Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 8
  1. #1

    Ambientalistët: Edi Rama, arkitekt i përbindëshit prej betoni

    Ndotja në Tiranë, si pasojë e ndërtimeve të pakontrolluara është 2.5 herë më e lartë se në vendet e BE-së



    Ambientalistët: “Edi Rama, arkitekt i përbindëshit prej betoni



    Në kohën kur Edi Rama ka marrë Bashkinë e Tiranës, hapësirat e gjelbërta kanë qenë rreth 7 metër katrot për banor, ndërsa pas gjashtë vjetësh, këto hapësira rezultojnë në 1.7 metër katror për banor. Mosplotësimi i standardeve në ndërtim dhe përqëndrimi i ndërtesave në qendër kanë sjellë katastrofën ambientaliste.


    Në Tiranë ndotja e ajrit është 2 deri në 2.5 herë më e lartë se në kryeqytetet e tjera europiane, ku industria është shumë herë më e zhvilluar dhe numri i makinave shumë herë më i madh. Si pasojë, qytetarëve të kryeqytetit, nga ndotja e shkaktuar rrezikohet t’u shkurtohet deri në 2 vjet. Këto janë të dhënat e nxjerra nga Organiziata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka konstatuar se niveli i ndotjes në kryeqytet është 75 mikrogram për metër kub, nga 30 mikrogram që është niveli i ndotjes në kryeqytetet e Bashkimit Evropian. Të dhënat u bënë të ditura në një seminar të organizuar nga OBSH-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.

    Tirana

    Kur flasim për ndotjen, i pari qytet që na shkon në mendje është Tirana, sepse dhe shifrat ose statistikat, kur referohen i referohen më së shumti kryeqytetit shqiptar. Në bazë të të dhënave mjedisore të nxjerra nga shoqatat ambientaliste është llogaritur se, në kryeqytet, këto vitet e fundit janë reduktuar ndjeshëm hapësirat e blerta, në rreth 1.7 m katror për banor, nga 7 metër katror që duhet të jetë minimumi dhe në 16 vjet tranzicion, duket se sëpata mbi hapësirat e gjelbërta është lëshuar në 6 vitet, kur në krye të Bashkisë së Tiranës është ngjitur kryetari aktual Edi Rama. Edhe të dhënat e shoqatave ambientaliste pohojnë të njëjtën gjë. Nga ana e saj, bashkia asnjëherë nuk ka treguar sesa është masa e gjelbërimit për metër katror në Tiranë dhe sa ka qenë, kur Edi Rama ka marrë drejtimin e saj. Pas ardhjes së tij në krye të bashkisë, u prish lulishtja tek Ekspozita Shqipëria Sot dhe u bënë pallate, u prish lulishtja tek stacioni i trenit dhe u bënë ndërtime, madje edhe pak hapësira që ishin mes pallateve dhe shërbenin rëndom si lulishte për qytetarët u shndërruan paprimtas në qendra biznesi dhe apartamente banimi, duke e shndërruar Tiranën në një përbindësh betoni, siç do ta quante një ambientalist. I vetmi moment pozitiv në këto vite ishte ai, kur qeveria mori vendim për ta shndërruar gropën mbrapa Pallatit të Kulturës në lulishte për qytetarët e Tiranës.

    Ndotja

    Kryeministri Berisha, me të drejtë, në muajt e parë të qeverisë së tij do e quante Tiranën si Kabulin e Shqipërisë dhe kjo për shkak të çmendurisë së ndotjes që ka pllakosur kryeqytetin. Studimet kanë treguar se ndërtimet në qendrën e kryqytetit kanë shkaktuar një katastrofë të tillë në ambient, sa do të duhen dekada për ta riparuar. Si pasojë e moszbatimit të standardeve të kërkuara për ndërtim, ajri i Tiranës është mbingopur me pluhur, i cili thithet përditë nga kryeqytetasit. Nga ana tjetër, hapja e rrugëve në prag të fushatave dhe zgjatja e tyre pambarimisht kanë rënduar edhe më tej gjendjen dhe jo vetëm kaq, por Rama, tentoi t’i shtonte kryëqyetit dhe një tjetër mal betoni në hyrje të kryqëzimit të “Zogut të Zi”, projekt që u anullua nga qeveria. E pra, ta pranojë ose jo Shalësi i bashkisë dhe kryetari i saj, e vërteta është se shkaktar i kësaj katrahure është vetëm ky institucion, detyra primare e të cilit është të përmirësojë jetën e qytetarëve të saj, por mesa duket ka ndodhur e kundërta.

    Gazeta Tema
    30-09-2006

  2. #2
    Plehra, majtas e djathtas, në gjithë Tiranën



    Besian Trenova



    Duhet ecur rrugëve të Tiranës që të kuptosh shumë gjëra; duhet të kalosh në rrugët e “Bllokut”, në bulevard, më pas në rrugët e pjesës së vjetër të qytetit, në rrugët ku bëhen pallatet e reja, në vendet ku gjenden ndërtesat e stilit demode të para viteve `90-të dhe në zonat ku janë ndërtuar një mishmash shtëpish. Vetëm kështu do të arrish ta prekësh realitetin dhe ta shikosh me sytë e tu dhe të kuptosh se çfarë është bërë dhe çfarë po bëhet me Tiranën. Kur ecën në disa rrugë të reja të saposhtruara, të bëhet qejfi dhe ndihesh mirë. Por kjo gjë nuk zgjat shumë, sepse të dalin para kazanët e plehrave, pa rrota, të djegur, të mbushur plot me mbeturina, një pjesë e të cilave ndodhen të shpërndara në rrugë. Shpejton hapin për të kaluar një stres nga era e keqe e mbeturinave dhe përballesh me një gjë tjetër, pluhurin dhe erën e rëndë të karburantit të makinave. Kur mendon t`i largohesh stresit të ngasjes së automjetit nëpër trafik, një mundësi mbetet të ecësh në këmbë. Por edhe në këtë rast, nuk mund t`i largohesh problemeve dhe të papriturave të rrugës. Pluhuri i rrugës tregon më së miri sa dhe si pastrohen rrugët. Për këtë gjë mjafton të kalosh rreth mesnatës, kur shikon pastrueset e rrugëve, që nuk bëjnë gjë tjetër, vetëm sa ngrejnë pluhurin e rrugës, duke dëmtuar në radhë të parë shëndetin e tyre. Në këto raste uron veten të ketë vetëm shi, sepse më mirë të ecësh midis baltës dhe llucës sesa të thithësh pluhurin asfiksues. Përveç pluhurit, organet e frymëmarrjes do të përballen edhe me erën e rëndë të karburantit të djegur nga makinat, një pjesë e mirë e të cilave janë të vjetëruara. Në këto raste, kur je me ndonjë mik, nuk mund t`i shmangesh diskutimit në lidhje me atë se çfarë bëhet me tregun e karburanteve në Shqipëri, monopolin e tij, kontrabandën, korrupsionin, në lidhje edhe me kontrollin e cilësisë etj, makinat e vjetra që hyjnë në vend dhe kontrollin teknik të tyre.

    Pasi kalon njërën rrugë duke hasur problemet e mësipërme, merr kthesën majtas apo djathtas te ndonjë rrugë tjetër. Aty mund të gjesh një rrugë të re, por që vende-vende është prishur, me puseta të hequra, me ndonjë pllakë aty-këtu të thyer, apo të hequr, me ndonjë kanal të sapohapur, pjesë asfalti të krisur, apo me ndonjë fidan të këputur. Kur kalon nëpër atë rrugë, të krijohet një ndjesi keqardhjeje sesi gjërat e mira në vend nuk zgjasin shumë. Të kujtohen komisionet e hetimore parlamentare për investimet në rrugë, debatet dhe akuzat nëpër media për korrupsion, babëzi, vjedhje etj. Në këto raste, të mbushet mendja se patjetër këtu, nga gjithë këto akuza, do të ketë edhe të vërteta. Përsëri të vjen keq sesi askush nuk ndëshkohet për këto.

    Kënaqesh, kur sheh shtëpi të vjetra tiranase me arkitekturën karakteristike të para luftës së Dytë Botërore. Kur i sheh, mendon pse nuk është vënë dorë ndonjëherë mbi këto shtëpi, të cilat janë në rrënim e sipër, me suva të rëna, me çati të vjetëruara që lejojnë ujin e shiut të depërtojë në brendësi, duke ia shpejtuar ritmin e rrënimit. Një qytet kërkon të ketë historinë e tij, sado modeste të jetë ajo. Ato shtëpi tregojnë më së miri një kulturë qytetare të shumë viteve më parë.

    Të gjithë janë çmendur pas pallateve, pas përqindjeve, pas lejeve, mbledhjeve të KRT-së etj. Askujt nuk i shkon në mendje se duhet të ruajmë disa shtëpi të vjetra, t`i restaurojmë, dhe të paguajmë pronarët e këtyre për t`i mbajtur këto shtëpi. Të paktën një nga këto shtëpi në javë zhduket nga faqja e dheut dhe asgjë nuk e kthen më. Ndërtesat e larta prej betoni shumë shpejt kthehen në gjëra pa shije, pa estetikë, duke u kthyer në objekte demode si ato pallatet në periferitë e qyteteve perëndimore, ku jetojnë të papunët, endacakët e të pastrehët.

    Radha i bie të kalosh në bulevard. Përveç bukurisë së disa ndërtesave, dyqaneve apo disa lokaleve moderne, makinave luksoze, njerëzve të veshur bukur, nuk mund t`i shmangesh punimeve të bezdisshme nëpër rrugë, që nuk dihet se kur kanë filluar dhe se kur mund të mbarojnë, pluhurit që krijohet, trafikut të makinave dhe lypsarëve çdo disa metra.

    Rinia e Tiranës preferon “Bllokun” për shkak të lokaleve të shumta e të bukura, gjallërisë që krijohet dhe si një vend i përshtatshëm takimi. Sigurisht që edhe këtu, si vendi më i mirë i kryeqytetit, nuk mund të lësh pa vënë re disa gjëra. Karriget dhe tavolinat nëpër trotuare dhe njerëzit që ecin në rrugën për automjetet, i sheh ngado. Fëmijë me paketa nëpër duar që shkojnë nga një tavolinë në tjetrën për të shitur karta telefonike, paketa duhani, fara luledielli, apo ndonjë gjë tjetër. Muzika me volum të lartë nuk pushon gjatë gjithë netëve të verës, duke lënë pa gjumë edhe banorët e kësaj zone që nga fati kanë shtëpitë atje, dhe nga halli do të duhet edhe të mos flenë apo të shoqërojnë të afërmin e vdekur me muzikë gjithfarëllojesh.

    Por Tirana nuk është vetëm kaq. Me ardhjen e zgjedhjeve të reja lokale, qytetarëve të Tiranës u vjen një shans i ri. Me zgjedhjen e tyre të urtë dhe të zgjuar do t’i japin mandatin një personi, i cili do të mund t`i japë zgjidhje problemve të shumta.

    Gazeta Tema
    30-09-2006

  3. #3
    2010 Triplete Maska e oliinter
    Anëtarësuar
    14-11-2004
    Postime
    2,806
    o qazimo sa te pagun berisha qe te besh zedhenesin e internetit???

    berisha ne pushtet hajde mendje hajde


    vetem ne shqiperi mund te ndodhin keto gjera....
    vari leshte

  4. #4
    ► ☆☆☆ ◄
    Anëtarësuar
    26-10-2005
    Vendndodhja
    Mëmëdhe
    Postime
    4,834
    Edvini akoma nuk ka prere Thonjte,ju thoni plehra majtas e djathtas.

  5. #5

    15 për qind e ajrit që thithin çdo ditë banorët e Tiranës është i ndotur me grimca pl

    OBSH: “Ndotja e ajrit në Shqipëri i tejkalon normat dhe rrit vdekshmërinë”


    Ministri i Shëndetësisë, Makism Cikuli, gjatë fjalës së tij u shpreh se ndotja e ajrit shkurton jetën e qytetarëve nga 1.5 deri në dy vjet. Nga studimet ka rezultuar se rreth rreth 15 për qind e ajrit që thithin çdo ditë banorët e Tiranës është i ndotur me grimca pluhuri.

    Jeta e çdo qytetari rrezikon të shkurtohet një vit e gjysmë deri në dy, për shkak të tejndotjes së ajrit. Ky është rezultati i nxjerrë nga OBSH-ja, pas eksperiencave dhe studimeve të kryera, i cili jep alarmin se, “një ndër vendet e prekura është edhe Shqipëria”. Të paktën 15 për qind e ajrit që ne thithim përditë është i ndotur dhe nuk përjashtohet fakti që shumë infeksione në rrugët e frymëmarrjes janë si rezultat i impaktit me ajrin. Ministri i Shëndetësisë Cikuli theksoi se,“nëse vlerësimet e bëra në pjesë të tjera të Evropës do të ekstrapolohen në Tiranë, humbja e pritshme e jetëgjatësisë së popullatës së Tiranës, për shkak të ndotjes së ajrit do të kapërcente 1.5-2 vite jetë, që do të thotë se shkaktarët e gjithë kësaj ndotjeje u kanë borxh qytetarëve 1 vit e gjysmë apo dy vite jetë”. Ndotja e ajrit shkaktohet nga rritja e shkarkimeve të lëndës së grimcuar dhe të gazeve në mjediset e banuara që vijnë si shkak i rritjes së numrit të makinave, por edhe boom-i i ndërtimeve urbane është faktor kryesor. “Shpeshherë, boom-et e ndërtesave, zëvendësojnë gjelbërimin e për pasojë rrisin sasinë e pluhurit në ajër”,- tha Cikuli. Sipas tij, këta janë disa nga faktorët që kanë ndikuar në ndotjen e atmosferës, por edhe shtimi i dendësisë së popullsisë urbane në qytete e ka rritur mjaftueshëm numrin e personave të ekspozuar përfshirë gratë shtatzëna, fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët me sëmundje c/v, pulmonare. Vlerësimet e bëra nga OBSH-ja, e nxjerrin Tiranën si një ndër qytetet më të ndotura në vendin tonë. Ndotja e ajrit monitorohet në shtatë qytete të vendit dhe vetëm në Tiranë funksionojnë shtatë stacione që mbikqyrin nivelin e ndotjes së ajrit në 16 ditë në vit. Ministri i Shëndetësisë, për këtë problem theksoi se duhen gjetur mënyra për luftimin dhe parandalimin e ndotjes së ajrit. Për këtë, dikasteret përgjegjëse do të merren me rishikimin e legjislacionit të ajrit me tendencë zvogëlimin e faktorëve ndotës, por si shembull do të merren edhe vendet në zhvillim për të reduktuar ndotjen e atmosferës. “E rëndësishme ështe qe ne të pranojmë realitetin, ta vlerësojmë atë në mënyrë kritike, por mbi të gjitha të programojmë dhe realizojmë veprimet e duhura”,- përfundoi Cikuli.

    Alketa Alia

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Data: 29/09/2006, ora

    Përse duhet të druhet nga hetimi Edi Rama?



    Një tjetër aspekt që gozhdon Edi Ramën janë abuzimet skandaloze me lejet e ndërtimit. Mediat jovasale të tij kanë dokumentuar herë pas here fytyra nxënësish të trembur para klasës me tavan të rrënuar, familjarë të irrituar që një firmë ndërtimi aty përbri u ka dëmtuar shtëpitë, apo dhjetëra raste të tjera tjetërsimesh objekti, të dokumentuara e zbardhura gjatë mbledhjeve të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit, në të cilat Edi Rama nuk ka kontribuar aspak, gjithë harkun kohor të një viti, veçse duke kryer veprimin foshnjarak të fikjes së dritave të sallës, për të penguar vijimin e mbledhjes



    Komisioni hetimor parlamentar i mars-prill 2003 për hetimin e aferave korruptive të Edi Ramës në cilësinë, jo vetëm të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, por edhe ministrit të Kulturës në vitet 1998-2000, ka lënë një shije jo pak të keqe për kryesocialistin, aq sa në konferencat e fundit për shtyp, pas shpalljes së lajmit se një komision tjetër po gatitej të vihej një punë për të kryer transparencën e munguar dhe kamufluar nga lidhjet e shkurtra e kriminale të sistemit të drejtësisë me politikën dhe anasjelltas, herë në mënyrë të vetëdijshme e herë jo, e ka përmendur disa herë si shembullin e qartë të “përbaltjes së një njeriu të ndershëm”. E megjithatë, pavarësisht rilevimit të të vërtetave tronditëse të abuzimit me miliona dollarë fonde të mbledhur prej taksapaguesve kryeqytetas, komisioni nuk arriti të kurorëzonte misionin e tij, pasi shkarkimi i propozuar prej pjesës së opozitës që kishte drejtimin, po jo mazhorancën, nuk u pranua nga shumica e atëhershme, e cila e paraqiste anekënd Shqipërisë, por edhe tek homologët e huaj Edi Ramën, si shembullin e menaxherit të suksesshëm. Sot, që një komision i tillë ngrihet në kushte krejt të ndryshme, Edi Rama po lëviz të gjithë gurët për të shkaktuar sa më shumë mjegull mbi këtë nismë të miratuar nga demokratë e socialistë, vetëm e vetëm se këtë herë, përpos largimit të sigurtë nga kreu i Bashkisë së Tiranës në procesin zgjedhor që ai, me të gjitha mundësitë po mundohet të shtyjë sa të jetë e mundur, gjithnjë duke shpresuar se rivali i tij Fatos Nano apo dikush tjetër në selinë rozë, do të shkelë në dërrasë të kalbur dhe do të ndërhyjë para kohe për t’i rimarrë gjithçka, në rolin e një “djali plangprishës”. Për të verifikuar vendosmërinë e mazhorancës, për të vërtetuar dhe njëkohësisht, përgënjeshtruar zërat se komisioni hetimor i vitit 2003 ishte një farsë në prag të zgjedhjeve lokale, vetëm pak javë më parë, deputetët e Partisë Demokratike, të zgjedhur në Tiranë, mbështetën publikisht kërkesën e grupit të këshilltarëve të PD-së në këshillin e Bashkisë së Tiranës, për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar prokurimet dhe shpronësimet publike të kryera nga Rama, gjatë kohës që ai ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës. Tanimë që nisma e re e mazhorancës është sintetizuar tek ky komision, iniciativa e mësipërme, sigurisht që nuk ka pse të merret. Kreun e Bashkisë së Tiranës, këtë herë nuk e ndihmon asnjë nga veprat publike të ndërtuara shkel e shko, apo duke i prishur më shumë punë ujësjellësit e lënë dhjetëra banorë pa ujë të pijshëm, të cilat përditë e më shumë kanë marrë formën që kanë patur dikur, gropa-gropa dhe aty-këtu, me plasaritje të gjera të asfaltit, një dukuri kjo që vërehet, nga bulevardi “Bajram Curri”, “Rruga e Kavajës”, zona këto që janë përdorur boll gjatë 2 fushatave elektorale, në dhjetëra spote të përsëritura televizive. Një tjetër aspekt që gozhdon Edi Ramën, janë abuzimet skandaloze me lejet e ndërtimit. Mediat jovasale të tij kanë dokumentuar herë pas here fytyra nxënësish të trembur para një klase 9-vjeçare me tavan të rrënuar, familjarë të irrituar që, një firmë ndërtimi aty përbri u ka dëmtuar shtëpitë, apo dhjetëra raste të tjera tjetërsimesh objekti, të dokumentuara e zbardhura gjatë mbledhjeve të Këshillit Kombetar të Rregullimit të Territorit, në të cilat Edi Rama nuk ka kontribuar aspak, gjithë harkun kohor të një viti, veçse duke kryer veprimin foshnjarak të fikjes së dritave të sallës, për të penguar vijimin e mbledhjes. E pra, ky komision, pavarësisht anatemimit paraprak, pritet të bëjë transparencën para opinionit publik, për të dëshmuar se sulmet ndaj Edi Ramës nuk janë sulme të verbra disavjeçare të një grupi kundërshtarësh politikë apo njerëzish ziliqarë “për dikë që punon shumë dhe pak merret me politikën apo sherrnajën e ditës” (një imazh ky i krijuar deri një vit më parë, kur Rama luante me shkathtësi mes klaneve të Fatos Nanos e mbështetësve të Ilir Metës e i rrënuar totalisht, edhe nga disa prej ithtarëve të tij më fanatikë), por inspiruar nga fakte të pakundërshtueshme që, veç njerëzve të thjeshtë e deri dje të pambrojtur nga shteti i tyre, denoncohen edhe nga ndërtues të njohur që aktualisht, i kanë shprehur suportin e tyre Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, për të çliruar këtë sektor me rëndësi nga monopolet e mbajtura me dhunë dhe vrasës me pagesë.

    Re. Po.
    55

  7. #7

    Mato: “Nga ndotja në Tiranë, vdesin çdo vit më shumë se 300 persona”

    Kryetari i grupimit të shoqatave ambientaliste, Xhemal Mato, e krahason ndotjen e Tiranës me qytetin e Elbasanit



    Mato: “Nga ndotja në Tiranë, vdesin çdo vit më shumë se 300 persona”





    Kryetari i grupimit të shoqatave ambientaliste, Xhemal Mato, në një intervistë për gazetën “Tema” shprehet se, ndotja e ambientit në Tiranë është katastrofike. Mato e krahason ndotjen e Tiranës, me atë të qytetit të Elbasanit, i cili njihet edhe si qyteti më i ndotur në Shqipëri dhe që ka një vdekshmëri të lartë si pasojë e kësaj. Sipas Matos, një situatë e tillë ka ardhur për shkak të moszbatimit të politikave mjedisore, ngushtimit të hapësirave të gjelbërta, betonimit të Tiranës, moszbatimit të sanksioneve mbrojtëse për firmat e ndërtimit, pluhuri i rrugëve etj. Mato shprehet se nuk ka statistika të sakta për këtë problem, por duke u nisur nga niveli i ndotjes mendohet se çdo vit në Tiranë vdesin më shumë se 300 persona, nga kanceri në mushkëri dhe sëmundje të tjera kardiovaskulare.





    Në një workshop të organizuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë doli problemi i ndotjes së ajrit, ku Tirana u cilësua si një nga kryeqytetet më të ndotura në botë. Sipas të dhënave, ajri në Tiranë shkurton 1 deri në 2 vite jetë, krahasuar edhe me vendet e tjera të botës. Sipas të dhënave që ju dispononi, sa është niveli i ndotjes në Tiranë dhe cilat janë shkaqet e kësaj ndotjeje?



    Shifrat e publikuara një ditë më parë nuk janë të reja, por i ri është fakti që ato shifra vijnë gjithnjë e në rritje, pra situata vazhdon të thellohet për keq. Masat e pluhurave vazhdojnë të rriten dhe në qoftë se vjet kanë qenë 4, 5 apo deri në 6 herë mbi normën e lejuar, këtë vit mund të jenë të njëjta dhe ndoshta me keq. Ka rreth 3 vjet që ISHP-ja dhe Instituti i Mjedisit i kanë bërë këto studime dhe i kanë publikuar, por problemi është se situata nuk është shumë optimiste, sepse nuk është bërë asgjë për të marrë masat e për ta reduktuar ndotjen. Shpesh ka edhe propaganda të ndryshme dhe më shumë politike që thonë se po e ulim ndotjen. Problemi i ajrit është shumë kompleks. Ai është i të gjithëve dhe askush nuk e ka përgjegjësinë që po hedh një ndotje në ajër, dikush djeg një gomë dhe në këtë rast ndot ajrin që është i të gjithëve. Ajri nuk privatizohet dot, në mënyrë që të ketë një pronar që ta ruajë ose të ketë polici që ta ruajë atë. Pra, ajri është pronë e të gjithë shoqërisë dhe njëkohësisht edhe e shtetit. Shteti bën politikat që ta ruajë dhe shoqëria duhet të jetë e ndërgjegjësuar që mos ta ndotë atë. Nëse unë përdor një makinë me naftë, e cila është një makinë e vjetër që nxjerr tym sa herë që ndizet, atëherë unë jam shkaku i parë i dëmit në ajër dhe njëkohësisht i pasojave që ka më pas. Nëse politika e shtetit nuk vendos disa rregulla apo ligje që të kufizojë këto lloj makinash, të kufizojë makinat e naftës dhe të japë makina me benzinë, të bëjë korsitë e biçikletave, sepse kur u bë plani i Tiranës, u premtua dhe nuk u realizua, ndotja do të vazhdojë të rritet. Në qoftë se nuk shohim të shtohen lulishtet, që janë fabrika e oksigjenit, pra e kthejnë gazin karbonik në oksigjen, ndotja do të vazhdojë të rritet. Nëse duam një fabrikë në një qytet, duhet të hapim një lulishte për të pastruar ajrin, ndërkohë që lulishtet po reduktohen. Nuk shohim të ngrihen lulishte, me përjashtim të gropës mbrapa Pallatit të Kulturës, e cila ishte thjesht një pikë uji në oqeanin e betontë të Tiranës. Po, duhet pranuar që u shtua një gjë, por është shumë pak, ndërkohë që lulishtet e tjera që kishim u mbuluan dhe ne e dimë shumë mirë sesa lulishte janë mbuluar. Atëherë, lulishtet nuk po shtohen, biçikletat nuk po stimulohen dhe ka ndodhur një tjetër çudi e madhe që duke mos i studiuar në mënyrë shumë komplekse problemet, padashje duhet thënë që shtrimi i rrugëve e ndoti më shumë ajrin, sepse rrugët u zgjeruan, zunë më shumë sipërfaqe dhe shpesh sipërfaqet e gjelbërta. Me shtrimin dhe zgjerimin e rrugëve u stimuluan më shumë makinat dhe si pasojë ato u shtuan, biçikletat u reduktuan, sepse kanë frikë tashmë të ecin në këto rrugë, ku makinat kalojnë me shpejtësi, por edhe këmbësorët kanë frikë të ecin në këtë rrugë, kurse trotuarët janë më të ngushtë sesa kanë qenë. Të reduktosh biçikletën, do të thotë që të reduktosh një makinë, pra me një biçikletë krahasohet një makinë, gjithmonë në kuptimin e ndotjes dhe heq plotësisht ndotjen e një makine, por me këtë heq edhe vendin që parkohet një makinë, sepse një biçikletë zë 1/20 e një makine. Ndërkohë, duke u shtuar vetëm makinat rritet edhe ndotja e ajrit që shkaktojnë këto makina. Pra, problemet janë shumë komplekse dhe një zgjidhje që mendohet të jetë pozitive, po nuk u pa në kompleksitet, mund të ketë edhe pasoja negative dhe në këtë mes, përpara çdo projekti të madh, siç ishin rrugët apo zhvillimi i Tiranës me ndërtimet, duhej patjetër të diskutoheshin në grup, ku të ishin edhe specialistët e mjedisit, specialistët e urbanistikës dhe të tjerë.



    Kur themi se Tirana është një nga kryeqytetet më të ndotura të botës, atëherë çfarë mund të themi për kryeqytetet e tjera të botës, ku ka akoma më shumë banorë dhe më shumë makina sesa këtu? Pse është kjo gjendje? E kujt është përgjegjësia për këtë?



