Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Tekstet shkollore, për herë të parë, me pullë sigurie

    Ministri i Arsimit, Pollo, ka udhëzuar drejtorët e DAR-ve të pajisin nxënësit me libra brenda 5 shtatorit

    Tekstet shkollore, për herë të parë, me pullë sigurie

    Udhëzimi i MASH-it thotë që arsimit 9-vjeçar do t’u rimbursohen librat 70%, kurse të varfërve 90 %

    Eglantina Bardhi

    Tekstet shkollore, për herë të parë, do të pajisen me pullë sigurie. Kjo do të thotë se do të shmanget shitja e tyre në tregun e zi me çmime stratosferë. Pikërisht për këtë, ministri i Arsimit ka mbledhur dje në një takim të gjithë drejtorët e drejtorive arsimore rajonale dhe i ka udhëzuar që i gjithë sistemi parauniversitar të pajiset me libra brenda datës 5 shtator. Një udhëzim i tillë, për herë të parë, synon që nxënësit të pajisen në masën 100 për qind me tekste shkollore. Ndërkohë, kreu i arsimit, Pollo, ka bërë me dije drejtorët e DAR-ve se një pjesë e mirë e librave do të rimbursohen nga shteti. Rimbursim në masë do t’u bëhet sidomos fëmijëve të varfër pasi shteti do t’u rimbursojë atyre librat në masën 90 për qind. Sipas drejtorit të Drejtorisë Arsimore të Qarkut të Tiranës, Tahsim Mema, udhëzimi i Ministrisë së Arsimit është një hap shumë pozitiv në lidhje me pajisjen e nxënësve me libra shkollorë. Gjithashtu, fillimi i ri i vitit shkollor sipas udhëzimit të MASH-it, ka parashikuar, për herë të parë, edhe përdorimin e teksteve alternative në arsimin parauniversitar.

    Rimbursimi
    Do të ketë shumë kategori nxënësish që librat shkollorë do t’ua rimbursojë shteti. Megjithatë, përfitim shumë të madh do të kenë sidomos fëmijët e varfër. Kështu, ministri Pollo, në takimin e zhvilluar me drejtorët e drejtorive arsimore rajonale, pohoi se çmimet e teksteve arsimore për arsimin 9-vjeçar të rimbursohen nga shteti në masën 70 për qind. “Përjashtim do të bëjnë nxënësit që përfitojnë ndihmë ekonomike, të cilët do të paguajnë vetëm 10 për qind të teksteve”, - thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit. Ndërkohë, bëhet e ditur se përfitues do të jenë edhe nxënësit e shkollave të mesme në fshatra, pasi rimbursimi i teksteve të tyre nga shteti do të bëhet në masën 35 për qind. Ndërsa sa i përket pjesë tjetër të nxënësve, bëhet e ditur se do t’i paguajnë me lekët e tyre. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, çdo nxënës do të paguajë tekstet ditën e parë të shollës, ditë kjo kur teksteve do t’u vihet edhe pulla e sigurisë. Ndërsa sa i takon parave të mbledhura nga tekstet që do të paguajnë nxënësit, mësohet se do të shkojnë në llogarit bankare të hapura pranë çdo shkolle.

    Komisionet
    Pajisja me libra e sistemit parauniversitar do të jetë një proces i kontrolluar dhe i organizuar në mënyrë korrekte dhe kjo do të bëhet brenda një afati të caktuar. ”Të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme duhet të pajisen me tekstet shkollore brenda datës 5 shtator”, - është theksuar në udhëzimin e kreut të Arsimit, Genc Pollo. Për të arritur pajisjen e librave, në mënyrë sa më korrekte udhëzimi ka parashikuar ngritjen e komisioneve. Këto komisione drejtuesit e drejtorive arsimore do të ngrenë në të gjitha shkollat ku do të realizohet edhe shitja e librave. Ndërkohë, bëhet e ditur se komisionet do të kenë në krye drejtorët e shkollave, një anëtar bordi dhe një udhëzues.

    70 për qind do të rimbursohen tekstet shkollore të arsimit 9-vjeçar

    90 për qind do të rimbursohen tekstet shkollore të fëmijëve të varfër

    35 për qind do të rimburohen tekstet shkollore të nxënësve të shkollave të mesme në fshat

    100 për qind do të pajisen me tekste shkollore nxënësit e arsimit parauniversitar më 2006-2007

    Udhëzimi
    Këtë vit, tekste alternative për arsimin bazë dhe të mesëm. Fund tenderëve të përfolur mes MASH-it dhe shtypshkronjave

    Pollo: Mësuesit zgjedhin vetë tekstet që duan

    Në fillim të vitit të ri shkollor, nxënësit e sistemit parauniversitar dhe disa vite të arsimit të mesëm do të punojnë me tekste alternative. Tekste që nuk do t’i përcaktojë Ministria e Arsimit, por vetë mësuesit që do të japin mësim. Ministri i Arsimit, Genc Pollo, pak muaj më parë theksoi se Bordi i Miratimit të Teksteve, i mbështetur dhe në punën e komisionit të përzgjedhjes, ka miratuar rreth 200 tekste shkollore, ndër 260 tekste të shqyrtuara. Për këtë vit shkollor, 11 nga lëndët e shkollës 9-vjeçare dhe disa tekste të shkollës së mesme do të kenë të paktën nga dy variante tekstesh. “Mori fund epoka e tenderëve e përfolur midis MASH-it dhe shtypshkronjave. Kësaj radhe janë botuesit, autorët dhe shtypshkronjat ata që do t’iu ofrojnë tregut mësimor tekstet më të mira. Natyrisht, edhe pasi kanë kaluar në filtrin e MASH-it, e cila kontrollon përputhshmërinë e tyre me kurrikulën dhe programin mësimor”, - tha ai, duke shtuar se në fronin vendimmarrës nuk janë disa zyrtarë të ministrisë, por janë rreth 35 000 mësues në të gjithë vendin, të cilët do kenë te drejtën, por edhe përgjegjësinë për të përzgjedhur tekstin. Sipas Pollos, këtë vit do të punojnë me tekste alternative klasa e 3-të dhe e 7-të e shkollës bazë, nxënësit e klasës së parë me ‘Abetaren, si dhe disa klasa të shkollës së mesme. “Që nga marsi deri tani, rreth 22 shtëpi botuese kanë marrë pjesë me tekstet e tyre për miratim. Për klasat e mësipërme janë zgjedhur 2-3 tekste alternative, duke përfshirë këtu edhe librin e parë të nxënësit, ‘Abetaren’, e cila ka tri tekste alternative”, - tha ai.

    Shekulli

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    Tekstet shkollore këtë vit kushtojnë “lirë”, merr fund saga e tenderave me shtypshkronjat

    Në tregun shkollor 155 tekste alternative, ose 7 herë më shumë se vjet. MASH-i: “Kjo metodë nxjerr jashtë loje tregun e zi të librit shkollor”

    Tekste me çmime të ulëta parashikohet t’u shiten nxënësve për vitin shkollor 2007-2008 nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, bazuar në rritjen e ofertave të këtyre teksteve për arsimin bazë dhe të mesëm, cilësinë dhe rritjen e konkurrencës.
    Bordi i Miratimit të Teksteve (BOMIT) ka përfunduar miratimin e ofertave të paraqitura. MASH-it bëri të ditur se “vitin shkollor 2007-2008 do të jenë prezent në tregun shkollor 155 tekste alternative nga 23 tekste që u miratuan vitin e kaluar, që ishte edhe viti i parë i Altertekstit. Këtë vit, përveç klasave të treta dhe të shtata të arsimit bazë, janë pajisur me tekste alternative edhe klasat e katra dhe të teta (38 tituj me tekste alternative), si dhe 10 nga lëndët e viteve II, III dhe IV të Arsimit të Mesëm.
    28 shtëpi botuese paraqitën 234 tekste dhe prej tyre u miratuan 130 tekste. Vlerësimi i ofertave të paraqitura, që bëhet në bazë të kurrikulës zyrtare, cilësive teknike, të çmimit, anës gjuhësore dhe shkencore u realizua nga 250 mësues, profesorë dhe gjuhëtarë.
    Vitin e kaluar maksimumi i teksteve alternative për një titull lënde ishte deri në tre tekste, ndërsa këtë vit ky numër arrin deri në 6 tekste për një titull lënde.
    Kjo reformë e Altertekstit është përmendur në progres-raportin për Shqipërinë të Komisionit Europian të publikuar në nëntor 2006.
    Sipas MASH-it, “sistemi i vjetër ofronte një gënjeshtër, pasi pohohej se tekstet në shkollën bazë ofroheshin falas, por afro gjysma e prindërve detyrohej të blinte librat jocilësorë në treg të zi”.
    Tekstet, tani përzgjedh mësuesi
    Vendimi për tekstet shkollore parashikon se këto tekste nuk sigurohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, por nga rrjeti i botuesve privatë, që do të thotë se të drejtën e përzgjedhjes e ka mësuesi që e përdor tekstin me nxënësit e tij. Për këtë qëllim, lejohet që, në vend të një teksti të detyruar nga Ministria, mësuesit t’i paraqiten variante të ndryshme të përgatitura nga botues privatë, prej të cilave ai përzgjedh. Për më tepër, fondet e subvencionit shtetëror për tekstet shkollore nuk shkojnë për të financuar prodhuesit e teksteve, por kalojnë në dorën e përdoruesve të teksteve, domethënë shkollave.
    Nuk do të ketë “tekst fitues” të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, por tekste alternative për një titull, të certifikuara nga Bordi i Miratimit të Teksteve (BOMIT) pranë MASH-it.
    Cilësia, një bord i posaçëm bën vlerësimin
    Për vlerësimin e cilësisë së përmbajtjes së teksteve, BOMIT përzgjodhi një numër të madh specialistësh dhe mësuesish, me të cilët u krijuan grupet e komisionerëve (GRUK) sipas lëndëve. BOMIT është angazhuar posaçërisht që tekstet e miratuara të kenë tregues të lartë të anës shkencore dhe gjuhësore, duke synuar kështu të japë një mesazh për nevojën e sigurimit të cilësisë në këto dy aspekte. Përveç mësuesve, që u përzgjodhën për vlerësimin e aspekteve metodike të përmbajtjes, në secilin GRUK bënin pjesë edhe pedagogë, për shqyrtimin e anës shkencore të përmbajtjes, si dhe gjuhëtarë të nivelit të pedagogut për shqyrtimin e anës gjuhësore. Komisionerët u trajnuan për disa ditë me radhë nga Qendra e Trajnimit dhe Kualifikimit për Arsimin (QTKA), për të kuptuar thelbin e reformës, idetë e vlerësimit dhe teknikat përkatëse. Caktimi i Komisioneve të Vlerësimit të Teksteve (KOMT) u bë me short nga BOMIT, duke u përqendruar te GRUK-et e ngritura. Më tej vijoi procesi i vlerësimit të teksteve nga KOMT-et, sipas një sistemi me rregulla që siguronin fshehtësi dhe pamundësi komunikimi të komisionerëve gjatë procesit të punës për vlerësimin e teksteve. Në përfundim të krejt procesit për këtë fazë të parë, BOMIT miratoi rreth 56% të teksteve të shqyrtuara.
    Alterteksti
    Vendimi i Këshillit të Ministrave në 8 mars të vitit 2006, zyrtarizoi mënyrën e re dhe reformën në sigurimin e teksteve shkollore, Altertekst, si dhe ngritjen e Bordit të Miratimit të Teksteve pranë MASH-it, i cili shqyrton paraprakisht të gjitha tekstet e propozuara nga botuesit dhe certifikon prej tyre ato që do t’i paraqiten shkollës për përzgjedhje sipas kritereve të përmbajtjes, të cilësive teknike dhe të çmimit. Thelbi i reformës është çlirimi nga monopoli dhe krijimi i tregut të teksteve i mbështetur në konkurrencën e subjekteve private që i përgatisin këto tekste.
    Me anën e kësaj reforme, mori fund saga e tenderave të shumëpërfolur me shtypshkronjat. Mësuesve u kaloi pushteti dhe përgjegjësia e përzgjedhjes së teksteve. U rrit cilësia fizike dhe përmbajtjesore e librave. Sistemi që ne po aplikojmë këtë vit është ai që përdoret dhe në vendet e Bashkimit Europian, si dhe në vendet e tjera të rajonit tonë.

    Box Efektet kryesore të reformës me tekstet
    1. Arritja pranë standardeve europiane të cilësisë të teksteve shkollore për një cikël 3-4 vjeçar. Po kështu edhe ulja e çmimeve përkatëse në rrjedhim të konkurrencës në treg

    2. Përmes Altertekstit, objekt i vlerësimit a shpërblimit financiar është truri. Autorët e teksteve, krahas botuesve, janë ata që përfitojnë më shumë nga kjo reformë
    3. Me anën e Altertekstit mësuesi bëhet vendimmarrës në përzgjedhjen e tekstit, me të cilin do të punojë. Kjo zhvillon edhe autonominë shkollore

    4. Së fundi, Alterteksti, që përdoret gjerësisht në Bashkimin Europian, i jep fund kapitullit të përfolur të tenderave me shtypshkronjat

    Matura Shtetërore “izolon” specialistë për hartimin e testit të Letërsisë

    Specialistët që po punojnë për hartimin e tezës së provimit, ndryshe Formulari A2 për studimet e larta, janë mbyllur dje në mjediset e Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve te Nxënësve (AVA), për hartimin e testit të Letërsisë për Maturën Shtetërore 2007.
    Drejtoria e Kurrikulave i ka dërguar zyrtarisht AVA-s programet orientuese lëndore për Formularin A2, që do nisë të plotësohet nga kandidatët për shkollë të lartë më 10 qershor. Hartimi i fondit të kërkesave të testeve është bazuar në matricën e specifikimeve, ndërsa përgjegjësi i grupit lëndor do të hartojë 3 modele testesh mbi bazën e kërkesave me karakteristika të njohura. Ndërkaq, paralelisht me hartimin e tezës, përcaktohet edhe skema e vlerësimit. Modelet e testeve do t'i dorëzohen me procesverbal drejtorit të AVA-s, që do t'i ruajë ato në kasafortë, në sekret të plotë. Të drejtën e përzgjedhjes së modelit përfundimtar e ka vetëm Ministria e Arsimit dhe Shkencës, që më pas do të bëjë shumëfishimin dhe paketimin e test-broshurave. Ato do të shpërndahen në Drejtoritë Rajonale Arsimore, të cilat do t’ua përcjellin drejtorive të shkollave.

    Albania

Tema të Ngjashme

  1. Institucionet Shkollore - Qendra Kriminale
    Nga ILMGAP në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 63
    Postimi i Fundit: 26-08-2009, 14:15
  2. Përgjigje: 19
    Postimi i Fundit: 13-07-2009, 10:48
  3. Këshilla dhe udhëzime rreth provimeve shkollore
    Nga titi-a në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 28-12-2008, 09:44
  4. Certifikatat e maturës me 12 elemente sigurie
    Nga Albo në forumin Mentori akademik
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 08-08-2006, 09:34
  5. Programet shkollore per gjuhen shqipe
    Nga Albo në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 29-09-2003, 01:45

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •