Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 8
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    SHKRIMI I SHENJTË: Kapitulli IV: Historia e Shpëtimit

    Fjala dhe Fryma


    Është dëshmia konstante e Biblës dhe e Kishës se Perëndia vepron ndaj botës nëpërmjet Fjalës së Tij dhe Frymës së Tij.

    Perëndia i krijoi të gjitha gjërat me anë të Fjalës së Tij dhe Frymës së Tij. Ai e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Tij hyjnore për të marrë pjesë në Fjalën e Tij dhe për të jetuar prej Frymës së Tij. Të gjithë njerëzit e shenjtë të Perëndisë e marrin Fjalën e Perëndisë dhe Frymën e Perëndisë. Patriarkët, profetët dhe apostujt, të gjithë shpallën Fjalën që erdhi tek ata nga Perëndia nëpërmjet Frymës së Perëndisë. Ligji i Moisiut dhe Profetët, Psalmet dhe të gjitha shkrimet e Dhiatës së Vjetër dhe të Re janë Fjala e Perëndisë, shkruar dhe interpretuar nga njerëz nëpërmjet Frymës së Perëndisë. Gjithmonë dhe kudo, në Bibël dhe në Kishë, Perëndia e zbulon Veten dhe vepron në njeriun dhe në botën me anë të Fjalës së Tij dhe Frymës së Tij.

    Pohimi qendror i besimit të krishterë dhe esenca e vërtetë e ungjillit të tij dhe jetës është se Fjala e Perëndisë u bë njeri si Jisui i Nazaretit, Mesia i Izraelit dhe Zoti dhe Shpëtimtari i botës. Jisui i Nazaretit është Fjala hyjnore e Perëndisë në formë njerëzore. Ai është Fjala personale e Perëndisë i Cili ishte “në fillim me Perëndinë”, Fjala “me anë të tij u bënë të gjitha gjërat” (Joani 1:2). Ai është Fjala e pakrijuar e Perëndisë sipas shëmbëlltyrës të të Cilit janë krijuar të gjithë njerëzit. Ai është Fjala e Perëndisë i Cili erdhi te patriarkët dhe profetët dhe i Cili është mishëruar në Bibël në formë skripturale. Ai është Fjala e Perëndisë i Cili vdiq në kryq dhe u ngjall së vdekurish. Ai është Kreu i Kishës e cila është Trupi i Tij dhe Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë. Ai është Fjala e Perëndisë me të Cilin dhe nëpërmjet të Cilit Fryma e Shenjtë erdhi në botë.

    Shpirti i Shenjtë i Perëndisë (ose Fryma e Shenjtë) erdhi personalisht tek njerëzit prej Atit nëpërmjet Jisu Krishtit, Fjalës së mishëruar të Perëndisë. Ai erdhi tek ata që besuan në Krishtin dhe i përkasin Atij nëpërmjet besimit dhe pendimit dhe pagëzimit në Kishën e Tij. Ai është Shpirti që zbriti mbi nxënësit në Rushajet, që është, gjithashtu, po Ai me anë të fuqisë së të cilit bota u krijua dhe ekziston vazhdimisht. Ai është Shpirti që u fry tek njerëzit nga Perëndia për t’i bërë ata të jetojnë sipas ngjashmërisë së Tij hyjnore. Ai është Shpirti që frymëzoi Ligjin dhe profetët dhe të gjithë Shkrimin e Shenjtë, duke siguruar prodhimin dhe ruajtjen e tij, si edhe interpretimin e tij në jetën e besimtarëve. Ai është i njëjti Shpirt i Shenjtë që banon në Kishë, duke e bërë të mundur plotësine e jetës së saj misterore dhe shpirtërore. Ai është Shpirti i Perëndisë i Cili, me anë të pranisë së Tij tek njerëzit në botë, është zotimi dhe premtimi i Mbretërisë së Perëndisë që do të vijë. Ai është Shpirti i Shenjtë i Perëndisë i Cili do të mbushë një ditë, në Ditën e Zotit, të gjithë krijimin me praninë e Perëndisë.

    Kështu, i gjithë krijimi, shpëtimi dhe lavdërimi i botës, e gjitha ajo që ne e quajmë “historia e shpëtimit,” varet në Perëndinë dhe Fjalën e Tij dhe Shpirtin e Tij, Trinia e Tërëshenjtë, e Cila në Kishë dhe në Mbretërinë, “i mbush të gjitha në të gjithë” (Efesianët 1:23; Shih Vëllimi I Doktrina dhe Vëllimi II Adhurimi).
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 19-08-2006 më 21:45

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    Pre-historia


    Bibla fillon me historinë e krijimit dhe, me bërjen e njeriut. Ndonëse shpesh Bibla jep lista të brezave të njerëzve qysh prej krijimit të Adamit (Kronikat 1:1; Lluka 4:38), historia e shpëtimit në kuptimin më të plotë, fillon me Abrahamin, paraardhësi i Izraelit dhe stërgjyshi i parë i Krishtit, “sipas mishit.”

    Tregimi i krijimit, dhe kryesisht ajo e Adamit dhe Evës, jep zbulesën hyjnore rreth sovranitetit absolut të Perëndisë mbi të gjithë krijimin. Ai flet për mirësinë e gjithçkaje që ekziston dhe epërsinë e njeriut mbi të gjitha qeniet e tjera. Ai tregon sesi origjina e të keqes nuk është në Perëndinë, por në krijesën e Tij më të përsosur, veprimi i lirë mëkatar i të cilit solli të keqen dhe vdekjen në botë (Shih Vëllimi I Doktrina).

    Kapitujt e Zanafillës 1-11 quhen “pre-historia” e shpëtimit, sepse, me pak përjashtime, si ai i Noes së drejtë, këto kapituj janë pothuaj krejtësisht një tregim i mëkatit. Ato fillojnë me rebelimin fillestar të njeriut kundër Perëndisë dhe tregojnë se veprimi i parë i bijve të njerëzve ishte vrasja e vëllait. Ato tregojnë hidhërimin e Perëndisë për krijimin e botës kur Ai “pa se ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja e vazhdueshme”, dhe se toka ishte “korruptuar... plot me dhunë... sepse çdo mish i tokës kishte shthurur sjelljen e tij” (Zanafilla 6:5-12). Ato mbarojnë me tregimin simbolik për mendjelehtësinë e fundit të njerëzve kur thanë “t’i bëjmë një emër vetes” kur donin të ndërtonin “një kullë maja e së cilës të arrijë deri në qiell” (Zanafilla 11:4). Me anë të tregimit të kullës së Babelit tregohet arroganca krenare e njeriut që përfundoi në ndarjen e kombeve dhe shpërndarjen e njerëzve “mbi tërë faqen e dheut” (Zanafilla 11:9).

    Pre-historia e krijimit, tregimi i mëkatit, është një kundër-simbol fillestar i shpëtimit në Krishtin. Ngjarjet e këtyre kapitujve të parë të Biblës, para thirrjes së Abrahamit, e gjejnë interpretimin e tyre të vërtetë në ngjarjet shpëtimtare të ardhjes së Krishtit dhe të Shpirtit të Shenjtë në dhiatën e fundit dhe përfundimtare të Perëndisë me Popullin e Tij.

    Krishti është Adami i Vërtetë. Adami i parë ishte thjesht “figura e atij që do të vinte” (Romanët 5:14).

    Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesim në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin.

    Kështu është shkruar, “I pari njeri, Adami, u bë frymë e gjallë”; i pastajmi Adam, shpirt që jep jetë. Edhe nuk u bë më parë ajo e shpirtit, por ajo e gjallesës, pastaj ajo e shpirtit. Njeriu i parë është prej dheut, prej baltës; njeriu i dytë është Zoti prej qielli. Siç është i baltës, të tillë janë ata të baltës, dhe siç është qiellori të tillë janë qiellorët (1Korinthianët 15:22, 45-49).

    Fjala Adam vjen nga hebraishtja “adamah” që do të thotë dhé. Fjala Krisht, në hebraisht Mesia, do të thotë “i lyeri, i vajosuri” i Perëndisë. Ashtu si Krishti është Adami i ri, ashtu edhe nëna e Tij, Maria është Eva e re, sepse ajo është me të vërtetë “nëna e tërë të gjallëve,” që është edhe kuptimi i emrit që iu dha “ndihmëses” fillestare të burrit (Zanafilla 3:20). Simbolizmi biblik vazhdon me Kishën e Krishtit si “arka e shpëtimit” e vërtetë në të cilën “çdo gjë e gjallë” shpëtohet (Zanafilla 6:9; 1 Pjetri 3:20-22). Dhe ngjarja e Rushajeve kthen mbrapa tragjedinë e Babelit, kur me anë të zbritjes së Shpirtit të Shenjtë mbi Kishën e Krishtit, të gjitha ndarjet kombëtare u kapërcyen dhe të gjithë njerëzit “nga të gjitha anët e dheut” u sollën në bashkim nga Perëndia në Krishtin.

    Kështu pre-historia e mëkatit të njeriut është kundër-simboli i drejtësisë së tij në Perëndinë që është realizuar në Krishtin, “bir i Abrahamit” në bijtë e të cilit të gjitha familjet e tokës janë bekuar nga Perëndia (Zanafilla 12:3).

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    Abrahami


    Historia e shpëtimit, e ashtuquajtur me të vërtetë, fillon me Abramin, të cilin Perëndia e quajti Abraham që do të thotë “ati i një shumice”. Abrahami ishte patriarku i parë i popullit të Izraelit. Fjala patriark do të thotë “ati i popullit”. Në personin dhe jetën e Abrahamit, janë parafiguruar ngjarjet qendrore të shpëtimit të botës nga Krishti në Dhiatën e Re.

    Perëndia i bëri Abrahamit premtimin e parë të shpëtimit të Tij të të gjithë popujve të tokës, me të cilin Ai bëri gjithashtu, dhiatën e Tij për të qenë besnik përjetë.

    Zoti i tha Abramit: “Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e atit tënd dhe shko në vendin që do të të tregoj. Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim... te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës” (Zanafilla 12:1-3; Shih, gjithashtu 17:1-8, 22:1-18).

    Përmbushja e premtimit te Abrahami erdhi në Jisu Krishtin. Ai është pasardhës i atit të parë të Izraelit në të cilin janë bekuar të gjitha familjet e tokës. Kështu këndon Maria, Nëna e Jisuit, në kohën e pritjes së saj për lindjen e Shpëtimtarit, se të gjitha brezat do ta quanin të lumur sepse kishte ardhur përmbushja nga Perëndia “ashtu si Ai u kishte folur etërve tanë, Abrahamit dhe pasardhësve të tij, përgjithmonë” (Lluka 1:55; shih gjithashtu Këngën e Zaharisë në Lluka 1:67-79). Nëpër të gjithë Dhiatën e Re shpallet se premtimi i Perëndisë ndaj Abrahamit u përmbush tek Jisui.

    Dhe premtimet iu bënë Abrahamit dhe pasardhjes së tij. Shkrimi nuk thotë: “Edhe pasardhësve” si të ishin shumë, por të një të vetme: “Dhe pasardhjes sate”, pra Krishti (Galatianët 3:16).

    Besimi i Abrahamit është protipike e të gjithë atyre që janë shpëtuar nga besimi në Krishtin. Dhiata e Re e thekson besimin si të domosdoshëm për shpëtimin. Modeli për këtë besim është Abrahami.

    Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua atij për drejtësi (Zanafilla 15:6; Romanët 4:3).

    Besimi i Abrahamit ishte i bashkuar me veprat e tij dhe shprehej në veprat e tij.

    Abrahami, ati ynë, a nuk u shfajësua me anë të veprave, kur e ofroi birin e vet, Isakun, mbi altar? Ti e sheh se besimi vepronte bashkë me veprat e tij, dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u përsos. Kështu u përmbush Shkrimi, që thotë: “Edhe Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi”; dhe u quajt miku i Perëndisë. Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi (Jakovi 2:21-24).

    Perëndia e provoi Abrahamin duke e urdhëruar që të flijonte djalin e tij të dashur Isakun si therore me djegie të plotë. Abrahami i besoi dhe pati besim në Perëndinë. Ai iu bind vullnetit të tij dhe shkoi në mal për të therur birin e tij. Perëndia e ndaloi atë dhe vendosi një dash në vend të Isakut duke thënë: “Tani e di mirë që ti i trembesh Perëndisë, se nuk më ke kursyer birin tënd, të vetmin bir që ke” (Zanafilla 22:12). Edhe një herë tjetër Perëndia i premtoi se “te pasardhësit e tu do të bekohen tërë kombet e dheut... (Zanafilla 22:18).

    Flijimi i Isakut nuk është vetëm një dëshmi për besimin e Abrahamit, por është gjithashtu shenja e veçantë, se Perëndia Vetë bën, çfarë Ai, para së gjithash, e ndalon popullin e tij të bëjë. Asnjë dash nuk është vendosur në vendin e Birit të Perëndisë, Biri i Tij i vetëm Jisu, kur Ai u flijua në kryq për mëkatet e botës.

    Priftëria e përsosur e Krishtit është parafiguruar, gjithashtu në jetën e Abrahamit. Është priftëria e Melkisedekut, Mbretit të Paqes. Është priftëria në të cilën blatimi është buka dhe vera. Është priftëria e cila është para asaj të Levitëve, ajo që është e Mesias, i Cili është “prift përjetë, sipas urdhërit të Melkisedekut” (Psalmi 110:4; Hebrenjtë 5-10).

    Kështu edhe Krishti nuk e përvetësoi Ai vetë lavdinë që të bëhet kryeprift, por ia dha Ai që i tha: “Ti je im Bir, sot të linda”, dhe ashtu si thuhet diku gjetiu: “Ti je prift përjetë, sipas rendit të Melkisedekut”.

    I cili, në ditët e mishit të tij, me klithma të larta dhe me lot, i ofroi lutje dhe urata atij që mund ta shpëtonte nga vdekja, dhe u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia. Edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi, dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që i binden, duke qenë i shpallur kryeprift nga Perëndia sipas rendit të Melkisedekut (Hebrenjtë 5:5-10).

    Sepse ky Melkisedeku, mbret i Salemit dhe prift i Shumë të Lartit Perëndi, i doli përpara Abrahamit, kur po kthehej nga disfata e mbretërve dhe e bekoi; dhe Abrahami i dha atij edhe të dhjetën e të gjithave. Emri i tij do të thotë më së pari “mbreti i drejtësisë”, dhe pastaj edhe “mbreti i Salemit”, domethënë “mbreti i paqes”. Pa átë, pa nënë, pa gjenealogji, pa pasur as fillim ditësh as fund jete, por i përngjashëm me Birin e Perëndisë, ai mbetet prift në amshim (Hebrenjtë 7:1-3).

    Më e larta nga zbulesat e Dhiatës së Re, ajo e Shën Trinisë, ishte gjithashtu e parafiguruar në jetën e Abrahamit. Është vizita e famshme e tre engjëjve të Perëndisë tek Abrahami nën lisat e Mamresë.

    Zoti iu shfaq Abrahamit në lisat e Mamreut, ndërsa ai ishte ulur në hyrje të çadrës në zheg të ditës. Abrahami ngriti sytë dhe tre burra rrinin më këmbë pranë tij. Sa i pa, vrapoi në drejtim të tyre nga hyrja e çadrës, u përkul deri në tokë e pastaj tha: “Zoti im, në rast se kam gjetur hir para teje, të lutem mos kalo pa u ndalur para shërbëtorit tënd! Oh, lini që të sjellin pak ujë që të mund të lani këmbët tuaja, dhe çlodhuni nën këtë pemë. Unë do të shkoj të marr një copë bukë, kështu do të mund të merrni zemër, pastaj të vazhdoni rrugën, sepse për këtë keni kaluar nga shërbyesi juaj”. Ata i thanë: “Bëj siç ke thënë” (Zanafilla 18:1-5).

    Abrahami iu drejtua tre engjëjve si njërit, duke i quajtur ata Zot. Ata hëngrën në praninë e tij dhe paratreguan lindjen e Isaakut nga Sarah në moshën e saj të vjetër. Në këtë vizitë të Perëndisë tek Abrahami, Kisha Orthodhokse sheh parafigurimin e zbulesës së plotë të Shën Trinisë në Dhiatën e Re.

    Meqenëse nuk mund të ketë pikturim të Perëndisë Atë dhe të Shpirtit të Shenjtë në formë njeriu, ikonografia orthodhokse e ka pikturuar tradicionalisht Shën Trininë në formën e tre engjëjve që vizituan Abrahamin. Ikona më e famshme e Shën Trinisë, ajo që shpesh përdoret në festën e Rushajeve, është ajo e pikturuar nga Shën Andrea Rublev, një nxënës i Shën Sergjit të Radonezhit në Rusi, në shekullin e katërmbëdhjetë.

    Kështu, shpëtimi i botës që erdhi në Krishtin, u parafigurua në jetën e Abrahamit, si edhe doktrina e krishterë për besimin dhe veprat dhe zbulesat e krishtera rreth flijimit, priftërisë, madje edhe Trinia e Tërëshenjtë. Me të vërtetë në Abrahamin çdo aspekt i dhiatës përfundimtare në Krishtin, Mesian, ishte parafiguruar dhe paratreguar.

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    Pashka


    Ngjarja qendrore e të gjithë historisë së Dhiatës së Vjetër është Pashka dhe Eksodi.

    Djali i Abrahamit, Isaku ishte ati i Jakovit, të cilin Perëndia e quajti Izrael, që do të thotë “ai që lufton me Perëndinë” (Zanafilla 32:28). Perëndia e ribëri premtimin e Tij tek Isaku dhe Jakovi dhe e vazhdoi me ata dhiatën që kishte bërë me Abrahamin.

    Jakovi pati dymbëdhjetë djem, të cilët u bënë udhëheqësit e dymbëdhjetë fiseve ose shtëpive të Izraelit. Djemtë e Jakovit e shitën vëllanë e tyre të vogël Josif në skllavëri në Egjipt. Me ndihmën e Perëndisë, Josifi fitoi pëlqimin e faraonit egjiptian dhe u bë një njeri i madh në Egjipt. Në një kohë zie, vëllezërit e Josifit erdhën në Egjipt për bukë. Josifi i njohu ata dhe e solli tërë popullin e Izraelit në Egjipt. Kur Josifi vdiq, populli i Izraelit u vendos në skllavëri nga egjiptianët për katërqind vjet (Shih Zanafilla 24-50).

    Perëndia zgjodhi Moisiun për ta nxjerrë popullin e Tij jashtë robërisë në Egjipt. Ai iu shfaq Moisiut në shkurren e zjarrtë dhe i zbuloi atij Emrin e Tij.

    Atëherë Moisiu i tha Perëndisë: “Ja, kur të shkoj te bijtë e Izraelit dhe t’u them: “Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar te ju”, po të jetë se ata më thonë: “Cili është emri i tij?”, ç’përgjigje duhet t’u jap?”.

    Perëndia i tha Moisiut: “UNË JAM AI QË JAM”. Pastaj tha: “Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: “UNË JAM-i më ka dërguar tek ju”.

    Perëndia i tha akoma Moisiut: “Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: “Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit më ka dërguar tek ju. Ky është emri im përjetë. Ky ka për të qenë gjithnjë emri im me të cilin do të kujtohem nga të gjitha breznitë” (Eksodi 3:13-15).


    Moisiu u kthye në Egjipt dhe mbas shumë përpjekjesh me faraonin egjiptian dhe mbas shumë plagësh që Perëndia dërgoi mbi Egjiptin, ai e nxorri popullin e Izraelit jashtë skllavërisë. Eksodi, që do të thotë dalje ose ikje, nga Egjipti ndodhi natën e quajtur pashka (kalimi).

    Perëndia, nëpërmjet Moisiut, i urdhëroi izraelitët të zgjidhnin qengja, për t’i therur dhe për të vendosur pak gjak në dy shtalkat dhe mbi arkitraun e shtëpive të tyre. Duke qëndruar të ngritur, të veshur dhe gati për të ikur, ata duhej ta hanin qengjin gjatë natës.

    Do ta hani në këtë mënyrë: ijengjeshur, sandalembathur dhe me bastunin tuaj në dorë; do të hani me nxitim: se është Pashka e Zotit. Atë natë unë do të kaloj nëpër vendin e Egjiptit dhe do të godas çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit, qoftë njeri apo kafshë, dhe do t’i jap hakun gjithë perëndive të Egjiptit. Unë jam Zoti. Dhe gjaku do të jetë për ju një shenjë mbi shtëpitë ku ndodheni; kur unë të shoh gjakun do të kaloj tutje dhe nuk do të ketë plagë mbi ju për t’ju zhdukur, kur të godas vendin e Egjiptit. Ajo ditë do të jetë për ju një ditë për t’u mbajtur mend dhe ta kremtoni si festë kushtuar Zotit; do ta kremtoni nëpër kohëra si ligj të përjetshëm (Eksodi 12:11-14).

    Kështu, u bë Pashka dhe Eksodi. Në mesnatë Zoti vrau tërë të parëlindurit në vendin e Egjiptit. Kur Zoti kaloi shtëpitë e lyera me gjak u kursyen. Gjatë trazirës, izraelitët filluan të ikin. Ata e bënë eksodin e tyre nëpërmjet Detit të Kuq. Ndërkohë, kalorësit egjiptianë iu vunë në ndjekje. Në det, Moisiu iu lut Perëndisë. Ai ngriti shkopin e tij mbi ujërat dhe “Zoti bëri që të tërhiqet deti nga një erë e fortë nga Lindja që fryu tërë atë natë dhe e shndërroi detin në tokë të thatë...” (Eksodi 14:21). Izraelitët e kaluan detin në këmbë. Qerret egjiptiane të luftës që po i ndiqnin u kapën nga ujërat dhe u mbytën.

    Dhe Izraeli pa fuqinë e madhe që Zoti kishte treguar kundër Egjiptasve, dhe populli pati frikë nga Zoti dhe besoi te Zoti dhe te Moisiu shërbëtor i tij (Eksodi 14:31).

    Në shkretëtirë, në anën tjetër të detit, populli i Izraelit filloi të ankohej. Nuk kishte as ushqim dhe as ujë në shkretëtirë. Moisiu iu lut Zotit, i Cili siguroi ujë për të pirë për popullin dhe mana, “bukën prej qiellit”, për të ngrënë për popullin (Eksodi 15-16). Perëndia e udhëhoqi popullin nëpër shkretëtirë me anë të një reje dhe një kollone zjarri.

    Në malin e Sinait, Moisiu mori Dhjetë Urdhërimet dhe ligjin e moralit dhe adhurimit nga Zoti, i Cili “fliste me Moisiun ballë për ballë, ashtu si një njeri flet me mikun e tij” (Eksodi 33:11). Moisiu u lejua të shikonte lavdinë e Zotit në tymin dhe retë në majën e malit dhe ai vetë rrezatonte nga madhështia e Perëndisë (Eksodi 34:29).

    Moisiut nuk iu lejua që ta kapërcente Jordanin dhe të hynte në tokën e premtuar. Ai vdiq dhe u varros afër malit Nebo në tokën e Moabit, atje ku ai kishte shikuar përtej lumit Jordan tokën ku pasuesi i tij Jisui i Navisë do ta çonte popullin.

    Pashka dhe Eksodi janë ngjarja qendrore në historinë e Izraelit. Ajo kujtohej nga të gjitha brezat si shenja e madhe e pëlqesës dhe besnikërisë së Perëndisë ndaj popullit të Tij. Për këtë këndohej në psalmet dhe përmendej nga profetët. Ajo kremtohej çdo vit, së bashku me Rushajet (Pentekostinë), si kremtimi kryesor i Popullit të Perëndisë. Dhe, si pasojë, ajo ishte ngjarja kryesore e Dhiatës së Vjetër që do të përmbushej përsosmërisht dhe përjetësisht në kohën e Krishtit, Mesias së Perëndisë.

    Në Jisu Krishtin zbulohet dhe përmbushet kuptimi përfundimtar dhe qëllimi universal i Pashkës dhe Eksodit. Jisu Krishti është Vetë Pashka e Re. Ai është Qengji i Pashkës që u ther për çlirimin dhe shpëtimin e të gjithë njerëzve dhe tërë botës prej fuqive të së keqes. “Faraoni” i vërtetë është djalli. Ai i mban të gjithë njerëzit në skllavëri. Çliruesi i vërtetë është Jisui. Ai e çon popullin nga robëria e mëkatit dhe vdekjes në “tokën e premtuar” të Mbretërisë së Perëndisë.

    Në kalimin e popullit përmes shkretëtirës së jetës në këtë botë, ata ushqehen nga Jisui, Buka e vërtetë e Jetës, “buka prej qielli” e vërtetë.

    Atëherë Jisui u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se jo Moisiu jua ka dhënë bukët nga qielli, por Ati im ju jep bukën e vërtetë nga qielli. Sepse buka e Perëndisë është ai që zbret nga qielli dhe i jep jetë botës”.

    “Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje.”

    “Unë jam buka e jetës. Etërit tuaj hëngrën manën në shkretirë dhe vdiqën. Kjo është buka që zbret nga qielli, që një mund të hajë e të mos vdesë. Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës.”

    “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se, po të mos hani mishin e Birit të njeriut dhe të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetën në veten tuaj. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit. Sepse mishi im është me të vërtetë ushqim dhe gjaku im është me të vërtetë pije. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të. Sikurse Ati i gjallë më ka dërguar dhe unë jetoj për shkak të Atit, ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë edhe ai për shkakun tim. Kjo është buka që zbriti nga qielli; nuk është si mana që hëngrën etërit tuaj dhe vdiqën; kush ha këtë bukë do të jetojë përjetë” (Joani 6:32-58).


    Jisui nuk është vetëm “buka prej qiellit” e vërtetë, Ai është, gjithashtu “uji i gjallë” i vërtetë. Ai është Ai i Cili, nëse njerëzit pijnë prej Atij, ata nuk do të kenë më etje.

    “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë. Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë” (Joani 7:37).

    “ ... por kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme” (Joani 4:14).


    Shën Pavli, duke folur për eksodin dhe shkëmbin që goditi Moisiu, prej të cilit doli burim uji, thotë qartë se kjo i referohet Krishtit.

    Sepse, o vëllezër, unë nuk dua që ju të mos e dini se gjithë etërit tanë ishin nën renë, dhe të gjithë shkuan nëpër det, dhe të gjithë u pagëzuan për Moisinë në re dhe në det, të gjithë hëngrën të njëjtën ushqim frymëror, dhe të gjithë pinë të njëjtën pije frymërore, sepse pinin prej shkëmbi frymëror që i ndiqte; edhe ky shkëmb ishte Krishti (1 Korinthianët 10:1-4).

    Kështu është Jisu Krishti që përmbushi Pashkën dhe Eksodin në ngjarjet e jetës së Tij. Kjo përmbushje arriti majën në kohën e kryqëzimit dhe ngjalljes së Tij. Jisui u vra në festën e Pashkës për të treguar se Pashka e Vjetër u plotësua dhe filloi Pashka e Re. Kur qengji pashkor therej në Tempull, Jisui, Qengji i Perëndisë, u kryqëzua në kryq jashtë qytetit. Kur dita e madhe e Pashkës, e cila, në atë vit ishte Sabati, u respektua si pushim nga punët, Jisui u shtri i vdekur, duke pushuar prej të gjitha punëve të Tij, në varr. Kur agoi “dita mbas Sabatit”, dita e parë e javës, dita e krijimit fillestar të Perëndisë, Jisui u ngjall prej së vdekurësh. E gjitha kjo ndodhi që Pashka e Re dhe Eksodi i Ri të mund të kryheshin, jo prej Egjiptit në Kanan, por prej vdekjes në jetë, prej paudhësisë në drejtësi, prej errësirës në dritë, prej tokës në qiell, prej tiranisë së djallit në lirinë e lavdishme të Mbretërisë së Perëndisë. Vdekja dhe ngjallja e Krishtit është pashka-eksodi i vërtetë i Popullit të Perëndisë. Ata që janë shënuar me gjakun e Krishtit do të shpëtohen nga vizita e vdekjes.

    Jisui përuroi kremtimin e Pashkës së Re në darkën e fundit me nxënësit e Tij që ishte e ngrëna pashkore. Ai u tregoi atyre se nuk do ta mbanin më festën e Pashkës në kujtim të Eksodit të vjetër. Ata duhej të mbanin kremtimin pashkor në kujtim të Tij.

    Sepse unë mora nga Zoti atë që ju përcolla edhe juve; se Zoti Jisu, në atë natë që po tradhtohej, mori bukën dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: “Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim”. Gjithashtu, pas darkës, mori edhe kupën, duke thënë: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim”. Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë (1 Korinthianët 11:23-26; Shih, gjithashtu Mattheu 26:26-29; Marku 14:22-25; Lluka 22:14-19).

    Në të njëjtën letër, Shën Pavli thotë, gjithashtu:

    ... sepse pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne. Prandaj le të kremtojmë festën jo me majá të vjetër, as me majá ligësie dhe keqësie, por me bukë pa majá të sinqeritetit dhe të së vërtetës (1 Korinthianët 5:7-8).

    Me rëndësi të madhe është, gjithashtu, në Pashkën e Krishtit dhurata e re e ligjit të Perëndisë, e ligjit jo të shkruar në pllaka guri, por në zemrat njerëzore nga vetë Shpirti i Shenjtë i Perëndisë (Shih 2 Korinthianët 3; Jeremia 31:31-34; Ezekiel 36:26-27; Joel 2:28-29).

    Dhënia e ligjit Moisiut në malin Sinai është përmbushur në kohën e Mesias në dhënien e Shpirtit të Shenjtë tek nxënësit e Krishtit në dhomën e sipërme në festën e Rushajeve. Në Dhiatën e Vjetër, kjo ishte festivali i marrjes së ligjit, pesëdhjetë ditë mbas Pashkës (Veprat 2). Kështu, përsëri, në kohën e Mesias, ngjarja e vjetër është plotësuar në të fundit dhe të renë: ligji i jashtëm i Moisiut është plotësuar në ligjin e brendshëm të Krishtit, në “ligjin e përsosur, ligjin e lirisë” (Jakovi 1:25, 2:12), në “ligjin e Shpirtit të Shenjtë” (Romanët 8:2).

    Sepse ligji i Frymës i jetës në Jisu Krishtin më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes. Sepse atë që ishte e pamundur për ligjin, sepse ishte pa forcë për shkak të mishit, Perëndia, duke dërguar birin e vet në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat... që të përmbushet drejtësia e ligjit (të Moisiut) në ne, që nuk ecim sipas mishit, por sipas Frymës (Romanët 8:2-4; Shih, gjithashtu 2 Korinthianët 3; Galatianët 3-5).

    Kështu apostulli Joan shkruan: “Sepse ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jisu Krishtit” (Joani 1:17).
    Brenda përmbushjes dhe përsosmërisë së pashka-eksodit të Dhiatës së Vjetër, në kohën e Mesias, duhet vënë re, gjithashtu se kalimi i Jordanit për në tokën e premtuar përkon me pagëzimin në Krishtin në Mbretërinë e Perëndisë. Gjithashtu, ia vlen të shënohet fakti simbolik se ai që kapërceu Jordanin dhe e solli popullin në “vendit ku rridhte qumështi dhe mjalti” nuk ishte Moisiu, por Jisui i Navisë, emri i të cilit parafiguron Atë që do të vinte me të njëjtin emër, që do të thotë Shpëtimtar, Ai që filloi misionin e Tij mesianik, duke sjellë Mbretërinë e Perëndisë me anë të pagëzimit të Tij në lumin Jordan.

    Kështu, çdo aspekt i pashka-eksodit të vjetër është plotësuar në Krishtin, në mënyrë të përsosur, të plotë dhe përgjithmonë. E gjitha kjo është rinuar dhe rigjallëruar në Kishën e Krishtit çdo vit në Pashkë dhe në Rushajet, dhe në çdo të Dielë, Dita e Zotit. Kurdoherë që Kisha mblidhet, kremtohet Pashka e përsosur e Krishtit Qengjit të Perëndisë, i Cili është gjithashtu UNË JAM që ekziston përjetësisht me Perëndinë Atë dhe Shpirtin e Shenjtë, i Cili u ther për jetën e botës (Shih Vëllimin I Doktrina dhe Vëllimin II Adhurimi).

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    Mbretërimi


    Në Dhiatën e Vjetër, Perëndia ishte Mbreti i Popullit të Tij. Por, duke dashur që të jenë si popujt e tjerë, izraelitët i kërkuan Zotit një mbret njerëzor.

    Atëherë tërë pleqtë e Izraelit u mblodhën, erdhën te Samueli në Ramah, dhe i thanë: “Ja, ti tani je plakur dhe bijtë e tu nuk ndjekin gjurmët e tua; prandaj cakto mbi ne një mbret që të na qeverisë ashtu siç ndodh në të gjitha kombet”. Por kjo nuk i pëlqeu Samuelit, sepse ata kishin thënë: “Na jep një mbret që të na qeverisë”. Prandaj Samueli iu lut Zotit. Dhe Zoti i tha Samuelit: “Dëgjo zërin e popullit për të gjitha ato që të thotë, sepse ata nuk të kanë hedhur poshtë ty, por kanë hedhur poshtë mua, me qëllim që unë të mos mbretëroj mbi ta. Sillen me ty, ashty siç kanë bërë gjithnjë nga dita që i nxora nga Egjipti e deri më sot: më kanë braktisur për t’u shërbyer perëndive të tjera. Tani, pra, dëgjo kërkesën e tyre, por lajmëroi solemnisht dhe shpallju të drejtat e mbretit që do të sundojë mbi ta” (1 Samueli 8:4-9).

    Kështu, Samueli i tregoi popullit gjithçka që do t’iu ndodhte atyre nëse ata do të donin të jetonin si kombet e tjerë që kanë një njeri si mbretin e tyre. Mbreti do t’i dërgonte bijtë e tyre në luftë. Ai do ta vendoste të gjithë popullin të punonte për atë. Ai do të merrte kafshët dhe prodhimet e tyre. Ai do t’i bënte njerëzit skllevërit e tij.

    “Atë ditë ju do të ulërini për shkak të mbretit që keni për vete, por Zoti nuk do t’ju përgjigjet”. Megjithatë populli nuk deshi t’i dëgjojë fjalët e Samuelit dhe tha: “Jo, do të kemi një mbret mbi ne. Kështu do të jemi edhe ne si gjithë kombet; mbreti ynë do të na qeverisë, do të na dalë në krye dhe do të luftojë në betejat tona”. Samueli i dëgjoi tërë fjalët e popullit dhe ia tregoi Zotit. Zoti i tha Samuelit: “Dëgjoje kërkesën e tyre dhe cakto një mbret mbi ta” (1 Samueli 8:18-22).

    Izraeli i mori mbretërit e tij. I pari ishte Sauli, i cili u marros. I dyti ishte Davidi, Bariu, i cili mbretëroi mirë. I treti ishte Solomoni, i cili ishte i njohur për diturinë e tij dhe që ndërtoi Tempullin e Perëndisë në Jerusalem. Por pastaj pati një ndarje të mbretërisë së Izraelit dhe Judës, dhe luftë ndërmjet tyre për shkak të mëkateve të tyre, që përfunduan në një seri robërish nën fuqi të huaja të ndryshme, prej të cilave populli kurrë nuk shpëtoi përfundimisht.

    Psalmet dhe profetët e Dhiatës së Vjetër vazhdimisht e kujtojnë popullin e Perëndisë për realitetin se vetëm Zoti është mbret. Vetëm Ai është Ai që mbretëron dhe të Cilit duhet t’i shërbehet dhe t’i bindesh.

    Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im,
    dhe do të bekoj emrin tënd përjetë.
    Do të të bekoj çdo ditë
    dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë.
    Zoti është i madh dhe i denjë
    për lëvdimin më të lartë
    dhe madhështia e tij është e panjohshme.


    Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot,
    dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë.
    Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate
    dhe do të tregojnë për fuqinë tënde,
    për t’u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua
    dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate.
    Mbretëria jote është një mbretëri përjetë
    dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi.


    (Psalmi 145: 1-3, 10-13).


    Profetët iu bënin thirrje të gjithë mbretërve tokësorë, “barinjve të Izraelit”, të pendoheshin para Mbretit hyjnor të qiellit, por fjalët e tyre shkuan kot.

    Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë: “Bir njeriu, profetizo kundër barinjve të Izraelit; profetizo dhe u thuaj atyre barinjve: Kështu thotë Zoti Perëndi: Mjerë barinjtë e Izraelit që kullotin veten e tyre! A nuk duhet përkundrazi të kullosin kopenë? Ju hani yndyrën, visheni me leshin, vritni delet e majme, por nuk e kullotni kopenë. Nuk i keni forcuar delet e dobëta, nuk jeni kujdesur për të sëmurën, nuk keni fashuar atë të plagosurën, nuk e keni rikthyer në shtëpi të hutuarën dhe nuk e keni kërkuar të humburën, por keni sunduar mbi to me forcë dhe ashpërsi. Kështu ato, për mungesë bariu, janë shpërndarë, janë bërë pre e të gjitha bishave të fushës dhe kanë humbur. Delet e mia po enden nëpër tërë malet dhe mbi çdo kodrinë të lartë; po, delet e mia janë përhapur mbi gjithë faqen e vendit dhe askush nuk ka shkuar t’i kërkojë ato as nuk tregoi kujdes” (Ezekieli 34:1-6).

    Psalmet dhe profetët e Dhiatës së Vjetër paratreguan, gjithashtu kohën kur Perëndia do ta sundonte drejtpërdrejt Popullin e Tij. Ai do të ishte bariu i të gjithë kombeve, duke sunduar nëpërmjet Mbretit-Mesia, i Cili do të vinte nga shtëpia e Davidit, Mbreti mbretëria e të cilit nuk do të kishtë mbarim.

    Sepse na ka lindur një fëmijë,
    një djalë na është dhënë.
    Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria
    dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm,
    Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes.
    Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij
    dhe paqja mbi fronin e Davidit
    dhe në mbretërinë e tij,
    për ta vendosur pa u tundur
    dhe për ta përforcuar me anë të mënçurisë
    dhe të drejtësisë, tani dhe përjetë.
    Këtë ka për të bërë zelli i Zotit të ushtrive

    (Isaia 9:6-7).


    “Ja, ditët po vijnë”, thotë Zoti, “në të cilat do të shkaktoj që të dalë nga Davidi një filiz i drejtë, që do të mbretërojë si mbret, do të ketë mbarësi dhe do të ushtrojë gjykimin dhe drejtësinë në vend. Në ditët e tij Juda do të shpëtohet dhe Izraeli do të qëndrojë në siguri. Ky do të jetë emri me të cilin do të thirret: “Zoti drejtësia jonë” (Jeremia 23:5-6).

    Por ti, o Betlem Efrathah,
    megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës,
    nga ti do të dalë për mua
    ai që do të jetë sundues në Izrael,
    origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta,
    nga ditët e përjetësisë.
    Prandaj ai do t’i braktisë deri në kohën
    në të cilën ajo që duhet të pjellë ka për të pjellur;
    atëherë kusuri i vëllezërve të saj
    do t’u kthehet bijve të Izraelit.
    Ai do të mbetet për të kullotur kopenë e tij
    me pushtetin e Zotit,
    në madhërinë e emrit të Zotit, Perëndisë së tij.
    Dhe ata do të banojnë të sigurt,
    sepse atëherë ai do të jetë i madh
    deri në skajet e tokës

    (Mikea 5:2-4).

    Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë vetë do të shkoj të kërkoj delet e mia dhe do të kujdesem. Ashtu si bariu kujdeset për kopenë e tij kur ndodhet në mes të deleve të tij, të shpërndara, kështu unë do të kujdesem për delet e mia dhe do t’i heq nga të gjitha vendet ku janë shpërndarë në një ditë me re dhe errësirë të dendur.


    Unë vetë do t’i kullot delet e mia dhe do t’i bëj të pushojnë, thotë Zoti, Zoti. Unë do të kërkoj të humburën, do ta kthej të hutuarën, do t’i lidh plagën, do ta forcoj të sëmurën, por do të shkatërroj të majmen dhe të fortën; do t’i kullot me drejtësi (Ezekieli 34:11-12, 15-16).

    Ngazëllo me të madhe, o bijë e Sionit,
    lësho britma gëzimi, o bijë e Jerusalemit!
    Ja, mbreti yt po të vjen;
    ai është i drejtë dhe sjell shpëtimin,
    i përulur dhe i hipur mbi një gomar,
    mbi një gomar të ri.
    Unë do t’i zhduk qerret nga Efraimi
    dhe kuajt nga Jerusalemi;
    harqet e luftës do të asgjësohen.
    Ai do t’u flasë për paqe kombeve;
    sundimi i tij do të shtrihet nga deti në det,
    dhe nga Lumi deri në skaj të dheut


    (Zaharia 9:9-10).


    Mbreti i Mbretërisë përfundimtare të Perëndisë është Jisu Krishti. Ai është Bariu dhe Zoti. Ai është Ai “mbretëria e të cilit nuk do të ketë mbarim”. Kështu, engjëlli Gabriel i flet Marisë në lajmërimin e lindjes së Tij:

    “Ai do të jetë i madh dhe do të quhet
    Biri i Shumë të Lartit;
    dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij;
    dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë,
    dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur”


    (Lluka 1:32-33).

    Gjatë gjithë jetës së Tij, Jisui po përgatiste Mbretërinë e përjetshme të Perëndisë. Ai erdhi për t’i sjellë këtë Mbretëri njerëzve. Ai është Biri i Davidit, i Cili do të mbretërojë përjetë. Ai është Ai që shpall ungjillin e Mbretërisë së Perëndisë (Mattheu 4:23, 9:35).

    Tani kur u pyet nga farisenjtë se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, Ai iu përgjigj atyre dhe tha: “Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në mënyrë të dukshme; dhe as nuk do të mund të thuhet: “Ja, këtu”, ose: “Ja, atje”; sepse ja, mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush” (Lluka 17:20-21).

    Mbretëria e Perëndisë është përbrenda njerëzve kur Krishti është i pranishëm. Ai Vetë është Mbreti i Cili e jep këtë Mbretëri të Perëndisë tek ata që janë të Tijët.

    Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë (Lluka 12:32).

    Ju jeni ata që qëndruat me mua në sprovat e mia. Dhe unë ju caktoj mbretërinë ashtu si ma ka caktuar mua Ati im, që ju të hani e të pini në tryezën time, në mbretërinë time... (Lluka 22:28-30).

    Të gjitha predikimet dhe parabolat e Krishtit në lidhje me Mbretërinë e Perëndisë flasin për Atë Vetë si Mbreti. Ata që besojnë në Jisuin dhe i binden Atij do të mbretërojnë me Atë në Mbretërinë e Tij që është përgatitur “qysh prej themelimit të botës” për ata që e duan Atë (Mattheu 25:34). Mbretëria e Tij është mbretëri e përjetshme, e cila “nuk është e kësaj bote”, por e Perëndisë Atit (Joani 18:36).

    Tregimet e ungjillit për kryqëzimin e Krishtit e vendosin Atë në rolin e Tij si Mbret. E gjithë tallja dhe mundimi i Jisuit iu dha Atij si “Mbreti i Judejve”. Kjo ishte akuza kundër Tij dhe mbishkrimi që u vu në kryq. Kështu, ironia është përmbushur, ashtu si janë përmbushur shkrimet në fjalët e Pilatit kur, mbasi Jisui u paraqit në gjykatore, Pilati i shpalli popullit, “Ja, mbreti juaj!” (Joani 19:14).

    Jisui është Mbreti. Ai është një me Perëndinë, “Mbretin e mbretërve dhe Zotin e zotërve” (1 Timotheu 6:5). Ai është Ai që është “lartësuar madhërisht” mbi çdo pushtet dhe fuqi, Ai para të Cilit çdo gju do të përulet “Në qiell dhe në dhé e nën dhé” (Filipianët 2:9-11; po ashtu Efesianët 1:20-23). Ai është Ai që, në mbarim të kohëve, kur Ai ‘do të vijë në Mbretërinë e Tij’ me të gjitha fuqitë qiellore, do të shkatërrojë çdo të keqe dhe do të mbretërojë mbi të gjithë krijimin përjetë, ashtu si profetët parashikuan.

    ... dhe Qengji (Krishti) do t’i mundë (të këqijtë), sepse ai është Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve; dhe ata që janë me të janë të thirrur, të zgjedhur dhe besnikë (Zbulesa 17:14).

    Dhe pashë qiellin e hapur, dhe ja, një kalë i bardhë, dhe Ai që kalëronte quhet Besniku dhe i Vërteti; dhe Ai gjykon dhe lufton me drejtësi. Dhe sytë e Tij ishin flakë zjarri dhe mbi kryet e Tij ishin shumë kurora; edhe kishte një emër të shkruar, që askush nuk e di përveç Atij; Dhe ishte veshur me një rrobë të ngjyer në gjak; dhe emri i Tij quhet: “Fjala e Perëndisë”. Dhe ushtritë që janë në qiell e ndiqnin mbi kuaj të bardhë, të veshur me rroba liri të hollë, të bardhë dhe të pastër. Dhe nga goja e Tij dilte një shpatë e mprehtë për të goditur me të kombet; dhe Ai do të qeverisë me skeptër prej hekuri dhe Ai vet do të shkelë vozën e verës së mërisë dhe të zemërimit të Perëndisë së plotfuqishëm. Dhe mbi rroben e vet dhe mbi kofshën ishte shkruar një emër: MBRETI I MBRETËRVE dhe ZOTI I ZOTËRVE (Zbulesa 19:11-16).

    Dhe më tregoi lumin e pastër të ujit të jetës, të kthjellët si kristali, që dilte nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit. Në mes të sheshit të qytetit, këtej e andej lumit, ishte druri i jetës që jep dymbëdhjetë fruta, dhe që nxjerr frutin e saj në çdo muaj; dhe gjethet e drurit janë për shërim të kombeve. Dhe asnjë mallkim nuk do të ketë më; dhe në të do të jetë froni i Perëndisë dhe i Qengjit, dhe shërbëtorët e Tij do t’i shërbejnë; ata do të shohin fytyrën e Tij; dhe emri i Tij do të jetë mbi ballin e tyre. Dhe atje natë nuk do të ketë; edhe nuk kanë nevojë për llambë, as për dritë dielli, sepse Zoti Perëndi i ndriçon; dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve (Zbulesa 22:1-5).

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    Priftëria


    Kur folëm për Abrahamin, përmendëm sesi Jisu Krishti është “prift përjetë sipas urdhërit Melkisedek” (Shih më lart). Si “prift përjetë” Jisui është, gjithashtu plotësimi dhe përmbushja e priftërisë levitike të Dhiatës së Vjetër.

    Në Dhiatën e Vjetër, Perëndia e urdhëroi Moisiun të ndërtonte tabernakullin me shenjtëroren për adhurim dhe flijim.

    Le të më bëjnë një shenjtërore, që unë të banoj në mes tyre. Ju do ta bëni atë sipas tërë asaj që unë do t’ju tregoj, si për modelin e tabernakullit ashtu edhe për modelin e të gjitha orendive (Eksodi 25:8-9).

    Në tabernakullin kishte një shenjtërore të rrethuar nga një avlli. Brenda shenjtërores ishte “vendi i tërëshenjtë”. Një arkë e veçantë ishte ndërtuar për të mbajtur pllakat e ligjit të dhiatës (të besëlidhjes) të rrethuar nga dy kerubinë. Arka mbahej në vendin e tërëshenjtë. Mbi arkën e dhiatës ishte pajtuesi nga ku Moisiu do t’i fliste popullit (Eksodi 25:19-22).

    Në shenjtëroren, tryeza të veçanta ishin vendosur për të mbajtur “pjata dhe enë për temjan” dhe “kupa dhe filxhanë me të cilët bëhen libacione”.

    ... do t’i bësh me ar safi. Dhe do të vësh mbi tryezë bukën e paraqitjes, që do të rrijë vazhdimisht para meje (Eksodi 25:29-30).

    Atje ishte, gjithashtu altari i artë mbi të cilin kryheshin flijimet e kafshëve.

    Një shandan ari, me “shtatë llamba për atë” që ndizeshin me vaj ulliri të pastër, ishte vendosur mbi shenjtëroren. Dhe ndërmjet pjesëve të ndryshme të tabernakullit, vareshin perde.

    “Do të bësh një vel me fije në ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe dhe me li të hollë dhe të përdredhur, të stolisur me kerubinë të punuar artistikisht, dhe do ta varësh në katër shtylla prej akacieje të veshura me ar, me grremçat e tyre të arta të vëna mbi baza argjendi. Do ta varësh velin në kapëset; dhe aty, në anën e brendshme të velit, do të futësh arkën e dëshmisë; veli do t’ju shërbejë si ndarës midis vendit të shenjtë dhe vendit shumë të shenjtë. Pastaj do ta vësh pajtuesin mbi arkën e dëshmisë në vendin shumë të shenjtë. Jashtë velit do të vësh përkundrazi tryezën, ndërsa shandani do të shkojë përballë tryezës në krahun jugor të tabernakullit, dhe do ta vendosësh tryezën në krahun verior. Do të bësh, gjithashtu për hyrjen e çadrës një perde me fije në ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe dhe prej liri të përdredhur, punë qëndistari. Do të bësh, gjithashtu pesë shtylla akacieje për perden dhe do t’i veshësh me ar; grremçat e tyre do të jenë prej ari dhe do të shkrish për to pesë baza prej bronzi. Do të bësh edhe një altar prej druri të akacies, i gjatë pesë kubitë dhe i gjerë pesë kubitë; altari do të jetë katror dhe do të ketë tre kubitë lartësi. Në katër qoshet e tij do të bësh brinj, që do të formojnë një tërësi me të; dhe do ta veshësh atë me bronz” (Eksodi 26:31-27:2).

    Priftërinjtë e tabernakullit duhej të ishin levitë, burra nga fisi i Levit.

    “Pastaj afro pranë vetes sate Aronin, tët vëlla, dhe bijtë e tij së bashku me të, nga gjiri i bijve të Izraelit, që të më shërbejnë mua si priftërinj... (Eksodi 28:1).

    Perëndia urdhëroi që rroba të veçanta të bëhen për priftërinjtë për t’i veshur gjatë shërbimit në shenjtërore (Eksodi 28). Ai urdhëroi, gjithashtu që vaj i veçantë të përzihet për lyerjen e të gjitha enëve të tabernakullit, si edhe për lyerjen e priftërinjve. Ai urdhëroi, gjithashtu të bëhej temjan i veçantë për t’u djegur në vendin e shenjtë.

    ... Do të shenjtërosh kështu këto gjëra (pajisjet dhe enët) dhe do të jenë shumë të shenjta; të gjitha sendet që u përkasin, do të jenë të shenjta. Do të vajosësh edhe Aronin dhe bijtë e tij dhe do t’i shenjtërosh, me qëllim që të më shërbejnë si priftërinj. Pastaj do t’u flasësh bijve të Izraelit, duke u thënë: “Ky do të jetë për mua një vaj për vajosjen e shenjtë, brez pas brezi” (Eksodi 30:29-31).
    Por nga temjani që ke për të bërë, nuk do të përgatisni për veten tuaj me të njëjtën përbërje; kjo do të jetë për ty një gjë e shenjtë kushtuar Zotit (Eksodi 30:37).

    Perëndia iu dha gjithashtu një kod të detajuar në lidhje me adhurimin dhe blatimin e flijimeve të ndryshme. Ai shpjegoi cilat kafshë duhen të zgjidhen dhe si duhen të theren. Ai tregoi cilat blatime duhen bërë, në cilat raste dhe për çfarë qëllimesh. Ai dha udhëzime rreth blatimeve për paqen dhe për lavdërimin, për falënderimin dhe mëshirën, për faljen e mëkateve dhe pajtimin me Perëndinë në kohët e bërjes së fajeve. Ai u tregoi, gjithashtu, se cilat festa duhen mbajtur, kur duhen mbajtur dhe si duhen kremtuar. Librat e Eksodit, Levitikut, Numrave dhe Deuteronomit (Ligji i Përtërirë) janë të mbushur me udhëzime të tilla të veçanta dhe të detajuara.

    Ndërsa po kalonin nëpër shkretëtirë drejt tokës së premtuar, Populli i Perëndisë e mbarte tabernakullin me vete. Ata e rregullonin në çdo vend që ngrinin kampin. Së fundi, mbasi kaluan lumin Jordan dhe u vendosën në Kanan, qyteti i Jerusalemit u themelua nga mbreti David. Biri i Davidit, Solomoni, u urdhërua nga Perëndia të ndërtonte Tempullin në të cilin duhej të bëhej adhurimi i Perëndisë dhe të blatoheshin flijimet rituale.

    Në vitin katërqindetetëdhjetë mbas daljes së bijve të Izraelit nga vendi i Egjiptit, në vitin e katërt të mbretërimit të tij mbi Izrael... Salomoni filloi të ndërtojë shtëpinë e Zotit (1 Mbretërit 6:1).

    Shtëpia e Zotit kishte të njëjtin model si tabernakulli i Moisiut. Kishte oborrin e jashtëm, shenjtëroren e brendshme dhe vendin e tërëshenjtë në të cilin mbahej arka e dhiatës. Kishte altarët për temjan, libacione dhe për therore me djegje të plotë. Kishte shandanin dhe tryezën për bukët e Pranisë. Kishte të gjitha enët dhe veshjet e nevojshme për shërbimin e Zotit (Shih 1 Mbretërit 6-8).

    Kur Solomoni e mbaroi Tempullin ( rreth 960 p.K.) ai bëri një kremtim të madh të përkushtimit.

    Pastaj priftërinjtë e çuan arkën e besëlidhjes së Zotit në vendin e saj, në shenjtëroren e tempullit, në vendin shumë të shenjtë, nën krahët e kerubinëve.

    Në arkë nuk kishte asgjë tjetër veç dy pllakave prej guri që Moisiu kishte depozituar në malin Horeb, kur Zoti bëri një besëlidhje me bijtë e Izraelit, pas daljes së tyre nga vendi i Egjiptit. Por ndodhi që, ndërsa priftërinjtë po dilnin nga vendi i shenjtë, reja e mbushi shtëpinë e Zotit dhe priftërinjtë nuk mundën të qëndrojnë për të shërbyer për shkak të resë, sepse lavdia e Zotit mbushte shtëpinë e tij. Atëherë Salomoni tha: “Zoti ka thënë se do të banojë në një re të dendur. Unë kam ndërtuar për ty një shtëpi madhështore, një vend ku ti do të banosh përgjithnjë” (1 Mbretërit 8:6, 9-13).


    Pastaj Solomoni bekoi popullin dhe i foli atyre në lidhje me ndërtimin e Tempullit, të cilin Zoti i premtoi Davidit se biri i tij do ta ndërtonte. Pastaj ai bëri një lutje të gjatë përkushtimi, duke i kërkuar Perëndisë të ishte me popullin dhe të pranonte lutjet e blatuara në Tempull.

    Po a është e vërtetë që Perëndia banon mbi tokë? Ja, qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund të të nxënë dhe aq më pak ky tempull që kam ndërtuar! Megjithatë o Zot, Perëndia im, dëgjo me vëmendje lutjen e shërbëtorit tënd dhe kërkesën e tij, duke dëgjuar thirrjen dhe lutjen që shërbëtori yt larton sot para teje. Sytë e tu u drejtofshin natë e ditë në këtë tempull, drejt vendit për të cilin ke thënë: “Aty do të jetë emri im”, për të dëgjuar lutjen që shërbëtori yt do të të bëjë duke t’u drejtuar nga ky vend. Dëgjo lutjen e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd të Izraelit kur do të të luten duke t’u drejtuar nga ky vend. Dëgjo nga vendi ku Ti banon në qiejt; dëgjo dhe fal (1 Mbretërit 8:27-30).

    Kështu, tempulli që Solomoni i ndërtoi Zotit u bë i vetmi vend për adhurimin zyrtar dhe për flijimet priftërore të Popullit të Perëndisë. Tempulli u shkatërrua gjatë kohës së robërisë babilonase, dhe u restaurua në kohën e Ezras dhe Nehemisë, por u përdhos përsëri nga pushtuesit e huaj dhe, së fundi, u shkatërrua plotësisht nga romakët në vitin 70 mbas Krishtit.

    Ishte profetizuar në Dhiatën e Vjetër se do të vinte koha kur lavdia e Zotit do të mbushte të tërë krijimin. Ishte paratreguar se në kohën e Mbretit Mesianik, Perëndia do të banonte në njerëzit si në Tempullin e Tij të shenjtë. Flijimet rituale të Tempullit do të ndalonin, kur do të kryhet dhiata e përjetshme dhe e përsosur e mëshirës dhe e paqes ndërmjet Perëndisë dhe njeriut (Shih Isaia 55:3, 61:1-11, 66:18-23; Jeremia 31:31-34; Ezekiel 34:22-31, 37:24-28).

    Kur erdhi Jisui, u themelua përgjithmonë dhiata e re dhe e përjetshme ndërmjet Perëndisë dhe njeriut. Tempulli i Perëndisë u bë trupi i Krishtit, që ishte bashkësia e popullit të Tij të mbushur me Shpirtin e Shenjtë të Perëndisë. Me të vërtetë, një nga akuzat kundër Jisuit në kohën e kryqëzimit të Tij ishte se Ai tha se Ai do të shkatërronte Tempullin në Jerusalem.

    Pra, Pashka e Judenjve ishte afër dhe Jisui u ngjit në Jerusalem. Dhe në tempull gjeti ata që shisnin qe, dele e pëllumba dhe këmbyes monedhash duke ndenjur; dhe si bëri një kamxhik me litarë, i dëboi të gjithë nga tempulli bashkë me qetë dhe delet, dhe ua hallakati paratë këmbyesve të monedhave dhe ua përmbysi tavolinat, dhe shitësve të pëllumbave u tha: “Hiqni këto gjëra që këtej; mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!”. Kështu dishepujve të tij u kujtohej se ishte shkruar: “Zelli i shtëpisë sate më ka përpirë!”. Atëherë Judenjtë u përgjigjën dhe i thanë: “Ç’shenjë na tregon se i bën këto gjëra?”. Jisui u përgjigj dhe u tha atyre: “Shkatërroni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre përsëri!”. Atëherë Judenjtë thanë: “U deshën dyzet e gjashtë vjet që të ndërtohet ky tempull, dhe ti do ta ngresh për tri ditë?”. Por ai fliste për tempullin e trupit të vet. Kur, më pas, ai ishte ringjallur prej së vdekuri, dishepujt e vet u kujtuan se ai këtë ua kishtë thënë dhe u besuan Shkrimin dhe fjalëve që kishte thënë Jisui (Joani 2:13-22).

    Tani krerët e priftërinjve, pleqtë dhe gjithë sinedri kërkonin ndonjë dëshmi të rreme kundër Jisuit, për ta vrarë, por nuk gjetën asnjë; ndonëse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë, nuk e gjetën. Por në fund u paraqitën dy dëshmitarë të rremë, të cilët thanë: “Ky ka thënë: ‘Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë dhe ta rindërtoj për tri ditë’”. Atëherë kryeprifti u çua dhe i tha: “Nuk po përgjigjesh fare për çka po dëshmojnë këta kundër teje?”. Por Jisui rrinte në heshtje. Dhe kryeprifti vazhdoi duke thënë: “Unë po të përbej për Perëndinë e gjallë të na thuash në se ti je Krishti, Biri i Perëndisë”. Jisui i tha: “Ti po thua! Madje unë po ju them se në të ardhmen ju do ta shihni Birin e njeriut duke ndenjur në të djathtën e Pushtetit, dhe duke ardhur mbi retë e qiellit” (Mattheu 26:59-64).

    Në Krishtin, Mesia, persona njerëzorë bëhen tempull i Perëndisë së Gjallë. Dhjakoni Stefan, martiri i parë i krishterë, dëshmoi për këtë dhe vdiq për dëshminë e tij (Shih Veprat 7:44-59). Apostulli Pavël e mësoi këtë hapur, si edhe apostulli Pjetër.

    Por tani, në Krishtin Jisu, ju që dikur ishit larg, u afruat me anë të gjakut të Krishtit. Ai, në fakt, është paqja jonë, ai që ka bërë nga të dy popujt një dhe ka shembur murin e ndarjes, duke e prishur armiqësinë në mishin e tij, ligjin e urdhërimeve të përftuar nga porosi, për të krijuar në vetvete nga dy një njeri të ri, duke bërë paqen, dhe për t’i pajtuar të dy me Perëndinë në një trup të vetëm me anë të kryqit, mbasi vrau armiqësinë në vetvete. Dhe ai erdhi për t’ju shpallur paqen, juve që ishit larg dhe atyre që ishin afër, sepse përmes tij që të dy kemi hyrje tek Ati nëpër një Frymë të vetme. Ju, pra, nuk jeni më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjesëtarë të familjes së Perëndisë, të ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qenë Jisu Krishti vetë guri i qoshes, mbi të cilin gjithë ndërtesa, e lidhur mirë, rritet për të qenë një tempull i shenjtë në Zotin, në të cilin edhe ju jeni bashkëndërtuar për të qenë një banesë e Perëndisë në Frymë (Efesianët 2:12-21).

    A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju? Në qoftë se dikush e prish tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta prishë atë, sepse tempulli i Perëndisë, i cili jeni ju, është i shenjtë (1 Korinthianët 3:16-17).

    Duke iu afruar atij, si te guri i gjallë, i flakur tej nga njerëzit, por i zgjedhur dhe i çmuar përpara Perëndisë, edhe ju, si gurë të gjallë, ndërtoheni për të qenë një shtëpi frymërore, një priftëri e shenjtë, për të ofruar flijime frymërore, që i pëlqejnë Perëndisë me anë të Jisu Krishtit. Sepse në Shkrimet lexohet: “Ja, unë po vë në Sion një gur çipi, të zgjedhur, dhe ai që beson në të nuk do të turpërohet aspak” (1 Pjetri 2:2-4).


    Jisu Krishti nuk është vetëm tempulli i gjallë i Perëndisë – Perëndia Vetë në trup njerëzor – nëpërmjet të cilit të gjithë njerëzit bëhen tempull i Perëndisë në Shpirtin e Shenjtë; Jisui është, gjithashtu, kryprifti i madh dhe blatimi flijimor i përsosur, i Cili përmbledh dhe përmbush të gjithë priftërinë levitike të Dhiatës së Vjetër, e cila ishte thjesht një “hije” e “realitetit” që do të vinte. Në kryq, Jisui flijoi Veten. Ai u ngjall prej së vdekurësh dhe hyri në shenjtëroren në qiell. Mbas kësaj, nuk ka priftëri tjetër dhe as ndonjë flijim tjetër të pëlqyeshëm te Perëndia (Shih Hebrenjtë 6-10).

    Por Krishti, që erdhi si kryeprift i të mirave që do të vijnë në të ardhmen, duke kaluar nëpër një tabernakull më të madh e më të përkryer, që s’është bërë me dorë, pra, që nuk është e kësaj krijese, hyri njëherë e përgjithmonë në shenjtërore, jo me gjakun e cjepve dhe të viçave, por me gjakun e vet, dhe fitoi një shpëtim të amshuar. Sepse, në qoftë se gjaku i demave dhe i cjepve dhe hiri i një mëshqerre i spërkatur mbi të ndoturit, i shenjtëron, duke i pastruar në mish, aq më shumë gjaku i Krishtit, i cili me anë të Frymës së Shenjtë e dha veten e tij të papërlyer nga asnjë faj ndaj Perëndisë, do ta pastrojë ndërgjegjen tuaj nga veprat e vdekura për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë (Hebrenjtë 9:10-13)!

    Sepse Krishti nuk hyri në një shenjtërore të bërë me dorë, që është vetëm shëmbëllesë e asaj të vërtetë, por në vetë qiellin për të dalë tani përpara Perëndisë për ne, dhe jo për ta kushtuar si fli veten e vet shumë herë, sikurse kryeprifti që hyn vit për vit në shenjtërore me gjak që s’është i veti, sepse përndryshe ai duhet të pësonte shumë herë qëkurse u krijua bota; por tani, vetëm një herë, në fund të shekujve, Krishti u shfaq për të prishur mëkatin me anë të flijimit të vetvetes. Dhe, duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi, kështu edhe Krishti, pasi u dha vetëm një herë për të marrë mbi vete mëkatet e të shumëve, do të duket për së dyti pa mëkat për ata që e presin për shpëtim (Hebrenjtë 9:22-26).


    Prandaj, duke hyrë në botë, Ai thotë: “Ti nuk deshe as flijim as mblatë, po bëre gati për mua një trup; ti nuk pëlqeve as olokauste, as flijimet për mëkatin. Atëherë unë thashë: “Ja, unë po vij; në rotullin e librit është shkruar për mua; për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd”. Mbasi tha: “Ti nuk deshe as flijim as mblatë, as olokauste as flijime për mëkatin, që të blatohen sipas ligjit’’, Ai shtoi: “Ja, unë vij për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd”. Ai heq të parën, që të vërë të dytën. Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jisu Krishtit, që u bë një herë për të gjithë. Dhe, ndërsa çdo prift rri përdita në këmbë duke shërbyer dhe duke mblatuar shpeshherë të njëjtat flijime, që nuk mund të heqin kurrë mëkatet, Ai, përkundrazi, pasi dha përgjithnjë një flijim të vetëm për mëkatet, u vu të rrijë në të djathtën e Perëndisë, duke pritur paskëtaj vetëm që armiqtë e tij t’i vihen si ndenjëse për këmbët e tij. Sepse, me një ofertë të vetme, ai i bëri të përsosur përgjithnjë ata që shenjtërohen (Hebrenjtë 10:3-12).

    Në Kishën e Krishtit ka vetëm një priftëri dhe një flijim. Është priftëria e Jisuit dhe flijimi i kryqit. E tërë Kisha e Krishtit është një “priftëri mbretërore” (1 Pjetri 2:9). Kleri i dorëzuar i Kishës ekziston për të shfaqur dhe realizuar priftërinë unike të Jisuit në bashkësinë e cila është “trupi i Krishtit” (1 Korinthianët 12:27).

    Në Mbretërinë e Perëndisë, do të mbretërojë Krishti, Kryeprifti i madh dhe Qengji. Ai i Cili “ishte i vdekur dhe jeton përsëri” (Zbulesa 2:8) do të drejtojë të gjithë krijimin i cili do të bëhet vendbanimi i Perëndisë.

    Dhe nuk pashë asnjë tempull në të; sepse Zoti Perëndi i plotfuqishëm dhe Qengji janë tempulli i tij. Dhe qyteti nuk ka nevojë për diell, as për hënë që të ndriçojnë në të, sepse lavdia e Perëndisë e ndriçon atë, dhe llamba e tij është Qengji. Dhe kombet e të shpëtuarve do të ecin në dritën e tij; dhe mbretërit e dheut do të sjellin lavdinë dhe nderin e tyre në të. Dhe portat e tij nuk do të mbyllen asnjëherë gjatë ditës, sepse nuk do të ketë asnjëherë natë. Edhe në të do të sjellin lavdinë dhe nderin e kombeve. Edhe nuk do të hyjë asgjë e papastër dhe askush që kryen neveri e gënjeshtër, por vetëm ata që janë të shkruar në librin e jetës të Qengjit (Zbulesa 21:22-27).

    Kështu, tempulli i Dhiatës së Vjetër, priftëria dhe flijimet janë përmbushur të gjitha në Krishtin, i Cili është Vetë Tempulli dhe Prifti dhe Qengji i Flijuar i Mbretërisë së Perëndisë, që ekziston për Popullin e Tij, të cilin Ai e ka bërë “mbretëri dhe priftër për Perëndinë dhe Atin e Tij” (Zbulesa 1:6, 6:10; Shih Vëllimi II Adhurimi).

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    Profecia


    Dhiata e Vjetër është e mbushur me profeci. Profeci do të thotë frymëzimi i drejtpërdrejtë i Perëndisë për të folur te bota fjalët e Tij. Pati shumë profetë në Dhiatën e Vjetër jo vetëm ata, emrat e të cilëve u janë dhënë librave profetikë të Biblës, por edhe shumë të tjerë, duke përfshirë: Moisiun, Elian (Ilian), Samuelin dhe Natanin.

    Në Dhiatën e Vjetër shumë profeci u bënë në lidhje me historinë dhe fatin e popullit të Izraelit dhe të gjithë racës njerëzore. Zakonisht, profecitë treguan çfarë Perëndia do të bënte ndaj paudhësisë dhe pabesisë së Popullit të Tij. Profecitë paratreguan tragjeditë që do t’i vinin Izraelit, për shkak të mëkateve të Popullit. Ato paratreguan, gjithashtu mëshirën dhe faljen përfundimtare të Perëndisë, i Cili është besnik ndaj premtimeve të Tij, që nuk do të zemërohet përgjithmonë, por, që do të restaurojë fatet e Popullit të Tij dhe do t’i sjellë të gjitha kombet në Mbretërinë e Tij të përjetshme (Shih më sipër Profetët).

    Akti përfundimtar i mëshirës dhe dhembshurisë së Perëndisë është dërgimi i Birit të Tij si Mesia i Izraelit. Jisui, ashtu siç e kemi parë, është Mbreti përfundimtar i Mbretërisë së Perëndisë që mbretëron përjetë. Ai është kryeprifti i madh që sjell tek Perëndia plotësimin dhe përsosmërinë e flijimeve priftërore të njeriut. Ai është, gjithashtu, Profeti i fundit dhe përfundimtar që shënon fillimin e kohës kur Perëndia krijon një popull të tërë profetësh, një bashkësi të tërë të atyre që janë mësuar drejtpërdrejt nga Perëndia për të njohur vullnetin e Tij dhe për të folur Fjalët e Tij në botë.

    Kështu, në Ungjillin e Shën Joanit, tregohet se njerëzit e njohën Jisuin jo thjesht si një profet apo njërin prej profetëve, por si Profetin përfundimtar, të Cilin Perëndia do ta dërgonte në fund të kohërave.

    Atëherë njerëzit, kur panë shenjën që bëri Jisui (ushqimin e pesëmijëve), thanë: “Me të vërtetë ky është profeti, që duhet të vijë në botë” (Joani 6:14).

    Shumë veta nga turma, kur i dëgjuan këto fjalë (rreth ujit të gjallë), thoshnin: “Ky është me të vërtetë Profeti!”. Të tjerë thoshnin: “Ky është Krishti” (Joani 7:40).

    Shën Pjetri i referohet të njëjtës dukje të Krishtit si Profeti, në predikimin e tij që i bëri popullit jashtë Tempullit në Jerusalem.

    Vetë Moisiu, në fakt, u tha etërve: “Zoti, Perëndia juaj do të ngjallë për ju një profet si unë nga mesi i vëllezërve tuaj; dëgjojeni në të gjitha gjërat që ai do t’ju thotë! Dhe do të ndodhë që kushdo që nuk do ta dëgjojë atë profet, do të shkatërrohet në mes të popullit” (Veprat 3:22-23).

    Jisui është “ai profet” për të cilin foli Moisiu në Ligjin e Vjetër (Deuteronomi 18:15). Por edhe Moisiu dhe të gjithë profetët e lashtësisë nuk e kuptuan se “ai profet” do të ishte Biri hyjnor dhe Fjala e pakrijuar e Perëndisë në trup njeriu.

    Jisui, si Profeti i fundit, është më tepër se profet. Ai është rrënjësisht i ndryshëm nga profetët e mëparshëm. Ai është “mësuesi i ardhur nga Perëndia” (Joani 3:2), i Cili “mëson si një që ka autoritet” (Mattheu 7:39; Marku 1:22), i Cili nuk flet fjalët e Tij, por fjalët e Atit që e ka dërguar (Joani 14:24). Por Ai është akoma më tepër se kjo, sepse Ai është Vetë Fjala hyjnore e Perëndisë në trup njerëzor.

    Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (fjala) ishte në fillim më Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë. Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve (Joani 1:1-4).

    Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë (Joani 1:14).

    Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir. Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jisu Krishtit. Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur (Joani 1:16-18).

    Si Fjala e Perëndisë në trup njerëzor, Jisui përmbush profecitë e profetëve të mëdhenj të mëparshëm që shkruan se në kohën e Mesias, të gjithë njerëzit do të mësoheshin drejtpërdrejt nga Perëndia.

    Të kam braktisur për një çast të shkurtër, por me dhembshuri të pamasë do të të mbledh. Në një shpërthim zemërimi të kamfshehur për një çast fytyrën time, por me një dashuri të përjetshme do të kem dhembshuri për ty, thotë Zoti, Çliruesi yt.

    Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria ime nuk do të largohet prej teje as besëlidhja e paqes nuk do të hiqet, thotë Zoti, që ka dhëmbshuri për ty. Tërë bijtë e tu do të mësohen nga Zoti dhe e madhe ka për të qenë paqja e bijve të tu. Ti do të vendosesh ngultas në drejtësi; do të jesh larg nga shtypja, sepse nuk duhet të trembesh më edhe nga tmerri, sepse nuk do të të afrohet më ty (Isaia 54:7-8, 10, 13-14).


    “Por kjo është besëlidhja që do të vendos me shtëpinë e Izraelit mbas atyre ditëve”, thotë Zoti: “Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im. Ata nuk do të mësojnë secili të afërmin e tij dhe secili vëllanë e tij, duke thënë: “Njihni Zotin!”, sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri te më i madhi”, thotë Zoti. “Sepse unë do ta fal paudhësinë e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre” (Jeremia 31:33-34).

    Si profet dhe si Fjala e mishëruar e Perëndisë, Jisui është Udha, e Vërteta, Jeta dhe Drita e botës.

    Jisui i tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje. Po të më kishit njohur, do të kishit njohur edhe Atin tim; qysh tani e njihni dhe e keni parë” (Joani 14:6-7).

    Dhe Jisui u foli atyre përsëri duke thënë: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Joani 8:12).

    Të gjithë ata që i përkasin Jisuit marrin pjesë në dhuratën e profecisë së Tij. Ai e jep Shpirtin e Shenjtë tek të gjithë nxënësit e Tij që edhe ata të mundin ta njohin Atin dhe të flasin fjalët e Tij dhe të bëhen edhe ata vetë “drita e botës”.

    Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet. Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t’u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi. Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej (Mattheu 5:14-16).

    ... dhe do t’ju çojnë përpara guvernatorëve dhe përpara mbretërve për shkakun tim, për të dëshmuar para tyre dhe para johebrenjve. Dhe, kur t’ju dorëzojnë në duart e tyre, mos u shqetësoni se çfarë dhe si do të flisni; sepse në atë çast do t’ju jepet se çfarë duhet të thoni; sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Fryma e Atit tuaj që do të flasë në ju (Mattheu 10:18-20).

    Mundësia e plotë e njerëzve për të profetizuar është dhënë në dhuratën e Shpirtit të Shenjtë, i Cili erdhi tek nxënësit e Krishtit në Rushajet dhe vazhdon të vijë tek të gjithë ata që në Kishë janë pagëzuar në Krishtin. Kjo derdhje e plotë e Shpirtit të Perëndisë në çdo mish, ishte profetizuar nga Joeli në Dhiatën e Vjetër. Kështu, përsëri, apostulli Pjetër jep dëshmi:

    Por Pjetri u çua në këmbë bashkë me të njëmbëdhjetët dhe u foli atyre me zë të lartë: “Judenj dhe ju të gjithë që banoni në Jerusalem, merrni njoftim për këtë dhe dëgjoni me vëmendje fjalët e mia. Këta nuk janë të dehur, siç po mendoni ju, sepse është vetëm ora e tretë e ditës. Por kjo është ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Joel: ‘Dhe në ditët e fundit do të ndodhë, thotë Perëndia, që unë do të përhap nga Fryma ime mbi çdo mish; dhe bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vegime dhe të moshuarit tuaj do të shohin ëndrra. Në ato ditë do të përhap nga Fryma ime mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia, dhe do të profetizojnë’ ” (Veprat e Apostujve 2:14-18).

    Po të njëjtën gjë thotë edhe apostulli Pavël kur ai ngulmon se profecia është e para nga dhuratat e Shpirtit të Shenjtë në Kishën e Mesias.

    Kërkoni dashurinë dhe lypni me zemër të zjarrtë dhuntitë frymërore, por sidomos që të mund të profetizoni (1 Korinthianët 14:1).

    Në Mbretërinë e Perëndisë, e gjithë profecia do të pushojë, sepse do të jetë prania finale dhe e përsosur e Perëndisë. Atëherë Krishti, Fjala e Perëndisë, do të jetë i pranishëm me të gjithë lavdinë e Tij hyjnore, duke shfaqur Perëndinë Atin tek i gjithë krijimi.

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    Shenjtëria


    Perëndia i Dhiatës së Vjetër ishte Perëndia i Shenjtë. Fjala "i shenjtë" do të thotë i ndarë, i ndryshëm, i pangjashëm me gjithçka tjetër që ekziston.

    Perëndia i Shenjtë i Dhiatës së Vjetër e zbuloi Vetveten tek populli i Tij i zgjedhur që ishte i aftë për të shikuar lavdinë e Tij. Lavdia e Zotit ishte një shfaqje e veçantë hyjnore e Personit dhe e Pranisë së Perëndisë. Ajo përbëhej në vizionin e dritës, madhështisë dhe bukurisë dhe ishte e shoqëruar nga zëri i Zotit dhe nga engjëjt e Tij të shenjtë. Ajo krijonte tek personat që e shikonin një ndijim të jashtëzakonshëm frike dhe mahnitje, si edhe bindjen e thellë të paqes, mirëqenies dhe gëzimit.

    Në këtë mënyrë e përjetoi Moisiu Perëndinë e Shenjtë në lavdinë e Tij hyjnore në Horeb, malin e Perëndisë, para Pashkës dhe në shkretëtirë mbas eksodit nga Egjipti.

    Dhe Engjëlli i Zotit iu shfaq në një flakë zjarri, në mes të një ferrishtjeje. Moisiu vështroi dhe ja që ferrishtja po flakërohej nga zjarri, por nuk digjej. Atëherë Moisiu tha: “Tani do të zhvendosem për të parë këtë shfaqje madhështore: pse ferrishtja nuk po digjet!”. Zoti vuri re që ai ishte zhvendosur për të parë, dhe Perëndia e thirri nga mesi i ferrishtes dhe i tha: “Moisi, Moisi!”. Ai u përgjigj: “Ja ku jam”. Perëndia tha: “Mos u afro këtu: hiq sandalet nga këmbët, sepse vendi në të cilin ndodhesh është vend i shenjtë”. Pastaj tha dhe këto fjalë: “Unë jam Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit”. Dhe Moisiu fshehu fytyrën e tij, sepse kishte frikë të shikonte Perëndinë (Eksodi 3:2-6).

    Atëherë Moisiu tha: “Tregomë lavdinë tënde!”. Zoti iu përgjigj: “Unë do të bëj që të kalojë para teje gjithë mirësia ime dhe do të shpall emrin e Zotit para teje. Do të fal atë që do të fal dhe do të mëshiroj atë që do të mëshiroj”. Dhe tha akoma: “Ti nuk mund të shikosh fytyrën time, sepse asnjë njeri nuk mund të më shikojë dhe të jetojë”. Pastaj Zoti tha: “Ja një vend afër meje; ti do të rrish mbi shkëmbin; dhe ndërsa do të kalojë lavdia ime, unë do të të vë në një të çarë të shkëmbit dhe do të të mbuloj me dorën time, deri sa të kem kaluar; pastaj do ta tërheq dorën dhe ti do të më shikosh nga kurrizi; por fytyra ime nuk mund të shihet” (Eksodi 33:18-23).

    Njerëz të tjerë të zgjedhur të Dhiatës së Vjetër e përjetuan, gjithashtu praninë e shenjtërisë hyjnore dhe të lavdisë së Perëndisë. Abrahami, Isaku, Jakovi, Elia dhe Ezekieli patën përvoja të tilla, ashtu si edhe Isaia vizioni klasik i të cilit është bërë një pjesë standarte e lutjes liturgjike të Kishës.

    Në vitin e vdekjes së mbretit Uziah, unë pashë Zotin të ulur mbi një fron të ngritur dhe të lartë, dhe cepat e mantelit të tij mbushnin tempullin. Mbi të ishin serafinët; secili prej tyre kishte gjashtë krahë: me dy mbulonte fytyrën, me dy të tjerë këmbët dhe me dy fluturonte. Njëri i bërtiste tjetrit dhe i thoshte: “I Shenjtë, i Shenjtë, i Shenjtë është Zoti i ushtrive; tërë toka është plot me lavdinë e tij”.

    Shtalkat e portës u tronditën nga zëri i atij që bërtiste, ndërsa tempulli po mbushej me tym. Atëherë unë thashë: “I mjeri unë! Unë jam i humbur, sepse jam një njeri me buzë të papastra dhe banoj në mes të një populli me buzë të papastra; megjithatë sytë e mi kanë parë Mbretin, Zotin e ushtrive”. Atëherë një nga serafinët fluturoi drejt meje, duke mbajtur në dorë një urë zjarri, që kishte marrë me mashë nga altari. Me të ai preku gojën time dhe tha: “Ja, kjo preku buzët e tua, paudhësia jote hiqet dhe mëkati yt shlyhet”. Pastaj dëgjova zërin e Zotit që thoshte: “Kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?”. Unë u përgjigja: “Ja ku jam, dërgomë mua!” (Isaia 6:1-8).


    Psalmet, gjithashtu këndojnë shenjtërinë e Perëndisë dhe shpallin se i gjithë krijimi flet për lavdinë e Perëndisë (Shih psalmet 8, 19, 93, 104, 148 etj.).

    Mësimi kryesor i Dhiatës së Vjetër dhe themeli i të gjithë jetës së saj është se Populli i Perëndisë do të marrë pjesë në shenjtërinë e Tij. Ky ishte qëllimi i tërë Ligjit të Moisiut dhe i urdhërimeve për moralin dhe adhurimin.

    Sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj; shenjtërohuni, pra, dhe jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë; mos u fëlliqni me asnjë prej këtyre kafshëve që zvarriten mbi tokë. Sepse unë jam Zoti që ju bëri të dilni nga vendi i Egjiptit, për të qenë Perëndia juaj; jini pra të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë (Levitiku 11:44-45).

    Populli duhej të bëhej i shenjtë dhe të fitonte diturinë dhe shenjtërinë e Perëndisë nëpërmjet shërbimit dhe adhurimit të tyre ndaj Atij. Të gjitha shkrimet e Dhiatës së Vjetër të ashtuquajtura të Diturisë dhe gjithë mësimet e profetëve dhe të psalmeve janë përqendruar rreth këtij fakti themelor: Populli i Perëndisë duhet të fitojë dhe të shprehë shenjtërinë, diturinë, lavdinë dhe drejtësinë e Perëndisë Vetë. Ky, dhe asgjë tjetër, është kuptimi dhe qëllimi i jetës së njeriut, i krijuar dhe i udhëhequr nga Perëndia.

    Përsosmëria përfundimtare e qëllimit të Perëndisë për njeriun është përmbushur në Krishtin. Vetëm Ai është përmbushja e ligjit dhe profetëve. Vetëm Ai është “Shenjti i Perëndisë” (Marku 1:24; Lluka 1:35, 4:34). Vetëm Ai është përsosmërisht i drejtë dhe tërësisht pa mëkat. Kështu i flet Shën Pjetri popullit për Jisuin mbas ngjarjes së Rushajeve.

    Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Jakovit, Perëndia i etërve tanë e ka përlëvduar Birin e tij, Jisuin, të cilin ju ia dorëzuat Pilatit dhe e mohuat përpara tij, megjithëse ai kishte vendosur ta lironte. Por ju e mohuat të Shenjtin, të Drejtin, dhe kërkuat që t’ju jepej një vrasës, dhe vratë princin e jetës, që Perëndia e ka ringjallur prej së vdekuri dhe për të cilin ne jemi dëshmitarë (Veprat e Apostujve 3:13-15)!

    Apostull Pavli thotë po të njëjtën gjë si mësimi i Pjetrit, duke iu referuar Krishtit jo vetëm si: i shenjtë, i drejtë dhe i ditur, por Ai Vetë si: shenjtëria, drejtësia dhe dituria e Vetë Perëndisë në trup njerëzor.

    Sepse Judenjtë kërkojnë një shenjë dhe Grekët kërkojnë dituri, por ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar, skandal për Judenjtë dhe marrëzi për Grekët, kurse për ata që janë të thirrur, qofshin Judenj ose Grekë, predikojmë Krishtin, fuqia e Perëndisë dhe dituria e Perëndisë.

    Por prej tij ju jeni në Krishtin Jisu, i cili nga Perëndia u bë për ne dituri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim, që, sikurse është shkruar: “Ai që mburret, le të mburret në Zotin” (1 Korinthianët 1:22-24, 30-31).


    Lavdia e Perëndisë është zbuluar në personin e Krishtit. Kjo është dëshmia e vazhdueshme e apostujve, të cilët e panë “Mbretërinë e Perëndisë të vinte me fuqi” në malin e Shpërfytyrimit (Shih Mattheu 17:1-6; Marku 9:2-7; Lluka 9:28-36; Vëllimi II Adhurimi).

    Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë (Joani 1:14).

    Dhe, në qoftë se shërbimi i vdekjes, që ishte gdhendur me shkronja mbi gurë, qe i lavdishëm aq sa bijtë e Izraelit nuk mund të vështronin me sy fytyrën e Moisiut, për shkak të lavdisë së pamjes së tij, që duhet të anullohej, sa më i lavdishëm do të jetë shërbimi i Frymës? Sepse, nëse shërbimi i dënimit qe rrethuar me lavdi, shumë më tepër do të teprojë në lavdi shërbimi i drejtësisë. Sepse çka është lavdëruar nuk është lavdëruar nga kjo pikëpamje, për shkak të asaj lavdie që e kapërcen çdo masë. Sepse, në qoftë se ajo që duhet të anullohej u rrethua me lavdi, ajo që mbetet do të jetë shumë më e lavdishme. Duke pasur, pra, një shpresë të tillë, flasim me shumë guxim.

    Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, shndërrohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit.

    Sepse Perëndia që tha: “Le të ndriçojë drita në errësirë’”, është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për t’na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jisu Krishtit (2 Korinthianët 3:7-12, 18, 4:6).


    Në dhe me anë të Krishtit, nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, të gjithë njerëzit mund të marrin pjesë në lavdinë e Perëndisë dhe të bëhen pjesëmarrës në vetë shenjtërinë e Perëndisë.

    Duke qenë se fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdinë dhe virtytin e vet, me anë të të cilave na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, që nëpërmjet tyre të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmisë (2 Pjetri. 1:1-2).

    Pjesëmarrja e njerëzve në “natyrën e Perëndisë” tashmë fillon në Kishën e Krishtit, fruti final i historisë së shpëtimit të Dhiatës së Vjetër. Në Kishë, Mbretëria e Perëndisë është e pranishme, që është “drejtësi, paqe dhe gëzim në Shpirtin e Shenjtë” (Romanët 14:17). Në Kishën e Krishtit tashmë fillon ai lavdërim i përhershëm i Perëndisë së Shenjtë që ekziston tani në qiejt dhe do të mbushë të gjithë krijimin kur Krishti do të vijë me lavdinë e Mbretërisë së tij në fund të kohërave.

    I Shenjtë, i Shenjtë, i Shenjtë është Zoti Perëndi, i Plotfuqishmi, që ishte, që është dhe që do të vijë (Zbulesa 4:7).

    Dhe më tha: “Këto fjalë janë besnike dhe të vërteta; dhe Zoti, Perëndi i profetëve të shenjtë, dërgoi engjëllin e tij, për t’u treguar shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti. Ja, unë vij shpejt; lum ai që i ruan fjalët e profecisë së këtij libri’ ” (Zbulesa 22:6-7).

    Kush është i padrejtë, le të vazhdojë të jetë i padrejtë, kush është i ndyrë le të vazhdojë të jetë i ndyrë, kush është i drejtë le të vazhdojë të praktikojë drejtësinë, dhe kush është i shenjtë le të vazhdojë të shenjtërohet. Dhe ja, unë vij shpejt, dhe shpërblimi im është me mua, për t’i dhënë gjithsecilit sipas veprave që ai ka bërë. Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, i pari dhe i fundit. Lum ata që i kryejnë urdhërimet e tij, që të kenë të drejtën për drurin e jetës dhe për të hyrë në portat e qytetit. Jashtë janë qentë, magjistarët, kurvarët, vrasësit, idhujtarët dhe kushdo që do dhe zbaton gënjeshtrën. Unë, Jisui, dërgova engjëllin tim për t’ju dëshmuar për këto gjëra nëpër kisha. Unë jam Rrënja dhe pasardhja e Davidit, ylli i ndritshëm i mëngjesit (Zbulesa 22:11-16).

    Ai që dëshmon për këto gjëra, thotë: “Po, unë vij shpejt. Amin”. Po, eja, Zoti Jisu. Hiri i Zotit Jisu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amin (Zbulesa 22:20-21).

Tema të Ngjashme

  1. Mrekullia e Pashkës - Flaka e Shenjtë e Jeruzalemit
    Nga Seminarist në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 39
    Postimi i Fundit: 16-04-2023, 03:45
  2. Ëndërrat dhe interpretimi i tyre
    Nga Drini_i_Zi në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 26
    Postimi i Fundit: 13-09-2017, 03:53
  3. Pagezimi ne Frymen e Shenjte
    Nga i krishteri në forumin Komuniteti protestant
    Përgjigje: 31
    Postimi i Fundit: 24-10-2007, 12:39
  4. Besimi Orthodhoks
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 41
    Postimi i Fundit: 06-04-2005, 02:00
  5. Ortodoksia dhe Shqipëria
    Nga shendelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 258
    Postimi i Fundit: 07-04-2004, 18:16

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •