Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 6
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Labeati
    Anëtarësuar
    31-07-2003
    Vendndodhja
    North America
    Postime
    1,232

    6 Prill 1911 ngritja e flamurit kombëtar në kalanë e Deçiçit

    6 Prill 1911

    Klajd Kapinova

    Flamuri i Gjergj Kastriotit në Bratile të Deçiqit më 6 Prill 1911 ishte një shkëndijë pararendëse e Shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntorit 1912

    Emri:  flamuri.gif

Shikime: 8459

Madhësia:  30.8 KB

    Shqipëria ka qenë historikisht përherë zemra e patriotëve të vërtetë të djelmisë së Malësisë së Madhe, trevë e cila shpesh herë është përmendur se ka xjerrë burra kuvendi e pushke; duke i falur Atdheut e maleve kreshnike Dedë Gjo’ Lulin (1840-1915), i njohur për burrëri, urti e autoritet.

    Me këto cilësi, Deda përballoi me armë në dorë ushtritë pushtuese turke e sulmet malazeze, duke ruajtur me vendosmëri trojet e të parëve tanë. Kryengritja e fillimit të dekadës së dytë të shek. XX, i tregoi Evropës se kishte ardhur koha të shkundej nga soditja indiferente që i bënte vështrimit të ngjarjeve në trungun e vjetër të Evropës Juglindore, në trajtimin e çështjeve shqiptare, paralajmëroi fuqitë e ndryshme ballkanike që ëndrronin një coptim midis tyre të Turqisë evropiane, se trojet shqiptare nuk do të ishin një kafshatë e lehtë për t’u gëlltitur nga orekset e pangopshme. Ajo i dha një mësim të mirë pushtuesit turk “tue provue në gjuhën e plumbave se kishte perendue tashma koha e ekspeditave ndërshkimore dhe e raplezarjeve, të udhëhequna nga gjeneralë shumë të zot dhe të sprovuem në mizori, si Shefqet Turgut Pasha me shokë” (Tefë Krroqi, “Hylli i Dritës”, vj.XXII, fq.11).

    Kombet, që në shekuj kishin vuajtur në robërinë turke, u gëzuan e nisën të gjallërohen, duke menduar se po fillonte një shpresë e re. Jashtë ndikimit jetëdhënës nuk mbeti as Shqipëria, e cila mbi kurrizin e saj kaloi keqtrajtime me plagë të thella.

    Mirëpo, nuk vonoi shumë se xhonturqit, rinj porsa erdhën në pushtet nisën metodën e kërbaçit dhe të mosprishjës së “qetësisë”, duke vijuar të merrnin nëpër këmbë kombet që ende jetonin brenda pushtuesve osmanë.

    Historiani atë Marin Sirdani (1885-1962), duke vlerësuar kontributin e elementit katolik shqiptar në drejtim të atdhedashurisë, mbi lëvizjet shtypëse të xhonturqve të rinj kundër kombeve që kërkonin liri, cekë ngjarjen e rëndësishme të historisë më 6 prill 1911, kur shkruan: “Barbarit, mandej të kryesum prej Xhavit Pashës e Shefqet Turgut Pashës për t’shtyp shqyptart çuen pesh zemnat e shumkuj, e Leket e Malcis qi nuk ishin ken msue me u ba rajë e askuj, tue provue se vetem arma muejte me u sigurue gjan, mallin, nderen e t’drejtat qi kishin pas gzue per qindra vjet edhe nen Turki nisen me lvisë.

    Qysh n’prendveren e vjetit 1910 shifen faqe sheje paknaqsije: t’arratisunt shtohen e n’krye të çetave kryengritse asht “Kreshniku i Malcis” Ded Gjo’ Luli. Ky e Kol Toma, Bajraktari i Veles, ishij të vetmit në krahinen e Shkoders qi tuj mos zanë bes njaj permirsimi me djelm t’vet e kushrit nuk kishin dorzue armt e ishin arratis. Kaloi gjith ajo vjet pa ndonji ngjarje me randsi, por me 24 marc 1911 zuni fill nji luft e vertet kundra Turkis.

    Populli mbar i Malcis i lidhun me kryengrits, me pushk e pa pushk msyni njiherit t’gjitha postat qi gjindeshin brenda kufinit t’Malcis e me at yrysh n’e e nesre, pushtuen Tuzin, e ashtu t’forcuem me arm e me municion u drejtuen kah Shkodra e qendruen n’Koplik. Mali i Zi, i cilli mezi qi pritte me pa shtjellime në Turki, tuj e pa se malcort ia kishin nis punes pernjimend, u vu me i mprojt e e bane kufinin e liri me hi e me dal.

    Lajmi se Malcia ishte çue pesh e dojte me msye Shkodren e qiti ne mendim Bedri Pashen, valin e atij qyteti, e me shkak se ishte Dini ne rrezik rrejti muhamedanet e vendit, e kush kje i zoti i armve u bashkuen me asqer e duel ne luft kundra malcosve. Kta per me i diftue Fuqive t’Europes e shqyptarve qellimin e kryengritjes ban me 30 marc nji mbledhje n'Cetin e i çun nji ‘memorandum’ Fuqive t’Mdha e Malit t’Zi. Ne ket tubim pos kremve t’Malcis muren pjes e u lidhen me ta edhe disa kren me randsi t’vendeve tjera, t’krishtene e muhamedan”. (dorëshkrim).

    Vijon

    marre nga:
    http://www.albanovaonline.com/modules/news/

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Labeati
    Anëtarësuar
    31-07-2003
    Vendndodhja
    North America
    Postime
    1,232
    vijim:

    Kush ishte Dedë Gjo’ Luli?

    Emri:  dede_gjo_luli.gif

Shikime: 3724

Madhësia:  22.3 KB

    “Pashë, o Pashë, t’ rrnoft bajraku,
    Ndigjo Deden ç’asht kah flet:
    Për pa rrjedh der n’sylah gjaku,
    Knjazi vendin tem s’e shklet!

    Ah! Qe prep don t’na dajn copa!
    Prep mendimi i parë asht ngjall!
    Por ta marr vesht tan Europa:
    Ded Gjo’Luli prap asht gjall!”


    Ai kishte lindur e rritur në bjeshkët e larta të maleve tona, ku gurgullon uji i kristaltë nga bora e shkrirë, pyjeve, ku kumbueshëm dëgjohet zëri në kor i zogjëve, njerëzve që si lisa të gjatë hijeshojnë, me shtëpitë e mbushura plot me zërin gazmor të fëmijëve, që harlisën lirshëm tek shëtisin mbi ato shkrepa të larta e të larta me gjak e lot trimash, ku Atdheu e feja e të parëve ilirë u ruajtën më shumë se në asnjë vend tjetër të Shqipërisë.

    Ishte i pari midis të parëve, i barabartë mes të barabartëve. U dallua për aftësi drejtuese, si një ushtarak në zemër të Alpeve.
    Ende jetojnë në zemrat e kujtesën e malësorëve vlerësimet nga bashkëkohësit për Dedën, ku midis të cilëve demokrati Avni Rustemi e quajti “burrë i pafrikë e i panjollë i maleve tona”. Ai ishte jo më shumë se 38 vjeç si shoqërues besnik i Çun Mulës në Lidhjen e Prizrenit 1878.

    Deda ishte e mbeti shpirti dhe zemra e kryengritësve, që me respekt e ndoqën pas, për mbrojtjen e trojeve të vendlindjes, duke luftuar ballë për ballë bishën osmane. Në betejën e hatashme u vranë trimërisht kelmendas, hotjanë, shkrelas, koplikas, kastratas e shkodranë, të cilët qenë të ndihmuar shpirtërisht nga klerikët katolikë…

    Pikërisht, për hir të së vërtetës së dokumentuar në shtypin e kohës, për llogari të ekspeditave famëkeqe ndëshkimore të Turgut Pashës e Portës së Lartë, brënda ushtrisë pushtuese ishin të veshur me rroba e pagueshin rregullisht (mercenarë) disa trathtarë shkodranë, të cilët shërbenin me besnikëri, duke iu kundërvënë me armë në dorë fatosave të lirisë, të cilët pa iu trembur syri mbanin me vendosmëri njeri pas tjetrit në majë të Deçiqit Flamurin Kombëtar të Gjergj Kastriotit.

    Tashmë dihet fundi i turpshëm i tyre, të cilët trimat e Dedës nuk i vranë, por i lanë të lirë të ktheheshin (në këmishë e brekushe) në vendlindjen që e kishin trathtuar.

    Publicisti Risto Siliqi në librin e parë: “Pasqyra e ditve t’pergjakshme në t’pestin shekull Shqypnis së robnueme”, Trieste, korrik 1912, shkruan: “Me 26 t’marsit, bashkue ushtarët e Hotit, të Kelmendit, të Grudës, të Kastratit, të Shkrelit e të Shalës, e t’sokoluem me fitime t’përditshme, i ranë me nji rreptsi ushtrisë t’përzieme me shkodranë, sa mbas guximit e fatosash t’rrallë t’ktyre ushtarve shqyptarë, kta halldupa e pan se t’gjith po jesin me krye e ranë gjall n’dorë. Nder ta rob u xu dhe Abas Bekteshi, njaj trathtar qi në kohë t’aksionit reformator ju pat kundershtue si shqyptar Shefqet Turgut Pashës, dhe pasi e patën burgosun e dy hersh, në t’pamë t’gjith popullit t‘Shkodres, e patne shtrue n’dajak, e ky i poshtri u çue me i ndihmue anmikut të vet e me e vra me vllazën… Për pos tij u xun rob dhe tjer, të cilve mbasi armt e fishekt ia moren, i lshuen lirë, t’cilet ikën me marrë kah Podgorica, prej këtej me avullore përmbi liqe e shkuene n’Shkoder, ku ndoshta nana e gratë e tyne do t’i kenë pritun të padituna t’i ngjeshin furkat.

    Kët ditë dhe prej Jusuf Gjokajve të frugsuem prej plumbave të shqyptarëve ikën në Podgoricë 70 vetë të turkut. Ne nesre si plasi drita, fatosat ton psyne përsëri si luana dhe xune rob edhe 90 vetë të tjerë, i çarmatosen e i nisen kah Podgorica…”.

    Siliqi, si gjithë rilindasit e tjerë të penës e pushkës, e njihte mirë fytyrën e trathtisë. Me gjuhën e fakteve historike dhe si dëshmitar, ai fshikulloi pamëshirë të gjithë trathtarët e kombit, që iu kundërvuan me armë në dorë flamurit kuq e zi të fatosa të lirisë.

    Studiuesi atë Sirdani, mbasi përshkruan pikët kryesore të ‘Memorandumit’, nënvizon frymën e bashkëpunimin e ngushtë që ekziston midis malësorëve pa dallim feje. E rëndësishme ishte lufta e vendosur kundër pushtuesit të përbashkët që kishte shkelur trojet tona. Në shënimet historike lexojmë: “Ky ‘Memorandum’ kje i nenshkruem pos dy kryetarve të kryengritsve, Ded Gjo’Lulit e Sokol Bacit, edhe prej Muharrem Beg Bushatit (n’emen t’Shkodres), Isa Beg Boletinit e Abdullah Agës (n’emen të Kosovës), Kapidan Preng Marka Kokes (n’emen t’Mirdites) e Mehmet Shpendit (n’emen t’Dukagjinit). Nji lidhje e atill dy elementash dukej n’e parë se do të prodhojn nji dobi të perbashkt, por muhamedanët e Shkodres vijuen me u mbajt me qeveri turke, e kta me asqer e nalen sulmin malsorvet derisa u erdh në ndihmë Shefqet Turgut Pasha me shtatdhet bataljona…” (dorëshkrim).

    E, natyrshëm, askush më mirë se gjaku i derdhun nuk mund të flasë për atdhetarizmin e besimtarëve: Në Deçiq e Kaçanik, trimat e Kosovës luftuan për Shqipërinë dhe besuan Perëndinë. Dedë Gjo’ Luli e Isa Boletini, Themistokli Germenji e Shtjefën Gjeçovi qenë besimtarë; Thimi Mitko e Papa Kristo Negovani, Sali Butka nuk qenë ateist e megjithatë luftuan dhe dhanë aq shumë për atdheun. Jo besimi, por përkundrazi materializmi e dobëson dhe ligështon njeriun.
    Mbi kryengritjen e Dedë Gjo’ Lulit në Malësi, që u ngrit menjëherë në këmbë, duke rrokur armët për liri.

    Prof. Abaz Ermenji (1910-2003) në veprën e vet historike: “Albania-Vendi që zë Skenderbeu në historinë e Shqipërisë” (“Shqypnia e Lirë”, Paris, 1968, fq.279), nënvizon: “Valiu i Shkodrës Bedri Pasha, u gjet ngushtë se s’kishte forca të mjaftueshme për t’iu bërë ballë kryengritësve. Prandaj u vu të shfrytëzonte fanatizmin fetar të myslimanëve duke iu thënë se “Dini” ishte në rrezik dhe duke i gënjyer se gjoja të krishterët donin të sillnin në Shkodër Malin e Zi. Me këto intriga mujti të mblidhte një turmë shqiptarësh myslimanë prej Shkodre dhe t’i dergonte për të luftuar kundër vëllezërve të tyre katolikë. Por këta “mbrojtës” të “Dinit” u shpartalluan shpejt; disa u bashkuan me kryengritësit. Për fat të mirë, ky dram i shemtuar vëllavrasjeje nuk u përsërit më në Shqipërinë e Veriut.”

    (vijon)

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Labeati
    Anëtarësuar
    31-07-2003
    Vendndodhja
    North America
    Postime
    1,232
    vijim

    Eshtrat e atë Gjergj Fishtës, Dedë Gjo’Lulit etj., hidhën në lumin Drin

    Figura e Dedë Gjo Lulit është lënë në hije nga historiagrafia moniste, të cilin u mundua ta bënte ateist e antiklerik, kur dihet se ai ka qenë një mik e bashkëpunëtor me françeskanët e shquar të vendit.

    A nuk është një domethënie e madhe dhe fakt kuptimplotë, pohimi ipeshkëvit imzot Zef Simonit (ish-Sekretar i Arqipeshkvisë së Shkodrës në kohën kataklizmave antifetare prej komunistëve. Ai më vonë arrestohet dhe bëri 12 vjet burg në Spaç, Burrel, Sarandë, etj., shënimi im K.K.), në ligjeratën e tij në Kuvendin Ndërkombëtar “Krishtërimi ndër shqiptarë”, pohon: “…sëbashku me eshtnat e klerikëve shkodranë, nxjerrë nga diktatura, ishin edhe eshtnat e Dedë Gjo Lulit…Dom Mark Gjanit, tue e torturue, i kërkuene të mohonte Krishtin. Përkundrazi Dom Marku tha fjalët e fundit mes dhimbave “Rrnoft Krishti Mbret!”. Vdiq i varun nder shpatulla, tuj ia hjedhë trupin qejve e mbeturinat e tij i lëshuen në prrue.

    Bash njiashtu si vepruen turqit me eshtnat e Gjergj Kastriotit e me prelatin e lavdishëm Imzot Pjeter Bogdanin, apo si vepruen ma vonë komunistat, tuej nxjerrë prej vorrit eshtnat e Mons. Jak Serreqit, Mons. Lazër Mjedjes, Mons. Gasper Thaçit, Mons. Ernest Cocit, Mons. Bernardin Shllakut e At Gjergj Fishtës e së bashku me atë, pa dijtë gja, të Dedë Gjo’ Lulit, eshtnat e të cilit françeskanët i kishin ruejtë në vorret e tyne për t’i ba nji monument”. (Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni 1944-1990”, Shkodër, 1999, fq.10).

    Ky mik apo… i këtyre njerëzve të fesë? Si po e quajmë tashmë Dedën?

    Nga historiografia që lam pas, Deda u pa gjithnjë i shkëputur nga bashkëluftëtarët e tij, të afërm apo të largët, bile edhe nga pasardhësit e Derës së tij të përmendur, ku, këta të fundit u ndoqën e përsekutuan në Shkodër. Studiuesi i ndjerë prof.dr. Simon Pepa shkruan: “Dhe është për të ardhur keq se kjo luftë, këta heronj dhe vetë kryetrimi Dedë Gj’Luli për vjet e vjet u lanë në harresë. Lufta dhe ngritja e Flamurit në Deçiq, përmendej sa me thanë, emri i heroi vetëm sa citohej…Dhe ajo që është rrënqethëse është fakti se mjaft nga nipat e stërnipat e Dedë Gj’Lulit, si dhe mjaft klerikë që morën pjesë me mendje e penë në përpjekje për çlirim u masakruan në mënyrë të tmerrshme. Ata hynë në rrugën e mundimeve tamam si në ferrin e Dantes”. (“Gjurmime kulturore”, Shkodër 2000, fq.224)

    Ai sistem mos vlerësues veprash e vlerash, e la Dedë Gjo Lulin vetëm me urdhërin “Për veprimtari patriotike” të Klasit I-rë dhe vetëm në vitin 1962. Vetëm me kaq dhe asgjë më tepër, kur mjaft figura të tjera, natyrisht, secila me vlerën e tyre, u pasuan me urdhëra, medalje e ‘tituj’ të shumtë. Asnjë përmendore (të madhe apo të vogël), asnjë rrugë a rrugicë (veç Tiranës), asnjë emërtim tjetër me emrin e Dedës, kur mjaft burra të tjerë të historisë sonë i kanë këto pengje nderimi. Pikërisht, më 1962, shkodrani prof.dr. Jup Kastrati, boton librin: “Figura të ndritura të Rilindjes Kombëtare”, ku Dedën e lë në vend të fundit (ndër 6 figura), pas Isuf Tabakut, Daut Boriçit, Hodo Sokolit etj.

    Atë Gjergj Fishta e Dedë Gjo’Luli

    Asokohe “Poeti Kombëtar” atë Gjergj Fishta (1870-1940) përmes poezisë epike, në veçanti rroku figurat e ndritura, një prej të cilëve është Dedë Gjo’Luli. Në ato hapësira poetike, Homeri shqiptar i kushton Fatosit të lirisë, si peng nderimi këngën prej 800 vargjesh, si rrallë ndonjë heroi tjetër. Pasi e lexon me endje kupton dukshëm melodinë poetike epike të Fishtës, shpalosur me talentin e ngjyrave të ndezura që ruhet në portretin e madh atdhetar, tek kryevepra e njohur “Lahuta e Malcis”. Ai me pathos pasqyron ngjarjet e mëdha të stuhishme në faqet e poemës. Ato, gjithsesi, janë të përcaktuara mirë historikisht, duke ruajtur raporte të drejta të ngjarjeve me figurat historike, mbasi ai njihte shumë mirë historinë dhe vendin e heronjve të kombit. Në hapësirën e atdhetarizmit të ndjeshëm shquhen Dedë Gjo’ Luli, Oso Kuka, si dhe të tjerë malësorë trima, si: Marash Uci, Tringa, Çun Mula etj. Denjësisht Fishta paraqet atdhetarin në mënyrë figurative:

    “N’at Malsi, n’at Rapsh t’Hotit
    Ded Gjo’Luli, burr si motit,
    ma’ i qetë Lekë, bisha shkorretit,
    ka nis pushkën m’asqer t’Mbretit!”

    Poeti, mbasi e quan trimin e Traboinit Dedë Gjo’Lulin si ‘shpatë e gjallë’, i vë atij në gojë atë ligjeratën e gjallë e aq kuptimplote, drejtuar Sulltanit përmes Bedri Pashës, duke e paralejmëruar se nuk do t’i shërbenin më shqiptarët:

    “Se me sotjet, emni i Zotit!
    Sa jem nipash t’Gjergj Kastriotit
    e “Shqyptarë” qi thonë vendit
    ma duva nuk i bajmë Mbretit”


    Fishta si poet e Deda si lufëtar, e kanë shumë të kjartë se si kishte jetuar populli në thundrën e hekurt turke, duke i sjellë atij aq e aq telashe e rreziqe të panumërta, të cilat vërehen kur autori flet shumë përmes pendës së poetit:

    “Na shkoi moti si a’ma zi
    ngran e pangran, e kryet në gershan
    bje prej sherrit n’taksirat”

    ose vargëzimet e mëposhtme të mbushura me folje vepruese:

    “Se ai s’po kish tjeter zanat,
    veç pre e rep e digj e piq,
    rrxo, rreno e vendin flliq”.

    Kishte ardhur fundit. Vargonjtë e gjatë shtrëngues të zgjedhës së huaj gjysmëmijëvjeçari duheshin këputur sikurse ngjau, sepse Atdheu kishte thirrur fatosat e vet të lirisë që ta mbronin deri në flijim.
    Epilogu i luftës me fitore, dihet. Ngrihet Flamuri kuq e zi i Shqipërisë, simbol i fitores mbuluar me lumenj të shumtë gjaku, me thirrjen: “Rrnoft Shqypnia”.

    Emri:  kreretehotit.gif

Shikime: 4520

Madhësia:  30.4 KB

    vijon

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Labeati
    Anëtarësuar
    31-07-2003
    Vendndodhja
    North America
    Postime
    1,232
    vijim:
    Historia me fakte historike

    Historia është mësuese e madhe, njerëzit janë nxënës të këqinj
    Bismark

    Preokupimi me historinë është i veçantë. Ajo përjetohet e jetohet si kujtesë, por edhe si ekzistencë-realitet. Historia në Shqipëri është kontrolluar e fshehur vijueshmërisht. Në fushatën e fshehjes dhe falcifikimit sistematikisht e ka pësuar pjesa më e mirë e saj, ngjarje e situatë, individ e procese, të cilat shqiptarët tash duan t’i zbulojnë e përjetojnë intensivisht.

    Diktatura e proletariatit, lufta ruso-kineze e klasave dhe koncepti i prolekulturës ishin instrumente e mbulesë e mjaftueshme që atje të bëhen krime ndaj njerëzve dhe të asgjësohen dokumente, të falcifikohen epoka e ngjarje të historisë, të likuidohen përsonalitete e momente të kulturës. Kësisoj atdhetarizmi ishte shndërruar në fraza e etikë që nuk thoshte asgjë. Me këtë metodë stoliseshin ngjarje e situata, procese e përsonalitete, të cilat sot historia po i harron shpejt ose mallkon rëndë. Rizbardhja e ngjarjeve e individëve është një punë e gjatë dhe e vështirë. Ai duhet të kuptohet jo si gjest a përcaktim patriotik, jo si zhurmë a retorikë stilistikore, por si punë e moral shkencorë. Historia e historiani vetëm duke qenë të saktë e kritikë, krijojnë dhe rrisin vetëdijën kombëtare e historike.

    * * *

    Shpesh autorët që kanë shkruar për ngjarjen dhe figurën e Dedës nuk janë cekur në ‘studimet’ e ‘librat’ me tituj historik. Kështu mund të përmendim anglezen e njohur Miss. Edith Durham, Kamilio Libardi, major V. Lepetiç, atesheu ushtarak bullgar në Cetinë, etj., për të ardhur tek shkrimet e nëshkruar nga prof. Kolë Martinaj sekretar i Komitetit Shqiptar të Podgoricës, Risto Siliqi anëtar, Nikoll Ivanaj etj.

    Në librin e historisë hartuar për nxënësit e shkollave të mesme harta historike e ngjarjeve të kohës, e hedhur për t’u njohur nga brezat e sotëm, përsëri ka shumë pasaktësira, çka të krijon përshtypjen se kemi të bëjmë me një kryengrije spontane. ‘Historianët’ (para e pas vitit 1990), kanë rënë tek idetë dhe synimet e hartura (në hartë) nga turqit pushtues asokohe, mbasi e kanë ngushtuar ose qethur rrethin e zgjerimit të kryengrijes. Dhe këto për opinionin tim, për dy arsye: së pari, sipas marrëveshjes së përfunduar me kreshnikët malësorë, Qeveria turke ishte zotuar të paguante dëmet e shkaktuara nga lufta dhe në këtë rast ajo kërkonte t’a hapte qesen e dëmshpërblimit sa më pak të jetë e mundur dhe se harta e paraqitur për dëmet e shkaktuara është disa herë më e vogël, formulë kjo e njohur në shtetet e tjera ku turqit kishin pësuar disfatë.

    Ja që ‘historianët’ tanë e kanë ‘harruar’ këtë argument që burimet arkivore historike e njohin shumë mirë. Së dyti, opinioni evropian dhe botëror ishte i shqetësuar për dhunën që përdorte pa kursim Turqia kudo që nuk donte të tregonte tjetërsimin që po pësonte Perandoria e ‘pathyeshme’. Këtë synim, ajo kërkonte ta tregonte duke i rrëfyer botës, se nuk ishte kryengritje e zemërimit popullor, por ishin disa ‘rebelë’ joshqiptarë malësorë afër kufirit me Malin e Zi.

    Për fat të mirë jehona e ngjarjes shqiptare gjeti pasqyrim në shtypin e atëhershëm shqiptar dhe të huaj. (Shih koleksionet: “Hylli i dritës” “Leka” (Shkoder), “Corriere d’Italia” (Itali), “Liri e Shqypnisë” (Sofje), “The Times” (London), “Ora e Maleve”, “Cirka”, “Shqypnia e re”, “Ora e Shqypnisë”, fletoret e qytetit të Shkodres, dorëshkrimet (e pabotuara të klerikëve katolikë, të cilat sot kanë mundur të mbijetojnë, AQSH, fondi 270, Gjush Shedija “Historija e Shkodres” (dorëshkrim i vitit 1945 etj).

    Kushdo e di se Papa Leoni XIII më 1880 vendosi të hapë dokumentet e Arkivit ‘Sekret’ të Vatikanit për të gjithë studiues që vinin nga e gjithë bota, pa shikuar se cilës besim a komb i përkasin.

    Këtu ekziston një dokumentacion shumë i pasur që përmban informata jo vetëm të karakterit kishtar e fetar, kulturë të popujve, gjendjes së tyre shoqërore, ekonomike, historisë, gjuhës etj. Këtë veprim me kurajo të madhe, që Kisha i jepte shkencës e kulturës botërore, studiuesit shqiptarë duhet ta kishin shfrytëzuar para se të shfrynin dufin dhe të ulin seriozitetin e ‘shkencëtarit’.

    Mbi luftimet e ashpra midis malësorëve trima dhe taborreve të armatosura deri në dhëmbë e të stërvitur për barbarizma antishqiptare, studiuesi atë Marin Sirdani, thotë: “Fletoret europiane t’asaj kohe i pershkruejn trimnit e tyne porsi ata t’herojve legjendar të kohve të hershme”.
    Pas shpërndarjes me forcën e armëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe gjunjëzimit të Turqisë përpara presioneve të Fuqive të Mëdha që çoi më pas në copëtimin e trojeve shqiptare, rrethet patriotike në vend nuk ishin të bindur, se Turqia po merrte rrukollisjen dhe se nën strehën e saj rrezikohej seriozisht ekzistenca e trojeve shqiptare. Por kishte nga ata që kishin vizione të kthjellta iluministe, të cilët u shquan për veprimtari të dendur atdhetare. Në procesin historik kontributi i prelatëve shqiptarë ishte i dorës së parë në veprimtari praktike të planit të brëndshëm, për njësimin e plotë të faktorit shqiptar. Ndërsa veprimtaria e jashtme në planin politiko-diplomatik, qëndronte në mbështetjen e kualifikuar të çështjes së pavarësisë së plotë të trojeve etnike.

    Duke e analizuar gjendjen e përgjithshme në Shqipëri, politikanët evropianë paralejmërojnë një shpërthim trazirash në pranverën e vitit 1911. Urretja që kishin malësorët kundër regjimit xhonturk bëri që revolta të fillojë ashtu siç e kishin menduar krerët patriotë malësorë.

    Në Muzeun e Kuvendit Françeskan në Shkodër, klerikët me dashuri prindërore ruajtën për shumë vite në gji simbolin e lirisë shqiptare. Për këtë dëshmojnë etërit françeskan atë Leon Kabashi, atë Viktor Volaj, atë Daniel Gjeçaj dhe atë Zef Pllumi, të cilët për një kohë janë marrë me mbarështrimin e institucionit. Sikur të mos ishte ngritë Flamuri dhe sikur të mos kishte ekzistue ai Flamur, do të kishin pasë guxim etënit françeskan me saju një gjarje të tillë?

    Patriotizmi dhe ndërshmëria në pasqyrimin e ngjarjeve kombëtare, kanë qenë ndër shenjat dalluese të françeskanëve shqiptarë, prandaj edhe nuk mund të vihet në dyshim vërtetësia e ngjarjes. Vërtetë u ngrit Flamuri në Vlorë më 28 nëntor 1912 në Ditën e Pavarësisë, por edhe më përpara valëviti në ajrin e pastër të maleve veriore shqiptare. I qendisur prej duarve të vajzave shqiptare, flamuri u mbajt lart prej duarve të ashpra të burrave kreshnikë malësorë. Dhe kishte përsëri disa që, në urretjen e tyre latente të papërmbajtur, deshën të mohojnë ngjarjen paraprirëse të ngjarjeve të mëdha të Vlorës patriotike.

    Për të parë se sa ‘reaksionar’ e ‘antikombëtar’ ka qenë kleri po japim një episod për fatet e historisë së kombit tonë.

    Ishte dhjetori i vitit 1919, kur shqiptarët mësonin për marrëveshjen Titani-Venezellos, sipas së cilës dy pjesë shqiptare Korça e Gjirokastra i ishin dhënë Greqisë. Më 12 dhjetor 1919 imzot Luigj Bumçi do të nisej për në Romë dhe në pritjen që i bën Papa Benedikti XV (1914-1920), Ai i bën të ditur rrezikun duke u zhvilluar ky dialog:

    Papa: -Po çka të bëj për Ju? Me Itali, s’kam çfarë të bëj se e di gjithë bota si jemi. Me Francë marrëdhëniet janë këputur. Çfarë të bëj?

    Imz.Bumci: -Unë kisha për të thënë Shenjtni, se bota s’ka vetëm Itali e Francë. Ka në botë Angli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    -Ke të drejtë. E pra qysh nesër do të piqem me Ambasadorin e Anglisë e e pasnesre me atë të SHBA-së. (“Hylli i Dritës”, 1937, fq.219).

    Qëndrimi i klerit ndaj kryengritjes së Malësisë ka qenë dashamirës e mbështetës pa rezerva për trimat dhe prijësin e dashur Dedë Gjo’ Luli.

    Klerikët e Malësisë, duke theksuar nevojën që të rezistonin me bashkëkombasit e vet të arratisur dhe popullsisë së dëbuar, u larguan sëbashku me ta dhe qëndruan në Mal të Zi. Midis tyre ishte famullitari i Kastratit atë Mati Prenushi. Pas disa viteve, në kohën kur atij i bëhej gjyqi komunist, i pyetur nga hetuesia që zhvilloi gjyqin, pikërisht aty ku kishte qenë redaksia e revistës “Hylli i Dritës”, tha: “Përveç muzikës me sakrifica të mëdha kam përshkruar nga antikuari i bibliotekës edhe të gjitha veprat që flitshin për Gjergj Kastriotin nga populli shqiptar. Të gjithë këto vepra janë këtu edhe sot në bibliotekën françeskane. Kur u ktheva në Shqipni kam shkue famullitar nepër male. Kam marrë pjesë aktive në kryengritje bashkë me malësorët e prim prej Dedë Gjo’ Lulit në vitin 1911 dhe kam ndejë disa kohë me popullin i strehum në Mal të Zi…” (Zef Pllumi libri me kujtime “Rrno për me tregue”, vëll.II 1944-1951).

    Diplomacia e hollë e gjuhës fine të moderacionit ka qenë një tipar karakteristik dhe mbizotërues në përsonalitetin publik të arqipeshkvit të Shkodrës imzot Jak Serreqit. Misioni i tij, duhet të pozicionohet kjartë në kontekstin e çastit kohor të zhvillimit të kryengritjes.

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e King_Gentius
    Anëtarësuar
    24-11-2004
    Vendndodhja
    Boston
    Postime
    485

  6. #6
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    24-09-2010
    Postime
    778

    Për: 6 Prill 1911 ngritja e flamurit kombëtar në kalanë e Deçiçit

    Shkrimi im per Ded Gjo Lulin nuk i dha pergjigje tre pyetjeve:
    1. Perse nga vilajeti i Shkodres shkoi vrtem 1 person Luigj Gurakuqi ne ngritjen e flamurit ne Vlore me 28 nentor?
    2. Perse nuk ka te dhena per Ded Gjo Lulin, qe prej gushtit 1912 ku r u vra djali i Ded Gjo Lulit-Gjergji e deri me 1915 kur u vra me 24 shtator 1915?
    3. Perse shkoi Ismail Qemali si perfaqesuesi Sulltan Muratit 5 ne Gerce per te nene shkruar Memorandumin qe i jepte Shqiperise autonomi dhe te formohej 1 vilajet, dhe me vone Ismail Qemali vjen ne Vlore e ngre po
    ate Flamur te Ded gjo Lulit (njerin nga 3 flamuret qe solli Pal Traboini)?
    4. Perse nuk u bashkuan perfaqesite ahqiptare te vilajetit te Shkodres me ato te Kosoves por u takuan vec e vec me Sulltan Muratin e 5 me 15 qershor diten perkujtimore te 1389?

Tema të Ngjashme

  1. Origjina e Himnit te Flamurit
    Nga Albo në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 39
    Postimi i Fundit: 22-12-2021, 11:51
  2. KF Elbasani, "TIGRAT VERDH E BLU"
    Nga ClaY_MorE në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 479
    Postimi i Fundit: 04-10-2008, 00:26
  3. Hymni kombëtar dhe ngritja e flamurit, çdo mëngjes në shkolla.
    Nga Davius në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 30
    Postimi i Fundit: 11-11-2005, 18:15
  4. Historia ndryshe
    Nga karaburuni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 43
    Postimi i Fundit: 01-07-2005, 09:53
  5. Abaz Ermenji
    Nga Eni në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 12-03-2003, 14:11

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •