Shkrimtarët, këta përbindësha qyqarë


Zija Çela

Është rast i rrallë që një Kryeministër shqiptar, duke u pozicionuar në mbrotje të interesave publike përkundër interesave të disa privatëve të fuqishëm, deklaron se Qeveria e kryesuar prej tij ka vendosur që artit dhe kulturës kombëtare t’u japë një pallat të vërtetë prej mermeri. Argumenti? Sepse e meritojnë.
Është një ide fisnike, gati-gati e marrë për nga bukuria, paksa zuskë për nga joshja, plotësisht e denjë nga morali.
Të ballafaquar me vendimin, që tashmë është zbardhur në web-in zyrtar të Këshillit të Ministrave, të tjerë nxituan që të prononcoheshin, por shkrimtarët nuk ndihen. Zoti Berisha tha gjithashtu se kërkonte më shumë hapësirë për librin, më tepër komoditet për leximin, prandaj do të zgjerohet dhe Biblioteka Kombëtare. Me një fjalë, atij që është i lindur nga pergameni, i premtohet kthimi në Tempull.
Mirëpo shkrimtarët, këta esnafë të penës, prapëseprapë heshtin. Nuk shkruajnë, nuk dalin në gazeta qoftë për të pohuar më minimalen, atë që për çdo qytetar me arsye të shëndoshë është krejt e pranueshme. Në atë Bibliotekë nuk janë vetëm librat tanë, por dhe librat e botës. Dhe as vetëm të një brezi, as vetëm të dy brezave, por të gjeneratave me radhë. Ajo është Banka Mijëravjeçare e Fjalës së Dokumentuar, e aftë që ta furnizojë të ardhmen edhe për shekuj e shekuj të tërë. Për nga vlerat e fondeve të saj, troç fjala, ia kalon shumëfish vetë Thesarit të Shtetit.
Është provokuese ta thuash, por nganjëherë ky xhinsi ynë ta sjellë te hunda. Po t’i binte zjarri Bibliotekës Kombëtare, nuk keni faj nëse në rreshtin e fundit, me ndonjë sapllake ujë në dorë, do të përfytyroni shkrimtarët. Atyre u pëlqen ta tregojnë shpesh përrallën e feniksit që rilind nga hiri i vet, por harrojnë se, pas tragjedisë së përbotshme, Letërsia e madhe rilindi nga hiri i Aleksandrisë.
Pse nuk flasin shkrimtarët, a thua u kanë zënë veshët dyllë?! A thua e kanë të atrofizuar shqisën e Drejtësisë? Shtiren, bëjnë gjasme sikur nuk kujtohen, sikur qëndrojnë edhe mbi vetë realitetin?! Jo, më së shumti nuk guxojnë. Sepse i tillë është komuniteti i shkrimtarëve në Shqipëri (a funksionon ndopak si bashkësi?), është komunitet i qyqarëve, ata e kanë humbur pusullën me vakt. Për disa, të dënuar natyrshëm nga mosha, kasaveti kryesor mbetet prostati. (E këta Zoti i fal.) Të tjerë nuk ndihen më shkrimtarë, se edhe dikur janë ndier gabimisht, e madje këta nuk dinë as të flasin. (E Zoti gjithnjë është zemërgjerë.) Të tjerë akoma, nga më ambiciozët, janë bërë gjithashtu më individualistët. (E Zoti këta i mban nën vëzhgim.) Kurse disa edhe dinë, por edhe nuk munden, ndoshta edhe munden, por edhe nuk duan. (E Zoti prapë ka durim.)
Për rastin në fjalë, do të ishte provë e rëndë t’u kërkohej mendim atyre shkrimtarëve, të cilët punojnë për aksionerët që u cënohen drejtpërdrejt interesat. Megjithatë, sytë shkojnë edhe andej, sepse ka personalitete. Çfarë do të thoshte, ta zëmë, humoristi Filip Çakuli dhe romancierja Rudina Xhunga të Top Channel-it, po poeti Aleksandër Çipa i TVA-së? Çfarë do të thoshte Mira Meksi, konkurrente e atyre të parëve, ndërkohë që Andi Bejtja e tha fjalwn e tij?!
Natyrisht, ka pozicione ku heshtja bëhet më e pranueshme, por kjo nuk është e tëra. Dikur shkrimtarëve mund t’ua mbyllte gojën pushteti, kurse sot... Sot na e mbyll Shën Leku? Edhe ka gjasa, ka mjaft gjasa. Megjithatë, as kjo nuk është gjithçka, tabloja shfaqet më komplekse.
Se ja, për shembull: Lazër Stani rri me veshët në krah për ndonjë emërim të ri, Arian Leka preokupohet për Poetekën, Gentian Çoçoli s’e ka zakon të flasë, Agron Tufa që bënte opozitarin tashti bën rrogëtarin, Fatos Kongoli është tip që e merr lagështirën shpejt, Nasi Lerën e ka zënë gjumi, Shpëtim Kelmendi kërkon vetëm “kokën” e Kadaresë, Luljeta Dano po tretet në etnografi, Diana Çuli hyri në shtrungën partiake, Koço Kosta ka humbur si kripa në ujë, Ervin Hatibi s’ua përton udhëtimeve, Hysen Sinani pret derisa t’ia hedhë ndokush dorashkën, Çlirim Kokonozi është bërë fildish i kullës, Leka Ndoja rrehet me karamele, Filan Fistëku...
Oo, ku shkojmë kështu, miqtë e mi?! Jemi rrudhur, jemi mbledhur, po bëhemi qenie kavanozi. Dhe Zoti vetëm këtë, denatyrimin, nuk e fal.

2.
Kryeministri Berisha, siç nxiton herë pas here, as që u kujdes për ndonjëfarë ambalazhi, ia hapi perlës guackën dhe e lëshoi drejt e në çimento. Mirëpo idetë, për sa janë ide, bëjnë pjesë në idealitet, dhe veçanërisht kur janë kaq transparente, janë të thyeshme përballë realitetit. Aq më tepër që ky vendim, i beftë, i limituar në kohë (tre muaj) si një aksion me goditje të përqëndruar, ngjan ende i papjekur mirë dhe disi i ethshëm. Kurse njëfarë “rektifikimi” që u përpoq të bënte drejtori i QNK-së, Mujë Buçpapa, edhe pse nuk dihet se sa ka qenë i autorizuar, shkoi pa gjurmë, si zogu për hava. Zyrtarëve të këtij rangu gjithmonë u mbetet kocka në fyt, kur provojnë të kafshojnë ndonjë llokmë nga buajt e pushtetit.
Është e njohur aksioma se, në zbatimin e vendimeve, një burri shteti nuk duhet t’i dridhet dora. Ndryshe, ai mund ta ngrohë kolltukun, por jo popullin që qeveris, mbasi prapanica s’mund të bëhet emblemë e shtetit. Megjithatë, sa herë që nga fjala kalohet në veprim, është mirë që shtetari t’i llogarisë gjakftohtë të gjitha kostot. Së pari Ligjin, me një fjalë, prishjen e kontratave ligjore që, me sa duket, janë nënshkruar për 25 vjet. Tashmë kërcëllimat e vringëllimat mes palëve po dëgjohen, Po – Jo, dhe nuk kemi një mosmarrëveshje, por një konflikt antagonist. Aq patën zgjatur dikur, 25 vjet, edhe betejat më kulmuese të shqiptarëve me turqit. Por, qoftë dhe për parodi, cili qenka sot Skënderbeu dhe cilat “hordhitë invaduese”?!.. Së dyti, koston ekonomike, me një fjalë, jo vetëm të asaj që ndreqet, por edhe të asaj që prishet. Të çmontosh një kanal televiziv, është më tepër se të çmontosh një fabrikë, kurse të çmontosh një kompani mediatike, është si të çmontosh një uzinë. Së treti, etikën e sjelljes, me një fjalë, shteti si qiradhënës nuk mund të sillet me arrogancën jakobine. Vërtet, Top Channel, Top Albania-Radio, Platforma Digital dhe TVA, në kuptimin e marrëdhënive me taksapaguesit nuk përfaqësojnë interesa publike. Por kjo nuk do të thotë se nuk janë domosdoshmëri publike, siç janë të gjitha mediat serioze, zëdhënëse të opinionit publik.
Top Channel nuk është hera e parë që gjuhet me top nga istikamet qeveritare. Dikur, një shtegtar që nuk e arriti me dorë një mollë në majë të pemës, e rrëzoi me pushkë. Kuptohet se çfarë i mbeti për të ngrënë. E bukura është e destinuar të gjuhet. Por nuk mund të harrohet gjuajtja më e ligë, liçensimi i kanaleve televizive, kur nëpërmjet instrumentit politik të një maxhorance tjetër, Top Channel u klasifikua si televizion lokal. E pra, qysh atëherë ishte kërkues i së ardhmes, ekran në avanguardë, plot shenja dhe aroma moderniteti. Kurse tashmë, siç lajmërojnë testimet, mbetet më vetëprodhuesi dhe më i ndjekuri.
Vendimi i Qeverisë, nëse zbatohet, nuk ia prish imazhin, por ia lëkund themelet e selisë. Këto themele, për të thënë të vërtetën, Top Channel-i i ka gjithnjë të zëna pisk në rrasa tektonike. Nëse dëshiron t’i mvetësojë njëherë e përgjithmonë, sado hidhur t’i vijë, duhet të mendojë për t’u çliruar përfundimisht nga qeramarrja tek Perëndia e Tërmeteve, shkurt, tek qeveria e sotme apo qeveritë e nesërme. Pas pavarësisë së shteteve, epoka e re nuk ka shënuar asgjë më mvetësuese dhe më frymëmarrëse, sesa pavarësimi i tregut, i institucioneve dhe individit të shoqërisë civile.

3.
Por as për të parën, as për të dytën, për asnjë anë të medaljes shkrimtarët tanë nuk ndihen. Nuk flasin, nuk shkruajnë. E ç’bëjnë, mor aman?!
Po ja, për shembull: Dritëroi ndoshta kollitet, Kadareja mungon ose i bën bisht rastit, Zija Çela jeton me të vdekurit, Mimoza Ahmeti studion kanto, Edmond Tupen nuk e çon larg biçikleta, Moikom Zeqo kruan me dhëmbë gurët e vjetër, Fatos Arapi ende s’i ka pronësuar ullinjtë e trashëguar në Vlorë, Ridvan Dibra mjaftohet me karafilat e Shkodrs, Zyhdi Morava korr frytet e betejave të veta, Virion Graçi ndihet i mënjanuar, Faslli Haliti u stolis me pallaskën e Presidentit, kurse Filan Fistëku adhuron vetveten para pasqyrës së banjës, duke e fshirë kristalin me çorape leshi... Të paktën, kështu thuhet.
Por ama, sidoqoftë, askush të mos guxojë ta prekë enën tonë. Sidomos askush të mos guxojë ta thyejë atë enë, se do të shihni pastaj ç’përbindësha të fjalës dalin nga kavanozi.
Gjithsesi, përbindësha qyqarë.




05/09/2006
shekulli

KATEGORIA: Analiza