Historia që dëshmohet në Muzeun Kombëtar do të rishikohet. Gjithçka në katër vjet

1 miliard lekë për të vënë në vend historinë


Alma Mile

Edhe pse kalendari shënon vitin 2006, shqiptarët ende nuk e kanë zgjidhur çështjen e vërtetësisë së historisë së tyre. Në këtë dilemë luhatet Muzeu Historik Kombëtar, institucioni më i madh i llojit të vet në Shqipëri, deri më tani instrument i sistemeve e qeverisjeve. Periudha, ngjarje dhe personazhe të fshehura. Kontestime pa fund për këtë apo atë pavijon. Kjo ka qenë historia e deritanishme e MHK-së, që duket sikur po përpiqet t’i devijojë fatit të vet. Gjithë kjo do të ketë një kosto 90-100 milionë lekë të reja. Që nga momenti i parë i marrjes së detyrës si drejtor i këtij Muzeu, historiani Beqir Meta premtoi rikonceptim, rishikim të ngjarjeve, periudhave e personazheve që zënë vend brenda ngrehinës. Prej disa muajsh një grup pune në përbërje të të cilit janë historianë e studjues si Ferid Duka, Kasem Biçoku, Muharrem Dezhgiu, Emin Riza, Frano Prendi etj., po punon për hartimin e projektit të rikonceptimit. Tani është momenti që t’i parashtrohet Këshillit të Ministrave. Sipas Metës, ky proces sigurisht ka një faturë financiare e cila mund të shkojë përafërsisht deri në 100 milionë lekë. Një faturë kjo e cila do t’i parashtrohet këto ditë këshilltarit për financat pranë kryeministrit. “Me rikonceptim të Muzeut kuptojmë pajisjen me materiale të reja cilësore muzeore, të përfshijmë figura me një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë si Faik Konica, Gjergj Fishta, ngjarje të lëna në harresë, apo të trajtuara me një metodologji joshkencore. Thelbi i gjithë këtij procesi është objektiviteti”, - tha dje Meta për “Shekullin”, duke shtuar se do vendoset një raport i ri mes këtyre elementëve. Ai e pranon se rikonceptimi i MHK-së është sfidë e vështirë, pasi ka të bëjë me një vepër që i transmetohet brezave. Dhe në të vërtetë deri më sot Muzeu është përdorur dhe kjo është vënë në dukje menjëherë pas rënies së sistemit apo qeverive. Nëse historia përsëritet, atëherë kostoja do jetë jo vetëm morale, por edhe materiale me këtë faturë miliardëshe që s’është thjesht faturë.
Projekti i rikonceptimit parashikon ngritjen e disa pavijoneve mungues, si ai i Pavarësisë e i Komunizmit, si dhe pasurimi i atyre ekzistues, jo pak të përfolur si pavijoni i Luftës Antifashiste, me artifakte, apo objekte e koncepsione muzeore, me makete apo objekte. Drejtori Meta pohon se brenda Muzeut mund të hapen edhe pavijone të veçanta që nuk lidhen me ngjarje apo periudha, por me emra të mëdhenj, të cilët ai nuk do t’i zbulojë deri sa gjithçka të jetë e sigurt. Për ndërtimin e pavijonëve të rinj pritet edhe asistenca e specialistëve gjermanë që ndërtuan muzeun e ri të Berlinit. Sipas Metës do përdoret parimi kronologjik “të përshtatur paralelisht me historinë evropiane, pasi historia jonë nuk mund të kuptohet e shkëputur nga ajo e kontinentit, pavarësisht se çdo vend ka ngjarjet e veta”. Mendohet se brenda katër vjetëve Shqipëria do ketë një Muze Kombëtar, ndryshe nga ai aktual, duke nisur që nga ambientet e jashtme, deri tek pavijonet. Puna nisi me arkivin e ikonave ku do strehohen rreth 800 objekte kishtare, për të vazhduar me sallat e konferencave, bibliotekën e pagëzuar me emrin “Lumo Skëndo” etj..
Në Muzeun Historik Kombëtar ruhen rreth 3600 objekte të trashëgimisë kulturore, ku një pjesë të rëndësishme e zë periudha e paleolitit, deri në antikitetin e vonë me rreth 400 objekte.


Instituti i Kulturës Popullore më në fund do të ketë hapësirën muzeale në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar

Etnografia brenda Historisë
Muzeu Kombëtar hap dyert për pasuritë e kulturës popullore. Pas kërkesash pa fund, një pjesë e fondit etnografik do gjejë një strehë ekspozimi. Një hapësirë prej 1000-1500 m2 brenda Muzeut Historik Kombëtar “do t’i dhurohet” Institutit të Kulturës Popullore i cili pret të ekspozojë aty pjesën më përfaqësuese të fondit të tij. Drejtori i MHK-së, Beqir Meta, tha se është gjetur një zgjidhje në mënyrë që kjo pjesë e kulturës etnografike të mos mbetet nëpër depo, por të ekspozohet për publikun e gjerë. Por sipas tij, kjo nuk ia pret rrugën ndërtimit në të ardhmen të një muzeu etnografik ku mund të ekspozohen më shumë objekte. “Ky seksion, apo muze brenda muzeut do mbushë një boshllëk që kemi në paraqitjen e etnokulturës shqiptare”, - pohoi Meta duke siguruar që objektet që do ekspozohen në këtë seksion do vazhdojnë t’i përkasin Institutit të Kulturës Popullore. Ndërsa po punohet për hartimin e projektit, mendohet se prej 36 mijë objekteve që ka në pronësi IKP-ja, të ekspozohen objektet më përfaqësuese, duke filluar që nga bizhuteritë, armët e ftohta e të zjarrit, veshjet e deri tek orenditë e arredimi i shtëpive tradicionale shqiptare. Këto objekte mendohet të ekspozohen në një hapësirë që do zërë një kat të MHK-së. Meta tha se do gjendet formula e duhur për të krijuar këtë hapësirë. Jo më larg se një vit, drejtori i mëparshëm, Moikom Zeqo, përuroi pavijonin etnografik ku kishte më shumë fotografi se sa objekte. “Ai ishte një pavijon modest, i krijuar me objekte të marra nga pavijone të tjera, duke prishur në një farë mënyre rendin kronologjik që duhet të karakterizojnë pavijonet muzeore”, - komenton Beqir Meta. Ai thotë se hapja e këtij muzeu në qendër të Tiranës do tërheqë më tepër vëmendjen e vizitorëve, të cilët kanë nevojë të shohin më shumë objekte sesa stenda me fotografi e histori. Por sigurisht që kjo ka një faturë financiare, e cila nuk do paguhet vetëm për ndërtimin e seksionit etnografik, por edhe në të ardhmen, nëse një ditë ai do largohet nga ambientet e MHK-së, për t’u vendosur në ambientet e veta.

Shekulli