Shkrimtari i përgjigjet sulmit te Stephen Schwartz
Kadare: Schwartz, një përçarës fetar
Shekulli
I prezantuar në ekran si autor i librit “Dy fytyrat e Islamit”, Stephen Schwartz-i tha se nëse një ditë Kadare do të merrte Çmimin Nobel do të vinte në të njëjtin tv shqiptar i veshur si grua. “Kadare s’ka për ta marrë çmimin Nobel, sadoqë ky është një çmim me të cilin nuk vlerësohet nderi. Ai u jepet kalemxhinjve të kurvëruar”. Ky autor veç vlerësimeve personale për shkrimtarin, që sollën të qeshura e zbavitën audiencën gjatë asaj interviste, merr edhe pozicionin e kritikut letrar sharlatan duke klasifikuar letërsinë e shqiptarëve në katolike, myslimane, e ortodokse. Veç kësaj, është e disata herë që nga sprova e Ismail Kadaresë “Identiteti Evropian i shqiptarëve” veçohet si thelb i saj pretendimi për një identitet kristian të shqiptarëve, çka do t’i hapte rrugën Shqipërisë në Evropën e Bashkuar. A është i saktë ky perceptim i përftuar edhe nga “eksperti” për Islamin në Ballkan? Dhe meqë ai e akuzon shkrimtarin se përbalt klasikët e letërsisë dhe vetë religjionin e shqiptarëve, Ismail Kadare përgjigjet për “Shekullin”:
“Sprova ime “Identiteti evropian i shqiptareve” ështe botuar nga gazeta juaj, por edhe si liber më vete, kështu që gjithkush mund të shohë se s'ka në të asgjë nga ato që u përmendën. Eshtë thënë shprehimisht se s'do të kishte ndonjë gjë të keqe nëse letërsia e bejtexhinjve do të kishte motive homoseksualësh, por e keqja e saj është se disa prej tyre janë motive pedofilije, të dënuara moralisht dhe penalisht gjithkund. Sa për dy akuzat e
tjera, se nga një anë unë kam sulmuar besimin katolik dhe kulturën e tij, kurse nga ana tjetër paskam ngulur këmbë për një identitet kristian, pra katolik të shqiptarëve, për t'u afruar me Evropën, këto bijen në kundërshtim të plotë me njera-tjetrën. Në sprovën “Identiteti evropian i shqiptarëve” përveç nderimit për kulturën katolike shqiptare kam theksuar disa herë se një mysliman shqiptar është po aq evropian sa një katolik a ortodoks dhe se myslimanizmi shqiptar nuk e pengon kurrsesi integrimin e Shqipërisë në Evropë.
Akuzat e mësipërme janë tipike ato të një provokatori dhe përçarësi fetar. Nuk dua të merrem me dikë që qysh prej 15 vjetësh merret me këtë punë. Gazeta juaj , besoj, se e ka lehtë të gjejë në Internet portretizimin e këtij provokatori prej gazetarëve amerikanë. Janë të përshkruara hollësisht kapërcimet e tij nga një stalinist e trockist, në ultra djathtizëm, nga feja e hebrejve në atê myslimane, nga emri hebraik në atë arab, etj. Është e rrallë të gjesh një personazh në shtypin amerikan, që të jetë karakterizuar me fjalët kameleon, bufon, derr, mashtrues kronik e të tjera që nuk i shkruan dot lapsi. (Shih Keating, Rajmondo etj.). Nga një i tillë mund të presësh gjithçka. Ajo që është e habitshme në këtë rast, është se në ç'rrethana dhe përse media jonë e paska peshkuar këtë krijesë. Do të mund të përfytyrohej vallë që një zuzar shqiptar të shkonte në Berlin apo në Oslo, për të vjellë vrer kundër një shkrimtari gjerman a norvegjez?
Vallë kështu qenka katandisur Shqipëria, që, ashtu si ato tributë e dikurshme afrikane, ia hap dyert çdo endacaku për të sharë, në mes të kryeqytetit të vet një shkrimtar të njohur të saj?Ka njerëz që mendojnë, por që unë s'dua ta besoj se, përveç rrjetit televiziv, njerëz të politikës e të qeverisë mundësuan ardhjen e këtij provokatori, për arsye që i dinë ata. Në qoftë kështu , do ta quaja këtë një pabesi të administratës së këtij shteti ndaj shtetasit të vet.
Krijoni Kontakt