Nga data 24 prill deri më 1 maj në Bremen të Gjermanisë nis Kampionati Botëror i Pingpongut 20-04-2006

Kosova e Shqipëria bashkë në Botërorin e Gjermanisë


801 sportistë nga 146 shtete do të përfaqësohen në Kampionatin Botëror të Pingpongut, që zhvillohet nga data 24 prill deri më 1 maj në Bremen të Gjermanisë. Në këtë eveniment të rëndësishëm të topit të vogël do të përfaqësohet dhe Shqipëria. Vendi ynë për herë të parë përfaqësohet në kampionatin botëror të pingpongut në rang ekipor, ndërkohë që në rang individual sportistët tanë janë përfaqësuar për herë të parë në vitin 2005 në kampionatin botëror të pingpongut që u zhvillua në Kinë. Shqipëria bën pjesë në divizionin e fundit (të katërtin), shorti i të cilit hidhet më 22 prill, vetëm dy ditë para startit të garave. Vendi ynë do të përfaqësohet në këtë eveniment me dy ekipe, femra dhe meshkuj. Të dy ekipet tona i përkasin divizionit të katërt.

Kombëtarja rrezikon pjesëmarrjen

Ekipi kombëtar, në fakt, është reduktuar në 7 sportistë, pasi MTKRS-ja nuk ka dhënë "OK" për të livruar fondin për përfaqësimin e ekipit tonë kombëtar në këtë eveniment, pavarësisht premtimeve të saj për mbështetje financiare të federatave që përfaqësohen në aktivitete madhore. Për këtë problem, presidenti i FSHPP-së, Arben Meçe, dhe sekretari Astrit Hutka kanë zhvilluar një takim me drejtorin e sporteve, z. Mehmet Spahiu. Në këtë takim, në të vërtetë nuk është dhënë asnjë zgjidhje konkrete nga ana e drejtorit Spahiu. Në këtë situatë, presidenti Meçaj ka deklaruar se do të mbështesë personalisht vetëm 7 sportistë të ekipit tonë kombëtar (janë përjashtuar trajnerët që duhet të gjejnë në rrugë private ndonjë sponsor për t'iu bashkuar ekipit), duke bërë të mundur përfaqësimin e tonë në këtë botëror. Por sërish presidenti kërkon miratimin nga MTKRS-ja për këtë përfaqësim, miratim i cili ende nuk ka mbërritur në zyrat e federatës. E nëse FSHPP-ja tashmë ka bërë të gjitha konfirmimet e pjesëmarrjes dhe në fund nuk arrin të përfaqësohet në këtë botëror për arsyet e lartpërmendura, ajo rrezikon një gjobë "të majme" prej 5 mijë eurosh dhe një përjashtim për t'u përfaqësuar në kampionatin botëror.

Kosova, përfaqësuesja e dytë shqiptare në botëror

Federata e Pingpongut e Kosovës është njohur nga federata ndërkombëtare dhe këtë vit ekipi i femrave të Kosovës do të përfaqësojë ngjyrat shqiptare nën siglën e Kosovës në Kampionatin Botëror të Pingpongut. Kosova përfaqësohet në këtë eveniment të rëndësishëm ndërkombëtar përkrah ekipit tonë kombëtar me ekipin e femrave dhe të meshkujve. Ekipi i Kosovës femra bën pjesë në grupin J të divizionit të tretë. Në grup, shorti u ka vënë përballë vajzave nga Kosova përfaqësueset e Jordanisë, Zelandës së Re, Norvegjisë, Sri Lankës dhe Kirgiztanit. Ndërsa ekipi i meshkujve të Kosovës i përket divizionit të katërt, short i cili nuk është hedhur akoma. Shpresojmë që shorti, që do të hidhet me 22 prill, të mos i vërë përballë në të njëjtin grup dy ekipet me gjak shqiptar.