Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 8
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Vet)Vrasja e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës

    Familjarët: ”Nduen e vrau Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu!”

    (Vet)Vrasja e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës


    Kujtim Boriçi

    Dossier. Nr. 1
    Ekskluzive/Një ngjarje e rëndë dhe e bujshme ndodhur më 16 dhjetor 1975, ku Ndue Marashi, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, gjendet i vdekur me një plumb në ballë në banesën e tij, e cilësuar zyrtarisht si “vetëvrasje”, por e kundërshtuar në moment e për tri dekada nga familjarët, të cilët akuzojnë se e vrau shteti e kërkojnë veprimin e drejtësisë, sillet për lexuesin në një cikël shkrimesh në vazhdim. Nëpërmjet dokumenteve të kohës, akuzave konkrete të familjarëve, thënieve të dëshmitarëve, synohet të hidhet sadopak dritë mbi këtë ngjarje.

    16 dhjetor 1975
    Tragjedia e rëndë


    Ndue Marashi, 42 vjeç, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, në orën 10. 00 të datës 16 dhjetor 1975, pasi ka lënë detyrat në zyrë, kthehet në shtëpi, ku do të nisej rreth mesditës, familjarisht me pushime në Vlorë. Shkaku i ikjes me pushime ishte gjendja jo e mirë shëndetësore e bashkëshortes së tij, Françeska Marashi, goditur, me synim vdekjen, nga persona ende të panjohur, katër ditë më parë, mbrëmjen e së premtes, teksa po largohej nga puna. Në orën 11.00, siç thuhet në procesverbalin e mbajtur atë kohë nga policia dhe nga denoncimi i fqinjëve, në dhomën e tij dëgjohet një krismë e vetme arme. Pastruesja e shtëpisë, ato momente ishte larguar (?!) për të blerë bukë, ndërsa fqinjët, pas krismës së vetme të armës (goditje në ballë) që ka lënë të pa jetë Nduen, pohojnë se kanë parë pranë derës dy persona që janë larguar menjëherë me një motor. Disa ditë më parë, nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe në një broshurë të Komitetit Qendror të Partisë, Ndueja akuzohej për veprimtari armiqësore (ngordhja e 100 lopëve në Baldushk të Tiranës), si “beu i fshatrave të Tiranës” dhe si feminist. Zyrtarisht u tha se Ndue Marashi ka vrarë veten. Por bashkëshortja, i vëllai dhe dy fëmijët që në moment akuzuan se e kanë vrarë. Prej 30 vjetësh ata kërkojnë të drejtën, duke akuzuar për këtë vrasje të organizuar Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun, por nuk kanë marrë përgjigje as nga drejtësia dhe as nga shtetarët e kësaj periudhe. Ikur familjarisht në Belgjikë, me eksodin e ambasadave më 2 korrik 1990, të rikthyer përsëri në Shqipëri, familjarët përsërisin akuzën dhe kërkojnë zbardhjen e të vërtetës.

    Nesër do të lexoni:-Thirrja e Ndues në zyrë nga Enver Hoxha, tri ditë pas përplasjes me Manush Myftiun.
    -“Helmimi” i 100 lopëve të Baldushkut dhe përgjegjësia që partia kërkonte te kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës.
    -Buletini për përdorim të brendshëm në parti, ku Ndueja cilësohej “qehajai i Tiranës”, “i drekave e darkave” e“imoral”, dokument i cili u punua vetëm në një pjesë të partisë.


    Ndue Marashi, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, ndonëse nuk i kishte mbushur ende 42 vjetët, një djalë energjik, i aftë e punëtor, që njihej si mik i Beqir Ballukut e drejtuesve të tjerë të shtetit të kohës e shihej si njeri me perspektivë në karrierë, kishte mundur që të krijonte një emër të mirë te vartësit, bashkëpunëtorët dhe njerëzit e thjeshtë. Por fillimisht një konflikt i hapur me Manush Myftiun, ku Ndueja kundërshton mashtrimin për sigurimin bukës nga fshatrat e Tiranës, më pas ”helmimi” i mbi 100 lopëve në ekonominë e Baldushkut në Tiranë, një qarkore për përdorim të brendshëm në parti (që u hoq shpejt nga qarkullimi e nuk u arrit të lexohej në mbarë vendin), ku Ndueja cilësohej “qehajai i Tiranës”, “i drekave e darkave” “imoral”, ultimatumi i Enver Hoxhës “Të shikohet puna armiqësore e këtij kryetari!”, kërcënimi i Mehmet Shehut “Kemi pak punë me ty!”, goditja banditeske, me qëllim asgjësimin fizik të bashkëshortes Françeska mbrëmjen e 12 dhjetorit 1975, do të përgatisnin eliminimin fizik të tij. E kjo ndodh më 16 dhjetor të këtij viti. Zyrtarisht e në dokumentet e kohës u tha se ishte vetëvrasje me një plumb të vetëm në kokë. Ndërsa bashkëshortja, dy djemtë e saj dhe vëllai i Ndues, Zef Marashi, akuzuan në çast se kanë vrarë dhe nuk është vetëvrarë. Këtë mendim ata nuk e ndryshuan as kur i thirrën disa herë rresht në hetuesi me kërcënimin “Pse thoni se e kanë vrarë” dhe i detyrojnë të firmosin një deklaratë të përgatitur ku flitej për vetëvrasje të Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës. Pas internimit 15-vjeçar si familje e “armikut të partisë e popullit”, në fillimet e proceseve demokratike, familjarët ripërsëritën akuzën duke kërkuar drejtësi, mblodhën dëshmi e deklarata nga dëshmitarë të kohës, takuan liderin e atëhershëm të opozitës, Sali Berisha, (ai u tha ”E morën në qafë Nduen), dhe kërkuan drejtësi. Por për mbi 15 vjet vetëm heshtje e plotë. ”Ne jemi të bindur e kemi dyshimet- prova, si atë ditë dhjetori të 1975-ës e sot, jemi të sigurt që babanë tonë e vranë, nuk kërkojmë hakmarrje, por të zbardhet e vërteta, e eshtrat e babait të prehen të qeta atje ku janë”, -këmbëngul Xhovalin Marashi, i sapokthyer nga emigrimi 16-vjeçar në Belgjikë. Tashmë, me akuzën konkrete, së bashku me xhaxhanë Zefin, ai pret që drejtësia të nxjerrë të vërtetën në shesh.
    Ndueja, shkodrani i varfër që u bë Nr. 1 i Tiranës
    Ndueja ishte fare i vogël kur në vitin 1939, në kohën e pushtimit të vendit nga Italia, së bashku me familjen zbret me banim nga periferitë e Shkodrës në afërsi të Varreve të Bamit në Tiranë. Familjen shkodrane (Babai ishte nga fshati Dushman, ndërsa nëna nga Shllaku i Shkodrës), siç kujtojnë sot fqinjët dhe njerëzit që kanë pasur të bëjnë me to gjatë dekadave, të gjithë e mbajnë mend si njerëz zemërbardhë, punëtorë, njerëz që dinin të bënin vetëm mirë, që kishin vetëm miq e kurrë armiq, ndonëse rropateshin ditë e natë për të siguruar me tepër vështirësi bukën e gojës. Në këtë mjedis, mes vëllezërve e motrave të shumta, rritet dhe Ndue Marashi. Ndonëse me një zgjuarsi të lindur, siç pohojnë shokët e tij, i etur për arsim e dije, për shkak të vështirësi për mbijetesë, Ndueja nuk mundet që të ndjekë shkollën rregullisht, por me shkëputje. ”Ndues që ishte më i madhi e duhej t’u vinte në ndihmë prindërve, iu desh të fillonte shkollat pa u shkëputur nga puna, e megjithatë ai shkëlqeu, ishte më i miri dhe me djersë i çau rrugët jetës”, -tregon për gazetën vëllai i tij Zef Marashi, që i ka kaluar të 70-at. Duke punuar e shkëlqyer në punë direkt në prodhim, sipas dokumenteve të kohës, Ndue Marashi mbaron me rezultate të shkëlqyera degën zooteknikë të Institutit të Tiranës. Falë këtyre rezultateve, aftësive drejtuese dhe organizuese, me këmbënguljen e titullarit të institucionit, Ndueja emërohet menjëherë drejtor i Konvikteve të Institutit Bujqësor të Kamzës. Vetëm pak muaj rri në këtë detyrë, duke u emëruar më pas si pedagog pranë këtij instituti. Nga aty pedagogun e ri e çojnë kryetar të kooperativës bujqësore të Kasharit në Tiranë. Në pak kohë që Ndueja qëndroi në drejtimin e saj, kjo ekonomi shënon një rritje të ndjeshme prodhimi e të ardhurave për ditë pune, duke u bërë një nga ekonomitë më të përparuara në rrethin e Tiranës e në shkallë vendi. Por krahas përkushtimit në punë, banorët e Kasharit e kujtojnë edhe sot kryetarin e tyre si një njeri human, ku falë këmbënguljes së tij, shumë familjeve vendëse, të cilësuara si “kulakë”, u hiqet kjo njollë e nis trajtimi si për të gjitha familjet e tjera. Rezultatet e mira në punë e aftësitë organizuese e sjellin Nduen në komitetin e Partisë të Rajonit Nr. 4 të kryeqytetit, fillimisht si sekretar i dytë, më pas si sekretar i Parë i Komitetit të Partisë. Shpejt Hysni Kapo e ka vënë në shënjestër, dhe Ndue Marashi emërohet kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, duke qenë njëkohësisht dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë.
    Përplasja e parë me udhëheqjen
    Viti 1974, viti që në Shqipërinë e shekullit të kaluar mbahet mend si viti i goditjes së “puçistëve” në ushtri e sektorë të tjerë të vendit, do të jetë njëkohësisht dhe viti i vënies në “shënjestër” të Ndue Marashit, të cilësuarit ndër kuadrot më të rinj e më të talentuar të partisë për kohën, deri në shpalljen “armik” dhe zhdukjen fizike. Në këto vite të vështira për vendin, direktiva e partisë dhe shtetit të kohës, si ndër detyrat parësore kishte direktivën e prodhimit të bukës në vend. Ndueja, si kryetar i komitetit të Tiranës, ishte përgjegjësi kryesor për sigurimin e bukës për qytetin e fshatrat e kryeqytetit, ndërkohë që Manush Myftiu, si sekretar i Parë i Tiranës, sipas udhëzimeve, ndiqte po nga afër e raportonte shifrat e realizimit të kësaj detyre, duke raportuar deri tek Enver Hoxha. Në Plenumin e partisë së vitit 1975, për shkak të treguesve të ndryshëm (partia nga njëra anë dhe pushteti nga ana tjetër), sjell përplasjen e parë publike të Ndues me Manush Myftiun, në prezencë dhe të Enver Hoxhës. Raportimi i Manushit në plenum se është realizuar prodhimi i bukës nga vetë ekonomitë, se në “kooperativën e Shëngjergjit janë prodhuar mbi 40 kuintalë grurë për hektarë”, janë kundërshtuar prerë nga kryetari i Komitetit Ekzekutiv Ndue Marashi. Ai ndërhyn: ”Nuk janë të sakta këto shifra që sjell Komiteti i Partisë. Në Shëngjergj nuk prodhohet 40 kuintalë për hektar, por as gjysma; mund të jepni çfarëdo shifre, por unë nuk mund të gënjej partinë dhe shokun Enver!”. Ndërhyrjes së Manushit se “po të skuqet faqja nga gënjeshtra”, Ndueja i përgjigjet: ”Unë jam i ndershëm, nuk gënjej!”.
    Vetëm ndërhyrja e Enver Hoxhës, ka bërë që situata të “zbutet”, por vetëm përkohësisht. .
    (Vijon )




    30/04/2006
    KATEGORIA: Dossier.Shekulli
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Çfarë i tha Enver Hoxha Marashit pas incidentit me Manush Myftiun!”

    Çfarë i tha Enver Hoxha Marashit pas incidentit me Manush Myftiun!”


    Kujtim Boriçi

    Në këtë numër në vazhdim,nëpërmjet dëshmive e dokumenteve të kohës, sillen për lexuesit përplasjet e Ndue Marashit,ish-kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës me udhëheqjen e kohës,thirrja nga Enver Hoxha pas incidentit me Manush Myftiun,rëndimi i situatës pas ”helmimit”të lopëve të Baldushkut(një akuzë e re për Marashin),si dhe buletini për përdorim të brendshëm,i hequr shpejt nga qarkullimi, me një “mal” akuzash për nr. 1 të kryeqytetit .
    Nesër do të lexoni:- Urdhëri i Enver Hoxhës:”Të shikohet veprimtaria armiqësore e Ndue Marashit!”
    - Çfarë ndodhi në darkën e pritjes së Sihanukut, kërcënimi i Mehmet Shehut për Ndue Marashin:“Kemi pak punë me ty!”,mendimi i këtij të fundit për të vrarë Mehmetin dhe shkaku i ndryshimit të këtij mendimi.

    Incidenti me Manush Myftiun

    Konflikti i kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranë me Manush Myftiun në plenum rreth shifrave fiktive të sigurimit të bukës në vend,atë mesviti 1975, shumë shpejt do të pasohej me ngjarje e incidente të tjera që do të përgatisnin ngjarjen e rëndë të 16 dhjetorit të atij viti.Pikërisht tre ditë pas incidentit, tregon për gazetën Zef Marashi, i vëllai,Ndueja, thirret në një takim urgjent nga Enver Hoxha,që kishte qenë vetë i pranishëm në përplasjen e dy drejtuesve të Tiranës në këtë plenum.
    Takimi i Ndue Marashit me Enver Hoxhën
    Incidentin në plenum me Manush Myftiun, tregon për gazetën Zefi, vëllai i ish-kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, solli një shqetësim jo vetëm për Nduen, por dhe për ne të tjerët, veçanërisht babanë e moshuar. “Birë, ke marrë punë të vështirë mbi supe, por ji i ndershëm e i drejtë, mos ki frikë, kurrë mos të gënjesh”, -tregon më tej Zefi fjalët e të atit.Ishte pasdite, kujton më tej Zefi, kur Nduen e marrin në telefon dhe i thonë të bëhet gati se e kërkon në një takim Enver Hoxha. Njëkohësisht,urdhri ishte që ai (Ndueja) të priste në shtëpi se do të vinte ta merrte një makinë e Komitetit Qendror. Kështu bëhet.”Rrinim në ankth, nuk dinim se çfarë i kishte thënë Enveri vëllait, ishte një periudhë e vështirë atë kohë e çdo gjë mund të ndodhte; por kur erdhi Ndueja, ishte i qeshur, optimist e më i vendosur porsa kishte bërë, ishte optimist për të ardhmen”,-kujton Zefi. Një pjese e bisedës së Ndues me Enverin, transmetuar në kthim, jo vetëm që ruhet me fanatizëm nga familjarët, bashkëshortja e tij, Françeska,djali i madh,Xhovalini,por edhe në ato pak fletë ditari që kanë mundur t’i rezistojnë kohës.
    Pas bisedës mes tyre, Enveri i ka thënë Ndues:”Ti, Ndue, vazhdo, se je në rregull, i kemi gjetur njeriun e duhur Tiranës,le të kenë të tjerët xhelozi, vazhdo kështu punën!
    Sipas Zefit,jo shumë vonë këto thënie Enveri, që e kishte mik të hershëm e të bindur Manush Myftiun, kishin misionin e vënies në “gjumë”. Se ditët e javët në vazhdim do të sillnin tragjedinë, shpalljen e tij “armik” dhe internimin e familjes së Ndues.
    Buletini me akuzat e partisë për Marashin
    Partia e kishte vënë në “shënjestër” kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të Tiranës dhe “bomba”e radhës nuk vonon. Pak javë nuk kishin kaluar ende nga takimi i Ndue Marashit me Enver Hoxhën,kur Komiteti Qendror shpërndan një buletin me siglën ”Për përdorim të brendshëm në parti”,ku ndaj kryetarit të pushtetit në Tiranë renditeshin një “mal” me akuza. Në këtë buletin që u punua vetëm në një pjesë të organizatave bazë të partisë, pasi një urdhër nga lart e tërhoqi këtë material,Ndue Marashi cilësohej “njeri i drekave e darkave”,sillet si qehaja i Tiranës,“është imoral” etj. Tashmë, edhe pse një urdhër misterioz bëri grumbullimin e buletinit pa “shëtitur” ende në të gjitha organizatat e partisë,gjithçka bëhej e qartë për fatin e Marashit. Familjarët,e rikthyer përkohësisht pas 16 vjetëve nga emigrimi në Belgjikë, tregojnë se në atë kohë po shiheshin me një sy ndryshe, njerëzit u kthenin rrugë, por kishte dhe njerëz të mirë që u gjendën pranë në këtë situatë të vështirë.“Një çift fqinjësh të dikurshëm që kishim kur banonim në Laprakë, mësues të dy, pa shtëpi, i kishin shkuar Ndues ato ditë në zyrë për hallin që kishin e ky u kishte thënë se u takonte e ishin në radhë për të marrë,e se ai nuk po u bënte nder”, -tregon Zefi.Por fqinja, një njeri i mirë që ishte dhe e njohur me familjen e Kadri Hazbiut, tregon Zefi,e ndalon një ditë dhe i transmeton fjalët e tij se “Ndueja nuk e ka të gjatë”. ”Ne u shqetësuam, por Ndueja nuk e dha veten, duke thënë se janë fjalë rrugësh”,-kujton Zefi, i vëllai. Po ato ditë, një me mbiemër Dauti, fis i Kadri Hazbiut e oficer drejtues në Ministrinë e Brendshme, nëpërmjet një telefonate në shtëpi, tregon Zefi,“teston” Nduen.I kërkon t’i japë zgjerim familjes së tij (kishte dy dhoma e një kuzhinë,donte një dhomë më tepër).Ndueje,po nëpërmjet telefonit,në prezencë të familjarëve i kthen përgjigjen: ”Pa marrë shtëpi ata që banojnë në katin e parë të Shallvareve,as ti e asnjë tjetër nuk mund të marrë shtëpi, se nuk i takon!”
    Ngordhja e lopëve në Baldushk, tjetër akuzë për Marashin
    Ngjarje e reja atë fundviti të 1975-ës do të sillnin akuza të tjera e përgjegjësi për kreun e ekzekutivit të Tiranës. Në Baldushk ngordhin mbi 100 krerë lopë, dhe akuza e partisë ishte se i kanë helmuar “armiqtë e partisë e të popullit”. Në akuzë direkte e në pranga vihen edhe disa njerëz të thjeshtë, ndërsa partia kërkon përgjegjësinë e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, Ndue Marshi, formulon akuzën tjetër, atë të “përgjegjësisë për këtë punë armiqësore!”. “Jo vetëm unë, por shumë të tjerë, edhe pse kanë kaluar mbi 30 vjet, ende nuk e di të vërtetën për ngordhjen e lopëve,pasi specialistë thonë se dëmi u shkaktua nga ngrënia e jonxhës së spërkatur me kimikate e herbicide të kohës”,-kujton Zefi.Bile, sipas tij, tashmë njerëz që u dënuan për atë “sabotim”e “punë armiqësore”,kanë hapur gjyqe, kanë fituar pafajësi ose janë në kërkim të saj. Por kjo ngjarje e radhës atë kohë nuk do të ndryshonte gjë në fatin e paralajmëruar të Ndue Marashit.




    01/05/2006
    KATEGORIA: Dossier
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  3. #3
    kill your idol Maska e Pedro
    Anëtarësuar
    15-01-2003
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    410
    Ne shtypin shqiptar prej shume vitesh eshte ushqyer nje trend i rrezikshem per shoqerine shqiptare, aspak i ndershem dhe aq me pak fisnik. Behet fjale per rubriken e ashtuquajtur "Dossier". Te gjitha gazetat, me emer apo pa emer, e kane tashme nje rubrike te tille, e cila vazhdon te na hapi barkun, me historite, qe na sjellin, gjoja me motivin per te na "zbardhur" te vertetat. Deri ketu nuk do te kishte ndonje gje te keqe, nqs zbardhja e te vertetave do te ishte qellimi i vertete i kesaj rubrike. Por qellimi i vertete i gazetes dihet qe eshte shitja e gazetes dhe kjo arrihet fare mire kur perzien shume mire enigmen me fantazine dhe nostalgjine e njerezve. Ne te gjitha shkrimet vihet re vend e pavend nje lloj fryme simpatizimi me viktimat dhe "viktimat", aq sa sot nuk po kuptohet me se cilet ishin viktimat dhe cilet ishin "viktimat". Absurditeti arrin deri aty saqe ne disa gazeta edhe Kadri Hazbiu edhe Mehmet Shehu na shfaqen si disa viktima te pafajshme te rregjimit te urryer komunist, duke mos llogaritur qe keta ishin bijte e asaj kucedre, e cila ne fund i hengri, sepse dihet qe kucedra ha edhe bijte e saj. Keshtu qe me duket normale dhe aspak e habitshme bijte e kucedres pasi hodhen sa hodhen te pafajshem ne gojen e saj, ne fund perfunduan vete aty ku e meritonin ata dhe jo te pafajshmit e vertete. Thote populli: kush fle me qen, do te gdhihet me pleshta.
    Pse them ne fillim, qe ky trend eshte i rrezikshem?
    Sepse nepermjet ketij lloj simpatizimi me "viktimat", te imponuar prej shtypit te shkruar ndaj njerezve, zhduket de fakto gardhi, qe ndan viktimat e verteta te xhelateve komuniste nga "viktimat", qe dikur ishin vete xhelate.
    Ndoshta e gjitha perdoret qellimisht, per tu shpelare trurin njerezise dhe per tu imponuar si te vertete thenien e ish sekretarit te Partise dhe so t kryetarin demokrat qe gjoja: "te gjithe jemi bashkevuajtes dhe bashkefajtore".
    Jo, zoterinj! Te gjithe jemi pjeserisht bashkevuajtes, por kurrsesi jemi te gjithe bashkefajtor!
    Lista nr5

    6 kanatjere
    6 mbathje
    6 shami

    prej kohesh ka vene studjuesit ne mendime,per arsye te mungeses totale te corapeve

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379
    Pedro,

    me mire s'mund te thuhet,
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Partia e cilëson Ndue Marashin armik

    Enverit:“Të shikohet veprimtaria armiqësore e Ndue Marashit!”

    Partia e cilëson Ndue Marashin armik


    Kujtim Boriçi

    Në këtë numër, nëpërmjet dokumenteve të kohës dhe denoncimit të familjarëve të Ndue Marashit, ish-kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranë në vitet 1972-1975,sillen për lexuesin dëshmi rreth cilësimin e tij “armik” nga Enver Hoxha,një incident i rëndë e kërcënim nga Mehmet Shehu në pritjen e shtruar për Norodom Sihanukun,atentati ndaj bashkëshortes, Françeska 4 ditë para se të vetëvritej (familjarët akuzojnë shtetin për vrasje) në banesën e tij kreu i Ekzekutivit të kryeqytetit shqiptar.

    Nesër do të lexoni:
    - Rrethanat e vrasjes së Ndue Marashit më 16 dhjetor 1975,brenda banesë së tij,pak para se të nisej familjarisht për pushime.
    - Misteri i zhdukjes së dy personave të hipur mbi një motor dhe denoncimi në çast i familjarëve: ”Nduen e kanë vrarë!”
    - Detyrimi i gruas,fëmijëve e vëllait që të firmosin një deklaratë se “Ndueja ka vrarë veten!”


    “Mali” me akuza në buletinin për përdorim të brendshëm në parti,ku kryetari i Komitetit Ekzekutiv të kryeqytetit cilësohej “qehaja i Tiranës” e “imoral”, pasuar me ngjarjen e rëndë të ngordhjes së 100 lopëve në kooperativën bujqësore të Baldushkut, shënuan shpalljen e një lufte të hapur të udhëheqjes,Enverit,Mehmetit,Kadri Hazbiut e të tjerëve ndaj Ndue Marashit. Kjo luftë që nis me shpalljen “armik” të Marashit,shoqërohet në një afat kohor tepër të shkurtër me një numër të madh provokimesh e incidentesh. ”Megjithëse babai,për vetë karakterin që kishte nuk e jepte veten,na shprehte bindjen se ai ishte me të drejtën se kjo situatë do të kalonte shpejt. Ato ditë që çuan deri në ndarjen nga jeta të babait,kanë qenë e mbeten nga më të rëndat për familjen tonë”,-tregon për gazetën Xhovalin Marashi,i biri i Ndues, i sapokthyer pas 16 vjetësh nga emigrimi në Belgjikë.
    Enveri urdhëron verifikimin e veprimtarisë “armiqësore” të Marashit
    Sipas dokumenteve të kohës,menjëherë pas ngordhjes së lopëve në Baldushk, në një nga ekonomitë bujqësore në vartësi të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, arrestohen disa persona nën cilësimin “sabotatorë dhe armiq”, ku më vonë tre prej tyre do të merrnin dënimin kapital nga drejtësia e kohës. Ndërkohë, siç akuzojnë familjarët, nomenklatura më e lartë shtetërore partiake po përgatiste goditjen përfundimtare ndaj Ndue Marashit.
    “Pas disa ditësh Ndueja dhe ne do të mësonim se në një mbledhje që kishin bërë drejtuesit më të lartë të partisë,nën drejtimin Enverit, ishte bërë cilësimi i kryetarit të Tiranës “armik” dhe u dha porosia të verifikohej plotësisht veprimtaria e tij “armiqësore” e të nxirrej para përgjegjësisë. Enveri porositi: ”Të shikohet veprimtaria armiqësore e këtij kryetari!”,si dhe atentati pa autor ndaj bashkëshortes së tij, Françeska,4 ditë para se të vetëvritej Marashi, fakt që familjarët e denoncuan vrasje të qëllimshme nga shteti i kohës.

    Mehmeti kërcënon: ”Kemi pak punë me ty!”Ato ditë të vështira, po me bekimin e udhëheqjes së lartë,ndaj Ndues u iniciua një luftë letrash anonime nga baza,me trillime, akuza pa asnjë bazë, gjë për të cilat kishte dijeni të plotë edhe Manush Myftiu, Kadri Hazbiu, Zef Loka, që i akuzoj ndër pjesëmarrësit e vrasjes së burrit tim etj”, -pohon në denoncimin e saj Françeska Marashi,bashkëshortja e Ndues, gjysmë e paralizuar.Nuk vonon një kërcënim e fyerje e rëndë e Mehmet Shehut. Kishte ardhur për vizitë në Shqipëri Sihanuku, e në darkën e shtruar për nder të tij,krahas Mehmet Shehut,Kadri Hazbiut e anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike, ishte dhe kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës,Ndue Marashi. Në denoncimin e Françeskës,për këtë incident thuhet:”Me ardhjen e Sihanukut në Shqipëri,në një pritje koktej me qeveritarët e atëhershëm, Mehmet Shehu lëvizi duke takuar gotën e pijes me të gjithë,e kur erdhi momenti i përballjes së tij me bashkëshortin tim, Nduen, ai i drejtohet gjithë inat: ”Kemi pak punë me ty!”, e largohet po me atë shikim të egër”.
    Pak ditë më pas, në zbatim të skenarit, Ndueja, sipas dëshmive të kohës dhe akuzës së familjarëve, vihet përballë provokimeve e fyerjeve të rënda të radhës. Në një prej tyre, sipas burimeve të mësipërme, është dhe mbledhja e sekretarëve të Komitetit të Partisë të Tiranës, ku merrte pjesë dhe Manush Myftiu, Ruhi Sheqi etj., ditë në të cilën Ndueja, për pak sa nuk është bërë autor i një krimi me disa viktima. Bashkëshortja e tij, Françeska, për këtë ngjarje denoncon: ”Bashkëshorti më erdhi atë ditë në shtëpi shumë i mërzitur dhe më tha se në një moment kishte menduar për mua, për dy djemtë; njërin 15 e tjetrin 17 vjeç, për nënën, për vëllanë dhe motrën, se unë (Ndueja) sot, do t’i kisha vrarë të katër sekretarët e komitetit të Partisë!”
    Atentati ndaj bashkëshortes, paralajmërim për asgjësimin e Ndues
    Sipas dokumenteve zyrtare të kohës, katër ditë para se policia të mbante procesverbalin për “vetëvrasjen brenda në banesën e tij” të Ndue Marashit, regjistrohet një atentat i rëndë për kohën ndaj Françeskës, bashkëshortes së tij, që çuditërisht mbeti pa autor (!!). Vetëm fati e shpëtoi këtë grua nga vdekja. Për këtë ngjarje Françeska denoncon: ”Katër ditë para vrasjes së tij, pikërisht në datën 12 dhjetor 1975, ditën e premte, duke dalë nga çerdhja ku punoja, në orën 19.00 të darkës, në mënyrë të papritur më goditën në kokë para godinës së magazinës së fruta-perimeve, në ish-rrugën “Marsel Kashen”, dhe unë rashë në tokë pa ndjenja. Nuk mbaj mend se ç’ndodhi pas goditjes, se u përmenda në spital. Vjen më vonë në shtëpi drejtori i Drejtorisë së Brendshme në ministri, për të gjetur personin, por bashkëshorti im, Ndue Marashi, që kishte kuptuar gjithçka, me gjakftohtësi u thotë se nuk është nevoja. Në denoncimin saj, Françeska thotë se pas ikjes së drejtorit, Ndueja i është drejtuar asaj me fjalët: ”Nuk e kanë me ty, ky është një paralajmërim për mua!”.



    02/05/2006
    KATEGORIA: Dossier
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Krimi i (vetë)vrasjes në banesën e Ndue Marashit

    Krimi i (vetë)vrasjes në banesën e Ndue Marashit

    Kujtim Boriçi

    Ekskluzive/Në këtë numër, nëpërmjet dokumenteve të kohës dhe dëshmive të familjarëve të Ndue Marashit, ish-kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, sillen dëshmitë e krimit makabër, të ndodhur rreth orës 11.00, të datës 16 dhjetor 1975, ku sipas komunikatës zyrtare, Ndue Marashi, i saposhpallur “armik” nga partia, “Vetëvritet me një plumb pistolete në kokë”, ndërsa, sipas familjarëve e fqinjëve, dyshohet për një vrasje të paralajmëruar dhe parapërgatitur.
    Dokumenti

    “Ndue Marashi vrau veten”

    Sipas procesverbalit të mbajtur nga policia dhe ekspertët e hetimit mesditën e 16 dhjetorit 1975, thuhet se Ndue Marashi, në orën 11.00 të asaj dite ka vrarë veten me një plumb të vetëm në ballë me pistoletën e tij të punës. Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, në orën 10. 00 të datës 16 dhjetor 1975, pasi ka lënë detyrat në zyrë, kthehet në shtëpi, ku do të nisej rreth mesditës familjarisht me pushime në Vlorë. Shkaku i ikjes me pushime ishte gjendja jo e mirë shëndetësore e bashkëshortes së tij, Françeska Marashi, goditur me synim vdekjen, nga persona ende të panjohur, katër ditë më parë, mbrëmjen e së premtes, teksa po largohej nga puna. Në orën 11.00, siç thuhet në procesverbalin e mbajtur atë kohë nga policia dhe nga denoncimi i fqinjëve, në dhomën e tij dëgjohet një krismë e vetme arme. Pastruesja e shtëpisë, ato momente ishte larguar (?!) për të blerë bukë, ndërsa fqinjët, pas krismës së vetme të armës (goditje në ballë) që ka lënë të pajetë Nduen, pohojnë se kanë parë pranë derës dy persona që janë larguar menjëherë me një motor. Disa ditë më parë, nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe në një broshurë të Komitetit Qendror të Partisë, Ndueja akuzohej për veprimtari armiqësore (ngordhja e 100 lopëve në Baldushk të Tiranës), si “beu i fshatrave të Tiranës” dhe si feminist. Zyrtarisht u tha se Ndue Marashi ka vrarë veten. Por bashkëshortja, i vëllai dhe dy fëmijët, që në moment akuzuan se e kanë vrarë. Prej 30 vjetësh ata kërkojnë të drejtën, duke akuzuar për këtë vrasje të organizuar Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun, por nuk kanë marrë përgjigje as nga drejtësia dhe as nga shtetarët e kësaj periudhe. Ikur familjarisht në Belgjikë, me eksodin e ambasadave më 2 korrik 1990, të rikthyer përsëri në Shqipëri, familjarët përsërisin akuzën dhe kërkojnë zbardhjen e së vërtetës.


    Nesër do të lexoni:
    -Pohimet e fqinjëve për Marashajt dhe dyshimet e tyre për versionin zyrtar të “vetëvrasjes” së tij.
    - Çfarë ka denoncuar pastruesja rreth mëngjesit të ditës së krimit makabër.
    - Urdhri i udhëheqjes për internimin e familjes së “armikut” Ndue Marashi.

    (Vijon nga numri i kaluar)


    Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, Ndue Marashi, sapo ishte kthyer nga puna në shtëpi atë mëngjes dhjetori 1975, për t’u nisur me pushime familjarisht në Vlorë, ndërsa bashkëshortja kishte dalë në treg, ku mes të tjerave do të blinte cigare për të shoqin për ditët që do të ishin me pushime. Por një krismë misterioze dhe e vetme, në një nga dhomat e banesë së Marashajve, sjell tragjedinë e bujshme. “Nuk donin të na linin të futeshim në shtëpi pas krimit, por u futëm pothuaj me forcë, na thanë se ka vrarë veten, por në sy u thashë se ma vranë Marashin!” - denoncon Françeska Marashi, bashkëshortja e ish-kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, tashmë prej 16 vjetësh emigrante në Belgjikë.
    (Vetë)vrasja e Ndue Marashit
    Fqinjët, që kanë dëgjuar krismën e vetme te shtëpia e Marashajve, si dhe familjarët që janë afruar për te banesa pak çaste më pas, pohojnë se në hyrje kanë parë dy persona që janë larguar me shpejtësi të hipur mbi një motor, fakt që e kanë përdorur atëherë dhe më pas në denoncimet e tyre, si një nga momentet që forcon dyshimin për një vrasje të parapërgatitur. Ai moment që pashë se ma vranë burrin, -pohon për gazetën Françeska,-ka mbetur i pashlyeshëm në kujtesën time, se bashku me fytyrat e që na penguan te dera, thinjet e tyre “vrau veten”, si dhe kërcënimin ndaj meje, kur mes lotëve u thashë se “Ma vratë Marashin!” Momentet e këtij krimi makabër jepen në denoncimin bashkëshortes Françeska, e cila, nëpërmjet tyre, nuk ka reshtur prej dekadash për të mësuar të vërtetën. Mes të tjerave, në këtë denoncim ajo pohon: ”Më 16 dhjetor 1975, deri në orën 08. 00 të mëngjesit isha në shtëpi, dhe megjithëse isha e sëmurë nga goditjet banditeske që desh më morën jetën katër ditë më parë, shkova deri në punë të bëja inventarizimin e materialeve, siç bëhej çdo fund viti. Do ta mbaroja shpejt këtë punë, do të kthehesha në shtëpi ku më priste Marashi, ku së bashku me fëmijët do të shkonim së bashku për disa ditë pushime, pasi fëmijët kishin pushimet e shkollës. Kur u nisa, bashkëshorti më tha që të kthehesha shpejt, e në kthim të blija një sasi të konsiderueshme cigaresh, të cilat ai do t’i pinte ditët e pushimeve. Ato cigare, atë momente kur e pashë se ma kishin vrarë, ia vura Ndues pranë, pastaj ia futa në arkivol. Dyshoj te punëtorja se ajo ka dijeni për këtë vrasje të burrit tim, për faktin se pas largimit tim nga shtëpia, kur nëna e tij (Ndues) ka ardhur ta takojë para se ne të iknim me pushime, ajo (punëtorja) i ka thënë se “Ndueja po fle dhe se e ka porositur që të mos e zgjojnë nga gjumi”, e nënë, si nënë, është larguar”.
    “Pas largimit të nënës, -vazhdon në denoncimin saj Françeska, -në shtëpi ka ardhur edhe motra e Ndues, të cilës pastruesja i ka thënë të njëjtën gjë.
    Përballja me Feçor Shehun
    Ndër personat e parë që e kanë pritur “me këmbët e para” në banesë Françeskën, siç thotë ajo, ka qenë Feçorr Shehu e Nesret Dauti. Ata i kanë komunikuar se “Ndueja ka vrarë veten!”, dhe me pas i kanë thënë që të qepë gojën, të mos përhapë fjalë të pavërteta, kur ajo ka akuzuar shtetin dhe ish-shokët e tij në udhëheqje se i vranë burrin. “Për gjithçka, që nga akuzat, letrat anonime, provokimet e shumta që nisën pasivisht pas përplasjes së Nduesh me Manush Myftiun, kishte dijeni të plotë Kadri Hazbiu, Mehmet Shehu, e të tjerë, të cilët përgatitën dhe me të tjerë fatin e burrit tim”, -denoncon Françeska. Më pas shton se që prej 31 vjetësh ka denoncuar e ka shpresuar të gjendet e vërteta, sidomos në këto vite të demokracisë, por me gjithë përpjekjet, heshtja vazhdon.
    Françeska dhe i biri:”Ja pse dyshojmë dhe akuzojmë!”
    Që në momentin kur u futëm pothuaj me forcë në shtëpi, pohojnë Françeska dhe i biri i saj, Xhovalini, atëherë 17-vjeçar, ne akuzuam për vrasjen e përgatitur ndaj Ndues, denoncuam edhe në hetuesi, ndonëse na ushtruan terror e na kërcënuar që të mos përhapnim fjalë të pavërteta se “Nduen e kanë vrarë!”, e të firmosnim letrat që na afronin të thoshim se Ndueja ka vrarë veten.
    Ndër argumentet e tyre, në favor të akuzave se “Nduen e kanë vrarë”, familjarët kanë shtruar atëherë e tani më me forcë disa si; Pse punëtorja e shërbimit i ka thënë nënës e motrës së Ndues që ai nuk donte ta zgjonin nga “gjumi”, në prag të ikjes dy javë me pushime, gjë të cilën ai nuk e kishte bërë asnjëherë, kjo vetëm për familjarë, por dhe për shokë e miq? Kush ishte ajo grua me pallto të kuqe që djali i vogël e gjeti në banesë brenda (i pari që pa Nduen të vrarë) dhe më pas iku me vrap nga dera dhe u zhduk? Si u gjend ato momente punëtorja e shtëpisë për të blerë bukë, ndërkohë që familjarët ishin përzënë me thënien “Ndueja po fle gjumë. . , nuk do të takoj njeri? Kush ishin dy personat që janë larguar me shpejtësi mbi një motor, pak momente të dëgjimit të krismës makabër?
    (vijon)


    03/05/2006
    KATEGORIA: Dossier
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Mehmet Shehu urdhëron internimin e familjes së “armikut” Ndue Marashi

    Mehmet Shehu urdhëron internimin e familjes së “armikut” Ndue Marashi


    Kujtim Boriçi

    Në këtë numër, nëpërmjet dokumenteve të kohës, pohimeve të familjarëve, deklaratave të pastrueses së shtëpisë e fqinjëve, sillen momentet pas (vetë)vrasjes më 16 dhjetor 1975 të Ndue Marashit, ish-kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, ricilësimi “armik i klasës” si dhe urdhri i Mehmet Shehut më 27 dhjetor, për internimin e familjes së “armikut” Ndue Marashi.

    Dokumenti
    Sipas dokumenteve të kohës, pas cilësimit të krimit në banesën e Ndue Marshit zyrtarisht si “Vetëvrasje”, nis në organizatat e partisë dhe ata të masave sqarimi i veprimtarisë armiqësore të ish-kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës dhe lufta që duhej bërë për eliminimin e pasojave të kësaj veprimtarie. Flamurin e këtij denoncimi, sipas dokumenteve të kohës, e merr Mehmet Shehu, kryeministri i vendit. Dy ditë pas (vetë)vrasjes së Marashit, përkatësisht më 18 dhjetor 1975, Mehmet Shehu e cilëson “armik të klasës” dhe dënon aktin e “Bajraktarit të fshatrave të Tiranës”. Ndërsa pas analizave të shpejta në parti, në datën 27 dhjetor 1975, tri ditë para ndërrimit të viteve, familja e “armikut” Ndue Marashi, pas urdhrit të ardhur nga Kryeministria, internohet në një fshat të Tiranës.

    Nesër do të lexoni;
    -Një përplasje tjetër e Marashajve me Manush Myftiun gjatë kohës së internimit në Tapizë të Krujës
    - Kalvari i mundimshëm në 16 vitet e internimit, si u futën familjarisht në ambasada dhe emigrimi në Belgjikë.
    -Takimi me Sali Berishën (kur ishte lider i opozitës), biseda me të dhe përpjekjet 15- vjeçare për të zbardhur të vërtetën e vrasjes së Ndue Marashit.


    27 dhjetor 1975

    Në momentin që bashkëshortja e Ndue Marashit është futur në shtëpi mes rrethit të policëve, mesditën e 16 dhjetorit 1975 dhe ka lëshuar akuzën “Ma vratë burrin!”, ndaj saj e familjarëve kanë nisur kërcënimet dhe presionet për të pranuar “vetëvrasjen”. “Të parët që ndesha në hyrje të banesës ishin z. Loka e N. Dauti, të cilët, pasi më thanë se Ndueja ka vrarë veten, më shtuan dhe se ai është cilësuar armik”, -pohon në denoncimin e saj bashkëshortja Françeska. Pas dy ditësh, Mehmet Shehu, ish-kryeministër i vendit, shpall zyrtarisht vetëvrasjen e “Bajraktarit të fshatrave të Tiranës”, dhe cilësimin “armik të klasës!”. Pas pak ditësh, një automjet mallrash, merr me urgjencë familjarët e “armikut Marashi” dhe i dërgon në internim.
    Pastruesja: “Ishte vrasje e dyshimtë!”
    Një nga dëshmitarët e rëndësishëm që mund të hedhë dritë mbi të vërtetën e tragjedisë së 16 dhjetorit 1975 në shtëpinë e ish-kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, për familjarët e viktimës ka qenë dhe mbetet pastruesja e ngarkuar nga qeveria për shërbime në shtëpinë e Marashajve. Kjo pastruese, sipas pohimeve të mësipërme, është i njëjti person që ka punuar dhe në shtëpitë e Beqir Ballukut, Kadri Hazbiut etj. ”Punëtorja e shërbimit duhet të dijë shumë gjëra rreth kësaj ngjarjeje të hidhur, por ka frikë t’i thotë dhe jo se nuk do që të dalë e vërteta”, -denoncon Françeska Marashi. Për punëtoren e shtëpisë së Marashajve atë kohë, sipas deklaratës që ajo ka nënshkruar për këtë ngjarje, ”Kjo mënyrë vrasjeje lë shumë për të dyshuar!”. Në deklarimin e H. Lamit, punëtores së dikurshme të Marashajve, bërë më 19.04.1966, pasi evidentohet respekti i madh për Ndue Marshin e familjen e tij dhe konfirmohet qenia e saj për të blerë bukë në momentin e krimit, evidentohen disa momente shqetësimi në këtë familje që nga momenti i dhunës ndaj Françeskës e deri në çastet para vrasjes së Marashit. ”Vetë Ndueja ka qenë i qetë dhe shumë i rregullt në familje, por e shqetësonte shëndeti i gruas që ishte goditur me levë në kokë nga të panjohur, 4-5 ditë para se të ndodhte vrasja. Ishte ky shkaku që atë mesditë, familja do të nisej për pushime”, -pohon punëtorja e Marashajve.
    Fqinjët:”Dyshuam, por kishim frikë të flisnim!”Në përpjekje për të gjetur të vërtetën për familjarët Marashi që këmbëngulin në një vrasje të parapërgatitur të Ndues dhe jo në versionin zyrtar të kohës, atë të vetëvrasjes, shpresojnë dhe te dëshmitë e fqinjëve të tyre. Një prej Fqinjëve, R. Delvina, sjell në dëshminë e tij prezencën e dy personave që u zhduken mbi një motor pas krismës në shtëpinë e Marshajve, por dhe porosinë e nënës së tij pak çaste më pas: ”Bir, rri ti, kam frikë të flas se i kam frikë se i bëjnë të keqe familjes sonë!” Për fqinjin tjetër, M. Manen, që për regjimin kohës më tepër kishin vlerë kafshët se njerëzit, Nduen, me provokimet, ngordhje e lopëve të Baldushkut “Në mos e vranë, e detyruan të vetëvritej!. Ndërsa në deklarimet e fqinjit tjetër M. Qefalia, midis të tjerave thuhet: “Për mua, që e njoha Nduen e familjen e tij, për situatën e atyre ditëve dhe atij mëngjesi, vrasja ka qenë dhe mbetet e dyshimtë, ndaj duhet të dalë e vërteta.
    Mehmet Shehu urdhëron internimin e Marashajve
    Vetëm gjatë dy ditëve të para të vrasjes së Ndue Marshit, bashkëshortja e tij, Françeska, vëllai Zefi dhe dy djemtë e çiftit Marashi që kishin kundërshtuar versionin e zyrtarëve për vetëvrasje, thirren mbi 4-5 herë në hetuesi e polici. Qëllimi i këtij presioni e kërcënimi, sipas Françeskës, ishte që ata (familjarët) të mos përhapnin të pavërteta se “Nduen e kanë vrarë”, por të kishin bindjen në atë që thoshte partia, se ai, si “armik”, kishte kryer aktin e rëndë e të dënueshëm, atë të vetëvrasjes.
    Sipas dokumenteve të kohës, dy ditë pas krimit, përkatësisht më 17 dhjetor 1975, ishte Mehmet Shehu, kryeministër i vendit, që pas analizave të shpejta në parti, do të pohonte publikisht se “Bajraktari i fshatrave të Tiranës, është vetëvrarë!” dhe se ai është “armik i klasës!” Ndërsa në prag të ndërrimit të viteve, më 27 dhjetor të po këtij viti, familja e Marashajve internohet në fshatin Tapizë të Krujës, ku qëndruan 16 vjet deri në nisje të proceseve demokratike, kohë në të cilën morën rrugën e emigrimit në Belgjikë.


    04/05/2006
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Sali Berisha:”Ndue Marashin e morën në qafë!”

    16 vjet internim, 31 vjet vrasje e pazbardhur

    Sali Berisha:”Ndue Marashin e morën në qafë!”


    Kujtim Boriçi

    Në këtë numër të gazetës, nëpërmjet dokumenteve të kohës dhe dëshmive të familjarëve të Ndue Marashit, shpallur “armik” pas (vetë)vrasjes më 1975-ën, sillen momente nga internimi (dëbimi) 16-vjeçar i kësaj familje në Tapizë të Krujës, një incident me Manush Myftiun, futja më 2 korrik 1990 në ambasada, mërgimi i gjatë, takimi me liderin e opozitës së atëhershme, Sali Berisha, për zbardhjen e së vërtetës dhe hapat në proces për te misteret e krimit të 31 vjetëve më parë.

    (vijon nga numri i kaluar)
    Pasditja e 27 dhjetorit 1975, pas një udhëtimi në një kamion mallrash, e gjen familjen Marashi në internim në Tapizë të Krujës. ”Dua të saktësoj një gjë. Familja jonë, ajo e vëllait, imja dhe njerëzit e afërt, si njerëz të trungut të Ndues që u shpall armik, na dërguan në Tapizë jo për internim (se ata që mbushnin 5 vjet e silleshin mirë riktheheshin prapë), por me masë dëbimi, pa të drejtën e rikthimit në shtëpitë tona në Tiranë”, -pohon për gazetën Zef Marashi, vëllai i Ndue Marshit. Vetëm ardhja e viteve të demokracisë që nisi me futjen në ambasadat e huaja, i jep fund këtij kalvari fizik e shpirtëror të Marashajve.
    Incidenti me Manush Myftiun
    Si të dëbuar që ishim, -kujton mes të tjerave Françeska, bashkëshortja e ish-kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, ato vite në Tapizë kanë qenë për ne një ferr i vërtetë, jo vetëm fizik, por dhe psikologjik, pasi nuk na afroheshin njerëzit, rrinim në mjedise të papërshtatshme, por mbi të gjitha, na vriste vrasja e bashkëshortit tim, vrasje për të cilën ne akuzuam atëherë dhe sot drejtuesit e shtetit të kohës.
    “Në një nga ditët e viteve të gjata të internimit, vjen e përballet me ne në internim Manush Myftiu, ish-miku i ngushtë i familjes, më pas një nga ata që përgatitën eliminimin e burrit tim, Ndues, e në gjendjen që na kishin degdisur, nxjerr mllefe e më fyen publikisht”, -shton Françeska.
    Fjalët e tij “Aty do të vdesësh!”, drejtuar Françeskës, sipas kësaj të fundit, ishin një “vrasje” tjetër për të e fëmijët, ishte një fyerje që edhe pse sot emigrante në vend të huaj, e rrëgjuar nga sëmundja e rëndë e mosha mbi 65 vjeçe, nuk shlyhet nga udha e viteve. Por në internim, atje në fshatin e largët, familjarët e “armikut të klasës”, Ndue Marashi, përballë terrorit fizik e psikologjik të shtetit të kohës, nuk mund të harrojnë mirënjohjen e respektin njerëzve të thjeshtë.
    2 korriku 1990. Marashajt, të parët në ambasada
    Internimi, ose dëbimi pa të drejtë rikthimi, për familjen e “armikut” Ndue Marashi merr fund më 2 korrik 1990, ku mijëra të rinj dhe qytetarë të vendit, shpërthyen dyert e ambasadave të huaja me dëshirën e largimit nga vendi. Direkt nga vendi i internimit, nga Tapiza, të gjithë familjarët Marashi, të rritur e foshnja, u futën në ambasadën italiane. Për këtë moment Françeska Marashi tregon: ”Më 2 korrik 1990, kur u hapën ambasadat e huaja në Tiranë, unë, Françeska Kolë Marashi, së bashku me fëmijët e mi, nipërit e motrat, gjithsej 18 vetë, fill nga internimi, u futëm në Ambasadën Italiane, pa ditur fare se cili do të ishte fati ynë i mëtejshëm. Nuk flas për veten time, pasi që me vrasjen misterioze të bashkëshortit tim, Ndues, unë e kam konsideruar dhe e konsideroj veten të vdekur, por me trup të gjallë mbi tokë. Nga vendi fqinj, më pas Marashajt kalojnë si emigrantë politikë në Belgjikë, ku prej 16 vjetësh jetojnë atje me dokumente të rregullta e qytetarë tepër korrekt. Por vrasja misterioze e Ndues, akuzat pa përgjigje për vite e dekada, ka bërë që ata të mos gjejnë qetësi, por të këmbëngulin në të gjitha instancat shqiptare e ato ndërkombëtare për zbardhjen e së vërtetës së 16 dhjetorit 1975.
    Berisha:”Nduen e morën në qafë!”Zefi, vëllai i Ndue Marashit, ish-kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, tregon se afrimi i proceseve demokratike, lëvizjet e vitit 1990, për ta ishte një ëndërr e shumëpritur pas një kaluari të gjatë e të stërmundimshëm fizik e psikologjik.
    “Por shpresuam se tashmë e vërteta e vrasjes së vëllait tim, Zefit, do të mësohej, e shpirti i tij të prehej të qetë”, -tregon ai. Kështu, një nga ato ditë të tmerrshme kur diktatura përpiqej dhe me përgjakje për të mos u hapur udhë proceseve demokratike, Zefi takon Sali Berishën, një nga drejtuesit e revoltave kundër regjimit komunist. Berisha atëherë, shton Zefi, ishte në opozitë, “Na priti shumë mirë, mësoi për hallin tonë, kishte dëgjuar për Nduen dhe e dinte si rast, duke na premtuar dhe interesim për zbardhjen e së vërtetës”, -vazhdon Zef Marashi. Ai kujton se mes të tjerave Berisha u ka thënë ”Zefin e morën në qafë”, duke porositur bashkëpunëtorët e tij që në ditët në vazhdim, këtij problemi t’i kushtohej një vëmendje e posaçme.
    Familjarët: ”I kemi falur, por duam të vërtetën!”Që nga 1975-a e deri sot, kanë kaluar 31 vjet nga ajo ngjarje e rëndë. Familjarët kanë shpresuar se së paku në vitet e demokracisë akuza e tyre për vrasje të përgatitur ndaj Ndues nga shteti i kohës, do të vlerësohej në funksion të së vërtetës. Kanë shpresuar e shpresojnë te një hap i drejtësisë, te mundësia e një interesimi nga qeveritë që shkojnë e vijnë për të hetuar të vërtetën. Por deri tani, asgjë nuk ka ndryshuar. Krimi, i cilësuar “vetëvrasje” nga shteti i kohës, por i kundërshtuar me ngulm nga familjarët si “vrasje e përgatitur” nga regjimi, ende përmban mister. ”Ne nuk duam kurrsesi hakmarrje, por duam të vërtetën siç ka qenë, ne falim, por e vërteta nuk duhet të mbahet peng!” -pohon Françeska, e cila me dosje denoncimesh, dëshmisë e fakte të grumbulluara, shpreson edhe tek organizmat e drejtësia ndërkombëtare.
    (Fund)

    08/05/2006
    KATEGORIA: Dossier
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

Tema të Ngjashme

  1. Lidhja e dytë e Prizrenit
    Nga shendelli në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 18-12-2011, 11:46
  2. SK Tirana
    Nga Pasiqe në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 251
    Postimi i Fundit: 22-06-2009, 19:19
  3. Gjilani
    Nga cod3r në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 10-05-2009, 13:18
  4. Tifozët e Super Kampiones Tirana
    Nga BlueBaron në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 157
    Postimi i Fundit: 26-02-2006, 22:05
  5. Tifozat e Super Kampiones TIRONA <3>
    Nga BlueBaron në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 274
    Postimi i Fundit: 15-10-2005, 01:39

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •