Admirali shqiptar, Pirro Rajsa kishte përpiluar një hartë të saktë të Antarktidës, 300 vjet para se të zbulohej kontinenti.
Në 1929 në arkivat e pallatit të sulltanëve - Top Kapi- në Stamboll, u gjet një pergamen i vjetër, i mbështjellë në formë ruloni dhe krejt i mbuluar nga pluhuri. Pergamenit iu hoqën vulat e mbylljes dhe para syve të historianëve u shfaq një dokument i çuditshëm, një hartë e plotë dhe e saktë e Antarktidës.
Historiani turk, Et‘hem Halili, e studioi me kujdes hartën dhe deshifroi vulën e firmën e autorit të këtij dokumenti: Kryeadmirali dhe komandanti i flotës së Perandorisë Turke, Pirro Rajs, viti 1513 ose 919 sipas kalendarit mysliman. Studimi i kujdesshëm i hartës tregoi se admirali kishte shfrytëzuar mbi 20 burime paraardhëse dokumentesh. Në njërin nga mbishkrimet ai vërtetoi se e kishte kopjuar hartën, se ai e dinte shumë mirë që Toka është e rrumbullakët. Boshti i Tokës Jug-Veri ishte i zhvendosur me 5 gradë nga koha e të dhënave fillestare dhe Poli i Veriut e Poli i Jugut ndodheshin në pozicione të tjera nga ato të tanishmet. Këto të dhëna shkenca mundi t‘i vërtetonte në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, por si mundi shqiptari Pirro Rajs t‘i formulonte në shekullin e 16-të, në një kohë kur në Evropë nuk kishte lindur akoma Galileu, Xhiordano Bruno, Koperniku etj., dhe kisha nuk lejonte as idenë se Toka mund të ishte e rrumbullakët.
Pirro Rajs (Rajca)
Pirro Rajs ishte një feudal shqiptar, i cili u vu në fund të shekullit të 15-të në shërbim të sulltanit si studiues hartografik, ku shkëlqeu në këtë fushë dhe u mbiquajt "arnauti" (shqiptari). Për rezultate të shkëlqyera në lundrim shumë shpejt mori titullin admiral dhe më vonë u emërua si kryekomandant i flotës luftarake perandorake. Udhëhoqi flotën turke në shumë beteja fitimtare në Mesdhe, projektoi anije dhe përgatiti atlase që u përdorën gjatë 200 vjetëve nga lundruesit venecianë dhe norvegjezë, që në shekullin e 16-të u përmblodhën në veprën madhore "Kutabi Barine" dhe që u përdor në të gjithë Evropën.
Zbulimi i hartës së Pirro Rajsit e futi shkencën në një debat të vështirë. Harta e admiralit shqiptar është shumë më e saktë se harta e shekullit të 20-të për Antarktidën. Në hartë janë shënuar me saktësi kufijtë, kontinentet, malet, qafat, gjiret, lumenjtë e lagunat, që sot janë të mbushura me akull, janë përshkruar me hollësi brigjet e Antarktidës Jugore. Vetëm me studime intensive u arrit në vitin 1956 të vërtetohej se në Antarktidë, nën shtresën kolosale të akullit, dikur kanë rrjedhur lumenj dhe ka pasur lugina të gjelbëruara. Kufiri i plotë i kontinentit u saktësua pas studimesh të shumta (përfshi dhe ato satelitore) në vitin 1998. Punuan ekspedita të fuqishme amerikane, franceze, gjermane dhe belge, të pajisura me aparatura gjeofizike dhe sisteme kompjuterike të fjalës së fundit të shkencës.
Dhe përfundimi:
Harta e admiralit shqiptar, e firmosur në vitin 1513, ishte absolutisht e saktë. Si është e mundur? Shkencëtarët anglezë thanë: "Një rebus dinamik oriental", francezët "Mistifikim" etj., por fakti mbeti i patundur. Me një studim të imët mbi origjinën e pergamenit dhe shkrimeve mbi hartë u vërtetua autenciteti i saj. U arrit në përfundim se harta ka qenë e madhe dhe se kjo është vetëm një pjesë e saj, pjesa tjetër ka humbur.
Historiani gjeografik, Çarls Hepgud, ua dha një kopje të hartës studiuesve të Specialistëve të aviozbulimit të SHBA-së, pa iu thënë se përse ishte fjala. Këta ekspertë punuan me përgjegjësi dhe arritën në këtë përfundim: harta është përgatitur nga specialistë shumë kohë më parë dhe për ta realizuar kishin përdorur metodat e gjeometrisë sferike. Harta është përgatitur përpara se kontinenti i Antarktidës të mbulohej nga akulli. Njerëzit që e kanë përgatitur këtë hartë (dhe patjetër harta të tjera të globit që kanë humbur) duhet të kenë pasur njohuri të thella në gjeometri, matematikë, astronomi, topografi dhe dispononin mjetet e duhura për zbatimin e këtyre shkencave në praktikë. Dhe kjo duhet të ketë ndodhur 12000 vjet më parë. Nga llogaritjet e sotme del se 15-20 mijë vjet më parë polet e tokës kanë qenë në një pozicion tjetër dhe Antarktida ka qenë një kontinent i gjelbëruar, ndërsa pjesët e tjera të globit tokësor, të mbuluara me akullin polar. Qytetërimi njerëzor ishte në një nivel të lartë dhe dihej se toka ishte e rrumbullakët, dinin të matnin diametrin e saj dhe të kryenin llogaritje e projeksione ekuidistanciale. Në hartën e Pirro Rajsit është hequr drejtimi Jug-Veri, vija kalon nëpër Asuan-Delta e Nilit dhe rrafshnaltën e Gizës, ku më vonë egjiptianët ndërtuan me saktësi astronomike piramidat e famshme.
Shqiptari Pirro Rajs ka lënë sqarimet e tij në polet e hartës, ku shënon se ka kopjuar dokumente të vjetra të para 1500-2500 vjetëve të trashëguara nga Biblioteka e Aleksandrisë. Këto dokumente kanë qenë të kopjuara nga dokumente akoma më të vjetra, që të çojnë deri në 12000 vjet më parë. Me shkatërrimin e Bibliotekës së Aleksandrisë shumë shkencëtarë mundën të fshehin dhe të ruajnë harta e dokumente të rëndësishme që ua linin trashëgim pasardhësve. Shumë vonë është gjetur harta e Evropës Veriore, e cila datohet të paktën të jetë 9 mijëvjeçare. Hulumtimet astronomike dhe klimatike, si dhe legjendat që qarkullojnë në popujt e lagunës së Nilit, në rrafshinën e Judit, në malet e Andeve etj., dëshmojnë se në mijëvjeçarin XII-XI para erës së re në tokë ndodhi një katastrofë globale, kataklizma, që quhet përmbytja e Noes, për shkak të ndryshimeve të theksuara të klimës, masat e akujve shkrinë dhe niveli i oqeaneve e deteve u rrit aq shumë sa përmbyti qendrat e banimit në ultësira. Duke pasur parasysh këtë katastrofë natyrore, paraardhësit e hershëm të qytetërimit morën masa për ruajtjen, ndër të tjera dhe të dokumenteve shkencore, të cilat kopjoheshin dhe transmetoheshin brez pas brezi. Pas zbulimit të hartës së Pirro Rajsit kërkimet shpunë dhe në zbulimin e dy hartave të tjera te ngjashme. Harta e dytë, e përpiluar nga Orontus Finus, gjeograf dhe matematikan italo-francez, është e vitit 1531 dhe tregon Antarktidën të lirë nga akulli. Sipas analizës, del se kjo hartë bazohet në të dhëna akoma më të vjetra se të Pirro Rajsit. Harta e tretë e përgatitur nga akademiku Filip Buashe në shekullin e 18-të është po aq e saktë sa harta e përgatitur në 1956 nga gjeofizikanët modernë dhe e saktësuar nga studimet satelitore. Këto vërtetojnë se kapitenët e qytetërimit super të lashtë 12-15 mijëvjeçarë kanë kryer zbulime po aq të mëdha e të lavdishme sa edhe pasardhësit e tyre të kohëve moderne e ishin po aq të zotë në njohjen e botës e shfrytëzimin e shkencave dhe u lanë trashëgim qytetërimeve pasardhëse (egjiptianëve, sumerianëve etj., njohuritë në lundrim, astronomi, matematikë, ndërtim, hartografi.
M. HABILI
Gazeta SHQIP
05-09-2006
Krijoni Kontakt