Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1

    Luan Starova: Koha konsumon jetën, jo shpresën

    Zonat e errëta e të papërkthyeshme të identitetit kombëtar në veprën e Luan Starovës. Intervistë me shkrimtarin me rastin e promovimit të romanit “Kurbani i ballkanit”, i shpallur libri më i mirë i vitit 2005 në Maqedoni

    "Kurbani i Ballkanit" i Luan Starovës i shpallur romani më i mirë për vitin 2005 në Maqedoni, ishte një arsye për ta takuar shkrimtarin në Strugë ku para dy ditësh ai promovoi këtë vepër. Autori i Sagës Ballkanike, një serial i pasur romanesh që e më në fund do t’i kemi të gjitha të botura në gjuhën shqipe, rimerr në këtë intervistë asociacionet e kujtimeve të babait të tij të cilat e shtynë të shkruante romanin Librat e babait dhe nga ana tjetër shpjegon pse ndihet i panginjur të shkruajë për metaforat historike të shqiptarëve përgjatë shekullit që lamë pas. Proza e tij që shtrihet në kufijtë e sarkazmës për fatin tragjik të shqiptarëve në Ballkan, është njëherësh një vepër universale sadoqë jo e shkruar në gjuhën shqipe, nga një shkrimtar bashkëkohor shqiptar.

    Zoti Starova, ju sapo keni promovuar romanin “Kurbani i Ballkanit”, i shpallur libri i vitit 2005 në Maqedoni, por në Shqipëri nuk dimë akoma se ç’është kjo vepër. Çfarë i transmetoni aty lexuesit?

    Ky libër është një metaforë integrale që kërkon të evidentojë luftërat vëllavrasëse në Ballkan në këto 15 vitet e fundit në Kosovë dhe në përgjithësi në rajonin tonë të trazuar. Kjo metaforë ballkanike shkon deri në flijime. Ne shqiptarët kemi situatë më komplekse e më dramatike dhe indentiteti i shqiptarëve në histori ka patur kundërthënie në krahasim me popujt e tjerë të Ballkanit. Shpesh popullit shqiptar i është dashur të mbijetojë në këto faza kur jo rrallë herë ka flijuar një pjesë të indentitetit të tij. Vendosja në qendër të librit e një arbëreshi i cili interesohet të zbulojë rrënjët e indentitetit dhe kur arrin të prekë fundin e detit, gjen sekretin e këtij indentiteti. Për paralelizëm Konica thoshte se secili popull ka një zonë të errët në fundin e detit që nuk përkthehet e që ka të bëjë me indentitetin kombëtar.

    Deshëm të dimë diçka specifike për botimet tuaja rreth Sagës Ballkanike.

    E them sinqerisht që inspirimi im për të shkruar Sagën Ballkanike ka nisur pikërisht këtu në shtëpinë time në Strugë ku vij pushoj çdo verë. Duke parë matanë liqenit vendlindjen time, Pogradecin, duke shfletuar librat e babait të cilat i trashëgova në gjuhën shqipe, latine dhe në faqe të ndryshme gjatë leximit gjeta hirin e cigares që kishte mbetur nëpër faqe gjatë leximeve të tij, dhe ky hi u bë shkak që unë të shkruaj Librat e babait, si një asociacion i përfytyrimeve të mia për tim atë. Ky është libri i parë i Sagës Ballkanike, më pas vjen Koha e dhive, Rruga e ngjalave, Muzeu i ateizmit dhe Bregu i ekzilit, të botuara fillimisht në frëngjisht nga Fayard dhe më pas në shqip nga shtëpia botuese Toena. Mendoj se të gjitha këto janë si metafora për shqiptarët gjatë një shekulli në kushtet e Ballkanit. Por së shpejti po nga kjo shtëpi botuese do të botohen edhe dy libra të tjerë të cilët i kam përfunduar, Dashuria e gjeneralit dhe Koha e Jeniçerëve të cilat plotësojnë Sagën Ballkanike. Unë tashmë jam shumë i lumtur që veprat e mia po dalin në shqip, sadoqë janë të botuara në gjuhë të huaja.

    Deri tani ju keni folur për historinë e shqiptarëve si metaforë të cilat në fakt përfaqësojnë çfarë?

    Po historia jonë mund të shpjegohet nëpërmjet metaforave ikje dhe kthim. Pavarësisht rrethanave dhe fatit, në mënyrë pothuajse instiktive, shqiptarët i kanë mbetur besnikë gjirit familjar. Këtu kemi gjetur forcën që ka munguar në institucionet e kohës së civilizimit europian. Koha konsumon jetën, por jo shpresën. Desha të theksoj pak nga vepra Bregu i egzilit, që në fakt është një breg i kthimit prej egzilit. Është vetë autori i këtij libri i cili për 60 vjet e shikonte me dylbi vendlindjen nga bregu tjetër i Shën Naumit. Këtu ka qënë muri Ballkanik më i fortë se muri i Berlinit. Unë kam qenë themelues i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë në Strugë dhe sa herë vija për festivalin çdo verë nga Shkupi apo Parisi, vija si në një vend peligrinazhi pranë kufirit me shkrimtarët e miqtë e mi si Edgar Morin-in, Andre Freno-në, Andrei Voznesenskii-n dhe Janis Ricos-in apo Rafael Albertin, më thoshin se një ditë do të hapet kufiri dhe liqeni nuk do të jetë i ndarë.

    Jeni i pari shqiptar që keni marrë një çmim zyrtar për letërsinë nga shteti francez…

    Po ky çmim vjen si mirënjohje e qeverisë franceze pas tre dekadave të punës sime. Unë këtë shpërblim nuk e shoh vetëm kaq, po edhe si mirënjohje ndaj kombit shqiptar. Para meje këtë çmim e ka marrë i ndjeri Danillo Kish. Në Francë letërsia shqipe ka filluar të njihet që me Konicën me të madhin Kadare, Fatos Kongolin dhe Besnik Mustafajin më pas.

    Si themelues i këtyre mbrëmjeve, si e shpjegoni që në katër dekadat e këtij manifestimi të poezisë botërore, shqiptarët nuk kanë qenë dhe aq të përfaqësuar, asnjëherë fitues?

    Mbrëmjet e Poezisë në Strugë janë krijuar për të thirrur poetët më të mirë nga e gjithë bota dhe nëpërmjet tyre të jepet mesazhi i paqes, bashkimit dhe të krijohen ura miqësie mes popujve. Por qëllimi i këtij misioni ka shkarë. Aty është futur politika, nacionalizmi dhe shpeshherë jo vetëm që shqiptarëve nuk u është dhënë kurora e artë, ndonëse e kanë meritur me Dritëro Agollin, Fatos Arapi apo Xhevahir Spahiu. Për shkak të kësaj fryme, ky çmim çohet sa më larg të mundin në Argjentinë apo Kubë, duke mos e parë të arsyeshme ta fitojë qoftë një herë të vetme një shqiptar, ashtu siç e kanë marrë poetë nga vende të tjera të Ballkanit. Por desha të theksoj se vitin e kaluar shqiptarët u provokun shumë keq nga një poet tunizian i cili kishte futur një poezi tepër fyese për Shqipërinë duke i quajtur shqiptarët “thikë në shpinë” ndërsa nënat shqiptare që “pjellin fëmijë të pangopshëm”. E pra kjo jo vetëm nuk është normale, por edhe devijim nga misioni që duhet të ketë poezia në këto lloj takimesh.

    Në mesazhet e disa romaneve tuaj ju i mëshoni çështjes së identitetit shqiptar. Nuk mund të mos ju pyesim për debatin e ethshëm që ka kapur disa intelektualë shqiptarë në vijim të koncepteve që kanë hedhur shkrimarët Ismail Kadare e Rexhep Qosja. Nëse i keni ndjekur, ç’mendoni?

    Më duket se ne shkrimtarët pak a shumë na pëlqen të na përkëdhelin, të shkruajnë për ne, por vjen një kohë që fillojmë e merremi me mediat dhe kurdisim aty sipas oreksit tonë lloj-lloj opinionesh. Unë desha të theksoj prerë se polemika midis Kadaresë dhe Qoses është e tejkaluar. Indentiteti ynë dihet është një indentitet kompleks me komponentë islamë dhe të krishterë dhe të gjithë këta së bashku përbëjnë indentitetin tonë kombëtar, të asaj bashkëjetese model midis feve në Shqipëri. Edhe Kadare dhe Qose harrojnë një gjë: që indentiteti ynë kompleks është një vlerë për kombin tonë. Kjo polemikë është joproduktive dhe nuk i shërben askujt, vetëm sjell përçarje aq më tepër në situatat ku ndodhet vendi ynë. Nëse ata kanë pikëpamje të ndryshme le t’i shprehin nëpër veprat e tyre të sjellin mesazhin që ata mendojnë, por jo të merren me lojëra fjalësh dhe akuza të ndërsjellta nëpër gazeta. Askujt nuk i shërben ajo polemikë.

    Bardhyl Berberi - Shekulli
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Postimin e barta tek nji tem tjeter
    Ndryshuar për herë të fundit nga Llapi : 10-11-2006 më 19:49
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

Tema të Ngjashme

  1. Luan Starova
    Nga Fiori në forumin Shkrimtarë shqiptarë
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 18-07-2009, 11:46
  2. Starova: Partizan, tregoje veten në Korçë!
    Nga Flori në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 27
    Postimi i Fundit: 15-02-2006, 23:37
  3. Tifozat e te modhes ''TIRANA'' <2>
    Nga La_Lune në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 151
    Postimi i Fundit: 04-03-2005, 18:25
  4. Moisiu propozon deputetin republikan Robert Çekun për kreun e KLSH
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 01-11-2004, 15:41
  5. Takimi - Bledi Starova
    Nga Henri në forumin Letërsia shqiptare
    Përgjigje: 18
    Postimi i Fundit: 22-06-2002, 09:57

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •