Qeveria e Kosovës dërgon ndihma pas tërmetit në Himarë

Mbërrijnë 15 kamionë të mbushur me pajisje ndërtimi


HIMARE - Qeveria e Kosovës i paraprin palës shqiptare me ndihma për familjet e mbetura pa shtëpi nga tërmetet e gushtit, në zonën e Himarës.
Plot 15 kamionë, të mbushur me pajisje ndërtimi kanë mbërritur dje në jug të vendit, me qëllim shpërndarjen e tyre në fshatrat që kanë më nevojë. Sipas përfaqësuesve të prefekturës dhe Bashkisë së Himarës, një delegacion që kryesohej nga këshilltari i kryeministrit kosovar Jahja Lluka ka shoqëruar ndihmat. Më pas, shtabi i ngritur nga pushteti vendor ka bërë shpërndarjen e tyre në zona e prekura më shumë nga lëkundjet e forta të tërmetit.
Prefekti i Qarkut të Vlorës, Kreshnik Alimerko deklaroi se kjo ndihmë u vlerësua nga komuniteti i prekur prej tërmetit, por dhe nga drejtuesit e pushtetit vendor. Me ardhjen e stinë së vjeshtës dhe shtimit të reshjeve, për banorët e fshatrave Pilur, Kudhës dhe Vuno ka qenë tepër e nevojshme mbërritja e ndihmave materiale. Me anë të tyre mund të riparohen shtëpitë e dëmtuara pjesërisht, për të shmangur pasojat nga reshjet apo temperaturat në ulje. Numri i shtëpive që kanë nevojë për riparime rezulton që është rreth 100. Ndërkohë, vazhdojnë të jetojnë në çadrat e ushtrisë 5 familje, banesat e të cilave u rrëzuan totalisht gjatë lëkundjeve të forta të tërmetit.
Sipas të dhënave nga pushteti vendor i është dërguar qeverisë lista e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia natyrore, të cilat arrinin një shumë prej rreth 7.5 milionë lekësh. Me urgjencë kërkohet zgjidhja për familjet e mbetura pa strehë, pasi ato kanë mbi 1 muaj e gjysmë që strehohen në çadra.
Qyteti i Himarës dhe më shumë fshatrat rreth tij u tronditën nga një seri tërmetesh gjatë muajit gusht të këtij vitit. Disa prej tyre, që ranë më 6 dhe 8 gusht patën një intensitet deri në 5.5-6 ballë, duke shkaktuar dhe dëmet e mëdha materiale.

Gazeta Panorama
19-09-2006