16 mars 2006 /TN

Shqetësimet që i kam shprehur ditëve të fundit për një kalim të baraspeshës politiko-institucionale në anën e opozitës zyrtare me zgjedhjen e gjeneral Çekut si kryeministër, e që automatikisht ia bën të mundur ta zërë vendin e Bajram Kosumit në Ekipin Negociator, duket se kanë qenë të ligjshme dhe të drejta. Një kryetar Kosove i butë dhe i dalë nga pazarllëqet brenda LDK-së, si dhe një kryetar Kuvendi po i butë dhe i dalë nga pazarllëqet e mr. Eqrem Kryeziut në kontekst të uzurpimit paraprak të postit të të parit të partisë, nuk kanë mundësi që ta pengojnë krjimin e raporteve tre me dy në favor të opozitës zyrtare. Ndërkaq pritet të shihen zhvillimet brenda LDK-së, por edhe të shihet se në llogari të kujt do të bëjë fushatë “Koha ditore” dhe “Kohavizioni”, apo edhe ndonjë tjetër më afër Veton Surroit, për të parë se a janë të sakta informacionet që më vijnë për një aleancë fluide ndërmjet mr. Eqrem Kryeziut dhe Veton Surroit kundër akademik Dacit.

Shkruan: Rexhep KASTRATI

Në kohën kur kam punuar në “Bota sot”, por edhe më parë si bashkëpunëtor i jashtëm i saj, kam theksuar sa herë që ka qenë rasti se qëllimi i linjës udbasho-jugosllavokomuniste dhe i vetë Veton Surroit ka qenë që të fusë sa më shumë konflikt ndërmjet linjës institucionaliste dhe linjës së Tiranës/Kretës, qoftë për ta rrënuar njëra-tjetrën, qoftë për t’u komprometuar në sy të diplomacisë ndërkombëtare, në mënyrë që Veton Surroi të imponohet si politikan i moderuar dhe më i pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare. Ishte fat për linjën institucionaliste që në krye të saj ishte dr. Ibrahim Rugova, i cili nuk i lejoi zërat e ndryshëm brenda kësaj linje, çfarë ishte edhe ai mr. Eqrem Kryeziut, për një revanshizëm të mundshëm ndaj dhunës politike që ushtrohej në Kosovë dhe nuk ndodhi komprementimi i kësaj linje, ndoshta rrëshqitja e vendit drejt realizimit të skenarëve për një destabilizim të situatës me mundësi kalimi edhe në luftë qytetare.

Koha ka treguar se Veton Surroi e luajti lojën relativisht mirë, pasi që arriti që të imponohet si faktor politik në Kosovë dhe vetëm për një kohë të shkurtër arriti që në Kuvendin e Kosovës t’i ketë 6 deputetë (sic.). Edhe brenda dy linjave politike: asaj institucionaliste dhe të Tiranës/Kretës, arriti që të rekrutojë njerëz që punonin për të, e që arriti ta realizojë qoftë nëpërmjet korruptimit material, qoftë nëpërmjet shantazheve.

Këto ia arriti t’i bëjë falë investimeve të shumta që qendra të ndryshme i bënë në drejtim të Veton Surroit, e me të cilat investime, si dhe me disa biznese të tjera të panjohura për opinionin e gjerë, ky i fundit arriti që të krijojë pasuri dhjeta milionëshe në euro, me 2 -3 milionë prej të cilave po dëshiron ta blejë verarinë e Krushës së Vogël, si dhe nëpërmjet informacioneve të ndryshme të tubuara nga njerëz të shërbimeve të ndryshme të sekrete, disa prej të cilëve nuk janë në mesin e të gjallëve, ndonjë tjetër dergjet në shtrat, e ndonjë tjetër tash nuk është fare në Kosovë.

Nëse do të jem i shtrënguar, edhe do të mund t’i bëjë publike emrat e atyre njerëzve të linjës institucionaliste dhe asaj udbasho-jugosllavokomuniste që janë korruptuar dhe që janë shantazhuar nga linja udbasho-jugosllavokomuniste, por meqë unë jam marrë çdo herë me zhvillimet sociopolitike, gjeopolitike e gjeostrategjike, e jo me individë, dhe edhe kur i kam përmendur, i kam përmendur pse kanë qenë protagonistë të zhvillimeve të caktuara, e jo për t’i bërë objekt të shkrimeve të mia, si dhe duke pritur që vetë ata të ndalin turrin rrënues dhe komprometues, rezervohem të përmendi emra konkretë.

Por ajo që tashmë po del në sipërfaqe, është mundësia e një aleance fluide ndërmjet Veton Surroit dhe mr. Eqrem Kryeziut kundër akademik Dacit. Edhe pse ndikimi i Veton Surroit në shkarkimin e akademik Dacit nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës është i padiskutueshëm, kam pasur rezerva që një aleancë të mundshme fluide ndërmjet mr. Eqrem Kryeziut dhe Veton Surroit ta deklaroj që në fillim të zhvillimeve të fundit politiko-institucionale, përkundër informacioneve të shumta që më vinin e që më vijnë, por fakti që “Kohavizioni” me nguti dhe thuajse të papërgatitur e pati të ftuar në “Rubikonin” e të enjtes së 9 marsit, si dhe “Koha ditore”, po e mban me paterica në garë ende për kreun e LDK-së, tregon se është e mundur që mr. Eqrem Kryeziu dhe Veton Surroi të jenë në aleancë fluide kundër akademik Dacit.

Megjithatë, mbetet të shihet se në krah të kujt do të vihet më tej “Kohavizioni”, “Koha ditore” dhe ndonjë media tjetër që është afër linjës udbasho-jugosllavokomuniste, për të parë më konkretisht se deri ku mund të shkojnë përputhjet qëllimore të mr. Eqrem Kryeziut dhe të Veton Surroit. E cilat janë përputhjet qëllimore të mr. Eqrem Kryeziut dhe të Veton Surroit?

Natyrisht se mr. Eqrem Kryeziu është i interesuar që ta ketë në krah dikë të fuqishëm që ta eliminojë akademik Dacin nga gara për kreun e partisë, pasi që i vetëm dhe vetëm me njerëz të dyshimtë brenda LDK-së e ka të pamundur, sidomos pas komprometimit të hapur që pati lidhur me autorësinë e shkarkimit të akademik Dacit nga posti i kryetarit të Kuvendit dhe pas riemërimeve dhe emërimeve në qeverinë e gjeneral Çekut, e ku spikat emërimi i Lutfi Hazirit si zëvendëskryeministër, i Kryeziut xhunior, i Sylë Hoxhës dhe i Blerim Kuqit në poste ministrore, ndonjëri prej të cilëve edhe që mund të qëndrojë financiarisht prapa lojës së kryeziut senior.

Edhe Veton Surroi, tashmë hapur ka deklaruar armiqësinë personale me akademik Dacin dhe gëzimin e tij të pa përshkruar pas vendimit të kryesisë së LDK-së për shkarkimin e këtij të fundit. Edhe pse fillimisht kritik në kufijtë e rregullave të lojës, Veton Surroi me kohë tregoi se përveç arsyeve reale që edhe mund të qëndronin për shkarkimin e akademik Dacit nga posti i kryetarit të Kuvendit, ka arsye personale dhe një mosdurim në raport me ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

Në marshimin e tij drejt majave të politikës në Kosovë, Veton Surroi e pa si pengesë pikërisht akademik Dacin, i cili as që e përfilli arrogancën verbale të Vetonit, duke mos lejuar që Kuvendi i Kosovës të bëhet arenë e tekeve të tij karrieriste dhe të tjera.

Si pehlivan politik që është dhe i paskrupullt në realizimin e qëllimeve të veta, Veton Surroi e shfrytëzoi me mjeshtri pakënaqësinë e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare me koalicionin qeverisës LDK – AAK dhe me emërimin e Ramush Haradinajt si kryeministër i Kosovës, duke e fajësuar për këtë akademik Dacin, edhe pse kushtet për një koalicion të tillë ishin pjekur shumë kohë para se akademik Daci të bëhej kryetar Kuvendi. Kjo kishte ndodhur me vetëdijesimin e shkallë-shkallshëm të Ramush Haradinajt me misionin real të linjës së Tiranës/Kretës, kurse akademik Daci vetëm mund të jetë bërë nun i këtij koalicioni.

Tendencave për ta eliminuar Ramush Haradinajn nga udhëheqja e qeverisë së Kosovës, e që u realizua me shkuarjen e tij në Hagë, e bashkë me eliminimin e tij nga udhëheqja e qeverisë së Kosovës, shpërbërjen e koalicionit qeverisës LDK – AAK, Veton Surroi iu vu në dispozicion me të gjitha energjitë e veta dhe me mundësitë e tjera. Dhe siç ndodh zakonisht, u gjet njeriu i përshtatshëm, mr. Eqrem Kryeziu, i cili veç e kishte shprehur ambicien e tij për t’u bërë i pari i LDK-së për të gjallë të dr. Ibrahim Rugovës, kurse në emisionin “Rubikon”, edhe dëshirën për të qenë epror i dr. Ibrahim Rugovës, por që e shihte me frikë autoritetin e akademik Dacit tek zgjedhësit, sepse në këtë mënyrë do të paraqiste rrezik për ambiciet e tij autoritariste e dominuese.

Vendimi arrogant i kryesisë së LDK-së i bërë nën ndikimin e mr. Eqrem Kryeziut dhe në marrëveshje edhe me ndonjë anëtar të dyshimtë të kësaj kryesie për shkarkimin e akademik Dacit, pavarësisht se këtë të drejtë nuk ia njihte statuti i partisë, vetëm disa ditë pas mbrojtjes së akademik Dacit nga deputetët e LDK-së, u pa më pastaj, se kishte të bënte me përpjekjet e mr. Eqrem Kryeziut për ta eliminuar si kundërshtar për kreun e partisë, si dhe me përpjekjet e Veton Surroit për ta hequr si pengesë në marshimin e tij drejt kreut të qeverisë së ardhshme të një koalicioni qeverisës me “Orën” si pjesë e koalicionit.

Ajo që ka mbetur pa u sqaruar juridikisht: a është shkarkuar apo është zëvendësuar akademik Daci? Kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjen juristët, kurse ajo që është tashmë e dukshme, është se në rrugë për të vendosur demokraci pa rregulla e procedura, mr. Eqrem Kryeziu i bëri një keqpërdorim fatkeq Kolë Berishës, njeriut që do të mund të ishte pasues i dr. Ibrahim Rugovës në kreun e LDK-së, si garant i vazhdimësisë së filozofisë së tij politike. Dhe jo vetëm kaq: me këtë hap, pra me shkarkimin de facto të Bajram Kosumit nga posti i kryeministrit dhe i akademik Dacit nga posti i kryetarit të Kuvendit, duket se u krijua një koalicion i ri qeverisës, edhe pse i padeklaruar zyrtarisht ndërmjet LDK-së, AAK-së dhe PDK-së.

Ajo që e kam shprehur si shqetësim pas emërimit të gjeneral Çekut, njeriut që nga Hashim Thaçi ishte vendosur në krye të SHP të UÇK-së, e më pastaj edhe në krye të TMK-së, por që ka kontribut në themelimin e partisë së Hashim Thaçit, e që ka të bëjë me mundësinë e kalimit të shumicës në Ekipin Negociator në anën e opozitës, tashmë duket sheshit: një kryetar i butë i Kosovës dhe një kryetar i butë i Kuvendit të Kosovës ishin të pafuqishëm për ta penguar Hashim Thaçin që të bëhet udhëheqës i delegacionit të Kosovës në Vjenë.

Edhe pse i bërë me konsensus, është e qartë se ndryshimet e fundit kanë pasur ndikimin e vet. Ky tashmë nuk është vetëm konstatim i imi, por edhe i disa mediave në Kosovë. Loja e mbrapshtë e mr. Eqrem Kryeziut për llogari të ambicies së tij për pushtet e dominim, tashmë e ka dhënë edhe rezultatin e dytë konkret në favor të opozitës: pas largimit të akademik Dacit nga kreu i Kuvendit të Kosovës, e që ishte lëshim ndaj opozitës, kjo tash me kryesimin e delegacionit të Kosovës në Vjenë nga Hashim Thaçi, është fitore tjetër e opozitës, e cila tashmë duket se i ka të gjitha mundësitë që t’ia diktojë rrjedhat pozitës kuvendore dhe koalicionit qeverisës. Duket sheshit që tashmë është duke ardhur koha e dominimit të lëvizjes politike në Kosovë nga linja e Tiranës/Kretës dhe nga ajo udbasho-jugosllavokomuniste.

Pas deklarimeve të mëhershme të Hashim Thaçit se modeli i decentralizimit në Maqedoni mund të zbatohet edhe në Kosovë, pas konfirmimit nga ana e Veton Surroit se elemente të Marrëveshjes së Ohrit janë përfshirë në platformën e delegacionit të Kosovës që më 20 – 21 shkurt ishte në Vjenë, si dhe deklarata e paradoditshme e tij se është fat i keq që bisedimet për statusin e Kosovës kanë filluar me Mitrovicën e ndarë, janë fakte publike që konfirmojnë se shumë shpejt do të vijë dita kur do të mund të thuhet: kur Mitrovica ka qenë e bashkuar, dhe kur kantonizimi i Kosovës do të jetë një punë e kryer. Nëse akademik Daci sadopak ka qenë pengesë për këto zhvillime, atëherë njëmend meriton përkrahje, dhe e bën fitues moral të prapaskenave të mbrapshta politike që për kryeprotagonist e patën mr. Eqrem Kryeziun.

Natyrisht se është më lehtë për Beogradin që të realizojë pretendimet e tij në Kosovë me një Hashim Thaç si udhëheqës të delegacionit të Kosovës që do të shkojë më 17 mars në Vjenë dhe nesër me një Veton Surro si kryeministër apo edhe kryetar të Kosovës. Një kryetar LDK-je si puna e mr. Eqrem Kryeziut që shkel edhe dinjitetin personal, edhe lartësinë e tij intelektuale vetëm për një post udhëheqësi partie, vetëm sa do të bënte këtë gjellë shumë të shijshme për Beogradin. Është kështu se treshja : Thaçi – Surroi – Kryeziu, tashmë janë dëshmuar si njerëz të kompromisit vetëm për ambicie personale. Pozita e sotme zyrtare do të ishte vetëm një dekor dhe si ndarëse e fajësisë dhe e përgjegjësisë për bosnizimin, maqedonizimin apo ndoshta edhe kosovarizimin e Kosovës.

Me sintagmën e fundit terminologjike dua të shënjoj atë tip decentralizimi që ka elemente edhe të ndarjes së Bosnës, edhe të decentralizimit sllavomaqedonas. Sidoqoftë mbetet të shihen rezultatet, ose së paku kahjet e zhvillimeve gjatë dhe pas takimit të dytë në Vjenë, si dhe pozicionimin e mediave të ndryshme në garën e brendshme për kreun e LDK-së, që të shihet se sa është i fort diktati opozitës në pozitën dhe se sa është e vërtetë një aleancë fluide ndërmjet mr. Eqrem Kryeziut dhe Veton Surroit kundër akademik Dacit.

Natyrisht se të gjithë ne që e kemi mbështetur për vite dr. Ibrahim Rugovën, filozofinë e tij politike dhe linjën institucionaliste, jo për t’u bërë kryetar partie, jo për t’u bërë kryetar vendi, jo për t’u bërë kryeministër, jo për t’u bërë ministra, pra jo për të marrë ofiqe partiake dhe pushtetore, por ngaqë e kemi konsideruar si më afër interesit kombëtar, duhet të vazhdojmë të jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm që me përkrahjen apo mospërkrahjen tonë të mos kontribuojmë për t’ua lehtësuar kundërrugovistëve, karrieristëve dhe të ngjashmëve si këta që ta marrin nën kontroll LDK-në, duke rrezikuar kështu unitetin e partisë dhe të vetë linjës institucionaliste.

Akademik Daci, i cili për shkak të atyre që kemi thënë gjatë këtyre ditëve, ka një mbështetje për kreun e partisë, duhet të dijë ta ruajë këtë, e edhe ta forcojë, jo aq për vetë atë, sa për vetë linjën politike në të cilën është, sa për respektin e madh që ka pasur dr. Ibrahim Rugova për të dhe përgjithësisht për të mirën e proceseve politike parastatusore dhe passtatusore në Kosovë. E këtë mund ta bëjë vetëm me afrimin e atyre që janë dëshmuar se janë të përkushtuar ndaj filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës, janë punëtorë dhe njerëz me emër të mirë në sy të opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar.

Të këtillë ka shumë në radhët e LDK-së në të gjitha degët e saj, qoftë brenda, qoftë jashtë Kosovës. Natyrisht se nuk duhet të bjerë në grackat e atyre që një herë, dy herë apo më tepër herë e kanë tradhtuar filozofinë politike të dr. Ibrahim Rugovës dhe pas aventurave të tyre personale dhe jopersonale provojnë që edhe një herë të vihen në krye të LDK-së. Është e qartë se karrieristët, të pafytyrët që i ndërrojnë fjalët për qëllime të ulëta, e të cilëve u përshtaten shumë mirë vargjet e Nolit: “dhe Feridi faqe ndërron/dje shante e sot lavdon”...