Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Perjashtuar Maska e Sabriu
    Anëtarësuar
    29-12-2005
    Postime
    1,283

    Akademia E Shkencave Në Mbrojtje Të Kufijve Të Serbisë

    Këto ditë Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH) botoi
    një letër reagimi ndaj një shkrimi kritik të botuar nga unë
    në gazetën “Albania’ ndaj ‘pltaformës’ së hartuar prej
    kësaj Akademie kundër zgjidhjes së çështjes shqiptare, një
    platforme që si zgjidhje konsideron mbetjen e shqiptarëve
    të coptuar në gjashtë shtete deri sa jo vetëm të bashkohet
    Evropa por të përfshijë edhe Ballkanin brenda. Porcesit të
    bashkimit të shqiptarëve si rezultat i procesit të
    bashkimit të Evropës ASHSH nuk i kundërvihet. Në letrën e
    vet në krahasim me ‘platformën’ ASHSH sjellë argumente dhe
    dëshmi të tjera shtesë e të rëndësishme që zbërthejnë më
    tej ‘platformën’. Këto argumente shtesë meritojnë edhe një
    analizë shtesë.
    Së pari, kryesia e ASHSH ndryshimin e kufijve dhe
    pavarësimin e Kosovës nga Serbia e konsideron
    fondamentalizëm islamik. Ky qëndrim nuk gjendet në
    ‘platformë’ por është qëndrim shtesë dhe një zbërthim i
    mëtejshëm i saj nga letra. Ashtu si në ‘platformë’ edhe në
    letër ASHSH përsëritë se pikënisje për zgjidhjen e çështjes
    së Kosovës duhet të jetë mosndryshimi i kufijve dhe
    prandaj, përsëritë letra: ‘duhet t’i shtojmë përpjekjet për
    ta njohur Republikën e Kosovës si element konstitutiv të
    Republikës Federale të Jugosllavisë”. Unë, siç më citon
    drejtë edhe letra, kam shprehur mendimin dhe vazhdoj të
    mendoj se shqiptarët, po të kishin akademi shkencash,
    diplomaci, shtet, parti kombëtare etj., do të duhej të
    shtonin përpjekjet për të bindur faktorin ndërkombëtar
    (Fuqitë e Mëdha) pikërisht që të pranojë ndryshimin e
    kufijve d.m.th. pavarësimin e Kosovës. Për kërkesën time
    letra e kryesisë së ASHSH shkruan: ‘nuk kemi ç’të themi më
    tepër veçse të shprehim keqardhje që përfaqësia e
    shqiptarëve të Kosovës, e cila merr pjesë në takimin e
    Rambujesë nuk e mori me vete këtë perlë të patriotizmit
    shqiptar, i cili me siguri do t’i detyronte Fuqitë e Mëdha
    me teoritë e tij fondamentaliste islamike që ato ta
    detyronin Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Greqinë, t’i
    lëshonin trojet shqiptare dhe të formonin Shqipërinë e
    bashkuar’.
    Përfaqësia e shqiptarëve të Kosovës, e cila merr pjesë në
    takimin e Rambujesë ka marrë me vete pikërisht këtë perlë
    të patriotizmit shqiptar dhe nën presion të jashtëzakonshëm
    po mbronë pikërisht kërkesën për pavarësi, çka do të thotë
    për ndryshim të kufijve, për shndërrimin e tyre nga kufij
    administrativ në kufij ndërmjet shteteve. Mirëpo, në qoftë
    se kjo sipas ASHSH është teori fondamentaliste islamike,
    atëherë përfaqësia shqiptare në Rambuje sipas ASHSH del se
    është duke u nisur nga një teori fondamentaliste islamike.
    Pikërisht këtë ka dashur të thotë ASHSH, sepse mua më
    njohin personalisht dhe e dinë se jam ateist e jo
    fondamentalist i asnjë besimi fetar. Por, përmes akuzës
    ndaj meje duke e përmendur përfaqësinë në Rambuje i janë
    drejtuar pikërisht kësaj përfaqësie. Dy ditë para letrës në
    Paris shkoi edhe nënkryetari i qeverisë serbe Vuk
    Drashkoviq, kryepeshkopi ortodoks serb Artemije dhe At Sava
    i manastirit të Deçanit për të bindur opinionin publik dhe
    diplomacinë në Rambuje se kërkesa e delegacionit shqiptar
    për të përfshi në marrëveshje pavarësinë e Kosovës mbas tre
    vjetësh është kërkesë islamike. Për këtë arsye, sipas
    Drashkoviqit, Artemijes dhe Savës ‘humbja e Kosovës nga
    Serbia nuk është vetëm humbje serbe, por ajo paraqet humbje
    për qytetërimin krishten evropian’. Edhe ASHSH i bashkohet
    ‘trinitetit të shenjtë’ serb Drashkoviqit, Artemijes e
    Savës me mendimin se kërkesa Fuqive të Mëdha për pavarësinë
    e Kosovës, ndryshimin e kufijve është fondamentaliste
    islamike. Me këtë formohet një treshe tjetër e ‘shenjtë’
    mbasi njëkohësisht me treshen serbe mori një udhëtim nëpër
    Ballkan edhe Pangallos për të kundërshtuar pavarësinë e
    Kosovës në emër të mosndryshimit të kufijve. Kështu,
    delegacioni serb, Pangallos dhe kryesia e ASHSH përbëjnë
    një treshe që njëkohësisht në Paris, Ballkan dhe në vetë
    Tiranën dalin kundër pavarësisë së Kosovës në emër të
    mosndryshimit të kufijve dhe luftës kundër fondamentalizmit
    islamik.
    Cilësimi i kërkesës për ndryshimin e kufijve si
    fondamentalizëm islamik, siç thashë, nuk drejtohet kundër
    meje si laik, por përmes meje i drejtohet me letër
    delegacionit shqiptar në Rambuje për të hequr dorë nga
    kërkesa për pavarësi e ndryshim të kufijve. Kështu kryesia
    e ASHSH në çastin më të vështirë dhe vendimtar për çështjen
    shqiptare i bashkohet propagandës politike e kishtare serbe
    dhe bën presion mbi delegacionin shqiptar në Rambuje që të
    heqë dorë nga kërkesa për pavarësi me argumentin se është
    kërkesë fondamentaliste islamike. Kjo është një dëshmi që
    shqiptarët duhet ta mbajnë mend mirë për të kuptuar
    shkallën e fondamentalizimit ortodoks të ASHSH dhe
    vendosmërinë e saj kundër pavarësisë së Kosovës. Është hera
    e parë që kryesia e ASHSH e cilëson kolektivisht kërkesën e
    shqiptarëve për pavarësinë e Kosovës si teori
    fondamentaliste islamike.
    Së dyti, sipas kryesisë së ASHSH kufijtë e dhunshëm politik
    ndërmjet shqiptarëve të vendosur nga Fuqitë e Mëdha më 1913
    duhet të shndërrohen nga vetë shqiptarët në kufij
    shpirtëror. Edhe kjo ide nuk është shprehur qartë në
    ‘plaformë’ dhe prandaj letra e shton më qartë. Në letër
    kryesia shtron pyetjen për mua: ‘përse ky ‘flamurtar’ i
    nacionalizmit shqiptar e ka braktisur vendlindjen e vet,
    Kosovën ...’? Në qoftë se me vendlindje kuptojnë konceptin
    e ngushtë d.m.th. fshatin ose qytetitn e lindjes atëherë
    pyetja nuk ka kuptim të më shtrohet vetëm mua, sepse gjithë
    kryesia e ASHSH po ashtu e ka braktisur vendlindjen e vetë,
    kryesisht qytete e fshatra të Jugut të sotëm të Shqipërisë
    dhe është vendosur në Tiranë. Por, kryesia vendlindjen e
    një shqiptari e barazon me kufijtë politikë, sepse
    vendlindje timen e quan Kosovën. Në këtë përfytyrim të
    kryesisë së ASHSH për shtrirjen e atdheut, e vendlindjes
    shprehet një ndjenjë dhe përfytyrim plotësisht i kundërt me
    përfytyrimin e nacionalizmit, veçanërisht të rilindësve
    shqiptarë për shtrirjen e atdheut. Për nacionalistin
    shqiptar vendlindja shtrihet nga Janina në Nish dhe nga
    Durrësi në Shkup. Përshkrime si këto gjenden me shumicë tek
    rilindësit, si p.sh. nga Sami Frashëri në veprën e tij
    madhore ‘Shqipëria ç’ka qenë...” dhe pothuajse në çdo
    dokument tjetër të rëndësishëm të Rilindjes Kombëtare
    Shqiptare e të nacionalizmit të mëvonshëm. ASHSH e RPSSH,
    që sot vazhdon të drejtohet nga të njëjtët njerëz për
    pesëdhjetë vjet është përpjekur të ndryshojë përfytyrimin e
    rilindësve për shtrirjen e atdheut dhe ta zëvëndësojë me
    një përfytyrim për shtrirjen e tij vetëm brenda kufijve
    politik. Për këtë në tekstet e shkruara prej tyre për
    edukimin e fëmijëve shqiptarë thuhej se “atdheu... shtrihet
    prej Konispoli deri në Vërmosh dhe ndërton me suskes
    socializmin’. Për të krijuar këtë përfytyrim e për të
    fshirë përfytyrimin e rilindësve D. Agolli shkruante poezi
    sipas të cilës u linte amanet brezave pasardhës ‘vetëm 28
    mijë kilometra katrorë/ asnjë pëllmbë më shumë/ asnjë
    pëllëmbë më pak’. Mbi këtë përfytyrim është shkruar nga
    Akademia ‘Historia e Shqipërisë”, ‘Historia e letërsisë
    shqiptare’ etj., etj. Me letrën e vetë kryesia e ASHSH
    dëshmon se nuk ka hequr dorë nga ky përfytyrim, se i
    përmbahet vetë këtij përfytyrimi të cunguar për vendlindjen
    dhe përpiqet t’i indoktrinojë edhe të tjerët me këtë
    përfytyrim, t’i shtyjë shqiptarët ta përfytyrojnë shtrirjen
    e atdheut sipas kufijve politikë.
    Siç shihet ndeshja e ASHSH me mua nuk është personale,
    është ndeshje e dy rrymave mendore, ndjenjësore krejt të
    kundërta. Kjo është ndeshja nga njëra anë, ndërmjet rrymës
    që përpiqet ta ngushtojë përfytyrimin e shqiptarëve për
    atdheun duke ia përshtatur atë kufijve të dhunshëm politik
    dhe, nga ana tjetër, rrymës që përpiqet ta ruaj
    përfytyrimin e shqiptarëve për shtrirjen e atdheut, kombit
    e shtetit që duhet të përputhet me ta. Kryesia e ASHSH
    përpiqet që atë që bënë Fuqitë e Mëdha më 1913 kundër
    shqiptarëve në fushën politike ta bëj ASHSH në fushën
    shpirtërore, në fushën që i takon asaj, në fushën e
    përpunimit të ideve, ndjenjave, besimeve dhe përfytyrimeve
    të shqiptarëve në përputhje me këta kufijë. Pra, kryesia e
    ASHSH përpiqet të vendosë e forcojë kufijtë shpirtëror
    ndërmjet shqiptarëve. Këtë, vendosjen e kufijve shpirtëror
    s’mund ta bënin Fuqitë e Mëdha dhe atë që s’mund ta bënin
    ato kundër shqiptarëve ka marrë përsipër ta bëj ASHSH.
    Së treti, kryesia e ASHSH shpallë se merr përsipër të bëhet
    roje shpirtërore e kufijve të Serbisë, krahas rojeve
    ushtarake serbe. Duke u përpjekur që kufijtë politik që i
    ndajnë shqiptarët t’i shndërrojë në kufij të pranuar nga
    shpirti i vetë shqitparëve, në përfytyrime të tyre për
    vendlindjen, atdheun, shtetin, kombin etj., kryesia e ASHSH
    përpiqet t’u japë një mbështetje të fuqishme këtyre
    kufijve. Kështu kryesia e ASHSH shndërrohet në roje
    shpirtërore të këtyre kufijve. Madje kjo roje është më e
    fuqishme se rojet ushtarake serbe, sepse në qoftë se
    shqiptarët do të mendonin si kryesia e ASHSH kufijtë e
    Serbisë nuk do të ishin të rrezikuar asnjëherë dhe as nuk
    do të kishte nevojë për roje ushtarake. Kufijtë që i ndajnë
    shqiptarët duhen ruajtur nga sllavët e grekët sepse nga
    shqiptarët ata kufij nuk janë pranuar asnjëherë, janë
    konsideruar të dhunshëm dhe mbi këtë bazë ëshë dëshiruar e
    kërkuar fshirja e tyre, mosrespektimi i tyre, thyerja e
    tyre. Mirëpo, në qoftë se shqiptarët do të fillonin të
    mendonin e të ndjenin si ASHSH, t’i pranonin në shpirtin e
    tyre këta kufij, atëherë sllavët e grekët s’do të kishin
    fare nevojë t’i mbronin me ushtarë. Prandaj kryesia e ASHSH
    luan rolin e një roje më efektive të kufijve të Serbisë se
    sa vetë ushtarët serbë.
    Më tej letra vazhdon: ‘përse ku ‘flamurtar’ i nacionalzimit
    shqiptar e ka braktisur vendlindjen e vet, Kosovën, dhe
    tani që ajo ka nevojë për të ai nuk shkon të luftojë atje
    si shokët e vet për lirinë dhe pavarësinë e saj, por ka
    zënë këtu në Tiranë një qoshe të ngrohte dhe sulmon
    djathtas e majtas vëllezërit e vet’? Kjo pyetje nuk qëndron
    mbasi nga vetë veprimtaria e ASHSH dhe qëndrimet e saj ndaj
    meje dëshmojnë se unë jamë në front. Deri sa ASHSH është
    roje e kufijve të Serbisë dhe ka drejtuar armët kundër
    meje, deri sa unë po zhvilloj luftë kundër rojeve kufitare
    të Serbisë, atëherë del se jamë duke thyer kufijt që i
    ndajnë shqiptarët, jamë në luftë me rojet e kufijve të
    Republikës Federale të Jugosllavisë që ASHSH i konsideron
    të pandryshueshëm e të paprekshëm dhe i ruan me tërbim. Ky
    është një front po aq i vështirë, madje në disa drejtime
    fronti i luftës në fushën e ideve është edhe më i vështirë
    se fronti i ndeshjes fizike me serbët. Idetë, ndjenjat dhe
    mendimet nuk vrasin më pak se arma, pushka e raketa, sepse
    pushka e raketa drejtohen nga idetë, ndjenjat e
    përfytyrimet. Ndeshja kundër sundimit serb nuk zhvillohet
    vetëm në front dhe me pushkë. Ai zhvillohet në konferenca
    si Rambuje, në ide si të ASHSH, Drashkoviqit, Savës e
    Artemijes për ta paraqitë pavarësinë e Kosovës si
    fondamentalizëm islamik etj., etj. Këtyre raketave serbe në
    formën e ideve u duhet vënë përballë kundëraketat po në
    formën e ideve. Por ASHSH dëshiron të lihet e lirë të
    mbrojë kufijtë e Serbisë, të bëj propagandë politike kundër
    pavarësisë e delegacionit shqiptarë në Rambuje dhe për këtë
    i drejton raketat propagandistike kundër meje me shpresë të
    më largojë, eleminojë etj. Shkurt, ky është një front, dhe
    tepër i rrezikshëm i luftës kundër sundimit serb. Sa u
    takon shokëve të mi në frontin fizik vlen ajo që i thanë
    shokët e vetë Hasan Prishtinës kur ishte deputet në
    Parlamentin e Shqipërisë: t’i na duhesh aty, për pushkë
    jemi ne.
    Së katërti, kryesia e ASHSH mbronë dhe realizon
    vllehizimin, sllavizimin dhe greqizimin e ndërgjegjes
    shqiptare. Konceptimi i shtrirjes së vendlindjes, atdheut
    të shqiptarëve që shprehet në letrën e ASHSH përputhet pikë
    për pikë me përfytyrimin e vllehëve të Shqipërisë. Një vitë
    më parë këtë pyetje më ka drejtuar nga tribuna e Kongresit
    të Shoqatës së Vllehëve të Shqipërisë, kryetari i saj,
    Kristo Goci, pyetje që u botua në gazetën ‘Fratësia’ të
    vllehëve. Atëherë nuk jam përgjigjur, sepse mendoja se as
    nuk duhet pritur, as nuk duhet kërkuar që vllehët ta
    përfytyrojnë shtrirjen e atdheut të shqiptarëve siç e
    përfytyrojnë shqiptarët. Për ta Kosova dhe Çamëria nuk mund
    të jenë pjesë të atdheut, për ta atdheu kufizohet vetëm
    brenda kufijve politik. Këtë përfytyrim vllah për shtrirjen
    e atdheut të shqiptarëve e merr dhe e bën pikënisje të
    mendimeve të veta edhe ASHSH. Dhe jo vetëm kaq, por këtë
    përfytyrim vllah për shtrirjen e atdheut të shqiptarëve
    ASHSH përpiqet ta fus në ndjenjat, mendimet dhe
    përfytyrimet e shqiptarëve. Ky është, pra, procesi i
    vllehizimit të ndërgjegjes së shqiptarëve, të mësimit të
    shqiptarëve të ndjejnë, mendojnë, përfytyrojnë si vlleh,
    proces që e realizon ASHSH. Ky nuk është akt i shkëputur i
    ASHSH. Kryesia e ASHSH përpiqet ta greqizojë e sllavizojë
    Akademinë edhe fizikisht, duke vepruar në stilin ‘hiq
    shqiptarë e vërë grek’. Kështu, për të përmendur vetëm një
    shembull: në redaksinë e filozofi-sociologjisë për hartimin
    e Fjalorit Enciklopedik Shqiptarë ishin përfshirë edhe
    Shkëlzen Maliqi dhe Agim Hyseni nga Kosova. Kryesia me
    këmbëngulje, me pretekstin se në kohën e kibernetikës,
    interentit e e-mail nuk mund të komunikohte me ta i hoqi
    dhe i zëvëndësoi me minioritarin grek, Kosta Barjaba.
    Megjithkëtë, një nga aspektet më tragjike të këtij procesi
    sllavizimi, greqizimi dhe vllehizimi të ndërgjegjes së
    shqiptarëve është sllavizimi, greqizimi dhe vllehizimi i
    mendimit të rilindësve. Duke i lavdëruar jashtë mase ASHSH
    i shtrembëron në atë mënyrë rilindësit sa i kundërvë
    plotësisht kundër vetëvetes: Sami Frashëri i ASHSH është
    armiku më i madh i Sami Frashërit real, Lidhja Shqiptare e
    Prizerenit ashtu si paraqitet nga ASHSH ëshë armikja më e
    madhe e Lidhjes reale të Prizerenit etj., etj. Duke i
    lavdëruar tej mase ASHSH përpiqet t’i kundërvë rilindësit
    ndaj vazhduesve të tyre të sotëm të cilët nuk shqetësohen
    t’i lavdërojnë, por t’i zbatojnë në rrethanat e sotme idetë
    e tyre. ASHSH i ka kritikuar rilindësit më shumë se çdo
    autorë i derisotëm. Nuk ka vepër të rilindësve të botuar
    nga ASHSH e RPSSH ku fundi i faqeve të mos jetë i mbushur
    me kritika më të gjata se vetë teksti i rilindësve, me
    kritikat për kufizimet e kohës nga të cilat vuanin
    rilindësit etj. Por ASHSH i ka kritikuar rilindësit vetëm
    aty ku nuk hynin në skemat sllave, greke e vllehe.
    Si përfundim letra përbën një dokument të rëndësishëm për
    studimin e ASHSH edhe në shumë drejtime të tjera. Por,
    veçanërisht e rëndësishme është si dokument ku ASHSH për
    herë të parë, kolektivisht dhe publikisht e quan kërkesën
    për pavarësi të Kosovës si fondamentaliste islamike dhe
    merr përsipër të ruaj kufijtë që mbajnë të coptuar
    territoret dhe kombin shqiptar, të ruaj kufijtë e Serbisë e
    të Republikës Federale të Jugosllavisë, siç shprehet ajo.
    Ajo do të mbetet si dikument i bashkëngjitjes së koordinuar
    praktike të ASHSH me ekipin serb të Drashkoviqit, Savës e
    Artemijes dhe fushatës së Pangallosit për të paraqitur
    kërkesën e delegacionit shqiptar në Rambuje për pavarësi të
    Kosovës si kërkesë islamike. Ajo ka vlerë, seps përbën
    dokument të koordinimit në kohë dhe në ide të veprimtarisë
    së ASHSH me veprimtarinë e qeverisë serbe të përfaqësuar
    nga nënkryetari i saj Drashkoviq, dhe qeverinë greke të
    përfaqësuar nga ministri i saj i jashtëm Pangallos. Ajo ka
    vlerë si dokument i presionit të ASHSH mbi delgacionin
    shqiptar në Rambuje për të hequr dorë nga kërkesa për
    pavarësinë e Kosovës. Këmbëngulja e këtij delegacioni për
    pavarësi e detyroi ASHSH të dalë hapur në fushatë krahas
    Drashkoviqit, Artemijes, Savës e Pangallosit, në të njëjtën
    kohë dhe me të njëjtën pikëpamje kundër pavrësisë së
    Kosovës dhe qëndrimit shqiptar të mbrojtur deri tani në
    Rambuje.

    Hysamedin Feraj

  2. #2
    Perjashtuar Maska e Sabriu
    Anëtarësuar
    29-12-2005
    Postime
    1,283
    TË SHKRIHET AKADEMIA E “TRADHTISË INTELEKTUALE”

    Në shkrimin „Akademia e Shkencave i shkon për hullie
    shovinizmit serbogrekomadh“, botuar në „Rimëkëmbja“ më 7
    dhe 14 shkurt 2006, kolegu ynë zotëri Eshref Ymeri
    sugjeronte që të ribotohen analizat kritike që ka bërë
    zotëri Hysamedin Feraj mbi qëndrimin thellësisht
    antikombëtar të kësaj Akademie në të ashtuquajturën
    „Platformë për zgjidhje ( lexo moszgjidhjen) e çështjes
    kombëtare shqiptare“, që u botua në tetor të vitit 1998.
    Qysh kur u bë publike kjo platformë në disa shkrime e kemi
    demaskuar atë si dokument i turpit që bie jo vetëm mbi
    autorët, por mbi Akademinë si institucion. Një platformë e
    tillë turpëron shqiptarët si komb e Shqipërinë si shtet
    para gjithë botës. Prandaj e gjykojmë me shumë vend
    propozimin e zotëri Eshrefit dhe vlerësojmë se dy shkrimet
    e Ferajt kanë edhe më shumë vlerë të njihen nga lexuesit
    tanë tani, sepse sa më shumë kohë që kalon, aq më shumë del
    në pah marrëzia që ka bërë dhe qëndrimi antikombëtar që ka
    paraqitur Akademia e Shkencave me atë platformë.
    Tani po ziejnë debatet për ristrukturimin e kësaj Akademie.
    Njerëzit që janë mbledhur kruspull si në një guackë fosile
    për t’i rezistuar ndryshimit që kërkon koha spekulojnë me
    gjithëfarë pseudoargumentesh ta shmangin reformën e thellë
    të domosdoshme. Kur rilexon shkrimet e zotëri Ferajt,
    shkruar para disa vitesh, pezmatohesh që kjo Akademi, më
    saktë „azil shkencor“ nuk është mbyllur me kohë, qoftë dhe
    vetëm për atë dëm të madh që ka bërë me Platformën për
    (mos)zgjidhjen e çështjes kombëtare. Ajo Platformë
    përfaqëson vetëm një dëshmi „tradhëtie intelektuale“ në dëm
    të kombit.
    Që ndonjë nga akadhemykët që kacavirren pas idesë së
    pavarësisë për ruajtjen e fosiles të mos kërcejnë përpjetë
    e të çirret se janë „fondamentalistët islamikë“ që na kanë
    sugjeruar këtë terminologji të „tradhëtisë intelektuale“,
    po citojmë nga libri „Kush jemi ne?“, botuar në vitin 2004
    nga politologu i mirënjohur amerikan Samuel P. Hantington:
    „Julian Benda në vitin 1927, kur lufta e klasave dhe
    nacionalizmi po arrinin apologjeun e tyre, në polemikën e
    shkëlqyer „Tradhëtia e nëpunësve“ i sulmonte hidhur
    intelektualët se tradhëtonin përkushtimin ndaj të vërtetës
    për interes dhe binin nën pasionet e nacionalizmit.
    Tradhëtia e intelektualëve të sotëm është e ndryshme. Ata
    braktisin përkushtimin ndaj kombit të tyre dhe
    bashkështetasve të vet dhe mbrojnë epërsinë morale të
    identifikimit me tërë njerëzimin. Kjo u përhap e lulëzoi
    në botën akademike të viteve 1990“(fq.269), Pikërisht
    brenda viteve 1990 u gatua dhe u servir publikisht edhe
    Platforma e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për ta
    braktisur çështjen kombëtare shqiptare dhe për t’i dhënë
    epërsi mbi të identifikimit të pikëpamjeve të akadhemykëve
    të Shqipërisë me pikëpamjet e Akademisë së Shkencave të
    Serbisë.

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e bnik
    Anëtarësuar
    27-12-2007
    Postime
    152
    A do t’i rishohë Akademia e Shkencave të Shqipërisë botimet antishqiptare nën siglën e saj



    Nga Nuri Dragoj





    Në tregun shqiptar dhe atë botëror qarkullon një atlas gjeografik i popullsisë së Shqipërisë, me të dhëna të shumta antishqiptare, i cili mban vulën e institucionit më të rëndësishëm shkencor në vend. Akademia e Shkencave të Shqipërisë duhet të kontrollojë në detaje gjithë botimet që hidhen në treg nën siglën e saj, veçanërisht kur bëhet fjalë për vepra, të cilat kanë lidhje me interesat kombëtare. Nuk duhet të lejojë botime pa oponencë, duke i kaluar ato me konferenca - hije, ku askush nuk lejohet të japë mendimin e tij. Kur një botim zyrtar, nuk ka oponencë shkencore, nuk mund të botohet me siglën “Universiteti i Tiranës” apo “Akademia e Shkencave të Shqipërisë”. Bëhet fjalë për një vepër, në të cilën ka paqartësi të shumta lidhur me termat “pakicë kombëtare” dhe “pakicë etnokulturore”. Nëse një gjë të tillë, pra ndalimin e këtij botimi dhe korrigjimin e mangësive, nuk e bëri Akademia e Shkencave nga viti 2003 deri në vitin 2008, duhet ta bëjë me çdo kusht Akademia e tanishme, për shkak se një atlas i tillë, qarkullon sot në botë, duke pasur vulën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nëse një botim i tillë nuk do të hidhet poshtë sa më parë, në të ardhmen është e vështirë të na besojë kush, pasi të huajt me të drejtë mund të na thonë: “Çfarë kërkoni? Vet e keni hartuar atlasin”.

    Vepra me karakter të theksuar antishqiptar kohët e fundit janë botuar shumë, por këtë radhë bëjmë fjalë për veprën “Atlasi gjeografik i popullsisë së Shqipërisë...”, botuar në Tiranë, në vitin 2003, në tri gjuhë (shqip, anglisht dhe gjermanisht). Autor të tij janë: Arqile Bërxholi, drejtor i Qendrës Gjeografike në Akademinë e Shkencave dhe Dhimitër Doka, pedagog në Universitetin e Tiranës, të lidhur me një studiues gjerman, një farë Hartmut Asche, nga Universiteti i Posdamit. Atlasi në fjalë është përpiluar sipas pikëpamjeve antishqiptare të fqinjëve. Si grekët, ashtu dhe serbët, kanë ngritur kudo institute për të promovuar kulturën e tyre. Për të realizuar qëllimin që kanë, ata aktivizojnë me pagesë studiues të huaj për të bërë botime, të cilat të rrjedhin në vijën e tyre të Megaliidesë, madje shkojnë deri aty, sa për këtë qëllim, të “detyrojnë” dhe “shkencëtarë” shqiptarë, që të shkruajnë kundër atdheut të tyre, në shkëmbim të disa mijëra eurove. Pra, ata dinë t’u mbyllin gojën dhe institucioneve shkencore në Shqipëri, të cilat paguhen me paratë e popullit, për të mbrojtur interesat kombëtare. Pas botimit të këtij atlasi, gati në rrugë ilegale, ku nuk u mor parasysh asnjë vërejtje esenciale, ka pasur reagime nga mjaft profesorë, si Eqerem Yzeiri, Fiqiri Sheri, Agim Shehu, Pal Nikolli, Sabri Laçi, Thoma Murzaku, Kasëm Biçoku, Sherif Delvina etj. Është organizuar dhe një tryezë debati rreth këtij botimi, ku kanë qenë të ftuar si autorët e atlasit, ashtu dhe kryesia e Akademisë së Shkencave, por, për fat të keq, asnjë prej tyre nuk pranoi të merrte pjesë. Nuk morën pjesë, pasi e dinin çfarë çorbe kishin gatuar dhe e kishin të vështirë të përballeshin me profesorë të kësaj fushe, të cilët kanë një jetë që punojnë në drejtim të hartografisë, gjeografisë dhe popullsisë së Shqipërisë. Prej tyre, në atë kohë, i është drejtuar dhe një letër Presidentit të Republikës, por nuk pati asnjë përgjigje. Thonë se letrën, bashkë me shënimet përkatëse, i “kanë sekuestruar” punonjës të këtij institucioni, “shokë ideali” me autorët e këtij botimi të turpshëm. Nuk justifikohen as pretendimit e ndonjë drejtuesi në Akademi, se gjoja, “institucioni i Akademisë nuk u ndërhyn studiuesve në punën e tyre”. Akademia mund të mos ndërhyjë, por është e detyruar që, para miratimit të veprës për botim, t’ua japë atë specialistëve më të shquar që ka vendi për oponencë dhe pas korrigjimit të mangësive të jap miratimin për botim. Të thuash në emër të institucionit më të rëndësishëm të shkencës se “nuk u ndërhyjmë autorëve”, është një deklaratë e papërgjegjshme, kur ata janë caktuar në detyra të tilla për të mbrojtur interesat kombëtare dhe jo për të punuar në drejtim të shkatërrimit të tyre.

    Po ku qëndron antishqiptarizmi i këtij botimi monstruoz, për të cilin nuk janë angazhuar specialistë të fushës përkatëse, por njerëz të qëmtuar nga autorët për ato qëllime që kjo vepër – hije është shkruar.

    Në këtë atlas janë bërë publike dy harta të emërtuara “Shqipëria rreth vitit 1550” dhe “Shqipëria rreth vitit 1800”. Të dyja hartat botohen pa autorësi. Në të parën nuk shihet fare emri Shqipëri, mungojnë emrat e vendbanimeve larg bregdetit, emrat e makrotoponimeve etj. Kjo është bërë duke falsifikuar një hartë të vitit 1555, në të cilën janë vendosur vendbanimet ilire. Në disa harta janë vendosur dy gjuhë, shqip dhe serbisht, gjë që përbën një gabim të madh. Emërtimet në hartë duhet të ishin vetëm në gjuhën shqipe. Në hartën e dytë, autorët kërkojnë të na e paraqesin Shqipërinë e viteve 1800 me kufijtë e sotëm, duke na dhënë vetëm një vilajet, në një kohë kur historiografia shqiptare dhe ajo e huaj, tregojnë se ka pasur katër vilajete. Në hartën “Shqipëria rreth 1800”, Rrafshi i Dukagjinit dhe Fushë Kosova paraqiten si Serbi apo rajone të tjera si Shkupi dhe Kumanova si Bullgari. Sipas kësaj harte, Shqipëria e Poshtme (Epiri), nuk ishte tokë shqiptare, por greke. Autorët na e paraqesin Kosovën si pjesë të shtetit serbo-malazes, duke na e dhënë në hartë me të njëjtën ngjyrë si të Serbisë, kur dihet që Kosova në atë kohë ishte nën protektoratin e OKB-së dhe priste nga dita në ditë të shpallte pavarësinë. Pra, hartat që bëjnë fjalë për strukturën etnike në këtë atlas janë antikombëtare.

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e bnik
    Anëtarësuar
    27-12-2007
    Postime
    152
    Autorët kanë zgjedhur me qëllim këto harta, të cilat nuk kanë qenë botuar për të treguar popullsinë e Shqipërisë, por për lëvizje tregtare, ku shënoheshin kryesisht portet detare. Në vitin 1879, është botuar në Munih të Gjermanisë, një hartë me emrin “Shqipëria” (Albanien), ku është përfshirë Mali i Zi i sotëm në veri dhe trevat në lindje deri te Gjiri i Artës në jug. Autorët mund të zgjidhnin dhe hartat e botuara nga Agim Shehu e Pal Nikolli te “Historia e hartografisë shqiptare”, Tiranë 2001, por nuk mund ta bënin një gjë të tillë, pasi kishin marrë të tjera porosi. Mund të zgjidhnin dhe harta të tjera si atë të Homerit (700 p.e.r.), Herodotit (v. 465 p.e.r.), K. Ptolemeut (shekulli II), harta antike ilire (shekulli VII para Krishtit) harta e Kiepertit (shekulli XIX), Ami Bues dhe F. Pukëvilit (v. 1827) dhe të tjera që kanë mjaft vendbanime humane, të cilat tregojnë shkallën e lartë të dendurisë së popullsisë në trojet tona. (Agim Shehu, Pal Nikolli, “Studime Albanologjike Nr. 2 v. 2004)

    Në Atlas janë vendosur dhe dy harta të tjera, në faqen 4 dhe 5, njëra e titulluar “Shqipëria në Evropë” dhe tjetra “Shqipëria në Evropën Juglindore”. Në të parën mungojnë elementë me rëndësi si relievi, hidrografia, komunikacioni ... emërtimet e detit Adriatik dhe Jon, si dhe mangësi të tjera serioze. Edhe në hartën e dytë nuk janë saktësuar rrugët që lidhin Shqipërinë me Kosovën dhe Greqinë. Emërtimet e shteteve nuk jepen në gjuhën shqipe, por në gjuhët e shteteve fqinje. Në to krijohet imazhi sikur Kosova është pjesë e Serbisë dhe Malit të Zi. Por edhe në hartat “Vendbanimet 2001”, mungojnë vendbanimet kryesore të Shqipërisë.

    Lidhur me minoritetet në Shqipëri, Bërxholli dhe Doka, kanë mbështetur me të gjitha forcat teorinë antishqiptare greke, se gjoja ky minoritet është i hershëm, madje shumëshekullor. Pikëpamja e këtyre autorëve nuk ka qenë e tillë më parë, pasi në një tekst shkollor “Gjeografia e Shqipërisë”, viti 2002, ata shkruajnë: “Republika e Shqipërisë dallohet për pjesëmarrje të vogël të etnive joshqiptare në popullsinë e përgjithshme, rreth 2 % kundrejt 98% të etnisë shqiptare” (Gjeografia 3, fq. 87). Pra, në këtë tekst del qartë se pakicat kombëtare përbëjnë 2% të popullsisë, nga të cilat 1.8% janë minoritarë grekë dhe 0.2% minoritete të tjera. Ndërsa, pak vite më vonë, po këta autorë, pasi mbushën xhepat e tyre me para të pista, pasi siguruan shumat e duhura financiare për botimin e një libri, që vetëm shqiptarëve nuk u shërben, na thonë se pakicat janë pesëfishuar në numër. Sipas tyre, sot janë 8.6%, nga 1.4% që jep institucioni shtetëror i statistikave, INSTAT.

    Edhe te “Harta Etnografike e Turqisë Evropiane”, botuar më 1861, në rajonin e Gjirokastrës dhe Delvinës, nuk janë dhënë banorë grekë e vllahë, por vetëm shqiptarë, ndërsa për Bërxhollin dhe Dokën, aty minoriteti grek bën 30 për qind të popullsisë. (Atlasi gjeografik i popullsisë... f. 98).

    Bazuar në shumë botime të autorëve, Shyqyri Numani, Ferit Duka, Agim Shehu, Pal Nikolli, Fatos Rrapaj, Spiro Shkurti e të tjerë, minoriteti grek në Shqipëri nuk ka ekzistuar, por ai është një sajesë e qeverisë greke, e cila mori hov në vitet 1920. Në kohën kur kërkohej me ngulm hapja e shkollave shqipe për shqiptarët brenda territorit të rrëmbyer nga Greqia, me anë të Konferencës së Ambasadorëve më 1913, presione që i shkonin Lidhjes së Kombeve nga qeveria shqiptare, por dhe nga krerë të Çamërisë, grekët përfituan nga rasti dhe bashkë me premtimin për hapjen e shkollave shqipe për çamët dhe të tjerë shqiptarë, kërkuan hapjen e shkollave greke për një numër të kufizuar greqishtfolësish në Shqipëri, duke legalizuar në këtë mënyrë minoritetin grek. Bërxholli dhe Doka kanë shumëfishuar përqindjen e pranisë së minoriteteve në Shqipëri, mbase duke u mbështetur në zërin antishqiptar “Albania” të “Manualit Botëror të Minoriteteve”, sipas të cilit 11.2% e popullsisë së Shqipërisë (380 mijë banorë të saj) u përkasin pakicave: greke, rome, maqedonase, vllahe dhe serbe e malazeze. (Kasëm Biçoku, Studime Albanologjike, Nr. 2, v. 2004)

    Janë të shumtë studiuesit, vendës dhe të huaj që provojnë ardhjen e vonë të minoritarëve grekë në Shqipëri. Mithat Frashëri shkruan: “Grekofonët e Epirit janë vlleh dhe shqiptar prej race dhe të grekësuar prej gjuhe”. (Dituria, Tiranë 1928, Nr. 1, f. 4)

    Bërxholli dhe Doka arrijnë deri aty sa të pohojnë, se për minoritetet, element i parë është “minoriteti komb”, duke rrëshqitur herë pas here në “minoritete etnokulturore”. (Atlasi gjeografik i popullsisë Shqipërisë... fq. 37). Jo rrallë, njerëz dashakeqë, përmendin Kartën Evropiane për gjuhët rajonale ose minoritare, miratuar në vitin 1993, e cila ka si qëllim të nxisë dhe të përkrahë gjuhët rajonale dhe ato të minoriteteve, në aspektin territorial, por jo minoritetet gjuhësore. Për këtë arsye i është vënë theksi dimensionit kulturor. Karta Evropiane kërkon të përcaktojë “territorin në të cilin përdoret si gjuhë rajonale ose e minoritetit, një gjuhë e caktuar. Më poshtë theksohet se, “territori, të cilit i referohet, është aty ku një gjuhë rajonale ose minoritare flitet në një shkallë të konsiderueshme, qoftë edhe prej një minoriteti të vetëm, dhe që i përket bazës së tij historike, për një numër njerëzish që e përligj marrjen e masave të ndryshme mbrojtëse dhe nxitëse”.

    Fakti që janë bërë spekulime edhe në atlasin e gjeografisë së popullsisë së Shqipërisë, përbën një të keqe të madhe. Aty janë futur në një thes, pakicat kombëtare me pakicat gjuhësore, fetare etj. Madje, shkohet deri aty, sa të spekulohet me termin pakica etnokulturore.

    Shifrat e publikuara, deri tani, për numrin e minoritarëve me banim brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, janë të ndryshme dhe, shpesh, fare të pabazuara. Në atlasin e botuar në dhjetor 2002, të Sh. Herman, profesor në universitetin e Karlsruhes, jepen këto të dhëna: pakica kombëtare greke 66.000 dhe pakica kombëtare maqedonase 8000. Ndërsa në botimin që mban logon e Akademisë së Shkencave Shqipërisë, “Atlasi Gjeografik i Popullsisë së Shqipërisë, vepër shkencore, solide, me interes teorik e praktik”, jepen të tjera shifra: minoriteti grek, 65.865, minoritet i mirëfilltë maqedonas, 5000. Autori, për shkak se nuk e ka haberin e një punimi shkencor, na jep edhe një tjetër shifër, prej 14.723, e cila na tregon “numrin e mundshëm të maqedonasve”. Si guxojnë këta studiues të japin shifra pa përgjegjësi?! Si mund të kuptohet lejimi, prej Akademisë së Shkencave, i këtij botimi të dyshimtë?! Mund të themi pa frikë, se Atlasi Gjeografik i Popullsisë së Shqipërisë, botim i vitit 2003, me autorë zotërinjtë Arqile Bërxholli, Dhimitër Doka dhe Hartmut Asche, ka mangësi serioze, që rrezikojnë të sjellin pasoja, po aq serioze, për kombin. Kjo vepër është bazuar në hamendësim dhe në punime të qarqeve antishqiptare.

    Vllehët nuk përbëjnë etni në vendin tonë, por për Bërxhollin me shokë “minoriteti etnik i paformuar” vllah përbën 4.3 për qind të popullsisë së Shqipërisë. Për Konicën “vllehtë, të quajtur shpesh kuco-vllehë, për t’i dalluar nga vllehtë e Rumanisë, përbëjnë një grup prej nja 20 mijë personash dhe kanë gjuhë të afërt me rumanishten” (F. Konica, Vepra 2, f. 215). P. Nejseku shënon rreth 10 mijë vllahofolës në Shqipëri. Mbështetur në regjistrimin e popullsisë së Shqipërisë në vitin 1960, Peter Prifti thotë se në Shqipëri janë 10 mijë vllahë ose 0.66%., ndërsa Bërxholli këto shifra i shumëzon me katër .(Sh. Delvina, Studime Albanologjike, 2004/2).

    #
    Ndryshuar për herë të fundit nga bnik : 30-03-2009 më 15:56

Tema të Ngjashme

  1. Statusi i ardhshem i Kosovës!
    Nga tani_26 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 589
    Postimi i Fundit: 05-03-2008, 21:42
  2. Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 22-05-2006, 14:16
  3. Mustafaj: Kosovës t'i jepet pavarësia e kushtëzuar
    Nga Davius në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 186
    Postimi i Fundit: 30-03-2006, 12:47
  4. Shqipëria dhe pakicat etnike
    Nga RTP në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 93
    Postimi i Fundit: 09-03-2006, 08:00

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •