13 mars 2006 /TN

Zëri i Amerikës (13.03.2006), Ndërsa tregu i aksioneve u mëkëmb gjatë vitit të kaluar, 102 të pasur në mbarë botën u shtuan listës duke fituar titullin e miliarderëve.

Numri i miliarderëve arriti në 793 gjatë vitit të kaluar dhe pasuria e tyre e marrë së bashku u rrit me 18 përqind në 2 presje 6 trilion dollarë sipas revistës Forbes që radhit njerëzit më të pasur në botë për vitin 2006.

Botuesi i revistës Steve Forbes thotë se lista vazhdon të rritet pasi ekonomia globale po rritet me rritme që nuk janë parë që pas luftës së dytë botërore.

Shtetet e Bashkuara kanë tani 30 miliarderë të rinj, India, 10, Kina nga 2 ka tani 8 dhe Rusia nga 27 ne vitin 2004 ne 33 në vitin 2005. Themeluesi i Microsoftit Bill Gates është përsëri më i pasuri i botës për të 12 vit me rradhë, me 50 miliardë dollarë i pasuar përsëri nga Warren Buffett pasuria e të cilit ra në 42 miliardë nga 44 që ishte një vit më parë.

Në vendin e tretë është manjati meksikan i telekomit Carlos Slim Helu me 30 miliard dhe themeluesi i IKEAs Ingvar Kamprad në vendin e katërt me 28 miliardë dollarë.

Vetëm gjashtë nga 78 miliarderet femra e kanë vënë vetë pasurinë e tyre dhe nuk e kanë trashëguar. Miliarderja më e re është 22 vjeçarja Hind Hariri, vajza e kryeministrit libanez Rafik Haririt.