë do fillojmë punën. Me hajër na qoftë!
    Nisi kështu hapja e udhës. Në pararojë shkonin burrat duke gërmuar me kazma dhe pas tyre të tjerë shpërndanin dheun dhe bënin sheshimin.
    Ditën e dytë të aksionit, një pjesë e fshatarëve nuk erdhi në frontin e punës, ca u larguan gjatë pushimit; katër ditë më vonë, numri i tyre ecte drejt pakësimit.
    - Pse nuk thua që na mori lumi, - i tha Adifi kryetarit të këshillit.
    - Nuk janë mësuar bashkë.
    - T’i mësojmë e t’u flasim ngapak. T’i ndajmë për ca net aksionistët në shtëpi dhe t’u bëjnë agjitacion.
    - Janë të sertë e nuk shtrohen menjëherë. Lënë kokën për bagëtinë.
    - Duhet ta kapim demin për brirësh.
    - Nga t’ia mbajmë? - Kismeti e shikoi komandantin në sy.
    - Nesër merr edhe gruan me vete.
    - Ba – ba - ba, do më turpërosh në pesëqind sy. Edhe një copë rrugë dashka flijime?!
    - Flijime jo, po do sakrifica. Asgjë nuk e gjen gruan tate të vijë në punë, po bëhet edhe shembull për të tjerët.
    - Mos e zgjat më, qoftë e bërë!
    Në ditën e shtatë disa fshatarë u shtuan dhe rruga e re automobilistike mori një farë forme. Rreth dyzet metra përfund një lugine, nuk patën shumë mundim, dheu gërmohej lehtë e duart lëviznin shpejt.
    Një ditë më pas Kismeti erdhi në punë bashkë me të shoqen. Nuk foli asnjë fjalë, nuk përshëndeti askënd dhe, ndryshe nga çdo herë tjetër, mori një kazmë e nisi të rrëmonte.
    Komandanti i vullnetarëve nuk e ngacmoi; e kuptoi gjendjen e tensionuar të kryetarit nga vështrimet bishtnore të bashkëfshatarëve apo llomotitjet e tyre nën zë. Ai shpërndau frontet e reja të punës, më shumë me lëvizjet e duarve sesa me fjalë, dhe shkoi pranë kryetarit duke gërmuar së toku.
    - Ma ke bërë qejfin sa s’bëhet,-i pëshpëriti.
    Kryetari e këqyri vëngër dhe nuk i foli.
    - Ndonjëherë, një veprim i vogël vlen shumë, - këmbënguli Adifi.
    - E mora vesh. Mirë ngordhi kali, po s’na lënë rehat as mizat, - Kismeti s’kish dëshirë të fliste.
    - Ta them me zemër të bardhë.
    - Ohu, dëngër-vëngër. Në këtë kohë fjalimet bëjnë punë.
    - Për ta thënë haptas, unë s’shoh asgjë të keqe që gruaja jote punon si shoqet tona.
    - Për ty s’ka gjë, po eja e mblidh mizat brenda meje, unë e di çfarë heq.
    - Do kalojë pak nga pak.
    - Ashtu u bëftë, - kryetari i dha të kuptonte që të mos e zgjaste më bisedën.

  15. #15
    mirandapetro
    Anëtarësuar
    28-04-2006
    Vendndodhja
    Greqi
    Postime
    2
    Urime shkrimtarit per finesen ne te shkruar.Do kisha deshire te shihja krijimtarine e tij te shprehur edhe ne vargje.Kam besim se do te dije te n'a dhuroje gjera te bukura.

    Miranda

Tema të Ngjashme

  1. Çerçiz Topulli
    Nga shigjeta në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 31-03-2013, 03:09

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •