U nda nga jeta dje ne qytetin e Korçes aktori i mirenjohur i komedise
Aleko Prodani Vdekje tragjike në skenë
I ndaloi zemra në mes të premierës
Oliverta lila
o.lila@gazetashqiptare.com
Jeta e tij është mbyllur aty ku ai jetoi pjesën më të madhe të saj. Aktori i njo hur korçar, Aleko Prodani ka rënë në skenë për të mos u ngritur më. Së bashku me aktorët e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës është ngjitur në premierën e komedisë “Tre gra për një burrë” të Dario Fo-së. Me lojën e tij mjeshtërore, deri në gjysmën e shfaqjes i falte publikut të qeshurën për të vulosur hidhërimin e tij. Nga ora 19.30 është rrëzuar në mes të skenës. Spektatorët e kanë duartrokitur, si për të mbështetur edhe një herë “Artistin e merituar”. Të gjithë kanë kujtuar se kjo ishte pjesë e rolit të tij. Regjisori i pjesës, Adonis Filipi i kishte besuar rolin e bojaxhiut Aldo. Ndërsa kanë pritur të ngrihej, ka qenë britma e aktores Zamira Kita që i ka vënë të gjithë në lëvizje. Shtylla e komedisë dhe këtij teatri gjendej në mes të skenës, aty ku është ngritur personaliteti i tij prej aktori. Bëhet e ditur se ambulanca ka mbërritur menjëherë, por fatkeqësisht nuk kanë mundur të bëjnë asgjë. Roli i tij i fundit do të përfundonte këtu, duke lënë pas një varg të madh rolesh të tjerë. Kjo ka qenë shakaja e hidhur e jetës së tij. Një atak në zemër e ka lënë përgjithmonë në skenë. Ishte planifikuar që me këtë shfaqje të ngjitej për një javë në teatrin e Korçës, e më vonë do të udhëtonin në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” në Fier. Pikërisht në këtë festival ai është vlerësuar vjet si “aktori më i mirë”. Pas një pune të madhe për këtë premierë, ishte shprehur se me “Aldo bojaxhiun” do ta rrëmbenin përsëri këtë çmim. Por Aleko Prodani do të mbetet edhe si një nga figurat e humorit të hollë që do t’i mungojë jo vetëm skenës, por edhe ekranit të televizionit. “Borxhliu”, “Dy herë mat” apo “Zëvendësi i grave”, do të ngelen kujtime të figurës së tij. Ai është një nga themeluesit e Estradës së Korçës, aty ku u formua personaliteti i tij artistik. Pas disa shfaqjeve në estradë kaloi në teatër dhe u bë një nga shtyllat e teatrit të Korçës sidomos në planin e humorit. Një njeri shumë i apasionuar pas artit skenik, për të cilin ishte vlerësuar me çmime të shumta. Aleko Prodani, prej gati 30 vjetësh gëzonte titullin “Artist i Merituar”, ndërkohë që shijen e skenës e provoi rreth 40 vjet më parë. Nëpërmjet tij kanë marrë jetë më shumë se 200 role të ndryshëm. Skena ka qenë stacioni i fundit i jetës së tij në moshën 64-vjeçare, por jo në kujtimin e atyre që do ta kujtojnë ikonën e humorit shqiptar.
Krijoni Kontakt