Deputetët shqiptarë: Ja kush janë të rinjtë dhe të vjetrit

Dominojnë ushtarët partiak kundrejt asnjë zëri të pavarur. Partitë shqiptare po etablohen në dy blloqe të forta kuq e kaltër, shqiptarët parapëlqejnë vetëm kaltër e kuq

Arsim Sinani

Shkup, 27 korrik - Të zgjedhurit e popullit shqiptar në Maqedoni janë personalitete të ndryshme, në mesin e tyre ka ish rektorë, profesorë, mjek, biznesmenë, komandantë dhe intelektualë të nderuar. Derisa në radhët e Bashkimit Demokratik për integrim risi është emri i ish rektorit të Universitetit të Tetovës prof. dr. Fadil Sulejmani i cili pas pensionit u bë deputet në Parlamentin e Maqedonisë. Deputetllëku i ish rektorit Sulejmani i vjen në kohën kur ai është pensionuar kështu që rroga e deputetit për të do të jetë e mirëseardhur për ditët e pleqërisë.
Në anën tjetër, në radhët e Partisë Demokratike Shqiptare vihet re emri i deputetit Besim Dogani, ish kryetar i Rinisë Demokratike Shqiptare dhe një kohë edhe zyrtar i lartë në Komunës e Gostivarit në kohën kur kryetar ishte Rufi Osmani. Besim Dogani njihet si një djalosh mjaft i vendosur që duke u përleshur me policinë maqedone në ngjarjet e përgjakshme të Gostivarit u plagos, por falë fatit të tij arriti që të shpëtojë, kështu që emri i tij nuk është i panjohur për opinionin shqiptar dhe është një risi e radhës e PDSH-së.

Gazetari Xhevat Ademi, deputet

Po ashtu në radhët e BDI-së për herë të parë deputet është edhe veprimtari i shquar dhe kolegu gazetar Xhevat Ademi, i cili për herë të parë do të ketë mundësi që me oratorinë e tij t'i shfaq kualitet që i ka në foltoren e parlamentit. Ndërsa risi në listën e Partisë Demokratike Shqiptare është edhe ish komandanti Daut Rexhepi-Leka i cili është mjaft popullor në anën e Tetovës.
Ndërsa, nga qyteti i Strugës këtë radhë kemi tre deputetë dy nga radhët e BDI-së veprimtari i shquar Tahir Hanin dhe ish ministri i arsimit Aziz Pollozhani, ndërsa nga radhët e PDSH-së është profesori i gjuhës shqipe Garip Kaba. Për opinionin e Kosovës është interesant të thuhet se Tahir Hani dhe Garip Kaba janë shokë të idealit.
Në radhët e deputetëve të Bashkimit Demokratik për Integrim bien në sy edhe këto emra ai i deputetit Fazli Veliu i cili për herë të dytë do të ulet në ulëset e Kuvendit të Maqedonisë.
Poashtu nga radhët e kësaj partie deputet do të jetë edhe ish ministri i bujqësisë Sadulla Duraku. Ish ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit Agron Buxhaku për së dyti herë do të jetë deputet, gjë që vlen edhe për profesorin universitar nga Gostivari Adnan Jasharin.
Nënkryetari i BDI-së Rafiz Aliti për së dyti do të jetë deputet, por koordinator nuk dihet se a do të vazhdojë të jetë. Nga BDI nuk është më deputet Gëzim Asdreni, i cili deri më tash ka qenë nënkryetar i kuvendit. Ndërsa emrat e rinj që për herë të parë ulen në ulësen e deputetit përveç Fadil Sulejmanit e Xhevat Ademit janë edhe Zimrete Jakupi, Selvie Saliu, Ajshe Selmani dhe Tahir Hani.
Kryetari i Partisë së Prosperitetit Demokratik Abdyladi Vejseli si deputet do të nisë karrierën e tij katërvjeçare, ndërsa në tërësi do të bëhet për së treti herë deputet që i bëhen 12 vjet deputet në parlament.

Arbër Xhaferi me katër mandate
Doajen dhe deputeti që ka fituar katër mandate është edhe Arbër Xhaferi duke e llogaritur mandatin e marrë nga parlamenti e që elektorati ia vërtetoi në kohën kur Arbër Xhaferi nuk pranonte të fliste në gjuhën maqedone (‘94-‘98) dhe e bojkotonte punën e Kuvendit të Maqedonisë.
Për liderin nën hije të PDSH-së Menduh Thaçin ky do të jetë mandati i dytë si deputet edhe pse ka mundur që deputet të jetë edhe në mandatet e kaluara, por që ka parapëlqyer të mos jetë deputet.
Te PDSH-ja shihet se mungon koordinatori i deritanishëm prof. Dr. Zamir Dika.
As nënkryetari i partisë Iljaz Halimi nuk është më deputet në përbërjen e re.

Deputetët e rinj shqiptarë
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në radhët e veta nga gjithsejt 14 deputetë ka 7 deputetë që për herë të parë ulen në parlament që dmth 50% nga numri i përgjithshëm i deputetëve sa ka kjo parti në Parlamentin e Maqedonisë. Pra, nga garnitura e vjetër kanë mbetur 50% dhe 50% janë deputetë të rinj.
Në anën tjetër, nga Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) nga gjithsejt 11 deputetë 8 prej tyre për herë të parë ulen në ulësen e deputetit të Parlamentit të Maqedonisë, apo thënë me përqindje 72% janë të rinj kundrejt 28% deputetë që kanë qenë deri më tani.
Partia e Prosperitetit Demokratik (PPD) nga tre deputetë sa i ka në Parlamentin e Maqedonisë 66, 6% janë deputetë të rinj, ndërsa 33,3% janë të vjetër, dmth vetëm kryetari i kësaj partie, Abdyladi Vejseli.
Nga gjithsej 28 deputetë shqiptarë sa janë në Parlamentin e Maqedonisë 17 deputetë janë të rinj apo 60% kundrejt 40% që kanë qenë edhe në të kaluarën deputetë. Këto shifra flasin për një kualitet të ri në mesin e partive politike shqiptare.
Ajo që bie në sy: ushtarët partiakë janë nominuar për deputetë dhe përbëjnë një numër të madh në mesin e të gjithë deputetëve shqiptarë.
Ajo që bie në sy nga shoqëria civile: nuk kemi asnjë personalitet, gjë që është një hendikep i madh për partitë shqiptare. Zëri i pavarur do të mbetet jashtë foltoreve të Kuvendit të Maqedonisë.

BDI me 14 deputetë
Deputetët nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim janë: Xhevat Ademi, Rafiz Aliti, Teuta Arifi, Ali Ahmeti, Agron Buxhaku, Fazli Veliu, Sadulla Duraku, Zimrete Jakupi, Adnan Jashari, Aziz Pollozhani, Selvije Saliu, Ajshe Selmani, Fadil Sulejmani dhe Tahir Hani.

PDSH me 11 deputetë
Deputet që fituan nga radhët e Partisë Demokratike Shqiptare janë: Arbër Xhaferi, Menduh Thaçi, Garip Kaba, Flora Kadriu, Ruzhdi Matoshi, Vlora Memeti, Daut Rexhepi, Elmaze Selmani, Imer Selmani, Besim Dogani, Naser Ajdini.

PPD me tre deputetë
Deputetet nga radhët e Partisë për Prosperitet Demokratik janë: Abdyladi Vejseli, Blerim Bexheti dhe Safet Neziroviq.