Meimarakis duhej të ishte në Shqipëri më 9-10 maj
Ministri grek i mbrojtjes anullon vizitën në Tiranë
“S’u zhbllokua çështja e varrezave”
--------------------------------------------------------------------------------
Aleksandër Marku
Selanik
Pas krizës me pesë kinezët e ardhur nga Guntanamo, një tjetër incident diplomatik përfshin Tiranën zyrtare. Ministri grek i Mbrojtjes Vangjelis Meimarakis ka njoftuar se nuk do të vijë në Shqipëri në 9-10 maj. Anullimi i vizitës së tij zyrtare ka ardhur, sipas vetë Ministrit grek, “për shkak se autoritetet shqiptare nuk kanë zgjidhur çeshtjen e varrezave të ushtarëve grekë të Luftës së Dytë Botërore”, mësohet t’i ketë deklaruar ministri të përditshmes greke “Adhezmestos tipos” më 8 maj. Dhe duke qenë “i pakënaqur me keto zhvillime”, ai ka deklaruar se nuk është i predispozuar të përfaqësojë qeverinë greke në një udhëtim që si “qëllim do të kete fillimin dhe zbatimin e programeve ndihmëse ndaj Shqipërisë ,pa pasur asnjë perfitim të tillë për vetë shtetin grek”.
Problemi i varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri, është i vjetër dhe i njohur për dy anët e kufirit. Gjatë qeverisjes socialiste ka pasur mjaft bisedime mes palëve për zgjidhjen e kësaj ceshtjeje. Në tetor 2004, presidenti i atëhershëm grek Stefanopulos ka vizituar disa varreza ushtarësh grekë në Bularat dhe Këlcyrë dhe të njëjtën gjë kishte planifikuar ta bënte edhe presidenti Papulias gjatë vizitës së dështuar në Sarandë disa muaj më parë. Shumëkush kujton sesi presidenti grek anulloi vajtjen në qytetin bregdetar pasi mësoi se në dyert e hotelit ku do të zhvillohej takimi me Moisiun, po zhvillohej një manifestim paqësor i camëve që kërkonin pronat e tyre në Greqi.
Sipas burimeve të medias greke, llogaritet që të jenë rreth 8000 ushtarët e vrarë në luftën italo-grekë. Ky kontigjent të vrarësh dhe sidomos mënyra e sistemimit të tyre përbëjnë një ceshtje të hapur diskutimi mes dy vendeve. Kjo vjen pasi trajtimi i tyre si dëshmorë shfrytëzohet nga qarqe të caktuara në Greqi për të nxitur politikën e Vorio Epirit, e cila tradicionalisht e ka konsideruar Jugun e Shqipërisë si “tokë greke”.
Mosardhja e ministrit Meimarakis në Shqipëri, e lidhur në mënyrë të hapur me problemin e ushtarëve grekë, shënon një gjest të ashpër refuzimi të Athinës zyrtare ndaj fqinjit verior, që pritet të përkëqësojë marrëdhëniet shqiptaro-greke vetëm pak muaj pas dështimit të takimit Moisiu-Papulias. Megjithatë, deri më sot qeveria Berisha ka ndjekur një linjë të butë ndaj fqinjit jugor. Është për t’u shënuar fakti se kryeministri shqiptar gjatë takimit me homologun grek Karamanlis në fund të vitit 2005, ka premtuar se ceshtja e varrezave të ushtarëve grekë do të zgjidhet shpejt. Gjithashtu, duhet nënvizuar se zoti Berisha, vizitën e parë në rajon pas marrjes së detyrës, e ka zhvilluar pikërisht në Greqi.
Krijoni Kontakt