Propozohen ndryshimet në Kodin Penal, hetim dhe ekstradim për aktet terroriste
“Dënohet kush nuk spiunon në polici”
Ministria: Ndjekje penale edhe atyre që blejnë mallra të vjedhura
Ndëshkime penale për ata persona që blejnë dhe vënë në përdorim mallra, apo mjete të vjedhura.
Ministria e Drejtësisë ka hartuar një paketë ndryshimesh ligjore në Kodin Penal, ku parashikohet përgjegjësi ligjore për personat që blejnë makina, apo celularë të përdorur. Nëpërmjet një deklarate zyrtare, Ministria e Drejtësisë konfirmoi dje se projekti për ndryshimet në Kodin Penal shqiptar përmban tri pika. Pas pikës së parë, e cila përcakton dënime për ata persona që qarkullojnë mallra, produkte apo sende të vjedhura, pika e dytë bën fjalë për bashkëpunimin e qytetarëve me organet e policisë dhe Prokurorisë. Pavarësisht se përmbajtja aktuale e Kodit Penal parashikon dënime për personat që japin kallëzime, dëshmi, apo informacione të rreme në polici dhe Prokurori, projekti i Ministrisë së Drejtësisë shkon më tej duke ashpërsuar këtë masë dënimi. Sipas burimeve zyrtare, qëllimi i ashpërsimit të dënimeve në këtë rast, është ngritja në nivelin e një përgjegjësie ligjore e detyrës, që qytetarët kanë për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë.
Ndryshimet
Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë, ndryshimet në Kodin Penal parashikojnë dënime penale për ata persona që blejnë ose përdorin mallra të vjedhura. “Qëllimi i këtyre ndryshimeve në Kod është penalizimi i veprave penale, të cilat janë shumë të rënda. Penalizimi për këtë vepër se bashku me penalizimin e pastrimit të parave shërben për të luftuar krimin ekonomik dhe sidomos trafikimin e mjeteve të vjedhura motorike”, tha Ministria e Drejtësisë. Sipas saj, “ky ndryshim në Kodin Penal dënon veç grabitësit, edhe ata që përvetësojnë një mall të vjedhur, duke e blerë atë”. Sipas burimeve zyrtare, nëpërmjet këtij ndryshimi synohet frenimi i rivënies në qarkullim të mallrave të vjedhura, si dhe ndërprerja e zinxhirit të akteve kriminale. Lidhur me ashpërsimin e dënimit për kallëzimet, dëshmitë dhe informacionet e rreme, Ministria e Drejtësisë pohoi se “Kjo masë ka si qëllim të mbrojë të njëjtat vlera që mbron aktualisht penalizmi i dëshmisë së rreme, duke rritur në rang detyre ligjore, detyrimin qytetar për të bashkëpunuar me organet e ligjit”. Pika e tretë e ndryshimeve të propozuara nga Ministria e Drejtësisë është thuajse e njëjtë me një paketë ndryshimesh të propozuar një vit më parë nga i njëjti institucion.
Terrorizmi
Bëhet fjalë për terrorizmin. Sipas ndryshimeve që dje janë propozuar nga Ministria e Drejtësisë “për një sërë veprash të papranueshme si: gjenocidi, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe terrorizmi, duke pasur parasysh rrezikshmërinë e këtyre veprave, ligji penal shqiptar do të veprojë pavarësisht ku dhe kush i ka kryer. Në rastet e këtyre krimeve, Ministria e Drejtësisë kërkon të ndiqet parimi ekstrado dhe përndiq penalisht për të dyshuarit, pasi ky është një parim i kërkuar nga shumë konventa, ku Republika e Shqipërisë është palë. Veç kësaj, Ministria e Drejtësisë kërkon të përfshihet në Kodin Penal një përcaktim i qartë i organizatës terroriste dhe i veprave penale që plotësojnë figurën e një veprimi terrorist, duke bërë dallimin nga organizata kriminale dhe krimet e kryerja prej saj. t.s/k.b
* Kallezimi
Përmbajtja aktuale e Kodit Penal në nenin 272 parashikon dënim deri në një vit burg, për personat që bëjnë njoftime të rreme për vepra penale të paqena në organet e rendit. Neni 305 i Kodit Penal parashikon një dënim nga gjobë deri në pesë vite burg për personat që paraqesin kallëzime, prova dhe informacione të rreme në polici, apo në Prokurori.
* Vjedhja
Kodi Penal në përmbajtjen e tij aktuale nuk parashikon dënime, apo sanksione të tjera ligjore ndaj personave që përvetësojnë me anë të blerjes, mallra, apo sende të vjedhura. Në Kodin Penal parashikohet ndjekje penale vetëm për grabitësit, apo hajdutët që përvetësojnë në mënyrë të paligjshme mallrat, apo sendet e tjetrit.
* Terrori
Përcaktimi i vetëm në Kodin Penal aktual për terrorizmin është neni 230. Sipas tij, akte terroriste janë veprimet e dhunshme ndaj jetës, shëndetit të njerëzve, lirisë vetjake nëpërmjet rrëmbimit të tyre, apo të mjeteve të udhëtimit masiv, që kanë për qëllim turbullimin e rëndë të rendit publik dhe ngjalljen e frikës dhe pasigurisë në masë. Kjo dënohet me jo më pak se 15 vjet burg deri në burg të përjetshëm.
Ndryshimet e propozuara
* Pika 1
Ndëshkime penale për personat, që blejnë dhe vënë në qarkullim mallra, mjete, apo sende të vjedhura.
* Pika 2
Përcaktimin si përgjegjësi ligjore të qytetarëve, të njoftimit të organeve të drejtësisë për një vepër penale.
* Pika 3
Bërja e dallimit mes organizatës kriminale dhe organizatës terroriste, si dhe përcaktimi i krimeve që përbëjnë akt terrorist
* Pika 4
Shtimi i nenit 282/b që përcakton dënimin për ata persona që mësojnë të tjerët për përdorimin e armëve luftarake, të cilat më pas përdoren për realizimin e veprave penale.
Krijoni Kontakt