“Gaz” i Bujar Alimanit, sfidon në festivalin grek
Shekulli
Festivali i Dramës
Filmi “Gaz” i regjisorit Bujar Alimani fiton tre çmime në Festivalin Kombëtar të Filmit me metrazh të shkurtër në Drama të Greqisë. Janë çmimet për Regjinë më të Mirë të Festivalit dhënë nga Qendra Kinematografike Greke, Çmimi i Filmit më të mirë dhënë nga shoqata e kritikëve të filmit të shtypit grek dhe Çmim Special i Jurisë. Për herë të parë ndodhi më 23 shtator që një regjisor shqiptar, prej 14 vjetësh jeton në Greqi, fiton tre çmime të rëndësishme duke marrë vlerësimin e publikut dhe kritikës njëherësh në një festival të huaj 29-vjeçar e për më tepër nacional ku konkurrojnë prodhimet vendase. “Gaz” është prodhim i Radio-Televizionit Grek, dhe nuk ka të bëjë aspak me Shqipërinë apo me një temë shqiptare. Nuk është i rastit ky sukses i Alimanit në vendin ku ka emigruar. Katër vite të shkuara ai është pritur shumë mirë dhe vlerësuar me çmime në Greqi me filmin tjetër “Katoi” ku trajton një temë sociale, atë të fateve të pashmagshme në rrjetën e të cilave bien fqinjët shqiptarë e grekë.
Regjisori Bujar Alimani prej pak javësh mbylli xhirimet në Shkodër për filmin “Busulla”, një tjetër metrazh i shkurtër. Do të jetë një prodhim përgjysmë shqiptar. Tema është ajo e daljes nga ngushticat sociale, një prej tyre është gjakmarrja, ku një vajzë e re gjen forcë për të vënë në punë ekuilibrat e amortizuar në një provincë shqiptare. “Busulla” do të shfaqet premierë në Shqipëri pranverën e vitin që vjen.
Krijoni Kontakt