Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 10
  1. #1
    Paqe! Maska e Matrix
    Anëtarësuar
    02-11-2002
    Vendndodhja
    Në Zemrën e Hyjit!
    Postime
    3,123

    Apostujt Petër dhe Pavël - 29 qershor

    Meqenese ne Dt 29 Qershor, Kisha Ortodokse kujton dy Apostujt e medhenj Pjeter dhe Pavel, po hap kete teme ku mund te shkruajme rreth tyre.




    Apostull Pjetri

    Ky Apostull, dhe vellai i tij Andrea, ishin te paret qe u thirren prej Krishtit.

    Deri ne ate moment ata benin jeten e thjeshte te peshkatareve te Galilese.

    Ai mori pjese pothuajse ne cdo ngjarje gjate jetes publike 3 vjecare te Zotit tone.
    Por, ashtu si cdo njeriu mund t'i lekundet besimi ne momente te veshtira, ashtu dhe ky Apostull nje nate para Kryqezimit te Zotit, e mohoi Ate tre here publikisht.
    Por, Ngjallja e Zotit, e shnderroi friken ne shprese dhe e transformoi jeten e tij, ashtu si dhe te dishepujve te tjere.
    Ky Apostull ishte bashke me apostujt e tjere diten e Pentikostit kur Fryma zbriti mbi ta dhe ishte po ky apostull qe u predikoi judenjve te diaspores, Jezusin e Ringjallur qe "Perendia e beri Zot dhe Krisht".

    Ky apostull bashke me Gjonin, vellai e Jakobit, ne emer te Jezusit sheruan nje te paralizuar disa dite me vone, dhe kjo u be shkak qe ata te arrestoheshin nga Sinedri, por u liruan pasi deshmuan se "Duhej t'i binden me shume Perendise se njeriut". Po keshtu, bashke me apostujt e tjere, ai u arrestua dhe u fshikullua, madje mund te ishin denuar me vdekje, nqs nuk do kishte nderhyre i urti Gamaliel.

    Po ky apostull ishte i pari qe ua coi Krishtin jo-hebrenjve, ne saje te thirrjes qiellore dhe pagezoi centurionin Kornel.

    Me pas, u arrestua gjate persekutimit te Herodit dhe denimit me vdekje te Jakobit, vellait te Gjonit, por nje engjell e cliroi nga burgu.

    Ai mori pjese ne Keshillin e Jerusalemit ku Kisha e hershme vendosi t'i largohej judaizmit.

    Ai ka vizituar shume kisha jashte Izraelit dhe ne fund te jetes vizitoi dhe Kishen e Romes. Ne kohen e persekutimit te Neronit, ai vendosi te largohej nga Roma, por Krishti e ktheu nga rruga. Ai u kthye ne Rome ku u arrestua dhe u denua me kryqezim. Ai nuk e quajti veten te denje te vdiste si Krishti, por kerkoi te kryqezohej kokeposhte. Ne kete menyre, ai do shihte qiellin ku do shkonte, ashtu si Mesuesi i tij pa Ferrin ku shkoi per te shpetuar shpirtrat e njerezve. Ne kete menyre martirike perfundoi udhetimin e tij ne toke, ky Korife i besimit dhe i Apostullimit.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Matrix : 26-06-2006 më 14:06
    Krishti: Ne Qiell me lavdine Hyjnore, ne toke me perulesine e sherbetorit!

  2. #2
    Paqe! Maska e Matrix
    Anëtarësuar
    02-11-2002
    Vendndodhja
    Në Zemrën e Hyjit!
    Postime
    3,123
    Apostulli Pavel

    Ky Apotull, ne dallim nga Pjetri, ishte dikush qe ishte rritur me kulturen greko-romake dhe me rregullat e rrepta te judaizmit(te cilat vete ai do i cilesonte me vone si "plehra" para Krishtit). Ai gezonte nenshtetesine romake.

    Ne "Veprat e Apostujve", ai pershkruhet si nje nga persekutoret e hershem te Kishes. Ai ishte aty kur Stefani, martiri i pare, u gjuajt me gure nga judenjte.

    Por Zoti e thirri ate dhe i shfaqi atij misterin e shpetimit ne Krisht.

    Kjo dhe njehere na ben te mos mendojme asnjehere se per nje njeri nuk ka me shprese shpetimi. Perendia yne mund te prodhoje shenjtore dhe prej mekatareve me te medhenj.

    Ai, pasi u pagezua prej Ananias, u bashkua me Kishat qe ai perndiqte dikur.

    Shpirti i Shenjte e dergoi ate bashke me Barnaben per te ungjillezuar paganet.

    Ai u be keshtu nje kampion i vertete i beses se krishtere dhe mbolli nje shumice kishash anembane Perandorise me te fuqishme te kohes. Po keshtu dhe ne Iliri, ku mendohet te kete predikuar ne qytetet e Apollonise, Nikopojes dhe Durresit.

    Ai arrestohet ne Jerusalem dhe me kerkesen e tij cohet ne Rome. Kisha e Romes i qendroi atij afer ne kohet e veshtira te arrestit. Pasi kalon pothuajse dy vjet ne arrest shtepie, ai lirohet. Gjate kesaj kohe mendohet te kete shkuar ne Spanje, duke perfunduar keshtu ungjillezimin e gjithe Mesdheut.

    Pasi kthehet ne Rome, ai arrestohet nga Neroni bashke me te krishteret e tjere te qytetit dhe i jepet denimi me vdekje. Ai, si qytetar romak, nuk lejohej te kryqezohej, keshtu qe fundi i jetes se tij martirike ishte me prerje te kokes.

    Se bashku me Apostull Pjetrin, ai nderohet me titullin Korife i Apostullimit.
    Ky njeri, vendosi standartet me te larta te Ungjillezimit, standarte te cilat ngelen model per te gjitha epokat e Krishterimit.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Matrix : 26-06-2006 më 14:06
    Krishti: Ne Qiell me lavdine Hyjnore, ne toke me perulesine e sherbetorit!

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    Apostull Petri

    Apostull Petri ishte nga Vithsaidaja e Galilesë, një qytet i vogël në bregdetin lindor të liqenit Gjenisaret dhe në veri të Kapernaumit. Ishte martuar në Kapernaum ku dhe banonte bashkë me familjen e së vjerrës së vet. Ushtronte zanatin e peshkatarit së bashku me të vëllain, Andrean, dhe me babain e tij Jonain. Ungjilli thotë se kanë pasur një barkë të tyre dhe peshkonin në detin e Tiberiadës në bashkëpunim me Jakovin dhe Joanin, të bijtë e Zevedheut, i cili kishte gjithashtu një barkë të tij.

    Me Jisu Krishtin, i pari që erdhi në kontakt ishte Andrea me sugjerim të Joan Pagëzorit, i cili tek pa një ditë Jisuin që po shëtiste anës lumit Jordan ia tregoi atij dhe Joanit, birit të Zevedheut, duke u thënë: "Ja Qengji i Perëndisë".

    Atëherë të dy peshkatarët shpresëtarë i shkuan menjëherë pas Jisuit duke qëndruar pranë tij tërë ditën dhe ikën të bindur se Krishti ishte me të vërtetë Mesia. Këtë lajm Andrea iku dhe ia tha Petrit, i cili gjithashtu interesohej si të gjithë judenjtë për ardhjen e Shpëtimtarit. Dhe të dy bashkë shkuan e takuan përsëri Jisuin. Ky sapo e pa Simonin, se kështu quhej Petri para takimit me Krishtin, i tha:

    - Ti je Simoni, bir i Jonait, që sot e tutje do te quhesh Qefa ose Petër (që shqip do të thotë gur).

    Që në atë kohë Petri shkoi bashkë me Jisuin në Galile, mori pjesë dhe ai në dasmën që u bë në Kana dhe kur Jisui shkoi Pashkën e parë në Jerusalem bashkë me të pesë nxënësit e tjerë dhe qëndroi rreth tetë muaj në Jude, ishte me ta dhe Petri.

    Mirëpo pasi u mor vesh lajmi që Shën Joan Pagëzori u arrestua dhe u burgos me urdhër të tetrarkut të Galilesë Irodh Antipës, Jisui u kthye në Galile. Atë kohë u kthyen në Galile dhe nxënësit e Tij dhe u morën me peshkimin, deri sa një ditë duke dalë Jisui anës së bregdetit të Galilesë dhe duke parë Andrean dhe Simonin që po peshkonin me rrjetë, i ftoi t'i shkonin pas për t'i bërë peshkatarë njerëzish, domethënë punëtorë të shpëtimit të shpirtrave. Dhe ata i lanë të gjitha e i shkuan pas.

    Me formimin prej Jisuit të grupit të të Dymbëdhjetë Apostujve, e shohim Apostull Petrin të marrë pjesë bashkë me të gjithë Apostujt e tjerë në misionet që u ngarkonte herë pas here Mësuesi i tyre, duke i dërguar dy nga dy nëpër qytete e fshatra.

    Në personin e Apostull Petrit dallojmë disa karakteristika, të cilat na japin të kuptojmë se ai gëzonte një pozitë disi të veçantë në grupin e të Dymbëdhjetë Apostujve. Petri është një natyrë e zjarrtë e me shumë inisiativë në shprehjen e ndjenjave dhe të mendimeve të tyre, ishte një tip me lëvizje të shpeshta e të forta. Dashuria dhe besimi i tij për Krishtin paraqet diçka të zjarrtë dhe në mënyrë të veçantë të hovshme. Eshtë e njohur skena gjatë së cilës Jisui natën kur po ecte mbi det, u konsiderua prej nxënësve të tij si fantazmë dhe Ai u tha të mos kenë frikë se ishte ai vetë. Mirëpo ndërsa të tjerët pritnin që Ai të ngjitej në barkë, Petri i tha:

    - Zot meqë je Ti, lejomë të vij edhe unë pranë Teje.

    Jisui i tha:

    -Eja.

    Dhe Petri menjëherë u hodh në ujërat e liqenit. Gjithashtu natën kur po arrestohej Krishti, Petri shprehu tërë pasionin e dashurisë e të devocionit të tij për të. Në fillim i jep sigurinë që edhe sikur të gjithë të tjerët ta braktisnin Mësuesin, ai kurrë nuk do ta mohonte, duke përballuar bile edhe fundin me vdekjen e tij. Dhe më pas tek po arrestohej Jisui dhe ushtarët bashkë me shërbëtorët e kryepriftërinjve duke mbajtur në duar shpata dhe shkopinj, rrethuan nxënësit, vetëm Petri kërkon të organizojë rezistencë e të ndeshet dhe i pret me thikën e tij veshin Malkos. Shpirti i hovshëm dhe më tepër entuziast i Apostull Petrit shkëlqen edhe gjatë Shpërfytyrimit të Zotit në Malin Tavor. Para asaj pamjeje të mrekullueshme, Petri harron çdo gjë dhe kërkon të mbeten atje përgjithmonë.

    Del gjithashtu se Petri kishte dhe një dobësi, duke menduar se asnjë nga të tjerët nuk mund të barazohej me të për devocionin e tij ndaj Mësuesit. Kjo natyrisht i shkaktonte një farë egoizmi të tepruar, për të cilin dhe është qortuar disa herë.

    Kështu kur po ecte sipër ujrave, për një çast e humbi besimin e nisi të mbytej. Atëherë Krishti e qortoi duke e cilësuar si besëpakë (Mat.14 : 26 - 32), por dhe kur, ndonëse e siguroi Krishtin se nuk do ta mohonte kurrë, e mohoi tri herë duke bërë edhe be se nuk e njihte Atë fare, e kuptoi vetë gabimin e derdhi lot të hidhur (Mat. 26 : 69-75). Kësaj periudhe i përket dhe ngjarja e treguar nga Ungjillor Mattheu në kreun 16, paragrafi 13-20, kur Jisui gjendej në Qesari të Filipit dhe i pyeti nxënësit se për kë e kujtonin njerëzit se ishte, ata iu përgjigjën se disa e konsiderojnë që është Joan Pagëzori, disa se është profeti Ilia, disa e marrin për Jereminë apo njërin nga profetët. Dhe ai i pyeti atëherë:

    - Po ju, cili thoni se jam unë?

    Përgjigjen e dha Petri duke thënë:

    - Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë.

    Pas këtij pohimi dhe kësaj shpalljeje Jisui i tha Petrit këto fjalë të njohura e të shumëdiskutueshme:

    - I lumtur je ti, o Simon, bir i Jonait, se këtë nuk ta zbuluan ty mishi dhe gjaku, por Ati im që është në qiejt. Dhe unë gjithashtu po të them: Ti je Petër, e mbi këtë gur do të ndërtoj Kishën time, dhe portat e Hadhit nuk do ta mposhtin atë. Unë do të jap ty çelësat e mbretërisë së qiejve, dhe gjithçka që do të lidhësh mbi tokë, do të jetë lidhur në qiejt dhe gjithçka që do të zgjidhësh në tokë, do të jetë zgjidhur në qiejt." (Mat. 16 : 15 - 19).

    Kjo pjesë siç dihet pati interpretime të ndryshme nga të tre rrymat e mëdha të Krishtërimit. Kisha e Romës thotë se me këto fjalë që iu drejtua Krishti Apostull Petrit, i caktoi atij një rol të posaçëm të përfaqësimit të tij në mbarë Kishën e krishterë, duke e cilësuar si gur themeltar të saj. Dhe meqë Kisha e Romës është themeluar nga Apostull Petri, këtë rol duhet ta ketë ajo mbi tërë Kishën. Kishat Protestante shprehen krejtësisht me argumente të ndryshme kundër një interpretimi të tillë. Disa teologë të tyre bile insistojnë se Apostull Petri nuk ka qenë fare në Romë. Kisha e Romës është organizuar prej Apostull Pavlit.

    Kisha Orthodhokse, interpretimin se emri i Apostull Petrit përbën gurin mbi të cilin do të ndërtohej Kisha e pamposhtur nuk e quan të drejtë, sepse guri themeltar dhe i kryes së vendit në mënyrë krejt personale dhe të patrashëgueshme është vetë Zoti ynë Jisu Krisht, për të cilin Apostull Pavli thotë: "Sepse nuk mund të vërë themel tjetër askush veç atij që është vënë, i cili është Jisu Krishti"(l Kor. 3 : 11). Fraza pra e Mattheut "mbi këtë gur do të ndërtoj Kishën time" duhet kuptuar, ashtu siç pranon dhe Shën Joan Gojarti se i referohet pohimit të Petrit për Jisu Krishtin, që përbën pohimin themelor dogmatik të Kishës së krishterë. Po kështu edhe fraza tjetër ë Mattheut që i drejtohet po Apostull Petrit: "gjithçka që do të lidhësh mbi tokë" në fakt u referohet te gjithë Apostujve që u pyetën dhe në emer të të cilëve, u përgjigj Petri. Kjo qartësohet edhe nga kreu 18 paragrafi 18 po i Ungjillit të Mattheut, ku Jisui duke iu drejtuar të gjithë Apostujve u thotë: "Unë po ju them me të vërtetë se të gjitha gjërat që do të lidhni mbi tokë, do të jenë të lidhura në qiell, dhe të gjitha gjërat që do të zgjidhni mbi tokë, do të jenë të zgjidhura në qiell." Pamë pra më lartë se Petri e mohoi Krishtin. Madje tha se nuk e njihte fare. Dhe këtë ë vërtetoi edhe me be, pa e shtrënguar njeri e pa e kërcënuar njeri, vetëm pse u tha para shërbëtorëve se edhe ai ishte një nga nxënësit e Jisuit të lidhur. Dhe kështu Petri kuptoi se vetëbindja e tepruar dhe vetëmburrja e ulin njeriun. Dhe këtë mësim e nxori vetë ai, trimi i natës dhe frikacaku i agimit. Po ç'u bë Petri pas mohimit dhe pendimit? Shkoi për të takuar nxënësit e tjerë dhe të gjithë bashkë vajtën e u mbyllën në dhomën e sipërme nga frika e judenjve. Po kur Maria Magdalena u solli lajmin atij dhe Joanit që varri ku ishte vendosur trupi i Jisuit ishte bosh, të dy bashkë shkuan me vrap te varri pa marrë parasysh asnjë lloj frike. Joani duke ecur më shpejt arriti i pari te varri, po nuk hyri brenda. Po Petri sapo arriti, hyri pa frikë. Petri ka qenë dhe në të dy shfaqjet e Krishtit të ngjallur që Ai bëri në dhomën e sipërme. Pastaj duket se për disa ditë Mësuesi nuk u shfaq dhe nxënësit u shqetësuan. Petri atëherë për të shpërndarë mërzinë dhe me shpresën se Jisui do të ketë shkuar anës së bregut të detit të Tiberiadës, ku aq shumë i pëlqente të shëtiste, u tha nxënësve të tjerë: "Unë po shkoj të gjuaj për peshk". Dhe ata i thanë: "Edhe ne po vijmë me ty." (Joan. 21 : 1-3). Dhe si hynë në njërën nga barkat e tyre, u lodhën gjithë natën pa zënë gjë. Të mërzitur kështu, nga mëngjesi shohin një njeri që po qëndronte në bregdet. Kush do të ishte? Ata nuk e njihnin. Ndërkaq i dëgjuan zërin që po thoshte: "Djema, mos keni gjë për të ngrënë?" Po edhë këtë radhë nuk e njohën se kush qe. I thanë vetëm që nuk kishin gjë. Kur e dëgjojnë përsëri në atë qetësi të mëngjesit të thotë: "Hidhni rrjetën nga ana e djathtë e barkës, dhe do të gjeni". Dhe për çudi aq shumë peshk zunë sa nuk mund t'i ngrinin rrjetat. Atëherë Joani, i ndriçuar nga dashuria dhe gjykimi se vetëm Një mund të bënte një çudi të tillë si dhe herë të tjera, i thotë Petrit "Eshtë Zoti" (Joan. 21: 4 - 7).

    "Eshtë Zoti?" Petri sapo e dëgjon, vesh rrobën dhe hidhet në det ja pra ai Petër plot hov. Pastaj dolen dhe nxënësit e tjerë dhe hëngrën bashkë me Jisuin. Dhe si mbaruan së ngrëni, Jisui e pyeti tri herë Petrin a e donte që të shlyeshin me të tri herët e pohimit të dashurisë, të tri herët e mohimit dhe kështu e renditi prapë në postin e Apostullit dhe e lejoi të bëhet përsëri bari i dhenve të Tij (Joan. 21 : 11 - 18).

    Dhe kur nxënësit rrinin përsëri të mbledhur në dhomën e sipërme, duke u falur dhe duke pritur zbritjen e Hirit të Shpirtit të Shenjtë Petri mori inisiativën për t'u mbledhur e për të zgjedhur një tjetër nxënës në vendin e Judës. Inisiativa u pranua pa asnjë kundërshtim dhe nga të dy të propozuarit pas lutjes dhe hedhjes në votë, u zgjodh Matthia. Dhe inisiativat e Petrit vazhdojnë. Ditën e zbritjes së Shpirtit të Shenjtë para popullit që ishte mbledhur rreth vendit ku ishte dhoma e sipërme dhe bisedonin për ata peshkatarët që flitnin gjuhë të ndryshme, del Apostull Petri i rrethuar dhe nga të njëmbëdhjetë të tjerët dhe mban predikimin e parë që po i drejtonte popullit Kisha e krishterë. Rezultati i atij predikirni ishte me të vërtetë triumfal. Tre mijë vetë me anën e pendimit, të besimit dhe të pagëzimit u bënë të krishterë dhe pjesëtarë të Kishës. Dhe puna për Krishtin vazhdon me protagonistë Apostull Petrin dhe Apostull Joanin. Të dy shkojnë në tempull në kohën e faljes kur peshkimi është më i pasur. Një ditë Petri shëron një lypës të çalë që nga barku i nënës duke i thënë "Argjend e ar nuk kam; por atë që kam do të ta jap: Në emrin e Jisu Krisht Nazaretasit, ngrihu dhe ec." (Vepr. e Ap. 3:6-7). Çudia u përhap shumë shpejt në të gjithë qytetin dhe shkaktoi habi, dhe u mblodhën shumë njerëz rreth Petrit dhe Joanit në pellgun e Siloamit. Petri e shfrytëzoi menjëherë këtë rast dhe u foli për Jisu Krishtin, por pa mbaruar erdhën kryepriftërinjtë e judhenjve dhe komandanti i truprojës së tempullit dhe e arrestuan bashkë me Joanin. Po fitorja u arrit. Numri i atyre që i besuan Krishtit u shtua dhe me rreth dy mijë të tjerë. Të nësërmen, Petrin dhe Joanin i nxorën para Sinodhit të madh. Në të bënin pjesë të gjithë ata që dënuan dhe Jisuin me Annën e Kaiafën në krye. Mirëpo Petri, ai që dikur ishte trembur nga një shërbëtore, tani qëndron plot me guxim e entuziazëm, madje edhe me gëzimin se i jepet rasti të ndreqë edhe më mirë fajin, u flet pra për Jisu Krishtin, u kujton se ata e kryqëzuan, dhe shpall sheshit se me emrin e Atij, i cili u ngjall së vdekurish, u shërua i çali. Sinodhi, duke e gjykuar situatën si të papërshtatshme i la të lirë, duke i porositur disa herë me kërcënimin që të mos predikojnë më në emrin e Krishtit e as të mos e përmendin emrin e Tij. Po të dy Apostujt u përgjigjën: "Gjykoni nëse është e drejtë përpara Përëndisë, që t'ju dëgjojmë më tepër ju sesa Perëndinë. Sepse, përsa na përket neve, nuk mund të mos flasim për ato që pamë e dëgjuam." (Vepr. e Ap. 4:19 - 20). Shumë çudira bënë në popull edhe nxënësit e tjerë, po ato të Apostull Petrit ua kalonin të gjithëve. Dhe besimi i njerëzve tek ai ishte aq i madh, saqë sillnin të sëmurët e tyre mbi shtretër që të shkojë mbi ta qoftë dhe hija e tij kur kalonte (Vepr. e Ap. 5:15-16). Veprimtaria plot sukses e Apostujve dhe lirimi i tyre me anë të një mrekullie nga burgu i çuan prapë para Sinodhit, ku i tërbuar kryeprifti u tha: "A nuk ju porositëm rreptësisht që të mos mësoni në këtë emër?" Dhe Petri edhe të gjithë të tjerët thanë atëherë atë frazë të famshmë që "Duhet t'i bindemi Perëndisë më tepër se njerezve" (Po aty, varg. 28, 29). Dhe Sinodhi po ndizej kundër Apostujve. Mirëpo ndërhyrja e urtë e Gamalielit arriti ta përmbajë Sinodhin nga marrja e vendimit për ekzekutim. Megjithatë i rrahën dhë i kërcënuan. Duke u larguar, nxënësit gëzoheshin që Zoti i bëri të denjë të vuajnë për emrin e Krishtit (Po aty, varg. 41). Kur pas vdekjes martirike të Stefanit dhe shpërndarjes së të krishterëve të përndjekur, Samaria pranoi me anë të Apostull Filipit Fjalën e Perëndisë, u dërguan atje nga Kisha e Jerusalemit Petri dhe Joani. Atëherë Simon magjistari kërkoi nga ata që t'i shitnin me të holla pushtetin për të transmetuar me vënien e duarve Shpirtin e Shenjtë. Por Petri e kritikoi dhe e kërcënoi rëndë duke i thënë: "Humbtë parja jote bashkë me ty, se mendove që dhurata e Perëndisë fitohet me pare." (Po aty, 8 : 19 - 20).

    Në një nga udhëtimet e tij misionare Petri zbriti në Lidë të Palestinës, shëroi ulogun Enea, i cili dergjej në shtrat prej tetë vjetësh. Nga Lida vajti në Jopë ku ngjalli nxënësen Tabita, që shqip do të thotë kaprolle, të cilën e kishin rrethuar plot gra të veja dhë e vajtonin se ajo ka qenë bamirëse e dalluar dhe shërbyese e devotshme e Jisu Krishtit (Vepr. e Ap. 9:32-43). Pastaj në kohën që ishte akoma në Jopë, i pritur në shtëpi të lëkurëpunuesit të quajtur Simon, tek u ngjit në dhomën e sipërme për t'u falur, pa një vizion me rëndësi (Vepr. e Ap. 10:9-16), me anën e të cilit Perëndia në mënyrë simbolike i tregoi se nuk ka dallim ushqimesh të pastra e të papastra përpara Perëndisë, se nuk kishte dallim për judenjtë si të pastër e për paganët si të papastër.

    Të nesërmen shkoi në Qesari të Palestinës me ftesë të kryeqindëshit pagan po shpresëtar Kornelit, i cili kishte pranuar judaizmin, por pa bërë rrethprerjen, prandaj judenjtë e konsideronin të papastër. Këtu Petri, duke nxjerrë mësime nga vizioni që kish parë, me një predikim të shkurtër zhvilloi temën se Perëndia nuk bën dallime mes njerëzve. Dhe tek ishte ende duke folur, Hiri i Shpirtit të Shenjtë zbriti mbi të gjithë dëgjuesit. Dhe menjëherë u pagëzua e gjithë familja e Kornelit (Po aty, 17:48). Kur Petri u kthye në Jerusalem, të krishterët e kthyer nga judhenjtë u ankuan kundër tij se ishte shoqëruar dhe kishte ngrënë bashkë me njerëz paganë, të cilët nuk kishin kryer rrethprerjen. Po Petri u tregoi për vizionin që kishte parë, si dhe për ato që ishin bërë në familjen e Kornelit dhe ata u qetësuan (Po aty, 11:1-18). Kur Irodh Agripa plaku vrau me thikë Jakovin, të vëllain e Joan Theologut, për të bërë judenjtë edhe më tepër pas vetes, arrestoi e burgosi dhe Petrin me qëllim që ta ekzekutonte pas Pashkës. Ky akt brutal i hidhëroi të krishterët, por lutjet e vazhdueshme të Kishës i dëgjoi Perëndia. Gjatë natës, kur Petri po flinte i lidhur me dy palë zinxhirë nën mbikqyrjen e dy ushtarëve dhe me dy roje të tjerë te dera e burgut, një engjëll i Zotit e liroi atë dhe e nxori nga burgu pa ndonjë pengesë. Pas pak kohe Apostulli erdhi papritur në shtëpinë e Marisë, nënës së Ungjillor Markut, ku qenë mbledhur një pjesë e të krishterëve e faleshin për të burgosurin e shquar (Vepr. e Ap. 12:1-16). Apostull Petri mori pjesë edhe në Sinodhin e Apostujve e të pleqve që u mbajt në Jerusalem nën kryesinë e Jakovit, vëllait të Zotit, për të vendosur nëse edhe paganët që të bëheshin të krishterë do të ishin të dëtyruar t'i nënshtroheshin rrethprerjes sipas ligjit të Moisiut. Në diskutimin e gjerë, e mori fjalën edhe Petri, i cili ishte dakord me mendimin që si judenjtë ashtu dhe paganët të pranohen në krishtërim pa dallim, duke qenë i mjaftueshem vetëm Hiri i Zotit tonë Jisu Krisht për shpëtimin e tyre (Po aty, 15:6-11).

    Nga letra e Apostull Pavlit drejtuar Galatianëve mësojmë për një ngjarje të rastit që ndodhi në Antiohi midis Pavlit dhe Petrit. Pas Sinodhit në Jerusalem vajti në Antiohi ku hante bashkë me të krishterët e kthyer nga paganët. Por kur erdhën atje të krishterë të kthyer prej judhenjve, të cilët ende qenë me mendimin e vjetër se po të mos kryhej rrethprerja Hiri Hyjnor nuk vepronte dhe pra s'kishte shpëtim për shpirtin, Petri për të mos krijuar skandale, rrinte larg të krishterëve që qenë kthyer prej paganëve. Mirëpo këtë qëndrim të Petrit, Pavli e quajti të tepruar e të paligjshëm deri sa tashmë ekzistonte një vendim kishtar për atë probiem. Prandaj ia shfaqi sheshit e me guxim këtë mendim Petrit. Shën Joan Gojarti, i cili e shpjegon këtë pjesë të letrës së Pavlit drejtuar Galatianëve, është i mendimit se Petri e provokoi këtë qëndrim në marrëveshje me Pavlin, që t'i krijonte atij rastin për të kritikuar mentalitetin që ekzistonte akoma për rrethprerje të detyruar. Dionisi i Korinthit, i cili vdiq më 178 pas Krishtit, na informon se Petri kishte vajtur edhe në Korinth ku dhe predikoi. Këtej niseshin një pjesë e të krishterëve të Korinthit e thoshin se ishin të Qefait, domethënë të Petrit. Po kështu Origjeni dhe Eusebi na thonë se Petri ka vajtur edhe në Azinë e Vogël, gjë që de] edhe nga hyrja a letrës së tij të parë të përgjithshme që ua drejton të zgjedhurve të Pontit, të Galatisë, të Kapadohisë, të Azisë e të Vitinisë.

    Në fund Petri shkoi në Romë pas mbërritjes së dytë atje të Apostull Pavlit. Atëherë qe shpallur prej Neronit persekutimi kundër të krishterëve. Dhe Apostull Petri vdiq i kryqëzuar me kokën poshtë.

    Nga Apostull Petri kemi dy letra të pergjithshme. Janë shkruar në Romë, e para pas letrës së Apostull Pavlit drejtuar Efesianëve dhe e dyta është shkruar pak kohë para se ta ekzekutonin, domethënë nga maji i vitit 64 pas Krishtit. Ja pra cili ka qenë Apostulli i madh Simon Petri, biri i Jonait. Nga një peshkatar i thjeshtë i ujrave të Gjenisaretit u bë me anë të Jisu Krishtit shtyllë e shquar e Kishës dhe punëtor i shkëlqyer i Ungjillit.

    Kremtohet më 29 qershor së bashku me shtyllën tjetër të shquar të Kishës, me Apostull Pavlin, i cili siç del nga leximi i Veprave të Apostujve dhe i letrave të tij të shumta dhe siç e përshkruan Shën Joan Gojarti, punoi dhe pati rezultate aq të pasura sa pothuaj të gjithë Apostujt e tjerë së bashku.

    Përlëshore e korifenjve, T. IV

    0 Parëfronësit e Apostujve dhe mësuesit e gjithë botës ndërmjetoni te Zoti i të gjithëve, t'i falë paqen botës dhe shpirtrave tanë përdëllimin e madh.


    Shkurtorja, T. II

    Lëçitësit e sigurt dhe hyjfolës, krerët e Apostujve, o Zot, i more për të gëzuar të mirat e tua dhe prehjen;
    sepse mundimet dhe vdekjen e tyre, i prite më shumë se një theror me djegie të plotë, i vetmi që njeh të fshehtat e zemrave.


    Shënim: Shkëputur nga libri "Jetë Shënjtorësh", vëllimi 2, faqe 9-18, botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë 1996

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    Apostull Pavli në viset e Shqipërisë së sotme

    Zanafilla e krishterimit në Shqipërinë e sotme lidhet drejtpërdrejt me periudhën apostolike. Me gjithë mungesën e një dokumentacioni të plotë historik, tradita kishtare vendëse dhe e huaj, gojore dhe e shkruar, ka ngulmuar gjithmonë se i pari që predikoi ndër këto vise ishte apostull Pavli. Ndërkaq, shprehja “që nga Jerusalemi e përreth e deri në Ilirik”, së cilës ai vetë i është referuar në letrën e tij drejtuar Romakëve (15:19), nuk mjafton për të konfirmuar pohimin e mësipërm. Studiuesit e kanë interpretuar atë në mënyra të ndryshme, duke i atribuar fjalës “Ilirik” herë një kuptim të gjerë administrativ e herë një kuptim të kufizuar etnogjeografik, herë e kanë përfshirë në vendet ku ai predikoi, herë e kanë konsideruar si kufirin brenda të cilit nuk arriti të vepronte. Sigurisht që asnjë prej këtyre interpretimeve nuk mund të merret parasysh vetëm duke u bazuar në analizën filologjike të kësaj shprehjeje, e cila në këtë rast është krejt e pafuqishme për të na dhënë një përgjigje kategorike. Për pasojë, nëse duam të hedhim dritë mbi ardhjen e Apostull Pavlit në Shqipëri, është e nevojshme të analizohen kushtet që mund të favorizonin një eveniment të tillë, si dhe të shqyrtohen dëshmitë e pakta që vijnë nga fusha të tjera, fatkeqësisht të vagullta e të zhytura në pluhurin e peripecive të përgjakshme e rrënimtare të kohës.

    Duhet theksuar, së pari, se të gjithë faktorët që favorizuan përhapjen e shpejtë të krishterimit në tokë evropiane, nën kujdesin dhe praninë e drejtpërdrejtë të Apostujve të Krishtit, ekzistonin pa asnjë përjashtim edhe në Shqipërinë e sotme. Pozita e saj gjeografike, midis Greqisë së Vjetër dhe Romës, jo vetëm që shërbente si urë lidhëse midis këtyre dy qytetërimeve, por përbënte edhe një privilegj të veçantë për banorët e saj. Si pjesëmarrës aktivë të jetës së përditshme të Perandorisë Romake, si bartës autentikë të kulturës së saj, si njohës dhe përdorues të mirë të gjuhës së përbashkët, ata ndanin me nënshtetasit e kombësive të tjera të njëjtat shqetësime, të njëjtat prirje, të njëjtat aspirata. Qytete të tilla si Durrësi, Apollonia, Vlora, Bylisi, Butrinti etj. ishin qendra të zhvilluara tregtare e kulturore, me karakter të theksuar kozmopolit, në të cilat idetë e kohës qarkullonin lehtë, ndërsa përfaqësuesit e tyre gjenin terren të përshtatshëm për t’i shtjelluar ato e për të siguruar ithtarë e simpatizantë. Kështu ndodhi edhe në rastin e përhapjes së lajmit të çuditshëm se, një farë Jisui nga Judea, të cilin romakët e kishin dënuar me vdekje në kryq, ishte ngjallur së vdekurish.

    Gjatë udhëtimeve të tij në vise të ndryshme të Peranadorisë, Apostulli i Kombeve e kishte zakon të fillonte predikimin nga sinagogat. Sigurisht që objekti kryesor i këtyre takimeve nuk ishin vetëm bashkatdhetarët e diasaporës, por edhe proselitët, praktikantët e fesë judaike me origjinë pagane, të cilët, duke përjashtuar kohën që i kushtonin adhurimit në sinagoga, pjesën tjetër të kohës e kalonin në shoqëri me idhujtarët, larg çdo paragjykimi racial e fetar. Ishin pra këta proselitë që mundësonin kalimin e mesazhit të Ungjillit nga hebrenjtë tek paganët me ndërmjetimin e Apostujve.

    Prania e komuniteteve hebraike në të gjithë territorin e Shqipërisë së sotme, pranë të gjitha vendbanimeve të rëndësishme të kohës, duke filluar nga qytetet bregdetare si Butrinti, Saranda, Vlora, Orikumi, Durrësi e deri në qendrat dhe stacionet kryesore përgjatë Rrugës Egnatia, e cila lidhte qytetin e Bizantit me Romën, ishte një arsye më tepër për të tërhequr vëmendjen e Apostull Pavlit dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe një rast i mirë për përmbushjen e detyrës së tyre apostolike kundrejt popullsisë idhujtare vendëse.

    Predikimin e Apostull Pavlit në Shqipëri autorë të vjetër e kanë lidhur me qytetin e Durrësit, portin më të madh të Adriatikut. Tradita thotë se këtu ai vendosi si episkop të qytetit njerin prej të Shtatëdhjetë Nxënësve të Zotit, Qesarin, emrin e të cilit e hasim si episkop të Durrësit edhe në Kodikun nr. 423 të Bibliotekës së Jerusalemit. Dimë gjithashtu se tradita e vjetër durrsake konsideronte si episkopin e parë të qytetit Apolloin, emri i të cilit përmendet në Letrën e Parë drejtuar Korinthasve (1: 12). Thuhet pra se Apostull Pavli e thirri të vinte nga Korinthi në Nikopol, ku ndodhej aktualisht, për ta vendosur më pas episkop në Durrës. Nga Giornale di scienze lettere e arti per la Sicilia e vitit 1835 informohemi se, në çdo 7 dhjetor, durrsakët kremtonin me madhështi kujtimin e Apolloit e të Sostenit (emri i këtij të fundit përmendet në të njëjtën letër, 1: 1), shoqëruesve të Apostull Pavlit gjatë predikimit dhe themelimit prej tij të Kishës së këtij qyteti, e cila numëronte fillimisht 70 familje. Në kohë më të reja autorë të ndryshëm kanë shprehur bindjen se Apostull Pavli duhet të ketë kaluar më se një herë për në Romë nëpërmjet Durrësit, “si rruga më e shkurtër”. Por duket se studiuesit e sotëm nuk janë të një mendjeje. Sipas tyre, itinerari i udhëtimeve të tij nga vendet e Lindjes drejt Romës nuk kalon asnjëherë nga ky port i madh i Adriatikut.

    (Vijon në numrin e ardhshëm)

    Autori: Pirro Kondili





    Edhe si ramë të gjithë poshtë në tokë, dëgjova një zë që më fliste mua e që thoshte në gjuhën hebraishte: Saul, Saul, pse më ndjek? Eshtë keq për ty t’u biesh me shkelma gjembave. Edhe unë thashë: Cili je ti, o Zot? Edhe ai tha: Unë jam Jisui, të cilin ti po ndjek. Po ngrihu dhe qëndro në këmbët e tua; sepse për këtë u shfaqa tek ti, që të të vë shërbëtor dhe dëshmitar edhe të atyre që pe edhe të atyre me të cilat do të tregohem ty. Duke të zgjedhur ty nga populli e nga kombet, tek të cilët tani po të dërgoj, që të hapësh sytë e tyre, që të kthehen nga errësira në dritë, dhe nga pushteti i Satanait tek Perëndia që të marrin ndjesë mëkatesh, dhe trashëgim në mes të të shenjtëruarve me anë të besimit tek unë

    (Vep. 26. 14-18).

    Apostujt e Shenjtë Petro e Pavli
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 29-07-2008 më 13:05

  5. #5
    Paqe! Maska e Matrix
    Anëtarësuar
    02-11-2002
    Vendndodhja
    Në Zemrën e Hyjit!
    Postime
    3,123
    Sot eshte dita e kremtimit te ketyre dy korifejve te Krishterimit, dita e martirizimit dhe e lavderimit te tyre. Per shume vjet gezuar!
    Krishti: Ne Qiell me lavdine Hyjnore, ne toke me perulesine e sherbetorit!

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    Dje ishte festa e dy shenjtoreve.

  7. #7
    Gone!
    Anëtarësuar
    02-03-2006
    Vendndodhja
    Larg nga ketu!
    Postime
    2,871
    Sa mire paskan dale ne foto apo pikture!

    Paskan qene disi te afert midis tyre se paskan dale te perqafuar.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Rina_87 : 01-07-2011 më 12:20

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e Archon
    Anëtarësuar
    05-12-2012
    Postime
    2,280

    Për: Apostujt Petër dhe Pavël - 29 qershor

    Sot kisha jone kujton apostujt e shenjte Petro dhe Pavli,gjithashtu festojne diten e emrit te gjithe ata qe quhen Petro,Petrika,Pavel,Pal,Pjeter,Petrula,Paola,Pavla ,etj
    Ndryshuar për herë të fundit nga Archon : 29-06-2013 më 09:17

  9. #9
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    24-04-2009
    Postime
    1,464

    Për: Apostujt Petër dhe Pavël - 29 qershor

    Citim Postuar më parë nga Korca 123 Lexo Postimin
    Sot kisha jone kujton apostujt e shenjte Petro dhe Pavli,gjithashtu festojne diten e emrit te gjithe ata qe quhen Petro,Petrika,Pavel,Pal,Pjeter,Petrula,Paola,Pavla ,etj
    ....para nje viti kam rastisur ne Gjakove,edhe aty eshte nje Kishe e bukur e cila u kushtohet Shen Palit dhe Shen Pjetrit...Per mua ka qene dite e paharruar....

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Apostujt Petër dhe Pavël - 29 qershor


Tema të Ngjashme

  1. 200 të shumëkërkuarit shqiptarë në të gjithë Botën
    Nga Albo në forumin Në kërkim të personave të humbur
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 04-02-2011, 10:52
  2. Raporti i OSBE: Zgjedhjet e qershorit, nje permiresim i ndjeshem
    Nga juanito02 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 16
    Postimi i Fundit: 16-09-2009, 08:08
  3. Katalog shenjtorësh
    Nga Kryeengjelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 08-12-2006, 10:31
  4. Tifozët e Super Kampiones Tirana
    Nga BlueBaron në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 157
    Postimi i Fundit: 26-02-2006, 22:05

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •