Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-03-2005
    Postime
    926

    Spiro Moisiu njeriu më besnik i Enver Hoxhës

    Ymet Dishnica: Spiro Moisiu njeriu më besnik i Enver Hoxhës, e vërteta e raporteve të tyre


    Më datën 27 maj 1993 ora 11.30 minuta gjendemi në shtëpinë e Dr. Dishnicës, unë si gazetar, toger Agim Kolldani, kapiten Vila një ish oficer armatimi në Kuçovë, si dhe toger Luan Koxhaj. Prezent ishte edhe bashkëshortja e Dr Ymerit, Flora. Në këtë datë shoqëroja ish ministrin e Mbrojtjes, Safet Zhulalin në një stërvitje treguese në Poshnjë ku merrnin pjesë gjithë llojet e armëve të atij divizioni dhe kisha marrë detyrë të pasqyroja dinamikat e asaj stërvitje. Me sa më kujtohet komandant divizioni ishte i ndjeri, colonel Luan Godo. Edhe ai më rekomandoi të pasqyroj në atë stërvitje edhe anën speciale i cili më ndihmoi me një specialist të degës stërvitore.Të nesërmen shkova në shtëpinë e Dr. Ymer Dishnicës në lagjen Çelepias, afër urës së Goricës, atje ku kisha kaluar një pjesë të shtëtitjeve në vitet 70-të ku shërbeja në aviacion, afër Beratit, në Kuçovë si teknik avionic. U përshëndetëm me doktorin dhe Florën e cila më pas na qerasi me raki rrushi të bërë vet. Ne u turpëruam kur njëri nga shokët na bëri me shenjë se kishim harruar zakonin për t’i çuar dy të moshuarve dhurata të thjeshta në shenjë respekti. Problemin mesa më kujtohet e zgjidhi Agim Kolldani. Mbasi biseduam dhe dialoguam për gjëra që kanë të bëjnë me pyetje përgjigje në të tilla rite vizitash, fillova t’i hap ‘dyert” e qëllimit tim përse kisha shkuar aty. Për të bërë një intervistë për “persekutimin” e Spiro Moisiut nga regjimi komunist kisha marrë udhëzime edhe nga ish shefi im i gazetës, por për t’i qëndruar strikt të vërtetës duhet thënë se edhe unë në ato vite dokumentarisht nuk e njihja mirë të vërtetën e Spiro Moisiut, megjithëse në atë peridhë edhe mua më pëlqente t’i bëja qejfin eprorëve, ves ky i trashëguar nga sistemi komunist, aq më tepër që i biri i Spiro Moisiut, Alfredi ishte zëvendësministër i Mbrojtjes dhe mbulonte shtypin dhe mërdhëniet me jashtë në këtë dikaster. Të fsheh të vërtetën? Jo, edhe unë dëshiroja që Dr. Dishnica ta ma persekutonte akoma më tej “heroin” tim që e kisha ndarë në dialogje, në pyetje, në replika, në “fakte”, etj. Intervistën Dr. Dishnica ma dha pa më fshehur asgjë, por unë nuk e botova dhe as që mora mundimin ta çoj për botim, jo vetëm se nuk më interesonte mua, por edhe se binte ndesh edhe me frymën që filloi të marrë vrull në ato vite që nuk lamë njëri pa bërë të persekutuar nga regjimi komunist. Biles më kujtohet një thënie e Dr. Dishnicës nga fundi i viteve 95-96, kur filloi të trokiste edhe në dyert e gazetës tonë, mbasi sillte edhe shkrime. E dini se çfarë më tha? “I lexoj të gjithë artikujt e gazetës “Ushtria dhe Koha” sidomos ata që marrin temën nga Lufta ANÇI, kryesisht, figurat ushtarake dhe politike që udhëhoqën atë. Më bën përshtypje tendenca juaj, jo vetëm ti, por edhe të tjerë deformojnë realitetin. Me rrugën që kini zënë dhe trajtimin e deformuar që i jepni historisë, s’do të jetë e largët dita që ju do të shkruani se edhe Enver Hoxha dhe Ramiz Alia janë persekutuar nga regjimi i tyre. Ç’bëni kështu xhanëm? Nuk e kuptoni se një ditë artikujt tuaj, të gjithë stafit të gazetarëve, do të propozojnë logjikisht që Enver Hoxha të shpallet për herë të tretë “Hero i popullit” nga presidenti i vendit me sistem demokratik?!” Sa drejt e kishte! Ajo gazetë e shndërruar në homologe e “Luftëtarit” të djeshëm, përfituar edhe nga difeketet tona e kanë nxjerrë në plan të parë dokurimin e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë.


    Ja intervista e plotë e Dr. Dishnicës dhënë më 27 maj 1993:


    M. Agolli: - Doktor Ymeri, unë e mbaj mend nga rinia e hershme kur shërbeja në aviacion një çast plot emocion të takimit me ju të një grupi aviatorësh, në marsin e 1973-it. Takim i thënçin, se në të vërtetë ju na vizituat për gripin ngaqë mjekët tanë ishin shtruar për vete në spital. A e mbani mend ju atë ditë sikundër unë?
    Dr. Ymeri: - Jo, aspak, eh mosha! Por, më kujtohet një farë piloti me emrin Ivanov. Edhe ai ka qenë në “spitalin tim” (Dr. Ymeri kishte edhe disa shtretër në shtëpinë e tij që i përdorte kur njerëzit ishin sëmurë). Më kujtohet se ishin disa, por emrin vetëm atij munda t’i mbaj mend. E dini si iu përgjigja pohimit të tyre për gripin që kishin? I thashë se ju jini të rinj dhe gripi u vjen në mëngjes dhe u ikën në darkë, vetëm gripi im është i pashërueshëm, u pohova edhe unë me një farë dyshimi, se atëherë dihej. Por, unë ua thashë me kuptimin se kisha “gabuar” dhe sot jam “i sëmurë”. Ata të gjithë qëndronin ftohtë. Më konsideronin armik. Kishin të drejtë edhe pse unë nuk isha i tillë.
    M. Agolli: - Me Florën si dhe kur jeni njohur?
    Dr Ymeri: - Ah, vite e vite të shkuara. Të gjitha këto do t’i hedh në një libër. Nuk kam ndërmend të nxjerrë “sekretet” qysh tani pa u botuar libri. Ka dhimbje dhe kujtime të bukura njohja ime me Florën (Ajo e nxit që të tregojë disa pasazhe dhe me të qeshur filloi të “zbërthejë” planin e Ymerit) Dr. Ymeri në përgjigje Florës: - Ka shumë gjëra më të domosdoshme dhe më të ngutshme që mund të shkruajnë gazetat sot.
    M. Agolli: Ta filloj intervistën doktor?
    Dr. Ymeri: Pse çfarë është kjo që po bëni?
    M. Agolli: Si të thuash, janë pyetje për nxemje, qëllimin e intervistës akoma edhe unë e mbaj “sekret”.
    Dr. Ymeri- Në rregull ju kini marrë një detyrë dhe unë do t’ju ndihmojë.
    M. Agolli: Si e njihni Spiro Moisiun. Në kohën e luftës dhe në kohën e mbas çlirimit, pra, si e njihni atë edhe kur ishit bashkë në luftë, edhe kur ke qenë larg “pushtetit” të tij?
    Dr. Ymeri: Këtë të fundit e the drejt. Ai ka qenë gjatë gjithë kohës në pushtet. Edhe kur ishte në luftë nuk i është kufizuar pushteti ushtarak dhe as pushteti i kompetencave. Por, unë thashë që ta lëmë rehat atje ku prehet. Ta lëmë pa lëvizur ndonjë opinion për atë, jo, dua të them se nuk ia vlen të themi, fjala vjen, se bashkëpunoi me Enverin, apo ishin kundërshtarë. Le ta lëmë të heshtur ashtu siç edhe e meriton, heshtja do e ndihmojë që të mos hapen shumë telashe, në ato opinione që e bëjnë atë të persekutuar nga regjimi komunist. Kjo gjë nuk është e vërtetë. Ai ka qenë pjesë e pushtetit në luftë, pjesë e pushtetit mbas luftës dhe ka vepruar aq egërsisht ndaj të tjerëvë, sa vetë Enver Hoxha. Ata ishin ortakë gjatë luftës, mbas çlirimit punët ndryshuan, por do e them pak më poshtë se Enver Hoxha e trajtoi gjithë jetën si koleg, si pjesë e atij segmenti të përbashkët që kishin të dy në të gjitha punët e vendit, dje, por edhe pas çlirimit. Atë nuk e eleminoi Enveri. E spostoi për shkak të moshës. Unë kështu e kam njohur Spiro Moisiun, me Enver Hoxhën ndanin një ide, një qëllim, njëri përgatiste ‘operacionet luftarake” nga ana ushtarake, Enveri nuk i besoi gjithmonë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë ANÇI kishte mjaft ushtarakë të tjerë të aftë. Në kohën që ishte gjeneral në ushtri nuk e njoh tërësisht aktivitetin e tij, por për ngritjen profesionale dhe atë kulturore në atë pozicion duhej të ndjehej komod. Kishte oficerë të tjerë më të aftë që e shikonin më ndryshe të ardhmen e vendit. Grada gjeneral që iu dha është drejtpërdrejtë shpërblim i luftës që bëri dhe jo meritë profesionale, apo ku të di se çfarë. Di gjithashtu se Enveri e spostoi nga funksionet jo me qëllim politik apo t’i merrte meritat e luftës. Të mos harrojmë se ai ishte më i përkëdheluri i Enver Hoxhës. Kur doli në lirim, me sa di, urdhëroi sektorët e shërbimit të udhëheqjes që t’i ndronin verën, nga më të mirat çdo javë. Për këtë persekutim flasin sot djelmosha të përkëdhelur nga familja e Moisinjëve nga gazetarë me pikëpamje komuniste të modelit bolshevik.
    M. Agolli- Jo, duam të dimë se kush është figura reale e tij si ushtarak gjatë luftës dhe mbas saj?
    Dr. Ymeri- Mendoj që pyetja juaj mund të ishte edhe kështu: Ç’ndryshim kishte ai nga Enver Hoxha? E kam më të lehtë të përgjigjem kështu dhe të më falësh për devijimin e pyetjes suaj.
    M. Agolli- Po, mirë edhe kështu e lëmë. Ju respektoj moshën dhe kulturën.
    Dr. Ymeri- Faleminderit për komplimentin. Tani dua të them se Moisiu dhe Enveri që të dy ishin dy anët e të njëjtit segment. Plotësonin njëri- tjetrin dhe asgjë më tepër. Si ushtarak Spiro Moisiu sigurisht që qëndronte më lart se Enveri, i fundit ishte i djallëzuar. Por, edhe Spiro nuk i hartonte vetë zgjedhjet e operacioneve ushtarake. Kishte ushtarakë më të aftë se ai në problemet operative dhe të planifikimit luftarak në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, sigurisht edhe merita nuk duhet t’i mohohet. Mbas çlirimit mendoj se iu dha detyra dhe funksioni që meritonte. Por, për marëdhëniet e tij me Enverin do t’ju tregoj një histori, apo ngjarje që ka ndodhur në kohën e luftës: “ Duhet të ketë qenë janari i 1943-it dhe unë atëherë ende nuk isha shpallur “armik”. Ishim në Kasollen e Galigatit, të tre së bashku, Enveri, Spiro dhe unë. Në mëngjesin e asaj dite bënte një ftohtë shumë i madh dhe së bashku vendosëm më pas të hanim drekën në një bazë të sigurt, në shtëpinë e një fshatari patriot dhe zemërbardhë, që sot më vjen turp që i kam harruar emrin, por gjithsesi kaluam shumë mirë. Unë nuk pija alkool, Enveri e ç’ka pinte me raste, por edhe kohët e fundit iu bë zakon, ndërsa Spiro pinte gjithmonë dhe e kishte qejf atë. Enveri kur pinte e ruante masën, si i thonë fjalës, por atë ditë edhe ai u bë çakërqejf. Ikëm nga baza pa perënduar dielli. Gjatë rrugës unë u shkëputa për disa minuta për nevoja personale, kur ç’të dëgjoj? Filloi një grindje dhe sherr i madh midis Spiros dhe Enverit, me dialogje sharjesh dhe fyerjesh. Fillimisht mendova se ishin rrjedhoja të alkoolit sesa ndonjë arsye themelore. Por, kur u bashkova me ata kuptova se tek zënia me dialogje sharjesh dhe ofendimesh mes tyre kishte diçka më të madhe se ndikimi i akoolit, edhe pse ata me praninë time i lanë disi grindjet dhe fyerjet, por prapë “kazani” ziente. Spiro u shkëput nga ne të dy dhe bëri për te kasollja, ajo kasolle që ishte shtëpia jonë e luftës. Edhe ne me Enverin i shpejtuam hapat për atje, se po binte nata dhe murlani filloi vërshëllimat. Rrugës për në kasolle, Enveri grindej me veten dhe më pas më tha: ”Do ta vras atë Ymer, është armik, i interpreton vendimet e Partisë si vendimet e mia personale si vendime të shokëve jugosllavë, të Miladinit dhe Dushanit, ne vërtet i dëgjojmë shokët jugosllavë, por vendimet janë kolegjiale. Po ti, Ymer, kështu mendon?!..., - më pyeti ai me një farë drithërime zëri. Të them të vërtetën, pa e shprehur, i dhashë të drejtë Spiros, por gjithsesi përsëri dyshoja për arsyet e grindjes, megjithëse Enveri e shprehu pak a shumë. Dola përsëri jashtë kasolles për nevoja personale, më dëmtonte gjithmonë pastërmaja megjithëse e kisha qejf shumë. [B]Përsëri ata filluan dialogjet e ashpra, zënie dhe grindje që nuk mungonin as edhe emrat e nënave dhe motrave.[/B] Kur hyra brenda u mundova t’i qetësoja, por e kot, ata problemet filluan t’i rahin me dialogje fyerjesh dhe sharjesh të ashpra. Më zuri gjumi ngaqë isha i lodhur dhe nuk e dëgjova më se çfarë bënë të dy. Në mëngjes kur u çuam, pashë dhe kuptova se tek të dy sikur të mos kishte ndodhur asgjë një ditë më parë. Qeshin me njëri- tjetrin, bënin shaka etj. Mendova se fajet duhet t’i kishte alkooli. Sot mendoj krejt ndryshe. Spiro Moisiu ishte betuar para Enver Hoxhës se kurrë nuk do ta kundërshtonte atë, se kurrë s’do i ngrinte problemet e “shokëve jugosllavë”. Dhe me të vërtetë Spiro Moisiu bëri ç’thoshte dhe pohonte Enveri. Mund të më gjeni një fakt që qysh prej vitit 1943 të ketë kundërshtuar Spiro Moisiu, Enverin? Qofshin këto në “kujtimet” e së dyve. Ata të dy problemet i zgjidhën me kompromis të dyanshëm dhe reciprokisht, ky ishte edhe parimi i tyre gjatë gjithë jetës. Të mos harrojmë se nëse do të ishte ndryshe, Enver Hoxha do ta kishte eliminuar me kohë Spiron, ai eliminoi njerëz të dëgjuar dhe me reputacion mbarëkombëtar, njerëz me një personalitet të spikatur dhe jo Spiron që do ta kishte harruar edhe familja dhe jo më partia dhe shqiptarët.
    M. Agolli: - Dr. Ymeri, për të qenë sa më të saktë, ju e konsideroni Spiron Moisiu si bashkëudhëtarë i Enverit, apo thjesht si një ushtar që u morr nga ai për të kapërcyer lumin?
    Dr. Ymeri: - Të dyja hamendjet tuaja qëndrojnë. Spiro Moisiu dezertoi batalionin “Kaptina” dhe më pas u ndëshkua nga italianët duke u burgosur në Itali. Kthehet prej andej dhe vetëkuptohet se s’mund të qëndrojë në legalitet. Kjo bëri që ai të afrohet në Lëvizjen ANÇI, fillimisht në Pezë dhe pastaj siç edhe e dimë. A kishte ushtarakë të tjerë më të aftë se ai që mund të viheshe në krye të ushtrisë ANÇI ose jo, kjo ngelet për të gjykuar më pas, por sidoqoftë me Spiron ne bëmë një zgjidhje të mjaftueshme, sepse në Shtabin e Përgjithshëm ne kishim ushtarakë të aftë dhe të besuar. Pak rëndësi kishte se kush ishte komandant, kur hartoheshin planet e luftimit, ato bëheshin bashkarisht me antarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm. Megjithatë, mendoj se nuk jam unë ai që bën këto vlerësime të ushtarakëve të asaj kohe, por gjithsesi, mund të përafrohem. Spiro Moisiu si usharak i vuri në shërbim të luftës dijet e tij të mjaftueshme për kohën. Gjithashtu ai nuk e kishte as për fyerje të mbante pas vetes ushtarakë më të aftë se ai vetë. Dhe pikërisht kjo gjë e ndihmoi atë të mbetej mik dhe gati të gjithë ushtarakët e lartë që ishin caktuar në funksion të nevojave të tij pranë Shtabit të Përgjithshëm. Gabimet e tij qëndrojnë më pas, kur Enver Hoxha filloi eliminimet e ushtarakëve që Spiro i kishte ndihmsa të mirë dhe po kaq miq. Kur ata filluan të eliminohen nga Enver Hoxha, Spiro Moisiu ose nuk foli fare, ose foli me vetveten, më e keqja akoma, që këto eliminime më pas i quajti me të njëjtin motiv që i quajti Enveri. Disa thonë se Spiro nuk dinte të gjitha këto që kryente Enveri. Mbroçkulla. Ato që bënte Enveri kuptoheshin nga oficerët e thjeshtë në Shtabin e Përgjithshëm dhe jo nga Spiro Moisiu. Për të mos thënë që shumë vendime për asgjësimin e shumë figurave ushtarake pjesmarrës në mbedhje ka qenë edhe ai, pa u ngutur të themi se e ka votuar ose jo vendimin e ekzekutimit të tyre. Dokumenta që ta ketë kundërshtuar apo denoncuar Enverin nuk ka, të kundërta ka boll. Kjo i shton pikëpyetjet në shumë drejtime. M. Agolli: - Më falni doktor, por unë kam një dokument që bën fjalë për frikën e ndrojtjen që shpreh Spiro Moisiu për vrasjen e Mustafa Gjinishit dhe ndonjë tjetri. Dhe këtë frikë dhe shqetësim ia shprehu Sejfulla Maleshovës. Kini koment për këtë?
    Dr. Ymeri: - Për ç’vite bëhet fjalë?
    M. Agolli- Mbas vrasjes së Mustafa Gjinishit.
    Dr. Ymeri- E dini ju kur është marrë vendimi për vrasjen e Mustafa Gjinishit?
    M. Agolli- Në Vithkuq, më 1943, në mos gaboj?...
    Dr. Ymeri- Po, një vit para se të vritej Mustafai. Të mos harrojmë se një vendim i tillë u mor në prezencë të Enver Hoxhës, Miladin Popoviçit, Dushan Mugoshës, Nako Spirut, Sejfulla Maleshovës, Spiro Moisiut, etj, etj. Si nuk e ngriti zërin ky njeri një herë të vetme?! Në këtë vendim asgjësimi dhe eliminimi nuk mungonte as emri im, por Spiro si mik që më kishte nuk më tha asgjë. Ato që bisedon ai me Sejfullain mbas vrasjes së Mustafait është si ajo fjala popullore “rrush pas të vjeli”. Me të njëjtën përgjegjësi ngarkoi edhe Sejfulla Maleshovën, megjithëse ndaj tij mbaj tjetër qëndrim. Heshtja e Sejfullait është e dënueshme, përgjegjësinë e ka të njëjtë me atë të Spiros. Edhe Sejfulla Maleshova ishte në dijeni të këtij vendimi dhe s’kishte pse të habitej, duhet të ngrinte zërin. Ai heshti njësoj si Spiro.
    M. Agolli: - Po ju zoti Ymer si i shpëtuat eliminimit?
    Dr. Ymeri: - Unë kisha mik Enverin (Qeshim të gjithë). Jo, se bërë shaka. E vërteta ëshë se unë mbas Konferencës së Mukes u eliminova politikisht. Dhe ky eliminim nëse më largoi nga të gjitha detyrat dhe funksionet, më zgjati jetën. Janë disa arsyet e mos eliminimit tim, por unë do të radhis ato më kryesoret: E para, shtypi i kohës, ai qeveriar apo i kundërsharëve tanë e hodhi në opinion vendimin e Vithkuqit. E dyta, unë mbasi isha eliminuar politikisht, si dhe nga gjithë funksionet e tjera, Enveri, Miladini, Dushani, etj, nuk më kishin nëpër këmbë dhe as konkurrent për t’i zënë vendin Enverit, gjë që as e kisha shkuar nëpër mendje, por që edhe për qëndrimet politike që s’kisha më mundësi t’i shprehja. E treta, duke ditur këtë vendim fillova të ndjek një taktikë të “pajtimit me të keqen”, pra, me cilësimin si “armik i partisë” dhe me këtë “pajtim” Enveri dhe të tjerët mendonin se unë kisha filluar pendimin. Kjo besoj se ëshë e vërteta pse unë i shpëtova vendimit të Vithkuqit.
    M. Agolli: - Doktor, ju lutem nëse dëshironi a mund të na thoni të vërtetën e bindjeve poltike të Spiro Moisiut, sepse, sipas disave thuhet që ai ka patur bindje komuniste, të tjerë e quajnë me bindje të djathta nacionaliste. Si qëndron e vërteta?
    Dr. Ymeri: Ai as që e dinte fare se ç’ishte komunizmi. Ai ishe thjesht një ushtarak që komunizmin më tepër e mësoi nga të tjerët në mënyrë mekanike, por që për shkak të postit që mori ishte i detyruar të fliste edhe për idetë komuniste, që aso kohe parapëlqeheshin nga breza të tërë të rinjsh dhe intelektualësh. Me sa di unë, të paktën deri në atë periudhë që qëndruam bashkë, si të gjithë ish ushtarakët e tjerë, ai anonte më tepër nga e djathta zoriste, por e thashë edhe më lart, se ai për shkak të funksionit filloi të fliste komunisçe. Të vërtetën më mirë se unë mund ta dinë edhe të tjerë, por unë e them troç, se ai s’u bë kurrë komunist me zemër. Ai mund të ishte edhe zogist, edhe ballist, edhe nacionalist, etj, ai e dridhte nga frynte era.
    M. Agolli: - Doktor Ymeri, disa gazeta sot kanë filluar të shkruajnë se Spiro Moisiun e izoloi Enver Hoxha, duke i vendosur për vëzhgim aparatura dhe agjentë të sigurimit të shtetit, kini ndonjë koment për këtë?
    Dr. Ymeri: - Gjepura! Për çfarë periudhe bëhet fjalë?
    M. Agolli: - Mbasi e nxorri në pension të parakohshëm.
    Dr. Ymeri: - Tani e them me plot gojën se të gjitha këto janë sajesa dhe gjepura. Logjike është të gjykosh mbi argumenta dhe fakte. Përse i duhej Enver Hoxhës të survejonte Spiro Moisiun si “kufomë” dhe e ka të lirë kur Spiro Moisiu kishte edhe “brirë”, edhe armë, edhe votë, edhe kur ishin “armiq”, edhe kur ishin miq?! Pse i duhej tani të përgjonte kur “thashethemet” dhe “denoncimet” e Spiros tashmë nuk i dëgjonin muret dhe jo më njerëzit “armiq” të pushtetit. Pse e kishte të vështirë Enveri të urdhëronte një njeri që t’i jepnin Spiros “barin e miut’ qoftë edhe me njerëzit që Spiro i besonte?! Kush do të interesohej për atë? Familja? Përgjigjet ishin gati. Vdiq nga lodhja, nga mosha, nga “plagët” nga “armiqtë e partisë’ etj. Të gjitha, e thashë edhe më lart, janë sajesa për t’i rritur “vlerat”, jo vetëm Spiros, por edhe “disidentëve” të tjerë të Enverit. Enver Hoxha ka kryer krime nga më monstruozet ndaj shokëve dhe miqve të vet, por kurrë kundër Spiro Moisiut sepse atë nuk e kishte armik, as kundërshtar për t’i zënë vendin dhe as që e kishte frikë se mos e asgjësonte atë. Enveri gjithë jetën e konsideroi Spiron si mikun e tij dhe e shpërbleu si mik nga më të afërmit e tij. Kjo është e vërteta, të tjerat janë deformime të qëllimshme të gazetarëve llafazanë.
    M. Agolli: - Thonë që shumë dokumente të rëndësishme që kishte Spiro kundër Enverit u asgjësuan dhe u përvetësuan nga gruaja e diktatorit, Nexhmije Hoxha. Kini ndonjë mendim për këtë version të hedhur në tregun e medias?
    Dr. Ymeri: - Në mënyrë absolute nuk është e vërtetë. Nëse Spiro Moisiu të mos kishte qenë njeriu më i besuar i familjes Hoxha, do të besoja për një gjë të tillë. Më gjeni një rast, një fakt, që Spiro Moisiu për gati 40 vjet nxorri apo tentoi të nxirrte “dokumenta” që në fund të fundit, ishin me dhjetra e mijëra, për familjen Hoxha, apo familje të tjera që i përkisnin “Bllokut”. Dini ndonjë rast? Thuheni! Deri më sot unë nuk kam lexuar asnjë “kujtim” të Spiros për mirë apo për keq, me kritika, apo mburrje, për vete apo për mikun e tij Enver Hoxha.
    M. Agolli: - Me një fjalë, juve doktor nuk e radhisni Spiro Moisiun tek desidentët?
    Dr. Ymeri: - Nuk do të flas dhe nuk do i përgjigjem asnjë pyetje tjetër nëse do të tentoni të më bëni. Do t’ju deklarojë vetëm kaq: Spiro Moisiu është dhe mbetet pjesë e atij segmenti pushtetëror që me ndërgjegje ose jo shtypi dhe dhunoi liritë e së tjerëve, pra, ai në postin dhe funksionin që pati veproi njësoj dhe në unison me Enver Hoxëhn. Besoj se ju ndihmova shumë që iu përgjigja edhe kësaj pyetje që kisha vendosur të heshtja. Ju faleminderit!
    M. Agolli: - Më falni Dr. Ymeri, por ne jemi më të rinj dhe nuk njohim fenomenet dhe personazhet historikë njësoj si ju...
    Dr. Ymeri: - Nëse për njërën apo për tjetrën arsye dhe me qëllim duani të ndryshoni vërtetën, po e them hapur që ndonjë ditë do të “piketoni” disident Enver Hoxhën si disident i Enver Hoxhës dhe Ramiz Alinë si disident të Ramiz Alisë.
    Faleminderit Dr. Ymeri!


    Intervistoi: Mirdash AGOLLI
    Shënim: Nxjerrë nga libri “Dosje....” i cili do të dalë së shpejti në treg.
    Një intervistë e pabotuar për gati 13 vjet

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    08-11-2002
    Postime
    1,509
    Ve bast qe Ymer Dishnica ka vdekur dhe intervista e tij ndryshohet sipas qejfit e botohet vetem 13 vjet me vone per qellime politike kunder Alfred Mojsiut. Me nje fjale per te nxjerre kete te fundin si nje bir komunisti.

    Pse s'e botoi Mirdash Agolli intervisten para 13 vjetesh? Kete te thote, e jo budalleqe se pse s'i dha dhurata Ymerit e cfare tip rakie piu te shtepia e tij.

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-03-2005
    Postime
    926
    Citim Postuar më parë nga gjergj_kastriot
    Pse s'e botoi Mirdash Agolli intervisten para 13 vjetesh? Kete te thote, e jo budalleqe se pse s'i dha dhurata Ymerit e cfare tip rakie piu te shtepia e tij.

    ...Për të bërë një intervistë për “persekutimin” e Spiro Moisiut nga regjimi komunist kisha marrë udhëzime edhe nga ish shefi im i gazetës, por për t’i qëndruar strikt të vërtetës duhet thënë se edhe unë në ato vite dokumentarisht nuk e njihja mirë të vërtetën e Spiro Moisiut, megjithëse në atë peridhë edhe mua më pëlqente t’i bëja qejfin eprorëve, ves ky i trashëguar nga sistemi komunist, aq më tepër që i biri i Spiro Moisiut, Alfredi ishte zëvendësministër i Mbrojtjes dhe mbulonte shtypin dhe mërdhëniet me jashtë në këtë dikaster. Të fsheh të vërtetën? Jo, edhe unë dëshiroja që Dr. Dishnica ta ma persekutonte akoma më tej “heroin” tim që e kisha ndarë në dialogje, në pyetje, në replika, në “fakte”, etj. Intervistën Dr. Dishnica ma dha pa më fshehur asgjë, por unë nuk e botova dhe as që mora mundimin ta çoj për botim, jo vetëm se nuk më interesonte mua, por edhe se binte ndesh edhe me frymën që filloi të marrë vrull në ato vite që nuk lamë njëri pa bërë të persekutuar nga regjimi komunist...

Tema të Ngjashme

  1. Me ndihmoni me nje emer shqip
    Nga prishtinase në forumin Ndihmoni njëri-tjetrin
    Përgjigje: 32
    Postimi i Fundit: 22-03-2010, 14:52
  2. Nje pyetje rreth krishterimit ...
    Nga Gostivari_usa në forumin Komuniteti protestant
    Përgjigje: 34
    Postimi i Fundit: 23-11-2006, 08:19
  3. Qellimi i perjetshem i Zotit per njeriun
    Nga Matrix në forumin Komuniteti protestant
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 31-05-2005, 07:17
  4. Muhamedi në Bibël...
    Nga drita në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 70
    Postimi i Fundit: 20-06-2004, 15:39
  5. Intervistë me nusen e Nexhmie Hoxhës
    Nga Fjala e drejte në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 22-03-2004, 19:52

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •