JETA E ILIRËVE
Kushtet gjeografike
Toka e banueme prej Ilirëve nuk ka nji karakter unik, por ndryshon në pikëpamje orografike dhe klimatike.
Në veri gjinden rrafshina të mëdha të pellgut panonik të plleshme e të pasuna me prodhime bujqësore, por me klimë kontinentale.
Pjesa me e madhe e krahinave ilire në jug të rrafshinës së Panonisë asht malore dhe shpesh e pakapërcyeshme, me nji klimë të ashpër dhe të ftohtë, e pasun me xehe dhe kullosa.
Gjatë bregdetit Adriatik dhe në ujdhesat e afërme, sidomos në jug, sikurse edhe në rrafshinën që e rrethon lumin Vardar, në Maqedoni, klima, përkundrazi, asht mjaft e butë dhe e përshtatshme, ideale për kultivimin e ullijve, fiqëve dhe bimëve tjera mesdhetare.
Kjo llojllojshmëni e kushteve gjeografike në pjesën perëndimore të Ballkanit dhe në rrafshinën e Panonisë ka kushtzue edhe ndryshueshmëni të madhe në jetën ekonomike, kulturore e shoqnore të Ilirëve, si dhe ndryshueshmëni në dukuninë fizike, e natyrisht, edhe në zakone.
Pamja fizike
Në shkrimet antike, të dhanat mbi pamjen fizike të Ilriëve janë shumë të pakta.Padyshim ata pak kanë ndryshue prej Grekëve e Romakëve të cilët tue mos pá te ata asgja të posaqme ose të çuditshme nuk e kanë pa të nevojshme me shkrue për pamjen fizike të tyne.Megjithate si duket, duhet të jetë diçka karakteristike kur Plauti, i cili ndoshta ka pasë rast me i njohtë personalisht Ilirët mbasi ishte i lindun në Sarsinë afër Adriatikut, në nji komedi të vet thotë për nji protagonist se ka "nji fytyrë ilire".Nuk jemi në gjendje me thanë se ku qëndrojshin këto karakteristika dhe nuk mundemi me i përshkrue në mënyrë të kënaqshme prej paraqitjeve të shumta të Ilirëve që i gjejmë në përmendoret ma të vjetra dhe në ato të të periudhës romake.Nji shënim interesant i Herodianit na informon se Ilirët kanë qenë me shtat të gjatë.Kjo asht vërtetue edhe në saje të rezultateve antropometrike.Ma në fund, tue marrë parasysh krejt çka mund të na shërbejë për rekonstruimin e pamjes fizike të Ilirëve, shkencëtarët modernë janë të mendimit që t'i paraqesin si njerëz të gjatë, me sy të kaltërt, dhe flokë të verdhë.
Straboni i Amazisë, na informon se ndër Japodë, sikurse ndër gjithë Ilirët, ka qenë i përhapun tatuimi.Ky zakon ka qenë i njohtun në Ballkan qysh në kohnat e qytetnimit neo-eneolit dhe e kanë përdorue gjithë popujt parahistorikë të këtyne krahinave.Këtë e vërteton Herodoti për Thrakasit, Plini plak për Sarmatët dhe Dakët, dhe asht e ruejtun deri sot në shumë krahina, sidomos ndër bashkësitë krishtene në Bosnjë.Për këtë përdorim ndër Ilirë e kanë vërtetue edhe mbeturinat arkeologjike.Vërtet në Donja Dolinë dhe Gllasinc janë gjetë shumë gjylpana prej bronze, me të cilat asht ba tatuimi
Medicina popullore
Edhepse prej të dhanave të ruejtuna mundemi me formue nji ide të zbetë dhe jo të plotë mbi farmakopenë e pasun popullore ilire, duhet të përmendim bimët ma të njohtuna të cilat janë rritë në tokën e tyne dhe që kanë pasë ni përdorim të gjanë në botën antike.Ma e njohtuna asht iris (shpatore) e njohtun në terminologjinë antike me emrin Iris Illyrica, e cila ka gëzue nji popullaritet, si për erë të kandshme ashtu edhe për përdorimin mjekues kundër nji numri të madh sëmundjesh.Për kualitetin e saj të jashtëzakonshëm flasin Theofrasti nga Erezi në shek. IV para e.s. mandej sidomos Dioskuridi i Anazarbës dhe Plini Plak.Ilirët shpesh kanë përdorë edhe sanzën.Kjo bimë asht quejtë me emnin e mbretit ilir Gentit, (Gentiana Lutea), i cili i pari ia ka njohtë vetitë mjekuese
Pijet
Mbi zakonet dhe doket tjera, informata ma të plota kemi përkitazi me nji ves mjaft të përhapun ndër Ilirë, e ky asht pasioni i tepruem për pijet alkoolike.Krahas me këtë ves të tyne asht edhe fakti i dëshmuem prej leksikografit të Aleksandrisë, Hezihiut, simbas të cilit Peonët adhurojshin nji perëndi me emnin Dualos, që përputhej me emnin e perëndisë greke të venës, Dionizin.Spjegimin e emnit të këtij hyu që e ka dhanë vet Hezihiu, e vërteton edhe shkenca moderne e filologjisë, e cila emnin e Dualos e nxjerr prej të njajtës rranjë prej kah rrjedh fjala shqipe dej, ( i dejun ) dhe fjala gotike dwals (i çmendun).
Simbas Strabonit Ilirët që kanë banue në Panoni shkojshin me u furnizue me venë në Akuile.Ndoshta në këtë mënyrë vena ka hy në rrafshin e Panonisë shumë kohë para se na lajmëron Straboni.Sidoqoftë Ilirët që kanë jetue gjatë detit Adriatik, kanë pasë rast me e njohtë kualitetin e venës greke shumë ma përpara.Madje nuk duhet të përjashtohet mundësija që Ilirët gjatë bregdetit Adriatik,jo vetëm që e kanë pi venën por e kanë kultivue hardhinë shumë kohë para kolonizimit të Adriatikut nga ana grekëve.
Taulantët kanë qenë të njohtun në antikë për përgatitjen e nji pije të posaçme prej mjalte.Vetë Grekët janë mësue prej Taulantëve si me e përgatitë këtë pije.Jo vetëm ky fis por edhe të tjerët e kanë përdorë si në kohën parahistorike ashtu edhe në periudhën romake.Historiani bizantin Prisku i cili në vjetin 448 të e.r. ka kalue nëpër Panoni në rrugë për në rezidencën e Atilës, na informon se banorët e kësaj krahine pijshin nji pije të fortë, medos, domethanë ujëmjaltë.
Edhe ma e përhapun se ujmjalti ka qenë birra, e quejtun sabaia.Simbas Theopompit Ilirët si meshkujt ashtu edhe gratë e tyne, gjatë gostisë pijshin aq shumë sa deheshin plotësisht dhe burrat u jepshin liri grave të tyne me u përshëndetë me çdo të thirrun tjetër.
Nji veqori interesante të lidhun me përgatitjen e pijeve që na përmendin, Dion Kasi dhe Straboni, asht ajo se Ilirët i kanë njohtë vozat e drunit.
vijon.............................. ka pasur reduktime nga origjinali
Ruaj Lidhjet