Personazh
Autori i dramave "Toka jonë" e "Halili dhe Hajria", rrëfen për jetën e vet. Planet për botimin e një libri dhe leximi i pareshtur
Kolë Jakova, ditët e vetmuara në azil
Rrëfimi i dramaturgut të njohur, 88 -vjeçarit, që jeton prej katër muajsh në një azil privat në Tiranë
Belina Budini
TIRANË - Kolë Jakovën, autorin e dramës së njohur "Toka jonë", nuk e gjen më në apartamentin e vet. Shtëpinë e zbrazur nga gruaja pesë vjet më parë (e vdekur) dhe nga fëmijët (të larguar jashtë) vendosi ta braktiste para katër muajsh. Në moshën 88 -vjeçare, dramaturgu, poeti dhe romancieri me origjinë shkodrane, ndërmori një aventurë të fundit. Pa harruar të marrë me vete kutinë me librat e preferuar, gjyslyket dhe një bibël, Kolë Jakova vendosi të shkonte në azil. Mbërriti një mëngjes korriku aty në "Joshua Trauma Center", ku vazhdon të jetojë çdo ditë mes miqsh të rastësishëm dhe nën përkujdesin e personelit të kësaj qendre rehabilitimi që prej katër muajsh. Në një nga dhomat e kësaj qendre e gjetëm paraditen e djeshme Kolë Jakovën. I gatshëm për të biseduar, ai pranon të rrëfejë për gazetën "Shekulli" ditët e vetmuara në pleqëri. Përpjekjet për të mbijetuar, takimet e shumëpritura me mbesat në azil, telefonatat e përlotura me të bijat në Udine të Italisë, e mail-at e tyre të përzemërt, me të cilët i kërkojnë përditë të bashkohet me to. Rrëfimi për krijimtarinë e vet, prej të cilës nuk ka hequr dorë as në pleqëri, planet për botimin e një libri të ri me rrëfenja të vjetra shqiptare, rikthimi në kujtimet dhe dëshira për të rrojtur sa më gjatë.
Ditët e Jakovës në vetmi
Dramaturgut 88 -vjeçar, i ndodh që këtyre ditëve të vetmuara të thurë edhe ndonjë vjershë të trishtë. "Keq ta sosësh jetën/ kur je akoma i ri/ por akoma ma keq/ kur ngelesh vetëm n' pleqni", - nis të recitojë Jakova shkodrançe. Kështu e nis ai bisedën, me vargje. Thotë se tanimë vargjet e tij janë të trishtueshme dhe "të randa", prandaj ka vendosur të mos botojë asgjë prej tyre. Me duart që i dridhen, mezi arrin të shkruajë, por nuk heq dorë. Nisi të thurte vargje pesimiste atëherë kur ditët në vetmi të plotë iu bënë të padurueshme. Nuk pranon ta japë për botim një vjershë të revoltuar ndaj realitetit, as edhe një tekst kënge që ka sajuar në vetmi e që fillon me vajin: "o mor gjysh i shkretë/ se ç'të paska gjetë/ s'ka kush t'bën hyzmet/ or medet, medet." "E kam shkruar nga mërzia e pleqërisë se sa për hyzmet ka kush më bën. Vajzat më lusin çdo ditë në telefon që të shkoj e të jetoj me to në Itali, por unë nuk kam dëshirë të shkoj. Nuk e di në do të vendos për të shkuar apo jo, por dëshirë të shkoj nuk kam. Dua të vdes këtu...Le që nuk jam kaq i vjetër, dua edhe dy vjet të mbush 90 vjeç...", - thotë duke qeshur. Sensi i humorit nuk i mungon për asnjë çast, edhe kur flet për vuajtjet e ditëve të veta në pleqëri. Në azil të gjithë e duan dhe e respektojnë e i thërrasin në një zë "gjysh". Për personelin e shërbimit, ai është i preferuari. Këto përkujdesje dhe fjalë thotë se ia largojnë disi vetminë. "Jam më mirë këtu sesa vetëm në shtëpi. Këtu kam edhe ndihmën mjekësore kur më duhet, edhe shërbim në dhomë, edhe shoqëri kur dua të bëj muhabet. Megjithatë, një pjesë të mirë të ditës e kaloj duke lexuar", - thotë ndërsa na tregon një libër të Ajshtajnit që nuk e heq nga dora. Një guidë për të qenë i suksesshëm në jetë, një enciklopedi personalitetesh, një libër me tregime nga bibla, janë disa nga literaturat që ka momentalisht në duar. Në të majtë ka një kuti me libra e dorëshkrime të vetat, ndër të cilat edhe disa tregime të fundit. Përballë një televizor të vogël, në tryezë telefonin celular, gjyslyket dhe pjatën e pambaruar të mëngjesit. Nën shtrojet e trasha, ai tregon se si mbërriti aty në qendrën "Joshua". "Isha sëmurë dhe kisha nevojë për përkujdesje të vazhdueshme. Atëherë bëra hesapin dhe mendova të pranoj të paguaj 300 mijë lekë në muaj e të vij në këtë azil privat për të mbyllur ndoshta ditët e jetës sime. Një pjesë të shpenzimeve i kompensoj me pensionin tim që është 230 mijë në muaj. I marr edhe një qira 150 mijë lekë të vjetër shtëpisë sime dhe kështu më del edhe për të shpenzuar të tjera. Me të ardhur këtu, u përmirësova nga shëndeti. Vuaja edhe nga koliti, por këtu ushqimi është i kontrolluar për sëmundjen që kam e nuk më bën dëm. Jam shumë më mirë tani. Kam edhe ndonjë shok të azilit që vjen e më mban me muhabet. Shoh ndopak televizor dhe lexoj librat që shihni këtu", - tregon ai.
Familja
Kjo ishte pjesa rutinore e ditës së Kolë Jakovës aty. Por ajo më emocionuesja është kur pret telefonatat e të bijave, Vidës dhe Lilit nga Italia ku ato jetojnë prej shumë vitesh. Entuziast është ai edhe për mesazhet elektronike që ato i dërgojnë nëpërmjet email-it, ku e ftojnë të bashkohet me to në Udine të Italisë sa më shpejt e të mos rrijë më në azil. Edhe vizitat e mbesave në Tiranë e gëzojnë pa masë. Vizita e të premtes, e të birit, Sokol Jakovës, është një tjetër ngazëllim për të. Ndërsa ka mbetur i ve që prej pesë vjetësh ai thotë se familjen e ka ndier pranë gjithnjë. Edhe aty në azil thotë se ndihet si në një familje. "Këtu të gjithë më thërrasin gjysh si mbesat e mia. Ato, kur erdhën të më vizitonin në fillim, më thërrisnin kështu e ja, ku më mbeti emri gjysh", - thotë ai. Ndërsa punonjëset tregojnë se ai vërtet u duket si një gjysh i tyri, pasi janë rritur në shkolla duke lexuar tregimet, dramat e krjimet e tij.
Prononcimi
Treska: Jakova, i preferuari ynë
Drejtoresha e qendrës së rehabilitimit "Joshua Trauma Center" thotë se ka pritur Kolë Jakovën aty para katër muajsh, kur e sollën të afërmit e vet. "Erdhi në gjendje jo të mirë shëndetësore, por u përmirësua shumë shpejt pas një diete të rreptë të ngrëni, të cilës iu nënshtrua. Është një ndër më të preferuarit tanë, është shumë i dashur e i hapur në komunikim. Çdo ditë flet në telefon me të afërmit, që nuk mund të thuash kurrsesi që e kanë braktisur, pasi për të ndenjur këtu Jakovës i duhet të paguajë çdo muaj një kuotë mujore prej 300 mijë lekësh të vjetër. Një nga përparësitë e qëndrimit në këtë qendër është edhe shërbimi shëndetësor e çdo lloj shërbimi tjetër që atij i është i nevojshëm, i përfshirë në pagesën prej 300 mijë lekësh", - shprehet Majlinda Treska.
Krijimtaria
"Ja tregimet e mia të reja, janë rrëfenja të vjetra shqiptare, që pres t'i botoj në një vëllim me tregime"
Planet letrare, botimi i një vëllimi me tregime
Megjithëse 88 vjeç, në planet e tij bën pjesë edhe botimi i afërm i një libri me tregime. "Kam mbledhur rrëfenja të vjetra, i kam shkruar para një viti dhe them se do t'i botoj", - thotë ai. Disa nga tregimet i ka në dorëshkrime, ndërsa një pjesë të mirë i ka shtypur në makinë shkrimi, siç thotë ai vetë që përpara një viti. Ai thotë se historitë që ka mbledhur janë gjysmë të vërteta dhe legjenda të vjetra shqiptare, të cilat i ka shkruar sipas stilit të vet. Nis e na rrëfen disa prej tyre. Titujt "Nuria e Rexhë Mehmetit" të Ulqinit është njëra që ai e ka më për zemër. Por edhe të tjerat si "Takimi me Mjedën", "Nuh Sahatçia", "Zemër nëne shqiptare" janë ndër tregimet e librit që ai dëshiron t'i përmendë. I gjithë vëllimi përmban rreth 15 tregime. Ja një pjesë e shkurtër hyrëse e tregimit "Nurija e Rexhë Mehmetit": "Ka qenë, në mos gabohem, fundi i shekullit shtatëqind. Gjithë Ulqini e jetoi atë ngjarje tronditëse. Shtëpia e Rexhë Mehmetit, mu në breg të detit shquante si një drandafil i posaçelun në mes të shtëpijave të tjera. Shtëpi dykatëshe si e motit. Çardaku i madh, oborri plot lule gjithëfaresh, kopshti plot pemë dhe i rrethuar me avlli, të kënaqej syri të shikoje. E pra në këtë shtëpi plot dhoma jetonte vetëm Hanko Xhixhikja, gruaja e kapedan Rexhë Mehmetit me të bijën, Nurijen. Atje në fund të oborrit, në një jerevi të vogël banonte një kushëri i kapedanit, një njeri i veçantë në llojin e tij. Quhej Alush Mehmeti Nuk ishte martuar kurrë. Ai kujdesej dhe ruante shtëpinë kur kapedani merrte detin me karavele duke bërë tregti gjatë gjithë bregut verior të Afrikës. Shkonte në Egjipt, në Itali, Spanjë e deri në Mauritani. Këtu në Mauritani ai kishte mikun e tij, piratin e madh ulqinak, Haxhi Alinë. Pirati Haxhi Ali ishte tmerri i anijeve tregtare venedikase...Kur kapedani ishte në det, Alushi interesohej për zonjën e shtëpisë dhe Nurijen... Nurija, vajza e kapedanit, ishte lulja e shtëpisë. Kishte një bukuri të rrallë. Ulqini e quante si vajzën më të bukur të qytetit....". Kjo është vetëm një pjesë shkurtuar e hyrjes së kësaj rrëfenje të bukur shqiptare shumëshekullore, të cilën autori Kolë Jakova pret ta botojë së shpejti.
Jetëshkrim
Kolë Jakova, dramaturg, poet dhe romancier lindi në 25 nëntor 1915. Ai kreu shkollën fillore dhe të mesmen, shkollën e Françeskanëve në Shkodër. Më vonë vazhdoi Normalen pranë gjimnazit të Shkodrës. Më 1935 u emërua mësues në Vaun e Dejës. Mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Pas luftës punoi në Ministrinë e Kulturës, drejtor i Teatrit Popullor në Tiranë, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Me krijimtari letrare, ai është marrë që nga viti 1935, kur botoi vjershën e parë në revistën "Cirko" në Shkodër. Gjatë luftës shkroi vjershat "Kënga e tre heronjve të Shkodrës" dhe "Shqiponjat partizanë". Pas çlirimit shkroi për fëmijë dhe për të rritur. Ndër veprat e tij janë "Halili dhe Hajria", botuar në 1950, "Heronjtë e Vigut", botuar në 1953-in, drama "Toka jonë", botuar në vitin 1955, "Dom Gjoni" i 1967-ës, "Përballë hekurave të kryqëzuar" i vitit 1973 si edhe librat "Poezia shqipe" e "Kulla buzë liqenit". Së fundi është duke përgatitur një tregim me rrëfenja të vjetra shqiptare.
_____________________________________________
_____________________________________________
Oj sharki e lehete si era , a ka ardhur ne Shqiperi pranvera?
Ruaj Lidhjet