Për herë të parë në një koncert live në Pallatin e Kongreseve, artisti serbo-kroat Goran Bregoviç
Goran Bregovic, “po” Tiranës me gjithë kaba
Pranoi të vijë në Shqipëri, me të parën. Dhe jo vetëm të sjellë gjithë bandën e tij, por të këndojë edhe folk shqiptar. Në 1 dhe 2 prill, në skenën e Pallatit të Kongreseve jep koncert një nga emrat më të mëdhenj të muzikës ballkanike, Goran Bregoviç (Goran Bregovic). I ftuar nga “Media Art” ai do të sjellë në Tiranë edhe bandën e tij prej 42 këngëtarësh e instrumentistësh. Sipas producentit Arben Tasellari, artisti serbo-kroat do të ekzekutojë live 28 prej krijimeve të tij më të njohura, që nga “In the death car”, “War”, “Hop, hop, hop” e shumë të tjera, tashmë të njohura edhe për publikun shqiptar. Por jo vetëm kaq. Tasellari bën të ditur se Bregoviçi u ka kërkuar një CD me këngë polifonike shqiptare dhe kaba me klarinetë. “Krahas këngëve të repertorit të tij, Bregoviç do interpretojë në këtë koncert edhe disa këngë polifonike”.
Ndërsa koordinatorja mes Beogradit dhe palës shqiptare, Izidina Leka, thotë se kontakti i parë i Bregoviçit me muzikën shqiptare është një takim me grupin polifonik të “Janinës” dhe se është shprehur që polifonia shqiptare është “më e bukura në gjithë Ballkanin”. Puna për realizimin e koncertit të 1 prillit nisi para disa muajsh, qysh në momentin që artisti pranoi ftesën e bërë nga pala shqiptare. “Takimi ishte tërësisht i rastësishëm, në Teatrin Kombëtar të Beogradit. Ia bëmë propozimin dhe ai pranoi me shumë kënaqësi, madje tha që duhet të kishte qenë më parë në Tiranë”, - thotë Gëzim Agolli, një tjetër organizator i koncertit, duke shtuar se datat 1 dhe 2 prill ishin të vetmet data të lira në kalendarin e artistit të njohur për muzikën e tij thuajse në të gjithë botën. Për një artist të këtyre përmasave, sigurisht që edhe shpenzimet janë të mëdha. Megjithatë organizatorët, edhe pse nuk përmendin shifra, thonë me bindje që ai po vjen në Tiranë për një shumë parash 40% më të ulët nga ajo që ai merr në vende të tjera. Sepse e ka quajtur këtë një “çmim promovues” për Tiranën. “Gjithsesi, të organizosh një koncert të tillë kushton. Për të qenë gjithçka në rregull, fonia vjen nga Athina. Edhe në Tiranë ka fonistë të mirë, por pajisjet nuk janë tërësisht të kompletuara. Duhet pasur parasysh që bëhet fjalë për një bandë prej më shumë se 40 vetash, që interpreton live e që kërkon një numër të madh mikrofonash”, - thotë Tasellari, duke shtuar se qëllimi i tyre është të organizojnë një koncert madhështor dhe t’i ofrojnë publikut diçka me vlerë. Sipas tij, edhe më parë kanë ardhur këngëtarë e artistë, që kanë interpretuar 2 apo 3 këngë në aktivitete të ndryshme, ndërkohë që ky koncert, i cili zgjat më shumë se 2 orë është i pari në llojin e vet.
Vitin e kaluar Bregoviç ka pasur një tur në vende të ndryshme të Evropës. Ngjalli shumë interes në Francë dhe së fundmi, në muajin dhjetor në Itali ku u shfaq me orkestrën e tij mahnitëse “Weddings and Funerals Band” (Banda e martesave dhe funeraleve) mes tingujve të “Maki Maki”, “Cocktail Molotov”, “In the Death Car” apo “Kallashnikov”. Goran Bregoviç fillimisht ka prekur veshin muzikor të të gjithëve me kolona zanore të filmave, të regjisorit boshnjak Emir Kusturica. Më pas ka vazhduar me muzikë për teatrot, baletet dhe incizime të tjera. Para kësaj ai ka kërkuar lirinë në Jugosllavinë e marshallit Tito, përmes kitarës elektrike dhe grupit rock “White Button”. E më pas stacioni i fundit i tij, ky i sotmi, është eksperimentimi i asaj që ndonjëherë ia përkufizojnë si “ciganizimi i Ballkanit”, pra mpleksja e kulturave etnike përmes Europës, ku barrierat e dikurshme zëvendësoheshin nga ura kulturore. Ky ishte eksperimenti i njeriut shumëngjyrësh: serb nga nëna, kroat nga i jati, ortodoks, por me bashkëshorte myslimane. Dhe rezultati është një muzikë-ylber që lind në Bosnjën e Bregoviçit, por zgjatet në Meksikën e mariaçëve, xhazin e Nju Orleansit, Spanjën e flamenkos, orientalizmat turke. Në bandën e Bregoviçit nuk është vetëm muzika që të tundon me diversitetin e saj, janë edhe muzikantët, edhe kostumografia. Kështu, mbetet i pazevendësueshëm ndikimi që ka ky 55- vjeçar sllav kur luan muzikën e tij, me orkestrën e tij e cila ngërthen lumturinë dhe dhimbjen, dashurinë dhe urrejtjen, lindjen dhe vdekjen.
Filmi
Palma e artë e Kusturicës
Kur flitet për Bregoviçin, sigurisht që mendja të shkon menjëherë tek filmat e regjisorit Emir Kusturica, kolonat zanore të të cilëve mbajnë firmën e tij. Mjafton të përmendim “Koha e ciganëve”, “Ëndërr Arizona”, “Underground”, fitues i “Palmës së artë” në vitin 1995 në Festivalin e Filmit në Kanë. “Ajo çka më pëlqen tek filmat e Kusturicës është fakti që ai e tregon realitetin ashtu siç është”, - shprehet Bregoviç. Krahas Kusturicës, ai ka bashkëpunuar edhe me regjisorë të tjerë, si me Patrice Chereau në filmin “Mbretëresha Margot”, fitues i “Palmës së artë”në vitin 1994 po në Kanë.
Koncerti
Data 1 dhe 2 prill
Vendi Pallati i Kongreseve
Biletat 15, 20, 25 mijë lekë të vjetra
Vendi i shitjes Pallati i Kongreseve, Teatri Kombëtar, Akademia e Arteve
Këngët “War”, Dreams”, “In the death car”, “Lubenica”, “Lost lamb Scherzzo”, “Se nevo si”, “St. Bartholomy night”, “Santus Deus/ Pater Noster”, “Natura”, “Maki, maki”, “Policia”, “Underground Tango”, “Hop, hop, hop”, etj.
Surpriza 4-5 këngë polifonike shqiptare
Kohëzgjatja mbi 2 orë
Programi
War
Dreams
Lost lamb scherzzo
So nevo si
St. Bathplomy Night
Sanctus Deus/ pater noter
Aven ivenda
Natura
Maki, maki
Te kuravle
Sex
Policia
Underground tango
Hop, hop, hop
Ringe, ringe raja
Lubenica death
In the death car
Ederlezi
Mjesecina (moonlight)
Kolo
Rasle tijve
Underground cocek
Bulgaria traditionnal
Caje sukarije
Weddings and funerals
Kalasnikov
Belly button of the world
Muzika e Bregoviç, ide për një film shqiptar
Ndoshta muzika e tij mund të jetë pjesë e një filmi shqiptar. Sigurisht, kjo është vetëm një ide e mirë, megjithatë mbetet vetëm e tillë, deri në këto momente. “Aktualisht kam një projekt të ri për një film me Gjergj Xhuvanin dhe kam menduar t’i kërkoj për të realizuar muzikën e këtij projekti, por asnjë bisedë nuk është bërë ende”, shprehet kështu Tasellari. Sipas tij, do të ishte shumë mirë nëse muzika e tij do të ishte pjesë e një filmi artistik shqiptar, të cilin e ëndërron kushdo.
Historia e muzikantit serbo-kroat
Goran Bregoviç ka lindur në Sarajevë nga një nënë serbe dhe baba kroat. Pas disa vjetësh studime për violinë, Gorani formon grupin e tij të parë “The Uhite Button” në moshën 16-vjeçare. Kompozitor dhe kitarist pranon dashurinë e tij të papërmbajtur për rock n’roll. Pas 15 vjetësh në këtë grup, Gorani u kthye në idhullin e muzikës së llojit të tij në vendet e Evropës Lindore. Arti i tij është shumë i njohur jo vetëm në Ballkan, por edhe në të gjithë Evropën e larg saj. Në fund të viteve ’80 Bregoviç mori kohën që i duhej për të kompozuar në një projekt të rëndësishëm, filmin e Kusturicës “Times of the Gypsies” (Kohë ciganësh), dhe të përjetonte ëndrrën e tij të fëmijërisë: të jetonte në një shtëpi të vogël në breg të Adriatikut. Pas luftërave në Jugosllavi, kjo ëndërr u thye dhe ai e realizoi në Paris. Megjithatë bashkëpunimi i tij trevjeçar me regjisorin e njohur, boshnjak Ermir Kusturica, kanë përjetësuar edhe mjaft filma të tjerë si “Underground”, film me të cilin ka fituar “Palmën e Artë” në vitin 1995, “Arizona dream” etj. Ndërsa pas tre vjetësh bashkëpunim Kosturica gjeti një tjetër bashkëpunëtor për filmin e tij “Macja e bardhë, macja e zezë”. Koncertet e tij kanë qenë të shumta, ku shënohen në Romë, në Shën Pjetër, ku është pritur nga mbi 500 mijë vetë, më pas në Meksikë, Amerikë, Kanada dhe gjithë Evropën pa fund. Koncerti i tij në Tiranë shënon të parin aktivitet live dhe të përmasave të tilla, pavarësisht ardhjes në kryeqytet të këngëtarëve të njohur Mango, Xukero, Notis Sfakanakis, etj.
Ruaj Lidhjet