Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Historia ndryshe e kufijve të Shqipërisë së vogël

    Historia ndryshe e kufijve të Shqipërisë së vogël

    Çfarë drame për Shqipërinë?! Ajo, për të cilën kanë luftuar...politikanë të aftë, “aventurierë”, ushtarakë dhe popull i panjohur, tashmë të dergjet si një gjë koti.

    Ben Andoni


    Por, bash në tekstet tona, thjesht theksi patetik që i vihet kësaj ngjarje të madhe, që gjithsesi na la të pavarur në këtë botë (flitet për ndarjen e kufijve), i ka bërë njerëzit që të jenë indiferentë. Shumë indiferentë. Në fakt, nuk ka qenë kështu. Eduard Grey, ministri i jashtëm britanik, në një audiencë që i kishte dhënë diplomatit të shquar Mehmet Konica (flasim për dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit të shkuar), nuk begenisi që ta priste atë as lehtësisht konform protokollit më të thjeshtë…Kur, Konica i mënçur (vëllai i Konicës së ‘thartë’), kësaj indiference…do t’i shtonte po me të njëjtën indiference- se në vendin e tij ishte një minierë ari, atëhere puna do të ndryshonte. Me shumë politesë, diplomati britanik, një nga figurat më të shquara të kohës dhe një nga protagonistët e vendosjes së kufirit të Shqipërisë, do e pyeste dhe do e pyeste pa fund…shqiptarin e mençur, duke i kërkuar vazhdimisht detaje. Ishte vonë, shqiptari kishte arritur që t’i prezantonte çështjen shqiptare. Në fund, do të mjaftohej, me një politesë të mësuar mirë në administratën osmane, ku kishte shërbyer prej kohësh… se në Shqipëri nuk ekzistonte një minierë e tillë…



    Si rrodhën ngjarjet

    Ashtu si ndodhën ngjarjet, duhet të kujtojmë se Konferenca e Londrës e vitit 1913 ishte ajo që vendosi njëherë e mirë për kufijtë e Shqipërisë. Më mirë, projektoi ndryshimin më të madh historik të shqiptarëve. Deri më atëhere, kalojmë një vit më parë, Turqia pothuaj kishte dhënë shpirt. Të vetmet kontakte të saj ishin disa pjesë në territorin grek, që i lejonin asaj kontaktet me Shqipërinë. Ishte tepër vonë për të sëmurin e Bosforit, që të ngrihej nga shtrati i lëngimit. E nëse ekzistenca e mëtejshme e Turqisë ishte vetëm çështje kohe, duhet thënë se koha kishte kahe tjetër për Greqinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Bullgarinë, që në agoninë e Turqisë ishin shtojcat besnike të interesave të Fuqive të Mëdha. Po sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, po reflektohej në të gjithë qiellin evropian Lufta e Parë Botërore. I vetmi fat i Shqipërisë ishte që Austro-Hungaria nuk mund të lejonte zgjerimin e mëtejshëm të sllavëve në Ballkan. Për historianët nuk ka shumë dyshime. Ky ishte momenti që ishte bekuar nga Zoti për Shqiptarët. Diplomati i vjetër i Perandorisë, Ismail Qemali, në ardhjen e tij në Shqipëri u ndihmua direkt nga rumunët ( i dhanë anijen që do e sillte në Shqipëri) dhe austriakët (Konti Bertold, ishte më i fundit njeri që takoi Ismail Qemali, nga ku mori garancitë). Në teatrin shqiptar, ndërkohë shfaqja kishte filluar. Trupat ballkanike kishin pushtuar pothuaj të gjithë Shqipërinë, e cila merrte frymë vetëm në një sipërfaqje të ngushtë në mes të Vlorës-Lushnjes-Beratit. Koha do të tregonte që kjo ngutje nuk kishte qenë aspak e kotë. Me realitetet e reja, Fuqitë Ballkanike shkuan me një imazh tjetër në sqetull në Konferencën e Londrës së 1912. I ngrati delegacioni shqiptar, falë këmbënguljes së Dukës së Orleanit, mundi të çajë rrethimin grek në det dhe të ishte i fundit në Konferencën, që ndërkohë kishte filluar punimet. Nga një varkë, që i merr në mol, celuloidi i kohës ka fiksuar fytyrat pa shumë shpresë të delegatëve shqiptarë. Kur mbërritën në Londër do të shikonin se para Greit, ishin disa projekte, por kuptoheshin se Projekti Rus dhe Austro-hungarez ishin më të rëndësishmit. Vazhdim i këtyre projekteve ishin dhe një çerek dyzine projektesh të tjera si ai grek, sllav dhe shqiptar..që po të bashkoheshin të pestë bashkë- nuk do të gjeje kurrkund- gati asgjë të përbashkët. Rusët e gjykonin Shqipërinë nga Mati në Vjosë, duke i lënë serbëve daljen në Shëngjin dhe në Durrës…Pjesa më e madhe e tokave shqiptare mbeteshin natyrshëm jashtë. Gjithsesi, sikleti nuk mbaronte këtu, ngaqë Shqipëria do të ishte një provincë autonome nën kujdesin e Turqisë.
    Por Austro-hungarezët…ishin ndryshe. Ata njihnin vetëm kufijtë e 1878, por për fatin e shqiptarëve, llogarisnin brënda vendit, pjesën më të madhe të Kosovës, Ohrin, rrethinat e Shkupit, Manastirin, Janinën, Çamërinë dhe deri në Prevezë. Vjena synonte që të mbijetonte parimi i vendosjes së kufijve në tokat e kombësive të ndryshme. Në krahun e saj, Gjermania dhe Italia e mbështetën këtë projekt.
    Serbët synonin të futeshin deri në Durrës, kurse kishin pretendime kudo në Shqipëri, me argumentin që banorët vendas i quanin turq të shqiptarizuar dhe për faktin se në të gjithë vendin… kishte kisha serbe…Mali i Zi kërkonte Shkodrën, sepse e quante jetike për ekzistencën e saj fizike. Sipas sllavëve, Shqipëria e tyre tashmë ishte nga Tirana në Vlorë. Grekët, në ekstremin tjetër, nuk kishin të ngopur dhe ishin absurdë, sepse përfshinin në projektet e tyre dhe argumenta ekonomikë. Ata kërkonin që të ishte Thesalija, Janina, Çamëria brënda territorit të tyre dhe këtyre t’u bashkëngjitej dhe Himara e Gjirokastra, pasi këto zona mund të jetonin lirisht vetëm me lidhjet me Greqinë. Kjo e fundit, përmes këtyre zonave, kërkonte, ashtu si edhe me Korçën, që të krijonin zona tampon, për t’i pasur në çdo moment nëse do të sulmoheshin ndonjëherë nga shqiptarët.
    Projekti shqiptar u hartua me shumë ngut, por dhe me shumë maturi dhe synonte që të hidhte poshtë argumentat e fqinjëve. Shqiptarët këmbëngulnin tek kufijtë me bazë kombësinë dhe pasjen parasysh të faktorëve gjeografikë dhe ekonomikë. Nga ana tjetër, me plot të drejtë, delegacioni shqiptar u mbrojt energjikisht dhe argumenti kryesor, i përdorur ishte se po të zbatohej varianti rus: Shqipëria mbeste pa burime ekonomike. Kjo e bëri, Konferencën që të arsyetonte se Shkodra, Durrësi, Tirana, një pjesë e Dibrës dhe Mirëdita t’i merrej serbëve dhe malazezëve. Lufta e fqinjëve, nga ana tjetër, nuk kishte qenë e kotë, sepse jashtë Shqipërisë mbeti Kosova, Ohri, Struga, Manastiri. Në jug, shqiptarët u hoqën nga kthetrat grekëve: Korçën, Gjirokastrën, Delvinën, Himarën, Llogoranë dhe Përmetin dhe kufiri shkonte deri në qytetet shqiptare të Janinës, dhe deri në Çamëri. Nga kjo konferencë dolën dhe dy komisionet, që do të merreshin me kufijtë e shqiptarëve, respektivisht në veri dhe jug, ndërsa një mbret duhet të drejtonte Shqipërinë. Episodi më atraktiv për konferencën ishte veshja e Is Boletinit dhe audienca e tij e famshme me Eduart Grey, që pasi e qësëndisi se e kishin çarmatosur rojet e tij…i premtoi se do e fuste Mitrovicën e tij në Shqipëri. “Kam ardh për t’tan Shqipnin dhe jo për qytetin tim”, iu përgjigj burri, duke nxjerrë befasisht alltinë e dytë.
    Qindra kilometra më tutje, shqiptarët kishin filluar absurdin. Mirditorët pretendonin se ishin më mirë me serbët. Kurse në jug, kishte vende që thoshin se ishin grekë. Por..nuk kishte kohë…topografët nuk mund të vendosnin më për kufijtë sepse erdhi Viti i mbrapshtë i luftës së madhe të popujve.



    Epilog
    Shumë vite më pas…më 1923 mbërriti komisioni që do të caktonte realisht kufijtë e Shqipërisë së Jugut. Ai kryesohej nga Gjenerali Telini dhe një major Britanik. Bajram Fevziu shoqëronte delegacionin, atbotë me pozicionin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe deputet i Kolonjës. Gjeneral Telini do të vdiste në detyrë..në ekstremin jugor të Shqipërisë…Më pas fabula dihet. Shqyrtimi i kufijve të mëtejshëm të Shqipërisë së Jugut mbeti pezull, derisa u caktua në bisedimet direkte Shqiptaro-Greke më 1927. Do të ishte Mehmet Konica që do e përcillte trupin e Telinit më 1923. Askush nuk e mësoi ndonjëherë muhabetin që bëri ai kokë më kokë me Sër Eduart Grey…për Shqipërinë dhe minierën e saj hipotetike të arit.


    ABC nr.28-Ben Andoni
    16.03.2006
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Si ishte Shqipëria e Madhe

    Si ishte Shqipëria e Madhe

    “Vështrim për potencialin ekonomik të viseve që iu shkëputën shtetit shqiptar në vitin 1913. Dhe, pasojat e copëtimit”. Ky është titulli i shkrimit, që studiuesi i njohur i historisë ka përgatitur për ABC-në dhe ku tregon sesa i kushtoi Shqipërisë ndarja e frikshme e vitit 1913.

    Prof. Dr. Marenglen Verli*
    Instituti i Historisë

    Potenciali ekonomik

    Ndër elementët që tregojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi për potencialin ekonomik të një vendi dhe të banorëve të tij, janë padyshim sipërfaqja e tij, pozita gjeografike, sipërfaqja dhe cilësia e tokës bujqësore (e lidhur kjo edhe me rrjetin hidrografik dhe klimën), pasuritë e nëntokës, niveli i infrastrukturës rrugore, përmasat e urbanizimit, struktura e degëve të ekonomisë, përmasat dhe bilanci i tregtisë së jashtme, standardi i jetesës, prodhimi dhe të ardhurat e përgjithshme, rezervat valutore, ose (në të kaluarën) rezerva e thesarizuar e monedhave të punuara nga metale të çmuara etj. Natyrisht kanë peshë numri i popullsisë, mosha mesatare e saj, kualifikimi etj.
    Nga një këndvështrim sado i përciptë del se potenciali ekonomik i viseve që iu shkëputën shtetit të pavarur shqiptar në vitin 1913 ishte i konsiderueshëm dhe në shumë aspekte superior, krahasuar jo vetëm me viset që u përfshinë në Shqipërinë politike, por edhe me rajone të tjera të Ballkanit. Le të shikojmë disa elemente të këtij potenciali.



    Sipërfaqja dhe Popullsia

    Trojet shqiptare në vitin 1912 shtriheshin të paktën në 55-60 mijë km2 e sipas disa autorëve në 70-75 mijë km2. me copëtimin e Shqipërisë në vitin 1913 mbeti jashtë saj rreth gjysma e trojeve, përkatësisht Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit, viset e Dibrës, të Pollogut etj, të Maqedonisë së Sotme Perëndimore, viset e Çamërisë etj, si edhe vise të shkëputura më parë si Ulqini me rrethina, viset perëndimore të ish-Sanxhakut të Nishit etj.
    Në këto vise (pa llogaritur humbjet në fund të viteve 70 të shek.XIX si pasojë e luftërave dhe e vendimeve të Kongresit të Berlinit), ku shqiptarët përbënin mesatarisht 75-80% të popullsisë dhe në vise të tjera periferike ku ata, edhe pse nuk ishin shumicë, përbënin një përqindje të madhe të popullsisë, me një mesatare prej 27%, pra në të gjitha këto vise, të cilat arrinin së bashku një sipërfaqe prej mbi 40 mijë km2, jetonte më shumë se gjysma e kombit shqiptar. Është i njohur fakti se në 28 000 km2 të Shqipërisë së pavarur, në vitin 1912 jetonin 703 mijë shqiptarë (në një popullsi të përgjithshme prej 740 mijë banorësh), në viset e aneksuara nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia mbetën rreth 850-900 mijë, e ndoshta edhe 1 milion shqiptarë. (Zija Shkodra, në monografinë “Qyteti shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare”, popullsinë e Shqipërisë në fund të shek.XIX e vlerëson 2 milionë banorë në 75 000 km2, nga të cilët mbi 2/3, në trojet shqiptare dhe pjesa tjetër në viset periferike). Kurse në “Historinë e Shqipërisë”,botim i vitit 1984, shifrat minimale për numrin e shqiptarëve në vitin 1912 japin të paktën 1 452 000 banorë. Sipas këtij botimi në rreth 20 000 km2 të trojeve shqiptare të aneksuara nga Serbia, 4 000 km2 të aneksuara nga Greqia dhe 2 000 km2 të aneksuara nga Mali i Zi, jetonin 550 mijë shqiptarë dhe rreth 160 mijë minoritarë serbë, maqedonë e grekë. Kurse në viset periferike jetonin rreth 200 000 shqiptarë krahas 535 mijë pjesëtarëve të kombeve të tjera. Në kuadër të katër vilajeteve të cilësuara shqiptare, përkatësisht të Shkodrës, Shkupit, Manastirit dhe Janinës, pa llogaritur Sanxhakun e Selfixhes në Vilajetin e Manastirit, që nuk kishte shqiptarë, në vitin 1912 jetonin 2 354 200 banorë, nga të cilët 1 452 000 ose 61,7% e gjithë popullsisë ishin shqiptarë. Shifrat e sipërpërmendura tregojnë se kombi shqiptar nga ana sasiore nuk dallohej nga kombet fqinje. Sipas të dhënave të kohës në fund të shek. XIX Bullgaria kishte 96 000 km2 dhe 3,3 milionë banorë, Serbia 48 000 km2 dhe 2,37 milionë banorë, Greqia 65 000 km2 dhe 2,4 milionë banorë, kurse Mali i Zi 9 000 km2 dhe 227 mijë banorë.

    Pozita gjeografike

    Territoret jashtë Shqipërisë politike, të aneksuara nga Serbia, Greqia dhe Mali i Zi përbënin rajonet lindore, veriore dhe jugore të trevave shqiptare, të cilët kishin qenë gjithnjë ura lidhëse ndërmjet të gjitha viseve dhe kombit shqiptar, veçanërisht të viseve perëndimore bregdetare me viset qendrore e jugore të Ballkanit e më gjerë. Ato kishin shërbyer për komunikimin njerëzor gjithfarësh, ekonomik, kulturor, politik etj., midis shqiptarëve dhe popujve a kombeve të tjerë fqinjë, me interes të ndërsjellë në shkëmbim të vlerave materiale e shpirtërore. Madje ato kishin shërbyer edhe si ndërlidhëse të këtyre popujve me Evropën perëndimore. Duke qenë përgjithësisht vise me reliev të butë, ato përbënin bazën e fondit të tokës bujqësore për trevat shqiptare, vlera e së cilës ishte veçanërisht e lartë për shkak të një rrjeti hidrografik dhe të një klime të përshtatshme. Njëherësh ky reliev ishte pa probleme edhe për mjetet e komunikimit apo të transportit të asaj kohe. Përmes tre koridoreve, apo linjave horizontale, prej shekujsh komunikohej me bregdetin Adriatik e Jon.
    Përmes Tivarit-Ulqinit dhe Lezhës, Shkodra e fuqishme tregtare gjatë shek. XIX shkëmbente (duke ndjekur disa drejtime, por veçanërisht rrugën përgjatë Drinit) me Prizrenin dhe gjithë Kosovën, me rreze që shkonin edhe më tej, deri në Nish e Tetovë. Shkëputja e Ulqinit dhe e Tivarit, por edhe e Sanxhakut të Nishit, ishte goditje fatale për rrugën e veriut. (Sigurisht kishte edhe faktorë të tjerë, si hapja e kanalit të Suezit, ndërtimi i hekurudhës Selanik-Mitrovicë, rritja e pasigurisë etj.). Të gjitha këto ndodhën gjatë 40 viteve të fundit të shek. XIX.
    Drejtimi i dytë ishte Durrës-Elbasan, me bigëzimin Dibër-Ohër, më tej me zgjatimin drejt Manastirit etj., rrezja e të cilit shkonte deri në Bullgari. Kjo rrugë u shkurtua në vitin 1913 në mënyrë drastike, duke mbetur një arterie që vdiste në Qafën e Thanës.
    Drejtimi i tretë niste nga bregdeti i Çamërisë, me port kryesor Prevezën, dhe përfshinte Janinën, Korçën, Kosturin, Follorinën e më tej, me rreze deri në Thesali, duke pasur caqe të vetat Selanikun dhe Stambollin. Ky korridor pësoi goditjen fatale në vitin 1913, kur jo vetëm u humbën skela, por edhe rruga nga Saranda drejt brendësisë, e ndërprerë nga kufiri, mbeti nje segment qorr pa vijimësi deri në Korçë.
    Pas vitit 1874 u forcua drejtimi i ri vertikal veri-jugë përgjatë linjës hekurudhore Mitrovicë, Prishtinë, Ferizaj-Shkup, por ai nuk do të kompensonte shkatërrimin e korridoreve të sipërpërmendura dhe, madje pas vitit 1913 do të ndikonte në copëtimin e tregut unik shqiptar.

    Sipërfaqja bujqësore

    Duke qenë përgjithësisht me terren të butë, viset që iu shkëputën Shqipërisë në vitin 1913 ishin baza e kombit shqiptar për tokën bujqësore. Në vitin 1912 në trevat shqiptare ende brenda kufijve të Perandorisë Osmane llogariteshin si tokë bujqësore rreth 1 milion ha tokë, pa përfshirë këtu sipërfaqet në Serbi, Bosnjë e Thesali, pronësinë e të cilave shqiptarët e humbën pjesërisht qysh në gjysmën e parë të shek.XIX dhe sidomos pas ndryshimeve kufitare në fund të viteve 70 të shek.XIX, që, sipas të dhënave jo të drejtpërdrejta, duhet të kishin qenë diku midis 100-200 mijë hektarëve. (Është fjala për tokat në pronësi të shqiptarëve në Sanxhakun e Nishit, të aneksuara nga Serbia, si edhe për pasuri të tjera në viset që u përfshinë në kufijtë e Malit të Zi dhe të Greqisë, sipas vendimeve të Kongresit të Berlinit). Nëse brenda Shqipërisë së pavarur të vitit 1913 mbetën afërsisht 350 mijë ha tokë bujqësore, jashtë saj mbetën të paktën 2 herë më tepër. Vetëm në Kosovë, në kufijtë e saj të sotëm konvencionalë, gjendeshin rreth 400 mijë ha tokë bujqësore, kurse në trevat e tjera shqiptare të përfshira në Serbi e në Mal të Zi (më pas në Jugosllavi) dhe në viset periferike ishin në pronësi të shqiptarëve edhe rreth 200 mijë ha të tjerë. Po kështu dhjetëra mijëra ha tokë bujqësore në pronësi të shqiptarëve ndodheshin në Çamëri, në viset midis Janinës, Konicës, Kosturit, Follorinës etj.
    Nëse tokës bujqësore në trevat shqiptare (e cila duhet theksuar se përgjithësisht ishte në duart e shqiptarëve) i shtohen edhe sipërfaqet në pronësi të shqiptarëve në viset e tjera periferike, si edhe pronat e tyre të shpronësuara arbitrarisht në fund të viteve 70 të shek.XIX në vendet e Perandorisë Osmane që u kaluan tri monarkive ballkanike fqinje, nga disa llogaritje, që nuk pretendohet të kenë saktësi të plotë, del se shqiptarët në Ballkan në vitet para Lidhjes së Prizrenit kishin rreth 1,2 - 1,3 milion ha tokë bujqësore dhe, gjithsesi, në vitin 1912 zotëronin ende rreth 1 milion ha. Kjo sipërfaqe kishte kapacitet të prodhonte, llogaritur me rendimentet e kohës (5 kv/ha), rreth 0,5 milion ton drithëra, sasi kjo e mjaftueshme për të ushqyer një popullsi prej 3-4 milionësh (sipas konsumit të atëhershëm të drithërave për banor). Ndonëse për shkak të përqindjes së konsiderueshme të djerrinave, veçanërisht të tokës në pronësinë çifligare (deri 50%), formë pronësie kjo që në viset shqiptare shtrihej në rreth 620 000 ha, shifra e prodhimit të drithërave e llogaritur potencialisht nuk realizohej, përsëri sasia e realizuar i plotësonte nevojat e popullsisë në këto treva për ushqim.
    Tokat bujqësore të shqiptarëve, të cilat mbetën jashtë Shqipërisë, jo vetëm ishin me sipërfaqe 2-3 herë më të madhe se tokat që u përfshinë në këtë shtet, por përgjithësisht ato ishin për atë kohë më të bonifikuarat dhe me vlera më të larta prodhuese. Sipërfaqet bujqësore në Kosovë dhe në viset e tjera ishin prodhuese drithi mbi nevojat e konsumit. Me vlera eksportuese paraqitej edhe blegtoria dhe disa produkte të tjera të ekonomisë fshatare. Prodhimet e disa llojeve të frutave, ku veçohej molla, të duhanit etj., gjithashtu ishin të përmasave ballkanike.

    Rrjeti rrugor

    Viset që iu shkëputën Shqipërisë kishin edhe potenciale të tjera me vlera ekonomike të mëdha. Në ato vise mbeti një rrjet rrugor qerresh e karvanesh mjaft i plotë sipas parametrave ballkanikë (e favorizonte edhe terreni), mbeti gati gjysma e rrugëve detare, mbeti edhe e vetmja linjë hekurudhore në segmentin Shkup-Mitrovicë, që kalonte përmes viseve shqiptare. Vetëm rrugë qerresh të shndërrueshme lehtësisht në trase për automobila llogaritet të kenë mbetur jashtë kufijve rreth 2 600 km. Gjatë Luftës së Parë Botërore vetëm brenda 28 mijë km2 të shtetit shqiptar të njohur, ushtritë pushtuese patën mundësi të improvizonin rreth 1 000 km rrugë për nevojat e tyre, madje edhe një rrjet dekovili prej 350 km. Të mos harrojmë se në trojet që i mbetën Shqipërisë mbizotëronte një terren mjaft i thyer malor në krahasim me viset e copëtuara.

    Qytetet

    Në vitin 1913 jashtë Shqipërisë mbetën edhe një pjesë e madhe e qyteteve. Në viset e copëtuara gjendeshin 25 nga gjithsej 56 qendrat urbane, ose 46% e tyre (16 ndër 32 qytetet më të rëndësishme), rreth gjysma e popullsisë qytetare (51%) prej 352 mijë banorësh, gjithashtu më shumë se gjysma e skelave dhe e limaneve shqiptare.
    Ndër qytetet kryesore që mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar ishin Prizreni, Peja, Gjakova, Prishtina, Tetova, Dibra etj., dhe, madje, qendrat kryesore të 3 ndër 4 vilajetet shqiptare, përkatësisht Shkupi, Manastiri dhe Janina. Edhe pse me popullsi mjaft të përzier, këto qendra banoheshin në masën mbi 50% nga shqiptarët, si në Shkup, ose ata ishin më shumë se çdo popullsi tjetër, si në Manastir dhe Janinë. Shqiptarët gjithashtu ishin pronarët kryesorë, ose kishin në duar në një masë të madhe ekonominë e këtyre qyteteve.
    Jashtë kufijve të Shqipërisë mbetën të paktën 12 skela ose limane shqiptare nga 22 të tilla, që përballonin 2/3 e lëvizjes tregtare (rreth 30 milionë franga). Disa nga këto skela, ndoshta 6, si Tivari, Ulqini e Salahora (Arta) etj., ishin humbur qysh në vitet 70 të shek. XIX. Të tjera si Preveza, e cila bënte dyfishin e xhiros tregtare të Vlorës, ose 1/3 e xhiros së gjithë porteve shqiptare jugore, humbën në vitin 1913. Sipas prof. Z. Shkodrës në vitin 1912 lëvizja e jashtme tregtare e disa skelave arrinte në rreth 50 milionë fr. (Sipas dokumentacionit të kohës në shek.XIX skelat kryesore ishin Tivari, Ulqini, Lezha, Shëngjini, Durrësi, Kavaja, Vlora, Porto Palermo, Saranda, Preveza, Salahorë (Artë), Gumenicë, gjithashtu Valdanosi (gji në veri të Ulqinit), gjiri i Kruçit, Porto Milena, Oboti, Vivari i Butrintit, Sajadha, Spalanca, Kataktos etj.).
    Nga ky bilanc, sado i përciptë, del qartë se në viset që u bënë pre e copëtimit, mbeti një pjesë e rëndësishme e tregut të përbashkët kombëtar, të konsoliduar gjatë gjysmës së parë të shek.XIX e në lulëzim deri në vitet 60-70, por me shumë peshë në rajon edhe më pas, me gjithë goditjet që pësoi pas hapjes së linjave të reja të komunikimit rajonal e më gjerë, siç ishte vënia në punë e Kanalit të Suezit (1869) dhe ndërtimi i hekurudhës Selanik-Mitrovicë (1874). Pasojat e shkaktuara nga hapja e korridoreve të reja të lëvizjes së mallrave, bashkë me thellimin e rënies së gjithanshme të Perandorisë Osmane dhe të rritjes së pasigurisë për çdo biznes të kohës, ndikuan në çrregullimin e drejtimeve të vjetra të tregtisë dhe pakësuan vlerat portuale të bregdetit shqiptar, si edhe tregtinë tranzite të trevave shqiptare që kishte aty bazën e nisjes.
    Në viset e shkëputura prej Shqipërisë mbeti më shumë se gjysma e 16 921 njësive zejtaro-tregtare, përkatësisht 8 548 njësi (ku ushtroheshin rreth 80 zeje), si edhe më shumë se gjysma e 50 ndërmarrjeve të para industriale. (Sipas “Historisë së Shqipërisë”, botim i vitit 1984, në Shqipëri, në vitin 1913 kishte 33 ndërmarrje prodhimi mbi baza kapitaliste. Shkupi me 20 njësi të tilla dhe Shkodra me 12-15 njësi, kishin rol udhëheqës në drejtimin e ri të ekonomisë. Qytete si Prishtina me 5-6 njësi, Tetova me 2 dhe me mbi 20 punishte manifakture, Ulqini me kantieret për anije, Preveza, Elbasani etj., me nga një njësi, sidoqoftë rreshtoheshin pas tyre).
    Ndonëse në prodhimin e ekonomisë së qytetit mbizotëronin zejet e përpunimit të metaleve, kryesisht për objekte me funksione zbukurimi ose përdorimi vetjak, përpunimi i lëkurëve, si edhe prodhimi i veshjeve dhe i produkteve ushqimore, këto degë siguronin të ardhura të konsiderueshme në kuadrin e gjithë degëve të ekonomisë. Administrimi osman në këtë kohë pengonte zhvillimin e ekonomisë dhe ngadalësoi mjaft hapat që qenë hedhur në fillim të shek.XIX, kur në pashallëqet e mëdha, me politikë më racionale dhe veçanërisht me shpenzimin në vend të të ardhurave kryesore të vjela nga tatimet, u arritën të tilla maja, sa që p.sh. Shkodra të kishte 40 000 banorë (fund shekulli e gjeti me 25 000), Prizreni 25 000 banorë etj., ndërkohë që Beogradi dhe Athina ishin mjaft më të vogla. (Sipas prof. Z. Shkodrës edhe në fillim të shek.XX Shkodra vazhdonte të kishte 40 000 banorë dhe 2 500 dyqane, Prizreni 30 000 banorë dhe 1 427 dyqane, Gjakova 12 000 banorë dhe 1 000 dyqane, Peja 15 000 banorë dhe 660 dyqane, Vushtria 3 600 banorë dhe 130 dyqane, Prishtina 12 000 banorë dhe 512 dyqane, Tetova 9 750 banorë dhe 573 dyqane, Dibra 11 000 banorë dhe 462 dyqane, Ohri 16 000 banorë dhe 510 dyqane, Lezha 4 000 banorë dhe 127 dyqane, Durrësi 5 000 banorë dhe 321 dyqane, Kavaja 5 000 banorë dhe 447 dyqane, Tirana 15 000 banorë dhe 700 dyqane, Elbasani 11 000 banorë dhe 800 dyqane, Korça 13 000 banorë dhe 800 dyqane, Berati 15 000 banorë dhe 1 000 dyqane, Vlora 7 000 banorë dhe 242 dyqane, Gjirokastra 12 000 banorë dhe 410 dyqane, Janina 18 000 banorë dhe 1 300 dyqane, Preveza 8 000 banorë dhe 180 dyqane, Mitrovica 3 500 banorë dhe 365 dyqane, Struga 3 550 banorë dhe 236 dyqane etj.).
    Por edhe pse dhjetëvjeçarët e fundit i kishin shtuar problemet për shqiptarët dhe koniunkturat ndërkombëtare ekonomiko-politike kishin ndikuar negativisht duke frenuar ritmet e zhvillimit, edhe pse struktura e degëve të ekonomisë nuk ishte më bashkëkohore, edhe pse bilanci i tregtisë së jashtme nga portet shqiptare erdhi duke u bërë gjithnjë e më pasiv dhe në shpenzimet e jetesës së popullsisë ndikonin dukshëm dërgesat e emigrantëve (në 1912 rreth 14-16 milionë franga. në vitin 1912 vetëm në ShBA, nga vinte një pjesë e konsiderueshme e dërgesave, llogaritet të kenë jetuar rreth 50 000 shqiptarë), ose pjesërisht konsumi i monedhave të arta të thesarizuara etj., përsëri potenciali ekonomik i viseve që iu shkëputën Shtetit të pavarur shqiptar qe i madh dhe mund të thuhet padyshim se ato ishin pjesa më e begatë e viseve shqiptare sipas parametrave të kohës.


    Pasuritë minerale

    Ndër begatitë e sipërpërmendura nuk janë llogaritur pasuritë minerale nëntokësore të viseve shqiptare. Në këtë kohë shfrytëzohej vetëm sera e Selenicës dhe kromet në Rrafshin e Siriniqit. Vlera e pasurive minerale të Kosovës dhe të viseve të tjera të shkëputura nga shteti shqiptar u çmua pak më vonë. Rezervat energjitike të këtyre viseve, me bazën e tyre në Kosovë (100 000 000 tonelata linjit sipas vlerësimeve të viteve 70 të shek.XX), gjithashtu polimetalet me bazë plumb-zinkun, kromitet etj., etj., të cilat kanë përbërë 50-60% e më shumë të rezervave të Federatës Jugosllave për këto pasuri të nëntokës, treguan se viset shqiptare të shkëputura arbitrarisht në vitin 1913 dhe veçanërisht Kosova ishin dhe u vlerësuan si trevat me nëntokën më të pasur në Ballkanin Qendror e Perëndimor dhe një ndër rajonet më të pasura të Evropës e të Botës.

    Tatimet

    Për potencialin ekonomik të viseve të shkëputura nga shteti shqiptar do të dëshmonte edhe sasia e tatimeve që mblidhte administrata osmane. Në mesin e viteve 90 të shek.XX, nga taksat themelore të shtetit në vilajetin e Janinës (527 000 banorë) nxirreshin 28,5 milionë groshë (vetëm 8 milionë shpenzoheshin në vend) në vilajetin e Manastirit (840 000 banorë) 46,7 milionë groshë (9,7 milionë shpenzoheshin në vend), në vilajetin e Kosovës (1 milion banorë) 53 milionë groshë (43 milionë shpenzoheshin në vend), kurse në vilajetin e Shkodrës (300 mijë banorë) vetëm 4,3 milionë groshë (1,7 milion shpenzoheshin në vend). Kështu, siç shihet, në tre vilajetet, që u thërrmuan në interes të shteteve fqinje në shumicën e territorit të tyre, nxirreshin përmes taksave përkatësisht 7 herë, 10 herë dhe 13 herë më tepër tatime se sa në vilajetin e Shkodrës. Edhe pse nuk kam pasur në duar të dhëna të hollësishme për sasinë e tatimeve që nxirreshin nga viset që mbetën jashtë Shqipërisë në vitin 1913, është e qartë, nga krahasimi i treguesve të tjerë të sipërpërmendur, se në ato vise nxirrej së paku gjysma e tatimeve të të gjithë trevave shqiptare.

    Thesaret monetare

    Së fundi për begatinë e viseve të shkëputura dëshmon edhe sasia e monedhave të thesarizuara, që në kushte zhvillimi normal do të ishte një kapital i mirë për investime. Për fat të keq, në mungesë edhe në këtë rast të të dhënave, duhet të përdorim llogaritje jo të drejtpërdrejta që vlerësojnë edhe treguesit e tjerë ekonomikë të njohur. Vetëm në Shqipërinë e pavarur më 1922, pikërisht pas 15 vjet destabiliteti e luftërash të egra, ekonomisti i Lidhjes së Kombeve Alber Kalme ka vlerësuar ekzistencën e 60-100 milionë fr. në gjendje monedhash me vlerë. Mund të arsyetohet se në vitin 1912 shifra ka qenë më e madhe. E njëjta situatë duhet pranuar edhe për Kosovën dhe viset e tjera të copëtuara. Për shifrat e monedhave që gjendeshin atje në duart e popullsisë vetëm mund të hamendësohet, por sidoqoftë ato s’kanë qenë kurrë më të vogla se në Shqipërinë e vitit 1913.

    Pasojat e copëtimit
    Copëtimi i vitit 1912 ka qenë fatal për kombin shqiptar. Dëmet dhe pasojat negative ishin të rënda në të dy krahët e kufijve: Kombi shqiptar në tërësi humbi troje, njerëz, vlera ekonomike, u dobësua në peshën e tij politike e ushtarake etj., dhe u rrezikua qenia e tij. Atij iu prish tregu unik, iu ulën dukshëm ritmet e zhvillimit ekonomik, u bë argat i tipit kolonial ndaj fuqive të ndryshme, nën ndikimin ose pushtimin e të cilëve hyri (Itali, Serbi). Për pasojë u desh të përballohej një konsum i madh energjish dhe mjetesh që të sigurohej vetëm qenia e tij dhe rrjedhimisht u imponua një prapambetje dhe varfëri e dhimbshme.
    Në këtë kuadër shteti shqiptar u izolua ekonomikisht. Duke mos pasur më pozitën e bazës së tranzitit tregtar me Ballkanin Qendror, ai nuk kishte më mundësinë e akumulimit të mëparshëm të kapitalit, të thithjes së teknologjisë, të përvojës etj., etj., që të zhvillonte me parametrat normalë të kohës industrinë dhe degët e tjera prioritare ekonomike me rentabilitet. Shqipërisë iu krijuan probleme deri për ushqimin e popullsisë (sigurohej vetëm 50-70% e ushqimeve), madje iu pakësua ndjeshëm edhe fondi blegtoral i trashëguar. (P.sh. Luma nga rreth 500 000 bagëti të imta që kishte si krahinë në vitin 1912, për shkak të humbjes së bazës kullosore dimërore në vitin 1939 zotëronte vetëm 50 000 krerë).
    veçanërisht pas vitit 1912 në gjendje izolimi të thellë mbetën viset malore lindore të Shqipërisë.
    Shteti i cunguar shqiptar gjithashtu humbi dy nga tre korridoret horizontale të komunikimit me viset e tjera të Ballkanit e më tej dhe iu rrëgjua i treti që niste nga Durrësi.
    Edhe më tepër probleme patën viset shqiptare të aneksuara. Politika specifike shoviniste e njohur, solli atje shpronësime masive në pronësinë agrare, por jo vetëm agrare... (të mos ndalemi në shpronësimin e 381 000 ha, gjatë viteve 1918-1941 në viset shqiptare veriore e lindore të përfshira në Jugosllavi, nga të cilat 192 000 ha vetëm në Kosovë etj.). Varfërimi i shqiptarëve me çdo mjet, me trysni, dhunë, tatime e lloj-lloj arbitraritetesh u bë për gati një shekull politikë zyrtare e Beogradit dhe e Athinës për viset përkatëse të aneksuara.
    Shpërngulja ishte një element tjetër i politikës së sipërpërmendur, që zvogëloi ndjeshëm popullsinë shqiptare në ato vise dhe forcat e saj prodhuese (300 000 të shpërngulur deri në LDB dhe me gjithë të dëbuarit e Sanxhakut të Nishit, rreth 1 milion deri në vitin 1966). Me këtë rast nga popullsia aktive e vendit humbën mijëra zejtarë, tregtarë etj., si edhe profesionistë të vyer. Vise të tëra periferike u spastruan etnikisht. Shembujt janë të shumtë. Dukshëm ndryshoi edhe struktura etnike e qyteteve shqiptare.
    Pasojë tjetër e copëtimit për Kosovën dhe për viset e tjera shqiptare lindore ishte humbja e porteve detare të përdorura tradicionalisht dhe integrimi i dhunshëm i tyre sipas interesave të pushtetmbajtësve sllavë, çka jo vetëm solli humbje ekonomike të pallogaritshme por edhe filloi të strukturojë ekonominë në degë, që, kur u bë bilanci i 90 vjetëve që pasuan, doli të kishin qenë jorentabël. Qytetet e kufizuara artificialisht nga trevat e veta tradicionale ekonomike, si p.sh. qytetet e Rrafshit të Dukagjinit, Dibra etj., kaluan disa dhjetëvjeçarë rënie ekonomike. Pasuria e popullsisë shqiptare në to, por edhe përgjithësisht në viset e copëtuara, në mënyra të ndryshme u shkri masivisht deri në nivelin e rezervave monetare. Psikoza e pasigurisë hoqi edhe dëshirën për investime, çka çoi në thellimin e dallimeve me fqinjët. Shqiptarët nën sundimin e huaj u kthyen në popullsi të dorës së dytë. Ata ishin paracaktuar për t’iu nënshtruar dhunës shekullore shkombëtarizuese, për të mbetur prapa në fushën e arsimit e të kulturës kombëtare.
    Të gjitha këto, që natyrisht lidhen me politikën e institucionalizuar shtetërore të Beogradit dhe të Athinës, sollën edhe acarimin e marrëdhënieve nacionale, me pasoja të ndërsjella në dëm të stabilitetit, të mirëkuptimit e të bashkëpunimit ballkanik.

    Përfundimi
    Në se do të ishte realizuar pavarësia për të gjithë kombin shqiptar, do të ishin krijuar mundësi të mëdha përparimi. Një shembull jo të plotë patën dhënë dy pashallëqet e mëdha, gati autonome, rreth një shekull më parë. Vetëm vendosja e rendit dhe e sigurisë dhe shpenzimi në vend i shumicës së të ardhurave të realizuara, patën dhënë aso kohe arritje të dukshme. Është e qartë se potencialet ekonomike si komb i kemi. Është detyrë e qarqeve drejtuese kombëtare, kudo në viset ku jetojnë shqiptarët, t’i rikthejnë elementët e munguar që shtrojnë rrugën e integrimit dhe të zhvillimit ekonomik, arsimor, kulturor etj. natyrshëm ky është i vetmi drejtim që çon në plotësimin e aspiratave kombëtare.

    Drejtor i Institutit të Historisë. Titulli është i redaksisë

    ABC nr.28-Prof. Dr. Marenglen Verli
    16.03.2006
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

Tema të Ngjashme

  1. Hyseni: Kadare kundër bashkimit të Shqipërisë etnike
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 69
    Postimi i Fundit: 18-06-2009, 12:44
  2. Projektet greko-serbe për pastrim etnik
    Nga Drini_i_Zi në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 136
    Postimi i Fundit: 03-03-2009, 08:19
  3. Kryengritja Popullore Shqiptare E 1912 – 1915
    Nga ORIONI në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 12-07-2005, 14:44
  4. Historia E Shqiptareve, Nga Iliret E Lashte, Ne Eren E Islamit
    Nga ORIONI në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 11-06-2005, 13:02
  5. Informacion i përgjithshëm mbi Republikën e Shqipërisë
    Nga bastardi në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 21-05-2004, 16:05

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •