Presidentët amerikanë, George Washington, Abraham Lincoln dhe Woodrow Wilson, pritet të vijnë shumë shpejt për lexuesin, të parë në sytë e shtypit shqiptar të fillimviteve 1900 e në vijim. Artikujt e Fan Nolit e Faik Konicës, por edhe të shumë rilindësve të tjerë, do të vijnë si një rrëfim mbi marrëdhëniet shqiptaro-amerikane të kohës, nëpërmjet botimeve të atyre viteve. Secilit President do t‘i kushtohet nga një vëllim. Shtëpia botuese "Argeta LMG" ka ndërmarrë nismën e këtyre botimeve zinxhir, si një përpjekje për të përkujtuar njësoj si edhe rilindësit e gazetarët shqiptarë të shekullit XX këta presidentë, që bënë historinë e kombit amerikan. "Këta libra, të veçantë nga njëri-tjetri, janë në proces botimi. Vëllimi i parë i kushtohet Presidentit Washington dhe si ka ardhur figura e tij në shtypin shqiptar. Si është përcjellë ai për popullin tonë dhe përse ky President kishte krijuar të tilla ndjesi e raporte me organet tona mediatike", tregon paraprakisht Mehmet Gëzhilli, botuesi i "Argeta LMG". Sipas tij, vihet re se Presidenti Washington në shtypin shqiptar është vlerësuar tepër prej ideve demokratike. Për këtë arsye e pasqyronin nga Amerika që në fillim të shekullit. "Në shtyp gjen materiale të ndryshme, qoftë nga fjalimet e tij, qoftë nga jeta, apo veprimtaria. Në vazhdimësi shtypi e ka përcjellë me shumë dashamirësi dhe me shumë përgjegjësi, sepse tërë amanetet, porositë dhe testamentet e tij janë mesazhe paqeje. Sipas tij, njerëzit në këtë botë kanë ardhur dhe duhet të jetojnë të barabartë mes njëri-tjetrin", vazhdon më tej Gëzhilli për Washington-in. Arsyeja për të cilën ai vlerësohej kaq, ishin pikërisht këto mesazhe paqeje, të cilat patriotët shqiptarë i kaluan nga një brez në tjetrin e deri në ditët tona. Vëllimi i dytë, i përket Presidentit Abraham Lincoln në shtypin shqiptar. Edhe ky President ka gjetur hapësira të veçanta në shtypin shqiptar, veçanërisht te "Dielli" që botohej në Amerikë. Ajo çka përbën edhe veçantinë në këtë vëllim është edhe një libërth i botuar në vitin 1926, i përkthyer prej Kosta Çekrezit. Ai ka përkthyer një nga librat më të veçantë kushtuar Presidentit Lincoln, titulluar në shqip "Shpërblesa e përplot". "Në këtë libër kaq të vogël flitet për një nga momentet më pikante të jetës së Abraham Lincoln-it, ku ai mban një fjalim, i cili ka mbetur në historinë e Amerikës. Lincoln-i foli në një fushëbetejë, ku janë ndeshur jugu me veriun. Nga ky fjalim, që aty u duk i ftohtë dhe nuk bëri përshtypje, kuptohet largpamësia dhe madhështia e këtij Presidenti. Pas vitit 1926, ky libër nuk është ribotuar. Shpresoj që brenda datës 22 shkurt këtë vëllim ta kem gati për lexuesin shqiptar. Ai është aktual. Vjen si një mësim i mirë, se ç‘janë në të vërtetë burrat e shtetit që në momente të caktuara historike luajnë një rol kyç jo vetëm për vendin e tyre, por edhe për të tjera vende", vazhdon më tej Gëzhilli, i cili shton se libri del me rastin e 200-vjetorit të lindjes së Presidentit Lincoln. Ndërkaq, vëllimi i tretë i kushtohet Presidentit Wilson. Më 4 shkurt u mbushën 85 vite nga vdekja e tij. "Presidenti Wilson ka qenë një mik i përhershëm i shqiptarëve. Ka mbetur prej tij shprehja lapidare ‘një votë kam dhe atë do t‘ia jap Shqipërisë‘. Kjo është një arsye më shumë që figurës së tij t‘i kushtohet një libër", përfundon ai. Pritet që deri më 4 korrik, ditën e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të tria vëllimet të jenë gati.
Shqip
Krijoni Kontakt