Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 12
  1. #1
    me 40 hajdutë Maska e alibaba
    Anëtarësuar
    12-12-2005
    Vendndodhja
    Ne shpellen e pirateve
    Postime
    5,671

    Nga vepra "Ilirët" -- Aleksandër Stipqeviç

    JETA E ILIRËVE

    Kushtet gjeografike

    Toka e banueme prej Ilirëve nuk ka nji karakter unik, por ndryshon në pikëpamje orografike dhe klimatike.
    Në veri gjinden rrafshina të mëdha të pellgut panonik të plleshme e të pasuna me prodhime bujqësore, por me klimë kontinentale.
    Pjesa me e madhe e krahinave ilire në jug të rrafshinës së Panonisë asht malore dhe shpesh e pakapërcyeshme, me nji klimë të ashpër dhe të ftohtë, e pasun me xehe dhe kullosa.
    Gjatë bregdetit Adriatik dhe në ujdhesat e afërme, sidomos në jug, sikurse edhe në rrafshinën që e rrethon lumin Vardar, në Maqedoni, klima, përkundrazi, asht mjaft e butë dhe e përshtatshme, ideale për kultivimin e ullijve, fiqëve dhe bimëve tjera mesdhetare.
    Kjo llojllojshmëni e kushteve gjeografike në pjesën perëndimore të Ballkanit dhe në rrafshinën e Panonisë ka kushtzue edhe ndryshueshmëni të madhe në jetën ekonomike, kulturore e shoqnore të Ilirëve, si dhe ndryshueshmëni në dukuninë fizike, e natyrisht, edhe në zakone.

    Pamja fizike

    Në shkrimet antike, të dhanat mbi pamjen fizike të Ilriëve janë shumë të pakta.Padyshim ata pak kanë ndryshue prej Grekëve e Romakëve të cilët tue mos pá te ata asgja të posaqme ose të çuditshme nuk e kanë pa të nevojshme me shkrue për pamjen fizike të tyne.Megjithate si duket, duhet të jetë diçka karakteristike kur Plauti, i cili ndoshta ka pasë rast me i njohtë personalisht Ilirët mbasi ishte i lindun në Sarsinë afër Adriatikut, në nji komedi të vet thotë për nji protagonist se ka "nji fytyrë ilire".Nuk jemi në gjendje me thanë se ku qëndrojshin këto karakteristika dhe nuk mundemi me i përshkrue në mënyrë të kënaqshme prej paraqitjeve të shumta të Ilirëve që i gjejmë në përmendoret ma të vjetra dhe në ato të të periudhës romake.Nji shënim interesant i Herodianit na informon se Ilirët kanë qenë me shtat të gjatë.Kjo asht vërtetue edhe në saje të rezultateve antropometrike.Ma në fund, tue marrë parasysh krejt çka mund të na shërbejë për rekonstruimin e pamjes fizike të Ilirëve, shkencëtarët modernë janë të mendimit që t'i paraqesin si njerëz të gjatë, me sy të kaltërt, dhe flokë të verdhë.
    Straboni i Amazisë, na informon se ndër Japodë, sikurse ndër gjithë Ilirët, ka qenë i përhapun tatuimi.Ky zakon ka qenë i njohtun në Ballkan qysh në kohnat e qytetnimit neo-eneolit dhe e kanë përdorue gjithë popujt parahistorikë të këtyne krahinave.Këtë e vërteton Herodoti për Thrakasit, Plini plak për Sarmatët dhe Dakët, dhe asht e ruejtun deri sot në shumë krahina, sidomos ndër bashkësitë krishtene në Bosnjë.Për këtë përdorim ndër Ilirë e kanë vërtetue edhe mbeturinat arkeologjike.Vërtet në Donja Dolinë dhe Gllasinc janë gjetë shumë gjylpana prej bronze, me të cilat asht ba tatuimi

