Mesafaro i dioqezës Shkodër-Pult, gjatë meshës së Pashkës: Janë duke u përgatitur qendra të mëdha për prostitucion në Gjermani dhe ka të dhëna se kërkohen 40.000 vajza, kryesisht nga Evropa Qendrore e Lindore. Vajzat shqiptare mund të jenë në rrezik.
Arqipeshkvi: Kujdes Botërorin, kërkohen 40 000 prostituta
A. D
Shkodër-Kremtimi i Pashkës, festës më të rëndësishme të krishtërimit, nuk i ka shërbyer arqipeshkvit të Shkodrës për të përcjellë vetëm urimet e zakonshme. I ndjeshëm prej kohësh ndaj plagës së prostitucionit në Shqipëri, gjatë fjalës së tij në celebrimin e meshës për festën e Pashkës në Shkodër, arqipeshkvi i dioqezës Shkodër- Pult, tha se kampionati botëror i futbollit rrezikonte përfshirjen në rrjetin e prostitucionit të shumë vajzave shqiptare. Njëkohësisht edhe kryetar i konferencës ipeshkvnore të Shqipërisë, Angjelo Masafra, tërhoqi vëmendjen gjatë meshës duke paralajmëruar për rrezikun e mundshëm të prostituimit të shumë vajzave gjatë periudhës së botërorit të Futbollit.
Qendra e seksit
“Në prag të fillimit të kampionatit botëror të futbollit në Gjermani, i cili do të zhvillohet në qershor e në korrik të këtij viti, parashikohet që përveç ndjenjave të tifozerisë, të funksionojë e të vihet në shërbim të saj edhe diçka tjetër, aspak e denjë për qëniet njerëzore. Janë duke u përgatitur qendra të mëdha për prostitucion në këtë vend dhe ka të dhëna se kërkohen 40.000 vajza, kryesisht nga Evropa Qendrore e Lindore. Vajzat shqiptare mund të jenë në rrezik. Në këtë periudhë, parafillimi të këtij evenimenti sportiv, prindërit duhet të bëjnë kujdes të madh me fejesat , martesat apo ofertat e punësimit të vajzave të tyre jashtë Shqipërisë. Sidomos në Evropë, pasi ekziston mundësia e mashtrimit, që vajzat të përdoren për qëllime prostitucioni”,-tha Masafra.
Gjatë meshës dhe predikimit ai ka folur dhe për probleme të tjera të jetës shqiptare, për varfërinë, papunësinë, zhvillimin e ngadaltë ekonomik, mungesat e energjisë elektrike etj.
Jo vetëm Masafra
Por arqipeshkvi i Shkodrës nuk është i vetmi që ka ngritur frikën e rritjes së prostituimit të vajzave shqiptare, në prag të Kampionatit Botëror të Futbollit. Faktin se në Gjermani po bëhen gati qendrat për të pritur 40 mijë prostituta e ka përmendur, para rreth 2 muajsh, edhe famullitari i Zadrimës me qendër në Blinisht, Dom Antonio Sharra. Ka qenë një ceremoni për dekorimin nga presidenti shqiptar Alfred Moisiu për priftin italian Dom Onore Benzi, I njohur për kontributin e tij për strehimin e vajzave shqiptare që arrijnë të largohen nga rruga e prostitucionit, vendi kur edhe është lëshuar paralajmërimi. Gjatë kësaj ceremonie, Dom Antonio Sharra në Lezhë, ka bërë thirrje që prindërit t’i trajtojnë me kujdes rastet e fejesave dhe martesave të vajzave të tyre, jashtë Shqipërisë sepse në Gjermani po kërkoheshin mijëra prostituta për tifozët që priten të vijnë me mijëra.
Nga ana tjetër, arqipeshkvi Masafra edhe në mesha të mëparshme u ka bërë thirrje vajzave shqiptarte që të mos mashtrohen për t’u larguar nga vendi i tyre e për të rënë më pas në thonjtë e prostitucionit.
Shekulli
Krijoni Kontakt