Nikolas Geixh -vizita në Himarë dhe fshatrat minoritare. Vizita mbahet e fshehtë
Geixh, takime sekrete në Jug
Përfaqësuesi i lobit greko-amerikan takime me minoritetin pas zgjedhjes në krye të shoqatës së epirotëve jashtë Greqisë
Anila Rama
TIRANË- Nikolas Geixh, në një vizitë të heshtur e pa bujë, viziton Jugun e Shqipërisë, duke zhvilluar takime me banorë të disa fshatrave të minoritetit dhe të zonës së Himarës. Përfaqësuesi i lobit greko-amerikan, një figurë shumë e diskutuar në opinion shqiptar për aktivitetin e tij, në ditët e para të gushtit, përkatësisht në datat dy-tre, ka zhvilluar takime në zonën e Dropullit dhe më pas ka shkuar edhe në Himarë. Lajmin e konfirmuan burime të sigurta, pranë njerëzve që kanë shoqëruar Geixhin në takimet e mësipërme. Geixh ka shkelur tokën shqiptare, menjëherë pas një takimi të panepiriotëve jashtë Greqisë, të zhvilluar në Janinë, ku ai edhe është zgjedhur kryetar i kësaj shoqate. Ndonëse nuk dihen shume detaje nga takimet e tij në jug të vendit, qëllimi i Geixhit, është i qartë, kontakti me përfaqësuesit e minoritetit grek në Shqipëri, që ai i konsideron si vorio-epiriotë, duke u njohur paraprakisht edhe me zhvillimet e fundit që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të këtyre pakicave. Ai është shoqëruar në këto takime nga figura të njohura të minoritetit grek në Shqipëri, përfshirë edhe kryetarin e PBDNJ-së Vangjel Dule dhe kryetari i shoqatës “Omonia” Jani Jani. Vizita e Geixhit në Shqipëri është bërë pak ditë pasi në Qarkun e Vlorës u nënshkrua një memorandum për të drejtat e pakicave. Përfaqësuesit e pakicës greke në Shqipëri nuk e nënshkruan këtë memorandum, me pretendimin se në të duhej që zona e Himarës të shpallej minoritare. Por nga autoritetet zyrtare të Prefekturës, firmosja e memorandumit u quajt një sukses, pasi ai u nënshkrua nga të gjithë minoritetet, përveç atij grek. Geixhi në këtë vizitë të tij në Shqipëri, nuk ka pasur në agjendë takime me përfaqësues të qeverisë apo politikës. Ai është mjaftuar duke thënë në Janinë, në konferencën e Epirotëve se nuk kam çfarë të diskutoj më me qeverinë, pasi jam marrë vesh për hapjen e shkollës greke në Himarë.
Nikolas Gaxojani, për herë të fundit ka qenë në Shqipëri në janar të vitit 2005, në përvjetorin e 14-të të themelimit të organizatës “Omonia” në Gjirokastër, ku sërish ka ritheksuar se mosrespektimi i të drejtave e lirive të të minoritarëve grekë me banim në Shqipëri, e lë vendin jashtë BE-së. Geixhi është i njohur për drejtimin e lobit grek në Amerikë. Nikolas Geixh, ose Gaxojani, është shpallur person “non grata” në vitin 1994-ër, nga ish-presidenti i saj kohe Sali Berisha. Si shkak për këtë, shërbeu incidenti i ndodhur në fshatin Peshkëpi të Gjirokastrës, ku mbeti i vrarë një ushtar shqiptar në territorin e një reparti ushtarak. Geixhi, nga autoritet shqiptare në atë kohë, u shpall person “non grata,” ndërsa u arrestuan 6 minoritarë grekë, të cilët edhe u dënuan gjatë procesit që njihet, si “Procesi i të gjashtëve.” Rikthimi tij në Shqipëri do të ndodhte vite më vonë, vetëm pas ardhjes së socialistëve në pushtet. Madje në vitet e qëndrimit të socialistëve në pushtet, Geixhi arriti të krijonte marrëdhënie miqësore me ish-kryetarin e PS-së e ish-kryeministrin Fatos Nano, duke pasur si ndërmjetës në vendosjen e kontakteve, një nga figurat e njohura të PS-së në 8 vjetët e pushtetit, Anastas Angjelin. Por edhe marrëdhëniet e ngrira me Sali Berishën, pasi ishte shpallur “non grata në 1994-ën,” morën një kthesë të dukshme në takimin që ai zhvilloi kokë më kokë me të në selinë e PD-së, në fund të vitit 1992. Ndërkaq, vlen të theksohet se tashmë pas rikthimit në pushtet Berisha, po i kushton një vëmendje dhe kujdes të veçantë përmbushjes së të drejtave të minoriteteve. Pak muaj më parë, qeveria e drejtuar prej tij ka vendosur hapjen e një shkolle greke në Himarë, vendim që ka shkaktuar mjaft polemika, pasi nga dy ministra të qeverisë kishte dy qëndrime të ndryshme për këtë çështje.
12/08/2006
KATEGORIA: Politike
http://www.shekulli.com.al/index.php...e&newsID=99666
Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe disa përfaqësues të minoritetit grek në Shqipëri, përfshirë kryetarin e PBDNJ-së Vangjel Dule
Konferenca e Janinës, Geixh, zgjidhet kryetari i epirotëve
Shekulli
TIRANË- Takimi i panepiriotëve që jetojnë jashtë Greqisë, i zhvilluar në Janinë, ka zgjedhur si kryetar të shoqatës greko-amerikane e njohur.................Nikolas Geixh. Në takimin në fjalë, Geixhi ka arritur të sigurojë mbështetjen e pjesëmarrësve, duke u zgjedhur në krye të epiriotëvë që jetojnë jashtë Greqisë, pra në vende të tjera. Sipas burimeve nga takimi, aty kanë marrë pjesë edhe disa përfaqësues të minoritetit grek në Shqipëri, përfshirë kryetarin e PBDNJ-së Vangjel Dule dhe të tjerë që ishin ftuar nga organizatorët. Nuk kanë mbetur jashtë diskutimit të Geixhit në këtë takim edhe marrëdhëniet e tij me kryeministrin shqiptar Sali Berisha. “Me Berishën i kam mbyllur llogaritë, me ndërtimin e shkollës greke në Himarë,” - mësohet të ketë thënë Geixhi në këtë takim. Pra nga fjala e tij, kuptohet se ai ka qenë mbështetësi dhe nxitësi kryesor për të krijuar mundësinë e lejimit të shkollës greke në Himarë. Geixhi në fakt i ka rehabilituar marrëdhëniet me Berishën, pas vitit 1994-ër, kur ai u shpall “non grata” në territorin shqiptar. Geixhi, përveçse është drejtues i shoqatës së panepiriotëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, drejton prej vitesh Institutin Panhelenik, ku edhe zhvillon aktivitetin e tij kryesor në krye të lobit grek në SHBA.
12/08/2006
http://www.shekulli.com.al/index.php...e&newsID=99667
Krijoni Kontakt