Hiret e prostitutave
Novelë
Kryekrejë
Gojëdhanat e moçme rrëfejnë se në Gardhiqin e lashtë e të ndritshëm, fshati ka qenë një fis i madh, ndoshta më i herti, me pari e zotërimet e veta që tashmë kishte ruajtur shumëpak nga moçmësia pagane; sikundër shumë katunde të tjerë dikur merrte trajtën e një qytetthi me krejt infrastrukturën e tij, me pajimet dhe objektet që përmbante ky emërtim dhe pas një farë kohe kthehej në formën e një garumbulli gërmadhash duke u rikonturuar si qytezë e stërmadhe. Shumë-shumë kohë më vonë, për një fjalë goje që fyhen shpesh krenarët, fisi u hapërda nga i hanin këmbët e nga u puqej terezia, kryesisht afër përrenjve apo buronjave me të fshehtat livadhe e lëndina tokëkafenjta që kthehen pa shumë mundim në kopshte pjellshmore.
Një degëz e vogël e fisit ngriti shtëpi joaq larg prej trungut mëmë, përbri lumit Belicë, me shpresë se mëria e kotë e madhështisë paskaj do të fikej ditëpasdite, si fitil i lagur, dhe ai do të bashkohej sërish me shtëpi një e dykatëshe, me popullatë të shumtë dhe me begati që e ngrinte aty për aty.
Megjithatë këtu qëndroi gjatë, deri në dekadat e mbrame të shekullit të nëntëmbëdhjetë, vuri gjendje e prokopi, shtoi parcelat e punueshme, rriti krerët e bagëtive të imta dhe u nder në gjysmëkodrinë me ujë dhe pa ujë.
Fshati njohu shkatërrimin e parë në përpjekje me fillimsundimin e Ali Tepelenës dhe e mori veten ngadalë; nga strehë e sigurt e vezirit të dy shteteve (nëna e pashait vinte shpesh në kalanë e verimit të freskët), ai u kthye në një terren armiqësor për shkak të fjalëve që ngarkonin me turp e marri familjen pashallore.
Thuhej se nëna e pashait kishte vënë në ngasje dy nga burrat më të pashëm gardhiqotë që ishin tunduar për disa stinë të rreshtrreshtme dhe më në fund e kishin përdhunuar një të premte të mirë. Kishte qenë një ditë e paformë kur nuk ndihej prania fizike e pashait, por as edhe hija e tij që ishte po aq e frikshme së bashku me një shpurë besnike që mund të të hiqte qafe edhe për dyshimnajën më të vogël.
Kështjella e ndërtuar prej vetë Aliut të Janinës, në një pikë dominuese siç bëheshin rëndom karabina të tilla, teksa nuk kishte njohur asnjë humbje nga përtej kufirit ishte përdhosur nga zemërimi i pashait që në pamje të jashtme nuk falte për tradhti. Një variant tjetër pranonte se Aliu ishte hakmarrë për mosrrebelim të mëvonshëm të banorëve kështjellarë që mbaheshin si kryeshkretë dhe të patutur për t’u matur me këdo.
Një cmirë fshatrash përreth për banorët e gjatë e me fortesë, dukej se ishte një hipotezë tjetër në mërinë e pashait të Janinë -Tepelenës; tre kryevendas kishin mundur të takoheshin me vetë Zotin e madh duke e vënë në dijeni për tradhtinë e gardhiqotëve ndaj nënës së tij; ajo është e pafajshme, ata përfituan nga rojet e kështjellës dhe e përdhunuan tek ishte në fundperiodash, mund t’u kenë dhënë bashkish rojeve dhe kanë kryer turpin e madh, dukej se i kishin kumtuar zëulët duke i paraqitur edhe disa dëshmi të tjera që s’kërkonin kundërshahitë.
Pashai i ka dëgjuar me vëmendje por, ndryshe ngasi vepronte për raste të tilla, urdhëroi t’i vritnin pas një ore dhe shkoi vetë të shihte trupat e pajetë. Përtej thashethemeve që vejevinin në zakonshmërinë e vet, pashai kishte dyshuar nga kërkesa e papritur e nënës për t’i pasur dy kryeshkretët e përdhunimit në stafin e saj të sigurisë, çka kishte ndikuar edhe në vendimin e madh: vrasjen enigmatike të dy gardhiqotëve dhe zhdukjen e vrasësve të tyre.
Në agimrendjen e këtij shekulli, erdhi shkatërrimi i dytë nga korofillakët grekë që u ndje joaq në rrënimin e shtëpive e shkretëtimin e tokave, sesa në prerjen masive të banorëve dhe në vdekjen e muhaxhirëve brigjeve erëftohta e ullishtore të Vlorës.
Pastaj ia behu lufta tjetër që pati sërish të vrarët e vet, djegje e përzhitje të përmasave të mëdha, masakra dhe gjithfarë ndodhish tragjike që dukej se edhe fshati ishte i përgatitur për hata të tilla por edhe agresorët nuk përtonin për ta sendërtuar përgjatë çdo lufte.
Në luftën e fundit fshati degë-fis u dogj dy herë nga okupatorët nazi-fashistë për mosnënshtrim dhe sidomos nga pamundësia për të tërhequr rreth vetes qoftë edhe një njeri të lëkundur. U sheshuan shtëpi, kasolle e hajate; u vranë dhe u sakatuan njerëz e bagëti dhe fshati u ngjit më lart sikur të mos kish ndodhur gjëkafshë; u shkrumbua sërish nga gjermanët dhe hodhi rrënjë aty ku është sot: në gjunjët kodrore të një mali gursertë, me ujë të ftohtë nga të katër anët, kryesisht për vaditjen e fushëzave, dhe me blerim të pafund.
Këto mote të pazakonta, si pas çdo fundlufte, u bënë martesa të mjafta në moshë tepër të njomë (brendapërbrenda fshatit, në fshat - mademe po edhe përreth zonës) duke ndjekur parimin e rreptë të kryepleqësisë ku çdo familje lypsej të kishte mëse gjashtë fëmijë dhe që ky limit mund të shtyhej nëse vajzat pasonin njera tjetrën.
Dielli i fshatit lindte mes dy malesh dhe perëndonte qetësisht në një horizont të paanë duke u shoqëruar me dhjetra punë të përditshme, një mori lajmesh turbullane, një varg grindjesh të lehta e të rënda (në kësi rastesh, katundarët ndaheshin në dy kampe jo të barabartë) që rrallherë përfundonin me gjak e humbje jete.
Fshati u bë i pjerrët sa s’thuhet ku fare kollaj mund të rrëzoheshe duke baritur mbi zallin e bardhë, mund të shkiste rrufeshëm dëbora, (përjashtuar vendet e futura e sqetullat e kodrave), shiu, era ftohtane e Jugut dhe ai, tërëdjallëzor e i vetëkënaqur, ngrinte krifën e kaftë tjegullore e tymoste pa merak me një sërë oxhakësh bolldungë e kryeneçë.
Ky ishte një fshat i zhurmshëm, poterexhi që rrallë e gjeje në vend tjetër, nuk ka të dytë në botë, thoshnin të gjejdisurit-mërgimtarë në Amerikë, Argjentinë e Australi kur bujtinin herëpashere në vjeshtë të ndryshme me dhurata dhe pako të llojllojshme. Një vizitori do t’i dukej jo e natyrshme paepja e tij si një rit pagan që mbijeton nga një luzmë instiktesh marramendëse ku e shumta - e shumta mund të rrije si shetitës vetëm një javë, (asnjë minutë më tepër!); ai të krijonte pështypjen e rreme se për pak çaste mund ta njihje me gjithsej deri në skutat më të fshehta, me të pesëdhjetedy banesat e poaq oborre të madhësive të ndryshme, me një seri pemësh frutore përqark, me një varg rruginash të pocaqisura midis, tepër të lexueshme, si damarë mavi në qafën e një njeriu të mjerueshëm të brezit të mbramë.
Ja, përpak kohë përqëndroheshe në numërimin e familjeve: Hakanajt me kopshtin qersë e dy-tri pemë - vidhe mbushur me rrush e lerushqe, Ruskajt poshtë tyre, tri familjet Mersini, Mahmutajt me pesë shtëpi, Bellajt me shtatë banesa e tre vejusha të kaluara nga mosha Brenda katër mureve, Islamajt me dy shtëpi, Mufitajt, Hysajt, mëhalla e Dines me gjashtëmbëdhjetë konakë rrasur nguc e nguc, Muhametajt me gjashtë shtëpi, tre karakatinat e Makashajve, dy familjet Nora, tjetra Birbili e në fund Hilajt.
Mjafton të picërroje sytë dhe do të shikoje mëngjezin e hirtë, do të vëreje si hapeshin lesat, portinat e kasolleve dhe hajateve nga ku dilnin duke blegëritur bagëtitë për kullotje, (bëëërrrr - firoma e tyre nderej pezull mbi mjegull); nga oxhakët blanja-blanja të zeza ngriheshin lart vorbuj tymi si të shtynin diku pas malit tisin e ftohtë mëngjezor.
Në mbrëmje do të këqyrje gjithashtu se si kjo masë e madhe kafshësh, qingjash, kecrash, dhensh e dhish ndahej vetvetiu për në shtrojet e veta - tërë ajo vrazhdësi e njerëzve dorëzohej pikërisht në marrëdhëniet me gjënë e gjallë që i mbante po ashtu me frymë.
Në këtë fshat me shumë ndodhi u linda unë, pa qenë aq i lidhur me të kaluarën e tij trimërore e të frikshme. (Babai kish lindur në qytet dhe ish larguar në një moshë të pjekur për të administruar sinoret e tokave e të pyjeve të shumta të të atit e xhaxhallarëve, vdekur gjatë luftës me grekun e Parë). Natyrisht në përfytyrimin tim, përmasat e vendlindjes së prindërve sfumonin pa mëshirë jo më një fshat, po disa të tillë të marrë së toku. Para meje qyteti i prindërve ngrihej si një aureolë e zdritshme ku nuk i fironin njerëzit e shquar, megjithëse në fshatin përandej lumit kish lindur një kapedan i dëgjuar e i paepur ndaj turqve, pak më tutje e kish bërë me famë truallin e vet arkitekt Sinani me minaretë e hijshme e të Bukurën kishë Sulejmanie dhe vetë fshati kish tërbuar e hazdisur për disa vjet me radhë deri më 1812-ën një Ali krenar Tepelenë.
Ky fshat me vend tërësisht sertan, me një simbiozë të hatashme vrazhdësie e butësie, s’mund të krahasohej me askënd e ndërkohë mund të matej me të gjithë pa iu tutur syri.
Krijoni Kontakt