    Së pari, nuk është vetëm faji i makinave. Natyrisht makina ndot, por makina është një metal në dorën e njeriut dhe çdo gjë mund të sjellë rrezik apo ndotje, nëse nuk trajtohet në mënyrën e duhur. Pra kimikatet janë helmuese dhe i pasigurt, siguria vjen vetëm nga masat tona. Ndërkohë që për ajrin muk ka masa sigurie dhe ato po na ndotin e sëmurin dhe nuk e dimë akoma sesa të sëmurë apo të vdekur ka Tirana në vit, por nga një raport i PNUD-it për Elbasanin, dilnin 300 të vdekur në vit, vetëm nga ndotja e ajrit. Nga ky konkluzion dhe nga popullsia që ka Tirana, mund të themi se ka më shumë të vdekur në vit se Elbasani. Në të tilla raste, ne duhet të bërtasim që kush është ai që i vret këta njerëz. Njerëzit që ndotin ajrin duhet të gjobiten, sepse është i vetmi mjet edukimi, pra unë po pata frikë, nuk e bëj më atë veprim. Problemi më i madh në Tiranë është djegia e plehrave. Djegia e plehrave në Sharrë dhe në Tiranë nxjerr një helm që quhet dioksinë, vret me mijëra njerëz, pra është 100% i sigurtë që shkakton kancer dhe menjëherë të shkakton vdekje. Këtë fakt e dinë të gjithë ata që kanë përgjegjësi për këtë, por askush nuk flet dhe kjo është një papërgjegjësi e madhe. Pse nuk vihen ligje apo nënligje që të dalë policia bashkiake apo policia mjedisore, sepse për mendimin tim duhen shtuar shumë në këto raste, sepse kemi të bëjmë me jetën dhe nuk është thjesht një rregull qarkullimi.



    Për të gjitha këto që folëm ka një institucion përkatës që i mbulon dhe në rastin konkret, Bashkia e Tiranës. Ju e keni ngritur ndonjëherë si problem?



    Problemet mjedisore janë shumë të shpërndara. Ato fillojnë nga bashkia dhe mbarojnë tek qytetari. Nëse bashkia nuk ka një ligj për këtë, nuk mund ta ndalojë qytetarin për të ndotur ambientin. Unë them se është një politikë e tërë që nuk funksionon, që nga ministria, tek zbatimi që bën bashkia, tek bashkëpunimi me policinë dhe deri tek qytetari.



    Bashkia e Tiranës mbledh taksa për gjelbërimin, ndërkohë nëse ti e cënon atë, nuk gjobitesh. Pra, si ka mundësi që ky ligj nuk ndiqet nga kjo e fundit?



    Janë politikat vendore jo të mira, sepse nëse unë shkoj në Dajt duhet të paguaj një taksë, e cila shkon në buxhetin e qeverisë që më vonë të investohet dhe të mirëmbahet ai vend. Këtu në Tiranë ndodh e kundërta, sepse ndërkohë që unë paguaj taksën e gjelbërimit, hapësirat e gjelbra reduktohen dhe nuk e di se ku shkojnë këto lekë. Ky është problemi se politikat mjedisore nuk merren prioritare nga pushteti vendor, sepse edhe lekët që i marrin nga mjedisi i investojnë në fusha të tjera. Realisht, unë si qytetar nuk e shoh të reflektuar këtë lloj leku, sado pak i reflektuar të jetë dhe ky është një fakt, por këtu kam me mijëra të dhëna të tjera që tregojnë këtë fakt. Qoftë ministria dhe sidomos bashkia nuk e kanë prioritet mjedisin dhe në këtë mes mjedisi është një kancer.

    Gazeta Tema

  8. #8
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    01-08-2002
    Vendndodhja
    N.Y.
    Postime
    660
    Ej po edi e ka bo i gjo per tironen o lal.......

Tema të Ngjashme

  1. Figura Te Shquara Shqiptare
    Nga The Dardha në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 127
    Postimi i Fundit: 09-06-2017, 12:48
  2. Si ju duket Qendra e Tiranes?
    Nga Enri në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 25-11-2011, 09:25
  3. Arkitekt Petraq Kolevica
    Nga Dita në forumin Arti shqiptar
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 02-12-2008, 08:07
  4. Tirana metropoli yne
    Nga Dito në forumin Tema shoqërore
    Përgjigje: 17
    Postimi i Fundit: 18-01-2005, 08:02

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •