BERAT/ Aktualisht nën restaurim, dikur shërbente për pritjet e qeverisë moniste

Meshë-protestë për kishën

Besimtarët: Të na kthehet godina e Shën Gjergjit



BERAT/ARJAN BISTROVICA
Për kishën e Shën Gjergjit, një nga kishat e shumta në kalanë e Beratit, kohët e fundit janë shtuar kërkesat për pronësinë.

Ndërtesa që ndodhet mbi themelet e kishës, tashmë në pronësinë e shtetit shqiptar, pretendohet edhe nga Mitropolia Ortodokse dhe besimtarët e saj. Dhjetëra besimtarë kanë organizuar një tubim paqësor, me anë të të cilit kanë kërkuar kthimin përfundimtar të pronës që tashmë është një objekt muzeal. Në tubim kanë marrë pjesë mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë imzot Ignanti dhe përfaqësues të Kishës Ortodokse në Berat. Sipas drejtuesve të besimit ortodoks në Berat ekzistojnë të gjitha dokumentet që vërtetojnë se objekti i përket këtij besimi. Ndërkaq, përveç tubimit paqësor nga besimtarët, është kryer edhe një meshë. Pikërisht në katin e parë të kishës së hershme, mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, imzot Ignanti, ka mbajtur meshën para të gjithë besimtarëve. Në fjalën e tij, mitropoliti imzot Ignanti theksoi se qëllimi i meshës ka të bëjë me kërkimin e pronësisë së saj. “Kemi zgjedhur kishën e Shën Gjergjit për të mbajtur këtë meshë me qëllim që t’u kujtojmë pushtetarëve se ky objekt i vjetër kulti është pronë e besimtarëve ortodoksë dhe se nuk mund të tjetërsohet”, theksoi imzot Ignanti. Sekretari i kishës ortodokse në Berat, Arqile Shyti, shprehet se ky objekt që është ngritur mbi themelet e kishës mbahet peng në mënyrë arbitrare nga shteti. “Në vitin 1990 me vendim të qeverisë së atëhershme u kthyen disa objekte kishtare në Berat, por kjo godinë nuk u kthye dhe mbeti pronë e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare për pritjen e drejtuesve të lartë të shtetit”, përfundon Shyti. Ndërtesa mbi kishën e Shën Gjergjit është duke u restauruar nga Drejtoria e Monumenteve të Kulturës në Berat. Vite më parë, kur në diktaturë nuk lejohej praktikimi i besimit, ajo është përdorur për shërbimet qeveritare. Ndërkohë që objekti që pretendohet nga besimtarët ortodoksë tashmë nuk kryen asnjë funksion. Brenda Kalasë së Beratit ka pasur mbi 36 kisha, nga të cilat 9 janë të vizitueshme. Për to është duke u kujdesur Instituti i Monumenteve të Kulturës.


Historia e kishës shekullore

Kisha e Shën Gjergjit e ndodhur në kalanë e Beratit është rindërtuar dy herë. Për herë të parë në vitin 1346 dhe për herë të dytë në vitin 1605, pra 400 vjet më parë. Sipas historianëve dhe drejtuesve të fesë ortodokse në Berat, ajo kishë është emërtuar Kisha e Shën Gjergjit për të nderuar Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Objekti i ndërtuar mbi kishë u dogj në vitin 1997, ndërkohë që në maj të atij viti, nga drejtuesit e fesë ortodokse u kërkua që ky objekt të kthehej në pronë të kishës. Më 12 janar të vitit 1999, Këshilli i Ministrave i ndau në dy pjesë objektet që do të ktheheshin në kala. Për t’u kthyer ishte edhe objekti në fjalë i kishës së Shën Gjergjit. Në vitin 2003 u dha një urdhër që këto objekte të inventarizohen nga Bashkia e Beratit dhe të kthehen në pronë të saj. a.b

36 kisha
numëroheshin brenda kalasë së Beratit, por aktualisht vetëm 9 prej tyre janë të vizitueshme dhe pjesa tjetër janë prishur gjatë monizmit
660 vjet
më parë është ndërtuar kisha e Shën Gjergjit, të cilës iu vu emri për nder të heroit tonë kombëtar. Për herë të dytë ajo do të ndërtohej 400 vjet më parë

Nallbani: Godinën e restauruan Monumentet

Objekti që është ndërtuar mbi themelet e kishës dhe që pretendohet nga kisha ortodokse është ndërtuar me fonde të shtetit pas viteve 1975. Sipas drejtorit të Monumenteve, Ajet Nallbani, ky objekt u kthye në vend ku priteshin turistët.
“Nga njëra anë pretendon kisha ortodokse dhe gjithashtu edhe bashkia është e po të njëjtit mendim duke mos pasur pronësi mbi atë objekt, ndërsa me inventar godina është peng i ish- Drejtorisë së Pritjes”, shprehet Nallbani.
Pas viteve 1990 nuk pati shumë pretendime pronësie, ndërsa pas vitit 1997 kur godina u shkatërrua, sipas Nallbanit, pretendimet për pronësinë e saj u shtuan.
Drejtoria e Monumenteve të Kulturës në Berat, e cila ka restauruar godinën në bazë të traditës së gdhendjes së drurit dhe të punimit të tavaneve, ka në inventar godinën për shkak të së kaluarës. Në katin e parë çelësat e dyerve të hekurta i mban kisha, ndërsa në katin e dytë i mban Drejtoria e Monumenteve. Por asnjëri prej tyre nuk është i fuqishëm që ta pronësojë që gjithë godinën. a.b

Panorama