Ministri Social italian, Paolo Ferrero, kritikë ligjit të mëparshëm të 2002, Bossi-Fini
Itali, amnisti për emigrantët
Sondazhet, 2/3 e popullsisë pro legalizimit të emigrantëve në punë
Ministri italian i ngarkuar me çështjen e emigrimit në vendin e tij planifikon të rikontrollojë në mënyrë të përgjithshme politikën e ashpër dhe të relaksojë kriteret e kërkuara për t’u bërë një emigrant legal në Itali.
Paolo Ferrero tha dje se ai ka ndërmend të normalizojë pozicionin e emigrantëve që tashmë ndodhen në Itali, nëse ata janë të punësuar, duke i ofruar atyre leje qëndrimi. Italia ka një numër të madh të emigrantëve ilegalë që punojnë në këtë vend, të cilët vijnë nga vendet fqinje, por edhe nga vende të largëta, si Afrika dhe zbarkojnë në jugun e saj. Ferrero u caktua në këtë pozicion nga Romano Prodi, koalicioni i të cilit fitoi zgjedhjet historike të prillit. Italia ka pasur disa amnisti për emigrantët ilegalë dhe në çdo rast numri i lejeve të qëndrimit, të cilat siguroheshin prej emigrantëve, përsëri ishte më i vogël sesa numri i aplikantëve për këto leje. Fluksi i emigrimit ishte shumë i lartë.
Dy muaj më parë, më shumë se 500 000 njerëz qëndronin në radhë për vetëm 180 000 leje qëndrimi të mundshme. Numri i aplikuesve tregon se në vendin fqinj ka shumë më tepër emigrantë ilegalë, sesa parashikojnë statistikat zyrtare. Qeveria e Prodit është zotuar se do të veprojë kundër politikës së Berluskonit dhe do t’i hedhë poshtë të gjitha ndryshimet që ish-kryeministri i koalicionit të djathtë kishte realizuar gjatë pesë viteve të qeverisjes së tij. Politika e të majtëve është krejt e kundërt me atë të koalicionit të djathtë. Në fakt, gjatë fushatës elektorale ish-kryeministri Silvio Berluskoni ishte shprehur ndër të tjera edhe kundër politikës së emigrimit. Ai nuk kërkonte një Itali shumë-kulturale dhe nuk do të pranonte më emigrantë, duke përzënë edhe ata të cilët kishin mbetur pa dokumente në vendin e tij.
Panorama
Krijoni Kontakt