Workshop letrar në distancë


Gazeta Britanike Guardian (http://www.guardian.co.uk) zhvillon që prej tetorit të vitit 2004 workshop-e me lexuesit e saj posaçërisht lexuesit krijues të poezisë. Këta workshop-e zhvillohen nën mbikëqyrjen e poetëve anglishtfolës, të cilët tashmë e kanë fituar një emër mes kolegëve të tyre. Workshop-et janë zhvilluar në distancë kohore thuajse të rregullt prej një muaji nga njëri-tjetri. Ka pasur deri tani disa ndërprerje, por vazhdimi ka qenë po ashtu i suksesshëm.

Praktika e vendosur kërkon që autori/autorja, i cili/e cila është zgjedhur e ftuar për të mbajtur workshop-in e rradhës, të vendosë një bazë shpjeguese, thuajse në formë ushtrimi për ata që dëshirojnë të marrin pjesë si krijues. Mbi këtë bazë krijuesit kanë kohë disa ditë për të përgatitur krijimet e tyre poetike e për t’i dërguar ato në redaksinë e gazetës Guardian. Në vazhdim autori/autorja bën zgjedhjen e atyre që ajo i konsideron si shkrimet më të mirë, duke krijuar një listë të shkurtër mbi të cilën ajo merr qëndrim nga pozicioni i kritikes. Shpërblim për sjellësit e krijimeve më të mira, përveç marrjes së vlerësimit dhe mendimit të pjekur poetik në mënyrë publike, nuk ka.

Kjo mënyrë për t’i përcjellë dijen bazë krijuesve të rinj, të cilët dëshirojnë të ushtrohen dhe të marrin mendim nga krijues tashmë të afirmuar, ka tërhequr pranë gazetës mjaft interes e një numër autorësh emrat e të cilëve mund t’i sjellim si vijon.

Ruth Fainlight (tetor 2004),
Tobias Hill (dhjetor 2004),
Julia Darling (janar 2005),
Chris Greenhalgh (shkurt 2005),
Anne Stevenson (mars 2005),
Tony Curtis (prill 2005),
Moniza Alvi (maj 2005),
David Harsent (korrik 2005),
Adèle Geras (gusht 2005),
Michael O’Siadhail (shtator 2005),
John Burnside (tetor 2005),
Lucy Newlyn (dhjetor 2005),
Helen Farish (dhjetor 2005),
Esther Morgan (shkurt 2006),
Jane Duran (mars 2006),
Jen Hadfield (prill 2006),
Pascale Petit (qershor 2006)

Rezultatet e këtyre workshop-eve, krijimet e përzgjedhura dhe më shumë për autorët drejtues të tyre, mund të gjendet duke kërkuar në arkivën e gazetës britanike në internet.

Ndoshta kjo do të ishte një praktikë e mirë për t’u zhvilluar dhe në organe të shtypit letrar në mjediset shqiptare, po ashtu dhe në forume letrare ekzistuese në internet, në të cilat sjellin krijimtarinë e tyre dhe autorë tashmë të afirmuar përmes publikimeve të tyre.
Kjo praktikë ndoshta do të ish me mend të zhvillohej jo vetëm në lëminë e poezisë, por dhe në atë të prozës, tregimit dhe esesë në mënyrë të posaçme, për shkak se këto dy forma janë më të kontrollueshme në përmasa për publikime të veçanta të organeve të shtypit letrar.
Do të ishte një mënyrë e mirë për përcjelljen e dijeve dhe për krijimin e një baze të shëndoshë për krijime cilësore nga autorë më të rinj. Në këtë mënyrë ndoshta do t’i ndihmohej dhe përgatitjes më të mirë të tyre para marrjes së vendimit për dërgimin e krijimeve për publikim në formë librash dhe para përftimit të rezultateve zhgënjyese, për të cilat shkruhet dendur nga autorë tashmë të afirmuar në skenën letrare shqiptare, por dhe nga përkthyes të veprës letrare shqiptare në ditët e sotshme.

Sjelljes së praktikës së suksesshme në gazetën e mirënjohur britanike Guardian në mjedisin shqiptar dhe propozimeve konkrete që lindin duke u bazuar tek ajo, i shërbeu ky artikull informues. Përmes tij, ndoshta lexuesit, të cilët dëshirojnë të njihen me poezinë bashkëkohore në gjuhën angleze, marrin dhe referencë për të ardhmen e leximeve të tyre.


Përgatiti: Dita
19 Qershor 2006