Raporti nëntëmujor i KLSH vë në dukje se dëmi u shkaktua nga shpenzimet dhe mosrealizimi i të ardhurave
Fatura e Nanos, 37 milionë $ abuzime
“Buxheti i shtetit ka humbur 332 milionë lekë nga mosmbledhja e taksave dhe 226 milionë lekë nga doganat”
F.Papadhimitri
TIRANË-Gjatë muajve të parë të këtij viti institucionet shtetërore kanë kryer shkelje të ndryshme duke shkaktuar në total një dëm ekonomik mbi 3.7 miliardë lekë. Raporti nëntëmujor i Kontrollit të Lartë të Shtetit vë në dukje shumën prej mbi 3.7 miliardë lekësh që është shkaktuar vetëm nga shkeljet e institucioneve shtetërore. Punonjësit e KLSH-së në raportin e tyre kanë cilësuar se dëmi disamiliardësh është shkaktuar nga shpenzimet pa kriter dhe mosrealizimi i të ardhurave, shkaqe që kanë cënuar në shumë sektorë të ekonomisë.
Shkeljet dhe kontrollet
“Shkeljet e rënda financiare janë kryer në mbledhjen e tatim-taksave, në dogana, në dhënien e gabuar të pagave, në dhënien pa kriter të shpërblimeve, për dieta e udhëtime, si dhe në prokurimet publike”, -thuhet në raportin nëntëmujor 2004. Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë 9 muajve të parë të këtij vitit, nga 116 kontrolle të planifikuar, ka ushtruar 172, nga të cilat 133 kontrolle i ka përfunduar. Sipas të dhënave më të fundit, kontrollet e përfunduar janë ushtruar në 27 ministri dhe institucione qendrore, në 43 institucione të qeverisjes vendore, në 13 drejtori dhe degë të tatimtaksave e të doganave, në 20 institucione financiare dhe në 30 institucione në shërbim të reformës ekonomike, si në Agjencinë Kombëtare të Privatizimit, Komitetin Kombëtar të Kthimit të Pronave dhe organizma të tjerë. “Nga kontrollet e ushtruar janë zbuluar shkelje e parregullsi financiare për të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe për shpenzimet me fondet buxhetore me dëm efektiv të përgjithshëm në shumën totale prej 3 miliardë e 771 milionë e 157 mijë lekë”, -citohet në raport. Përveç kësaj nga kontrollet del se, buxheti i shtetit të ketë humbur rreth 332 milionë lekë nga mosmbledhja e tatim-taksave, një dëm prej 226 milionë lekësh është shkaktuar nga doganat, mbi 52 milionë lekë dëme i janë shkaktuar shteti nga shitja dhe dhënia me qira e pasurive shtetërore, rreth 5.4 milionë lekë nga pagat e gabuara, 369 milionë lekë nga shpërblimet e pamerituara, mbi 4.5 milionë lekë nga shërbimet dhe dietat, si dhe 140 milionë lekë nga shkelja e ligjit në tendera. Nga ana e KLSH-së, për shkeljet e disiplinës financiare nga mosshtimi i të ardhurave në buxhet dhe nga shpenzimet me fondet buxhetore për 9 muajt e parë të këtij viti, në shumën 3.7 miliardë lekë është rekomanduar për zhdëmtim shuma prej 3.5 miliardë lekë ose 94.5 për qind e totalit të shkeljeve. Shifra e publikuar në raportin nëntëmujor të këtij viti është e habitshme, pasi pothuajse në të gjitha raportet e këtij institucioni janë vënë re shkelje të rënda në shuma të mëdha nga institucionet shtetërore. Kështu në raportin e KLSH-së për vitin 2003 u konstatuan me miliarda lekë shkelje.
Krijoni Kontakt