Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Emigrantët, 9 kushtet për të përfituar pension

    Flet drejtori i Kontributeve në ISSH, Naim Balluku

    "Emigrantët, 9 kushtet për të përfituar pension"

    Blerina KACA

    Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka përcaktuar një sërë kriteresh të reja si dhe dokumente për të gjithë emigrantët jashtë Shqipërisë, të cilët duan të përfitojnë sigurime shoqërore. Nëpërmjet skemës së sigurimit vullnetar, ku një emigranti i duhet të derdhë 3929 mijë lekë në muaj, bëhet i mundur edhe sigurimi. Sipas drejtorit të Kontributeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Naim Balluku, kontributet mund të paguhen tremujore dhe kur këto paguhen paradhënie zbritet 1,5 për qind nga shuma e kontributeve; kur pagesa bëhet gjashtëmujore emigrantëve iu zbritet 3 për qind e kontributeve dhe kur pagesa bëhet vjetore, zbritja e përqindjes është më e madhe dhe arrin në 6 për qind. Sipas specialistëve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, ndryshimet kalendarike të masës së kontributit nuk ndryshojnë për personat të cilët i kanë realizuar paradhënie pagesat e kontributeve. Kjo do të thotë, që nëse një shtetas paguan paradhënie disa vite, ai përfiton duke mospaguar tërësisht shtesën vjetore të masës së kontributit mujor, e cila në të shumtën e rasteve është 10 për qind. Gjatë një interviste për gazetën "Tirana Observer", drejtori Balluku tregon se vihet re një interesim shumë i madh nga kategoria e emigrantëve për t'u siguruar në mënyrë vullnetare, pasi një pjesë e mirë e të larguarve kanë pasur vite pune të cilat nuk u interesojnë t'i humbasin.

    Çfarë është sigurimi vullnetar?

    Kur një shtetas shqiptar për një arsye apo për një tjetër nuk është i siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm, ka të drejtën e sigurimit vullnetar. Kjo e drejtë u lind të gjithë shtetasve 30 ditë pasi janë shkëputur nga sigurimi i detyrueshëm. Përjashtohen nga kjo skemë të gjithë personat që janë në kushte përfitimi nga sigurimi i detyrueshëm. Personat e interesuar për vazhdim sigurimi kanë të drejtë të paguajnë kontribute deri në nivelin maksimal, për përfitime në nivel maksimal. Për këtë, atyre u duhet të paguajnë kontribute mbi një shumëfish të kontributit minimal, që i korrespondon kontributit të llogaritur mbi një shumëfish të pagës minimale të miratuar për efekt pagese të kontributeve të sigurimeve shoqërore. Nëse këta persona rikthehen në veprimtarinë ekonomike, ndërpresin sigurimin vullnetar dhe vazhdojnë në sigurimin e detyrueshëm.

    Kush ka të drejtë të përfitojë sigurime vullnetare?

    Përfitojnë të gjithë të vetëpunësuarit, duke përjashtuar të vetëpunësuarit në bujqësi, skemë për të cilën financon shteti, punëdhënësit, emigrantët. Nëpërmjet skemës së sigurimit vullnetar mund të mbulohen edhe periudha të pambuluara nga skema e sigurimit të detyruar. Kontributi që paguhet në këtë rast do të jetë në masën e kontributit minimal për periudhën e pagesës së tyre, pra do të jetë i barabartë me masën e kontributit që është në fuqi.

    Cilat janë kushtet që duhet të plotësojë një shtetas shqiptar për t'u siguruar në mënyrë vullnetare?

    Që një shtetas shqiptar të sigurohet vullnetarisht duhet të ketë mbushur moshën 18 vjeç, sigurimi bëhet para lindjes të së drejtës për përfitim, si dhe të vetëpunësuarit në bujqësi të cilët përfitojnë nga mbështetja e qeverisë nëpërmjet buxhetit të shtetit dhe nuk kanë të drejtë të sigurohen vullnetarisht.
    Aktualisht kontributi mujor për të përfituar nga kjo skemë është 3929 lekë, e cila ndryshon në çdo vit kalendarik/lekë. Edhe për sigurimin e periudhave të kaluara do të paguhen me këtë shumë, për arsye se pensionet indeksohen çdo vit. Kontributet mund të paguhen tremujore dhe në këtë rast kur paguhen paradhënie zbritet 1,5 % nga shuma e kontributeve, mund të paguhen gjashtëmujore dhe në këtë rast zbritet 3 % nga shuma e kontributeve, por mund të paguhen edhe vjetore, dhe në këtë rast zbritet 6 % e kontributeve. Ndryshimet kalendarike të masës së kontributit nuk ndryshojnë për persona të cilët i kanë realizuar paradhënie pagesat e kontributeve. Kjo do të thotë, që nëse një shtetas paguan paradhënie disa vite, ai përfiton duke mos paguar tërësisht shtesën vjetore të masës së kontributit mujor, e cila në të shumtën e rasteve është 10 %.

    Si realizohet sigurimi vullnetar?

    Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka aktivizuar të gjithë strukturat e tij në drejtoritë rajonale dhe agjencitë e Sigurimeve Shoqërore për të lehtësuar të interesuarit si për sqarimet përkatëse ashtu edhe për sigurimin e tyre. Ndërmjet personit që do të sigurohet vullnetarisht dhe punonjësit të autorizuar nga ISSH, që mund të jetë edhe agjent i kontraktuar brenda ose jashtë vendit, lidhet një marrëveshje për sigurimin vullnetar. Tipi i marrëveshjes është në varësi të vendit ku lidhet kjo marrëveshje.

    Si mund të bëhet sigurimi vullnetar për emigrantët?

    Emigrantët mund të autorizojnë të afërmit e tyre për të lidhur marrëveshje me strukturat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore në nënqarkun ku kanë banuar, ku mund të kenë arkivuar dhe vjetërsi në punë nëpërmjet sigurimit të detyrueshëm. Po kështu, nga ana e Institutit të Sigurimeve Shoqërore po bëhen të gjitha përpjekjet për hapjen e agjencive për sigurimin vullnetar në vendet ku jetojnë dhe punojnë emigrantët, sidomos në Greqi dhe në Itali, për të lehtësuar procedurat e këtij sigurimi. Bëhet e ditur se sapo është lidhur një kontratë me Bankën Amerikane të Shqipërisë që ka filiale në Greqi, e cila ka marrë përsipër sigurimin vullnetar të shtetasve shqiptarë duke i krijuar atyre të gjitha lehtësitë e këtij shërbimi. Kjo bankë merr përsipër t'u japë informacion të interesuarve për sigurimin vullnetar, të lidhë marrëveshje në emër të ISSH-së, duke vepruar në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore që veprojnë në këtë fushë. Për personin e interesuar për sigurim vullnetar si dokument identifikimi në mungesë të certifikatës personale të lindjes apo të pasaportës mund të pranohet edhe dokumenti i lëshuar nga autoritetet shtetërore greke, i konfirmuar nga konsullata greke në Athinë. Banka Amerikane e Shqipërisë plotëson në prezencë të klientit dhe në konsultim me të marrëveshjen e sigurimit vullnetar me të gjitha rubrikat e kërkuara. Për çdo pagesë të kryer nga secili prej emigrantëve, përpilohet mandat-arkëtimi, ku shënohet qartë identiteti i klientit, data e kryerjes së arkëtimit, shuma e arkëtuar në euro dhe kundravlefta në lekë që i përgjigjet masës ligjore për një sigurim të kërkuar nga i interesuari, sipas kursit të ditës së kësaj banke. Në rastet kur emigrantët kthehen në Shqipëri përkohësisht apo përgjithmonë, mund të kontaktojnë me agjencitë e Sigurimeve Shoqërore në nënqarkun përkatës, ku do t'u jepet ndihma e nevojshme për të bërë sigurimin vullnetar.

    Kushtet qe duhet teplotesojne emigrantet per t'u sguruar

    1 Të kenë mbushur moshën 18-vjeç.
    2 Të jetë i siguruar para lindjes të së drejtës për përfitim.
    3 Të vetëpunësuarit në bujqësi që përfitojnë nga mbështetja e shtetit, nëpërmjet buxhetit të shtetit, nuk kanë të drejtë të sigurohen vullnetarisht.
    4 Kontributi mujor për të përfituar nga kjo skemë është 3742 lekë.
    5 Kjo vlerë ndryshon në çdo vit kalendarik.
    6 Nëse kontributet paguhen paradhënie për tre muaj, atëherë personit i zbritet 1,5 % nga shuma e kontributeve.
    7 Nëse paguhen paradhënie për gjashtë muaj, atëherë personit i zbritet 3 % nga shuma e kontributeve.
    8 Nëse paguhen paradhënie për një vit, atëherë personit i zbritet 6 % nga shuma e kontributeve.
    9 Nëse paguhen disa vite njëherësh paradhënie, atëherë personit i zbritet deri në 10 % nga kontributet.


    TiranaObserver

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    Si funksionon skema e sigurimeve vullnetare për të vetëpunësuarit në bujqësi e blegtori

    Fermerët, si mund të përfitojnë pension

    Skema e sigurimeve vullnetare është e vlefshme edhe për të gjithë të vetëpunësuarit në bujqësi, si dhe fermerët. Sipas ligjit, sigurimi për të vetëpunësuarit në bujqësi është i detyrueshëm për të gjithë personat e aftë për punë nga mosha 16 vjeç deri sa plotësojnë moshën për pension pleqërie, që nuk janë të siguruar në sektorë të tjerë e që zhvillojnë aktivitet bujqësor. Sigurimi nga të vetëpunësuarit në bujqësi bëhet më vete për secilin kontribues, pavarësisht nga forma e veprimtarisë private që ata kryejnë. Përjashtohen nga ky detyrim nxënësit e shkollave, studentet dhe persona të tjerë që vazhdojnë kurse apo kryejnë shërbimin e detyruar ushtarak.

    Skema

    Skema e sigurimit vullnetar për fermerët është mundësi e madhe që u jepet atyre për të plotësuar vjetërsinë e plotë e për të përfituar pension të plotë me sigurimin si fermer, por në mënyrë të veçantë kjo është një ndihmë e madhe për nënat me shumë fëmijë. Sipas nenit 34 të ligjit Nr. 7703, personat e siguruar për një kohë më pak se 35 vjet dhe më shumë se 15 vjet, sigurimi (ndryshuar me ligjin 9337, datë 21.04.2005, nga 20 vjet që ishte) kanë të drejtë të përfitojnë pension të pjesshëm pleqërie kur kanë arritur 65 vjeç burri dhe 60 vjeç gruaja. Duke siguruar periudhat nga viti 1993 deri në vitin 2005, bëhet e mundur për ata persona, që për arsye të ndryshme nuk arrijnë të kenë vitet e mjaftueshme për pension të pjesshëm, me derdhjen e kontributeve si fermer arrijnë ta përfitojnë atë.

    Përfitimi

    Të gjithë fermerët përfitojnë nga skema e sigurimit vullnetar pension pleqërie e invaliditeti, ndërsa fëmijët përfitojnë pension familjar në rast fatkeqësie. Gratë përfitojnë pagesën e raportit të barrëlindjes për një vit dhe shpërblim lindjeje, dhe kjo u llogaritet si vit sigurimi. Gjithashtu edhe vizitën mjekësore falas dhe kompensimin e çmimit të barnave mjekësore në rast sëmundjeje.
    Këtu kihet parasysh fakti që me një pagesë minimale përfitohet pension ashtu sikurse përfitojnë subjektet në qytet. Po të bëjmë një llogari, vetëm nga leja e lindjes, një e siguruar në fshat përfiton 55.890 lekë, e cila është mbi 5 herë më e madhe se sigurimi i vitit 2006. Ose, një pension mujor është afërsisht i barabartë me sigurimin e një viti në skemën e sigurimeve shoqërore.

    Kriteret per sigurimin e fermereve

    1 Nëse për një të vetëpunësuar në qytet kontributi vjetor për vitin 2006 është 58.866 lekë, për një fermer në zonat fushore kontributi vjetor është vetëm 9.450 lekë.
    2 Në rrethet malore është 6.275 lekë ose i vetëpunësuari në bujqësi paguan më pak, respektivisht 49.416 lekë dhe 52.591 (respektivisht sipas zonave) të kontributit të një të vetëpunësuari në qytet.
    3 Së bashku me sigurimin shëndetësor masa e kontributit kap shumën 12,650 lekë në zonat fushore dhe 8,140 lekë në zonat malore.
    4 Vetëm sigurimi shoqëror, pa përfshirë atë shëndetësor, duke filluar nga data 01.04.2006, është i barabartë me një vleftë prej 10.000 lekë në zonat fushore dhe 6.500 lekë në ato malore.
    5 Zonat malore përfshijnë rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë.
    6 Mesatarisht një fermer paguan rreth 16 për qind të shumës që paguan një i vetëpunësuar në qytet.
    7 Në bazë të pikës 2 të kreut të IV-të të vetëpunësuarit në bujqësi regjistrohen në agjencitë e Sigurimeve Shoqërore, pas paraqitjes së certifikatës së gjendjes civile dhe njërit nga aktet e mëposhtme:
    a) Certifikatë personale
    b)Vërtetim pronësie mbi tokën, lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të komunës ose bashkisë;
    c)Akt-noterial që vërteton tjetërsimin e pronës (p.sh. qiramarrje etj).
    8 Në çdo rast aktet duhet të jenë të shoqëruara me vërtetimin e lëshuar nga komuna, ku personi ushtron veprimtari, bujqësore apo blegtorale.

    Çfarë përfitojnë fermerët nga kjo skemë

    Të gjithë fermerët dhe të vetëpunësuarit në bujqësi përfitojnë nëpërmjet skemës së sigurimeve shoqërore pension pleqërie e invaliditeti, ndërsa fëmijët përfitojnë pension familjar në rast fatkeqësie. Gratë përfitojnë pagesën e raportit të barrëlindjes për një vit dhe shpërblim lindjeje, dhe kjo u llogaritet si vit sigurimi. Vizitën mjekësore falas dhe kompensimin e çmimit të barnave mjekësore në rast sëmundjeje. Këtu kihet parasysh se me një pagesë minimale përfitohet pension ashtu sikurse përfitojnë subjektet në qytet. Po të bëjmë një llogari, vetëm nga leja e lindjes një e siguruar në fshat përfiton 55.890 lekë, e cila është mbi 5 herë më e madhe se sigurimi i vitit 2006. Ose, një pension mujor është afërsisht i barabartë me sigurimin e një viti në skemën e sigurimeve shoqërore.

    TiranaObserver

Tema të Ngjashme

  1. Emigrantët, rrezik kombëtar për Greqinë?...
    Nga DYDRINAS në forumin Emigracioni
    Përgjigje: 27
    Postimi i Fundit: 17-02-2009, 22:42
  2. Pensionet, si ndahen profesionet në të thjeshta dhe të vështira
    Nga Zemrushja në forumin Ekonomi & biznes
    Përgjigje: 30
    Postimi i Fundit: 14-07-2007, 21:28
  3. Majmen nga taksat edhe në pension pushtetarët.
    Nga Humdinger në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 07-11-2006, 22:05
  4. UDB: Dosja per emigrantet shqiptare ne Itali
    Nga Xhuxhumaku në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 03-08-2005, 18:04
  5. Greqi,izolohen emigrantet
    Nga kolombi në forumin Emigracioni
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 30-01-2005, 13:14

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •