I famshmi Kanun i Lekë Dukagjinit mbërriti edhe në duart e japonezëve. Krahas gjuhëve angleze, italiane, gjermane, etj., kodet mesjetare të Shqipërisë së Veriut, u përkthyen edhe në gjuhën e Japonisë së largët, duke zgjeruar kështu gjeografinë e vendeve ku njihet ky kanun.

Është pikërisht studiuesi japonez Kazuhito Yamamoto, përkthyesi i ligjeve të Malësisë së Veriut.

Sipas Radio Kosovës, Yamamoto ishte pjesëmarrës në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare që u mbajt këto ditë në Prishtinë e ku merrnin pjesë një numër i madh i albanologësh dhe studiuesish të gjuhës, letërsisë e kulturës shqiptare.

Në mesin e tyre ishte edhe studiuesi japonez Kazuhito Yamamoto i cili është një nga studiuesit më të zellshëm të Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Ai i ka kushtuar disa studime ligjeve të mbledhura fillimisht nga Shtjefën Gjeçovi.

Kështu, një syresh është “The Tribal Customary Code in High Albania: a Structural Analysis of the Ethics”. Një fjalim ky i mbajtur disa vite më parë në Kongresin e dytë Ndërkombëtar të Antropologjisë në Gjermani.

Si studiues dhe përkthyes i Kanunit, por edhe si pjesëmarrës në seminarin e Gjuhës, Yamamoto pati një takim me zv.ministren kosovare të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Angjelina Krasniqi.

Në takim mori pjesë edhe akademiku Mark Krasniqi. Zëvendësministrja Krasniqi e falenderoi z. Kazuhito Yamamoto për interesimin e tij për kulturën shqiptare si dhe për ndihmën që qeveria japoneze po jep për Kosovën.

Gjatë bisedës, mësohet se Yamamoto, u interesua edhe për përkthimin në gjuhën japoneze të fjalimit të akademikut Mark Krasniqi, të mbajtur në Senatin belg më vitin 1992 ku jepet një histori e shkurtër e Kosovës dhe i represionit serb mbi popullsinë shqiptare në Kosovë. Sipas Departamentit për Marrëdhëniet me Publikun, pranë Ministrisë së Kulturës të Kosovës, në takim mori pjesë edhe z. Selaudin Velaj, një shqiptar me origjinë nga qyteti i Vlorës, i shpërngulur në Amerikë në kohën e Fan Nolit, i cili është një letërkëmbyes i rregullt me Kazuhito Yamamoton.


Marre tek: http://www.a1tv.com.al