Kundër-rryma që po i kthen gratë në vatrën familjare. Autorë të shumtë paralajmërojnë perëndimin e epokës së “super-grave”, ndërsa filozofët denoncojnë këtë prirje të rrezikshme të grave, për t’iu rikthyer vetëm vlerave familjare.

Kush kërkon t’i kthejë gratë në shtëpi?


Belina Budini

Një erë e lehtë nostalgjie, që vjen nga librat e vjetër, kur secili kishte rolin dhe vendin e vet social. Po sikur gratë të ktheheshin në shtëpi? Sigurisht askush nuk rrezikon sot, ta shtrojë këtë çështje kaq direkt. Por ajo ndihet, dhe jo vetëm në Shqipëri ku gratë përgjithësisht kanë mbetur në shtëpi. Është një tendencë e vrojtuar nga studiuesit edhe në vendet më të zhvilluara. Tanimë kur feminizmi është demode, ka autorë që shkruajnë me ironi se, sa të dëshpëruara janë gratë moderne. Dhe kurrë më parë, që nga koha e pasluftës, nuk janë shenjtëruar kaq shumë fëmijët sa tani. Sigurisht, edhe kurrë më parë si tani, vajzat nuk janë ndjerë kaq të lira (moralisht) për të zgjedhur jetën e tyre.
Mos është ky efekt i “ngopjes me super-gratë”? Kështu e sheh çështjen një autor tjetër bashkëkohor (Michèle Fitoussi), i cili e përshkruan si një tundim të vërtetë, rikthimin në vlerat e vatrës familjare. Ndërsa një filozofe e njohur franceze, Elisabeth Badinter e cila nuk mënon të kritikojë edhe disa strategji të lëvizjeve feministe, në një libër të saj të kohëve të fundit, shprehet se gratë duhet t’i rezistojnë tundimit për t’u rikthyer në shtëpi. Sociologët nuk shohin megjithatë, ende një prirje për t’u kthyer prapa, por stanjacion të gjendjes së grave. Termometri më i saktë i pabarazive seksiste mbetet paga me një diferencë më të lartë se 20%. Megjithë krizat ekonomike, rikthimin në familje dhe zhvlerësimin relativ të punës, studiuesit vënë re një ulje të ndjeshme të tensionit feminist. “Në vitet ’70 gratë ëndërronin të vazhdonin studimet, të bënin karrierë, të ishin të pavarura financiarisht dhe të ndanin rolet në shtëpi. Ndërsa sot kualifikimi nuk shihet aq i domosdoshëm, një pagë e mjaftueshme dhe vihet re që gjeneratat e reja e përçmojnë fjalën “feminizëm”, - shkruan në librin e saj filozofja franceze Elisabeth Badinter.
Zërat që i nxisin gratë të kthehen në vatrën familjare janë të shumtë dhe fillojnë me ata të cilët shenjtërojnë të mirat e natyrës dhe të regjimit të zgjatur të shtratit, si justifikime psikologjike dhe higjieniste për t’i nxitur gratë t’i kthehen shtëpisë. Dhe është një fakt që ka gjithnjë e më tepër gra, të cilat megjithë diplomat dhe karrierën e nisur, ndërpresin punën e tyre për të rritur fëmijët. Kjo mund të konsiderohet si gjë normale, por ajo që e shqetëson filozofen franceze është fakti, që nuk ka një kundër-përgjigje ndaj argumentave pro kësaj zgjedhjeje. “Askush nuk shqetësohet më të paralajmërojë: Bija ime, duhet të punosh, sepse, nëse nuk e bën, do të jesh e varur, do të humbasësh lirinë tënde”, - shkruan Badinter
Ndërkaq, miti i amësisë së lumtur është rikthyer dhe kjo pranohet nga të gjithë. Mëmësia është duke u shndërruar në një vlerë kult. Edhe pse sipas zërave kundër, ta quash këtë të vetmen rrugë lumturie për destinin femëror, është një mënyrë të menduari e denjë për shekullin e XIX. Me një ndryshim, se sot shtatzanitë nuk pësohen (në Shqipëri përgjithësisht ende po) por zgjidhen, programohen në sajë të teknikave kontraceptive. Ky është një privilegj i jashtëzakonshëm, por nuk i ka dhënë fund iluzionit absolut, se fëmija mishëron arritjen femërore. Madje pediatër të njohur kanë arritur deri atje, sa të shkruajnë se “nëse nënat do të përkujdeseshin për fëmijët e tyre me kohë të plotë, ata nuk do të ishin as agresivë, as të droguar”. Kjo sipas filozofes franceze, do të thotë t’u thuash gënjeshtra grave.
Një sociolog tjetër, Paul Yonnet, shprehet se nëse ende nuk ka ndarje të barabartë të detyrave mes burrave dhe grave, kjo në themel do të thotë se gratë nuk e dëshirojnë me të vërtetë këtë. Megjithëse kjo nuk shpjegon gjithçka, duket se nuk është krejtësisht e pavërtetë dhe pas kësaj qëndron një praktikë mijëvjeçare, që i pengon gratë të braktisin përgjegjësitë e tyre. Në kohën kur sloganet feministe janë vjetruar dhe ligjet nuk kanë më gjurmë pabarazish seksiste, në jetën reale nuk është e vështirë të gjesh shembuj pabarazish. Mjafton të vëresh se diferencat e rrogave, edhe në vendet më të zhvilluara, janë nga 20-30%. Postet me më shumë përgjegjësi u rezervohen burrave dhe sot punëtorët më të varfër sipas statistikave janë gratë, me një përqindje shumë të lartë (80%). Është ende aktuale që kur lindin fëmijë, ato sakrifikojnë më shpesh sesa bashkëshortët e tyre punën, karrierën dhe pavarësinë.

SHIFRA

Gratë me arsim të lartë në Shqipëri zënë 60%

Gratë përbëjnë 51 % të popullsisë shqiptare

Diferencat e pagave 20-30%

80% e punonjësve më të varfër në botë, janë gra

Almanaku

Çfarë thotë ligji shqiptar

Gratë e burrat, si të jenë të barabartë profesionalisht

-Të zbatohen kritere të njëjta rekrutimi në punë
-Punëdhënësi të krijojë kushte të barabarta pune
-Gratë e burrat të kenë mundësi të njëjta
-Pagesa të jetë e barabartë, për punë me vlerë të barabartë
-Punëdhënësi të marrë masa për ndalimin e ngacmimeve seksuale ndaj punëmarrësit.
-Punëmarrësi të mos persekutohet, nëse ka drejtuar një ankesë për diskriminim.
-Të mos ketë diferencime gjinore në punësim, për çdo vend vakant, në të gjitha nivelet e hierarkisë profesionale.
Sipas nenit 4 të ligjit për barazinë gjinore


Neni për mbrojtjen e grave nga ngacmimi seksual

- Punëdhënësi duhet të marrë informacion nga gjithë punëmarrësit, për ndalimin e ngacmimeve seksuale në vendin e punës.
- Duhet të zbatojë menjëherë pas ankesës, masën disiplinore kundër çdo ngacmimi seksual në vendin e punës.
- Punëdhënësi duhet të përcaktojë masa disiplinore në rregulloren e brendshme, në përputhje me këtë ligj, në rastin kur një punëmarrës dhunohet në dinjitetin personal nga punëmarrës të tjerë, duke kryer një veprim diskriminues.


IOM: Përçmim dhe paragjykim ndaj femrave të trafikuara

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM) në Shqipëri, bëri të ditur se shpesh vajzat dhe gratë e trafikuara për shfrytëzim seksual, janë dyfish viktima për shkak të përçmimit që ekziston ndaj prostitucionit.
Fatkeqësia e shfrytëzimit seksual mund te shpjerë ne izolimin shoqëror për vajzat dhe gratë e trafikuara dhe ky është një realitet në mbarë globin. Familjet ose i mohojnë vajzat e tyre, ose rrezikojnë të mohohen vetë nga komunitetet të cilat besojnë se faji është i viktimave dhe jo i trafikantëve. Në Evropën Lindore dhe në Azinë Qendrore, përçmimi i të qenit te trafikuar për shfrytëzim seksual, po e detyron shumicën e grave dhe vajzave të trafikuara të cilat kthehen në vendlindje, të mos e kërkojnë asistencën e nevojshme. “Ne mund te kishim ndihmuar shumë me tepër viktima”,- thotë Oksana Horbunova, koordinatore e programit Antitrafik të IOM, në Evropën Lindore. Përçmimi ndaj grave të trafikuara për shfrytëzim seksual, shfaqet që në fillim të procesit te trafikimit. Në bazë të të dhënave që disponon IOM rezulton se, një numër mjaft i madh grash kryefamiljare, janë bërë pre e trafikimit për shkak të varfërisë dhe mungesës së mundësive si dhe përçmimit dhe diskriminimit për shkak të këtyre faktorëve. Një përqindje e lartë e grave të trafikuara, janë gjithashtu viktima të abuzimeve në familje.


08/03/2006
KATEGORIA: Metropol.Shekulli.