vazhdimi...
Ecja mbi borë e mbi akull….
Të nesërmen,porsa zbardhi drita,filluam të ecnim në një farë drejtimi duke patur si udhëheqës tri katundarët nga katundi i Valbonës,por bora e madhe dhe akulli na pengonin dhe nuk na linin të ecnim si duhej.Aty nga orët e vona të pasdites, pasi nuk na nxori askund drejtimi që kishim marrë,u kthyem dhe zumë vend në stanet e bjeshkës së Bujanës,afërsisht 3-4 orë mbi stanet e Geg Hysenit,konaku i parë i yni dhe aty kaluam natën.Kjo ishte nata e tretë që nuk kishim futur bukë në gojë e as gjum në sy.Ditën e katërt vazhdojmë rrugën e ashpër duke çarë dëborën me këmbë dhe akullin me kazma e lopata që kishim marrë me vete në Markaj për të luftuar me furinë e natyrës.Veriu i fortë i janarit,duke krijuar grumbuj,mbetje e pengesa prej dëborës,e bënte udhëtimin tonë aq dëshpërimisht të vështirë e të ngadalshëm saqë na detyroi të linim mbi dëborën e ngrime edhe kuajt e ngarkuar me veshje e çfarë kishim gjëra të vlefshme.E kujt i binte ndërmend për plaçka e sende materiale?! Kishte arritur çasti të mendoje vetëm për shpirtin!
AKTI I TMERRSHEM I TRAGJEDISE
Tashmë kishte filluar akti më i tmerrshëm i tragjedisë sonë,sepse shumica e shokëve, duke parë udhëtimin e ndjekur pa një drejtim të caktuar dhe pa shpresë, arriti një çast që kishin filluar të demoralizoheshin si mos më keq dhe pak pa u errur, sapo mbërritëm në një vend të quajtur maja e Maraçit,
dëshpërimi arriti kulmin.Kishte qysh prej mesditës e mbrapa që plakun idealist po e mbanim përkrahësh ndër të përpjeta e të tatëpjeta.Trupi i tij vigan sa një lis mali,i rënduar prej viteve e vuajtjeve,kishte nisur të jepte shenjat e lodhjes.Pëshpërisnim midis shokëve: “Ku po vemi?Kemi hyrë në shteg pa shteg… do të mbarojmë mbi borë!Etje.”Filluan tronditjet thellësisht shpirtit të secilit udhëtar! Ishin çaste paniku e trishtimi që provojnë edhe njerëzit më të nxitur nga durimi dhe guximi…Ishte muzgu i mbrëmjes,kur Prijësi i madh,ulur përbri një shkëmbi,na u drejtua të gjithëve me këto fjalë:-“Djelmosha trima!Deri këtu erdhëm me gajret dhe me besim se po gjejmë një rrugë, një shteg daljeje për me kalue në Dragobi prej andej në Valbonë, ku do të gjenim strehë sa me kapërcye dimnin e me arritjen e pranverës mandej do të përgatiteshim për çlirimin e Shqipnisë nga zgjedhja e Tiranit.Por… vaj medet!Nuk paska qenë e thanë që unë ta vazhdoj rrugën këtë herë bashkë me ju deri në fund dhe t’ia arrijmë qëllimit sëbashku.Por,ju që jeni të rinj e të fortë prej këmbësh-vazhdoi Plaku Za madh-mos e humbni kurajën dhe uzdajën në të ardhmen e Shqipnisë që asht krijue me shumë sakrifica t’gjakut për t’a gëzue shqipëtarët e kombit,as të huejt,jo, kurrë për këtë jetë….Mue më lini në këtë vend-vijoi Trimi me një zë që nuk shfaqte aspak shenjë ligështie e dëshpërimi-se nuk po mundem me ba asnji kambë ma tej,as me shkue përpara,as me u kthye pas…Ndoshta këtu paska ken e shkrue me vdekë për mbi borë dhe ju si të rinj e trima që jeni,me armë në dorë,do të mundeni me kthye e me kalue prapë nëpër Krasniqe dhe në fillim të Pranverës me ba atë qe prêt atdheu prej shqipëtarëve. Ma bani hallall djelmosha e ….lamtumirë!…Kini besim në veten tuej e në fatin e Shqipnisë s’dashtun!-përfundoi Bajram Curri.
Ndërsa Heroi i Maleve tona po shqiptonte këto fjalë që i dilnin plot forcë nga thellësia e shpirtit të tij të madh,të gjithë ne të tjerët ia nisëm vajit me ngashërim e zumë të përshëndetemi me njëri –tjetrin…Skena ishte tepër tragjike…Të lodhur për ujë e gjum,reshkur prej të ftohti e prej veriut të malit që të merrte shpirtin,ishte e pamundur të vijje rrugën.Por nuk ishte edhe punë që bëhej duke u ndarë prej Atij që ishte e vetmja shtyllë mbi të cilin mbështetej uzdaja e kombit për rifitimin e lirisë së munguar.Ah!A mundet të mendohet një çast më i tmerrshëm për një bir shqiptari? Njeriu i mjerë veç një shpirt ka me dhënë!…Më kot u mundua I mjeri Bajram Curri që të na bindte me e lanë vetëm në atë majë të malit…më kot…por se kjo do të kishte qënë turpi më i madh që do ti mbetej fisit të shqiptarit. Të frymëzuar nga kjo ndjenjë dashurie e sacrifice,nëntë vetë prej nesh vendosëm të ndanim me plakun,fatin e tij tragjik,qoftë edhe duke vdekur mbi borë e akull: 1)Hysen Breça 2)Ismajl Ahmeti 3)Rexhep Brahimi nga Valbona 4)Kup Hazifi 5)Nuredin Sulçja nga Gjakova 6)Shevket Draga nga Mitrovica 7)Hysen Bajrami nga Vokshi 8) Met Vejseli nga Krasniqi dhe 9) Tahir Zajmi Fill pasi u ndamë prej shokëve që u vunë për rrugë që të kthehen edhe ne të dhjetë,me Plakun në krye,filluam të ecim….jo gjithaq se shpresonim me mbërritë ku dëshironim,por sepse të qëndronim mbi borë,të rrahur prej erës së stuhishme që po bënte grumbujt si orteku kur lëshohet prej malit. Ishte një punë e padurueshme për ne.E Plaku,ndonëse i lodhur në trup dhe kishte nevojë për ndihmën tonë,nuk jepte asnjë shenjë demoralizimi dhe vazhdonte gjithnjë të na nxiste për të vazhduar ecjen.Fenomenet e natyrës sikur donin të mateshin në egërsi e të konkuronin njëra me tjetrën : bora e madhe,akulli, era e malit dhe errësira e natës së dimrit…të gjitha këto ishin pengime të pakapërcyeshme në drejtim të cakut që ne ndiqnim.Asnjë pyll.asnjë trup lisi nuk dukej në atë vend të zhveshur që të mundeshim me u strukë e me e ndez një zjarrm.
A dini të na tregoni or Rexhep! Në ç’vend jemi?- pyet Bajram Bregu.-Në majë të Hekurave,tungjatjeta…-përgjigjet Rexhep Brahimi.E maja e Hekurave, e mbuluar me borë të amsueshme nuk ishte për të thënë pak vendi i përshtatshëm për të strehuar njerëzit në stinën më të ashpër të motmotit!…
Nxitjet e plakut
E vazhdojmë rrugën, sikurse shënova edhe më sipër, jo se ishim duke ndjekur një drejtim të njohur dhe të saktë e as se kishim shpresa për të mbërritur në cak,por sepse nuk mundeshim të qëndronim në vend.E pra,prej të ftohtit,prej të dridhurave,na ishte e domosdoshme me ecë, me lëvizë e shpirtërisht mandej kishim nevojë disi të gënjenim vetëveten,si të them,të shkundnim dëshpërimin.Uria,të ftohtit, terri i natës,mjegulla,pamundësia të ndiznim një zjarr për t’u ngrohur e të koteshim pak ,pas kaq ditësh e netësh mbetur pa gjum, e bënte për herë e më tepër të pangjashme qëndresën tonë dhe besimin për t’u gjallëruar më në këtë jetë,ishte një punë thuajse krejt e kotë. Tani, shokët,përgjithësisht kishin zënë të moliseshin krejt dhe disa prej tyre, si për çudi,i zinte gjumi e shtriheshin mbi borë për të fjetur.-Mos i lini bre djelm!:-na briti Plaku.-Tek janë mërdhi të shkretët,mos i lini pra ,të ndehen përmbi borë! Njimend,sikur,mos të ishte ndërhyrja e disave që ende zotëronin një farë force në trup,ata do të vdisnin aty për aty, të mërdhimë mbi borë.
Bajram Beu,nuk nguronte të na jepte zemërani gajret djelmosha-na thoshte se tash shpejtë po gjejmë ndonji pyll e po ndezim nji zjarrm për tu ngrohun.Por kot… rranxat e majës së Hekurave,krejt të zhveshura prej druri,sidomos në këtë stinë,nuk paraqitin kushte të jtesës as për bishat e egra…
Një amanet orës së Shqipnisë
Dias hapa pas nesh ka ngelur një shok, i cili nuk mund të bëjë më asnjë lëvizje më tej: trupi i dridhet si thupra dhe dhëmbët i kërcasin në një mënyrë të tmershme, sikur të ishte duke përtypur copa gastaresh.I shkreti shoku ynë! Ishte shtrirë me vdekjen përmbi borë.
Gajret bre Hysen!:- I thërret Plaku-por ai,Hysen Bajrami i Vokshit nuk mundet më me folë… një rrënqethje e fortë ia tronditi trupin dhe pas dy minutash të dridhurat e trupit i ndalin fare.Mjegulla dhe terri i natës nuk na lanë t’ia shohim fytyrën.I thërresim disa herë por më kot…ai nuk na përgjigjet më.Menjëherë ndezim një shkrepëse,por ç’të shohim?!…I shkreti Hysen Bajrami kishte mbyllur sytë për të mos i çelur më.Trupi i Hysenit tashmë ishte qetësuar i gjithi.Ai nuk ndjente më as uri për bukë,as nevojë zjarrm,as sende të tjera…Ai po flinte tashmë në gjumin e përjetshëm,i qetë dhe i kënaqur se kishte larë borxhin e natyrës në shërbim të atdheut të dashur.Trupin e këtij dëshmori që vjenë t’i shtohet vargut të gjatë të të rënëve në altarin e atdheut, po ia lëmë amanet Orës së Shqipërisë.:- thotë Prijësi i Madh- se neve të gjallëve na duhet me vazhdue rrugën…Por mirë e dinim se dhe ne të gjallëve po na kanosej vdekja e zezë!
Aty nga mesnata, u kapëm në një faqe të shpatit, ku me shumë vështirësi e ngjitëm Plakun e lodhur.Rrokullisja nga shkrepa,poshtë,por ishte e thënë që tragjedia jonë të mos mbaronte vetëm me kaq…Fati i zi na kishte rezervuar edhe të papritura të tjera: pas katër ditë e netë vuajtjesh të papërshkrueshme dhe luftërash të dëshpërueshme me furinë e pamëshirshme të natyrës rreth malit më të lartë që ka Shqipnia,tash na kishin mbërdhi edhe këmbët dhe çdo hap që bënim ishte sikur me shkelë mbi gjilpëra.Kishte mbërritur çasti që të lakmonim fatn e të mjerit Hysen Bajrami!
Midis të tjerëve,Rexhep Brahimi,Hysen Breça dhe unë,ishim ata që ndjenim disi veten më pak të lodhur e si të tillë,ne të parët çanim e shkelnim borën për t’u çelë udhën shokëve që vinin prapa.Ndërsa po ecnim kështu instiktivisht vetëm sa për të lëvizur trupin dhe rastësisht për të gjetur ndonjë shtegëdalje,në një farë vendi që ishte si rrafshinë e që na dukej se do shtrihej edhe më tutje.Papritmas Hysen Breça,unë e Ismaijl Ahmeti mbërrijmë pa e kuptuar në të rrafshtë dhe vazhduam ecjen e …rrëshkitëm e ramë poshtë,njëri pas tjetrit,që të tre,duke u përplasur nëpër cepa,të cilët po të mos kishin qenë të mbuluar trashë me borë,gjallë asnjë prej nesh nuk do të shpëtonte…Të thyeje qafën e të rrokulliseshe prej një lartësie afro 200 metrash e të mos bëheshe copë e grimë nëpër ata shkëmbinj, kjo nuk ishte gjë tjetër veçse një mrekulli e Zotit.Po si na i mori Zoti mendtë e kresë dhe nuk i thërritëm i pari të dytit se kishim mbërritur në skaj të rrafshit!…
Hysen Breça dhe unë nga rrokullisjet,morëm disa plagë jo fort të rënda,por Ismaijl Ahmeti,i shkreti,ishte dërrmuar aq fort saqë nuk mund të luante vendit.Qysh prej atij çasti,mbetëm edhe të çarmatosur sepse armët pasi u hodhën në ajër,u coptuan fare.
Bajram Bregu,i cili po vinte me shokët pak më mbrapa,e ndjeu britmën tonë dhe krismën e përplasjes nëpër ato cepa dhe menjëherë lëshoi një zë të fortë duke thirrurshpëtuat gjallë, ore?
Duke mbledhur veten që mos të kuptonin se ç’rrezik i zi na kishte gjetur,u përgjigjëm menjëherë e u treguam se sa i thyeshëm e i rrezikshëm ishte ai vend duke i këshilluar që derisa të zbardhte drita,për të mos pësuar fatin tonë,lipsej që të qëndronin në vend ose të ndiqnin një drejtim tjetër.Diku më vonë,duke mos duruar dot erën e ftohtë që frynte atje lart dhe duke kaluar nëpër një shteg tjetër,ranë poshtë e u bashkuan me ne edhe Nuredin Sulçja e Kup Hafizi.
Ndarja mos m’u pa më kurrë
Edhe Plaku i ngatë,vet’i katërti,duke mos mundur edhe ata të duronin erën e furishme në atë majë,filluan të ecin në një drejtim tjetër…E kështu, për ironi të fatit tragjik u ndamë prej shoku-shokut për të mos u bashkuar më kurrë njëri më tjëtrin!…
Tetë ditë më vonë,Salih Mani,Barajktari i Krasniqes me shokë, kishin dalë në kërkim të Prijësit të tyre dhe shkojnë e gjejnë Bajram Currin bashkë me Shevket Dragën e Met Vejselin,një luginë mbi Dragobi që çon në Curraj të Nikaj,të strukur nën një shkëmb të madh që i mbronte nga të dy anët,ndërsa në anën tjetër,priste forcën e erës një trine prej thuprash që vetë Trimi revolucionar e kishte thurur me duart e tij.Deri atëherë nuk kishin mundur të hynin brenda në katund,pasi një kompani mersenarësh, e komanduar prej Muj Hoxhës s’Gashit, kishte okupuar Dragobinë qysh para një jave dhe nga ky shkak kishin ngelë për shumë ditë pa bukë.
Prej këndej, shkojnë në një shpellë guri të quajtur Gryka e Matinës, mbi katundin e Valbonës,ku jetojnë thuajse dy muaj deri në ditën e zezë të 29 Marsit tragjik.
Merret me mend se çfarë do të thotë të kalosh dimrin në ato shpella të akullta,primitive e plot lagështirë që edhe në vapën e gushtit janë të pabanueshme.
Por stoicizmi i Plakut legjendar nuk ka cak e mbarim dhe ai i duronte të gjitha: mizerjen,sëmundjet,vuajtjet e ndryshme si edhe pak gjum pa shtroje… e të tjera dhembje që nuk mund të përshkruhen.Të gjitha këto i duronte Fatosi i Maleve,me shpresë se një ditë do të përdorte prapë armët e tij ngadhënjyese për të mirën e Shqipnisë që e donte aq me zemër dhe e adhuronte mbi çdo gjë tjetër.Por,edhe trimave që i kishte afër vetes, u duhej të ecnin një ditë ose dy ditë larg prej atij vendi,duke çarë dëborën,shteg e pa shteg,nëpër male e me shkue çak në Vuthaj të Gucisë për të kërkuar bukë,vetëm e vetëm që të mos dukeshin apo hetoheshin prej ndokujt a të ndjellë ujkun në vathë,si i thonë një fjale…Ishin ditë të vështira, ditë provash në të cilat shqiptari,tepër i dhënë e i hutuar pas pares dhe fitimeve materiale,kishte filluar të dobësohej nga morali dhe nga besa e burrnia.Nuk ishin pak 3.000 napolona ari për të prishur moralin e të korruptonte shpirtin e një njeriu që mund të pasurohet vetëm duke i treguar qeverisë vendin se ku jetonte Bajram Curri,i cili e dinte mirfilli dhe ai vetë,se kërkohej prej dy mbretëriverej agjentëve të shitur të qeverisë shqiptare dhe prej spiunëve të Jugosllavisë së Aleksandrit;ëndërrat e këqija që ai shikonte natë më natë,ndjekjet e forta nga ana e mercenarëve dhe pikat e zeza në shpatullën e dashit që kishte bërë e kulla e Bajraktarit,ia forconin gjithnjë dyshimin.
Djallëzia e Pashiqit
Ndërkohë, edhe Pashiqi plak,atje në breg të Savës,duke njohur mirë karakterin e paqëndrueshëm të mikut të tij,Ahmet Zogut,kërkonte që t’i krijonte atij një rival.Por si ta shtinte në dorë e ta bënte për vete armikun e tij të papajtueshëm, Bajram Curri?!
Mendon e shmendon dhe më në fund i shkruan një letër drejt për së drejti,Patriotit të madh të Shqipërisë,letër që përcillet me ndërmjetësinë e nënprefektit serb të Gjakovës,Mira Protiç dhe Qazim Curri,duke iu dërguar me anën e Jusuf Hamzës nga Krasniqa, bashkë me një çek e këtë porosi e premtim verbal:-“Bajram Currit i vihen në dispozicion dy million dinarë dhe i jepet liri banimi ku të dëshirojë ai vetë në një qytet të Jugosllavisë dhe disa privilegje të tjera, në qoftë se pranon një marrëveshje dhe pushon kundërshtimet kundër Jugosllavisë”!
Mbas shumë ditë përpjekjesh dhe kërkimesh,Jusuf Hamza mbërrin tek shpella dhe ja dorëzon plakut letrën bashkë me fjalët e mbajtura amanet prej nënprefektit të Gjakovës,por i shkreti malësor pati nje qortim shumë të rreptë prijësi i fisit të tij,i cili pezmatuar tepër prej atij kuvendi,ngrysur vetullash e rrudhur buzësh,ia pret shkurt:”Shko thuaju atyre faqezezve me i çue fjalë asaj dhelpnës plakë të shumadisë se Bajram Curri nuk është burrë ai që për të shpëtue nji shpirt,të korit vendin dhe të tradhtojë atdhenë”.
I dëlirtë mbi të dëlirtë
Me këtë përgjigje e me këtë porosi,u kthye sërish në Gjakovë.I mjeri Jusuf,uli kryet poshtë,i penduar e i idhnuar deri ne kulm kundra vetvetes dhe plot mllef kundër atyre që ia kishin vënë barrë për të paraqitur atë propozim pazarllëk të poshtër,kryetarit të madh të fisit…
E pra ky nuk kishte në xhep në atë kohë veçse një napolon ari që kishte ngelur sa për fara dhe ndodhej në kushte dhe rrethana aq të dëshpërueshme që vetem ai mundej ti duronte e askush tjetër.
Një ditë prej ditësh,aty nga mbarimi i marsit,kur ata ngelën pa ushqim,kishin dërguar dy djem ndër katunde të largëta për të kërkuar bukë.Kështu,marrin vesh se një kompani shëtitëse e komanduar prej Kadri Mehmetit kishte hyrë në grykë të Dragobisë dhe shpërndarë anësh për të gjurmuar të arratisurin e rrezikshëm të Republikës shqiptare
Per koicidencë të çuditshme- siç më tregonte mandej Salith Mani – edhe plaku vetë kishte parë atë natë një ëndërr të keqe dhe plot kujdes po mendonte a mos u ka ndodhur ndonjë rrezik Rexhep Abdullahut e Maxhun Nimanit që i donte sikur të ishin djemt e vet,djem të cilët kishin shkuar për të marrë bukë nëpër katunde e Vuthaj por ende nuk ishin kthyer.
Çohu bre Bajraktar – i thotë Salih Mani – e del e shiko njëhere a duket kund tue ardh Rexhep e Maxhuni…dhe Bajraktari merr dylbit e del nga shpella…
Por,ç’të shohi i mjeri Bajraktar!…atje poshtë në zalle të bardhë ku rrjedh argjend ujët e Valbonës,duken grupe njerëzish me rroba të zeza që ngjajnë si të jenë ushtarë dhe me vrap kthehet në shpellë për të dhënë shenjën e alarmit.
Bajraktari,duke e ditur mirë se Bajram Bregu nuk mund ti lëvizte këmbët, mendoi ta largonte nga shpella duke i dhënë me vete Shevket Dragen e Met Vejselin…Menjëher u dha urdhër djemve që të rroknin armët dhe të dilnin shpejt të zinin pritë në drejtim të grykës së Valbonës.
-Si qoft thanë ashtu u baftë!-fshani Kreshniku- e i lumi zot na daftë më faqe të bardhë.
Dëshironte edhe ai vet që mos të ndahej prej të rinjve të cilët kishin shtrënguar armët për tu ndeshur me mercenarët gjakësorë,por këmbët e mbërdhitura nuk i punonin dhe duke mos dashur të përbuzte dëshirën të ishte me shokë,të cilët insistonin të largohej prej andej,u nis luginës përpjet ndërsa Bajraktari me nipat e tij,Ademin dhe Abdiun etj,vrapuan të zinin pritë mbrapa një shkëmbi që dominonte krejt grykën kah Valbonës.
Pa kaluar shumë kohë,filluan të dukeshin xhandarët e Kadri Mehmetit, të cilët,të ndarë në çeta-çeta,ngjiteshin me ngut grykës përpjetë,në drejtim të shpellës dhe porsa iu afruan pritës,filloi pushka.
-Ku po veni bre tradhtarë të shitun?-bërtet Salih Mani dhe mbas pak minutash çeta e parë e njerëzve vetasgjësohet.
Afrohen çeta të tjera,të hedhur në sulm të tërbuar dhe lufta vazhdon e përgjakshme për disa orë pa pushim,por prita nuk kalohet;luftëtarët trima,zogj besnikë të Prijësit të tyre të madh po prisnin me armë për faqe,sulmet e kundërshtarve,të sigurt se ana e shpellës dhe vendit për ku ishte nisur Plaku do të ishte e pa trazuar dhe e pa arritshme.
Por djallëzia e tradhetarit Kadri Mehmeti nuk kishte fjetur dhe si strateg i stërvitur,kishte shpërndarë të armatosur shumë grupe dhe në të gjitha anët.Ora tragjike po afrohej…
Bajram Curri.mbështetur në një shkëmb po mendonte se çpo bëhej atje poshtë,në log të luftës dhe bisedonte me Shevket Dragëndo ma mbash besën qi ma ke dhanë,or Shevket?-I thotë dhe ai ia kthen menjëherë-Mos e kërkoni atë punë prej meje,lum Bajram Bregu,se më parë vras veten time,se sa mundem me vu pushken mbi juve!…
I mjeri Plak i kish kërku Shevket Dragës që nëse do ndeshen me mercenarët dhe ai nuk vritet në ndeshje e sipër,ta vriste vet Shevketi që mos të zihej i gjallë prej mercenarëve.Por Shevket Draga i shkretë,djalosh e trim i pashoq,pa u trishtuar aspak ndukte gishtat e mbërthitur e të kalbur të këmbëve dhe i hidhte përdhe sikur nuk ishin copa mishi të trupit të tij..nuk mund të ishte aq zemërgur sa të qëllonte me dorë të vet,pushkë,atij që adhuronte si sytë e ballit…
vazhdon....
Ruaj Lidhjet