Një herë, gjatë predikimeve të tija, shna Ndou ndeshi në një heretik kryefortë, që refuzonte me besu në Prezencen reale të Shelbuesit në Hosten shenjte, me gjithë argumentat e shna Ndout. Së fundmi, heretiku i propozon shenjtit një sfidë, për me vendos në kurth: " Kam një mushkë, - i thotë shna Ndout -; kam me e lanë tri ditë pa hangër, dhe mbas tri ditësh kam me sjell këtu mes turmës, në sheshin publik, dhe kam me i dhanë tërshanë me hangër. Ju ejani me Hosten e shuguruar. Në qoftë se mushka do të refuzoj tërshanën dhe do të gjunjëzohet para Hostes, që ju thoni se duhet adhuruar prej tana krijesave, atëherë do të deklarohem katolik." Shna Ndou, pranon dhe me besimin e pathyeshëm në Hyjin, tërhiqet në Kuvend dhe përgaditet gjatë tri ditve me lutje e njinesë. Kur erdhi dita e shumëpritur, heretiku sjell mushkën në sheshin publik dhe ndjekësit e tij, që e rrethojshin, fillojnë me u tallë e me qesh, duke imagjinuar disfaten e shenjtit. Shna Ndou mbasi celebron Meshen shenjte, merr me veti Zotin-Eukaristi dhe mbërrin në sheshin publik, i ndjekun prej një turme të madhe besimtarësh, që këndojnë himne gëzimi dhe lusin Zotin e gjithëpushtetshëm ta dëshmoj nëpërmjet mrekullisë të vërteten e besimit katolik.
Të tanë heshtin...Shna Ndou, në mesin e sheshit, shef mushken dhe thërret me një zë të fuqishëm:
« Në emër të Krijuesit që mbaj në duert e mija në këtë moment, krejt i padenjë që jam, dhe në saje të Gjithpushtetshmënisë hyjnore, të urdhëroj, o qenie pa arsye, me ardhë këtu menjëherë me u përkul para Tij, në mënyrë që djallzia e herezisë të demaskohet dhe të gjithë të jenë të detyruar me pranu se tanë krijimi i nënshtrohet Qëngjit që sakrifikohet mbi altaret tona. »
Në të njêjten kohë lihet e lirë mushka dhe i ofrohet tërshanë me hangër. Por, mushka përbuz tërshanën dhe shkon e gjunjëzohet para Hostes shenjte, në gjest adhurimi.
Krijoni Kontakt