Nënkryetari i bashkësisë: Na rrahën 9 policë privatë të firmës që ndërton pallatin


Dhunohen besimtarët e Zonjës Eleonorë
Konflikti për pronësinë e tokës së tempullit

Esmeralda Keta
e.keta@gazetashqiptare.com

Konflikti për pronësinë e tokës ku ndodhet tempulli i Bashkësisë së zonjës Eleonorë, ka vendosur dje përballë besimtarët e këtij sekti me punonjësit e një firmë policie private. “Edhën në orën 13.00. Ishin nëntë vetë që na u prezantuan si punonjës të policisë private, ishin të armatosur dhe na kërcënuan. Por fjalët e tyre të rënda ishin vetëm fillimi, sepse pastaj ata na rrahën të gjithëve pa mëshirë. Na godisnin ku të mundnin dhe thoshin se në ambientet e bashkësisë sonë do të ndërtohej një pallat”. Denoncimi është bërë dje për “Gazetën” nga nënkryetari i kësaj bashkësie, Roel Zhitoni, njëri prej personave të dhunuar, shumica e të cilëve ishin gra dhe fëmijë. Menjëherë pas ngjarjes së rëndë ata kanë depozituar në Komisariatin nr. 1 të kryeqytetit, 6 denoncime për Dilaver Haxhi Ymerin, personin që pretendon se ka pronësinë e truallit, kryetarin e komunës së Farkës, Fatbardh Plakun dhe 9 punonjësit e policisë private.
Ngjarja
Gjithçka e ka zanafillën nga një konflikt i vjetër pronësie. Nënkryetari i kësaj shoqate, Roel Zhitoni, i cili ka qenë edhe një ndër personat e dhunuar, tregon tmerrin e dhunës së përjetuar nga rreth 23 anëtarë që ndodheshin në atë moment prezent, shumica e të cilëve ishin gra dhe fëmijë. Ai deklaron se 9 personat, të veshur me këmisha të zeza, u janë prezantuar si punonjës të policisë private dhe u kanë kërkuar që të lënë ambientet për të cilat janë prej vitesh në konflikt pronësie, në të kundërt do të ishin të gatshëm të përdornin çdo lloj dhune. “Ngrinin bluzat ku mbanin pistoletat dhe thoshin “do ju vrasim, do ju asgjësojmë fare, nëse nuk largoheni që këtej”, - tregon Roeli. Më tej ai thotë se të ashtuquajtur punonjës të policisë janë irrituar kur të gjithë besimtarët janë ulur në gjunjë dhe u kanë thënë atyre se nëse duan të marrin truallin, duhet më parë të vrisnin të pranishmit. “Atëherë ata filluan të na qëllonin duke mos njohur asnjë limit, pavarësisht se pjesa më e madhe ishin gra dhe fëmijë, - pohon Zhitoni, - Ndërsa 6 prej të pranishme janë në gjendje të rëndë”, - vijoi ai. “Jemi të bindur se ata janë njerëz janë paguar nga kryetari i komunës dhe pronari i tokës, që duan të ndërtojnë pallatin këtu”.
Denoncimi
Menjëherë pas ngjarjes së rëndë, në Komisariatin nr.1 të kryeqytetit janë depozituar 6 denoncime, ndaj kryetarit të komunës Farkë, Fatbardh Plaku, ndaj Dilaver Haxhi Ymerit dhe 9 agresorëve. Nënkryetari Roel Zhitoni tregon se shefi i krimeve, Krenar Guçi që ka dëgjuar denoncimin e tyre ka thënë se do ta përcjellë ngjarjen në prokurori. Ndërkohë që gjatë orës së përshpirtjes, rreth 350 besimtarë me anë të një peticioni i kanë kërkuar kryeministrit Berisha dhe autoriteteve të tjera që të marrë fund dhuna ndaj tyre dhe të gjendet një zgjidhje për këtë problem.


Bashkësia e Eleonorës, sekti në qendër të mediave


Kjo bashkësi është përfshirë edhe herë të tjera në ngjarje të tilla. Ajo është akuzuar si një sekt i dyshimtë, por personat që i drejtohen këtij sekti janë të shumtë. Ata pretendojnë se nuk ndjekin një drejtim të caktuar fetar, por janë gjithëpërfshirës. Vetë zonja Eleonorë Bregu, që është edhe drejtuesja e kësaj bashkësie, ka origjinë bektashije. “Të gjitha rrugët të çojnë te Zoti, - thonë ata, - dhe tek ne nuk ka shumë rëndësi se ku beson, te Muhamedi apo te Jezusi”. Madje ata thonë se edhe lutjet janë origjinale dhe në gjuhën shqipe.