    Medicina popullore

    Edhepse prej të dhanave të ruejtuna mundemi me formue nji ide të zbetë dhe jo të plotë mbi farmakopenë e pasun popullore ilire, duhet të përmendim bimët ma të njohtuna të cilat janë rritë në tokën e tyne dhe që kanë pasë ni përdorim të gjanë në botën antike.Ma e njohtuna asht iris (shpatore) e njohtun në terminologjinë antike me emrin Iris Illyrica, e cila ka gëzue nji popullaritet, si për erë të kandshme ashtu edhe për përdorimin mjekues kundër nji numri të madh sëmundjesh.Për kualitetin e saj të jashtëzakonshëm flasin Theofrasti nga Erezi në shek. IV para e.s. mandej sidomos Dioskuridi i Anazarbës dhe Plini Plak.Ilirët shpesh kanë përdorë edhe sanzën.Kjo bimë asht quejtë me emnin e mbretit ilir Gentit, (Gentiana Lutea), i cili i pari ia ka njohtë vetitë mjekuese

    Pijet

    Mbi zakonet dhe doket tjera, informata ma të plota kemi përkitazi me nji ves mjaft të përhapun ndër Ilirë, e ky asht pasioni i tepruem për pijet alkoolike.Krahas me këtë ves të tyne asht edhe fakti i dëshmuem prej leksikografit të Aleksandrisë, Hezihiut, simbas të cilit Peonët adhurojshin nji perëndi me emnin Dualos, që përputhej me emnin e perëndisë greke të venës, Dionizin.Spjegimin e emnit të këtij hyu që e ka dhanë vet Hezihiu, e vërteton edhe shkenca moderne e filologjisë, e cila emnin e Dualos e nxjerr prej të njajtës rranjë prej kah rrjedh fjala shqipe dej, ( i dejun ) dhe fjala gotike dwals (i çmendun).
    Simbas Strabonit Ilirët që kanë banue në Panoni shkojshin me u furnizue me venë në Akuile.Ndoshta në këtë mënyrë vena ka hy në rrafshin e Panonisë shumë kohë para se na lajmëron Straboni.Sidoqoftë Ilirët që kanë jetue gjatë detit Adriatik, kanë pasë rast me e njohtë kualitetin e venës greke shumë ma përpara.Madje nuk duhet të përjashtohet mundësija që Ilirët gjatë bregdetit Adriatik,jo vetëm që e kanë pi venën por e kanë kultivue hardhinë shumë kohë para kolonizimit të Adriatikut nga ana grekëve.
    Taulantët kanë qenë të njohtun në antikë për përgatitjen e nji pije të posaçme prej mjalte.Vetë Grekët janë mësue prej Taulantëve si me e përgatitë këtë pije.Jo vetëm ky fis por edhe të tjerët e kanë përdorë si në kohën parahistorike ashtu edhe në periudhën romake.Historiani bizantin Prisku i cili në vjetin 448 të e.r. ka kalue nëpër Panoni në rrugë për në rezidencën e Atilës, na informon se banorët e kësaj krahine pijshin nji pije të fortë, medos, domethanë ujëmjaltë.
    Edhe ma e përhapun se ujmjalti ka qenë birra, e quejtun sabaia.Simbas Theopompit Ilirët si meshkujt ashtu edhe gratë e tyne, gjatë gostisë pijshin aq shumë sa deheshin plotësisht dhe burrat u jepshin liri grave të tyne me u përshëndetë me çdo të thirrun tjetër.
    Nji veqori interesante të lidhun me përgatitjen e pijeve që na përmendin, Dion Kasi dhe Straboni, asht ajo se Ilirët i kanë njohtë vozat e drunit.

    vijon.............................. ka pasur reduktime nga origjinali
    Ndryshuar për herë të fundit nga alibaba : 11-09-2006 më 17:14

  2. #2
    i/e larguar Maska e GL_Branch
    Anëtarësuar
    02-11-2003
    Vendndodhja
    Arbany
    Postime
    1,592
    Alibaba ku po i merr keto shkrime apo vet po i shkruan nga libri?

    Eshte nje veper e madhe kjo...une ne fakt se kam lexu por e di qe ka peshe te madhe kjo liber...dhe jam interesum shume ne vazhdim lidhje me kete teme

  3. #3
    me 40 hajdutë Maska e alibaba
    Anëtarësuar
    12-12-2005
    Vendndodhja
    Ne shpellen e pirateve
    Postime
    5,671
    Shkrimet janë nga libri......libri është i përkthyer nga italishtja nga Zef Mirdita, dhe i botuar në Prishtinë më 1967---------------------------------------------------------------------------------------
    Muzika

    Të vetmin lajm shkrue mbi këtë e gjejmë te Straboni, i cili na flet se Dardanët e kanë kultivue shumë muzikën dhe kanë përdorë instrumente muzikore me frymë dhe me tela.
    Në dy përmendore të vorrezave që janë gjetë, njana në Zaostrog afër Makarskës, dhe tjetra në nji vend të panjohtun dalmatin, shohim zotin Silvan tue mbajtë në dorë nji instrument me frymë në formë gypi, i ngushtë kah pipi, kurse gjithnji tue u zgjanue kah fundi.

    Vallet

    Paraqitja ma e vjetër e nji valleje popullore ilire gjindet e skalitunnë nji urnë të njohtun funerale nga Ribiqi shek. V-IV p.e.s. ku mund të shihen pesë figura femnash të kapuna dorë për dore.Pa dyshim këtu paraqitet nji valle rituale, ku duhet me e dallue formalisht prej valles në të cilën vallëzuesit sillen rrotull tue këndue.Kjo valle popullore shumë e vjetër ka qenë e preferueshme në Ballkan dhe asht ruejtë edhe te popujt e soçëm të këtyre viseve, te Sllavër (kolo) kurse te Shqipëtarët (valle).Kjo valle të cilën e përmend edhe Homeri në Odisenë, paraqitet shumë herë në histori të Ballkanit: tue fillue prej shek. V-IV p.e.s. në urnën e Ribiqit, mandej shumë herë në përmendoret e kohës romake të Perandorisë së vonshme, e ma në fund në artin popullor të pjesës perëndimore të Ballkanit mesjetar, ose ma saktësisht, në përmendoret të quejtuna steçki të Bosnjes dhe të Hercegovinës.

    Veshja

    Veshja që Ilirët e kanë bajtë ma së shumti ka qenë këmisha e shkurtë dhe gjatë, e kombinueme njikohësisht, jo gjithëmonë me pelerinë.Përveq kësaj meshkujt kanë bajtë edhe kofsharë.
    Këmisha asht e përbame prej dy pjesëve, të bashkueme në krahë me dy pulla dhe ka mundë me u shtrëngue në mes me rryp.Në tansi kanë qenë shumë të gjata, por priftat dhe perënditëilire rëndom janë veshë me këmisha të shkurta.Disa autorë janë të mendimit me e identifikue këtë veshje ilire me atë dalmatine të cilën e kanë marrë Romakët e që ka pasë aq fat ma vonë tue hy në përdorim liturgjik në kishën krishtene.
    Shpeshherë Ilirët paraqiten me mallotë që mbahej gjithëmonë mbi këmishë.Kishte të gjata e të shkurta të ngjashme me togat dhe lacernat romake.Mallotat rrallëherë e kanë pasë edhe kapuçin.Kjo rrobe asht bajtë e hedhun mbi krahëdhe qëndronte në supin e djathtë e mbërthyeme ma nji pullë, tue i lanë kështu duert të lira.
    Ilirët shumë rrallë kanë veshë kofsharë.Paraqitjen ma të vjetër të kofsharëve e hasim në nji fragment të nji urne të gjetun në Ribiq, afër Bihaqit, në Bosnje, që i takon shek. V ose IV p.e.s.
    Kostumevet ilire për meshkuj u përkasin ma në fund edhe kësulat.Deri tash janë konstatuar tri tipe kësulash ilire
    - tipi i rrumbullakët (bereta pa anë) shumë e ngjashme me kësulën që edhe sot e përdorin Shqipëtarët (qeleshja) e që në përgjithësi konsiderohet si prejardhje direkte e kësulës së vjetër ilire.
    - tipi i dytë ka formën konike që i përgjigjet kësulës prej gëzofit, e cila tash përdoret te sllavët e jugut (shubara) dhe te shumë popuj tjerë.
    - tipi i tretë me sa duket i përdorun vetëm prej ushtarëve, ka qenë i rrumbullakët, por me anë shumë të gjanë.

    Ilirët kanë përdorë disa tipe mbathjesh, ndër të cilat ma e njohtuna ka qenë opinga e thjeshtë, që përbahej vetëm prej nji cope lëkure që mbulon pjesën e poshtme të kambës, tue përfshi edhe gishtat, kurse në pjesën e epërme lidhet me disa lidhse lëkure.
    Veshja e femnës ilire na zbulon karakteristikat autoktone dhe nji llojshmëni të tipareve ma të pasuna se ato të meshkujve.Kjo veshje ka qenë e përbame prej nji këmishe me mangë të gjata, prej nji fustani të gjatë ose të shkurtë pa mangë, prej pështjellaku, shalli, prej marhame në krye dhe në fund prej shumë lloj kësulash.Këmisha vishej vetëm ose si nënkëmishë.Fëmijtë e veshëshin vetëm ate.
    Mbi nënkëmishë femnat ilire kanë veshë nji teshë që nuk ka qenë e qepun në krahë, por e kapun me pulla dhe e lidhun për brezi me rryp.Nëse ishte shumë e gjatë, pjesa e poshtme çohej dhe hidhej sipër rrypit.Kjo pjesë e veshjes shtrëngohej përsëri me nji rryp.
    E njajtë ka qenë veshja që e bante në shumë solemnitete perëndsha ilire Thana.Kjo ishte shumë ma e shkurtë dhe palët e sja nuk bijshin drejt por në formë të kumbonës.Pështjellaku asht nji element shumë i lashtë i veshjes ilire.Ekzemplarët ma të bukur i kanë tri Nimfe të paraqituna në nji reljef të gjetun në Suhaç, afër Livnos në Bosnje.
    Shalli asht bajtë mbi krahë, në paraqitjet monumentale e shohim ose të kryqzueme në gjoks ose rreth krahëve, rrallëherë mbulonte dhe kokën. Marhamën e kanë bajtë si gratë e martueme ashtu edhe vajzat.Kjo edhe sot përban nji pjesë të pandashme të veshjes kombëtare në Gadishullin Ballkanik.
    Në periudhën romake gratë në përgjithësi kanë qenë ma konzervatore se meshkujt dhe jo rrallë i shohim të veshuna me kostumet kombëtare pranë burrit i cili mban veshjen romake.
    Ndryshuar për herë të fundit nga alibaba : 12-09-2006 më 11:40

  4. #4
    Restaurator Orbis Maska e Baptist
    Anëtarësuar
    20-11-2004
    Postime
    8,690

    Ilirologu grekofil

    Une me keqardhje te madhe e quaj A. Stipceviqin ilirolog te madh por grekofil.
    Ne shume raste mendimi im per te eshte shume me i keq se ai i Tanhauzit per A. Kolen.
    Aeneas Dardanus
    Lavdi, pasthirrme fosilesh, germadhash e rrenojash vershelluese. -Eja pas meje!...

  5. #5
    i/e larguar Maska e GL_Branch
    Anëtarësuar
    02-11-2003
    Vendndodhja
    Arbany
    Postime
    1,592
    Citim Postuar më parë nga Baptist
    Une me keqardhje te madhe e quaj A. Stipceviqin ilirolog te madh por grekofil.
    Ne shume raste mendimi im per te eshte shume me i keq se ai i Tanhauzit per A. Kolen.
    ......pse?

  6. #6
    Restaurator Orbis Maska e Baptist
    Anëtarësuar
    20-11-2004
    Postime
    8,690
    Citim Postuar më parë nga GL_Branch
    ......pse?
    Me duhet te pres sa te arrijne postimet aty ku fillion te shpaloset fytyra e tij e vertete.
    Aeneas Dardanus
    Lavdi, pasthirrme fosilesh, germadhash e rrenojash vershelluese. -Eja pas meje!...

  7. #7
    me 40 hajdutë Maska e alibaba
    Anëtarësuar
    12-12-2005
    Vendndodhja
    Ne shpellen e pirateve
    Postime
    5,671
    Aleksandër Stipçeviq nuk ka qenë grekofil për vetë faktin se jeta e tij nuk ka qenë e lidhur me Grekët dhe helenizmin.Por është edhe ky një prej autorëve që e admiron kulturën e lashtë në jug të Ballkanit.
    Ndryshuar për herë të fundit nga alibaba : 12-09-2006 më 14:44

  8. #8
    me 40 hajdutë Maska e alibaba
    Anëtarësuar
    12-12-2005
    Vendndodhja
    Ne shpellen e pirateve
    Postime
    5,671
    Disa të dhëna mbi qytetërimet ilire

    Tue shkue drejt jugut, së pari hasim në qytetnimin e Trebenishtës, që shtrihet në Maqedoninë e soçme jugore, pjesërisht në Greqinë veriore dhe pjesërisht në Shqipninë lindore.
    Në veri të këtij lulzoi qytetnimi ma i përhapun i Ilirëve, ai i Gllasincit, që shtrihej në nji pjesë të madhe të Shqipnisë, në Mal të Zi, Bosnje, Hercegovinë, në Sërbinë perëndimore dhe në Dalmacinë qëndrore e jugore.
    Në Dalmacinë veriore dhe gjatë bregdetit kroat deri te lumi Arsa (Rasha) në Istër, shtrihej qytetnimi i Liburnëve, ndërsa në perëndim të tij, në Likën e soçme e në Bosnjen verioreu formue qytetnimi i Japodëve.
    Ndërmjet lumenjve Savë dhe Dravë lulzonte qytetnimi i Dalit, kurse në Istër dhe në pjesën e madhe të Sllovenisë të soçme qe zhvillue nji qytetnim iliro-venet, i lidhun ngushtë ma qytetnimin e brendshëm të rrafshinës së lumit Po në Itali.

  9. #9
    i/e regjistruar Maska e PRI-LTN
    Anëtarësuar
    12-06-2006
    Vendndodhja
    Vlorë
    Postime
    671
    A. Stipcevic ne “Kuvendin e I te studimeve Ilire” mbajtur ne Tirane ne Shtator te vitit 1972.

    Pjese nga kumtesa e tij.

    Tek iliret simboli i gjarperit kish nje perhapje shume te madhe. Gjarperi ishte mbrojtesi i vatres familjare, kafsha ktonike me e rendesishme e lidhur me kultin e stergjysherve dhe me kompleksin magjik-fetar te pjellorise se tokes e te gruas. Kulti i kesaj kafshe mistike dokumentohet ne arde te pare nga burimet historike. Mjafton te kujtohet legjenda e njohur mitologjike e fenikasit Kadm dhe e gruas se tij Harmonia, te cilet, pasi erdhen tek iliret ku dhe vdiqen, vazhduan te jetojne, pas vdekjes, ne trajte gjarperinjsh. Biri i tyre Iliri, heroi eponym i races ilire, kiste dhe ai trajten e gjarperit keshtuqe ne ate mund ta mbajme per totem supreme te ilireve. Jashtezakonisht te shumta jane mbeturinat arkeologjike te gjetura ne nekropolet dhe vendbanimet ilire dhe qe dokumentojne rendesine qe kishte gjarperi ne sistemin simbolik dhe feta rte ilireve, vecanerisht te atyre ne pjeset veriore te treves se banuar prej tyre.
    Kulti i gjarperit ishte dhe eshte dhe tani, shume i njohur, natyrisht, edhe nder popujt e tjere. Prandaj duhet te jemi shume te kujdesshem kur duam te nxjerrim (duke u mbeshtetur vetem ne ekzistencen e ketij kulti ne sistemin simbolik te ilireve nga njera ane dhe te shqiptareve nga ana tjeter) vazhdimesine etnike midis tyre. Megjithate, sasia e madhe e te dhenave, qe kemi ne duar qofte per epoken parahistorike ilire qofte per ate historike shqiptare. Sa per te permendur nje nga keta elemente karakteristike, do te kujtojme ne menyre te shpejte motivin martesor midis gruas dhe gjarperit, motiv shume i perhapur ne folklorin shqiptar qe gjen jehone ne legjenden qe sjellin Plutarku dhe autore te tjere te lashte, sipas se ciles Aleksandri i Madh ishte i biri i Olimpias (te lindur ne Epir, pra ne nje krahine te pasur me elemente ilire) dhe i nje gjarperi. Nje kujtim shume interesant te koheve prehistorike, persa i perket lidhjes midis gjarperit dhe pjellorise se gruas, e gjejme ne nje rit magjik, pa dyshim, me origjine prehistorike qe vihet re ne lokalitetin Orman prane Shkupit ne Maqedoni.do tem und te silleshin edhe prova te tjera te ketij lloji, por, na duket, se kaq sa thame gjer tani na mjafton per te konkluduar se kulti i gjarperit, aq i dashur per iliret, vazhdoi te jetoje edhe me vecorite e tij tek shqiptaret sikunder edhe tek sllavet e gadishullit ballkanik, te cilet ruajten gjithashtushume elemente te qyteterimit te lashte shpirteror paleoballkanik.

  10. #10
    Restaurator Orbis Maska e Baptist
    Anëtarësuar
    20-11-2004
    Postime
    8,690

    Bolla

    Ah, me ne fund arritem te gjarperi.
    Sado qe Stipceviqi ka informata te bollshme faktografike, ai per cudi nuk di te punoje me to. Mungesa me e madhe e tij eshte mosnjohja e esences strukturale te logjikes se mitit.

    Citim Postuar më parë nga PRI-LTN
    ...do te kujtojme ne menyre te shpejte motivin martesor midis gruas dhe gjarperit, motiv shume i perhapur ne folklorin shqiptar qe gjen jehone ne legjenden qe sjellin Plutarku dhe autore te tjere te lashte, sipas se ciles Aleksandri i Madh ishte i biri i Olimpias (te lindur ne Epir, pra ne nje krahine te pasur me elemente ilire) dhe i nje gjarperi.
    Ai harron se gjarperi eshte figure e Teogonise Pellasge. Harron se ky gjarper eshte Demiurgu, dhe bashkpunetor i barabart ne krijimin e botes, Boreu apo Ofioni.
    Harron se kjo periudhe e arte e paqes dhe e barazise gjinore te shoqerise Pellasge u nderpre njeanshem nga shoqja e tij Eurinoma. E cila me egoizmin e saj duke dashur gjithe nderimet dhe pushtetin per vete, nje dite zgabimthi e shkeli me thember ne koke dhe e perzuri nga Olimbi poshte ne skutat e dheut.

    Pellasget thone se e kane origjinen nga dhembet e ketij Boreut. Kurse Boreu eshte qe prej asaj dite gjarper pa dhembe.

    Nder tjera vlene te ceket se prej emrit te tij rrjedh shprehja Veriu dhe shprehja Bore per deBoren shqip.

    Prandaj Stipcevici bene gabim shume te madh kur e quan gjarper, sepse ishte Boa ose me te sotmen Bolla. Pra, Roja e Shpise, Roja e Zjermit apo e Votres sic e njeh sot populli. Roje shtepiake e mireqenjies shendetit dhe mbarevajtjes se puneve.

    Pas kesaj ngjarje ne Olimp, pellasget rreshqasin ne periudhen e matriarkatit dhe fillojne ta pushtojne gjithe boten.

    ...

    (kaq per tani)
    Aeneas Dardanus
    Lavdi, pasthirrme fosilesh, germadhash e rrenojash vershelluese. -Eja pas meje!...

  11. #11
    me 40 hajdutë Maska e alibaba
    Anëtarësuar
    12-12-2005
    Vendndodhja
    Ne shpellen e pirateve
    Postime
    5,671
    Besimi

    Kemi mbërri me i njohtë emnat e nja tridhetë hyjnive ilire, disa prej të cilave madje mu në bazë të mbishkrimeve, kanë mujtë me u identifikue me hyjnitë romake.
    Me sa duket, te Ilirët nuk ishte vetëm një panteon unik, por çdo perëndi adhurohej prej nji fisi të posaçëm ose prej nji treve të caktueme.Në Istër për shembull, e okupueme pothue krejtësisht prej Istërve, gjejmë altarë, dedikue Eiaut, Melesocusit, Boriaut, emnat e të cilëve nuk gjinden në viset tjera ilire.
    E njajta gja mund të thuhet për hyjnitë liburne ( Anzotika, Lutosika, Latra, Sentona, Ika, Iria), japode (Bindus) etj.
    Së pari po përmendim zotin Bindus, identifikue në mbishkrime me Neptunin romak.Altarët e shumtë kushtue këtij hyu ilir ( me dedikim BINDO NEPTUNO SACRUM), janë gjetë në territorin e japodëve të vjetër afër burimit të prroskës Privilica, në afërsi të Bihaqit në Bosnje.Padyshim, në këtë lokalitet të vetmuem gjindej nji faltore, ose me fjalë tjera, nji vend i shejtë kushtue Bindusit. Kjo hyjni mbronte ujnat, sidomos burimet, dhe si e tillë qe identifikue me zotin Neptun.Aty ku janë zbulue altarët janë gjetë sasi të mëdha brina dhish, flijue Bindusit.
    Nji hyjni tjetër pajtore e burimeve, ishte Vidasusi, gjithëmonë i shoqnuem në monumente nga shoqja e tij Thana.Katër altarë kushtue këtij qifti janë gjetë në Topusko, në Kroaci, afër nji burim uji mineral. Në të njajtin lokalitet janë gjetë mbaturinat e nji faltorje kushtue Silvanos si dhe shumë altarë tjerë me emnin e kësaj hyjnie romake.Në bazë të këtij fakti, studiuesit kanë konkludue me të drejtë se Vidasusi në besimin ilir ishte i ngjashëm me atributet e tija me hyjninë pajtore të burimeve pyjevet, fushavet, me Silvanon dhe si rrjedhim në emnin Thana asht mshefë hyjnija ilire e gjuetisë, të cilën shkencëtarët e kanë identifikue me hyjninë romake Diana.Vidasusi e Thana (por ndoshta në vise tjera këto hyjni kishin emna tjerë), kishin nji randësi të dorës së parë në panteon në pjesën ma të madhe të popullatës ilire, sidomos ndër ato që mirreshin me blegtori, për shembull Dalmatët.
    Në monumentet ilire të epokës romake, këto hyjni gjinden jo vetëm të vetmueme, por në shoqni me nymfe dhe hyjni tjera, në të cilat duhet padyshim të shohim hyjni tjera autoktone, emnat e të cilave nuk i njohim deri tash.Tue folë mbi ikonografinë e këtyne dy hyjnive, asht shumë interesant veqorija që në dy monumente të gjetuna në Bosnje, Diana nuk ka, sikur në ikonografinë greko-romake, harkun dhe kokurrën, por në nji dorë mban palmën, kurse në tjetrën hardhinë.Kjo dëshmon se Thana nuk ishte e njëjtë në të gjitha karakteristikat me Dianën e panteonit greko-romak.Në të njatin përfundim vijmë tue shqyrtue ikonografinë e Vidasusit,që nuk ishte krejtësisht i njajtë me Silvanon, por qe identifikue me këtë vetëm pse për disa atribute të veta ishte ma i ngjashmi me të.Mund të supozohet e për këtë ekzistojnë disa indikacione se bash Vidasusi ka qenë zoti suprem i Ilirëve.
    Vidasusit u qenë kushtue disa vende të shejta ndër të cilat asht shpella te Moçiqi, në afërsi të Dubrovnikut të vjetër, shëndrrue mandej në nji shejtore të perëndisë Mitra.

  12. #12
    me 40 hajdutë Maska e alibaba
    Anëtarësuar
    12-12-2005
    Vendndodhja
    Ne shpellen e pirateve
    Postime
    5,671
    Nimfa Ika përmendet në nji altar të gjetun në afërsi të Fianones (Plominit, Flanona antike) në Istër, në trollin e Liburnëve.Ky altar asht zbulue mu afër burimit, i cili edhe sot mban emnin Ika !
    Ndër perënditë që meriton nji kujdes të posaqëm asht Medauri, për të cilin kemi shënime prej Lambësisë së largët në Numidinë e Afrikës Veriore.Në nji faltore të këtij castrumi romak, nji ilir bujar i ka dedikue tempullit të Mark Aurelit dy mbishkrime për zotin Medaur.Në njanin prej tyne, i shkruem në vargje, Medauri asht kualifikue si pajtor i qytetit ilir Risnium (Risan në Bokën e Kotorrit, Rhizoni antik), kala e njohtun ku asht strehue Teuta mbas disfatës që pësoi prej romakëve.Prej mbishkrimit shohim se Medauri ishte i paraqitun me shtizë në dorë dhe në kalë.Disa shkencëtarë e identifikojnë me zotin ilir të mjekësisë, për arsye se besohej se faltorja ku janë gjetë dy mbshkrimet i ishte dedikue vetëm Eskulapit.Sipas përshkrimit që njani mbishkrim jep për figurën e Medaurit, do të duhej të ishte nji zot lufte, mbrojtës i Risniumit, qyteti i lindjes së dedikuesit.
    Po përmendim në fund disa hyjni ilire emnat e të cilëve gjinden në monumentet e epokës romake: Armatus (zoti i luftës, emni origjinal nuk i dihet), Tadenus i identifikuem me Apollonin, Anzotika dhe Iria të identifikueme me Venerën, Partinus zoti suprem i Parthinëve, i identifikuem me Jupiterin.
    Mbasi religjioni ilir i periudhës pararomake asht nji sektor ma pak i njohtun dhe pak i hulumtuem deri tash, simbolet e shumta diellore (kryqi gremç dhe rrathët koncentrikë), varëset e ndryshme në forma kuajsh të vegjël shpezësh të ujit si dhe antropomorfe, dokumentojnë nji mendim religjioz mjaft primitiv.Mbeturinat e këtij religjioni primitiv gjinden me shumicë edhe në epokën historike. P.sh. Maksimi i Tiritvërteton se Peonët e adhurojshin diellin, të paraqitun në formë rrethi.

Tema të Ngjashme

  1. Aleksandër Kondo, kampioni i peshëngritjes shqiptare
    Nga Brari në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 22
    Postimi i Fundit: 06-07-2021, 10:42
  2. Aleksandër Xhuvani
    Nga dodoni në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 25-02-2007, 23:25
  3. Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 12-10-2004, 17:17
  4. Aleksandër Moisiu - Si u krijua një legjendë
    Nga ILovePejaa në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 17
    Postimi i Fundit: 12-05-2004, 01:07
  5. Statuja e Aleksandër Moisiut në Kavajë
    Nga Raku në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 02-04-2004, 15:01

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •