Close
Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 45
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e zeus
    Anëtarësuar
    27-05-2003
    Vendndodhja
    Këtu
    Postime
    944

    Peshëngritje: Erkand Qerimaj, kampioni shqiptar i botës

    ------------------------------------------------------

    Emri: Erkand
    Mbiemri: Qerimaj
    Datëlindja: 10.8.1988
    Vendlindja: Shkodër
    Pesha: 69kg

    Karriera: Kampion i trefishtë Europe në peshën 50 për U-17, viti 2002. Kampion i trefishtë Europe në peshën 56 kg për U-17 për vitin 2003, medalje bronzi në europianin e vitit 2004 në peshën 62 kg. Nënkampion Europe në peshën 69 kg për U-17 dhe për të rinj në vitin 2005. Kampion bote në stilin e shtytjes dhe nënkampion në dygarësh në Kampionatin Botëror të të Rinjve, viti 2006.

    Që me krijimin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes më 1948 e deri më sot, asnjë peshëngritës shqiptar nuk ka arritur të sjellë titullin kampion bote në Shqipëri. Por pas 59 vjetësh këtë e bën Erkand Qerimaj i cili i sjell Shqipërisë titullin e parë "kampion bote". Një nga sukseset më të mëdha të peshëngritjes shqiptare, pas rekordit olimpik të të madhit Ymer Pampuri. Pikërisht dje, në Kampionatin e 32-të Botëror për të Rinj, që po zhvillohet në Kinë, peshëngritësi Erkand Qerimaj në konkurrimin e tij në peshën 69 kg në stilin e shtytjes kapi shifrat e 175 kilogramëve, duke u ngjitur në podin e fituesit të medaljes së artë dhe titullit kampion bote në këtë stil. Ai shpallet njëkohësisht edhe nënkampion bote në dygarësh me 311 kilogramë. Në stilin e shkëputjes ai humbet medaljen e bronzit vetëm për 10 gramë. Ky është suksesi më i madh i 18-vjeçarit Qerimaj në 5 vjet karrierë në sportin e peshëngritjes.

    Erkand Qerimaj ka konkurruar në baterinë A të peshës 69 kg, ku janë përfaqësuar gjithsej 18 peshëngritës. Në stilin e shkëputjes Qerimaj ka ngritur 136 kg dhe ka humbur medaljen e bronzit vetëm për peshë trupore, medalje që i është rrëmbyer nga greku Vladimir Lazaridhis, i cili peshonte 10 gramë më pak se Qerimaj. Në stilin e shtytjes Erkand Qerimaj shpallet kampion bote me 175 kg dhe ka një diferencë prej 3 kg me vendin e dytë, peshëngritësi i Ekuadorit Rikardo Flores. Më 311 kg, në dygarësh, Erkand Qerimaj shpallet edhe nënkampion bote. Medalja e artë në stilin e shkëputjes dhe në dygarësh shkon për shkollën kineze të peshëngritjes, përfaqësuar në këtë peshë nga i riu Goushun Zhong me 146 kg në shkëputje dhe 316 kg në dygarësh.
    Po dje, në Kampionatin e 12-të Botëror për të Reja ka konkurruar edhe peshëngritësja Romela Begaj. Ajo ka konkurruar në baterinë A të peshës 58 kg, ku kanë marrë pjesë 16 peshëngritëse. Në stilin e shkëputjes, Begaj ka ngritur 91 kg dhe është klasifikuar në vendin e tretë me medalje bronzi. Në stilin e shtytjes ajo ka realizuar pas 3 provave 105 kg dhe është klasifikuar në vendin e 6 të, ndërsa në dygarësh me 196 kg Begaj klasifikohet në vendin e 5 të. Kampione e trefishtë e botës në peshën 58 kg për femra u rendit rusja Svjetllana Carukajeva, me 106 kg në shkëputje, 125 kg në shtytje dhe 231 kg në dygarësh.

    Konkurrimi në peshën 62 kg për meshkuj

    Stili i shkëputjes
    1. Guoshun Zhong Kinë 146kg
    2. Kuanish Rahatov Kazakistan 145kg
    3. Vladimiros Lazaridhis Greqi 136kg
    4. Erkand Qerimaj SHQIPËRI 136kg

    Stili i shtytjes
    1. Erkand Qerimaj SHQIPËRI 175kg
    2. Rikardo Flores Ekuador 172kg
    3. Guoshun Zhong Kinë 170kg

    Dygarësh
    1. Guoshun Zhong Kinë 316kg
    2. Erkand Qerimaj SHQIPËRI 311kg
    3. Kuanish Rahatov Kazakistan 310kg

    ------------------------------------------------------
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Ndryshuar për herë të fundit nga zeus : 31-05-2006 më 06:19
    Në botë ka 10 lloje njerëzish: ata që kuptojnë sistemin binar, dhe ata që nuk e kuptojnë!

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e joss
    Anëtarësuar
    15-09-2005
    Postime
    311
    Bravo Erkand! Ate qe nuk e arriti babai i tij, Merxhani, e arriti i biri!

  3. #3
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,956
    Shkodra krenohet me kampionin e saj të botës. Kanë nisur përgatitjen për ta pritur si "hero"

    Në vendlindjen e kampionit të botës Erkand Qerimaj

    Atmosfera në qytetin e Shkodrës ka qenë vërtet entuziaste pas mësimit të lajmit se biri i këtij qyteti ishte shpallur kampion bote. Lajmi i mbërritur pasditen e së martës ka qarkulluar shumë shpejt nëpër të gjitha ambientet e këtij qyteti, në lokale, shtëpi e kudo tjetër. Të gjithë krenoheshin me Erkand Qerimajn, djalin 18- vjeçar të Shkodrës, që arriti suksesin më të madh në historinë e sportit shqiptar.

    Klubi dhe bashkia, gati pritjen për kampionin

    Në ambientet e klubit "Vllaznia" dje ka pasur shumë gjallëri. Të gjithë drejtuesit, por edhe punonjësit e tij, janë ndier shumë të gëzuar me suksesin e sportistit të këtij klubi. Njëkohësisht ata kanë marrë edhe shumë mesazhe urimi nga të gjithë qytetarët. Ndërkohë instancat drejtuese të sportit në bashki, por kryesisht në klubin shumësportësh "Vllaznia" kanë filluar menjëherë përgatitjet për pritjen e "heroit" të tyre. Kështu u pëlqente ta quanin Erkandin, që në botërorin e Kinës ka arritur një rezultat shumë të lartë sportiv. Për rrjedhojë, bashkia dhe klubi "Vllaznia" kanë menduar zhvillimin e një manifestimi shumë të bukur në qendër të qytetit me rastin e kthimit në qytetin e tij të kampionit të botës. "Është një sukses shumë i madh për sportin shqiptar, por edhe për klubin "Vllaznia". Ky është suksesi më i madh që ka arritur një sportist shqiptar dhe për rrjedhojë në bashkëpunim edhe me Bashkinë Shkodër po marrim të gjitha masat për t'i bërë pritjen e duhur këtij kampioni të botës. Kështu është menduar dhe planifikuar që pritja për Erkandin dhe trajnerin e tij Genc Barkiçi të bëhet ditën e shtunë, në orën 10.00 të paradrekes, në sheshin qendror të qytetit me anë të një manifestimi të madh, ku shpresojmë të jenë të pranishëm të gjithë qytetarët shkodranë, të cilët e kanë pritur më së miri këtë lajm," ka thënë drejtori i klubit "Vllaznia", Gëzim Mema.

    Prindërit: Zemra gati sa s'na plasi

    Emocionet më të mëdha natyrisht që i kanë pasur dy prindërit e Erkandit, babai Mehdija dhe nëna Fatbardha. Në veçanti i ati ka qenë në tension të madh në momentet kur djali i tij po konkurronte në botërorin e Kinës. Kontaktet telefonike me presidentin e federatës, Esat Ademi, kanë qenë të shpeshta, çdo 10 minuta gjatë garës së Erkandit. "Kam qenë në tension të madh. Nuk më zinte vendi. Hyja në shtëpi, dilja jashtë, por nuk kisha rehati kurrkund. Jam lidhur disa herë në telefon me presidentin Ademi dhe kam qenë gjithnjë në korent të konkurrimit të djalit. Kur kam marrë vesh suksesin, sa nuk më ka lënë zemra. Ka qenë gëzimi më i madh i jetës sime. Në të vërtetë, unë e kam pritur këtë rezultat. E kam ndjekur në stërvitje dhe kisha besim se do të hynte në zonën e medaljeve. Por të them të drejtën, nuk ua kisha besën kinezëve. Botërori zhvillohej në vendin e tyre dhe nuk kishim shumë dijeni se çfarë sportistësh do të merrnin pjesë. Megjithatë, ankthi mori fund tashmë dhe duhet t'i gëzohemi këtij suksesi," ka thënë Medi Qerimaj. Të njëjtat emocione ka provuar edhe Bardha, bashkëshortja e tij, e cila me trup ishte në Shkodër, por me mendje në Kinë. Me të marrë vesh lajmin, telefonatat në adresë të familjes Qerimaj kanë qenë të shumta. "Më kanë mbaruar tri bateri telefoni nga telefonatat e shumta që kam pasur. Sot ndërkohë e kam ndier veten më i qetë, jo si babai i kampionit të botës, por si shkodran. Jam ndier krenar që djali im bëri diçka të mirë për këtë qytet dhe këtë e justifikojnë urimet e shumta që kam marrë," thotë në përfundim babai i Erkandit.
    My silence doesn't mean I am gone!

  4. #4
    Shife icik ket..timin Maska e miko
    Anëtarësuar
    05-04-2003
    Vendndodhja
    Në botën e çudirave
    Postime
    755
    Kampioni i botës për të rinj në Peshëngritje ka mbërritur dje në qytetin e tij të lindjes


    Erkand Qerimaj pritet si hero në Shkodër


    Ka qenë tepër e veçantë pritja që i është bërë në Shkodër kampionit të botës në peshëngritje Erkand Qerimaj. Madje pritja e bërë nga bashkëqytetarët e tij ka nisur që mbrëmjen e së premtes vonë, kur megjithëse avioni me shtangistët ka zbitur pas mesnate në Rinas, një karvan i gjatë makinash kishin mbërritur aty për të pritur nderin e sportit shqiptar. Ndërkohë, dje paradreke, shkodranët i kanë organizuar një tjetër pritje të shkëlqyer këtij kampioni. Rreth orës 10.00, në sheshin qendror të qytetit, kishin dalë për ta pritur kampionin e botës një numër i madh qytetarësh shkodranë.

    Erkandi Qerimaj ka mbërritur në shesh në krye të një vargu të gjatë makinash, që ishin skuqur nga flamujt kuqezi dhe parullat të ndryshme. Kishin dalë për ta pritur edhe prefekti i Shkodrës, Gjovalin Kolombi, kryetari i Këshillit të Qarkut, Lorenc Luka, kryetari i Bashkisë Shkodër, Artan Haxhi, deputeti Gilman Bakalli. Nga Tirana kishte ardhur edhe sekretari i Federatës së Peshëngritjes, Ilir Kraja, ndërkohë që ka munguar për arsye shëndetësore presidenti i saj, Esat Ademi.

    Ceremonia ka nisur me ekzekutimin e himnit kombëtar nga banda e qytetit e më pas kanë përshëndetur të gjithë me radhë. Ai që ka marrë fjalën i pari ka qenë vetë Erkand Qerimaj, i cili u është drejtuar bashkëqytetarëve të tij me fjalët: "Nëse e kam arritur këtë sukses, ta dini që një pjesë të konsiderueshme të meritave i keni edhe ju, që më keni mbështetur gjithmonë, më keni qëndruar afër dhe më keni inkurajuar vazhdimisht". Më pas kanë folur me radhë të gjithë, teksa pushtetarët lokalë të Shkodrës, ndoshta të gjendur ngushtë nga pamundësitë financiare për të shpërblyer një sukses të tillë, janë mjaftuar me fjalët: "Erkand, ne e dimë që nuk mund të ta shpërblejmë kurrë këtë që bëre për Shkodrën, por gjithsesi jemi krenarë që të kemi pjesë të këtij qyteti." Por shprehja më e bukur ka qenë ajo e një të moshuari shkodran, që pasi është shkëputur nga turma e njerëzve, i është afruar tribunës ku ndodhej kampioni i botës dhe pasi e ka puthur në të dy faqet, i ka thënë: "Hallall qumështin e nanës, more djalë!" Më pas, festa ka vazhduar edhe me pritjen që është organizuar në Bashkinë Shkodër, ku është shtruar edhe një koktej, teksa ato që nuk dominuar kanë qenë shkrepjet e shumta të aparatëve fotografikë.

    Të gjithë kanë dashur të kenë një fotografi me kampionin e botës, për t'u krenuar nesër me të. Por ndërkohë gazetarët e shumtë kanë dashur t'i marrin edhe dy fjalë djaloshit që çuditi botën, megjithëse ende nuk i ka mbushur të 18 tat. Ajo që ka rënë në sy dhe është pikasur nga të gjithë ka qenë pikërisht përgjigjja e pyetjes së një gazetari që iu drejtua Qerimajt se cilat ishin objektivat për të ardhmen. Ai iu përgjigj shkurt dhe qartë: "Nuk e di se farë duhet pretenduar më për të ardhmen. Titulli kampion i botës është më i larti dhe këtë e arrita. Tashmë mbetet të shohim se çfarë do të bëjë shteti për të na e shpërblyer këtë punë, për të na nxitur për suksese të tjera." Logjikisht kjo kërkesë e tij është më shumë se e drejtë, sepse tashmë është fjala e zyrtarëve të lartë të shtetit për të vendosur se çfarë do të bëjnë për të shpërblyer sukseset e fundit të shtangistëve tanë në botërorin e Kinës.



    Marre nga www.sportishqiptar.com.al


    Urime Erkandit per kete sukses,te paimagjinuar.Urime dhe Gertit per medaljen e tij.Ky eshte brezi i ri i peshengritjes shqiptare.Flm cuna
    .........................

  5. #5
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    03-05-2007
    Postime
    4
    erkando je i madh

  6. #6
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,956
    Erkand Qerimaj në Olimp, kampion bote në shtytje

    Shqiptari shpallet nënkampion edhe në dygarësh për të rinjtë

    Erkand Qerimaj ka konfirmuar edhe një herë se është një prej shtangistëve më premtues, duke marrë dy medalje në Kampionatin Botëror për të Rinj që po zhvillohet në Pragë të Republikës Çeke. Pas medaljes së bronztë të Gerti Trashës, ka ardhur një tjetër sukses, këtë radhë më i rëndësishëm, pasi Qerimaj ka siguruar medaljen e artë në shtytje dhe të argjendtën në dygarësh. Shtangisti shqiptar nuk ka arritur të marrë medalje në stilin e shkëputjes, pasi e ka përfunduar këtë garë në vendin e shtatë. Por, ai ka arritur të rekuperojë gjithçka më vonë, duke barazuar edhe rekordin e tij personal.

    Në garën e djeshme kanë marrë pjesë 32 peshëngritës, ku Qerimaj si zakonisht ishte regjistruar në baterinë A. Gara e parë ka qenë ajo e shkëputjes, ku shkodrani ka realizuar ngritjen e peshës 147 kilogramë. Ndonëse kjo cilësohet një provë e mirë e tij, kundërshtarët janë treguar më të saktë në ngritjet e tyre dhe kanë arritur ta kalojnë. Në vendin e parë në këtë stil është renditur bjellorusi Siarhei Lahun, i cili ka ngritur 155 kilogramë, plot 8 më shumë se Qerimaj, duke e vështirësuar shumë rrugën e shtangistit shqiptar drejt medaljeve. Kinezi Zhang dhe rusi Ushakov kanë ngritur nga 150 kilogramë në shkëputje, duke treguar rivalitetin e ndezur në këtë garë. Qerimaj është renditur i 7-i në shkëputje, i cili nuk është stili i tij i preferuar, pasi vetë rekordi i tij personal është 8 kilogramë më shumë se prova e realizuar dje.

    Por, surprizat janë rezervuar për stilin e shtytjes, ku ai ka dhuruar gjithmonë rezultate të larta. Këtë radhë, Qerimaj ka treguar të gjithë talentin e tij, duke realizuar peshën 191 kilogramë, që do të thotë barazim i rekordit të tij personal. Kjo provë i ka dhënë atij mundësinë të fitojë medaljen e artë në këtë stil, pasi kundërshtarët e tij e kanë pasur të pamundur të realizojnë një provë të tillë. I dyti është renditur bjellorusi Lahun, me 189 kilogramë, ndërsa kinezi Zhong ka realizuar ngritjen e peshës 185 kilogramë.

    Me një rezultat të tillë, Qerimaj ka arritur të sigurojë jo vetëm një medalje të artë në stilin e shtytjes, por edhe një tjetër medalje në dygarësh, atë të argjendtën. Në vendin e parë në dygarësh është renditur bjellorusi Lahun, në peshën 344 kilogramë në total. Qerimaj ka zënë vendin e dytë me 6 kilogramë më pak, 338 kg, ndërsa në vendin e tretë është renditur kinezi Zhong me 335 kg. Pasi është shpallur Kampion Bote për të rinj, objektivi i radhës i Qerimajt duket se është vetëm realizimi i normave kualifikuese për Lojërat Olimpike që zhvillohen vitin e ardhshëm në Pekin. Me formën që ka treguar gjatë garave të fundit, drejtuesit e Federatës së Peshëngritjes janë të sigurt se ky objektiv do të realizohet dhe se Qerimaj do të marrë pjesë nëpërmjet kualifikimit direkt dhe jo falë ftesave të Federatës Ndërkombëtare. Ndërkohë, në pedanën e Botërorit të të rinjve, sot do të ngjitet Endri Karina, ndërsa në ditën e fundit të garave do të jetë Taulant Çerepi, i cili do të garojë për ngjyrat e Shqipërisë.

    GAZETA SHQIP
    My silence doesn't mean I am gone!

  7. #7
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    07-05-2007
    Postime
    290
    Per hir te se vertetes, Pirro Dhima ka qene nenkampion bote me te rinjte (perfaqesonte Shqiperine atehere), po pastaj tradhetoi kombin e vet dhe i shiti shpirtin dhrahmive.

  8. #8
    satyr Maska e Gunnar
    Anëtarësuar
    23-06-2005
    Vendndodhja
    Tirane
    Postime
    490
    urime erkandit, mgths nuk e mora vesh ci ndodhi ne kampionatin (boteror me duket) qe ishte ne Strasburg para pak muajsh. Edhe ketu pritej shume prej tij.
    To look life in the face....

  9. #9
    At'qivia Maska e Flori
    Anëtarësuar
    12-03-2004
    Vendndodhja
    Tiranë, Albania
    Postime
    2,551

    Prekja e botës, nga “rasti Kasaj” te “rasti Qerimaj”

    1.

    Po mendojshe: sikur Erkand Qerimaj të ishte shpallë Kampion i Botës, jo më 2007-ën, por në vitin oruellian 1984, çfarë do të kishte ndodhur?


    Erkand Qerimaj
    Do ta kishte pritur në aeroport sekretari apo inspektori i peshëngritjes në Komitetin e BFSSH-së, i shoqëruar nga shefi i sektorit të jashtëm të Ministrisë përkatëse ose i BFSSH-së. Kryetari i BFSSH-së nuk do të kishte dalë, sepse si një autoritet partiak që ishte, e quante veten tepër të madh për të shkuar për këtë ngjarje deri në Rinas. Mandej, Erkandi i vitit 1984 do të kishte mbërritur te selia e BFSSH-së, e vendosur në një vilë private të pronësuar prej shtetit komunist. Aty do ta kishte pritur ai, partiaku apo ruajtësi i biografive të sportistëve, kreu i BFSSH-së. Erkandin, kryetari do ta kishte përgëzuar për arritjen e madhe, për nderimin që i ka bërë sportit socialist shqiptar, për të cilin partia dhe qeveria tregon një kujdes të veçantë, e për këtë flet vetë rezultati i Erkand Qerimajt, i cil, falë kushteve të mrekullueshme që ka krijuar Partia, ka arritur të triumfojë deri te titulli i Kampionit të Botës. Duke qenë se do të ishte vitit i 40-vjetorit të Çlirimit të Atdheut dhe të triumfit të revolucionit popullor, ndoshta të nesërmen Erkandin e vitit 1984 mund ta priste edhe zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave që mbulonte arsimin, kulturën dhe sportin, i cili pak a shumë do të përsëriste po ato fjalë të kryetarit të BFSSH-së, por më me pompozitet dhe autoritet. Ndërkaq, shtypi do të kishte botuar një reportazh-intervistë me protagonistin, duke theksuar se ky sukses flet për kujdesin e vazhdueshëm të Partisë dhe të qeverisë për zhvillimin e kulturës fizike e të sporteve.

    Kaq, pak a shumë. Erkandi i vitit 1984 nuk do të ishte shpërblyer, por do ta kishte për nder që kishte gëzuar popullin, Partinë, Atdheun, klubin e tij për suksesin e arritur pikërisht në vitin e 40-vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Më mbas, ai do të kishte fituar anketën e 10 sportistëve më të mirë të vitit dhe meqë ishte viti i 40-vjetorit të çlirimit, mund të kishte marrë edhe medaljen “Naim Frashëri”, përveç titullit të menjëhershëm “Mjeshtër i Merituar i Sporteve të RPSSH”.

    Kështu “të nderonte” regjimi.

    Sot nuk është regjimi, është diçka tjetër.

    2.

    Kur Erkand Qerimaj u kthye nga Praga me titullin e tij të dytë të Kampionit të Botës për të Rinjtë, në Rinas pa asnjë urdhër, por vetvetiu, kanë dalë për ta pritur një numër tifozësh me flamurë kombëtarë dhe me thirrje të forta që prishën qetësinë e mesnatës së banorëve të vendbanimit përreth. Kuptohet që kanë dalë edhe krerët e Federatës Shqiptare të Pëshëngritjes dhe të ministrisë. Dy ditë më vonë, Erkandi është pritur prej kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, të qytetit të tij të lindjes dhe të formimit të tij si sportist, zotni Luka, në praninë e presidentit të FSHP-së, zotni Ademit. Çka, nuk mendoj se mbetet me kaq, sepse Erkand Qerimaj është i vetmi Kampion i Botës në fuqi i Shqipërisë së sotme. Erkandin nuk e kanë pritur krerë të qeverisë apo të shtetit dhe në demokraci kjo duket normale, sepse shteti demokratik, nuk i ka qëllim politik më vete titujt sportivë; i ka qëllim dhe synim kombëtar. Më fort se pritjet ceremoniale, në demokraci merr përparësi dhe rëndësi shpërblimi monetar, natyrisht së bashku edhe me atë nderues moral po e po, por më fort përkujdesja, nxitja për më tej, kushtet, vlerësimi më universal.

    Megjithatë, nuk mendoj se mjedisi sportiv shqiptar e priti si diçka të rrallë titullin e dytë të Erkandit. A thua se Shqipëria ka përherë kampionë të botës, duke harruar se deri më sot ne kemi vetëm një kampion të botës në shekull: Ymer Pampurin dhe vetëm edhe një tjetër dy herë në dy vjet, Erkand Qerimajn.

    Duke harruar se, vetvetiu titulli botëror i 19-vjeçarit tonë është sensacional.

    Është sensacional, sepse Qerimaj është Kampion i Botës i njërit prej vendeve me nivelin e jetesës ndër më të ulëtit në Evropë; është Kampion i Botës i një vendi, i cili përjashto sportin e peshëshëgritjes, përjeton një krizë sportive, që e pakta prej nja 15-vjetësh, nuk ia arrin ta kapërcejë; është sensacional, sepse arrihet për herë të dytë brenda dy vjetësh po prej të njëjtit sportist. Dhe më së fundi, është sensacional, sepse arrihet vetëm mbas pak javëve kur një sportisteje tjetër të rangut evropian të peshëngritjes shqiptare, Fetije Kasajt, i zbulohet përdorimi i lëndëve që nxisin artificialisht rezulatin dhe shkatërrojnë shëndetin.

    E pra, a mos qe ky shkaku që titulli i lartë i Erkand Qerimaj, gati-gati kaloi si në një lloj heshtjeje? Ose për të qenë më të saktë: kaloi shumë shpejt, si në rastin e një meteori që sapo ndriçon shuhet? Në një kohë që, në këtë rast kemi të bëjmë me një lloj meteori i cili vazhdon të ndriçojë pa ndalesë.

    Mirëpo, a ka vërtet lidhje midis “rastit Kasaj” dhe “rastit Qerimaj”? A varen ata nga njëri-tjetri? A vërtet zhurma që u bë në Shqipëri për “rastin Kasaj” tejet e pamëshirshme dhe e zhbarazpeshuar (ndoshta vetëm kështu Shqipëria sportive do të hidhet në një luftë të ashpër kundër dopingut), mund të zvogëlojë përmasat e botërore të titullit të dytë të Qerimajt? Dhe mu për këtë shkak të “rastit Kasaj”, të mbërrijmë deri aty sa të pritet gati si me ftohtësi titulli i dytë i Erkand Qerimajt?...

    Nëse ndodh kështu, nuk kemi kuptuar asgjë nga bota e sotme e sportit.

    3.

    Këto ditë, mbas gati 16 vjetësh, kam takuar një kampion të madh të botës, rekordmen botëror dhe nënkampion olimpik të pëshëngritjes me emrin Luan Shabani. Nuk më njohu. Kur i thashë emrin, më nderoi fort. I kujtova shpejt e shpejt fillimet e tij, qysh fëmijë, 14 vjeç djalë, kur së bashku me Pirro Dhimën përmes fotos emblematike të pashlyeshme të Besnik Vrapit, kishim mbushur faqen e “Sportit popullor”, duke i cilësuar si kampionë të mëdhenj të ardhshëm. Nuk ishin më shumë se 14-15-vjeçarë. Profecia jonë u realizua. Luan Shabani dhe Pirro Dhima u bënë Kampionë të Botës dhe Kampionë të Olimpiadës, heronj të këtij sporti kreshnikësh. Dy vjet më parë, Luani pati dramën e tij të Olimpiadës, mu për shkak të lëndëve nxitëse të padëshirueshme. Por, shpejt ai u kthye përsëri para boshtit olimpik dhe mori pjesë në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes 2006, një pjesëmarrje sensacionale, pavarësisht nga vendi i 11-të që zuri në peshën 60 kg, sepse ky ishte rikthimi i tij që kapërceu dënimin për doping.

    Jeta vazhdon. Me ato ligje vazhdon dhe jeta sportive, qoftë dhe në luftën kundër dopingut. Kësisoji edhe për rastin tonë “Kasaj”, që gjithashtu do të kalojë dhe me siguri Fetija do të kthehet po ashtu para boshtit olimpik. Nuk ka gabim që nuk ndreqet. E pra, asesi nuk mund të ndodhë që fitorja sensacionale e Erkand Qerimajt të kalojë kaq në qetësi, në heshtje, disi meteorike. Kështu do të thotë se nuk arrijmë të kuptojmë se çka ka ndodhur. Ka ndodhur që falë një djaloshi të një talenti të rrallë, me emrin Erkand Qerimaj, Shqipëria diku është e para në botë. Jo e para në Tiranë, as në Shqipëri, as buzë Adriatikut, as në Ballkan apo në Evropë, por në rruzull, në botë. Pyes përsëri: na thoni ku tjetër Shqipëria është e para në botë? Ku tjetër Shqipëria ka prekë botën?

    4.

    Deri më sot, Shqipëria e ka prekur vetëm tri herë botën: me Ymer Pampurin më 1972-shin dhe me Erkand Qerimajn më 2006-ën dhe më 2007-ën.

    Fatkeqësia jonë është se prekjen e parë të botës, atë të Ymer Pampurit, siç e kemi treguar me kohë dhe që i përket Olimpiadës së Mynihut, ditës së 29 gushtit 1972, ditë që në historinë e Olimpiadës ka hyrë si dita e vetme që një shqiptar thyen për herë të parë në histori një rekord olimpik, e kemi zbuluar vetëm më 2001-shin, madje e ka zbuluar studiuesi italian dr. Giovanni Armillota.

    Ymer Pampuri, 27 vjeç, peshëngritës i 17 Nëntorit të Tiranës (sot SK Tirana), në të vërtetë, vetëm pak më parë se ky 29 gusht 1972 me 125 kg në stilin e forcës të peshës 60 kg, ishte shpallë Nënkampion i Evropës në Kostanca të Rumanisë zhvilluar më 13-21 maj 1972. Ai përbënte një figurë të madhe të sportit shqiptar dhe kjo thyerje e rekordit olimpik të legjendarit Yoshinobu Miyake të Japonisë - rekord i vendosur prej këtij në Olimpiadën e Tokios (1964), madje fitues i medaljes së artë edhe në Meksiko, ndonëse në Munih, vetëm i 4-ti - bëhet protagonist i nivelit botëror. Një kontuzion muskular e pengon të shkëlqejë në stilet e tjerë, po edhe me kaq ai mbetet i papërsëritshëm.

    Pampuri është një pionier legjendar i asaj që do të mbërrijë më vonë peshëngritja shqiptare: e treta në Kampionatin Evropian të Aalborgut në Danimarkë më 13-20 maj 1990 para Bashkimit Sovjetik dhe Bullgarisë. Ishte kampionati i fundit, ku Pirro Dhima i Shqipërisë arrin pesë rekorde kombëtare dhe dy vjet më vonë, në Barcelonë, tash nën ngjyrat e Greqisë, ai bëhet kampioni i parë olimpik me kombësi shqiptare, duke vazhduar edhe me dy tituj të tjerë. Për të mbërritur te Luan Shabani - Kampion i Botës e Nënkampion Olimpik, e deri te Agim Xhelili - Nënkampion i Botës. Për fat, që të gjithë shqiptarë përfaqësues të Greqisë.

    Gara e 29 gushtit 1972 - një duel spektakolar midis Nurikian të Bullgarisë dhe Shanidze të Bashkimit Sovjetik për medaljen e artë, ka ndërmes atë verë të 72-shit Ymer Pammurin, të cilit i bëhet ceremonia dhe i jepet medalja. Këtu është ngatërruar gjithçka, ngatërrim që për ne mbeti nëntokë për tri dekada. Kanë megjithatë, pak radhë që kanë kaluar kot së koti, kur sot vërejmë se brenda tyre ka qenë e gjithë e vërteta. Kur kthehet nga Mynihu, Ymer Pampuri deklaron në gazetë, fjalë për fjalë kështu:

    "Në ceremoninë e mbylljes m'u dha medalja e rekordmenit olimpik dhe e Kampionit Olimpik për stilin e forcës". Siç e kemi thënë prej kohësh, Pampuri ka dashtë të thotë pikërisht "medalja e Kampionit të Botës", sepse dihet që kampioni olimpik ishte vetëm një: bullgari Norair Nurikian me 402.5 kg në tregarësh (forcë+shkëputje+shtytje) dhe asnjë tjetër, pra as Pampuri ynë edhe pse theu rekordin olimpik. Dhe ka thënë "medalja e Kampionit Olimpik", çka nuk ishte aspak e vërtetë. Ajo ka qenë pagabueshëm medalja e Kampionit të Botës, të cilën Pampuri e ngatërron duke thënë gabimisht "medalja e Kampionit Olimpik". Kur dihet se ai është renditur i 9-ti në tregarësh me shifrat 342.5 kiligramë, duke thyer rekordin kombëtar me 15 kilogramë më tepër, një rast i paprecedent në historinë e peshëngritjes sonë.

    Punë e kryer! E kryer me vonesë 29-vjeçare. Sot e kësaj dite, Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes (IWF), shkruan pa e luajtur nga vendi se: "Lojërat olimpike të viteve 1964, 1968, 1972, 1976, 1980, 1984 llogariten edhe si Kampionate Botërore". Dhe, në arkivin e saj i ka vënë Shqipërisë një medalje të artë të Kampioni të Botës.

    Kjo është prekja shqiptare e botës, ajo shekullore e vetme e Ymer Pampurit.

    5.

    Tash është Erkand Qerimaj. Ndonëse në thelb, Ymer Pampuri ende nuk është arritur, sepse ai është Kampion i Botës me të rriturit, ndërsa Qerimaj me të Rinjtë. Ose për ta thënë më qartë: sot Qerimaj është, si thuash, një kampion i drejtpërdrejt i botës: Pragë 2007.

    Dhe, mbi të gjitha, ai është një përsëritës, që do të thotë dy herë Kampion i Botës brenda dy vjetëve dhe

    përmes një evolucioni apo operacioni teknik jo aq të lehtë. Vitin e shkuar, në Kampionatin Botëror të Hanxhout të Kinës, Qerimaj ishte po ashtu si sot: kampion i botës në shtytje me 175 kg dhe nënkampion i botës në dygarësh me 311 kg. I peshës 69 kg. Sivjet ai e përsërit suksesin në një peshë më lart, në atë 77 kg, çka nënkupton një shndërrim fizik tejet delikat. Shifrat që shpërthejnë: 191 kg në shtytje - kampion i botës. 338 kg në dygarësh - nënkampion i botës. (Për fat, i teti në shkëputje me vetëm 147 kg). Shtatë kg. rritje e peshës trupore të Erkandit i kanë dhënë në Pragë 16 kg më tepër në rezultatin e shtytjes, 11 kg më tepër në shkëputje, ndonëse i teti dhe plot 27 kg më tepër në dy garësh. Kemi të bëjmë me një sportist fenomenal, i cili ndoshta gradualisht apo dhe shumë shpejt mund t’i afrohet peshës së famshme të 85 kilogramëve, më klasikja, më elegantja, më universalja e peshëngritjes, pesha e Pirro Dhimës - tre herë rresht Kampion Olimpik.

    Nuk mund ta marrim me mend sot se si do të jetë ky kampion i ardhshëm, i cili mbërrin nga Shkodra. Nuk mund të bëjmë parashikime. Nuk jemi në gjendje të bëjmë parashikime. Këto, në rastin konkret, mund t’i bëjë Federata Shqiptare e Peshëngritjes. Po më fort mund t’i bëjë sektori teknik i FSHP-së, në këtë rast trajneri i Erkand Qerimajt, Genc Barkiçi. Por, mund t’i bëjë së bashku me të mësipërmit, shkenca shqiptare e peshëngritjes, nëse vërtet kemi një shkencë të tillë. (E nëse ende nuk e kemi, jemi të detyruar ta themelojmë sa më shpejt që të jetë e mundur).

    E rëndësishme është ndërkaq se, në Kampionatin Botëror Pragë 2007, përveç Qerimajt, pati dhe një medalje bronzi nga Gerti Trasha në peshën 69 kg, stili i shkëputjes me 143 kg. Pamja e pjesëmarrjes tejet racionale të Shqipërisë në Pragë 2007 është kjo e mëposhtmja:

    69 kg

    1. ZHENG Zhisheng CHN 145 180 325

    2. TANG Fei CHN 143 181 324

    3. MIRZOYAN Arayik ARM 143 170 313

    4. TRASHA Gerti ALB 143 (III) 166 (IV) 309

    77 kg

    1. LAHUN Siarhei BLR 155 189 344

    2. QERIMAJ Erkand ALB 147 (VIII) 191 (I) 338

    3. ZHANG Shichong CHN 150 185 335

    85 kg

    1. IVANOV Alexandr RUS 163 196 359

    2. CIRICU Anatol MDA 157 196 353

    …………………………………………………………………..

    6. CEREPI Taulant ALB 150 (V) 181 (VI) 331 (VI)

    94 kg

    1. IVANOV Artem UKR 93.17 164 199 363

    2. RUSSYANOVSKIY Roman KAZ 93.38 163 197 360

    ……………………………………………………………………

    ---KARINA Endri ALB 93.01 153 (IX) --- ---

    Dy medaljet e Pragë 2007-ës e çojnë në 9 numrin e medaljeve të Erkand Qerimajt: Kampion i Evropës për NEN 17 më 2002, nënkampion i Evropës për të Rinjtë më 2005, Kampion i Botës për të Rinjtë më 2006, Kampion i Botës për të Rinjtë më 2007-ën. Synimi dihet se cili është: Pekin 2008: olimpiada. Edhe Qerimaj, ashtu si dhe kampioni tjetër i botës, bjellorusi Lahun, la mbrapa një peshëngritës nga Kina, e cila siç dëgjova prej presidentit Ademi ka dy milionë e gjysëm peshëngritësa. Prekja e botës prej Shqipërisë së vogël është vërtet e habitshme.

    6.

    Erkand Qerimaj vjen 35 vjet mbas Ymer Pampurit. Ende jo me të rriturit., por është një Kampion i Botës në fuqi, jo i arkivit të historisë. Dhe kjo është dy herë rresht. Dhe vjen vetëm pak javë mbas zhurmës së dopingut të Fetije Kasajt. Sa tronditës që është rasti i saj për të keq, po kaq tronditës është rasti i Qerimajt për të mirë. Dhe, nëse rasti i parë jep alarmin për ndërtimin modern dhe shkencor të kontrollit antidoping qysh këtu në Shqipëri (e kësisoji, shteti mund të luajë rolin më të rëndësishëm të tij), rasti i dytë, ai i Qerimajt, na thotë se peshëngritja - sporti më me rezultate i Shqipërisë së sotme - tashmâ ka hyrë në rrugën e pakthyeshme botërore dhe olimpike. Nuk besojmë se mund të ndalet.

    Historia më e fundit të kujton se me fillimin e viteve 2000, peshëngritja shqiptare ka treguar përpjekje tejet serioze për ta prekur botën në këtë sport. Rasti unik i përket Ilir Sulit, i vetmi shqiptar Nënkampion i Botës me të rriturit: në 85 kg të stilit të shkëputjes më 2002. Mandej gjithçka me të rinjtë: Fetije Kasaj Nënkampione e Botës për të Rejat (2005), Gerti Trasha - Nënkampion i Botës për të Rinjtë më 2006 dhe më e madhja: Erkand Qerimaj dy herë Kampion i Botës më 2006-ën dhe 2007-ën.

    Në tanësi, shihet se Shqipëria ka zgjatur duart për ta prekur botën në sportin e peshëngritjes të viteve ‘2000. Madje e ka prekur. I duhet të mos i shkëputet kësaj prekjeje. Tejet e vështirë.

    Sidoqoftë, tash për tash shpirtërisht le t’i gëzohemi faktit se Shqipëria është diku e para në botë. Është në sportin e peshëngritjes, në disiplinën e saj të 77 kilogramëve, në stilin e saj që quhet i shtytjes, falë një 19-vjeçari nga Shkodra - i vetmi qytet shqiptar që diku ndihet Kampion i Botës - me emrin Erkand Qerimaj.

    Dhe, vetëm në periudhën kohore 2005-2007 Shqipëria ka fituar 8 medalje të Kampionatit Botëror për të Rinj, 2 prej të cilave ari.

    Nuk dijmë nëse ia arrijmë të kuptojmë se çka do të thotë e gjitha kjo…
    Femra ne Sex:
    Akmerikanka: o yes o yes
    Gjermanja: ja gut ja gut
    Shqiptarja: "mos i trego kerkujt"

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,345
    Postimet në Bllog
    17

    Peshëngritje, shqiptari Erkand Qerimaj kampion i Europës

    Peshëngritje, shqiptari Erkand Qerimaj kampion i Europës


    ANTALIA- Erkand Qerimaj është shpallur kampion i Evropës në peshëngritje për meshkuj, në një rezultat historik për sportin shqiptar. Shtangisti shkodran ka triumfuar përballë rumunit Martin Razvan, duke ngritur 348 kilogramë në dy garësh dhe duke marrë medaljen e artë. Qerimaj ka bërë një garim fantastik, duke ngritur 158 kilogramë në stilin e shkëputjes, ku zuri vetëm vendin e dytë.

    Por, në shtytje ai bëri diferencën, duke ngritur 190 kilogramë dhe duke zënë vendin e parë, që më pas i dha edhe medaljen e artë. Në dy garësh, peshëngritësi i kombëtares ishte i paarritshëm, duke u shpallur kampion Evrope për herë të parë në karrierën e tij. Erkandi numëron shumë medalje, por një pjesë e madhe e tyre janë marrë kur garonte për të rinjtë apo edhe në një stil, ndërkohë që këtë herë bëhet fjalë për një trofe të marrë në kompeticionin më të rëndësishëm të kontinentit. Medalja e Qerimajt pason atë të argjendit të marrë nga Romela Begaj një ditë më parë, ç’ka e bën pjesëmarrjen në Europian të ekipit shqiptar si shumë të suksesshme.

    (el.me/A.Latifi/BalkanWeb)
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  11. #11
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    30-08-2006
    Vendndodhja
    askund
    Postime
    9,007
    krenar per kete djal.hallall i qofte
    duhet kthy syte me shume nga peshngritja qe te marrim dhe ndonje rez surpriz ne olimpiad ku i dihet
    JO SEKS PARA MARTESE

  12. #12
    i/e regjistruar Maska e puroshkodran
    Anëtarësuar
    07-02-2008
    Postime
    3,635
    i lumte
    na nderon gjithmone

  13. #13
    Ekuiliber shpirteror Maska e ARKIA
    Anëtarësuar
    29-07-2006
    Postime
    1,068
    Hallall ia befte Zoti!
    Gezuar!
    Uji: H2O
    Rakia: H2 OOOOO HO HOOOO

  14. #14
    i/e regjistruar Maska e Pa_doreza2
    Anëtarësuar
    02-11-2009
    Postime
    1,658
    I ka nderu te gjithe shqiptaret, jemi te lumtur qe kemi djem si ky
    S’çarmatosem sa t’jetë jeta!

  15. #15
    Bravo i qofte. Ishalla se harrojne e i japin ndonje shperblim e mbeshtetje me vone. Ishalla dhe nje medalje ne Lojrat Olimpike

  16. #16
    Peace and love
    Anëtarësuar
    16-06-2006
    Vendndodhja
    usa
    Postime
    1,897
    Tani po me kujtohet ajo shprehja, " po ke shkodran, te tana i ban". Hallall Qerimajt qe nderoi Shqiperine dhe gjithe shqiptaret.Shpresojme shume qe te dali edhe kampion olimpik.

  17. #17

  18. #18
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    22-08-2011
    Vendndodhja
    Among virtual idiots
    Postime
    326
    urime Erkandit. poshte dukagjinsit

  19. #19
    I love god
    Anëtarësuar
    23-02-2007
    Postime
    8,043
    Erkand Qerimaj del pozitiv në analizat e dopingut.


    Erkand Qerimaj rrezikon të humbasë titullin kampion i Europës në peshëngritje për peshën 77 kilogram. Qerimaj ka rezultuar pozitiv ndaj testit që të bërë nga Agjencia Botërore e antidopingut gjatë Evropianit në Turqi.

    Letra e analizave mban datën 4 maj dhe rezulton se Qerimaj ka përdorur substancën e ndaluar Methyl Hexanamine. Ndërkohë që Kampioni i Europës e ka apeluar Analizën A dhe është në pritje të përgjigjes së Analizës B që do të jetë përfundimtarja nëse ka përdorur ose jo lëndën e ndaluar në peshëngritje prej 2011-s.
    (e.m/NEWS24/BalkanWeb)

  20. #20
    Ishalla nuk i heqin medaljet dhe titujt qe ka mare gjate gjithe karrieres.
    ”Ti, Shqipëri, Më Jep Nder, Më Jep Emrin Shqiptar”

Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Rregullorja e Forumit Shqiptar
    Nga Albo në forumin Portali i forumit
    Përgjigje: 83
    Postimi i Fundit: 28-09-2021, 01:20
  2. Ç'mendim keni për nacionalizmin shqiptar?
    Nga Anton në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 45
    Postimi i Fundit: 25-09-2012, 16:09
  3. Partia Islamike Shqiptare
    Nga Hyllien në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 104
    Postimi i Fundit: 27-03-2004, 12:23
  4. Me Titizmin kunder Enverizmit
    Nga Albanino në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 08-09-2002, 19:06

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •