Ministri i Punës, Kosta Barka, shpjegon hallkat dhe përfitimet që do të kenë emigrantët në fushën e sigurimeve shoqërore

Barka: Marrëveshje për sigurimet shoqërore me Kanadanë


Eglantina Bardhi

Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Kanada, do të kenë përfitime në fushën e sigurimeve shoqërore. Kështu, kanë filluar negociatat mes Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale me shtetin kanadez që rreth 32 mijë emigrantëve shqiptarë, të cilët kanë punuar dhe kanë paguar kontribute në të dy vendet, të mund të përfitojnë marrjen e pensionit të pleqërisë, duke e tërhequr atë në vendin që kanë vendosur të jetojnë. Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka, në një intervistë dhënë për gazetën «Shekulli», shpjegoi të gjitha përfitimet që do të kenë emigrantët në Itali, Greqi dhe, së fundi, në Kanada, në fushën e sigurimeve shoqërore.

Zoti ministër, para disa javësh ju zhvilluat një vizitë zyrtare në Greqi, me ftesë të homologun tuaj. A mund të na thoni diçka rreth këtij takimi?
Para një muaji, me ftesë të homologut grek, Savvas Tsitouridis, zhvillova një vizitë zyrtare në vendin fqinj. Në qendër të kësaj vizite ishte vlerësimi i bashkëpunimit dypalësh të deritanishëm si dhe identifikimi dhe programimi i fushave të bashkëpunimit në të ardhmen ndërmjet dy vendeve, dy qeverive dhe dy ministrive. Në takimin me ministrin Tsitouridis, biseda u përqendrua në politikat për bashkëpunimin në fushën e punësimit, formimit profesional, emigracionit dhe, veçanërisht, në atë të sigurimeve shoqërore.
Në fund të takimit ramë dakord për rishikimin dhe plotësimin e kuadrit të bashkëpunimit midis dy qeverive, për hartimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes ndërqeveritare të punësimit sezonal të shtetasve shqiptarë në Greqi, për protokollin e bashkëpunimit midis dy ministrive në fushën e sigurimeve shoqërore etj.
Pas kthimit nga vizita në Greqi, në Ministrinë e Punës u ngrit grupi i punës për identifikimin dhe propozimin e ndryshimeve dhe plotësimet në dokumentet e bashkëpunimit dypalësh. Synimi final është nënshkrimi i një marrëveshjeje të re që do të përfshijë të gjitha aspektet e bashkëpunimit shqiptaro-grek në fushën e punësimit, formimit profesional, shërbimeve sociale, sigurimeve shoqërore dhe emigracionit.

Duke u përqendruar te pjesa e bashkëpunimit në fushën e sigurimeve shoqërore, më konkretisht, cilat do të jenë përfitimet direkte të emigrantëve?
Marrëveshja mbi të cilën po punohet, do të zbatohet për personat të cilët janë ose kanë qenë subjekt i legjislacionit të Greqisë dhe të Republikës së Shqipërisë, si dhe të personave në ngarkim të tyre dhe që mbulohen nga legjislacioni i palëve kontraktuese. Kjo do të thotë që ata qindra mijëra emigrantë, të cilët kanë punuar dhe kanë paguar kontribute në të dy vendet, të mund të përfitojnë marrjen e pensionit të pleqërisë, duke e tërhequr atë në vendin që kanë vendosur të jetojnë, pension që do të përfitohet si rrjedhojë e bashkimit të periudhave të sigurimit në të dy vendet.
Marrëveshja dypalëshe që është në proces hartimi, në të vërtetë nuk është thjesht një marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore, por ajo shtrihet më gjerë, në fushën e mbrojtjes sociale, pra që përveç sigurimeve shoqërore, përfshin edhe kujdesin shëndetësor dhe sigurimet shëndetësore.
Grupi teknik pritet të përfundojë punën për hartimin e protokollit të bashkëpunimit me Greqinë deri në mes të shtatorit dhe gjatë vjeshtës do të përfundojnë edhe draftet e marrëveshjes bialterale të punësimit, mbrojtjen sociale, formimin profesional si dhe binjakëzimin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit të Shqipërisë (SHKP) me atë të Greqisë, OAED.
Po ashtu, dëshiroj të nënvizoj se arritja e kësaj marrëveshjeje në fushën e njohjes dhe transferimit të sigurimeve shoqërore nuk është e lehtë. Ajo kërkon kohë për t’u realizuar dhe ka efekte financiare për të dyja palët. E rëndësishme është që ekziston vullneti politik i përbashkët për ta filluar këtë proces.
A ekziston ndonjë marrëveshje dypalëshe me ndonjë vend tjetër në fushën e mbrojtjes sociale?
Ministria e Punës po punon intensivisht për të rritur kontaktet me qeveritë dhe ministritë përkatëse të vendeve të tjera, veçanërisht me ato që konsiderohen si pritëset më të mëdha të flukseve emigratore nga Shqipëria. Qëllimi kryesor i yni është krijimi i urave të përhershme të bashkëpunimit me këto vende në fusha të tilla me interes reciprok si punësimi, formimi profesional, menaxhimi i flukseve migratore, mbrojtja sociale etj. Për sa i përket marrëveshjeve dypalëshe në fushën e mbrojtjes sociale, ku përfshihen edhe njohja reciproke e kontibuteve të sigurimeve shoqërore, kemi nënshkruar marrëveshjen me Turqinë, e cila edhe është ratifikuar nga Parlamenti dhe tashmë ndodhet në proces administriv për zbatim. Po ashtu, kanë filluar negociatat edhe me Bullgarinë dhe Rumaninë për hartimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të reja në fushën e bashkëpunimit dhe mbrojtjes sociale.
Me Hungarinë është negociuar 2/3 e marrëveshjes, pikërisht pjesa që përfshin njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore dhe jemi në proces negocimi për atë pjesë që përfshin sigurimet dhe kujdesin shëndetësor.
Me Italinë dhe Greqinë jemi në proces draftimi të marrëveshjeve dypalëshe dhe, së fundi, kemi filluar negociatat edhe me Kanadanë.
Është e rëndësishme të theksoj se negociatat me vendet që përmenda më lart janë në rrugë të mbarë, ndërkohë që po punojmë me seriozitet dhe me angazhim të plotë për përfundimin e drafteve përkatëse, me qëllim nënshkrimin sa më parë të tyre. Në të njëjtën kohë, do të vazhdojmë të kontaktojmë edhe me vendet e tjera për të diskutuar rreth mundësisë së nënshkrimit edhe me to të marrëveshjeve të bashkëpunimit me interes të ndërsjellë

Intervistoi Eglantina Bardhi

670 mijë emigrantë shqiptarë jetojnë në Greqi sipas Ministrisë së Punës
460 mijë emigratë shqiptarë jetojnë në Itali sipas Ministrisë së Punës
50 mijë emigrantë shqiptarë jetojnë në SHBA sipas Ministrisë së Punës
32 mijë emigrantë shqiptarë jetojnë në Kanada sipas Ministrisë së Punës