Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 12
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Festohet solemnisht 15 vjetori i Fronëzimit të Kryepiskopit Anastas

    KishOrthodhokse e Shqipërisë a kremtoi 14 vjetorin e Fronëzimit të Kryepiskopit Anastas

    “Përparimi i Kishës Orthodhokse është përparim për mbarë vendin”

    Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë kremtoi të mërkurën më 2 gusht, 14 vjetorin e Fronëzimit të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Prof. Dr. Anastas Janullatos dhe në të njëjtën kohë momentin e ringritjes kanonike të Kishës Orthodhokse pas regjimit komunist.


    Në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses Mari”, në Tiranë, u zhvillua të mërkurën paradite liturgjia hyjnore ku mori pjesë Sinodi i Shenjtë i Kishës, klerikë dhe laikë, besimtarë nga Tirana dhe nga e gjithë Shqipëria.

    Në këtë ditë të veçantë dhe historike për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Kryepiskopi Anastas përcolli urimin e tij për besimtarët dhe mbarë shqiptarët, duke theksuar se pas problemeve që kaloi besimi në Shqipëri në këta 14 vjet shikohet një prezencë e ndjeshme e Kishës Orthodhokse në zhvillimin e shoqërisë. “...Ne vazhdojmë me siguri rrugëtimin tonë dhe Perëndia nuk na ka braktisur. Të jemi njerëz entuziast në Frymë, Shpirti i Shenjtë le të na rrezatojë në çdo moment e në çdo komunikim me njerëzit rreth nesh, të jemi të gatshëm të falim sepse zemërgjerësia dhe falja janë karakteristika të mbarë orthodhoksëve. Përparimi i secilit prej nesh do të jetë progres për Kishën dhe për mbarë vendin. Zoti i shpresës le të na mbushë të gjithë me gëzim dhe paqe...”- theksoi gjatë fjalës së tij Kryepiskopi Anastas.

    Në këtë përvjetor përshëndetën edhe Mitropoliti i Beratit, Imzot Ignati, i cili e vuri theksin në misionarizmin e Kryepiskopit Anastas dhe shembullin që jep ai për mbarë orthodhoksët. Ndërsa Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani shprehu falënderimin e tij për veprën e madhe të Kishës dhe Kryepiskopit Anastas në kontributin e gjithanshëm për zhvillimin e Kishës dhe mbarë shoqërisë shqiptare.

    Ky festim rikujton dhe vlerëson fronëzimin e Kryepiskopit Anastas në krye të Komunitetit Orthodhoks të Shqipërisë si primat i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Kjo ngjarje përbën momentin e vendosjes së gurit të themelit të organizimit dhe veprimtarisë kishtare në vend pas regjimit komunist, ringritjen kanonike të Kishës Orthodhokse, fakt kanonik ky që lidhet edhe me krijimin e Sinodit të Shenjtë, si organi më i lartë i Kishës.

    Ky festim thekson krenarinë dhe vlerësimin për figurën drejtuese të Kishës me frymën e tij të paqes, mirëkuptimit, të mençurisë dhe respektit për çdo qenie njerëzore. Ai e ka udhëhequr Kishën në kohë paqeje dhe në kohë trazirash, gjithmonë me mençuri dhe urtësi, aq sa Kisha Orthodhokse është një faktor i rëndësishëm zhvillimi në jetën shoqërore të Shqipërisë dhe një institucion i nderuar dhe i njohur në mbarë botën.



    Informacion rreth ringritjes së Kishës Orthodhokse të Shqipërisë

    Gjatë viteve që Kryepiskopi Anastas ka drejtuar Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë janë shënuar zhvillime të vazhdueshme e të shumanshme kryesisht në:

    – Organizimin kishtar:

    • Përgatitjen, arsimimin dhe dorëzimet në klerikë të 138 klerikëve të rinj si dhe krijimin e Sinodit të Shenjtë.

    • Ndërtimin e më shumë se 90 kishave të reja nga themelet, riparimin e më shumë se 140 kishave të tjera, restaurimin e manastireve dhe kishave-monumente, Selive metropolitane, si dhe ndërtimin e mjaft ndërtesave të tjera, për të cilat u shpenzuan miliona dollarë.

    • Gjithashtu, për nxjerrjen e kuadrove të rinj të Kishës funksionojnë edhe dy shkollat kishtare: Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit si dhe shkolla e mesme “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër.

    • Në gjithë vendin u organizuan shoqatat e gruas, rinisë dhe intelektualëve të cilët ndihmojnë Kishën në veprimtaritë e saj.



    – Edukimin social dhe kontributin kulturor:

    • U ngritën 14 kopshte ditore për fëmijë në të gjithë Shqipërinë.

    • Në Tiranë u ngrit e u hap Instituti i Formimit Profesional “Frymë Dashurie” me 6 degë dhe filial i tij në Derviçan, si edhe shkolla fillore shqiptaro-amerikane “Protagonistët”, në Tiranë dhe një shkollë fillore në Durrës.

    • U është dhënë mbështetje teknike dhe materiale shkollave publike dhe janë rikonstruktuar 10 shkolla e 6 kopshte si edhe sheshin sportiv të Shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”, Tiranë.

    • Në vitin 1998 filloi transmetimet radioja kulturore “Ngjallja”, në frekuencën 88.5 MHz.

    • Në botimin e shumë librave fetare, socialë e kulturorë në shtypshkronjën e saj, në Tiranë.

    • Formimin e një Bërthame të Trashëgimisë Kulturore për përgatitjen e një brezi të ri artistësh që do të rigjallërojë traditën shumë të pasur ikonografike e restauruese.



    – Përkujdesjen sociale:

    • U ndërtua dhe funksionon Qendra Diagnostike “Ungjillëzimi”, në Tiranë, me 24 specialitete dhe laboratorë bashkëkohorë, me mjekët më të njohur të vendit, ku vizitohen çdo muaj më shumë se 6000 pacientë. Këtë vit në këtë klinikë u përurua edhe skaneri më modern në Shqipëri, i vetmi në vend dhe i dyti në Ballkan me një investim prej 1 milionë dollarësh.

    • Poliklinika të tjera mjekësore funksionojnë edhe në Kavajë, Lushnje, Korçë dhe Gjirokastër.

    • U ndërtua dhe u hap Shtëpia e Fëmijës “Shpresa”, në Shën Vlash të Durrësit.

    • Qendra Bamirëse “Shoqëria e Dashurisë”, në Tiranë, që ushqen njerëz në nevojë dhe të varfër, tashmë punon me një kapacitet ditor prej 100 vetash.

    • Projekte zhvillimi bujqësor për zona të thella malore, ndërtime rrugësh në zona rurale; ndihma për shkolla, jetimore, spitale, institute, për persona me aftësi të kufizuara, azile, të burgosur etj.

    • Një kujdes i veçantë gjatë këtyre viteve është treguar për mjedisin. U realizuan projekte për mbrojtjen e ekosistemeve në lumin e Vjosës, në Llogara e Zvërnec.



    – Situata të vështira të vendit:

    • Në vitin 1997 riparoi në riparimin e ndërtesave të shkatërruara universitare të Tiranës dhe Gjirokastrës.

    • Po në 1997 kontribuoi së bashku me kryetarët e komuniteteve fetare në stabilizimin e situatës kaotike dhe shumë të vështirë në Tiranë e në të gjithë Shqipërinë.

    • Në vitin 1999 kur vendi ynë priti refugjatët kosovarë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë organizoi një program të gjerë ndihme prej më shumë se 12 milionë dollarë në bashkëpunim me donatorë dhe organizma ndërkombëtarë, duke hapur dy kampe pritjeje e qëndrimi për ta, ku u bë e mundur t’u qëndrohej afër dhe të ndihmoheshin rreth 33 mijë të ardhurve nga Kosova.

    • Në vitin 2004 ajo dhuroi 600 mijë dollarë për rindërtimin e një xhamie dhe kishe, si një kontribut simbolik dhe parimor në bashkëjetesën e brishtë kosovare, pas shkatërrimeve të objekteve të kultit në Kosovë gjatë krizës së marsit.



    – Marrëdhëniet ndërkombëtare:

    • Ndërkohë Kisha Orthodhokse e Shqipërisë merr pjesë si e barabartë në veprimtaritë e Kishave Orthodhokse të botës.

    • Ajo është anëtare e Konferencës Evropiane të Kishave, ku Kryepiskopi Anastas është zv/president i saj, si dhe është anëtare e Këshillit Botëror të Kishave ku Kryepiskopi është zgjedhur president, duke kontribuar në përpjekjet për bashkëpunim paqësor dhe solidaritet në rajon dhe më gjerë.

    Kryepiskopi Anastas gjatë 14 viteve në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë është përpjekur të jetojë misionin e Kishës brenda këndvështrimit të duhur universal

    KOASH
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura    

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    Faleminderit Kryepiskopi Anastas!

    I dashur Fortlumturia e juaj,

    Unë që po ju shkruaj jam një besimtar i thjeshtë orthodhoks i ri në moshë që si ata qindra mijëra emigrantë shqiptarë emigrova nga vendi im gati një dekadë më parë drejt Amerikës. Ju nuk më njihni, por unë u njoh ju edhe pse bashkë nuk jemi takuar apo komunikuar ndonjëherë më parë. Njoh përpjekjet e punën tuaj të palodhshme në keto 14 vjet si Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Njoh vështirësitë e paimagjinueshme, sulmet e gjithanshme, sharrjet, ofendimet, kërcënimet, plumbat, presionet e hapura ndaj jush dhe Kishës që ju drejtoni. Njoh jetën tuaj misionare në shërbim të Krishtit dhe Kishës Orthodhokse; njoh kontributin tuaj të jashtëzakonshëm ekumenik; njoh disa prej librave tuaj, referateve, predikimeve, qëndrimeve dhe honoraret e shumta që ju keni marrë në vite. Dhe në këtë jubile të 14 vjetorit të Fronëzimit Tuaj në krye të KOASH, unë falënderoj e lavdëroj Perëndinë në lutjet e mia për dërgimin e një prej shërbetorëve të Tij më të mirë në Shqipëri; ashtu siç i lutem Atij që t’u fali shëndet e forcën e hirit të shenjtë që të përmbushni deri në fund misionin e Perëndisë për popullin shqiptar.

    Ju falënderoj Hirësi që zgjodhët të qëndroni e ndihmoni atë popull në këto 14 vjet, kur shumë nga ne shqiptarët e lindur e rritur në atë vend, zgjodhëm atë rrugën e thjeshtë, emigrimin nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë. Kur ju shumë mirë mund të kishit zgjedhur të bëheshit Kryebari i një prej Kishave Orthodhokse më në zë në botë, ju zgjodhët kryqin e rëndë të rimëkëmbjes fizike dhe shpirtërore të një Kishe të rënuar dhe të një populli të sapodalë nga një ërrësirë e plotë shpirtërore 50 vjeçare.

    Ju falënderoj Hirësi për mrekullinë më të madhe të ketyre dy dekadave të tranzicionit shqiptar: ringjalljen e besimit në zemrat e shqiptarëve dhe ringritjen nga themelet të Kishës Orthodhokse Autoqefale Shqiptare. Ju sollët flakën e besimit që sot ndriçon fort dhe ngroh zemrat e mijëra shqiptarëve, atë flakë që armiqtë e besimit orthodhoks në Lindje e Perëndim janë munduar të shuajnë në këto 600 vjet. Është një mrekulli, dhe një mrekulli shumë e madhe bile, se asnjë njeri në botë nuk do të mund të arrinte dot atë që keni arritur ju në këto 14 vjet pa patur me vete bekimin e Perëndisë! Ai "qiriu i ndezur para ikonës së Krishtit" sot ka ndezur një flakë që ka pushtuar zemrat e mijëra shqiptarëve. Për këtë bekim i jemi mirënjohës në përjetësi Perëndisë dhe ju, shërbëtorit të zgjedhur të Tij!

    Ju falënderoj Hirësi për dashurinë e pakushtëzuar për popullin tim, jo vetëm për komunitetin orthodhoks por për të gjithë shqiptarët e të gjitha besimeve fetare. Ju falënderoj për të urriturit që keni ushqyer; për të harruarit e anashkaluarit e shoqërisë shqiptare që i keni vizituar, bekuar e ndihmuar; për fëmijët jetimë që keni adoptuar; për të sëmurët që keni shërruar; për kurajon e madhe me të cilën keni përballur racizmin dhe përbuzjen etnike të popujve ballkanikë; për apelin e paqes në vitin 1997 ne emër të Perëndisë e drejtësisë së Tij hyjnore; për ata mijëra refugjatë nga Kosova që strehuat dhe ndihmuat në kampet e hapura nga Kisha gjatë vitit 1999; për përulësinë me të cilën keni lypur ndihma për Kishën dhe popullin shqiptar në çdo cep të botës; për durimin e urtësinë që tregoni kur përballeni me barazhin e sharrjeve dhe ofendimeve të nacionalistëve të rrugës shqiptare; për korrektësinë mbresëlënëse jo vetëm karshi kanoneve kishtare por edhe ndaj shtetit e ligjit shqiptar; për kurajon që u jepni të pashpresëve të shumtë të popullit tim me praninë tuaj mes tyre.

    Ju falënderoj Hirësi për shembullin e një jetë të pastërt kristiane në shërbim të popullit tonë. Populli im shqiptar është edhe populli juaj, dhe ju e keni dëshmuar këtë me vepra e jo me fjalë në këto 14 vjet. Nëse krerët e shtetit shqiptar zvarrisin dhënien e shtetësisë suaj shqiptare, ky është një turp për ta e jo për ju! Shumë nga nacionalistët e rrugës mundohen tu shesin ju si "grek", por cili prej tyre ka bërë me vepra aq shumë sa keni bërë ju për popullin shqiptar në këto 14 vjet?! Janë të parët për të shprehur me fjalë nacionalizmin e tyre të rrugës, por të fundit për të treguar veprat e tyre në shërbim të popullit e kombit shqiptar. Cili prej tyre gëzon respektin e përmasave botërore që ju gëzoni, si kryetar i Këshillit Botëror të Kishave dhe si një prej misionarëve më në zë në mbarë botën e krishterë me një jetë të tërë në shërbim të Krishtit?! Cili prej tyre ka ndikuar sadopak në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë e shqiptarëve në një arenë botërorë, ashtu siç keni bërë ju në këto 14 vjet?! Cili prej tyre mund të bëhet një urrë e madhe mirëkuptimi midis popujve fqinjë, siç jeni bërë ju midis dy popujve më të lashtë të Ballkanit?! Nëse veprat e çdo njeriu janë etaloni matës i patriotizmit të tij, unë nuk njoh asnjë shqiptar në këto 2 dekadat e fundit që të ketë bërë për atë popull aq sa keni bërë ju. Jo vetëm që ju jeni shqiptar më i mirë se unë, por unë do të isha i lumtur sikur në jetën time të arrija të bëja 1/10 e asaj që keni bërë ju për popullin shqiptar.

    Ju kërkoj të falur Hirësi, në emër të gjithë atyre bashkëkombasve të mi, që me dije apo pa vetëdije, me qëllim apo pa qëllim, ju kanë sulmuar e penguar në punën tuaj. Fali se jetojnë në një errësirë të trashëguar shpirtërore dhe nuk e kuptojnë se çdo sulm mbi ju, është një sulm mbi fenë orthodhokse, fenë e të parëve tanë, besimin më të lashtë në tokën e Arbrit. Lutu për ta dhe për mbarë popullin shqiptar se më shumë se kurrë ne kemi nevojë jo për një iluminim të jashtëm, por për një iluminim të brendshëm që vjen nga lart.

    Fjalët nuk mund te shprehin dot mirënjohjen e thellë që unë ndjej për jetën dhe veprën tuaj Hirësi, mirënjohje që nuk buron nga goja por nga shpirti. Në pamundësi për tua shpërblyer këtë borxh të madh, unë i drejtohem me lutje Perëndisë që tu fali shëndet e fuqinë e hirit të shenjtë që të mund të përmbushni deri në fund misionin tuaj. Dhe në një kohë kur sulmet ndaj jush dhe KOASH janë kthyer në një biznes fitimprurës mediatik në Shqipëri, pranoni një fjalë të sinqertë nga unë: Faleminderit!


    Ilirjan Papa
    Philadelphia,
    6 gusht 2006

    P.S Letër e hapur urimi me rastin e 14 vjetorit të Fronëzimit, 2 gusht 2006.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 09-08-2006 më 09:13

  3. #3
    Person
    Anëtarësuar
    06-09-2005
    Vendndodhja
    Massachusetts
    Postime
    6

    Te shumta i qofshin vjetet.

    Eshte ky urimi tradicional orthodhoks qe shqiptaret i shprehin me zemer te gjere Kryepeshkopit te tyre te dashur, +Anastasit.

    Une nuk di se cfare te them tjeter, sepse Hiresia e Korces dhe Beratit, Albo dhe vete Kryepeshkopi e kane bere te qarte.

    Shendet dhe jete te kete gjithmone,

    Bogdani.
    Besimi qe nuk te con tek vepra eshte i kote.

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    “Do të doja të shikonim figurën e kryedhjakonit dhe martirit të parë Stefan si një pamje që na udhëheq të gjithëve ne, që na çon drejt një epoke të re që nis qysh nga dita e sotme. Sot nuk bëhet fjalë për fronëzimin e Kryepiskopit, por për rithemelimin e kishës vendore, ngjarje të cilën ne dhe e festojmë, prandaj i jep edhe një ton që është dhe më festiv dhe që ka lidhje me jetën e mbarë Kishës."

    (Nga përshëndetja e Kryepiskopit Anastas)

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    Nga përshëndetjet në Liturgjinë Hyjnore të 2 gushtit

    Nga Hirësi Ignati

    Fortlumturi, sot me rastin e përvjetorit Tuaj, kemi bekim të veçantë të marrim pjesë në Meshën Hyjnore dhe të dëgjojmë fjalën e Perëndisë me rastin e shenjtorit, dëshmorit dhe kryedhjakonit të parë. Nuk është pa rëndësi edhe lidhja që ekziston midis ditës së Fronëzimit Tuaj dhe transferimit të lipsanit të këtij shenjtori të madh dhe të parit martir të Krishterimit, sepse ka shumë gjëra që lidhen së bashku.

    Së pari, sepse ky është i pari që për dëshminë e tij u martirizua; për mbrojtjen e krishtërimit u vra me gurë.
    Por dhe juve Fortlumturi keni pasur misionin e përhapjes së fjalës së Perëndisë jashtë Kishës, në popujt të cilët nuk kishin parë dritën e Perëndisë, në Afrikë së pari, por edhe pastaj me atë përvojë erdhët edhe këtu të ringjallnit këtë kishë dhe të hapnit zemrat e besimtarëve që ishin të frikësuara dhe të mbyllura nga frika e regjimit.

    Shën Stefani ishte martiri që ishte mbushur sipas fjalës së shenjtë të veprave të apostujve - me frymën e shenjtë dhe me shumë fuqi - i frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë dhe me fuqinë e tërëshenjtë erdhët dhe filluat këtë mision…
    Ç’është vepra e çudisë sipas fjalës së Perëndisë: Të ngjallet një i vdekur me urdhër të apostujve, edhe të profetëve, edhe të shenjtorëve. Por më e madhe është të ngjallen shpirtrat e vdekur… Prandaj janë të justifikuara fjalët e Patrikut Ekumenik, i cili tha: “Kush do të shikojë çudira le të shkojë në Shqipëri”.

    …Edhe juve fatin e mirë kishit, sepse duke i ngjarë zotit Krisht dhe shën Shën Stefanit mbi supet tuaja keni ngrënë shumë shpifje dhe shumë gënjeshtra, por të gjitha i përballuat si Shën Stefani dhe si Zoti Krisht me zemërgjerësi, me dashuri. Mos u mund nga e keqja - por me të mirën ta mundësh të keqen. Ky ishte dhe është synimi i misionit Tuaj.

    Nuk kemi kohë të thomi dhe më tepër. Nënkuptohet. Nga e pakta kupton të shumtën. Prandaj i lutemi Zotit t’u mbajë nën këtë hir dhe të vazhdoni të jini përgjithmonë. T’u japë shëndet dhe jetë të gjatë, që për shumë vjetë së bashku të kremtojmë këtë përvjetor të shkëlqyer.



    Nga Hirësi Joani

    Fortlumturi! Dita e Fronëzimit dhe përkujtimi i saj është një festë e të gjithëve ne, sepse përkujtojmë fillimin e restaurimit të Kishës sonë me fillimin e demokracisë, që ringjalli të gjithë Kishën tonë... Nuk ka qenë gjithmonë kështu. As nuk ka qenë në të gjitha kishat në të njëjtën formë. Tek ne ka qenë realisht bekimi i Zotit. Tek ne dërgoi një njeri që ishte në gjendje të bënte mrekulli në ringjalljen e Kishës sonë nga gërmadhat.
    Për këtë ne duhet ta falenderojmë dhe jo vetëm thjesht siç bëhen falënderimet, por duhet të falënderojmë persona konkretë, sepse Zoti punon me njerëz konkretë dhe këta njerëz erdhën tek ne dhe e deshën vendin tonë, e deshën Kishën tonë dhe e donin popullin tonë.

    Prandaj dhe derdhën gjithçka këtu. Do të doja që këtë ditë ta falënderonim nga zemra të gjithë ne Kryepiskopin Anastas, i cili i dha popullit tonë gjithçka që kishte, dha gjithë energjitë e tij, gjithë diturinë e tij, gjithë eksperiencën e tij dhe gjithçka tjetër që ai kishte mësuar gjatë jetës së tij e derdhi për ndërtimin e kësaj Kishe. Pikërisht sepse e deshi e ndërtoi. Nuk mund të ndërtosh diçka n. q. se nuk e do. Shenjë e dashurisë së madhe është pikërisht vepra e tij, sepse vepra, thuhet në Ungjill, njihet nga frutat... Unë do të thoja që të gjithë ne t’i lutemi Zotit që këtij njeriu t’i japë fuqi, jetë të gjatë e durim, sepse deti është përsëri i stuhishëm dhe për të drejtuar anijen e Kishës duam kapitenë të zotë, me mendje të mprehtë dhe me dashuri të madhe, sepse stuhi të tjetra ngrihen përsëri e që të drejtohet anija e Kishës nuk është lehtë. Do devotshmëri, do përkushtim, do dhe mënçuri. Dhe Zoti e kishte pajisur pikërisht timonierin e anijes sonë me të gjitha këto veti. Prandaj t’i kujtojmë vazhdimisht këto gjëra, sepse vetëm duke i kujtuar ndizet falenderimi. E vetëm duke pasur falenderimin në shpirt ndoshta do të jemi në gjendje që të japim një kontribut për Kishën tonë.

    Le t’i lutemi Zotit edhe një herë, që këtij njeriu, që ishte një dhuratë për Kishën tonë t’i japë jetë të gjatë për të mirën e gjithësecilit nga ne dhe për të mirën e Kishës sonë dhe për Lavdi të Perëndisë. Per shumë vjet, o Kryezot.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 13-09-2006 më 01:32

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    2 gushti është vërtet një ditë epokale për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Sepse në thelb ai është më shumë se Fronëzimi i Kryepiskopit të parë pas persekutimit të egër shumëvjeçar.

    Kjo ditë shënon ringritjen kanonike të Kishës sonë, duke i mbyllur rrugë si zërave që e quanin atë “të vdekur” ashtu edhe manipulimeve nën rrogoz me komunitetin orthodhoks. Janë 14 vjet të një rrugëtimi mes vështirësish, por edhe të shoqëruar nga suksese aq të jashtëzakonshme, sa pa frikë mund t’i quajmë mrekulli të Perëndisë në këtë tokë të martirizuar.

    Dhe të gjitha këto etapa janë të shënuara qart dhe fort nga personaliteti i jashtëzakonshëm i Kryepiskopit Anastas, i cili e ka mbajtur plot përkushtim dhe besim të patundur tek Perëndia kryqin e kësaj ngritjeje nga gërmadhat.
    Sot mund të themi me plot gojën se që nga koha e krijimit të saj Kisha jonë nuk ka njohur kurrë një organizim dhe zhvillim të tillë dhe nuk ka pasur dhe luajtur asnjëherë një rol kaq të spikatur në shoqërinë shqiptare.

    Dhe pashmangshmërisht, kjo do të sillte dhe sulmet e goditjet e përsëritura të atyre që dëshirojnë ta shohin të pafuqishme dhe të margjinalizuar, sipas mentaliteteve dhe formateve që nuk i përkasin as kohës që jetojmë dhe as Evropës, pjesë e të cilës luftojmë të jemi.

    Th. Dh.

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    Kisha Orthodhokse, bekim për vendin

    Kryepiskopi Anastas në fjalimin e Fronëzimit, 2 gusht 1992

    Kisha Orthodhokse e Shqipërisë përbën para të gjithave bekim për vendin, në të cilin lëviz. Lulëzimi i saj dhe zhvillimi i përgjithshëm i veprimtarisë së saj, do të ndikojë në mënyrë vendimtare në punën mëkëmbëse të të gjithë vendit.

    E para: Duke lëçitur me entuziazëm besën te Perëndia i Trinishëm, hirin dhe mëshirën e Tij të pakufishme, dashurinë e paanshme, i paraqet popullit pa ndërprerje mendime të reja, ideale të reja, shpresë dhe fuqi të qëndrueshme, për të vazhduar luftën në këtë periudhë të vështirë, në të cilën dekurajimi dhe humbja e shpresës po e kërcënojnë. Ndihma më e rëndësishme e Kishës në lëmin social është se ajo edukon njerëz të pjekur, me përgjegjësi, të ndershëm, që luftojnë me ndërgjegje edhe atëherë kur asnjë, dhe asgjë e jashtme, nuk i detyron që të jetojnë me dashuri dhe krijimtari, duke ngritur lart pa zhurmë mbarë tërësinë shoqërore.

    E dyta: Kisha Orthodhokse ka qenë gjithnjë e do të jetë faktor bashkimi, paqeje dhe pajtimi në Shqipëri, duke lëçitur ndjesën dhe mirëkuptimin, dhe duke ofruar motive të brendshme dhe fuqi për to. Duke vazhduar traditën e vjetër të tolerancës fetare në Shqipëri, përkrah sinqerisht bashkekzistencën paqësore dhe respektimin reciprok të komuniteteve të ndryshme fetare. Po njëkohësisht kultivon ndjenja respekti dhe dashurie edhe për ata që akoma qëndrojnë indiferentë apo dhe negativë ndaj fesë. Respektimi i lirisë së çdo njeriu, pavarësisht nëse beson apo nuk beson ai, karakterizon moralin orthodhoks” çdo person është i shenjtë, sepse është krijuar sipas ikonës së Perëndisë.

    E treta: Me veprimtaritë konkrete për të cilat folëm më sipër, shpresojmë se Kisha jonë do të ndihmojë në tërë përpjekjen për zhvillim të Shqipërisë, në mënyrë që ajo të zërë në një kohë sa më të shkurtër, vendin që i takon në Evropë. Dhe, si gjithnjë, anëtarët e saj do të mbrojnë me konsekuencë të drejtat e vendit....

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    15 VJET ZHVILLIM I PANDËRPRERË

    (1992-2007)

    • Në vitin 1998, u formua Sinodi i Shenjtë i Kishës, i cili sot përbëhet nga Kryepiskopi Anastas, Mitropoliti i Beratit Ignati; Mitropoliti i Korçës Joani; Mitropoliti i Gjirokastrës Dhimitri; Episkopi i Apollonisë Nikolla dhe Episkopi i Krujës Andoni, me Kryesekretar Protopresviter Jani Trebicka.

    • Janë përgatitur rreth 140 klerikë të rinj, të diplomuar në Akademinë Teologjike Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit” (hapur si Seminar më 1992).

    • Janë ndërtuar mbi 140 kisha dhe kishëza të reja, janë restauruar rreth 90 manastire e kisha-monument kulture dhe janë riparuar 141 kisha. Janë ngritur dhjetëra ndërtesa të tjera të reja dhe janë blerë e rikonstruktuar mjaft godina për qëllime të ndryshme.

    • Kisha Orthodhokse ka shtypshkronjën e saj dhe boton gazetën e përmuajshme “Ngjallja”, revistën për fëmijë “Gëzohu!”, revistën rinore “Kambanat”, libra të ndryshëm liturgjikë, shpirtërorë, shkencorë etj.

    • Në Qendrën Diagnostike “Ungjillëzimi”, në Tiranë, vizitohen çdo muaj më shumë se 6 mijë pacientë, pa dallim besimi. Një degë e Qendrës u përurua në Lushnje.

    • Poliklinika mjekësore funksionojnë në Kavajë, Korçë dhe Jergucat, ndërsa një njësi ambulante dentare ofron shërbimin e saj në qytete dhe fshatra.

    • Janë ngritur 14 përkujdesje ditore, që frekuentohen nga rreth 800 fëmijë.

    • Në shtator të vitit 1998 u hap në Gjirokastër Shkolla e Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar”, me konvikt.

    • Në Tiranë funksionon prej vitit 2000 Instituti i Formimit Profesional “Frymë Dashurie”. Një degë e institutit është hapur në Gjirokastër.

    • Në Tiranë funksionon shkolla nëntëvjeçare shqiptaro-amerikane “Protagonistët”, ndërsa në Durrës shkolla nëntëvjeçare “Frymë dashurie”.\

    • Gjatë krizave të ndryshme që ka kaluar vendi ynë (1992, ‘94, ‘97), Kisha ka zhvilluar një veprimtari të gjerë sociale e humanitare, duke siguruar e shpërndarë mijëra tonë ushqime, veshmbathje, ilaçe etj.

    • Kisha jonë ka përkrahur shumë programe sociale, ku përfshihen projekte zhvillimi për zonat malore, për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, ndërtime rrugësh e ujësjellësash, programi për edukimin shëndetësor të fëmijëve dhe ngritja e qendrave shëndetësore në fshatra, kontributi për shkolla, jetimore, spitale, ndihma për institutet për persona me aftësi të kufizuara, azilet, për të burgosurit, dreka për të varfrit etj.

    • Gjatë vitit 1999, kur vendi ynë priti valët e refugjatëve kosovarë, Kisha në bashkëpunim me donatorë dhe organizma fetarë ndërkombëtarë, organizoi një program të gjerë ndihme, prej më shumë se 12 milionë dollarësh.

    • Eshtë formuar një Bërthamë e Trashëgimisë Kulturore, e cila merret me objektet orthodhokse të kultit që janë edhe monumente të kulturës kombëtare etj.

    • Janë sponsorizuar botime të rëndësishme shkencore, realizimi i filmave dokumentarë, organizimi i simpoziumeve shkencore, ekspozitave të ndryshme etj.

    • Kisha jonë merr pjesë si e barabartë në veprimtaritë e Kishave Orthodhokse të botës dhe është e pranishme në veprimtari të ndryshme ekumenike,duke kontribuar në përpjekjet për bashkëpunim paqësor dhe solidaritet në rajonin tonë dhe më gjerë.

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    Sot Kisha është më e fortë se kurrë!...

    Pas një periudhe njëvjeçare pune intensive, gjatë së cilës Eksarku i Patrikanës Ekumenike në Shqipëri, episkopi i Andhrusës Anastasi përmbushi me sukses detyrën e ngarkuar, orthodhoksët e Shqipërisë, nëpërmjet një përfaqësie të Këshillit të Përgjithshëm Kishtar të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i parashtruan më 30 maj 1992 Kishës së Madhe të Krishtit kërkesën dhe dëshirën që njeriu i cili ringriti nga themelet Kishën e tyre të shkatërruar nga diktatura komuniste të qëndronte përgjithmonë mes tyre, për të vazhduar misionin e tij historik si atë dhe kryebari.

    Më 17 korrik të po atij viti Sinodi i Shenjtë i Patrikanës Ekumenike, duke marrë parasysh këtë kërkesë, si dhe duke vlerësuar në të njëjtën kohë veprën kishtare që ishte kryer deri atëherë, zgjodhi me vota unanime Imzot Anastasin, Kryepiskop të Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale.

    Ceremonia e Fronëzimit u zhvillua më 2 gusht 1992, në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë, në një atmosferë festive, në prani të qindra besimtarëve të ardhur nga të katër dioqezat e Shqipërisë. Merrnin pjesë gjithashtu dy anëtarë të Sinodit të Patrikanës Ekumenike, mitropoliti i Filadelfisë Melitoni dhe mitropoliti i Pergës Evangjeli, miq e dashamirës të shumtë dhe personalitete fetare nga Evropa dhe bota, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, personalitete të shquara të jetës së vendit etj., prania e të cilëve dëshmonte qartë e në mënyrë të papërgënjeshtrueshme miratimin e popullit shpresëtar orthodhoks e të të gjithë atyre që dëshironin mbarëvajtjen dhe përparimin e Kishës Orthodhokse për Fronëzimin e Imzot Anastasit si Kryepiskop i Shqipërisë.

    Ashtu siç ishte paralajmëruar, këtë atmosferë u përpoqën ta prishin disa persona që nuk kishin asnjë lidhje shpirtërore me orthodhoksinë, madje shumica u përkisnin besimeve të tjera. Argumenti i vetëm që ngritën kundër Fronëzimit të Imzot Anastasit ishte kombësia e tij. Sipas tyre, fakti që ai ishte grek «vinte në rrezik autoqefalinë e Kishës Shqiptare, e nënshtronte këtë të fundit ndaj Patrikanës greke të Konstandinopojës dhe e bënte pre të interesave shoviniste të saj në favor të Greqisë». Me kalimin e kohës reagimet u bënë më të shumta e më intensive. Madje edhe në ditët tona dëgjohet nga njerëz «kompetentë», se do të ishte më mirë që Imzot Anastasi të vazhdonte të qëndronte Eksark, deri sa të gjendej një shqiptar për postin e lartë të Kryepiskopit.

    Ndërkaq mund të kuptohet lehtë se pas reagimeve ndaj Fronëzimit të Kryepiskopit Anastas fshiheshin interesa, të cilat vetëm si «atdhedashëse » nuk mund të etiketohen. Duhet qartësuar tashmë se prania e një eksarku të Patrikanës Ekumenike pranë Kishës Orthodhokse Fronëzimin e Imzot Anastasit në krye të Kishës sonë nuk mund të bëhej i mundur ripërjetimi i autoqefalisë, e cila për ne orthodhoksët konceptohet vetëm në dimensionin e saj kishtar, d.m.th. si përmbushje kriteresh të caktuara, që presupozojnë besnikëri të Kishës vendore ndaj dogmave dhe traditave të Kishës Orthodhokse, lëvrim të veprës didaktike kishtare, përgatitje të infrastrukturës së nevojshme, formim të klerikëve dhe të kuadrove kishtarë, zhvillim të monakizmit, përgatitje të klerit të lartë etj.

    Gjithë sa u thanë e u bënë kundër Fronëzimit të Kryepiskopit, edhe pse në maskën e një nacionalizmi të skajshëm, kishin thjesht karakter ideologjik, me autorë përfaqësues të elitës intelektuale komuniste, demagogë fanatikë e të papenduar, bashkëfajtorë në krimet e regjimit kundër popullit shqiptar, protagonistë të zellshëm të terrorit ateist, shkelës të ndërgjegjshëm të të drejtave më themelore të njeriut. Në periudhën e përpjekjeve për liri e demokraci, të cilat arritën kulmin me lëvizjen antidiktatoriale studentore në dhjetor të vitit 1990, u rreshtuan herë hapur e herë në mënyrë të kamufluar për të penguar hapjen e shqiptarëve dhe të Shqipërisë ndaj Perëndimit. Me po aq forcë reaguan edhe ndaj ardhjes dhe vendosjes në Shqipëri të imzot Anastasit, të një perëndimori, i cili vinte nga i vetmi shtet anëtar i TPE-së (sot BE) dhe i Aleancës Atlantike, të cilin e ndante nga Shqipëria vetëm një fije peri. Aq më tepër që bëhej fjalë për një personalitet fetar, me autoritet dhe popullaritet të padiskutueshëm në arenën ndërkombëtare.

    Zyrtarizimi i qëndrimit të Kryepiskopit Anastas në Shqipëri nëpërmjet Fronëzimit të tij, më 2 gusht 1992, shkaktoi panik në radhët e kastës së intelektualëve enveristë. Tashmë ata kishin përballë jo vetëm një njeri me kulturë të gjerë, por edhe një personalitet të afirmuar si bartës vlerash demokratike. Në të njëjtën kohë prania e tij fitonte dashje pa dashje karakter monitorues në emër të komunitetit ndërkombëtar në një nga fushat më të ndjeshme të të drejtave të njeriut, atë të lirive fetare. Në fakt jeta e tij në Shqipëri ka qenë gjithmonë barometri që i ka treguar botës ecurinë e proceseve demokratike dhe shkallën e përkushtimit të shoqërisë shqiptare ndaj proceseve integruese euroatlantike. Sa herë që Kryepiskopi Anastas ka qenë objekt sulmesh e fushatash denigruese, po kaq herë Shqipëria është bërë objekt kritikash të ashpra nga ana e organizmave ndërkombëtarë, madje jo vetëm në fushën e lirive fetare, por në të gjitha aspektet e jetës së vendit.

    Sot, 15 vjet nga zgjedhja dhe Fronëzimi i Imzot Anastasit si Kryepiskop i Shqipërisë, kur Kisha Orthodhokse është forcuar më shumë se kurrë, të gjithë jemi të bindur se, në thelb, lufta kundër tij prej 2 gushtit 1992 e në vijim ishte një pretekst për të përligjur luftën kundër rehabilitimit të institucionit të fesë. Këtë e vërteton më së miri edhe kërkesa para pak kohësh e disa prej tyre drejtuar zyrtarëve të lartë të shtetit për shndërrimin sërish të kishës së Shën Marisë të Përmetit në shtëpi kulture! Për fat të mirë, grahmat e tyre që ndjellin të kaluarën e hidhur nuk i dëgjon më askush, aq më tepër brezi i sotëm, një brez që dëshiron me gjithë shpirt të jetojë në paqe, në liri e demokraci.

    K.

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    2 gusht 1992 - 2 gusht 2007: 15-vjetori i Ringritjes Kanonike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

    Zgjedhja dhe Fronëzimi i Kryepiskopit Anastas – guri i themelit i Kishës sonë të ringjallur

    Ndërsa 24 qershori 1992, me zgjedhjen e Kryepiskopit Anastas në krye të Kishës sonë, shënonte rikthimin e autoqefalisë të Kishës dhe niste rrugëtimin e saj të sigurt drejt ringritjes së plotë nga gërmadhat - 2 gushti, Fronëzimi, ishte dita e shpalljes së lajmit të mirë se: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë jetonte dhe askush nuk do të mundte më t’i ndalonte veprën shpirtërore të ndriçuar nga Perëndia në dobi të gjithë shoqërisë shqiptare. Kisha kishte përsëri një kryebari të shquar në krye të saj, i cili jo vetëm do ta rilindte, por edhe do ta bënte të barabartë dhe të pranuar nga të gjitha kishat simotra. Ndaj ajo u quajt edhe dita e Ringritjes Kanonike të Kishës sonë, dita që e rivuri në vendin që i takonte në Orthodhoksinë dhe Krishterimin e mbarë globit.

    Ishte ky lajm që shqetësoi të paktët dhe gëzoi të shumtët, ishte edhe siguria se rruga e nisur drejt zhvillimit, me një vizion shumë të qartë dhe me bekimin e Perëndisë, nuk mund të ndërpritej më ashtu siç e vërtetuan faktet e mëpasme. Ky zhvillim nuk mbështetej në boshllëk, por mbi një traditë dymijëvjeçare të Orthodhoksisë në trojet tona, në veprën e martirëve dhe klerikëve të shquar që predikuan dhe u sakrifikuan për ta mbajtur të gjallë flakën e besimit. Flakë që të venitur nga përndjekja ateiste e mori në duart e tij një personalitet i shquar i krishterimit botëror siç ishte Kryepiskopi, i cili jo vetëm e rigjallëroi, por e shndërroi në një flakë të mrekullueshme, që mbushi shpirtrat e besimtarëve, u kthye në një bekim për gjithë vendin dhe dha forcën për mrekullinë e këtyre 15 viteve të pranuar nga të gjithë.

    Madje edhe sulmet që nuk reshtën kundër Kryepiskopit këtu e kanë bazën: Tek arritjet e paimagjinueshme që ai bëri të mundura. Ata që nuk e duan Kishën, ata që nuk e duan besimin tonë, ata që dëshironin që orthodhoksia të kishte vdekur dhe shpresonin që askush nuk mund ta ringjallte, u tronditën dhe vazhdojnë të tërbohen nga kjo ecje e bekuar nga Perëndia dhe godasin atë që është “përgjegjësi” për dështimin e ëndrrave të tyre të kota. Pa arritur të kuptojnë, se kështu nuk cënojnë vetëm Kishën, por të edhe të ardhmen evropiane të gjithë popullit shqiptar.

    Nga fjala e Mitropolitit të Korçës, Hirësisë së Tij Joanit, me rastin e kremtimit të 15 vjetorit të fronëzimit të Kryepiskopit Anastas

  11. #11
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    1992-2007: Kremtohet 15-vjetori i ringritjes kanonike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

    24 qershori 1992, me zgjedhjen e Kryepiskopit Anastas në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe 2 gushti, me Fronëzimin e Tij, shënuan rikthimin e Autoqefalisë të Kishës sonë. Këto ngjarje historike shpallën, brenda dhe jashtë vendit, lajmin e mirë se: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë jetonte dhe askush nuk do të mundte më t’i ndalonte veprën shpirtërore të ndriçuar nga Perëndia në dobi të gjithë shoqërisë shqiptare.

    Kisha kishte përsëri një kryebari të shquar në krye të saj, i cili jo vetëm do ta rilindte, por edhe do ta bënte të barabartë dhe të pranuar nga të gjitha Kishat simotra. Që kur erdhi si Eksark Patriarkal, në verën e vitit 1991, Episkopit (i hirotonisur si i tillë më 1972), Mitropolitit të Andrusës Anastasit, i ishte shfaqur përpara një imazh apokaliptik i besimit: Pa kisha, pa objekte administrative, pa klerikë dhe sidomos, me disa breza njerëzish të mbajtur me dhunë larg besimit dhe të edukuar që të mohonin Perëndinë.

    Shumëkush do të ishte dekurajuar, por jo veprimtari i dalluar apostullor i ditëve tona, që kishte kaluar më përpara me vështirësitë e Afrikës dhe të Lëvizjes Ekumenike botërore. Ai e nisi punën pikërisht atje ku kishte ndalur, tek formimi i klerit dhe ringritja e tempujve, për ta shtrirë gjithmonë e më tepër edhe në fushat e tjera dhe sidomos në atë të ndihmës sociale.

    Ishte pikërisht kjo këmbëngulje, përkushtim dhe aftësi e rrallë, e cila bëri që besimtarët orthodhoksë të vlerësonin se ai ishte personi i përshtatshëm për ta vazhduar veprën e saponisur. Ky vlerësim iu shpreh Patriarkanës Ekumenike në mars 1992, nga një delegacion i gjerë zyrtar kleriko-laik i Kishës sonë, që bëri një vizitë pranë saj.

    Më pas, më 30 maj 1992, Këshilli i Përgjithshëm i Ki*shës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë i drejtohej me një kërkesë zyrtare në emër të besimtarëve orthodhoksë të Shqipërisë, Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik Vartholomeut I.

    Në të, pasi lavdërohej e vlerësohej lart puna e jashtëzakonshme e Eksarkut, theksohej, se, që Kisha t’u përgjigjej nevojave të shumta, që të shpejtohej riorganizimi i saj mbi baza kanonike, që të rikthehej e barabartë në gjirin e Kishave motra, ishte nevoja që të ngrihej sa më shpejt një hierarki e aftë për të përballuar këto detyra.

    Ndaj, si Kisha mëmë, që kishte dhënë autoqefalinë, i takonte Patriarkanës Ekumenike të përdorte të drejtat e detyrat e saj për plotësimin kanonik të strukturave të Kishës sonë, duke nisur nga Kryepiskopi, ku vlerësohej se Prof. Dr. Anastasi ishte personi më i përshtatshëm për të marrë këtë detyrë.

    Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike, pasi shqyrtoi këtë kërkesë, duke pasur parasysh se nuk kishte mbetur i gjallë asnjë episkop me origjinë shqiptare, dhe duke ma*rrë në konsideratë punën e shkëlqyer të Imzot Anastasit, vendosi më 24 qershor zgjedhjen e Tij Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ndërsa më 2 gusht u bë ceremonia e Fronëzimit, në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses Mari”, në Tiranë.

    Me këtë rast, më 24 Qershor 2007 dhe më 2 Gusht 2007, u kremtua 15-vjetori i Zgjedhjes dhe i Fronëzimit të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë Anastasit, në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Liturgjitë Hyjnore festive u kryen në Kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, me pjesëmarrjen e gjithë Sinodit të Shenjtë të Kishës.

    Mes telegrameve dhe urimeve të rastit, veçojmë letrën që Presidenti i porsazgjedhur i Republikës, z. Bamir Topi, i dërgoi me këtë rast Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila u lexua në fund të Liturgjisë së dt. 2 Gusht. Ndër të tjera, me fjalë të ngrohta dhe mirënjohjeje, Presidenti shkruan: “Më lejoni, që me rastin e 15-vjetorit të Fronëzimit Tuaj në krye të KOASH, t’Ju uroj nga zemra.

    Shpresoj që edhe në të ardhmen misioni Juaj të jetë një forcë e madhe paqeje, një kontribut i shquar qytetar, një shembull i jashtëzakonshëm bashkëjetese sikundër deri më sot… Më lejoni gjithashtu t’Ju shpreh bindjen time se edhe bashkë do të punojmë që gjatë viteve në vijim do të kemi marrëdhënie të shkëlqyera…”

    Programi i veprimtarive për kremtimin e kësaj ngjarjeje historike për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë u shkurtua për shkak se Kryepiskopi Anastas u largua për në Bukuresht, në krye të një përfaqësie të Kishës sonë, për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Fortlumturisë së Tij, Patriarkut të Bukureshtit dhe të gjithë Rumanisë Theoktist, që fjeti më Zotin para pak kohe.

    Në këtë ceremoni Kryepiskopi Anastas përfaqësonte gjithashtu edhe Këshillin Botëror të Kishave, si President i këtij organizmi.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 26-08-2007 më 17:15

  12. #12
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    16-12-2006
    Postime
    25
    kryezotit dhe kryebariut tone te shumta i qofshin vitet

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 20-09-2012, 01:22
  2. Përgjigje: 1013
    Postimi i Fundit: 30-06-2011, 13:05
  3. Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 29-10-2007, 07:12
  4. Festohet 15 vjetori i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane
    Nga Kosovari_78_Ca në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 22-05-2005, 14:51

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •