Intervistë ekskluzive: Flet Astrit Haraqija, anëtar i Kryesisë i LDK-së e ministër i MKRSÇJ-së(1)
Partitë e “krahut të luftës” nuk kanë anëtarë sa ka patur LDK-ja luftëtarë të UÇK-së
Moto: Në Qeverinë e Kosovës ka qenë i vetmi ministër me vathë në vesh. Në Kryesinë e LDK-së është konsideruar si “i përkëdheluri” i dr.Ibrahim Rugovës. Nga PDK-ja dhe SHIK-u është akuzuar si pjestar i “Sigurimit të Atdheut”. Në disa media në Kosovë, së paku njëherë në javë emri i tij del në faqe të parë, natyrisht për ndonjë “skandal”. Në kabinetin e tij në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sporteve edhe më tutje mban dy posterë të mëdhenj me portretin e dr.Ibrahim Rugovës.
Me një fjalë Astrit Haraqija është ministër “kuller”, rugovistë i favorizuar, pjestar i “strukturave kriminale të parapolitikës”, halë në sy të disa mediumeve të Kosovës, fanatik i dr.Ibrahim Rugovës.
Ky është Astrit Haraqija, anëtar i Kryesisë së LDK-së dhe ministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Çështjeve Jorezidente. Më shumë se kaq, ai do ta thotë vetë në këtë intervistë ekskluzive për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Bota sot: Z.ministër. Bisedën po e fillojmë në kohën kur jeni emëruar ministër. Duke patur parasysh kritikat dhe sulmet e disa mediave ndaj jush, a jeni “pishman” që keni zgjedhë të udhëheqni ministrinë e Kulturës? Në fakt, sikur të kishit mundësi që sot të zgjidhni për postin tuaj, a do të përcaktoheshi përsëri për Ministrinë e Kulturës?
A.Haraqija: Në fillim ju falenderoj juve dhe gazetën kombëtare “Bota sot” që e keni parë të arsyeshme të zhvilloni këtë intervistë me mua. Ndërkaq sa i përket pyetjes tuaj, unë mund të them se pavarësisht prej kritikave të një pjese të mediumeve ndaj meje, unë nuk jam fare “pishman” që jam ministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sporteve. Është e vërtetë se unë e kam marrë drejtimin e kësaj ministrie në kohën me te keqe, në kohën kur buxheti i kësaj Ministrie është zvogëluar në mënyrë drastike për rreth 3 milion Euro më pak sesa në kohën e Qeverisë së kaluar. Por unë për nga natyra jam njeri që kërkon sfida dhe që i përballon këto sfida. Prandaj, edhe tash po të më jepet rasti unë përsëri do të zgjedhja që të jem ministër i Ministrisë së Kulturës...dhe jam krenar që jam ministër i kësaj ministrie.
Bota sot: A do të thotë kjo se keni qenë i parapërgaditur më herët për të drejtuar këtë ministri?
A.Haraqija: Paj, shihni në njëfarë mënrye mund të them se që në kohën kur flitej për emërimin e ministrave të Qeverisë së Kosovës dhe kur përmendej emri im si kandidat i mundshëm i një posti ministror, unë kam patur një “simpati” ndaj kësaj ministrie. Bile duke e patur parasysh moshën time relativisht të re, si 33 vjeçar unë në njëfarë mënyre e kam adhuruar këtë ministri... Unë edhe më parë jam marrë me aktivitete të ndryshme kulturore e sportive prandaj kam dashur që edhe nga pozicioni i ministrit të jap kontributin tim në kulturë, në sport dhe në rini.
Jam i nderuar që jam ministër i propozuar nga presidenti i Kosovës dhe lideri kombëtar dr.Ibrahim Rugova.
Bota sot: Ju jeni ndër politikanët e rrallë gjakovar që keni ardhë në Prishtinë. Juve ju ka propozuar presidenti Rugova për ministër, ndërkaq jeni ndër ministrat më të përfolur të Qeverisë së Kosovës. A mund të merret kjo një prej arsyeve që një pjesë e mediave iu sulmon pandërprerë juve?
A.Haraqija: Shihni, unë kam deklaruar edhe më parë dhe po e them këtë edhe për lexuesit e nderuar të gazetës tuaj. Unë jam i nderuar që jam ministër i propozuar nga presidenti i Kosovës dhe lideri kombëtar dr.Ibrahim Rugova. Unë besoj se pjesa më e madhe e popullit shqiptar të Kosovës dhe jashtë saj e dijnë se një personalitet siç ka qenë presdenti Rugova lind njëherë në 500 vjet. Me këtë rast unë do ta citoj edhe ministrin shqiptar Bujar Leskajn i cili me rastin e promovimit të kompletit të veprave të presidentit Rugova tha se kombi shqiptar i ka dy profet, Skenderbeun dhe dr.Ibrahim Rugovën.
Ndërkaq, ju përmendet edhe prejardhjen time gjakovare. Unë e di se shumëkush ka aversion ndaj Gjakovës dhe gjakovarëve, por unë jam krenar pse jam banor i qyteti të Gjakovës.
Bota sot: A mendoni se një nga arsyet për sulme ndaj jush është edhe fakti se keni qenë “i përkëdheluri” i presidentit Rugova. Madje me një rast e veja e presidentit Rugova ka deklaruar se presidenti Rugova ju ka dashur si djemtë e vet? Prej nga kjo afërsi e një gjakovari te presidenti Rugova apo prej nga kjo simpati e presidentit Rugova për një djalë me vath në vesh që vjen nga Gjakova?
A.Haraqija: Unë nuk jam ndër themeluesit e LDK-së, por në këtë parti jam tash e 13 vjet. Presidenti Ibrahim Rugova gjatë këtyre viteve e ka kuptuar seriozitetin dhe sinqeritetin e angazhimit tim në LDK. Pra, nuk ka asgjë të veçantë në relaicionin tim me presidentin Rugova, pos sinqeritetit dhe punës time pa hile dhe pa pretendime për të fituar në emër të LDK-së, siç kanë vepruar dhe veprojnë edhe sot një pjesë e të ashtuquajturve “bashkëpunëtorë” të Dr.Ibrahim Rugovës. Ai e ka vërejtur këtë sinqeritet te unë dhe kështu unë e kam fituar besimin te lideri ynë politik e shpirtëror.
Bota sot: Duke qenë një prej atyre që keni shkuar te presidenti “pa protokoll”, juve ju kanë gjelozuar edhe disa anëtarë të Kryesisë së LDK-së. A mendoni se tash pas vdekjes së presidentit Rugova, sulmet brendapartiake ndaj jush janë shtuar?
A.Haraqija: Unë i kuptoj gjelozitë e kolegëve të mi brenda LDK-së. Unë e di se për këtë kategori të “gjelozëve” brenda LDK-së nuk ka qenë lehtë që të pranojnë vendimin e presidentit Rugova që një djalë i ri, 33 vjeçar të marrë postin e një ministri. Por, më duhet të përsërist edhe njëherë se unë në LDK jam qe 13 vjet dhe këtë angazhim timin ma ka shpërblyer presidenti Rugova duke më emëruar ministër. Pra, unë nuk jam ndër ata që jam imponuar te presidenti Rugova. Unë kam punuar për presidentin Rugova dhe LDK-në pa u shtyrë me bërryla që të fotografohem pranë tij në momente të caktuara e pastaj t’ia kthej shpinën dhe të merrem me thashetheme. Më lejoni të shtoj edhe diçka. Unë kam pas nderin t’i dëgjoj dy burra të mëdhenj të Kosovës, të ndjerët Fehmi Aganin dhe Bardhyl Çaushin të cilët kanë thënë se dr.Ibrahim Rugova është i përkushtuar për çështjen kombëtare dhe se të gjithë ata që mendojnë dhe veprojnë si ai, presidenti Rugova i çmon dhe i afron afër vetit.
Dy ditë pas çlirimit kam hapur zyrën e LDK-së në Gjakovë
Bota sot: A është e vërtetë se ju jeni ndër të parët akvitistë të LDK-së që menjëherë pas përfundimit të luftës keni hapur zyrën e LDK-së në Gjakovë dhe keni ardhë në selinë e presidentit Rugova në Velani. Madje këtë ndihmë e keni afruar edhe me “kallash” në krah?
A.Haraqija: Qyteti i Gjakovës është çliruar më 14 qershor të vitit 1999. Për koinçidencë 14 qershori është edhe ditëlindja ime. Me përfundimin e luftës unë kam zhveshur uniformën e UÇK-së dhe fillimisht kam dashur të merrem vetëm me çështje private e jo me politikë. Por, menjëherë filluan shpekulime të ndryshme në adresë të presidentit Rugova, shpifje monstruzoze, kërcënime e shantazhe ndaj LDK-së etj. Pastaj duke qenë vetë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i luftës në Kosovë e dija se kush ishin luftëtarët e vërtetë, e kush ishin ata mercenarë që i kishin blerë uniformat e UÇK-së në Kukës me nga 20 marka dhe silleshin nëpër Gjakovë si “luftëtarë të UÇK-së”. Unë i njihsha këta “patriota” dhe e dija sa ata kishin qenë bashkëpunëtorë të Serbisë e jo luftëtarë të UÇK-së. Dhe çka ishte më e keqja pikërisht këta bashkëpunëtorë të Serbisë, të cilët kishin blerë uniforma të UÇK-së në Kukës paka ditë para se të përfundonte lufta në Kosovë dhe fryheshin nëpër Gjakovë si quranat se gjoja janë “luftëtarë të UÇK-së”, e merrnin nëpër gojë personalitetin e presidentit Rugova dhe e shanin LDK-në.
Duke e parë këtë gjendje unë vendosa që përsëri të aktivizohem në LDK dhe vetëm dy ditë pas çlirimit të qytetit, më 16 qershor unë, bashkë me disa aktivistë te tjerë e hapëm zyrën e LDK-së në Gjakovë. Ndërkaq një ditë më pas, më 17 qershor të vitit 1999 kemi ardhë në Prishtinë dhe e kemi mbajtur konferencën e parë për shtyp te selia e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës ku presidneti Rugova kishte selinë e tij para luftës. Në ndërkohë edhe në Gjakovë por edhe në Prishtinë kemi patur kërcënime, thyerje xhamave të zyrave të LDK-së, por unë dhe kolegët e mi nuk jemi ndalur.
Bota sot: Ju i takoni asaj plejade të aktivistë të LDK-së të cilët kanë qenë në LDK para lufte, kanë veshur uniformën e UÇK-së gjatë luftës dhe prapë i jeni kthyer LDK-së pas luftës. A mendoni se kjo është një vlerë e veçantë që jo të gjithë politikanët e sotshëm e kanë këtë vlerë në biografinë e tyre?
A.Haraqija: Unë kam qenë në LDK para lufte, edhe gjatë luftës kam qenë në LDK edhe pas luftës jam në LDK. Madje mund t’ju them lirisht këtyre partive që u formuan pas luftës në Kosovë e që thirren si “krah i luftës” se këto parti nuk kanë anëtarë të tyre sa ka patur LDK-ja pjestarë të UÇK-së apo luftëtarë me armë në dorë. Po e përsëris: ata as sot nuk kanë anëtarë të partive të tyre sa i kemi patur ne luftëtarë të luftës për liri. Por, fatkeqësia jonë është se ata edhe gjatë luftës, por edhe pas përfundimit të luftës kanë bërë një agjitacion dhe propagandë komuniste, ndërkaq ne LDK-ja nuk kemi ditur ta shfrytëzojmë këtë bagazh të madh të luftës. Në fakt atyre u kanë ndihmuar pjesa dërmuese e mediumeve, përveç gazetës “Bota sot”, të cilat kanë bërë progpagandë komuniste për këto parti “të krahut të luftës”. Pra nuk është apsak e vërtetë se UÇK-ja është asaj apo kësaj partie të formuar pas luftës në Kosovë.
Pastaj duhet të pranohet fakti se anëtarët e LDK-së nuk kanë shkuar në luftë për çështje apo për mburrje personale për çështje të Kosovës, prandaj pjesa dërmuese e aktivistëve të LDK-së, me të përfunduar lufta, zhveshën uniforën e luftës dhe iu kthyen jetës e veprimtarisë politike në LDK. Mu për këtë arsye LDK-ja pas luftës i ka fituar katër palë zgjedhje, ndërkaq partitë e ashtuquajtura “krah i luftës” nuk do t’i fitojnë as pas 40 vjetësh zgjedhjet në Kosovë.
Ata që thonë se gjoja janë udhëheqës të luftës në Kosovë, janë demagogë ose “komandantë të Bllacës”
Bota sot: Sipas jush partitë që thiren në emër të luftës së fundit në Kosovë nuk e kanë prejardhjen nga UÇK-ja?
A.Haraqija: Për mua është demagogji e kulluar dhe ata që thonë se partitë e tyre kanë dalë nga lufta e UÇK-së janë demagoga të mëdhenj. Ata që thonë se gjoja janë udhëheqës të luftës në Kosovë, janë ose “komandantë të Bllacës” “komandanta të plazhës së Ulqinit” ose “zëdhënësa të UÇK-së” që kanë qëndruar gjatë gjithë luftës në hotelet luksoze të Tiranës apo Durrësit. Pra, të tillët nuk e kanë udhëhequr luftën në Kosovë, por të tillët kanë shfrytëzuar propagandën dhe pjesën dërmuese të mediave në Shqipëri dhe në Kosovë për marketing të tyre personal politik.
Bota sot: Le të kthehemi edhe njëherë te relacionet e juaja me presidentin Rugova. E veja e presidentit Rugova, znj.Fanë Rugova me një rast ka deklaruar se presidenti Rugova ju ka dashur si djemtë e tij. Sipas kësaj del se ju jeni “vëlla” i Ukës, djalit të dytë të presidentit Rugova. Për Ukën poashtu janë “quar shumë fjalë” në disa media, por edhe nga një pjesë e anëtarësisë së LDK-së. Si e përshkruani personalitetin e Ukë Rugovës, djalit të vogël të presidentit Rugova?
A.Haraqija: Po është e vërtetë, unë Ukë Rugovën e kam si vëlla timin. Unë Ukën e rrespektoj shumë, është një djalë ambicioz, me perspektivë, intelegjentë, një djalë që flet katër gjuhë të huaja. Por, mua më dhimbsen edhe Uka edhe Mendimin edhe vajza e vogël Teuta, sepse një pjesë të jetës tyre e kanë kaluar të mbyllur, të kufizuar nga lëvizjet e lira si çdo i ri i Kosovës. Prandaj është turp për ata njerëz të cilët flasin keq për Ukën, apo që shpifin gjithëfarë shpifjesh në emër të Ukë Rugovës. Por, me keqardhje më duhet të them se shpifjet kundër djalit të dytë të presidentit Rugova, Ukës, i kanë lansuar disa anëtarë të LDK-së të cilët poashtu kanë shpifur edhe kundër presidentit Rugova. Fatkeqësisht kjo kategori e anëtarëve të LDK-së të cilët merren me këto shpifje, në mënyrë të heshtur, kanë një koalicion me ata demagogë politikë të cilët veten e konsiderojnë si “komandantë të UÇK-së”. Këto shpifje i kanë bërë ata njerëz të LDK-së të cilët në emër të presidentit Rugova, duke qëndruar si “hije” pranë presidentit Rugova, kanë arritur të ndërtojnë pallate katër pesë katëshe e shtëpi luksoze dhe kanë bërë biznes personal. Të tillët, fakteqësisht edhe sot e kësaj dite janë në LDK, ose së paku shtiren se janë me LDK-në.
Por, këto shpifje kundër presidentit Rugova, por edhe kundër familjes së tij dhe në këtë drejtim kundër djalit të tij Ukës, janë bërë me qëllim dhe me një prapavijë të njohur politike. Të tillët e kanë ditur se presidenti Rugova nuk luan as për një milimetër nga parimet e tija kombëtare për Pavarësinë e Kosovës dhe këtë e ka dëshmuar deri në ditën e fundit të jetës së tij.
Ruaj Lidhjet