KORÇE/ Flet bashkëshorti: Anestezisti i dha më shumë narkozë, pasi ishte i pirë. Erdhi nga klubi në sallë”
“Akuzoj mjekët për vdekjen e gruas”
Mister në spital, vdes 24-vjeçarja pa i dalë narkoza e lindjes
KORÇE/ Juli Kapurani
Humb jetën gjatë lindjes nëna 24-vjeçare. Sadete Shaholli, nga Sheqerasi i Korçës ka pritur gjithë ditën e mërkurë të lindte në mënyrë natyrale fëmijën e parë, por kur kjo nuk ka ndodhur i është nënshtruar një operacioni, fatal për të.
Mjekët kanë pritur të përmendet nga anestezia dhe t’i japin në krahë djalin e sapolindur, por nëna e re nuk i ka hapur më sytë. Burri i viktimës ka qenë i pari që ka hedhur akuzën për vdekje nga pakujdesia e mjekëve, por këta të fundit dyshojnë se shkak mund të jetë bërë një sëmundje e papritur në zemër. Viktima kishte vetëm një vit që ishte martuar dhe kjo ishte lindja e parë. Bashkëshorti i saj, Bledar Shaholli thotë se të vetmin problem që Sadetja ka pasur me shëndetin ka qenë një dhimbje mesi për të cilën kurohej. Pas kësaj ngjarjeje, Bledari mban dhe dhimbje dhe gëzim. Në të njëjtën ditë ai ka përjetuar dhe një jetë të re dhe një mbyllje jete, por për të më e madhe se lindja e djalit të parë është dhimbja për humbjen e gruas, me të cilën jetonte prej një viti.
Si ka ndodhur vdekja e gruas suaj dhe pse akuzoni mjekët e maternitetit?
Gruaja ime vdiq pas operacionit dhe nuk u përmend fare nga narkoza. Mjeku, Nesti Ikonomi, që trajtonte gruan time më tha në fillim që është pak me problem për lindjen për shkak të shëndetit, por do ta lëmë dhe do presim që të lindë në mënyrë natyrale, pastaj mbetet që të kalojë në operacion se është rast urgjent. Kur e shtruam në maternitet bashkë me tim vëlla ia bënë të gjitha analizat, por na thanë që është një rast urgjent për lindje dhe se duhet të presim. I bëmë dhe analizën e zemrës dhe doli mirë. Kjo na bën të dyshojmë se nuk ka vdekur nga pushimi i zemrës, siç thonë mjekët. Ata pretendojnë se i ka pushuar zemra se nuk ka përballuar operacionin dhe prandaj nuk ka dalë nga narkoza.
Keni qenë vetë prezent në maternitet në momentet kur po lindte gruaja?
Që kur u shtrua në maternitet kam ndenjur aty dhe më thërrisnin herë pas here se nuk lejohej të rrinim brenda. Para operacionit e kam parë nusen dhe ishte shtrirë në krevat. Më thanë që do të më informojnë për çdo gjë dhe të mos kem merak, pastaj e futën në sallë. Më thirrën rreth orës 23:00 dhe më pyetën se çfarë të bëjnë. Unë iu përgjigja që ju jeni mjekë dhe e dini me mirë. N.q.s. është për operim le të operohet, nëse jo le të presim. Pas një ore më thirrën doktoreshat dhe më thanë që lindi djalë. E kishin fëmijën në dorë. Doktori në atë moment nuk ishte. Më thanë infermieret se tani do presim t’i dalë narkoza nuses pas operacionit. Më vonë erdhi dhe doktori, ndërsa unë po prisja. Pasi hyri dhe një herë në sallë më thirri në zyrë. Në zyrë ishin dhe mjekët e tjerë. Po e hidhte larg e larg dhe unë e pyeta direkt: Më thuaj, si është gruaja? Ai më tha që vdiq.
U interesuat se cili ka qenë shkaku i vdekjes?
Doktori tha që ne pritëm t’i dalë narkoza, por ajo ka mbaruar. Na thanë se vdiq nga zemra, por nuk e besuam se analizat i kishin dalë mirë. Unë them se faji ka qenë i mjekëve. Ata i kanë dhënë më shumë narkozë siç duhet dhe morëm vesh se i kishin bërë dhe elektroshok, por nuk ishte përmendur.
Kur keni dyshime për shkakun e vdekjes, pse nuk pranuat që t’i nënshtrohej autopsisë për të vërtetuar shkakun e vdekjes?
Nuk donim autopsi. Ajo iku, vdiq. Përse ta çanin prapë në atë gjendje që e kishin katandisur mjekët. Pastaj mjekët do mbrojnë kolegët e tyre. Nuk do të thonë se vdiq për faj të tyre, apo nga doza e tepërt e narkozës. Ne dimë që nusja nuk doli nga gjendja e narkozës pas operacionit. Vendosëm ta marrim trupin në shtëpi. Doktori që i bëri narkozën, Rahmi Dalipi ishte i dehur dhe ne e pamë vetë me sytë tanë kur doli nga klubi. Ka qenë pakujdesia e mjekëve që më vdiq gruaja.
Çfarë do të bëni tani?
Ne si familje kërkojmë të dënohen mjekët se ka qenë faji i tyre. Do të bëjmë dhe denoncim në Prokurori se ngaqë kemi qenë të tronditur nga vdekja ne nuk shkuam as në polici për kallëzim dhe as në Prokurori.
Po djalin e keni marrë?
Jo, djali është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka lindur pa probleme. E kemi lënë në maternitet dhe do ta tërheqim këto ditë.
Anestezisti Dalipi: Familjarët nuk pranuan, e morën
“Nuk mund të themi asgjë pa iu bërë autopsia pacientes”
KORÇE - Mjeku anestezist Rahmi Dalipi deklaron se prej 34 vjetësh në këtë profesion nuk ka ndodhur asnjëherë që doza e narkozës ta kalojë të nevojshmen. Sipas tij, gjatë operacionit u shmang anestezia lokale, pasi pacientja vuante nga mesi, ndonëse dyshon se ajo të ketë pasur probleme të tjera shëndetësore më parë.
Si ka vdekur pacientja dhe a është e vërtetë se vdekja mund t’i ketë ardhur nga mbidoza e narkozës?
Pacientja ka vdekur pas operacionit. Ndërhyrja kirurgjikale u krye me sukses sa kohë që arriti të sjellë në jetë fëmijën. Komplikacionet janë shfaqur më pas, por jo për shkak të narkozës. Rasti i vdekjes së kësaj pacienteje është analizuar gjatë prej nesh si mjekë dhe do të dalim në konkluzione dhe nga kartela mjekësore e 24-vjeçares. Ajo që na pengon është moskryerja e ekspertizës mjeko-ligjore.
A mund të kryhej operacioni me anestezi lokale?
Jo. Për këtë rast nuk mund të kryhej mpirje lokale, pasi pacientja kishte një problem shëndetësor në pjesën e kryqeve. Rasti i saj ishte një rast i rëndë dhe urgjent. Duhej të ndërhynim patjetër në kohë. Ne pritëm që të bënim një lindje natyrale dhe pa ndërhyrje, por qe e pamundur. Kjo na detyroi ta fusnim në operacion, kuptohet me narkozë dhe jo me anestezi të pjesshme, pasi nuk mund t’i bëhej një gjilpërë në shtyllën kurrizore. Ndodh që pacienti të vdesë gjatë operacionit dhe nuk ka një shkak të caktuar kirurgjikal. Mund të ndodhin komplikacione të aortës, trurit ose trompoza. Gjatë ndërhyrjes kirurgjikale nuk kemi vërejtur komplikacione, por në këto raste ka dhe rrezik për shkak të bllokimit të zemrës. Ne e kemi pyetur pacienten para operacionit nëse ka pasur më parë probleme shëndetësore, të cilat mund t’i rrezikonin jetën në rast të një ndërhyrjeje dhe ka mohuar një gjë të tillë. Dhe nga analizat e zemrës ka rezultuar se nuk ka probleme. Por këto janë komplikacione fatale të cilat më mirë sqarohen me autopsi.
Unë si mjek anestezist prej 34 vjetësh asnjëherë nuk kam përdorur asnjëherë dozë të rëndë të narkozës.
9 goditje
me elektroshok i janë bërë 24-vjeçares me qëllim përmendjen e saj pas operacionit, por gjithçka ka qenë e pamundur, pasi ajo kishte ndërruar jetë
1 ore
ka zgjatur ndërhyrja kirurgjikale për lindjen e fëmijës së Sadete Shahollit, por gjatë kryerjes së tij asnjë nga mjekët nuk konstatoi ndonjë komplikacion
Mjeku
Vetë mjeku që ka kryer operacionin, Nesti Ikonomi thotë se mendohet që nëna e re të ketë pasur një tromboembolit që jep ndalim të funksionimit të zemrës. “Unë dyshoj si mjek se shkaku ka qenë pushimi i zemrës. Nuk mund të flas për shkakun me garanci, pasi atë e vendos ekspertiza mjeko-ligjore. Por familjarët nuk kanë dashur të bëhet autopsia. Nga analizat Sadetja nuk ka rezultuar të ketë probleme me zemrën. Ajo vuante nga një sëmundje në legen, që e bënte një rast të vështirë.
Hetimi
Policia e Korçës ka ndërhyrë për të hetuar mbi këtë ngjarje, pasi vetë mjekët e maternitetit i kanë njoftuar për vdekjen e pacientes. Por, veç dëshmive të para, ata nuk kanë mundur të ndërmarrin veprime të tjera, pasi familjarët ende nuk kanë regjistruar një kallëzim ndaj mjekëve. Të afërmit e Sadete Shahollit deklaruan, se në lidhje me dyshimet e tyre mbi shkakun e vdekjes do të kërkojnë hetim. Por, nga ana tjetër, megjithë këmbënguljen e vetë mjekëve ata kanë mohuar që të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore
Krijoni Kontakt