RTSH i dënoi shqiptarët me mostransmetim të Kampionatit botëror të futbollit


Friday, 07 July 2006

Nga Xhelil Aliu - Për një muaj rrjesht njerëzimi i globit mbarë u përfshi në festën e Kampionatit Botëror të futbollit.Edhe ata që pësuan tragjedi nga tërmetet dhe forcat e tjera shkatërruse të natyrës nuk mbetën pa marrë pjesë në këtë festë. Edhe të burgosurëve të mbyllur në burgjet e thella të Pakistanit ua krijuan kushtet e nevojëshme të bënin tifozllëk dhe t’i shijonin spektaklet futbollistike të Gjermani - 2006. Të vetmit të përjashtuar nga e gjithë bota qenë shqiptarët që jetojnë këtu në Shqipëri. Jo vetëm nëpër fshatra apo qytete të ndryshme të vendit, por edhe brenda në Tiranë qenë me qindra familje që nuk e patën mundësinë për ta ndjekur kampionatin. As në kohën e diktaturës atyre nuk ua ndaloi kush ndjekjen e kampinateve apo kupave futbollistike të botës. Po ja që sot, pas 16 vjet demokracie, na dolën ca Arturë, të cilët sillen si padronë të RTSH, stacionit më të madh publik të shqiptarëve, i cili e ka për detyrë të transmetojë evenimentet e rëndësishme me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. E tërë infrastruktura e nevojëshme e këtij stacioni është e shpërndarë në të gjithë vendin pikërisht për të përmbushur detyrimin e mësipërm. Jo më kot investohet 45% e buxhetit të këtij institucioni për antenat dhe stacionet e transmetimit. Megjithatë Arturët nuk pyesin as për ligjin dhe as për një popull të tërë, i cili nuk shikon dot programet e dëshiruara në ekranin për të cilin paguan rregullisht taksat. Pikërisht nga këto taksa Arturët ia kanë bërë vehtes pagën dy milionëshe, pa llogaritur shpenzimet e tjera të palimituara, si karburante, celularë, dreka e darka, udhëtime me e pa punë etj. Si është e mundur që tërë strukturat shtetërore qëndrojnë indiferente, ndërsa partitë politike bëjnë hartime bajate për pavarësinë e medias? Askush nuk i ha gorricat e Zhejit se gjoja nuk paska patur para për të marrë të drejtën e transmetimit.Vetëm për një festival kënge ai harxhon afër 500 mijë euro. Si menaxhohen paratë e stacionit më të madh radioteleviziv të shqiptarëve, të cilëve tashmë u mohohet edhe e drejta për të ndjekur kampionatin botëror të futbollit? Veprat kriminale nuk kanë brirë për tu dalluar nga ato që s’janë të tilla. Prandaj edhe guximi i Arturëve për tu mohuar shqiptarëve një të drejtë kaq elementare nuk mund të ketë emër tjetër, veçse krim. Organet kompetente mund të hetojnë dhe të zbulojnë të vërtetën, e cila, s’është çudi të jetë e fshehur brenda ndonjë zarfi. Nuk është hera e parë që Arturët e kalojnë miun në mustaqet e shqiptarëve. Ata e kanë kthyer RTSH në një stacion të cilin nuk e shikon askush, pasi i janë hequr programet e shumta që e mbanin afër publikun. Jo një herë punonjësit kanë reaguar ndaj ndërprerjes së prodhimit të spektakleve të mrekullueshme, ndaj mbylljes së studiove të emisioneve debat, ku trajtoheshin probleme të shumta politike, ekonomike, sociale, kulturore etj. Është protestuar ashpër ndaj letimit të Kanalit të Parë të Radio-Tiranës, të cilit iu hoqën dramatizimet e mrekullueshme, poezia, humori, emisionet komplekse e një seri programesh të tjerë, të cilët, Drejtori i Radios i quajti të vjetërurara. Ndonjë kureshtar mund të pyesë se kush është Drejtori i Radios. Është një farë Gëzim Podgorica, të cilin Fatos Nano e hoqi nga tregëtia e viçave me Podgoricën dhe e bëri Drejtor të Radios. Qytetarët e Shkodrës e njohin për shumë hynere, por ajo që ata nuk ia harrojnë është lidhja e tij me tragjedinë e 9 janarit të vitit 2004. Pikërisht atë ditë kur i tërë opinioni shqiptar ishte në ankth e me zemër të ngrirë për fatin e atyre 30 shqiptarëve që mbyteshin në det, kur të gjitha radiot dhe televizionet e vendit dhe të huaja ndiqnin pa ndërprerje fatin tragjik të atyre fatkeqëve, Gëzim Podgorica, sëbashku me sejmenin e tij Nikolla Lena, mbyllën për tri ditë me radhë telefonin e transmetimit të Radios-Tiranës, duke shkëputur fare lidhjet me publikun. Vetëm një njeri pa zemër, ose me detyrime shumë të mëdha ndaj dikujt tjetër, mund ta bënte një veprim kaq të ulët dhe kriminal. Pse e bënë këtë zotërinjtë e mësipërm? Veçanërisht tani kur po hetohet tragjedia e 9 janarit kjo është një pyetje që duhet të marrë përgjigje nga organet kompetente. Sepse Gëzimët dhe Arturët nuk ishin kaq trima sa të mernin mbi vehte përgjegjësi kaq të rënda. Por ata qenë vegla të verbëra të atyre që i gjetën si me qiri e i prunë në krye të RTSH. Të pa aftë profesionalisht e servilë deri në neveri ndaj atyre që i bënë padrejtësisht me poste, Gëzimët dhe Arturët patën kurajo të shkelin me këmbë mbi emrin dhe dinjitetin e RTSH, të cilin e kthyen në një stacion lokal, që nuk e sheh e nuk e dëgjon kush. Ata u bënë garipa edhe me mbështetjen e Këshillit Drejtues të RTSH. Përndryshe, ata nuk mund t’i trajtonin financat e RTSH si portofolin e tyre personal dhe të shpërndanin sipas qejfit paga speciale për servilët dhe njerëzit e pa aftë, ndërsa profesionistët e vjetër, gazetarë, regjisorë, operatorë me emër, të liheshin siç u lanë me paga 17 mijë dhe 20 mijë lekshe. Ishte Këshilli Drejtues ai që sëbashku me drejtuesit u mohoi punonjësve vjetërsinë dhe vështirësinë në punë. Këshilli Drejtues u soll armiqësisht ndaj punonjësve që ngritën zërin për të drejtat e tyre dhe për dinjitetin e RTSH. Dhe, për ta vazhduar hallkën e zinxhirit, Këshilli Drejtues përcillte një politikë, e cila mbylli sytë dhe veshët përpara degradimit pa kthim të RTSH. Që nga Presidenti, ish Kryeministri, ish Kryetari i Kuvendit, Komisioni Parlamentar i Medias etj. i fërkuan krahët Arturëvve dhe Gëzimëve, heshtën për abuzimet e rënda financiare të zbuluara nga KLSH dhe shpërfillën tërë masën e punonjësve që ngritën zërin kundra korrupsionit. Me ndërrimin e pushteteve kjo llogjikë duhej të merte fund. Por, për fat të keq, Arturët dhe Gëzimët vazhdojnë të bëjnë hynere me RTSH, siç është edhe ky rasti i mostransmetimit të kampionatit. Ata që i mbronin Arturët dje, vazhdojnë tu qëndrojnë në krahë edhe sot, duke e sabotuar ligjin me argumenta bajate për pavarësinë e medias. Llogjika e tyre është e kuptueshme dhe nuk të çudit. Ajo që të çudit dhe të le pa mend është mefshtësia e pushtetit aktual. Çfar presin akoma zotërinjtë e qeverisë dhe të parlamentit? A nuk e shohin ata se çfar bëhet përditë në RTSH? Akoma nuk janë bindur për korrupsionin e drejtuesve të tij? Edhe sikur të mos qëndronte asnjë nga akuzat që i janë ngritur Zhejit për tre vjet me radhë, a nuk mjafton ky skandali i fundit, i cili u mohoi të drejtën shqiptarëve për të parë kampionatin botëror të futbollit? Edhe sikur të jenë të besueshme pretendimet e Arturëve dhe Gëzimëve për mungesë parash, atëhere përse këta vazhdojnë të qëndrojnë ende në krye të RTSH, përderisa nuk dijnë ta menaxhojnë atë? Edhe ju zotërinj të pushtetit aktual, do të qëndroni sehirxhinj, siç qëndruan ata para jush? Mos i zhgënjeni njerëzit kaq shumë, por vini dorë urgjentisht në RTSH.

SOT.