Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 5
  1. #1
    Promete (i lidhur) Maska e Kryeplaku
    Anëtarësuar
    12-09-2002
    Vendndodhja
    në realitetin e hidhur
    Postime
    2,202

    Kryepeshkopi Anastas zgjidhet president i Këshillit Botëror të Kishave

    Kryepeshkopi i Ortodoksëve shqiptarë në aktivitetin në Brazil


    Janullatos, President për 7 vjet

    Zgjidhet në krye të Këshillit Botëror të Kishave




    --------------------------------------------------------------------------------



    Për 7 vitet e ardhshme, në krye të Këshillit Botëror të Kishave do të jetë për herë të parë edhe një përfaqësues i kishës ortodokse shqiptare. Kryepeshkopi Anastas, kreu i kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, është zgjedhur në mënyrë unanime president i këtij organizmi kaq të rëndësishëm në botën e kishës ortodokse. Vendimi është marrë në mbledhjen e asamblesë së këtij këshilli ku kanë qenë të pranishëm përfaqësues të 348 kishave( ortodokse, anglikane, luterane, baptiste, etj) nga 120 vende të ndryshme të botës, në universitetin katolik të Porto Alegre në Brazil. Gjatë këtij takimi, Asambleja ka zgjedhur edhe 150 anëtarë të komitetit qendror si dhe 8 presidentë nga kontinente të ndryshme, të cilët do të drejtojnë Këshillin Botëror të Kishave në shtatë vitet e ardhshme dhe kanë për detyrë të promovojnë lëvizjen ekumenike dhe punën e Këshillit në rajonet nga vijnë. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë është anëtarësuar në Këshillin Botëror të Kishave që në vitin 1994, por kjo është hera e parë që ajo përfaqësohet në një rang kaq të lartë, gjë që do ta bëjë të njohur atë edhe rangjet kishtare e politike kudo në botë. Ndërsa vetë kryepeshkopi Anastas, ka qenë që nga viti 1963 anëtar i mjaft komisioneve dhe kryetar i tyre madje, shpeshherë, ka qenë edhe referues në aktivitete mjaft të rëndësishme të këtij këshilli.

    KATOLIKET
    Caritasi Shqiptar, IOM dhe Shoqata “Ambasadorët e Paqes”, organizojnë në daten 3 Mars Konferencen Kombetare “Kemi nje detyrim mirënjohjeje. Eshtë koha për të thënë faleminderit! Konferenca organizohet në mbeshtetje të luftës kundër trafikimit te qënieve njerezore, në të do të marrë pjesë dhe i dërguari i Selisë së Shenjtë Kardinali Martins

    Gazeta Shqiptare 28/02/06

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
    Kryepiskopata e Hirshme
    Rruga e Kavajës Nr. 151, Tiranë. Tel 04-234 117, Fax 232 109
    Zyra e Shtypit


    Njoftim për Media

    Kryepiskopi Anastas u zgjodh unanimisht President i Këshillit Botëror të Kishave në mbledhjen e Asamblesë së këtij Këshilli, ku merrnin pjesë rreth 700 delegatë, përfaqësues të 348 Kishave (Orthodhokse, Anglikane, Luterane, Presbiteriane, Metodiste, Reformatore, Baptiste, etj.) nga 120 vende të botës, zhvilluar nga data 14-23 shkurt, në Universitetin Katolik të Porto Alegre në Brazil.

    Në këtë Asamble, që pati si temë: “Perëndi, me hirin tënd, transformo botën”, morën pjesë mbi 4.000 veta, përfaqësues të kishave e organizatave të krishtera ekumenike, përfaqësues kishash pa të drejtë vote, të rinj e studentë etj., si dhe përfaqësues të Kishës Katolike, që në 10-vjetët e fundit merr pjesë aktive në takimet e KBK. Kryepiskopi Anastas ishte folësi i ceremonisë së hapjes si dhe kryetari i seancës “Pluraliteti fetar: përqafuar apo refuzuar”.

    Asambleja zgjodhi 150 anëtarë të Komitetit Qendror dhe 8 presidentë nga kontinente të ndryshme që do të drejtojnë Këshillin Botëror të Kishave në shtatë vitet e ardhshme. Ata promovojnë lëvizjen ekumenike dhe punën e Këshillit Botëror të Kishave në rajonet nga vijnë.

    Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, është anëtare e KBK që nga viti 1994. Kryepiskopi Anastas ka qenë që nga viti 1963 anëtar në shumë komisione si “Dialog me njerëz të bindjeve dhe ideologjive të ndryshme fetare”, gjithashtu dhe Kryetar i “Komisionit për Mision dhe Ungjillëzim” të Konferencës Botërore për Mision dhe Ungjillëzim në San Antonio Teksas të Sh.B.A 1989 si dhe shpeshherë referues në aktivitete të rëndësishme të këtij Këshilli.

    Temat kryesore që u shqyrtuan në këtë Asamble ishin: Drejtësia ekonomike; Rinia në kapërcimin e dhunës; Uniteti i Kishës; Identiteti i krishterë dhe pluraliteti fetar; Problemi i SIDA-s; Amerika Latine dhe problemet e saj.

    Këshilli Botëror i Kishave ka ndihmuar Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë gjatë gjithë procesit të ringritjes së saj nga gërmadhat. Ajo ka financuar programe në fusha të ndryshme, sidomos në atë sociale, nëpërmjet organizmit të vet për emergjencat – ACT, për refugjatët kosovarë, duke ndihmuar në bashkëpunim me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë rreth 33.000 veta me ushqime, veshje, ilaçe dhe ngritjen e kampeve etj. Këto programe vazhduan edhe pas kthimit të tyre në Kosovë.

    Me zgjedhjen në postin e rëndësishëm të Presidentit të KBK të Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë Prof. Dr. Anastasit, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, por dhe vendi ynë bëhen tashmë të njohur në të gjitha rangjet kishtare e politike kudo në botë.



    Tiranë 27.2.2006


    Për më shumë informacion mund të konsultoni faqen e Asamblesë:
    www.wcc-assembly.info

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
    Kryepiskopata e Hirshme
    Zyra e Shtypit
    Rruga e Kavajës Nr. 151, Tiranë.
    Tel 04-234 117, Fax 232 109


    Njoftim Shtypi


    Nga 14-23 shkurt, në Porto Alegre në Brazil, po zhvillon punimet Asambleja e Këshillit Botëror të Kishave (WCC). Tema e saj është “Perëndi, me hirin tënd, transformo botën”. Ajo do të jetë një rast për takim, reflektim shpirtëror, celebrimesh e vendimarrjeje për të krishterë nga e gjithë bota.

    Asambleja është organi suprem legjislativ i Këshillit Botëror të Kishave, organizatës më të madhe ekumenike në botë dhe mblidhet çdo 7 vjet. Qëllimi i saj është të shqyrtojë programet e ndërmarra nga WCC dhe të përcaktojë orientimet kryesore, si dhe të zgjedhë presidentin dhe të emërojë një komitet qendror, që vepron si organi kryesor midis dy asambleve. Më shumë se 700 delegatë dhe këshilltarë, në përfaqësi të 340 kishave anëtare të WCC, do të punojnë së bashku në kuadrin e një programi që përfshin veprimtari shpirtërore, studime biblike, seancat plenare tematike, mbledhjet për informim-debat dhe komitetet.

    Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është anëtare e WCC nga janari i vititi 1994. Por, siç do të theksonte Kryepiskopi Anastas në ceremoninë e rastit, Kisha jonë ishte e përfshirë në lëvizjen ekumenike që përpara Luftës së II Botërore dhe po të mos ishte regjimi komunist, me siguri do të ishte ndër anëtarët themelues të WCC në vitin 1948 (ndërsa Kryepiskopi Anastas ka qenë disa herë moderator dhe referues kryesor në asambletë dhe veprimtaritë e WCC).

    Në Asamblenë e vitit 1998, në Harare, Zimbabve, Kisha jonë ishte pjesëmarrëse me të drejta të plota dhe Kryepiskopi u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror, ku ka dhënë një kontribut të vazhdueshëm dhe aktiv.

    Edhe në Asamblenë që po mbahet në Porto Alegre, Kryepiskopit Anastas i takoi nderi të ishte folësi i parë në këtë veprimtari, në datë 14 shkurt. Ai theksoi, se të gjithë të krishterët kanë “detyrën dhe privilegjin të marrin pjesë sëbashku në mënyrë aktive në transformimin e botës”, për më shumë informacion konsultoni sitin e Asamblesë:

    www.wcc-assembly.info


    Të dhëna përmbledhëse për Asamblenë:

    347 kisha anëtare të Këshillit Botëror të Kishave, nga më shumë se 100 shtete (kishat protestanete e orthodhokse, ndërsa Kisha katolike është me stausin e vëzhguesit).

    4000 pjesëmarrës në Asamble nga çdo traditë e krishterë. 1200 pjesëmarrës “zyrtarë”, nga të cilët 700 delegatë me të drejtë vote.

    1800 pjesëmarrës të organizatave ekumenike, famullive, studentë etj.

    Qindra sesione lutjeje, prezantim ekpozitash, shfaqje.

    Temat kryesore:Drejtësia ekonomike; rinia në kapërcimin e dhunës; uniteti i Kishës; identiteti i krishterë dhe pluraliteti fetar; Amerika latine dhe problemet e saj.

    Do bëhet zgjedhja e presidentit dhe e 150 anëtarëve të Komitetit Qendror
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 02-03-2006 më 22:26

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    “Dinamika e së vërtetës”

    Intervistë me Fortlumturinë Anastasin (Janullatos), Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, President i ri i Këshillit Kishave (realizuar nga Arjakovsky, Porto Alegre, Orthodoxie.com)

    AA:Fortlumturia Juaj, ju u zgjodhët dje President i Këshillit Botëror të Kishave, së bashku me 7 personalitete të tjera të mëdha të botës së krishterë, cilat janë përparësitë e veprimtarisë për dëshminë ndërorthodhokse dhe ekumenike në botë?

    Kr. Anastas: Unë ndiej nevojën e të krishterëve për të qenë bashkë. Sigurisht, ne nuk mund të kapërcejmë vetëm në tre breza gjithë vështirësitë e grumbulluara midis të krishterëve gjatë shekujve. Por për ta, për të krishterët, të qenit së bashku nuk është vetëm një dëshirë e devotshme, por një nevojë. Sot, kur në botën e globalizuar shumë çështje, si teknologjia , sporti apo arti, nuk mbeten më në nivelin lokal apo etnik, nuk është më e mundur për të krishterët të qëndrojnë të ndarë dhe të izoluar.
    Në të njëjtën kohë, duhet të jemi realistë; nuk jemi ne që do zgjidhim të gjitha problemet. Nga çdo kishë lokale ka tendenca pronacionale dhe prokulturore. Por, ne kemi një forum, Këshillin Botëror të Kishave. Kjo nuk është një ëndërr, është një realitet i rëndësishëm.

    AA: KBK(WCC) nuk është vetëm një forum. Gjatë kësaj asambleje u fol gjithashtu për një shkallë tjetër të pjesëmarrjes në këshill, bazuar në Simbolin e Besimit të Nikesë, në njohjen e ndërsjelltë të pagëzimit midis kishave.

    Kr. Anastas: Po, në fakt është e rëndësishme ndërsa flasim për të krishterë, që të dimë kush është i krishterë. Identiteti i krishterë është kushti “sine qua non” për të marrë pjesë në këshill. Identiteti i krishterë do të thotë që ju pranoni të vërtetën bazë të Krishterimit. Kur themi “Perëndi, me Hirin tënd, transformoje botën”, që është tema e asamblesë, ne e dimë se ky hir nuk është diçka abstrakte; ne e dimë që bëhet fjalë për Hirin e Perëndisë, që u mishërua në personin e Krishtit, që vepron vazhdimisht në botë nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë. Eshtë predispozita bazë për të marrë pjesë në këtë fellowship (vëllazëri).
    Por ama bëhet fjalë vetëm me një fellowship. Nuk është një komunion (kungim). KBK nuk është një superkishë. Orthodhoksët gjithmonë janë lutur për unitetin e kishave. Kjo ka qenë gjithmonë një dëshirë e thellë e tyre. Tashmë ne ftohemi të marrim pjesë në këtë përpjekje për unitet. Kur sjell ndër mend rininë time, gjatë Luftës së Dytë Botërore, të tjerët ishin armiq…

    AA: Cilët ishin armiqtë tuaj?

    Kr. Anastas: Katolikët! Luteranët! Etj. Por tashmë kemi mundësinë t’i njohim “të tjerët”, t’i respektojmë, dhe njëkohësisht të lutemi për ta. Kisha Orthodhokse ka një përgjegjësi të madhe për të dëshmuar atë çka është. Ky është prioriteti ynë kryesor.
    Ne duhet gjithashtu të bëjmë të njohur tek të krishterët e tjerë të gjitha diskutimet tona, gjithë ndërgjegjen tonë kishtare, tërë dinamikën e kultit tonë. Kisha Orthodhokse nuk është një muze, por realiteti i gjallë i Trupit të Krishtit, që përqafon të gjitha, dhe jo vetëm një pjesë të botës.

    AA: Orthodhoksët nuk e kanë ndjerë gjithmonë veten mirë në Këshillin Botëror të Kishave?

    Kr. Anastas: Ne kishim përgjegjësinë të ishim në krye të zhvillimeve. Ne nuk duhet të qëndrojmë në periferi, atje ku të tjerët do të vendosin për ne. Në fillim në KBK kishte dyshim nga ana e orthodhoksëve për sa i përket botës protestante, sepse ishim një minoritet. Por, e vërteta ka dinamikën e saj. Përgjegjësia jonë është që të ndajmë me të tjerët të vërtetën që kemi marrë nga Perëndia. Orthodhoksët duhet të japin dëshmi jete. Ne nuk duhet të shprehim ide të bukura e të bëjmë në mënyrë skizofrenike të kundërtën e atyre që themi. Ekumenizmi është një pasurim për të tjerët, por gjithashtu edhe për orthodhoksët. Nuk është një udhëtim me një kah të vetëm. Ka ndarje të përvojave. Çdo kishë lokale duhet të ofrojë më të mirën e asaj që zotëron. Kisha Orthodhokse duhet ta vërë theksin tek teologjia e saj, tek historia, tek tradita, tek pasuria e së shkuarës. Duhet të shpjegojmë, se tradita që ne bartim nuk është një iluzion, por një realitet që nis nga mijëvjeçari i parë. Duhet të japim një dëshmi të këtij realiteti. Dhe shpesh, më e rëndësishmja nuk është vetëm ajo çka themi, por ajo që jemi. Të jesh i krishterë orthodhoks në gjithë aspektet e jetës - kjo është një sfidë e madhe.

    AA: Si e përcaktoni ju spiritualitetin e krishterë?

    Kr. Anastas: Spiritualiteti orthodhoks është një gjendje përkatësie në mënyrë të vazhdueshme në Krishtin, nëpërmjet kërkimit të Shpirtit të Shenjtë. Nëse e lëmë këtë mënjanë, nuk do të kemi asnjë ndikim. Vërtet, orthodhoksët duhet të jenë simbol i traditës së një Kishe, të Shenjtë, Katholike e Apostolike.

    AA: Gjatë ceremonisë së hapjes së asamblesë, në fjalën tuaj, ju shpjeguat se ashtu si disa fizikantë nuk mund ta ndajnë masën, peshën dhe gravitetin, Perëndia që në fillim bashkoi të vërtetën, mirësinë dhe të bukurën.

    Kr. Anastas: Po, në duhet të kërkojmë këtë unitet të bukurisë, mirësisë dhe të vërtetës. Eshtë detyra jonë, dhe ne duhet ta bëjmë pa ankth. Nuk jemi ne që shpëtojmë Kishën. Jemi ne që shpëtohemi në Kishë. Nuk jemi ne që shpëtojmë Krishtin. Ai nuk ka nevojë për ne në këtë drejtim. Le të jemi të lirë nga ky ankth për rezultatet. E di se ka gjithmonë njerëz që janë në kërkim të statistikave dhe rezultateve të matshme. Por ç’do të thotë ky sukses? Duhet të synojmë që suksesi të jetë autentik, të jetë në Krishtin, të jetë i lirë, t’u ofrojë gjithçka ne disponojmë me përulësi dhe gëzim. Të jemi të tillë! Eshtë më e rëndësishmja nga ajo që na kërkon Perëndia. Duhet të jemi para se të flasim.



    Shënim: Më 20 janar 1994, Komiteti Qendror i Këshillit Botëror të Kishave pranoi Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë si anëtaren më të re. Por, siç do të theksonte Kryepiskopi Anastas, Kisha jonë ishte e përfshirë në lëvizjen ekumenike që përpara Luftës II Botërore dhe po të mos ishte regjimi komunist, me siguri do të ishte ndër anëtarët themelues të WCC në vitin 1948. (Kryepiskopi Anastas ka qenë disa herë moderator dhe referues kryesor në asambletë dhe veprimtaritë e WCC.)
    Në Asamblenë e vitit 1998, në Harare, Kisha jonë ishte pjesëmarrëse me të drejta të plota dhe Kryepiskopi u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror, ku është shquar për një kontribut të vazhdueshëm dhe aktiv.

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    INTERVISTA/Flet kryepeshkopi i Kishës Ortodokse shqiptare

    Kryepeshkopi Janullatos: 15 vitet e mia në Shqipëri

    Rrallë, shumë rrallë ndodh që hirësia e tij Anastas Janullatos të flasë për veten e tij. Aq më tepër të japë një intervistë. Por duke qenë presidenti i Këshillit Botëror të Kishave, (World Concil of Churches, WCC) njerëzit që merren me shtypin ia kanë arritur. Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse për herë të parë flet për 15 vitet në këtë detyrë. Si e vlerëson kishën ortodokse shqiptare. Vështirësitë në fillim pasi gjeti 1600 kisha të shkatërruar dhe 22 priftërinj të moshuar. Por, edhe konceptet ideologjike fetare në kohët moderne. Gazeta Tirana Observer boton të plotë intervistën e marrë nga Stephen Webb, punonjës i medias për “Sinodin e Uellsit të Ri Jugor të Kishës së Bashkuar” në Australi dhe Yannick Provost, koordinator i Publikimeve “WCC”.

    Stephen Webb*,
    Yannick Provost*

    Eksperienca e pasur ekumenike dhe kishtare e Kryepeshkopit Anastas të Tiranës, kreu i Kishës Autoqefale të Shqipërisë, shtrihet në katër dekada dhe shumë kontinente. I dërguar në Shqipëri për herë të parë në vitin 1991, ai ka udhëhequr kishën e shkatërruar, më të madhen dhe më të vjetrën në vendin me popullsi kryesisht myslimane drejt një rinovimi të jashtëzakonshëm. Në vitin 1967, popullsia shqiptare nën regjimin komunist, ndalohej të praktikonte çdo lloj besimi. Anastas gjeti 1600 kisha të shkatërruara apo të mbyllura dhe vetëm 22 priftërinj të moshuar nga 440 që kishin shërbyer përpara komunizmit. Që atëherë ai ka udhëhequr përpjekjet për të rikonstruktuar jetën kishtare duke pagëzuar me mijëra vetë dhe duke hapur qindra vende adhurimi, shkolla, qendra rinore, klinika dhe manastire.

    Si u përfshitë fillimisht në lëvizjen ekumenike dhe cili ishte kontakti juaj i parë me “WCC”?

    Kontakti im i parë ishte në vitin 1963 në Konferencën mbi Misionin Botëror dhe Evangjelizmin në Meksikë, ku unë isha emëruar nga Sinodi i Kishës së Greqisë dhe shumë shpejt u përfshiva në punën ndërkombëtare ekumenike. Pas asamblesë së “WCC” në Vankuver në vitin 1983, u zgjodha moderator i Komisionit për Misionin Botëror dhe Evangjelizmin dhe punova për temën: “Vullneti juaj do të kryhet: misioni në mënyrën e Krishtit”. Mendoj se kjo temë ka lënë shenjë punën time shpirtërore.

    Si e shihni situatën aktuale në lëvizjen ekumenike?

    Unë mendoj se jemi në tranzicion. Është e qartë se lëvizja ekumenike nuk është një institucion, një shtëpi: është më shumë si një lumë. Një lumë ekziston në mjedise të ndryshme, duke filluar si burim dhe duke ndryshuar ndërsa rrjedh. Por një lumë është jashtë mase i bukur dhe jashtë mase i dobishëm për gjithë mjedisin. Ne flasim për krizat, vështirësitë dhe zhgënjimet. Megjithatë, unë besoj se lëvizja ekumenike është një detyrim për të gjithë ne. Ne duhet të flasim e mendojmë së bashku, të veprojmë së bashku dhe madje të grindemi së bashku, pa lënë interesat e tjera indiferente e laike të ndërhyjnë dhe ndotin lumin.

    Si e shihni rolin tuaj si president i “WCC”?

    Si president, roli im është të marr pjesë në diskutimet e Këshillit, të ndaj eksperienca të dekadave të shkuara, të kontribuoj në diskutimet aktuale dhe të fokusohem në problemet e së ardhmes. Ndërsa jashtë “WCC” detyra ime është promovoj ekumenizmin dhe të interpretoj punën e “WCC”. Pa dyshim që kur bëhet fjala për interpretim duhen ditur të dyja gjuhët, gjuha e “WCC” dhe gjithashtu mënyra sesi të tjerët jashtë mund ta kuptojnë këtë gjuhë. E rëndësishme, sidomos për Kishën Ortodokse, është të ndihmojë ortodoksët të shohin përgjegjësinë që ne kemi ndaj gjithë botës kristiane dhe të mos mbetemi të izoluar në komunitetin tonë. Pasi ne në Kishën Ortodokse jemi një pjesë e gjallë e botës moderne. Në mjedisin e kishave të tjera, roli im është të artikuloj eksperiencën dhe ndërgjegjen ortodokse dhe interesin tonë në planet e “WCC”. Mendoj se spiritualiteti dhe sensi i besimit bashkë me punën e kishës janë një kontribut i dobishëm i Kishës Ortodokse në lëvizjen ekumenike.

    A mund të na thoni diçka në lidhje me situatën aktuale në Shqipëri?

    Shqipëria është një vend unik. Ka qenë i vetmi vend që e ka nxjerrë jashtë ligjit besimin për 23 vjet. Brezi aktual mbart akoma pasojat e asaj kohe. Falë Zotit, tashmë ka liri besimi. Kisha Ortodokse e filloi prej asgjëje. Por tani ne kemi një kishë vitale. Ne përpiqemi gjithashtu të jemi aktivë në jetën sociale dhe në institucionet shëndetësore, arsimore, zhvillimin bujqësor, kulturën dhe mjedisin. Ne nuk jemi një komunitet i mbyllur duke vepruar për veten tonë, por duke ndarë me të tjerët atë çka kemi. Kisha Ortodokse në Shqipëri nuk është shumica, por është një prezencë e fortë në shoqëri. Ka marrëdhënie të mira ndërmjet komuniteteve fetare, duke përfshirë shumicën myslimane. Mendoj se ne kemi marrëdhëniet më të mira në gjithë rajonin e Ballkanit. Nuk mjafton të flasësh për bashkëjetesë, ne duhet të flasim për bashkëpunim. Dhe besimet duhet të bashkëpunojnë në periudha krizash. Në kohën e krizave të Kosovës në vitin 1999, kur refugjatët erdhën në Shqipëri dhe pjesa më e madhe e tyre ishin myslimanë, ne vajtëm në mes të atyre që vuanin dhe ndamë me ta vështirësitë. Ne bëmë një apel për familjen ekumenike dhe reagimi ishte me të vërtetë prekës. Duke punuar nëpërmjet projektit Veprimi i Përbashkët i Kishave i “WCC” bashkoi rreth 33 mijë njerëz. Nuk ishte vetëm simbolike por edhe domethënëse për gjithë situatën në Ballkan. Në Shqipëri, ne theksojmë se nuk duhet të lejojmë që fusha e besimit të përdoret nga forca të tjera; ne duhet ta përdorim besimin për të shëruar plagë dhe për t’i bërë zemrat njerëzore.

    Si president i “WCC”, cili është mesazhi juaj për kishat?

    Nuk më pëlqen të flas për një mesazh, më pëlqen të flas për të marrë pjesë në probleme sepse unë jam gjithashtu një person aktiv në një kishë lokale. Shqetësimi im pikë së pari është që të gjithë të kuptojnë se ne duhet të qëndrojmë së bashku. Duhet të mendojmë së bashku. Duhet madje të grindemi së bashku. Dhe të veprojmë së bashku. Çdo izolim në veten tonë do të ishte një gabim i madh madje dhe një mëkat. Është një skandal për kristianët që ata të mbeten të izoluar. Në nuk duhet të lejojmë të tjerët të jenë protagonistë të çështjeve themelore. Për shembull, në shekullin e kaluar ishte e gabuar që lejoheshin ideologji të tjera të ishin qendra e të drejtave njerëzore, drejtësisë sociale dhe interesave të të varfërve. Në shekullin e 21 do të ishte një gabim akoma më i madh po të lejonim ekzistencat e tjera fetare të jenë protagonistë, ndërsa kristianët në mënyrë të dukshme nuk kanë qëndruar indiferentë ndaj padrejtësive, keqtrajtimit dhe varfërisë njerëzore. Ne jemi bashkëpunëtorë në transformimin e energjisë së hirit të shenjtë. Ne duhet ta pranojmë këtë rol. Ndoshta kontributi më i madh që mund të japim ne të krishterët është që të jemi ata që pretendojmë se jemi: trupi i gjallë i Krishtit.

    * Punonjës i medias për “Sinodin e Uellsit të Ri Jugor të Kishës së Bashkuar” në Australi.
    * Koordinator i Publikimeve “WCC”




    Pasaporte

    Datëlindja: 4 nëntor 1929
    Vendlindja: Pire, Greqi

    ¨ Ka studiuar Drejtësi dhe Teologji në Athinë në vitin 1979
    ¨ Ka marrë titullin e peshkopit të Andrusës
    ¨ Ka qenë Profesor i Historisë së Feve dhe Dekan i Fakultetit të Teologjisë të Universitetit të Athinës
    ¨ Në vitin 1991 mbërrin në Shqipëri për herë të parë, ku më pas emërohet Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare
    ¨ Është Anëtar Nderi i Kuratoriumit të Fondacionit Romanokatolik “Pro-Oriente” (Vienë 1989)
    ¨ Është Anëtar Nderi i Akademisë Teologjike të Moskës (1998)
    ¨ Në vitin 2003 iu dha “Diploma Atë Dhimitër Stanilae”, titulli më i lartë teologjik i vendosur kohët e fundit në Rumani
    ¨ Në shkurt 2006 Kryepeshkopi Anastas zgjidhet president i Këshillit Botëror të Kishave

    “WCC”

    Këshilli Botëror i Kishave “WCC” promovon bashkimin e krishterë në besim, dëshmon dhe shërben për një botë paqësore. Një lëvizje ekumenike kishtare, themeluar në vitin 1948, sot “Wcc” bashkon 348 protestantë, ortodoksë, anglikanë dhe kisha të tjera, duke përfaqësuar më shumë se 560 milionë të krishterë nga 110 vende, si dhe bashkëpunon me Kishën Romake Katolike.

Tema të Ngjashme

  1. Procesi i Pavarësimit të Kosovës
    Nga AsgjëSikurDielli në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 167
    Postimi i Fundit: 12-10-2012, 06:23
  2. Shinasi Rama: Ju rrëfej kujtimet e mia mbi lëvizjen e dhjetorit '90
    Nga Xhuxh Xhumaku në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 36
    Postimi i Fundit: 13-12-2009, 22:54
  3. Aldo Bare: Dokumentat do t’i bëjmë nëpërmjet Gjermenit
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 75
    Postimi i Fundit: 21-05-2007, 00:58
  4. Komploti boteror
    Nga ORIONI në forumin Historia botërore
    Përgjigje: 43
    Postimi i Fundit: 31-10-2005, 12:59
  5. Çështja Çame
    Nga Eni në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 154
    Postimi i Fundit: 25-03-2005, 19:56

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •